Listuan Manastirin e Deçanit si monument të rrezikuar, Europa Nostra zbarkon vetë në Kosovë

Një delegacion i organizatës evropiane “Europa Nostra” që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore po qëndron në Kosovë. Ata kanë vizituar Manastirin e Deçanit, të cilin e kanë futur në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë për vitin 2021.

Delegacioni i Europa Nostra është pritur dje nga Igumeni Sava Janjic, të cilëve u ka shtruar darkë në ambientet e objektit fetar, raporton Gazeta Express.

Igumeni Janjic ka publikuar disa fotografi të vizitës së delegacionit të organizatës evropiane në manastir.

“I nderuar ta mirëpres delegacionin e Europa Nostra sot në Manastirin e Deçanit. Mbrojtja e trashëgimisë së përbashkët në Evropë është thelbësore për të ardhmen e kontinentit tonë. Duke vizituar vende të traditave të ndryshme Europa Nostra do të theksojë nevojën e mbrojtjes së trashëgimisë në Kosovë. Delegacioni i Europa Nostra që po kalon këto ditë në një vizitë studimore në Kosovë përbëhet nga ekspertë të shquar të cilët janë tejet të angazhuar për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore në evropë dhe të punojnë në shumë projekte në këtë fushë. I nderuar që i mirëprita”, thuhet në ‘cicërimën’ e Janjic në Twitter.

Futjen e Manastirit të Deçanit në 7 monumentet më të rrezikuara në Evropë, e kanë kundërshtuar institucionet e Kosovës.

Kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani i kanë dërguar letër organizatës “Europa Nostra”, që merret me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në këtë letër, shefi i qeverisë dhe shefja e shtetit kanë argumentuar pse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Ndaj futjes së Manastirit të Deçanit në listën e “7 Vendeve më të Rrezikuara në Evropë” ka reaguar edhe ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku.

Misioni i KFOR-it në Kosovë prillin e vitit të kaluar në një një përgjigje për Express, kanë deklaruar se nuk kanë regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm kundër Manastirit të Deçanit në 10 vitet e fundit.

“Ne nuk kemi regjistruar ndonjë incident të konsiderueshëm të sigurisë në dhjetë vitet e fundit kundër Manastirit të Deçanit. KFOR-i do të vazhdojë të operojë me qëllim të garantimit të një bashkekzistence paqësore në atë zonë. Të gjitha objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore në mbarë Kosovën duhet të respektohen dhe të ruhen. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, në përputhje me parimin e reaguesit të parë, të dytë dhe të tretë”, thuhej në përgjigjen e KFOR-it për Gazetën Express. / KultPlus.com

Shteti i Kosovës të jetë më proaktiv në raport me trashëgiminë kulturore dhe prezantimin ndërkombëtar të saj

Europa Nostra, javën e kaluar më 8 Prill, ka vendosur që Manastirin e Deçanit ta fusë në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021 bashkë me 6 monumente tjera në Austri, Kroaci, Greqi, Itali, Maqedoni të Veriut dhe Spanjë (https://www.europanostra.org/europa-nostra-and-eib…/).

Ky proces i shpalljes ka ardhur pas nominimit fillimisht të Listës së ngushtë të 12 lokaliteteve të trashëgimisë që është shpallur më 10 Dhjetor 2020 (https://www.europanostra.org/12-european-heritage-sites…/).

Pas shpalljes së listës së ngushtë të 12 lokaliteteve, asokohe Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga z. Avdullah Hoti, nga Dhjetori 2020 e deri në Mars të vitit 2021, në periudhën e formimit të Qeverisë së re, nuk pati asnjë reagim publik për të cilën kemi njohuri por edhe ndonjë komunikim potencial me Europa Nostra-n që Manastiri i Deçanit të mos futet në listën finale të 7 lokaliteteve më të rrezikuara.

Kjo tregon papërgjegjësi të madhe për një temë të rëndësishme për vendin duke e ditur potencialin e “dëmit” që do të mund të shkaktonte një shpallje e tillë në procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pas shpalljes së Manastirit të Deçanit në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara të Evropës për vitin 2021, u publikua edhe letra e Presidentes së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu dhe Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti (https://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,2468), bashkë edhe me reagimin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve z. Hajrulla Çeku (https://www.mkrs-ks.org/?page=1,6,2470).

