Biletat për finalen e madhe të Eurovisionit 2023 në Liverpool, u shitën për pothuajse 30 minuta.
Këtë vit Liverpooli po organizon edicionin e 67-të në emër të Ukrainës, e cila ishte fituese e konkursit të vitit 2022, mirëpo për shkak të konfliktit të vazhdueshëm me Rusinë nuk e vazhdojë traditën.
Biletat për finalen e madhe ishin me çmim nga 160 deri në 380 paund (192-456 dollarë), ndërsa biletat për dy gjysmëfinalet ishin nga 90 deri në 290 paund.
Rreth 3,000 bileta për një total prej nëntë shfaqjesh, duke përfshirë finalen e madhe, do të vihen në dispozicion për ukrainasit.
Eurovision do të mbahet nga 9 deri më 13 maj./ KultPlus.com
Eurovision Song Contest ka zbuluar emrat e katër prezantuesve që do të drejtojnë festivalin këtë vit, përcjell KultPlus.
Prezantuesit për këtë vit janë: Graham Norton, komentatori i Eurovision-it prej vitit 2009, Julia Sanina, këngëtare ukrainase, Hannah Waddingham, aktore dhe Alesha Dixon, këngëtare dhe prezantuese.
BBC, do të jetë transmetuesi pritës i Festivalit të 67-të të Këngës në Eurovizion, i cili para pak ditësh ka zbuluar edhe skenën mbresëlënëse në të cilën 37 artistët do të performojnë në Liverpool këtë maj. / KultPlus.com
Sukseset e vajzave shqiptare nuk kanë të ndalur, ato çdo ditë po i dëshmojnë botës madhështinë artistike të popullit të tyre, shkruan KultPlus.
Gala Aliaj Dragot është vajza e artistit të njohur Robert Aliaj Dragot, dhe ajo do të interpretoj në kompeticionin nacional belg Eurosong, në natën ku do të shpallet edhe kënga fituese e cila më tej do të përfaqësojë Belgjikën në Eurovision 2023 në Liverpool.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë babai i saj, Robert Aliaj Dragot:
Mesazh për komunitetin shqiptar në Belgjikë: Të dashur bashkatdhetarë, të dashur miq.
Neser ne mbremje, më 14/1, në orën 20:15 TV belg VRT, kanali Eén do të transmetojë live show-un final të Kompeticionit Nacional belg Eurosong, ku do te shpallet edhe kenga fituese, e cila më tej do te perfaqesoje Belgjiken ne Eurovision 2023 ne Liverpool.
Gala Dragot do të konkurojë me kengen “T’inquiète”, kenge e kompozuar nga vete Gala Dragot
Jeni te lutur te votoni për Galadragot në këto dy mënyra: 1 – një herë mund të votoni falas nëpërmjet VRTMAX https://www.vrtmax.be (per te votuar në këtë mënyrë duhet te keni krijuar së pari profilin tuaj në VRTMAX) 2- gjithashtu mund të votoni edhe duke dërguar SMS
në numrin 6000 (0,75 €/SMS) Teksti kod për secilin artist do të shpallet neser ne fillim te spektaklit).
Kijeni parasysh qe mund të votoni maksimum 2 herë: 1 herë via SMS dhe 1 herë online nëpërmjet profilit tuaj në VRT MAX.
Ju mund ta ndani këtë mesazh me familjarët dhe miqtë tuaj – vota juaj mund të bëjë ndryshimin!!!
Kriza financiare dhe energjetike i ka goditur dy shtetet nga Ballkani të cilat janë tërhequr nga festivali evropian i këngës “Eurovision Song Contest”, që vitin e ardhshëm do të mbahet në Liverpool të Britanisë së Madhe.
Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, kanë njoftuar se nuk do të marrin pjesë në Eurovision 2023, shkak është tarifa e lartë për pjesëmarrje në festivalin evropian, që për vitin e ardhshëm është rritur, raporton Zeri.info.
“Një vendim i tillë është në interesin më të mirë të qytetarëve, duke pasur parasysh rritjen e kostove për shkak të krizës energjetike, të cilat zënë një pjesë të madhe të buxhetit të Shërbimit Publik, si dhe rritjen e tarifës së regjistrimit për pjesëmarrjen në Eurovizion. 2023, që deri vitin e kaluar ishte 39,143.00 euro, ndërsa viti i ardhshëm pritet të jetë më i lartë. Ky vendim do të mundësojë kursimin e mjeteve që duhet të ndahen për qëndrimin e delegacionit maqedonas në Liverpool, ku po mbahet Eurovision 2023”, ka njoftuar MRT-ja, televizioni publik i Maqedonisë së Veriut.
