Sot nis Asambleja e Këshillit të Evropës, dy ditë historike për Kosovën në Strasburg

Këshilli i Evropës ka njoftuar se sot do të fillojë Asambleja e Këshillit të Evropës, e cila do të zgjasë deri të premten e 19 prillit.

Në mesin e pikave për diskutim është edhe ai për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, njofton Klankosova.tv.

“Një debat për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një moment kryesor i sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE)”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se do të ketë gjithashtu një debat të përbashkët mbi “vdekjen e Alexei Navalny dhe nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putin dhe luftën e tij kundër demokracisë”.

Asambleja do të diskutojë gjithashtu mbështetjen për rindërtimin e Ukrainës, duke përfshirë një propozim për përdorimin e aseteve të ngrira shtetërore ruse për këtë qëllim, me pjesëmarrjen e kryetarit të Rada Verkhovna e Ukrainës, Ruslan Stefanchuk.

“Është kërkuar një debat urgjent mbi “Projekt Konventën Kuadër për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Shtetin e Ligjit” (Asambleja duhet të japë Opinionin e tij statutor për këtë projekt-traktat të ri të Këshillit të Evropës) si dhe një aktual debati i çështjeve me temë “Roli i Këshillit të Evropës në parandalimin e një katastrofe humanitare në Gaza”, thuhet tutje në njoftim.

E në lidhje me me agjendën e Këshillit Evropian për dy ditët në vijim, detaje ka dhënë edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili tha se këto dy ditë janë historike për Kosovën.

Agjenda e plotë:

Dita 1:

Të hënën, më,15 prill 2024, nga ora 14:00 -15:15,  Komiteti për Barazi dhe Mos diskriminim, te pika e katërt e rendit të ditës do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE. Po ashtu, të njëjtën ditë, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut do të diskutojë raportin për aplikimin e Kosovës në APKE.

Dita 2:

Të martën, më 16 prill 2024, mbahet takimi i Asamblesë Parlamentare. Ky sesion pranveror i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Evropës është i një rëndësie historike. Këtë ditë, diku rreth orës 16:00, do të zhvillohet debat për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Në këtë sesion do të diskutohet raporti i znj. Dora Bakoyannis, i cili duhet të marrë 2/3 e votave të anëtarëve e prezentë.

Asambleja Parlamentare i ka 46 shtete anëtare me gjithsej 302 anëtarë plus 306 zëvendësues. Janë 34 shtete që na kanë njohur, ndërsa 14 që nuk na kanë njohur. Në qoftë se votimi është i suksesshëm, i njëjti raport do të procedohet te Komiteti i Ministrave, takim i cili do të mbahet më 16 dhe 17 maj 2024.

Po ashtu, të martën nga ora 10:30-12:30, Komiteti për Politikë dhe Demokraci, në sallën 9, do të diskutojë për raportin konsultativ për aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për të cilin do të flasë raportuesja për Kosovën, znj. Bakoyannis. Në këtë takim do të paraqiten edhe dy raportet e tjera të dy komiteteve që kanë ndihmuar në hartimin e opinionit konsultativ.

Flags wave outside the Council of Europe building on the day Ukrainian President Volodymyr Zelenskiy addresses the Parliamentary Assembly, in an extraordinary session to discuss Russia’s invasion of Ukraine, via videolink in Strasbourg, France March 14, 2022. REUTERS/Arnd Wiegmann