Këto letra dhe reagime kanë argumente të mjaftueshme, profesionale dhe të qarta për pozicionin e shtetit të Kosovës ku shpaloset korniza ligjore dhe statusi i mbrojtjes për manastirin, të drejtat ekskluzive të Kishës Ortodokse Serbe, kontestin e zgjidhur të rrugës për Plavë të Malit të Zi dhe elementet tjera të rëndësishme që janë ngritur në nominim të lokalitetit. Sidoqoftë, EC Ma Ndryshe, reagimet institucionale edhe pse të argumentuara mirë, i konsideron të vonshme dhe të pamjaftueshme për parandalimin potencial të një shpalljeje të tillë për Manastirin e Deçanit.

Për më tepër, letra e presidentes (në detyrë) dhe kryeministrit (në ardhje), e dërguar më 18 Mars nuk ka qenë publike dhe transparente për publikun, dhe fatkeqësisht për këtë reagim të tyre jemi njoftuar pasi që dëmi veçse është krijuar (më 9 Prill 2021).

Europa Nostra, letrës së datës 18 Mars 2020 i kthen përgjigje më 6 Prill duke “vlerësuar angazhimin e fuqishëm (të institucioneve) për të mbrojtur përparimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë, që është pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore e Europës dhe Botës” ku në ndërkohë Europa Nostra sugjeron të mban edhe një video konferencë virtuale në javët në vijim (https://www.facebook.com/…/a.23032391…/3623586351087128/).

Europa Nostra është një federatë Pan-Evropiane për Trashëgiminë Kulturore, që përfaqëson organizatat e qytetarëve që punojnë në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. Kjo organizatë është zëri i kësaj lëvizjeje për organet përkatëse ndërkombëtare, veçanërisht Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe UNESCO-n.

Për mbi 50 vjet, kjo organizatë njihet si organizata më përfaqësuese e trashëgimisë në Evropë me anëtarë nga mbi 40 vende të ndryshme përfshi edhe dy organizata anëtare në Kosovë.

EC Ma Ndryshe rekomandon që Europa Nostra, para se të publikonte një vendim të tillë do të duhej ta ndiqte një qasje më gjithëpërfshirëse, përkatësisht të konsultohej edhe me përfaqësues të shtetit të Kosovës, pasi që politizimi i trashëgimisë kulturore nuk sjell dobi, por veçse krijon ndasi të reja dhe është kundër përkushtimit të vet Europa Nostrës, të cilën e ndajmë edhe ne, për mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Ballkanin Perëndimor, si një komponent jetik i rrugëtimit dhe të ardhmes sonë evropiane.

EC Ma Ndryshe apelon tek institucionet shtetërore, në veçanti tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që të jetë më proaktive dhe të merret me identifikimin dhe parandalimin e problemeve të mundshme të trajtimit të trashëgimisë, në rastin konkret të trashëgimisë së komunitetit serb pasi që pasojat e neglizhimit siç po shihet mund të ofrojnë një imazh të shtrembëruar të realitetit në terren.

Kosova, me institucionet e saja të sapoformuara, duhet të jetë në përgjegjësinë më të lartë të detyrës së saj dhe të krijojë politika të qëndrueshme duke kontrolluar situatën në vend, në vend se t’i përgjigjet “pasojave” pasi ato të kenë ndodhur.

EC rekomandon që institucione përgjegjëse të bashkërendojnë veprimet e ardhshme me akademinë, profesionistë brenda dhe jashtë institucioneve përfshi edhe përfaqësuesit e shoqërisë civile. / KultPlus.com

“Europa Nostra” i kthen përgjigje Osmanit e Kurtit për Manastirin e Deçanit

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti i kanë drejtuar një letër organizatës Europe Nostra më datë 18 mars 2021, ku kanë shpalosur argumentet përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”, shkruan KultPlus.

Andaj sot, Europe Nostra i është përgjigjur letrës së Osmanit dhe Kurtit, ku fillimisht i kanë uruar për zgjedhjet e tyre në krye të shtetit të Kosovës, e tutje kanë treguar që janë shqyrtuar me kujdes pikëpamjet e tyre.

KultPlus ju sjell përgjigjen e plotë të Europa Nostra:

E nderuara znj. Presidente,

I nderuari z. Kryeministër,

Së pari na lejoni t’ju urojmë për zgjedhjen tuaj si Presidente, respektivisht Kryeministër i Kosovës. Ju urojmë çdo sukses në ushtrimin e përgjegjësive tuaja të rëndësishme në dobi të ofrimit të një të ardhmeje europiane për vendin tuaj dhe qytetarët e tij.