Megjithatë, MRT-ja thotë se do të transmetojë ngjarjen, dy mbrëmjet gjysmëfinale dhe finalen e madhe. Tutje televizioni maqedonas shpreson se situata do të stabilizohet, pas së cilës vendi do të kthehet sërish me pjesëmarrje në Eurovizion në vitin 2024.
Po ashtu për arsye të njëjta, largimin nga Eurovisioni i vitit të ardhshëm e ka konfirmuar edhe televizioni publik i Malit të Zi.
Në një deklaratë, transmetuesi kombëtar iu referua kostove që lidhen me pjesëmarrjen në konkurs si arsyeja kryesore e tërheqjes. Këto kosto përfshijnë tarifën e pjesëmarrjes dhe të udhëtimit në qytetin pritës, që është Liverpool në Mbretërinë e Bashkuar për vitin 2023.
“Përveç kostove të konsiderueshme të tarifës së pjesëmarrjes, si dhe kostos së qëndrimit në Britaninë e Madhe – u përballëm edhe me mungesë interesi nga sponsorët, ndaj vendosëm që burimet ekzistuese t’i drejtojmë në financimin e projekteve kombëtare aktuale dhe të planifikuara dhe reformat organizative dhe programore, të cilat sjellin ndërhyrje të konsiderueshme investimesh në pajisje dhe ambiente”, thuhet në deklaratën e televizionit publik malazez RTCG, transmeton Zeri.info.
Deri më tani 33 shtete, duke përfshirë Shqipërinë, e kanë konfirmuar pjesëmarrjen në Eurovisionin e vitit të ardhshëm. / KultPlus.com
EBU sot ka konfirmuar se për shkaqe të sigurisë Eurovision 2023 nuk do të mbahet në Ukrainë, bisedimet tashmë kanë filluar me BBC që festivali i vitit të ardhshëm të mbahet në Britaninë e Madhe, përcjellë KultPlus.
Deklarata e EBU mbi organizimin e Eurovizionit 2023:
Pas fitores së tyre në Eurovision Song Contest (ESC) në maj, EBU ka eksploruar opsionet për organizimin e konkursit të vitit të ardhshëm me transmetuesin publik të Ukrainës UA:PBC, i cili më parë organizoi ngjarjen në 2017 dhe 2005.
Është bërë një traditë e njohur që fituesi i Eurovision Song Contest organizon konkursin vitin e ardhshëm, duke siguruar disa kritere, duke përfshirë sigurimin e qëndrueshmërisë së organizimit të ngjarjes dhe sigurinë e të gjithë aktorëve, përfshirë publikun, që janë përmbushur.
Duke pasur parasysh luftën e vazhdueshme që nga pushtimi rus i vendit fitues të këtij viti, EBU ka marrë kohë për të kryer një vlerësim të plotë dhe studim fizibiliteti si me UA:PBC ashtu edhe me specialistë të palëve të treta, duke përfshirë çështjet e sigurisë.
Eurovision Song Contest është një nga produksionet televizive më komplekse në botë me mijëra që punojnë dhe ndjekin ngjarjen dhe 12 muaj kohë përgatitore e nevojshme.
Pas analizës objektive, Grupi i Referencës, bordi drejtues i ESC-së, ka arritur të marrë këtë vendim me keqardhje të thellë, por duke pasur parasysh rrethanat aktuale, garancitë e sigurisë që kërkohen për një transmetues për të organizuar dhe prodhuar Eurovision Song Contest sipas Rregullave të ESC, Ukraina kësaj radhe nuk mund të jenë vendi adekuat për t’i plotësuar ato.
EBU dëshiron të falënderojë UA:PBC për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre të përzemërt në eksplorimin e të gjithë skenarëve që nga fitorja e Orkestrës Kalush më 14 maj në Torino dhe ndajnë trishtimin dhe zhgënjimin e tyre që Konkursi i vitit të ardhshëm nuk mund të mbahet në Ukrainë.
EBU ka mbështetur UA:PBC në një gamë të tërë zonash që nga pushtimi. Ne do të sigurojmë që kjo mbështetje të vazhdojë në mënyrë që UA:PBC të mund të ruajë shërbimin e domosdoshëm që u ofrojnë ukrainasve.
