Etnografia e një qyteti në një muze, kostume, tradita dhe rite

Tradita shekullore bashkohet në një ndërtesë të vetme në Krujë. Muzeu Etnografik, i restauruar së fundmi nga programi EU4Culture. Pasi pësoi dëme të konsiderueshme në tërmetin e vitit 2019, muzeu i është nënshtruar rinovimit dhe modernizimit të plotë. Tani tregon të kaluarën përmes një përzierje zërash, imazhesh, videosh dhe realitetesh virtuale.

Katër figura meshkujsh në aktivitetet e tyre të përditshme, një bari, një kovaç që farkëton metalin, një burrë që përpunon leshin për të prodhuar “shajakun” dhe një poçar që punon me argjilë, janë paraqitur në një videohartë në amfora. Këto silueta burrash, të cilat duken si vizatime në lëvizje që demonstrojnë metoda të hershme të punës, krijojnë një çast takimi me atë që dikur ka qenë e kaluara e qytetit të Krujës, zejet, traditat dhe ritet e tij. Kjo është një risi në Muzeun Etnografik të Krujës, ku teknikat e vjetra si punimi i qeramikës, përpunimi i metaleve, përpunimi i lëkurës, prodhimi i rakisë, përpunimi dhe ruajtja e ushqimit, prodhimi i vajit të ullirit, shfaqen pranë një skulpture dylli të një burri shqiptar me veshjen e tij tradicionale teksa punon në mulli. Disa dhoma tregojnë përditshmërinë dhe mënyrën se si organizohej shoqëria shqiptare deri pakshekuj më parë, duke ekspozuar rreth 1000 artefakte, mes të cilëve edhe enë kuzhine të punuara me dorë, të trashëguara dhe të ruajtura brez pas brezi.

Muzeu sapo ka rihapur dyert e tij pas një pune restauruese dyvjeçare, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, përmes programit “BE për kulturën”. Projekti i ndërhyrjes përfshinte konsolidimin strukturor pas dëmeve të konsiderueshme të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019. Punime të ruajtjes së jashtme, të brendshme dhe të çatisë, restaurimi i artefakteve, ruajtja e orendive historike dhe pikturave murale për të përmirësuar dallueshmërinë e formës, dizajni i ri i ekspozitave muzeale dhe interpretimi multimedial, që kombinon trashëgiminë shqiptare me përvojat novatore digjitale, të gjitha në një.

Gjatë ceremonisë së rihapjes në korrik, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha: “Jam i sigurt se rikonceptimi i plotë i kësaj hapësire, mënyrat e reja të ekspozimit të artefakteve, së bashku me shtimin e elementeve interaktive do të rrisin fuqinë tërheqëse që ka ky muze, duke ofruar një eksperiencë unike dhe të paharrueshme për të gjithë”.

Duke përmendur rëndësinë e ruajtjes së aftësive dhe teknikave që kanë prodhuar objekte kaq të bukura dhe mundësinë për t’u treguar vizitorëve jo thjesht ekspozimin e objekteve, por atë çka Shqipëria ka qenë, është dhe përfaqëson, ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, shtoi: “BE për kulturën” nuk ka të bëjë vetëm me rinovimin e ndërtesave apo ekspozimin e artefakteve. Ka të bëjë me shfaqjen e identitetit kulturor të Shqipërisë. Kur e dimë se kush jemi dhe nga vijmë, nuk kemi frikë nga diversiteti, nga kulturat dhe traditat e tjera. Kjo është arsyeja pse nëpërmjet këtij muzeu dhe programit “BE për kulturën”, ne jo vetëm ruajmë trashëgiminë shqiptare, por edhe promovojmë një shoqëri më gjithëpërfshirëse”.

