Kualifikimi i dytë i Shqipërisë në EURO2024 u arrit pas paraqitjeve mbresëlënëse të ekipit kombëtar në stadiumin e tyre të ri ”Air Albania”’, shkruan UEFA në një shkrim special kushtuar futbollit në Shqipëri.
”I hapur në vitin 2019, ambienti më modern jo vetëm që ka transformuar të ardhurat e kuqezinjve, por i ka dhënë frymë edhe qendrës së Tiranës.
Shqipëria u kualifikua në EURO2024 me stil, duke fituar grupin e saj kualifikues në formën mbresëlënëse në shtëpi, me tre fitore dhe një barazim, me shtatë gola të shënuar dhe asnjë të pësuar.
Ata e bënë këtë në stadiumin ”Air Albania” në Tiranë, i cili u hap në vitin 2019.
Stadiumi është kthyer shpejt në një kështjellë të frikshme futbolli, duke e shtyrë kombëtaren e Shqipërisë drejt paraqitjes së saj të dytë në EURO2024.
Lojtari i 12-të i Shqipërisë
“Ka gjithçka që i duhet një skuadre për të performuar në fushë”, thotë kapiteni i Shqipërisë, Berat Gjimsiti, duke shpjeguar se si vendi u ka dhënë lojtarëve një avantazh të shtuar.
“Infrastruktura është më e mirë, duke e bërë shumë më të lehtë për ne dhe për tifozët të shpërndajnë energjinë dhe mbështetjen e tyre. Është sikur kemi një lojtar të 12-të që na motivon dhe na shtyn përpara. Ka luajtur një rol të madh në rrugëtimin tonë”, shton ai.
Armand Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, është dakord, duke shtuar se “ambientet moderne dhe mjedisi profesional kanë rritur ndjeshëm moralin dhe performancën e lojtarëve. Ambientet e nivelit të lartë stërvitor të stadiumit kanë lejuar përgatitje dhe rikuperim më efektiv, ndërsa mbështetja pasionante në shtëpi ka krijuar një atmosferë frikësuese për ekipet vizitore, duke u ofruar lojtarëve tanë një avantazh psikologjik”.
Më shumë se një terren sportiv
Por, stadiumi që bie në sy, i vendosur në zemër të Tiranës, është shumë më tepër se një terren sportiv. Është një simbol i planit strategjik të FSHF-së për zhvillimin e infrastrukturës kombëtare të futbollit dhe një katalizator për rigjallërimin e ekonomisë vendase.
“Ndërtimi i stadiumit ishte një hap vizionar që synonte transformimin e peizazhit të futbollit shqiptar”, shpjegon Duka.
“Është gjithashtu një pjesë kyçe e strukturës kulturore dhe sociale të qytetit, e rëndësishme në rigjallërimin e komunitetit lokal në Tiranë”, shton ai.
Përfitime për komunitetin e gjerë të futbollit
Ndikimin e kanë ndjerë edhe fansat. Kapaciteti prej 22 500 vendësh i stadiumit është një përmirësim i rëndësishëm i stadiumit 60-vjeçar ”Qemal Stafa”, të cilin ai e zëvendësoi.
Ambientet e reja kanë përmirësuar edhe përvojën e ditës së ndeshjes, sipas Ardit Saliajt nga grupi i tifozëve shqiptarë ”Tifozat Kuq e Zi”.
“Kushtet në stadiumin e ri janë krejtësisht të ndryshme në krahasim me atë të vjetër”, thotë ai.
“Puna arkitekturore kombinohet në mënyrë perfekte me aktivitetet e tifozëve, duke e bërë atmosferën edhe më të mrekullueshme. Momentet që po kalojmë në këtë ndërtesë moderne na kanë sjellë shumë gëzim. Kualifikimi në EURO2024 është një ëndërr që shqiptarët nuk mund ta realizojnë shpesh”, shton ai.
Stadiumi gjithashtu pati nderin të presë finalen inauguruese të UEFA Europa Conference League në 2022, duke u dhënë mijëra njerëzve mundësinë të përjetojnë një finale të madhe të futbollit evropian në vendin e tyre për herë të parë.
Qindra të tjerë u përfshinë si vullnetarë, duke hedhur themelet për krijimin e një programi vullnetar të futbollit të FSFH.