Si rezultat i këtij vendimi, në përputhje me rregullat dhe për të siguruar vazhdimësinë e ngjarjes, EBU tani do të fillojë diskutimet me BBC-në, si nënkampion i këtij viti, për të pritur potencialisht Konkursin e Këngës së Eurovizion 2023 në Mbretërinë e Bashkuar.
Është qëllimi ynë i plotë që fitorja e Ukrainës të pasqyrohet në shfaqjet e vitit të ardhshëm. Ky do të jetë një prioritet për ne në diskutimet tona me nikoqirët e ardhshëm. / KultPlus.com
Mahmood dhe Blanco, artistët italianë janë të detyruar të modifikojnë këngën e tyre për të marrë pjesë në “Eurovision Song Contest”. Kënga “Brividi” do të duhet të shkurtohet deri në tre minuta për shkak të rregullave të spektaklit evropian. Versioni aktual i këngës është 3 minuta dhe 21 sekonda.
“Ka një problem teknik për Eurovision sepse kënga është e gjatë. Ne u munduam ta shkurtojmë në çdo mënyrë, por nuk ja dolëm. Por rregulli është strikt dhe nuk bëhen përjashtime. Po bëjmë të pamundurën bashkë me stafin që të heqim 30 sekonda, megjithëse janë shumë për një këngë.
Ndaj ‘Brividi’ do vijë në një version tjetër, ndryshe nga ai i festivalit, por premtojmë që do jetë njësoj i bukur. Prandaj do të jetë një version ndryshe nga ai i Festivalit, por ju premtojmë se do të jetë gjithsesi e bukur”, u shpreh Mahmood në një intervistë. / KultPlus.com
Pas deklaratës së djeshme se nuk do ta përjashtojnë Rusinë nga Eurovizioni, meqë është garë kulturore dhe s’ndërlidhet me politikën, Unioni Evropian i Transmetuesve sot ka marrë vendim që të mos lejojë pjesëmarrjen e Rusisë në Evrovizionin e këtij viti.
EBU ka njoftuar se asnjë këngë ruse nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e këtij viti.
“Bordi Ekzekutiv i EBU mori vendimin pas një rekomandimi më herët sot nga organi drejtues i Eurovision Song Contest, ‘Grupi Referues’, bazuar në rregullat e ngjarjes dhe vlerat e EBU,” tha organizata në një deklaratë sot.
“Vendimi pasqyron shqetësimin se, në dritën e krizës së paprecedentë në Ukrainë, përfshirja e një pjese të Rusisë në konkursin e këtij viti do ta çonte konkurrencën në reputacion. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së vlerave të një konkursi kulturor që promovon shkëmbimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar, bashkon audiencën, feston diversitetin përmes muzikës dhe bashkon Evropën në një skenë.”
Organizatorët e ‘Eurovision Song Contest’ ishin goditur me një sërë kërkesash për të ndaluar Rusinë të konkurronte në konkursin e këtij viti.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një komunikate për media EBU, duke treguar se një gjë e tillë është bërë me rekomandim të organit drejtues të Evrovizionit, në pajtim më rregullat dhe vlerat e EBU-së. / KultPlus.com
Tanimë dihen të gjitha 43 këngët që do të ngjiten në muajin maj në skenën e Eurovizionit.
Eurovizioni është festival që përcillet nga miliona shikues në mbarë botën.
43 këngë sivjet sjellin 43 shtete në Portugali, shteti që fitoi vitin e kaluar Eurovizionin dhe këtë vit do të jetë nikoqir i dy gjysmëfinaleve dhe finales.
Si e do zakoni, këngët më të mira marrin menjëherë vëmendjen e publikut.
Kësisoj ka ndodhur edhe me këngën nga Izraeli. Kënga “Toy” menjëherë ka depërtuar në toplistat e vendeve të ndryshme evropiane dhe qysh tash shihet si një prej favoriteve, shkruan KultPlus.
Netta është këngëtarja nga Izraeli, shumë e re në moshë, e cila ka mahnitur me suksesin e saj viteve të fundit. Kënga e saj “Toy” po dëgjohet tanimë në Spanjë, në Poloni, Norvegji e në Holandë, ku ka arritur të futet në toplistat kryesore.
Pos kësaj kënge, Eleni Foureira për Qipron duket se e ka nisur këtë periudhë me këmbë të mbarë. Kënga “Fuego” pos që ka pushtuar Qipron e Greqinë, po dëgjohet dhe është klasifikuar mirë edhe në Spanjë. Deri tani duket sikur këto dy këngë janë goxha favorite për të dalë mirë në këtë festival. Izraeli, në fakt, edhe mund ta fitojë në tërësi festivalin me një këngë të kapshme dhe të veçantë si ajo e Netta.