Muzeu Etnografik në Krujë ndodhet në një ndërtesë rezidenciale historike, e cila fillimisht ka qenë banesa e familjes Toptani. E ndërtuar ndoshta në vitin 1764, është një shembull përfaqësues i rezidencave të shekullit të 18-të, me një verandë të mbyllur, një model tipik për epokën. E rrethuar nga një oborr, i cili mbyllet me një mur të ulët me muraturë, sipërfaqja e shtëpisë është e ndarë në dy kate me përmasa pothuajse të barabarta, të ndërlidhura nga një shkallë guri. Ekranet e rinovuara të muzeut janë modernizuar me përmbajtje multimediale dhe edukative, duke paraqitur një përvojë VR të traditave të dasmave, një dhomë virtuale veshjeje, efekte zanore të një hamami, udhërrëfyes audio, tableta që shfaqin riprodhimin vizual të zanateve dhe projeksionet e video hartave mbi punime qeramike historike.

Meqenëse çdo dhomë ka konceptin e vet, dhoma e burrave dhe ajo e nuses janë mjaft të ndryshme nga të tjerat, pasi kanë piktura murale. Dhoma e burrave, e njohur ndryshe edhe si dhoma e mysafirëve, ka shumë elementë dekorativë, përfshirë murale dhe piktura druri në të dy anët e oxhakut. Hapësirat e mureve shfaqin motive arabeske të ndërthurura me elegancë dhe mjeshtëri me motive floreale.

Në dhomën e burrave/mysafirëve ngjyrat e përdorura në piktura janë e kuqja, e zeza dhe grija, ndërsa në dhomën e nuses motivet florale të pikturuara me teknikën a-secco janë mjaft të përmbajtura. Okra dhe e gjelbra dominojnë në një sfond të bardhë, të zi, një tonalitet të ngjyrave vjollcë dhe rozë. Pikturat paraqesin tema të ndryshme, duke përfshirë portrete burrash me mustaqe pra një sfondi pemësh, ndërtesa të vjetra, një xhami, një varkë me njerëz të armatosur, dy luanë të ngjashëm me ata venecianë apo elementë që u kujtojnë vizitorëve një stemë apo një emblemë. Dhoma e nuses dhe e burrave janë lyer nga dy piktorë të ndryshëm, siç vërejnë specialistët që punuan me restaurimin. Për shkak të depërtimit të shiut nga çatia, dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti dhe gërvishtjeve, e gjithë sipërfaqja e pikturave në të dy dhomat i është nënshtruar restaurimit. Në ditët e sotme, të njëjtat mure shfaqin plotësisht motive dhe simbole që përshkruajnë elemente kulturore dhe stilin e jetesës së rajonit gjatë shekullit të 18-të.

Me një rrëfim novator, të detajuar në çdo hapësirë, por që nuk ndërhyn te vlerat historike, muzealizimi i ri krijon një ndjenjë përkatësie me të kaluarën, nëpërmjet teknologjisë. Një tjetër dimension që ofron mundësi unike për të kuptuar dhe pothuajse për të jetuar jetën e përditshme të qytetit tre shekuj më parë, është dasma e shfaqur në një film 360°. Një ekran i vendosur në dhomën e nuses riprodhon ritualet e martesës në kulturën vendase. Çdo ritual përmirësohet edhe nga rrëfimi përmes tekstit. Nëpërmjet të njëjtës teknologji, burra dhe gra, të veshur me rrobat e tyre të veçanta për ditën e shënuar, ftojnë vizitorët në dasmë.

Një nga pikat kryesore të muzeut është një dhomë virtuale veshjeje, e cila u mundëson vizitorëve të bëjnë selfie ndërsa veshin (virtualisht) veshje tradicionale që datojnë nga shekulli i 18-të. Kostumet, përfshirë xhubletën e famshme – një veshje e punuar me dorë e veshur nga gratë dhe vajzat malësore në Shqipërinë e Veriut, së fundmi trashëgimi botërore, ekspozohen gjithashtu në të njëjtën hapësirë ​​ku shfaqen veshjet tradicionale të burrave, grave, fustani i nuses dhe aksesorë tipikë, veshjet e dhëndrit, veshje të ndryshme për banorët e qytetit dhe fshatit. Me siguri, ky muze është një biletë për të udhëtuar në kohë dhe tani, falë teknologjisë së tij inovative, është e mundur edhe një selfie e shpejtë, duke imituar një shqiptar të shekullit të 18-të.

Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai fokusohet te rinovimi dhe rigjallërimi i 23 siteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë eurosh. Ai synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjive inovative, përfshirë rrëfimin digjital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të aksesueshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, programi mbështet sipërmarrjen vendore, artizanatin dhe nismat kulturore që zhvillohen rreth zonave të përzgjedhura përmes dhënies së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendore./atsh/ KultPlus.com

Pse kostumet tona kombëtare rrezikojnë të zhduken

Kostumet popullore janë një nga simbolet më origjinale të kulturës tradicionale. Duke qenë trashëguese e transmetuese të shumë elementëve që vijnë nga lashtësia janë jo të paktë njerëzit që drejtohen drejt një veshjeje popullore.

Por në Shqipëri duket se është e vështirë që kjo traditë të ruhet e të vazhdojë të përcjellë vlera si për vendësit, ashtu edhe për turistët që jo pak herë janë mahnitur nga veshjet tona popullore.

Ajo që etnografët dhe kostumografët pohojnë njëzëri është se kostumet tona kombëtare janë të rrezikuara të zhduken nga transformimi që kanë pësuar në vite.

“Kostumet Kombëtare Shqiptare më shumë rrezikojnë të zhduken e të humbasin nga rreziku dhe masakra e transformimit që u është bërë gjatë këtyre tridhjetë viteve në ekonominë e tregut të lirë, nga bizneset që prodhojnë të ashtuquajtura kostume popullore. Përveç qëndistarëve të talentuar të paktë që kanë dashuri dhe shije arti, përgjithësisht është bastarduar modeli i kostumit kombëtar, devijuar nga origjinali. Në skenat artistike artistët e rinj i veshin në emër të traditës, por janë thjesht beze e tekstile me ngjyra dhe kinkalerira shndritëse”, shprehet koleksionistja dhe hulumtuesja e simbolikës në etnografi, Luljeta Dano.

Kritike është edhe etnografja e njohur, Afërdita Onuzi. Sipas saj duhet ruajtur identiteti krahinor i veshjes.

“E vërteta është se ndodhin raste që ato tjetërsohen. Duhet të ruhet origjinaliteti i krahinës përkatëse, të ruhen të njëjtat motive, që kur të shohim një veshje të Tropojës, të themi është nga Tropoja, të ruhet identiteti krahinor i veshjes”, shprehet etnografja për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “ka prodhues të rinj, ka edhe në fshat të specializuara që i prodhojnë, ka edhe në qytetet e Shqipërisë. Unë si studiuese preferoj ato gratë e fshatit sepse ato i njohin specifikën veshjes për të ruajtur atë origjinalitetin”.

Sipas kostumografes Edlira Sulaj, fakti që riprodhohen “shtrembër” është edhe kostoja e lartë e tyre.

“I thjeshtojnë për faktin se veshjet tradicionale kanë një kosto të lartë të prodhimit, dhe nuk mund të gjesh treg për ta tregtuar dhe nuk mund të kesh as prodhim gjendje, prandaj shumë njerëz e bëjnë gabim atë. Një pikë të vogël t’i heqësh asaj, ti ja prish të gjithë atë bukurinë që ka, për mua duhet të kanalizohet edhe licencimi i personave që ndërtojnë veshje tradicionale origjinale”.

Sulaj i mëshon fort faktit se duhet të kanalizohet edhe licencimi i personave që ndërtojnë veshje tradicionale origjinale, gjë të cilën ajo e quan edhe papërgjegjshmëri shtetërore.

“Në fakt është shumë emergjente pjesa e riprodhimit. Personat që mbartin dijet e teknikave të ndërtimit të veshjeve, janë shumë të paktë. Gjithashtu nuk ka dhe literaturë të shkruar për teknikat e ndërtimit të veshjeve tradicionale, të ndërtosh veshje tradicionale duhet të kalosh 36 teknika të ndërtimit të saj dhe të gjitha këto janë një institucion më vete”.

Koleksionistja Luljeta Dano ngre pyetjen “a ka etnograf që firmos duke mbajtur përgjegjësinë akademike për kostumografinë e përdorur në një event”?