Ju falënderojmë për letrën tuaj të datës 18 mars, të cilën ju ia keni drejtuar Bordit të Europa Nostra si dhe Panelit Këshillëdhënës të programit tonë 7 Më të Rrezikuarat. Dëshirojmë t’ju sigurojmë se i kemi shqyrtuar me kujdes pikëpamjet tuaja sa i përket Manastirit të Deçanit i cili është pjesë e Listës së Monumenteve Botërore në Rrezik dhe i cili ka hyrë në listën tonë të ngushtë të 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Europë për vitin 2021.

Ju lutemi të keni parasysh se lista jonë e sivjetme e 7 Monumenteve më të Rrezikuara në Europë do të bëhet publike më 8 prill 2021. Dëshirojmë të kujtojmë se duke bërë publike një listë të tillë vit pas viti, Europa Nostra dhe partneri ynë, Instituti i Bankës së Investimeve Europiane, angazhohemi të veprojmë si katalizatorë për ndryshim pozitiv dhe dialog të kthyer nga e ardhmja i cili është i rëndësishëm për mbrojtjen e trashëgimisë së rrezikuar të Europës.

Në lidhje me sa u tha më lart, e vlerësojmë angazhimin tuaj të fuqishëm për të mbrojtur përparimin e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Kosovë, që është pjesë e trashëgimisë së përbashkët kulturore e Europës dhe Botës. Ju falënderojmë për ftesën tuaj për të organizuar një takim ku do të diskutonim mënyra për të zhvilluar bashkëpunim në të ardhmen. Shpresojmë fuqishëm që së shpejti do të bëhet e mundur të udhëtojmë sërish dhe të organizojmë një vizitë në Kosovë. Në ndërkohë, ju sugjerojmë të mbajmë një video konferencë virtuale në javët në vijim.

Në kuadër të përkushtimit tonë të fuqishëm për mbrojtjen e duhur të trashëgimisë kulturore dhe natyrore në Ballkanin Perëndimor, si një komponent jetik i rrugëtimit dhe të ardhmes së tyre europiane, mirëpresim bashkëpunimin me organe publike dhe private që janë aktive në fushën e trashëgimisë kulturore në Kosovë si dhe në të gjitha vendet e tjera në rajon.

Në emër të Bordit të Europa Nostra,
Sinqerisht
Hermann Parzinger,
President Ekzekutiv. / KultPlus.com

Organizata Evropiane për Trashëgimi: Manastiri i Deçanit një nga vendet më të rrezikuara të trashëgimisë

Organizata Evropiane për Trashëgimi “Europa Nostra” ka listuar Manastirin Ortodoks të Deçanit si një nga vendet më të rrezikuara të trashëgimisë në Evropë për vitin 2021.

Në listën e 12 vendeve më të rrezikuara të trashëgimisë është listuar edhe Manastiri i Deçanit.

Në publikimin e kësaj organizate thuhet se Manastiri i Deçanit është nën mbrojtjen e KFOR-it që nga viti 1999 dhe ka qenë cak i katër sulmeve me granata dore nga 1999 deri më 2007.

https://cas.criteo.com/delivery/afr.php?ptv=100&abp=1&zoneid=1409947&cb=52173667806&nodis=1&charset=UTF-8&dc=3&atfr=0&loc=https%3A%2F%2Fwww.gazetaexpress.com%2Forganizata-evropiane-per-trashegimimanastiri-i-decanit-nje-nga-vendet-me-te-rrezikuara-te-trashegimise%2F “Ky është monumenti i vetëm në Evropë nën një mbrojtje kaq të fuqishme ushtarake për një periudhë të vazhdueshme prej 20 vjetësh. Megjithatë, ai përbën një monument me rëndësi të fundit historike dhe kulturore për Evropën dhe botën, siç konfirmohet nga statusi i saj i Trashëgimisë Botërore. Është për të ardhur keq që sot, Manastiri i Deçanit me trashëgiminë e tij, si kulturore dhe natyrore, dhe komuniteti i tij monastik, janë bërë peng i statusit të pazgjidhur të Kosovës. Prandaj është urgjente dhe e domosdoshme të sigurohet respektimi i plotë i sundimit të ligjit dhe t’i kushtohet vëmendje më e madhe mbrojtjes së duhur të këtij vendi të Trashëgimisë Botërore brenda bisedimeve në vazhdim e sipër për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Kjo duhet të vendoset në kornizën më të gjerë të nevojës për të siguruar mbrojtjen dhe interpretimin e duhur të trashëgimisë multikulturore dhe multi-fetare të Kosovës si një parakusht për paqen dhe prosperitetin e qëndrueshëm në rajonin e gjerë”, thuhet në publikimin e kësaj organizate.

Aty përmendet edhe ndërtimi i autostradës si një rrezik që kalon afër Manastirit të Deçanit. /GazetaExpress/ KultPlus.com