“Një frymëzim për futbollistët”
Cilatdo qofshin rezultatet e Shqipërisë në EURO2024, ajo është pjesë e një rrugëtimi më të gjatë. Rritja e të ardhurave nga biletat e ofruar nga stadiumi ”Air Albania”, i cili u mbush me kapacitet gjatë gjithë fushatës triumfuese kualifikuese, ka hapur një cikël investimesh për FSHF-në.
“Suksesi i kombëtares sonë, i mishëruar nga arritjet e tyre në stadiumin Air Albania, shërben si një frymëzim i fuqishëm për futbollistët aspirantë në të gjithë vendin”, thotë Duka.
“Ne kemi nisur iniciativa të shumta për të përfituar nga ky moment, duke përfshirë programet bazë, partneritetet e shkollave dhe akademitë e të rinjve. Duke krijuar shtigje dhe mundësi të arritshme, ne synojmë të nxisim një brez të ri entuziastësh dhe sportistësh të futbollit”, shton ai./ atsh/ KultPlus.com
Përfaqësues të Fondacionit Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim (AADF) theksuan sot se projekti i tyre për menaxhimin e Butrintit synon vetëm ruajtjen e pasurive arkeologjike dhe shtimin e vizitorëve në atë zonë me rëndësi të madhe të trashëgimisë kulturore të Shqipërisë.
Në fund të prillit Gjykata Kushtetuese i hapi rrugën menaxhimit të Butrintit përmes një fondacioni, duke rrëzuar kërkesën e një grupi deputetësh opozitarë për anullimin e marrëveshjes midis ministrisë së Kulturës dhe AADF-së.
Përfaqësuesit e AADF-së pohuan para shtypit se ky fondacion do të dhurojë një fond mbi 6 milionë dollarë, por asnjëherë nuk do të jetë ai menaxhuesi i Butrintit, i cili është pronë e shtetit shqiptar.
Fondacioni Shqiptaro – Amerikan për Zhvillim, AADF, është angazhuar për projekte të ndryshme në përfitim të Parkut Kombëtar të Butrintit me një fond prej 6.18 milionë dollarë amarikanë, ndërsa drejtues të tij theksuan sot se ky Fondacion nuk është dhe nuk do të jetë menaxhues i Butrintit.
Kryetari i Bordit, Michael D. Granoff, tha sot në një konferencë për shtypin se në Planin e Menaxhimit të Integruar të Butrintit AADF është donator në këtë projekt, që synon ruajtjen dhe promovimin e Butrintit, si zona më e rëndësishme e trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Ai theksoi se AADF-ja ka nisur punën për ta ndihmuar Butrintin shumë vite më parë, dhe për të ruajtur ato vlera të trashëgimisë kulturore për një kohë të gjatë, të cilat janë pasuri publike, në pronësi të shtetit, i cili është përgjegjës për to.
“Puna ose misioni ynë në lidhje me Butrintin është se si mund ta bëjmë atë që të funksionojë në mënyrë më të efektshme dhe më të qëndrueshme. Ne dëshirojmë të ruajmë vlerat që gjenden atje dhe turizmi të rritet, dhe të kujdesemi që më shumë njerëz të shohin atë pjesë të mrekulleshme të Shqipërisë. Ne nuk punojmë për qeverinë, por me qeverinë, që programe të tilla të funksionojnë në mënyrën më të mirë. Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit kryesohet nga ministria e kulturës. Lidhur me Gjykatën Kushtetuese, ne nuk ishim pjesë e atij vendimi; ishte një çështje midis një pjese të qeverisë dhe një pjese tjetër për tu siguruar që këto lloj strukturash të funksionojnë mirë”, tha zoti Granoff.
Ministria e Kulturës dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillimin (AADF) arritën një marrëveshje dy vjet më parë, që menaxhimi i një pjesë të Parkut Kmbëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar rishtas për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.
Kjo mënyrë e re e menaxhimit të Parkut të Butrintit u kritikua nga një mision i përbashkët i UNESCO-ICOMOS, ndërsa një grup deputetësh opozitarë i kërkuan Gjykatës Kushtetuese, që ta anullonte atë marrëveshje si antikushtetuese.
Por Gjykata Kushtetuese, pasi pranoi se u ndesh me “një marrëveshje atipike, e cila nuk kishte të ngjashme në vendet e Europës perëndimore, por vetëm në disa shtete të Evropës lindore”, në fund vendosi t’i hapte rrugë asaj dhe menaxhimit të Butrintit përmes një fondacioni.