“Në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës, një nga monumentet më të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare ngjitet në skenë grupi polifonik i burrave dhe marrësi i këngës, kryekëngëtari, në vend të mbajë në brez një silah me qëndisje ari të kapedanëve të vjetër, mbante një stravecë, përparëse me thekë, grash mirditore. Nuk e di, nëse në festivale, filma e shfaqje të tjera, a ka etnograf që firmos duke mbajtur përgjegjësinë akademike për kostumografinë e përdorur, qoftë edhe të shartuar me stilimin artistik. Ka një harmoni që nuk duhet cenuar kurrsesi, të mos preken ato linja që kostumet kombëtare shqiptare i kanë trashëguar në vijë tipologjike nga veshjet ilire dhe veshje të tjera të lashta”, shprehet Dano për Gazetën “Si”.

Për këtë panoramë të zymtë, etnografja Onuzi është kritike edhe ndaj Ministrisë së Kulturës, pasi sipas saj veshjet popullore janë pjesë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

“Ministria e Kulturës për veshjet origjinale ka vite që e ka harruar këtë punë. Për riprodhimin kur janë bërë festivale deri para 5 vitesh, interesohej për të sjellë grupet me kostume, por në këtë 5-vjeçarin e fundit nuk do fare të merret. Është lënë në dorë të përgjegjësve të grupeve artistike që kanë ato grupet e tyre dhe zhvillojnë aktivitete private”.

Për të kuptuar se çfarë ndodh në botë me veshjet popullore, koleksionistja Dano sjell edhe një paralelizëm me Norvegjinë ku shihet dukshëm se me sa fanatizëm ruhen kostumet atje, duke marrë edhe dënime nga policia.

“Veshja popullore norvergjeze e quajtur Bunad, ka afërsisht 55. 000 variante të Bunad-it në mbarë Norvegjinë, (duket një rekord marramendës, por Norvegjia ka gjithashtu Policinë e Bunad-it e cila monitoron çdo bartës dhe prodhues të saj që të mos shtojë asnjë element joautentik në veshje dhe në filigramën e saj). Nëse ti je një norvegjez që e vesh në festat familjare e krahinore, apo je një prodhues i kësaj veshjeje dhe dëshiron të fantazosh mbi një element të kostumit duke besuar se i shton bukurinë duke ndryshuar sikur edhe një element për ta zbukuruar sipas shijes personale, Policia e Bunad-it shfaqet në derën tënde me dënimin përkatës”, shprehet Dano, ndërsa shton se “Shqipëria nuk është Norvegjia, por së paku dëshiroj të kemi një polici të tillë, qoftë edhe vetëm për Xhubletën, si monument me status Kryevepër e Trashëgimisë Kulturore Kombëtare”.

Mungesën e vëmendjes ndaj kësaj fushe të krijimtarisë popullore, e pranon edhe kostumografja Sulaj. “Nuk ka vëmendje, por më duket se nuk ka as dëshirë nga institucionet për të parë diçka me vlerë me syrin më të mirë të mundshëm”, përfundon ajo.

Veshjet tradicionale janë ajo pjesë e trashëgimisë për të cilën çdo vend krenohet, por duket se në vendin tonë ato po shkojnë drejt transformimit, duke na sjellë kështu më pak shije tradite…/ Gazeta “Si” / KultPlus.com

Meta dekoron personalitete të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare në Zall Dardhë

Dibra, simbol i qëndresës së shqiptarëve, ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri dhe identitet kulturor-

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta zhvilloi një vizitë pune në Dibër, ku vlerësoi disa të personalitete të shquara të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare.

Fillimisht, Kreu i Shtetit u ndal në Muzeun Historik të Kastriotëve në Sinë, e më pas u takua me fermerë të zonës me të cilët bisedoi për domosdoshmërinë e zhvillimit të agro-turizmit dhe rëndësinë e promovimit të mëtejshëm të këtyre viseve me bukuri të rralla natyrore, si dhe u interesua për problemet e çështje e tyre të ndryshme jetike.

Më pas, Presidenti Meta, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë, Dionis Imeraj, Prefekti i Qarkut, Nexhbedin Shehu, autoritete vendore, përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe qindra qytetarë, vizitoi fshatin e Zall Dardhës, ku vendosi një tufë me lule tek Obelisku “Kuvendi i Dardhës 1921”, si dhe mori pjesë në koncertin festiv të organizuar nga shoqata atdhetare “Kuvendi i Zall Dardhës”, ku edhe vlerësoi disa nga personalitetet më të shquara të kësaj treve.

