Gjer më 1948 Ionesco kishte shkruar disa ese, pak poezi dhe ndonjë artikull, ku spikatnin tashmë dukshëm përjetesat e absurdit. Mirëpo, kur vendos t’i hyjë mësimit të anglishtes, me metodën Assimil, i shkrep mendimi i një pjese, ku brofin fjali mekanike të një doracaku bisedimor. Këtu zë fill universi i pjesëve të tij aq të arrira, duke nisur me “Këngëtarja tullace”, ku këmbimi në erë e rrakapjekthi i fjalëve që s’ta mbushin syrin shndërrohen në pikënisje të një padie të hatashme ndaj pakuptueshmërisë dhe cektësisë së marrëdhënieve njerëzore.
Nga: Eugene Ionesco
Përktheu: Luan Canaj
Më 1948-ën, para se të shkruaja pjesën time të parë “Këngëtarja tullace”, nuk ma kishte fort ënda të bëhesha dramaturg. Thjesht, kisha vetëm ambicien të mësoja anglisht. Mësuarja e anglishtes nuk të çon medoemos te dramaturgjia. Përkundrazi, ngaqë nuk ia dola dot mbanë të mësoja anglishten, pa u bëra shkrimtar pjesësh teatrore. Nuk është se këto pjesë i shkrova si për t’u hakmarrë ndaj dështimit tim, megjithëse është thënë që “Këngëtarja tullace” përbënte një satirë të kulluar ndaj borgjezisë angleze. Po të më kishte shkrepur në kokë dhe të mos ia kisha dalë dot mbanë të mësoja italishten, rusishten a turqishten, do të thuhej po kaq ashiqare se pjesa ishte rrjedhojë e kësaj përçapjeje të kotë, përbënte një satirë të hatashme për shoqërinë italiane, ruse a turke.
E ndjej se duhet të jap shpjegime më imtësore. Ja se çfarë ngjau: pra, për t’i hyrë anglishtes, bleva këtu e nëntë a dhjetë vjet të shkuara, një doracak bashkëbisedimesh franko-angleze, për përdorim nga fillestarët. Iu futa punës. Me vetëdije të plotë, për t’i mësuar përmendsh, kopjoja fjali të tëra, të shkëputura nga librushka. Duke i rilexuar me shumë vëmendje, do ti që nisa të mësoja, jo anglishten, por disa të vërteta befasonjëse: kështu, bie fjala, java paskësh shtatë ditë, gjë që gjithsesi e dija, ose ta zëmë që dyeshemeja ndodhet poshtë, kurse tavani lart, gjë që e dija po ashtu, ndoshta, por, për të cilën nuk e kisha vrarë kurrë mendjen aq seriozisht a që mund ta kisha harruar fare dhe që, befas, po më shfaqej sa habitshëm, aq edhe padiskutueshmërisht e njëmendtë. Pa dyshim që unë e kam aq ftillim filozofik, sa ta pikas që nuk po rishkruaja në fletorkën time vetëm disa fjali thjeshtake angleze, të përkthyera në frëngjisht, por disa vërtetësi themelore, konstatime të thella.
Megjithatë, ende nuk hoqa dorë nga anglishtja. Për fat të mirë sepse, pas të vërtetave universale, autori i doracakut më zbulonte edhe disa të vërteta të veçanta, dhe për t’ia dalë mbanë, ky autor, i frymëzuar, padyshim, nga metoda platonike, i shprehte ato me anë të dialogut. Qysh nga mësimi i tretë spikat prania e dy personazheve, të cilët sot e kësaj dite nuk e di, nëse qenë të vërtetë a të sajuar: z. dhe znj. Smith, një çift anglez. Si për të më mrekulluar të gjithin sa s’thuhet, zonja Smith i bënte të ditur të shoqit se ata kishin shumë fëmijë, se banonin në rrethinat e Londrës, se mbiemrin e kishin Smith, se zoti Smith ishte zyrtar, se kishin një shërbyese, Mary-n, po ashtu angleze, se që prej njëzet vjetësh kishin miq që quheshin Martin, se shtëpia e tyre ishte një pallat ngaqë “shtëpia e një anglezi përbën pallatin e tij të vërtetë”.