Sipas shpjegimeve të Gjykatës, kjo marrëveshje ka krijuar mekanizma garantues për ruajtjen e rolit parësor të shtetit në administrimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore kombëtare, e parë kjo në këndvështrimin e ruajtjes dhe konservimit.
Nga ana tjetër drejtuesit e fondacionit shqiptaro- amerikan thanë se në 15 vjetorin e krijimit, AADF numëron 80 projekte të financuara me mbi 120 milionë dollarë në sipërmarrje, arsim, kulturë dhe turizëm në tetë zona të Shqipërisë, duke mbështetur bizneset vendase.
Fondacioni AADF, organizatë jofitimprurëse filantropike, është një program amerikan, si pjesë e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, i cili ka nisur punën me 30 milionë dollarë nga viti 1995, për të mbështetur kompani të ndryshme dhe sektorin privat dhe nga viti në vit ka riinvestuar në vend çdo të ardhur që është shtuar nga kjo veprimtari.
“Fondacioni i ngritur nga parlamenti shqiptar për të menaxhuar Butrintin nuk është AADF, por është BMF, Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit. Është ky fondacion që ka si detyrë nga qeveria shqiptare të bëjë çdo gjë që është vendosur dhe projektuar në marrëveshje. AADF është pjesa e dhurimit të fondeve, një partner strategjik që është angazhuar të dhurojë një fond të konsiderueshëm të hollash në mënyrë transparente, profesionale dhe të disiplinuar, por asnjë herë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë AADF-ja që do të menaxhojë Butrintin. Këtë do ta bëjë BMF”, tha Martin Mata, bashkëdrejtues ekzekutiv i AADF-së.
Gjashtë muaj më parë misioni i UNESCO-s u dërgoi autoriteteve shqiptare një raport, ku thekson se “vetëm themelimi i Fondacionit nuk mund të përmbushë rekomandimet e misioneve të mëparshme, të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe vetë Planit të menaxhimit për një menaxhim të integruar të Butrintit”.
Misioni kritikoi ashpër edhe ndryshimin që qeveria u bëri kufijve të Parkut të Butrintit, duke hequr dhe lënë jashtë 802 hektarë të tij nga Zona e Mbrojtur e Butrintit, një vendim për të cilin misioni nuk u njoftua dhe as UNESCO nuk e ka miratuar. Qeveria miratoi lejen e parë për ndërtimin e një resorti turistik në gjirin e Manastirit vetëm një muaj pas heqjes së 802 hektarëve nga Parku Kombëtar i Butrintit. /Voa/ KultPlus.com
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nga Qeveria janë ndarë rreth 200 milion euro për sportin e futbollit, buxhet ky i cili sipas tij do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën e këtij sporti në vend.
Kryeministri Kurti ka thënë së me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli.
Kreu i Qeverisë numëroi edhe punët e projektet që do të kryhen me këto para.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:
200 milionë euro për transformim rrënjësor të infrastrukturës së futbollit.
Jemi të vendosur, stadiumet po bëhen. Me këtë vëllim, buxhet e seriozitet nuk është trajtuar asnjëherë futbolli.
Kemi nisur rindërtimin e tërësishëm të fushës së stadiumit “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Punimet vazhdojnë në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Për përfundimin e punimeve në stadiumin e qytetit të Gjakovës kemi zotuar nëntë milionë euro. Po hartohen projektet për renovimin e stadiumit të Pejës dhe ndërtimin e stadiumit të ri të Ferizajit. Për stadiumin e Gjilanit po zhvillohen procedurat e prokurimit për zbatimin e punimeve, ndërsa shumë shpejt nisim procedurat për fazën e fundit të punimeve në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren.
Punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumet e Malishevës e Shtimes, si dhe në fushat ndihmëse në Bërnicë, Gjilan, Raushiq, Studençan, Komoran dhe Kllokot.
Janë shpallur procedurat për hartim të projekteve për stadiumet e reja të Suharekës dhe Rahovecit.
Pjesë e planit tonë pesë-vjeçar është edhe renovimi i stadiumeve në Vushtrri, Kamenicë, Mitrovicë (Riza Lushta), Podujevë dhe Drenas.
Vlera totale e investimeve tona në infrastrukturën e futbollit është afër 200 milionë euro. Gjatë këtij viti nisim procedurat për stadiumin nacional të Kosovës.
