“Euimage” është projekti evropian që i dedikohet lidhjes midis imazhit dhe propagandës së Luftës së Parë Botërore dhe stereotipave kombëtarë bashkëkohorë, është kthyer në një ekspozitë shëtitëse e përbërë nga karikatura satirike, posterë, fotografi historike dhe komente nga nxënës, studentë, qytetarë shqiptarë e të huaj, si dhe ekspert të artit.
“Euimage” përbëhet nga një përzgjedhje me karikaturat satirike nga arkivat digjitale në funksion të ekspozitës. Imazhet dhe tekstet janë kombinuar në formën e një gazete për të nënvizuar karakterin e fortë didaktik të projektit dhe për ta bërë të mundur qarkullimin e thjeshtë të ekspozitës në vendet e partnerëve të projektit.
Kuratori i ekspozitës, Andi Tepelena, shprehet se “Euimage” na fton të pyesim veten për efektet e stereotipave të lindur gjatë Luftës së Parë Botërore, ku sot pas një shekulli prekin ende marrëdhëniet midis vendeve evropiane. “Thjeshtimet dhe përgjithësimet e realitetit përbëjnë një filtër përmes të cilit qytetarët formojnë mendime rreth kombit të tyre ose vendeve të tjera, duke anuluar dallimet dhe nuancat. Kështu lindin stereotipat, të cilët bëjnë të mundur reduktimin e një komuniteti të tërë në një etiketë të thjeshtë. Origjina e këtyre perceptimeve, ende relevante në ditët e sotme, shpesh mund të shoqërohen nga veprime propagandistike, të krijuara gjatë luftës së madhe, për të justifikuar konflikte, në të cilin armiqtë përshkruhen sistematikisht si barbarë dhe agresorë”, shprehet kuratori Tepelena.
Duke folur për ekspozitën që u hap te “Destil Tirana”, kuratori Andi Tepelena vijon se “Euimage” synon të nxisë një reflektim mbi Evropën e njëqind vjetëve më parë, por dhe për Evropën e shekullit 21 nën një paqe të brishtë. “Publiku ka mundësi të njihet me një zhanër satirik siç është karikatura politike, e cila është përdorur gjerësisht gjatë Luftës së Parë Botërore për të satirizuar ‘armikun’ e jashtëm. Ka disa imazhe-karikatura, që janë marrë nga Biblioteka Kombëtare e Francës ose nga arkiva digjitale të revistave austriake të kohës. Kanë vlerë aktuale sot e kësaj dite, në një kontekst kur kufijtë në Ballkan janë ende të brishtë edhe 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore”, konsideron Tepelena.
Ekspozita “Euimage” po qëndron e hapur për publikun dhe sipas kuratorit Andi Tepelena përmes saj tregohet edhe ndihma që kanë dhënë shtetet perëndimore për mbijetesën ekzistenciale të Shqipërisë.
Bashkëpunëtorë të ekspozitës janë dhe Mesut Tufan gazetar, historian turk, Ilda Mara -eksperte për marrëdhëniet ndërkombëtare, si dhe Nevila Xhindi.
“Euimage” është i financuar nga Bashkimi Evropian përmes programit “Evropa për Qytetarët – Kujtesa Historike”. Partnerë të projektit janë “Art Kontakt” (Shqipëri); Komuna e Kinselos Balsamo (Itali); Universiteti i Studimeve në Trieste (Itali); Universiteti “Sapienza” në Romë, universiteti “Kaunas” ( Lituani), “Freie Universitat” (Gjermani) dhe “Villa Vigoni”, qendra italian-gjermane për ekselencën evropiane, shkruan gazeta /Zëri/KultPlus.com