Po thosha pak më sipër që zoti Smith duhej të ishte disi në dijeni për gjithë këtë. Mirëpo, ku i dihet, ndonjëherë ka edhe njerëz tejet të hutuar. Nga ana tjetër, bëjmë mirë t’u kujtojmë të ngjashmëve tanë gjëra që mund t’i harrojnë a për të cilat nuk janë edhe aq të vetëdijshëm. Përtej këtyre vërtetësive të veçanta, gjithëkohore ishin edhe disa të vërteta të tjera çastore, që shfaqeshin qartas: bie fjala, që Smith-ët sapo kishin ngrënë darkë dhe që ishte ora nëntë e mbrëmjes, me orën angleze, sipas sahatit me lavjerrës.
Më lejoni t’ju tërheq vëmendjen rreth karakterit të padyshueshëm, përsosmërisht aksiomatik të pohimeve të zonjës Smith, si dhe rreth përçapjes kryekëput karteziane të përpiluesit të doracakut tim të anglishtes, sepse ajo që shquante në të ishte përparimi sipëror metodik i kërkimit të së vërtetës. Në mësimin e pestë ia behnin Martin-ët, miqtë e Smith-ëve. Ndizej bashkëbisedimi mes të katërve dhe, përmbi aksiomat fillestare ngriheshin të vërteta më plotësore: “Fshati është më i qetë se qyteti i stërmadh”, pohonin disa, “po, por në qytet popullsia është më e dendur ama, ka më shumë shitore”, ia prisnin të tjerët, çka është mëse e vërtetë dhe dëshmon, për më tepër, që vërtetësitë kundërshtore mund të bashkëjetojnë për bukuri.
Sakaq, më shkrepi befas një mendim. Për mua nuk bëhej më fjalë të përsosja njohjen e gjuhës angleze. Të jepesha pas pasurimit të fjalorit tim në anglisht, të mësoja fjalë për të përkthyer në një gjuhë tjetër, atë çka mund ta shprehja bukur fort në frëngjisht, pa marrë parasysh “përmbajtjen” e këtyre fjalëve, se ç’kumtonin ato, do të ishte njëlloj si të bije në mëkatin e formalizmit, të cilin sot diturakët e mendimit e dënojnë me plotë të drejtë. Ambicia ime kishte marrë përmasa më të mëdha: t’u përcillja bashkëkohësve të mi të vërtetat thelbësore, që më kishte sjellë ndërmend doracaku i bashkëbisedimeve franko-angleze.
Nga ana tjetër, dialogjet e Smith-ëve, Martin-ëve, e Smith-ëve dhe Martin-ëve, ishin mirëfilli teatër, meqë teatri është dialog. Më duhej, pra, të shkruaja pikërisht një pjesë teatrore. Dhe shkrova, kështu, “Këngëtarja tullace” e cila është një pjesë teatrore kryekëput didaktike.
Po përse kjo vepër quhet “Këngëtarja tullace” e jo, bie fjala, “Anglishtja pa mundim”, siç më shkrepi ta emërtoja së pari, as “Ora angleze”, siç ma pat ënda ta quaja një çast më pas?