Plani ynë pesë vjeçar për infrastrukturën e futbollit është dakordim mes qeverisë, komunave dhe Federatës së Futbollit. I njëjti i është prezantuar edhe FIFA-s dhe UEFA-së dhe mbështetet nga ta./KultPlus.com
Universiteti i Prishtinës ka ndarë shpërblimin financiar në vlerën 2000 euro për secilin anëtar dhe trajner të ekipit për arritjen në treshën më të mirë botërore.
UP vlerëson se “ky rezultat në shumë drejtime është i pamatshëm dhe çfarëdo shpërblimi për të, ka gjasë të mos e reflektojë vlerën reale të punës dhe të rezultatit”.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Universitetit të Prishtinës në facebook:
UP shpërblen ekipin e tij që u rendit në treshen më të mirë botërore
Rektori i UP-së, Qerim Qerimi dhe kryesuesi i Këshillit Drejtues, Altin Sahiti, kanë pritur sot në takim ekipin e UP-së, që arriti rezultatin historik në garën botërore të drejtësisë: Studentët Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa e Rea Hadri; profesoreshën Donikë Qerimi dhe trajnerët Art Syla dhe Ilir Hajraj.
Prof. Qerimi dhe z. Sahiti i shprehën dhe një herë falënderime ekipit për përfaqësimin dinjitoz të Universitetit të Prishtinës në skenën botërore, falë të cilit u nderua dhe lartësua emri i Universitetit dhe i vendit edhe në fushën e dijes.
Ky rezultat në shumë drejtime është i pamatshëm dhe çfarëdo shpërblimi për të, ka gjasë të mos e reflektojë vlerën reale të punës dhe të rezultatit. Megjithatë, krahas mirënjohjeve, Universiteti ka ndarë edhe shpërblimin financiar në vlerën 2000 euro për secilin anëtar dhe trajner të ekipit për këtë arritje të jashtëzakonshme, duke u renditur në treshen më të mirë nga qindra universitete pjesëmarrëse nga e mbarë bota.
Drejtuesit e UP-së shprehën dhe një herë zotimin e tyre të vijueshëm për të mbështetur me çdo formë dhe mundësi nismat dhe punën e studentëve dhe të stafit, që i kontribuon rritjes dhe vlerave të Universitetit të Prishtinës.
Rregullorja e miratuar nga Banka Qendrore e Kosovës ku ndalohet qarkullimi i dinarit serb po vazhdon të kundërshtohet nga shtetet e QUINT-it.
QUINT ka kërkuar që kjo rregullore të pezullohet dhe çështja e dinarit serb të diskutohet në kuadër të dialogut. Sipas ndërkombëtarëve, vendimi i ri i BQK-së mund të krijojë tensione ndër etnike, megjithatë BQK tashmë ka publikuar rregulloren me sqarime për qytetarë.
“Valuta e vetme e vlefshme të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin kombëtar te pagesave (SNP/KIPS) në Republikën e Kosovës është Euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës. Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar në Republikën e Kosovës që mund të vendosë për valutën e vlefshme për kryerjen e pagesave dhe denominimet përkatëse”, thuhet në rregulloren e BQK-së.
BQK rithekson se valutat tjera jo euro mund të përdoren në Republikën e Kosovës si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor.
Gjithashtu, BQK njofton se këmbimet valutore mund të kryhen në Republikën e Kosovës vetëm përmes institucioneve të licencuara nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës që ofrojnë këtë shërbim, për te gjitha valutat pa përjashtim nga aspekti rregullativ.
Po ashtu, rregullorja nuk ka vendosur asnjë kufizim sa i përket transferit ndërkombëtar të mjeteve në llogari.
“Prandaj, transferi në çfarëdo valute që niset nga vendi huaj, mund të pranohet dhe konvertohet në euro në vlerë ekuivalente me kursin përkatës, sipas procedurave të vet bankës së klientit”./ rtv21/KultPlus.com
Deri në 37.82 përqind të transaksioneve ndërkombëtare të parave tashmë bëhen me monedhën europiane (euron), njoftoi Bloomberg, duke cituar të dhëna nga Shoqata Botërore e Telekomunikacioneve Financiare Ndërbankare (SWIFT).
Shoqata përfshin 200 shtete dhe 11,000 institucione financiare.
Euro pasohet nga dollari amerikan, paundi britanik, jeni japonez dhe dollari kanadez, i cili e shtyu juanin kinez nga pozicioni i pestë.
Përdorimi i dollarit nga dhjetori i kaluar deri në tetor të këtij viti u ul me 4.6 përqind, kështu që tani ai zë 37.64 përqind të aksionit.
Në të njëjtën kohë, euro u rrit me 6 për qind.