Në ceremoninë solemne të organizuar, Presidenti i Republikës vuri në dukje se ndihet i lumtur që gjendet në Zall Dardhë, në fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, por dhe në krahinën e artistëve, rapsodëve dhe valltarëve të famshëm për mbarë kombin!

“Ju sikurse gjithë dibranët kanë qenë dhe janë përgjatë gjithë historisë krenarë para Atdheut dhe flamurit kombëtar. Duket se Zoti bashkë me bukuritë e natyrës ka blatuar tek banorët e këtyre viseve virtyte njerëzore nga më të arrirat!”,- tha Meta

Të rritur me Korabin përballë, bijtë e shquar të kësaj krahine kanë marrë prej malit madhështor cilësitë e  qëndresës dhe kryelartësinë e tij në karakterin dhe shpirtin e tyre. Treva  juaj ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri, por edhe dhe identitet kulturor. Prandaj rapsodi do këndonte: Luftën kurë se kemi nda, Reç e Dardhë jemi një vëlla… Besa – besë, nihet zani,  Zot t`i dalim këtij vatani…””,- u shpreh Meta.

“Të lidhur fort me doket, zakonet dhe pasurinë shpirtërore të parëve ju i keni qëndruar besnik trashëgimisë, kodit krahinor dhe idealit kombëtar. Jo pa kuptim ata kuvendin e tyre të burrave e quajtën “ Dheu ”, për të treguar, se si Anteu ata e marrin bekimin dhe fuqinë e tyre prej tokës që i lindi dhe rriti.Tradita e Kuvendeve në Reç e Dardhë, është një ndër shembujt më të shquar të përgjegjësisë atdhetare, të organizimit dhe qeverisjes vendore. Ajo konsiderohet si trashëgimia më e mirë e vlerave atdhetare të zonës”,- tha Meta.

“Në këto kuvende u rritën e u formuan disa nga figurat më të rëndësishme të Dibrës, por edhe të mbarë kombit shqiptar si: Elez Isuf Ndreu, Isuf Xhelili e Dali Ndreu, si dhe plot figura të tjera të njohura e të respektuara si:Baftjar Doda, Cen Elezi, Hasan Marku, Hysen Vladi, Sul Marku, Sheh Halimi, Mahmut Laçi, Ramadan Cani, Merë Troci, Mehdi Kaca, Rrahman Mziu, Sheh Ymeri, Rrahman Rasha, Hysni Kaca, Selim Lila, Selman Ahmeti, e shumë të tjerë.

“Janë këta burra, për të cilët  do të këndonte mjeshtri Qerim Sula: Me gjoks flakën ja shuajmë topit/ Jemi gjaku Kastriotit! Nder, respekt dhe lavdi përjetë emrit dhe kontributit të tyre për kombin tonë!”,- vijoi Presidenti

“Ansambli juaj “Kuvendi”, 70-vjetorin e të cilit festuam një vit më parë është një reflektim i fuqishëm i shpirtit tuaj atdhetar, artistik, i vlerave kulturore dhe mënyrës se si ju ruani të gdhendur në vargje, këngë, valle e kostumet popullore historinë krenare të trevës tuaj. E çmoj shumë të rëndësishëm jetëgjatësinë e ansamblit, suksesin dhe vitalitetin e grupit tuaj artistik! Duke i rezistuar kohës, ky  ansambël  përfaqëson një simbolikë të madhe për ruajtjen dhe përsosjen e folklorit shqiptar.”,- tha Meta.