Ha gjatë, po t’i vihesh ta shkoqitësh: njëra nga arsyet për të cilat “Këngëtarja tullace” u emërtua kështu, qëndron në faktin që aty nuk shfaqet asnjë këngëtare, tullace a ma flokë qoftë. Ky detaj duhej të mjaftonte. Një pjesë e mirë e veprës përbëhet nga vënia kokë më kokë e fjalëve të nxjerra prej libërthit të anglishtes. Smith-ët dhe Martin-ët e të njëjtit doracak janë Smith-ët dhe Martin-ët e pjesës sime. Janë po ata, shqiptojnë të njëjtat thënie, bëjnë të njëjtat veprime a të njëjtat “joveprime”. Në çdo “teatër didaktik” nuk të mbetet të jesh origjinal, as të thuash atë që mendon vetë: kjo gjë do të përbënte një gabim të rëndë kundër “të vërtetës” objektive. Nuk na mbetet veç të përcjellim, urtësisht, vetë mësimin që na ishte përçuar, idetë që na ishin ngulitur. E si mund t’i lejoja vetes t’u ndryshoja gjënë më vocërrake atyre fjalëve që shprehnin në mënyrë kaq të përkorë të vërtetën absolute? Duke qenë “autentikisht” didaktike, pjesa ime nuk duhej të ishte kurrsesi, sidomos origjinale, pa le shpërfaqëse e talentit tim!
…Megjithatë, teksti i “Këngëtares tullace”, qe mësim (dhe kopjim) vetëm në fillim. Nuk di ta them se si ngjau një dukuri mjaftë e çuditshme: krejt pa u ndjerë, teksti u shndërrua në sytë e mi, përtej çdo dëshire nga ana ime. Fjalitë tejet të thjeshta e regëtuese, që pata mbajtur shënim me aq ëndje në fletorkën time, të braktisura aty, pas njëfarë kohe, sikur u tjetërsuan, lëvizën vetiu, u shkapërdrodhën, u shpërfytyruan. Fjalitë bisedimore të doracakut të cilat, gjithsesi, i pata kopjuar me mjaftë saktësi e në mënyrë aq sqimatare, u çakërdisën njëra pas tjetrës. Po kështu, e pësoi edhe kjo e vërtetë e pamohueshme, mëse e sigurt: “Dyshemeja ndodhet poshtë, tavani është lart”. Pohimi – po aq i prerë, sa edhe i qëndrueshëm: shtatë ditët e javës janë, e hënë, e martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë, e dielë – u zhbë dhe z. Smith, heroi im, këmbëngulte se java u përbëkësh nga tri ditë, të cilat qënkeshin: e marta, e enjtja dhe e marta.
Personazhet, borgjezët e mi çapkënë, Martin-ët, burrë e grua, i goditi sëmundja e amnezisë: edhe pse shiheshin e flisnin çdo ditë me shoshoqin, ata nuk e njohën dot më njëri-tjetrin. Ndodhën edhe gjëra të tjera llahtarisëse: Smith-ët na vunë në dijeni për vdekjen e njëfarë Bobby Watson-it, që nuk kish Zot ta identifikonte, sepse ata na vinin po ashtu në dijeni që tre të katërtat e banorëve të qytetit, burra, gra, fëmijë, maçokë e ideologë mbanin emrin Bobby Watson. Një personazh i pestë i papritur ia beh, më në fund, për të theksuar turbullirën ë dergjjeve paqtore, kapiteni i zjarrfikësve, i cili tregonte rrëfenja në të cilat, me ç’dukej, bëhej fjalë për një dem riosh që mund të kishte pjellë një vemje të stërmadhe, për një mi të mbarsur që mund të pillte një mal. Mandej, zjarrfikësi ikte që të mos i shkonte huq një zjarr i cili duhej të binte në anën tjetër të qytetit, i paralajmëruar qysh prej tri ditësh, shënuar në bllokun e tij të xhepit. Ndërkohë, Smith-ët dhe Martin-ët po nisnin sërish bashkëbisedimin. Ta hajë dreqi! Të vërtetat e mirëfillta dhe diturake që shkëmbenin, të kokolepsura njëra pas tjetrës, qenë çmendur plotësisht. Ligjërimi kishte lajthitur. Personazhet ishin shpërbërë. Fjala, absurde, qe zbrazur e s’i kishte mbetur më përmbajtje. Gjithçka përfundonte në një grindje, që vështirë se mund t’ia merrje vesh shtysat, ngaqë heronjtë e mi nuk ia ngjishnin shoshoqit në surrat me fjali a copëza fjalish, as me fjalë, por ose me rrokje, ose me bashkëtingëllore a zanore…!
