Një rekord me “pasoja katastrofike” për botën: Korriku i vitit 2023 ishte me të vërtetë muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Tokë. Konfirmimi ka ardhur nga shërbimi evropian Copernicus, duke renditur të dhënat që kanë “çmendur” të gjithë matësit.
Muaji i kaluar, i shënuar nga valët e të nxehtit dhe zjarret në të gjithë botën, ishte 0.33 gradë Celsius më i ngrohtë se muaji i mëparshëm i rekordeve (korrik 2019, i cili ishte mesatarisht 36.63 gradë Celsius). Temperatura atmosferike ishte gjithashtu 0,72 gradë Celsius më e ngrohtë se mesatarja (1991-2020) për korrikun.
Që në 27 korrik, para se të mbaronte muaji, shkencëtarët e kishin konsideruar “jashtëzakonisht të mundshme” që korriku 2023 të ishte muaji më i nxehtë i regjistruar.
Këto të dhëna e shtynë Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres të thoshte se njerëzimi kishte dalë nga epoka e ngrohjes globale dhe kishte hyrë në atë të “vlimit global”.
Oqeanet po dëshmojnë gjithashtu këtë zhvillim alarmues, me temperatura jashtëzakonisht të larta të sipërfaqes që nga prilli dhe nivele rekord në korrik. Një rekord i të gjitha kohërave u vendos më 30 korrik në 20,96 gradë Celsius.
Copernicus raporton gjithashtu se akulli i detit të Antarktidës u tkurr në korrik më shumë se kurrë që nga fillimi i vëzhgimeve satelitore dhe ra 15% nën mesataren e muajit.
Ndoshta viti 2023 nuk do të ndalojë së thyeri rekorde.
“Ne presim një fundvit relativisht të ngrohtë për vitin 2023 për shkak të zhvillimit të fenomenit El Niño”, kujton Copernicus.
Ky fenomen ciklik klimatik mbi Paqësorin është me të vërtetë sinonim i ngrohjes së mëtejshme globale./A2CNN/KultPlus.com