Shqipëria përfituese e 7 projekteve të programit “Europa Krijuese”

Në këtë kohë të krizës ardhur nga pandemia e Covid-19, Shqipëria është bërë përfituese e shtatë projekteve europiane në kuadër të thirrjes “Bashkëpunimi Kulturor në Ballkanin Perëndimor 2020”.

Është ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ajo e cila ka dhënë lajmin, ku thotë se ndër 300 aplikues, vetëm 13 projekte u shpallën fituese, mes tyre, shtatë organizata jofitimprurëse dhe institucione publike kulturore nga Shqipëria.

Ministrja sqaron se programi “Europa Krijuese” mbështet Shqipërinë në projektet: Shoqata Poeteka (2 herë fitues), Tulla, Qendra Marrëdhënie, Vox Baroque, Qendra Harabel dhe Muzeun Historik Kombëtar. Programi ”Europa Krijuese” jep mbështetje për sigurimin dhe promovimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor europian dhe mbështetje për fuqizimin e sektorit të konkurrueshmërisë.

Synimet e programit janë të ndihmojë sektorët kulturorë dhe krijues që të shfrytëzojnë mundësitë në kuadër të moshës dixhitale dhe globalizimit; të mundësojë që sektorët të forcojnë potencialin e tyre ekonomik duke kontribuar në rritje të qëndrueshme, vende pune dhe kohezion social; të japë akses për sektorin e kulturës dhe medias në Europë me mundësi bashkëpunimi në nivel, tregje e audience ndërkombëtare. / KultPlus.com

Zyra e BE-së në Kosovë ka filluar diskutimet për çështje gjinore

Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë ka filluar aktivitetet e saj në Kosovë që për temë kanë çështjet gjinore dhe të cilat po zhvillohen në Shtëpinë e Europës në Prishtinë, shkruan KultPlus.com

“Zyra e BE/PSBE-së në Kosovë vendosi të fillojë vitin 2019 në një mënyrë shumë të veçantë, duke filluar një seri bisedimesh gjinore të BE-së. Ngjarja e parë e këtij vargu bisedimesh u mbajt më 21 janar 2019 në Qendrën e Informacionit dhe Kulturës së Bashkimit Evropian (EUICC), e njohur tani si Shtëpia e Evropës, në Prishtinë”, thuhet në raportin e tyre.

Në diskutimin e tyre të parë zyrtaret e larta të institucionit përkatës kanë shpalosur sfidat dhe nevojat me temën “Gjinia dhe personat me nevoja të veçanta”, brenda fushës së të Drejtave të Njeriut.

“Ambasadorja Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së / Përfaqësuese Speciale e BE-së (PSBE) dhe Elvana Shala, Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Kosovë, prezantuan diskutimin mbi ‘Gjininë dhe personat me nevoja të veçanta’. Si për çdo çështje tjetër të të drejtave të njeriut në Kosovë, personat me nevoja të veçanta përballen me një sërë sfidash në mbrojtjen e të drejtave të tyre”, thuhet ndër të tjera në raportin e tyre. / KultPlus.com