Studim: Këto shtete prijnë me numrin më të madh të lexuesve

BE gjurmon se sa shpenzojnë europianët për letërsinë. Në vitin 2021, mesatarisht, një qytetar i BE-së shpenzoi rreth 1.1% të të ardhurave në gazeta, libra dhe artikuj kancelarie. Por, cili është vendi i BE-së që shpenzon më shumë për libra? Është Sllovakia, dhe me diferencë. Sllovakët shpenzojnë mesatarisht 1.9% të të ardhurave vjetore për gazeta, libra apo artikuj kancelarie. Sllovakia mbetet në krye të klasifikimit në pesë vjetët e fundit dhe, në të vërtetë, ka rënë lehtë nga një nivel i lartë prej 2.1%. Duke zbritur nga 1.9% në 1.2%, vendet europiane që kanë shpenzuar më shumë për libra janë Kroacia, Gjermania, Estonia, Letonia dhe Islanda, përcjell albinfo.ch.

Cili vend renditet i fundit? Në pozicionin e palakmueshëm, vendi me shpenzimet më të ulëta për frymë për letërsinë është Qiproja, me vetëm 0.4%. Megjithatë, Greqia, Rumania, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia nuk janë shumë larg, pasi të gjitha shpenzuan 0.5% në vitin 2021. Humbësi i vërtetë në listë nuk ka paraqitur as shifra në BE, që nga viti 2019. Maqedonia e Veriut i deklaroi shpenzimet e saj për herë të fundit, tre vjet më parë. Në atë kohë, vlera ishte mjerisht vetëm 0.1% e të ardhurave për frymë.

Cili shtet i kushton më shumë kohë leximit? Një gjë është të shpenzosh para për letërsinë. Por, siç thotë shprehja e vjetër “kohë = para”, vlera e vërtetë në jetë është koha jonë.

Pra, cilat janë vendet që më shumë se të gjithë ulen dhe i kushtojnë kohë leximit? Shifrat për këtë pyetje, në të gjithë Europën, janë pak më të vjetra, pasi Anketat e Harmonizuara Europiane të Përdorimit të Kohës (Harmonised European Time Use Surveys), zhvillohen vetëm një herë në dekadë, dhe shifrat e vitit 2020 ende nuk janë publikuar. Megjithatë, zotërojmë të dhëna që lidhen me sondazhet e kryera midis 2008 dhe 2015 në 18 vende europiane.

Në krye të listës për kohën që i kushtohet leximit në ditë është Estonia. Njerëzit nga 20 deri në 74 vjeç, kalojnë rreth 13 minuta në ditë duke lexuar. Kohën e mbi 10 minutave që ia kushtojnë leximit në ditë e kalojnë edhe Finlanda, Polonia dhe Hungaria.

Në fund të klasifikimit renditej Franca, e cila i kushton vetëm dy minuta në ditë leximit. Në një nivel të ngjashëm ishin Rumania, Austria dhe Italia, që shpenzojnë pesë minuta në ditë, duke lexuar. Rezultate të ngjashme shfaqen edhe për popullatat të cilat e konsiderojnë leximin si një aktivitet të cilit duhet t’i kushtojnë kohë: 16.8% e finlandezëve e cilësojnë leximin një “aktivitet i rëndësishëm”, ndjekur nga Polonia, Estonia, Greqia dhe Luksemburgu. Sërish, francezët janë në disavantazh, sa u përket lexuesve. Pavarësisht se janë kombi, që i kanë dhënë botës Volterin, Hygonë, Prustin dhe së fundmi, fituesen e çmimit Nobel këtë vit, Annie Ernaux, vetëm 2.6% e francezëve e konsiderojnë leximin një aktivitet të rëndësishëm në jetën e tyre. / KultPlus.com