Eurovizioni do të mbahet me 8, 10 dhe 12 maj në Portugali. Filomena Cautela, Sílvia Alberto, Daniela Ruah dhe Catarina Furtado janë moderatoret e këtij spektakli në këto tri net muzikore. / KultPlus.com
Shqipëria ka qenë shteti i parë që ka zgjedhur këngën përfaqësuese për Eurovision Song Contest 2018.
Dhjetori i vitit të kaluar nxori Eugent Bushpepën si përfaqësuesin e Shqipërisë në Eurovizion.
Që nga ajo kohë, shtete të tjera kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Eurovizion.
Pra, Eugentit po i shtohet konkurrenca dhe këngët tjera janë të fuqishme, secila me veçantinë e saj, shkruan KultPlus.
Greqia ka dalë të jetë një këngë e fuqishme që po pëlqehet, njëjtë edhe sikur Italia, me këngëtarin shqiptar Ermal Meta dhe me Fabrizio Moron në duet.
Edhe Çekia e ka zgjedhur këngën e saj përfaqësuese, një këngë ritmike dhe tipike për Eurovizion.
Armenia do të vendosë sonte në mbrëmje se cila këngë do ta përfaqësojë shtetin në garën më të madhe të muzikës në Evropë, që përcillet nga miliona njerëz nga mbarë bota. Franca, Gjermania, Spanja, Malta, Serbia, të gjitha kanë zgjedhur këngët e tyre përfaqësuese.
Eurovizioni mbahet me 8,10 dhe me 12 maj në Lisbonë të Portugalisë. Për Shqipërinë, shpresojmë kalimin në finale por edhe një rezultat të fuqishëm, pse jo brenda në dhjetëshen më të mirë. / KultPlus.com
Këngëtari Eugent Bushpepa ka fituar të drejtë e përfaqësimit shqiptar në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë.
Kënga e tij “Mall” do të udhëtojë për në Portugali vitin tjetër, për të provuar hyrjen në finale të Shqipërisë, shkruan KultPlus.
Për ata që nuk e njohin Eugentin, ai ka kohë që këndon dhe është lehtë i identifikueshëm si një vokal i fuqishëm. Eugentin e njohim me anë të paraqitjeve në Top Fest në Shqipëri, në edicionin e nëntë me këngën “Udhëtari” dhe para dy vitesh me këngën “Pranë finishit”.
Bushpepa ka lindur në Rrëshen në vitin 1984. Ka jetuar për disa kohë në Itali ndërsa ishte televizioni Top Channel në Shqipëri vendi ku ai gjeti përkrahjen më të madhe, që nga viti 2006.
“Maska e madhështisë” mbetet ndër këngët më të mira të Eugentit, e realizuar në vitin 2007, ndërsa të njëjtin vit ai morri pjesë në TOP FEST në bashkëpunim me Sunrise, me këngën “Engjëll”.
Në Top Fest ai ka pasur paraqitje edhe në vitin 2011-të e 2013-të. Në vitin 2008 ai morri çmimin Zëri më i mirë në Top Fest, çmim të cilin më pas e morri prapë në vitin 2011-të.
https://www.youtube.com/watch?v=YqL1JvxwyTM
Ai ka qenë një prej zërave që ka shoqëruar grupin Deep Purple, kur këta të fundit mbajtën koncert në Shqipëri në vitin 2007 në kuadër të një turneu të veçantë. / KultPlus.com
Shqipëria ka hapur konkursin për këngën shqiptare e cila do të përfaqësohet në Eurovizionin e vitit 2018-të.
Radio-Televizioni Shqiptar, fton të gjithë krijuesit dhe interpretuesit e këngës së muzikës së lehtë shqiptare, në konkurrimin për pjesëmarrje në Festivalin e “56-të” të Këngës në RTSH, që do të zhvillohet në muajin dhjetor të këtij viti. Konkurrentët duhet të dorëzojnë:
1. Këngën e kënduar, dhe bazën orkestrale të saj, të regjistruar në CD-ë, të përfunduar në të gjithë elementët përbërës të saj
2. Tekstin e këngës
3. Fotografi te këngëtarit ose grupit nëse merr pjesë për herë të parë
Pranimi i këngëve do të bëhet nga data 2 deri më 10 nëntor 2017 Nga ora 09:00 deri në orën 14:00 në Radio Tirana. Përzgjedhja e këngëve pjesëmarrëse, do të kryhet nga komisioni i seleksionimit të këngëve, në bazë të dëgjimit të tyre Në momentin e dorëzimit të këngës, konkurrentët duhet të plotësojnë formularin e dorëzimit të këngës, në të cilin deklarohen nominalisht të gjithë autorët këngës, përfshirë edhe këngëtarin, të cilët nuk mund të ndryshohen nëse kënga shpallet fituese për të marrë pjesë. Kënga s’duhet të jetë e publikuar më parë. Kënga duhet t ë jetë e kënduar në gjuhën shqipe.