Dollari amerikan mbeti në vendin e parë kur bëhet fjalë për kreditë. Ekspertët e shohin krizën ekonomike për shkak të pandemisë së koronavirusit, zgjedhjeve presidenciale amerikane dhe luftës tregtare me Kinën si arsyet e kësaj rënie të dollarit në listën e monedhave më të rëndësishme.
Që nga kulmi i tij në mars, dollari ndërkohë është dobësuar me 11 përqind dhe ekspertët thonë se ai pasohet nga një rënie e mëtejshme. /gazetaexpress/ KultPlus.com
Derisa pandemia e koronavirusit po ndikon me shpejtësi te njerëzit që gjithnjë e më pak të përdorin para të gatshme, por edhe qeveritë me nervozizëm po vëzhgojnë rritjen e kriptovalutave, siç është Bitcoin ose Libra e paralajmëruar nga Facebook-u, edhe bankat qendrore në të gjithë botën po zhvillojnë versione virtuale të parave të tyre.
Në mesin e tyre është edhe Banka Qendrore Evropiane, e cila këtë javë filloi një debat publik mbi euron digjitale, e cila, sipas supozimeve fillestare, mund të jetë në qarkullim pas disa vjetësh, shkruajnë mediat botërore.
Banka Qendrore Evropiane (BQE) në gjashtë muajt e ardhshëm do të kryejë eksperimente mbi monedhën e mundshme, duke shqyrtuar interesin publik, por edhe rreziqet e mundshme, në mënyrë që të vendosë në mes të vitit 2021 nëse do të lansojë euron digjitale. Sidoqoftë, duke marrë parasysh që Libra e Facebook-ut do të lëshohet në përdorim këtë vit, vështirë që bankat qendrore do ta vëzhgojnë atë me qetësi, thekson portali Politico.
Duke qenë në hap me botën digjitale të shekullit 21, institucioni kryesor monetar i Bashkimit Evropian, me seli në Frankfurt, publikoi një pyetësor në fillim të kësaj jave, për të vlerësuar interesin e publikut për një formë të re pagese, thekson portali, duke shtuar se me zvogëlimin e përdorimit të parave të gatshme, shumë banka qendrore në botë po zhvillojnë versione virtuale të monedhave të tyre, që do të ishin të sigurta dhe tërheqëse për qytetarët e tyre.
Euro digjitale, shton Politico, mund të mos duket shumë ndryshe nga shfletimi i një llogarie bankare përmes telefonit me ndihmën e një aplikacioni. Por, në teori, procesi i pagesës do të ishte i ndryshëm dhe mund të shpejtonte transaksionet me një kosto më të ulët. Banka Qendrore Evropiane mund të krijojë bazën e saj, duke gjurmuar automatikisht pronarin e secilit cent digjital. Ose mund të vendosë rregulla për monitorimin e decentralizuar të transaksioneve digjitale, si në rastin e Bitcoin, ku çdo transaksion regjistrohet përmes teknologjisë Blockchain.
Sidoqoftë, portali i Brukselit thekson se përpara se euro digjitale të bëhet e disponueshme për publikun, nevojiten disa masa mbrojtëse, në mënyrë që sistemet bankare dhe ekonomia të mos rrezikohen. Ndërsa kursimtarët ka të ngjarë të përfitojnë më shumë nga mbajtja e eurove digjitale sesa depozitimi i parave të gatshme në bankat për çka paguajnë tarifa, bankat përfundimisht do të kërkojnë më shumë pagesa për kredi në mungesë të depozitave, të cilat mund të ngadalësojnë zhvillimin ekonomik. Prandaj, BQE po shqyrton ide që përfshijnë kufizimin e eurove digjitale që çdokush mund të ketë ose pagesa shtesë për kërkesat për sasi më të mëdha.
Një nga arsyet pse Banka Qendrore Evropiane pikërisht tani ka vendosur të zhvillojë euron digjitale është zbutja e rreziqeve të cilat krijohen nga monedhat virtuale të zhvilluara nga industria e teknologjisë, kryesisht Libra, e cila do të bëhej lehtësisht e qasshme për 2.7 miliardë përdorues të Facebook-ut, gjë që do të rrezikonte euron. Në anën tjetër, financat e qytetarëve janë bërë të ndjeshme, veçanërisht për shkak të kompanive të huaja, që mbledhin të dhëna për zakonet e shpenzimeve të përdoruesve të tyre.