…Për mendimin tim, duhej të kishte ngjarë ndonjë shkrehje e reales. Fjalët qenë shndërruar në lëvozhga tingullore pa pikë kuptimi. Afërmendsh që edhe personazhet qenë zbrazur nga psikologjia dhe bota më shfaqej në një zbardhëllimë të pazakontë, ndoshta me dritën e saj të njimendtë, përtej interpretimeve e ndonjë shkakësie arbitrare.
Duke shkruar këtë pjesë (sepse kjo qe shndërruar në një lloj pjese a anti-pjesë, domethënë një parodi e vërtetë pjese, një komedi komedie), më kishte mbërthyer një angushti e njëmendtë, marramendje, neveri. Hera-herës isha i detyruar të ndërprisja punën dhe duke i bërë pyetjen vetes se ç’dreqin më shtynte të vazhdoja të shkruaja, shkoja e shtrihesha në kanape me frikë se mos shembesha tok me të në zbrazëtirë. Kur e përfundova, ama, këtë punë, e ndjeva veten shumë krenar. Përfytyroja që kisha shkruar diçka si “tragjedia e ligjërimit”!
Kur u vu në skenë, unë thuajse habitesha, tek dëgjoja të qeshurat e spektatorëve që e morën (dhe vazhdojnë ta marrin) këtë gjë gëzueshëm, duke e mbajtur gjithçka për komedi. Disa nuk u gabuan (në mes tyre Jean Pouillon-i), teksa e ndjenë angushtinë. Madje, disa të tjerë pikasën se aty vihej në lojë teatri i Bernstein-it dhe aktorët e tij. Komedianët e Nicolas Baille-it e kishin vënë re këtë gjë qyshkur, teksa e luanin pjesën (sidomos në shfaqjet e para) porsi melodramë.
Më pas, duke e zbërthyer veprën, disa kritikë seriozë e diturakë e interpretuan vetëm si kritikë ndaj shoqërisë borgjeze dhe si parodi të teatrit të Boulevard-it. Sapo thashë që edhe unë e tumir këtë interpretim: megjithatë, në mendjen time nuk bëhet fjalë për satirizim të mendësisë mikroborgjeze në lidhje me këtë apo atë shoqëri. Në të, bëhet fjalë, sidomos, për njëfarë mikroborgjezie universale, meqë mikroborgjezi është njeri i mendimeve kallëp, i sloganeve, konformist i kudogjindshëm: këtë konformizëm, sigurisht, e ngërthen “ligjërimi i tij automatik”.
Teksti i “Këngëtares tullace”, a i doracakut për të mësuar anglisht (rusisht a portugalisht), i përbërë nga shprehje të ngurta, klishera nga më pataksëset, po më zbulonte dora-dorës shtampat e ligjërimit, të sjelljes së njerëzve, “të folurën për të mos thënë kurrgjë”, të folurën ngaqë s’të ka mbetur gjë vetjake për të thënë, mungesën e jetës shpirtërore, mekanikën e përditshmërisë, njeriun që dremit në mjedisin e vet shoqëror, pa e bërë fare qejfin qeder: Smith-ët, Martin-ët nuk dinë më të flasin, sepse ata nuk dinë më të mendojnë. Ata nuk dinë më të mendojnë, sepse nuk dinë më të emocionohen, nuk kanë më pasione, nuk dinë më të jenë, ata mundin “të shndërrohen” në tjetërkënd, në shumëçka, sepse duke mos qenë vetja, janë thjesht të tjerët, bota e jovetjakësise, ata janë vetëm të ndërkëmbyeshëm: mund të vendoset Martin-i në vend të Smith-it e anasjelltas, pa rënë në sy kurrgjë.
Personazhi tragjik nuk ndryshon lehtë, por thyhet. Ai është vetvetja, është real. Personazhet komike janë njerëz që nuk ekzistojnë. / KultPlus.com