Kënga nuk duhet të jetë më e gjatë se 4 minuta. Kënga duhet të jetë e kënduar nga këngëtari që pretendon ta interpretojë atë në Festival. Pjesëmarrësit duhet të jenë të moshës mbi 16 vjeç. Një këngëtar apo kompozitor, mund të marrë pjesë në konkurrim vetëm me një këngë, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë. Një orkestrues apo tekstshkrues mund të marrë pjesë në konkurrim, me jo më shumë se dy orkestrime apo tekste, përfshirë këtu edhe bashkëautorsinë.
Të gjithë autorët e këngës, përfshirë edhe këngëtarin, duhet të jenë shqiptarë. Mosplotësimi i këtyre kushteve, sjell automatikisht, përjashtimin e këngës nga konkurrimi. RTSH, Ju uron suksese në krijimtari dhe ju falënderon për bashkëpunimin. / KultPlus.com
Nuk do ndoshta shumë koment interpretimi i saj në skenën e Eurovizionit. Krahash një tragjedie që ndodhi atyre ditëve, në majin e vitit 2012-të, Rona Nishliu ia doli të ngjitej në skenë.
Për shqiptarët ishin ditë të kobshme, njëjtë si për shpirtin e Ronës, megjithatë ajo doli në skenën e Eurovizionit dhe u pozicionua në vendin e pestë. Një performancë e rrëqethshme mbetet ajo e këngës “Suus”, edhe kaq vite pas krijimit të saj.
Sonte, po sjellim disa këngë të Ronës, por duke pyetur edhe lexuesin se çka pëlqen ai e ajo më shumë. “Suus” nuk mund ta largojmë nga lista, pasi mbetet nga ato këngë që nuk vdesin, në esencën e tyre kanë thirrje për mirësi por edhe për një vajtim të vetmuar.
Rona ka edhe këngë të tjera të fuqishme, të cilat e kanë pozicionuar në zërat të cilët nuk janë të shpeshtë, por janë të veçantë dhe të formuar. Kënga “Zonja Vdekje” u këndua para disa vitesh në Festivalin Kënga Magjike, dhe e vërtetoi magjinë e brishtë që ka brenda saj. Rona, si gjithmonë e veçantë në muzikë e në paraqitje, e solli një melodi të fuqishme e cila mund ta prekë secilin prej nesh, thellë thellë, nëse lidhet diçka e jona me këtë këngë, shkruan KultPlus.
Balada kalon në fund në një zhanër tjetër, por vetëm sepse revolta e saj duhet të ndalet dikur ose të ndërrojë frekuencë. Sonte po e sjellim edhe këtë këngë të Ronës – “Shko pastro pas saj”, sikur për të kërkuar një projekt të ri të Ronës. Kënga ka një videoklip simpatik, një tregim interesant paraqitur në moment që shihen, me Ronën që dëshiron të heq dorë nga një lidhje e cila e ka dërrmuar, e ku ka hyrë një person i tretë. Cila këngë e Rona Nishliut ju pëlqen më shumë juve, na tregoni në komente. / KultPlus.com
Kroacia e ka konfirmuar sot pjesëmarrjen në Eurovizionin e vitit 2018-të.
Shteti fqinj ka marrë pjesë për herë të parë në Festivalin Evropian të Këngës – Eurovizion, në vitin 1993, ndërsa pozita më e mirë është vendi i katërt në finalen e vitit 1996 dhe 1999, shkruan KultPlus.
HRT, televizioni publik kroat sot e ka konfirmuar se do të jetë pjesëmarrës në garë, dhe kësisoj pas disa muajsh do të dihet përfaqësuesi nga ky shtet. Këtë vit, Kroacinë në Eurovizion e përfaqësoi këngëtari Jacques Houdek me këngën “My Friend”.
Në anën tjetër, Sllovakia sot ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit 2018-të.
Sllovakia për herë të fundit ka marrë pjesë në Eurovizion në vitin 2012-të, dhe është një nga ato shtete që gjithmonë renditet dobët në toplistën finale. / KultPlus.com