Sipas Agjencisë France-Presse (AFP), Banka Qendrore Evropiane është duke testuar një version elektronik të kartëmonedhave dhe monedhave të euros, të cilat do të ishin monedha në 19 shtete te BE-së. Burimet pranë projektit thonë se do të duhen “midis 18 muajve dhe tre ose katër vjetëve që iniciativa të jetësohet”.
Ashtu si bankat e tjera qendrore në të gjithë botën, BQE nuk dëshiron të mbetet prapa me paratë virtuale të lëshuara nga kompanitë të huaja si Bitcoin dhe Libra e re e Facebook-ut. Plani i Facebook-ut për ta krijuar Libra-n “ka përshpejtuar të menduarit e bankave qendrore mbi këtë temë”, tha për AFP, ekonomisti Frederic Ducrozet nga organizata Pictet (Pictet Wealth Managment), e cila është me bazë në Gjenevë dhe që përcjellë menaxhimin e pasurisë.
Monedhat digjitale private janë jashtëzakonisht të paqëndrueshme, thekson AFP, duke shtuar se çmimi i Bitcoin-it pothuajse është përgjysmuar nga nivelet më të larta – rreth 17,030 euro – që ishin regjistruar më 2017. Lidhur me këtë, bankat në vitet e fundit kanë filluar të kërkojnë që të kenë monedhën e tyre virtuale, nën emrin “Monedha digjitale e Bankës Qendrore” – si një alternativë e qëndrueshme dhe pa rrezik.
Banka për Zgjidhjet Ndërkombëtare (BIS), një rrjet i bankave qendrore, njoftoi në janar lidhur me krijimin e një grupi pune kushtuar kësaj çështjeje. Banka e Kinës filloi testimin e monedhës së saj digjitale në katër qytete në prill të këtij viti, ndërsa Banka e Francës gjithashtu filloi eksperimentet. Banka e Japonisë njoftoi në fillim të tetorit se do të intensifikojë kërkimet mbi këtë temë.
Gjithashtu, shton agjencia, pandemia COVID-19 ka rritur pagesat elektronike pasi klientët kanë më shumë të ngjarë të shmangin përdorimin e parave të gatshme nga frika e infektimit me koronavirus. Kërkimet e fundit nga Euromonitor International kanë treguar se edhe në Gjermani konsumatorët paguanin më shumë me kartela bankare sesa me para të gatshme dhe kjo ndodhi për herë të parë këtë vit.
Meqenëse asnjë bankë qendrore nuk do të dëshironte që qytetarët e saj të zgjedhin të përdorin në masë monedhat alternative, për Bankën Qendrore Evropiane nuk është pyetja nëse a do të prezantojë, por kur do të fusë në përdorim euron digjitale, shkruan The Financial Times.
BQE këmbëngul se euro digjitale nuk do të zëvendësojë paratë e gatshme, por do të bashkëjetojë me to.
Drejtuesit financiarë të shtatë ekonomive më të mëdha në botë kanë kundërshtuar nisjen e Libra-s së Facebook-ut, derisa përdorimi i saj të rregullohet siç duhet, shkroi agjencia Reuters, duke iu referuar një draft-deklarate së grupit të G7-ës.
Drafti, i përgatitur për një takim të ministrave të Financave dhe bankave qendrore të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Japonisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë më 13 tetor, thotë se pagesat digjitale mund të përmirësojnë qasjen e shërbimeve financiare, të ulin jo-efikasitetin dhe kostot.
Sidoqoftë, shërbime të tilla të pagesës duhet të mbikëqyren dhe të rregullohen në mënyrë adekuate, në mënyrë që të mos dëmtojnë stabilitetin financiar, mbrojtjen e konsumatorit, privatësinë, taksat ose sigurinë kibernetike. Reuters kujton se Bordi i Stabilitetit Financiar G20 (FSB), në prill bëri dhjetë rekomandime për një qasje të përbashkët ndërkombëtare për rregullimin e monedhave digjitale, frymëzuar nga ideja e Facebook-ut për të iniciuar Libra-n.
Duke vënë në dukje se Banka Qendrore Evropiane në tetor paralajmëroi përgatitjet për lëshimin e monedhës së saj virtuale, e cila do të ishte plotësim për kartëmonedhat, Reuters raporton se shefja e BQE-së, Christine Lagarde tha në fillim të kësaj jave se banka ishte “shumë serioze” në lidhje me krijimin e një euroje digjitale./rel/ KultPlus.com