Sipas tij, “artistët popullorë të këtij ansambli janë një shembull i madh i pasionit, përkushtimit dhe mbartës të vlerave folklorike të një treve me tradita ndër më të shquarat atdhetare. Megjithëse një ansambël krahinor këngëtarët e valltarët e tij kanë shkëlqyer dhe janë vlerësuar në festivale dhe skena shqiptare, por edhe ato botërore. Emrat e artistëve Haziz Ndreu, Muharrem Xhediku, Liri Rasha, Qerim Sula, Sajhe Poleshi, Ramadan Selmani,  Shaban Mziu,  Sherif Dervishi Xhelil Ymeri, Xhelal Cerpja dhe shumë të tjerëve janë të dashur për gjithë shqiptarët dhe janë bërë zëri i kombit në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare. Koncertet që ju po shfaqni me kaq art dhe talent janë një sinjal i madh i mbijetesës të pasionit tuaj të pashuar, por të dashurisë në radhë që ju keni për trojet e kulturën tuaj popullore.”,- u shpreh Meta.

“Ato flasin në mënyrën më të qartë për një të ardhme të begatë të aktivitetit dhe folklorit tuaj të pashtershëm ndaj edhe unë do të jem një mbështetje e fortë e juaja edhe në të ardhmen, sepse ju jeni një shembull edhe për të gjitha trevat e tjera.”,- shton ai.

“Do të doja sot t’ju përgëzoja për aktivitetin e Shoqatës tuaj  Kulturore Artistike, në mënyrë të veçantë kryetarin e saj të palodhur Neshat Ndreu, udhëheqësin artistik Xhelil Hyseni, mbështetësin fisnik Muharrem Gjoka si dhe gjithë këngëtarët, valltarët dhe instrumentistët e Ansamblit ‘Kuvendi Zall Dardhës’. Një vit më parë, ju akordova me rastin e  70-vjetorit titullin ‘Naim Frashëri’ për Ansamblin ‘Kuvendi’, si dhe ju premtova se do të takoheshim sërish! Mendova se ishte më mirë të mblidheshim pikërisht këtu në Zall-Dardhë, ku është  burimi të pashtershëm i talenteve, për të plotësuar vlerësimin e merituar të disa prej artistëve tuaj të famshëm!”,- tha Meta.

“Do të doja në këto momente të dekoroja një për një gjithë këngëtarët, valltarët, muzikantët e këtij ansambli në vite, por do t’ju lutesha, që t’i konsideroni vlerësimet për miqtë tuaj si pjesë edhe të vlerësimit të gjithë secilit prej jush.”,- shtoi Meta.

“Ne do të mblidhemi sërish në festa e përvjetorë, kështu në një takim të ardhshëm do të ketë të tjera dekorime. Porosia ime për ju dhe gjithë shqiptarët është të vazhdojmë të kujdesemi për truallin ku na lindën të parët, për truallin që na mëkoi gjuhën e nënës, dhe që na mësoi që të kemi vetëm një flamur në jetë, flamur kombëtar!”,- vijon Meta.

“Dhe kjo do të arrihet vetëm duke edukuar edhe ne brezat më të rinj dhe jam shumë i lumtur që shikoj shumë të rinj e të reja sonte në këtë veprimtari Edhe pse larg gjeni mundësitë të ngrini zërin dhe të ndihmoni në zhvillimin e krahinës suaj, që edhe këtu të ketë jetë kulturore, infrastrukturë, shërbime dhe agro-biznese në këtë mënyrë vendlindjet tona mos braktisen, por të jenë të dashura për të jetuar!”.- u shpreh ai.

“Demokracia shqiptare duhet të japë frytet e zhvillimit në të gjithë vendin dhe jo vetëm në dy-tri qytete! Nder dhe mirënjohje Zall Dardhës, Dibrës dhe bijve të saj më të shquar! Urime e suksese të mëtejshme artistëve të Ansamblit Kuvendi! Gëzuar festën tuaj tradicionale! Mbarësitë më të mira për ju, për të gjithë dibranët dhe për do vatër shqiptare!” – u shpreh Presidenti Meta.

Kreu i Shtetit vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Qerim Sulën (pas vdekjes) dhe zonjën Liri Jushi (Rasha), ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Sherif Dervishin dhe Xhelal Cerpjen (pas vdekjes) Shaban Mziu, Sajhe Poleshi, Xhelil Ymeraj, Lutfi Ndreu dhe Halil Rama. Kurse me Titullin “Për Merita të Veçanta Civile” Presidenti i Republikës dekoroi artistët Neshat Ndreu dhe Agim Cani. /atsh/ KultPlus.com