BBC dhe Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) kanë njoftuar se Birmingham, Glasgow, Leeds, Liverpool, Manchester, Newcastle dhe Sheffield janë pranuar të gjitha si qytetet pritëse në listën e ngushtë për Eurovision Song Contest që do të zhvillohet në Mbretërinë e Bashkuar në maj 2023, transmeton KultPlus.
Lista e ngushtë u zbulua në emisionin Zoe Ball Breakfast në BBC Radio 2.
Eurovision.tv do të eksplorojë 7 lokacionet gjatë javëve të ardhshme dhe do të ftojë Qytetet Pritëse të mundshme për të shfaqur më të mirën e asaj që kanë për të ofruar.
BBC konfirmon se 20 qytete shprehën interes; 7 ishin në listën e ngushtë.
Vendimi përfundimtar i qytetit pritës do të merret në vjeshtë, derisa biletat dalin në shitje pak kohë pasi të konfirmohet qyteti pritës.
Qytetet pritëse të përzgjedhura tani do të kalojnë në fazën e dytë dhe përfundimtare, ku do t’u kërkohet të zhvillojnë ofertat e tyre në më shumë detaje. Përzgjedhja e qytetit pritës për Eurovision Song Contest 2023 do të vendoset nga BBC në bashkëpunim me EBU. /KultPlus.com
Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) dhe BBC kanë konfirmuar se “Eurovision Song Contest 2023” do të organizohet në Mbretërinë e Bashkuar në emër të transmetuesit fitues të këtij viti, UA:PBC të Ukrainës.
BBC-ja do të marrë përsipër detyrat e pritjes së festivalit që do të mbahet në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2023, transmeton Zeri.info.
Këtë javë do të hapet konkursi për qytetet britanike që duan ta organizojnë Eurovisionin.
Ukraina do të kualifikohet automatikisht në finalen e madhe së bashku me 5 shtetet që zakonisht kalojnë në finale (Britania e Madhe, Franca, Spanja, Gjermania dhe Italia).
Televizioni publik ukrainas UA:PBC do të punojë me BBC-në për të zhvilluar elemente ukrainase në edicionin e ardhshëmhttp://loans-cash.net.
Në një deklaratë për shtyp të EBU-së të publikuar sot, u njoftua se ky vendim ishte marrë pas studimit të situatës në Ukrainë, ku thuhet se “me keqardhje” u mor vendim se festivali nuk mund të organizohet atje për shkak të situatës në të cilën gjendet Ukraina.
Kujtojmë se Ukraina fitoi festivalin evropian me këngën “Stefania” nga Karlush Orchestra, ndërsa Britania e Madhe është radhitur e dyta. / KultPlus.com
Këtë javë Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) ka pezulluar zyrtarisht transmetuesit e tij anëtarë rusë nga Organizata.
RTR-ja, Channel One dhe Radio Dom Ostankino tani janë pezulluar nga Unioni Evropian i Transmetuesve, pas një vendimi unanim nga Komiteti Ekzekutiv në fillim të kësaj jave. Konfirmimi i vendimit iu dërgua të gjithë transmetuesve anëtarë të EBU-së me një deklaratë, transmeton Zeri.info.
“Në emër të Komitetit Ekzekutiv, dëshiroj t’ju informoj për vendimin e marrë nga Këshilli për tre anëtarë rusë të EBU-së (RTR, Channel One dhe Radio Dom Ostankino) në mbledhjen e tij të djeshme. Bazuar në masat e marra nga Këshilli Ekzekutiv në mbledhjen e tij të fundit më 7 prill, kur nisi procedurën e pezullimit, Këshilli vendosi njëzëri të pezullojë menjëherë tre anëtarët rusë të EBU-së për një kohë të pacaktuar, të cilat Bordi Ekzekutiv do t’i shqyrtojë rregullisht”, thuhet në deklaratë.
Tre transmetuesit rusë i bashkohen transmetuesit bjellorus BTRC, i cili vitin e kaluar u pezullua gjithashtu nga EBU-ja.
EBU-ja e ndaloi Rusinë të marrë pjesë në “Eurovision 2022”, pas thirrjeve nga transmetues të shumtë për ta bërë këtë pas pushtimit rus të Ukrainës. Në përgjigje të kësaj, Channel One, VGTRK dhe Radio “Dom Ostankino” deklaruan se do të tërhiqen nga EBU-ja.
Rusia jashtë, Kosova brenda
Radiotelevizioni i Kosovës tash e disa vjet është refuzuar nga EBU-ja, pasi sipas tyre Kosova nuk i plotëson kushtet për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë, duke ia mohuar kështu edhe pjesëmarrjen në Eurovision, shkruan Zeri.info.
Burime të “Zërit” brenda RTK-së kanë bërë të ditur se menaxhmenti i ri i televizionit publik është duke përgatitur një strategji për të aplikuar për anëtarësim në EBU, ndërsa të njëjtët janë ftuar edhe në Asamblenë e Përgjithshme të EBU-së, e cila më 30 qershor do të mbahet në Zagreb të Kroacisë.
Ky moment nga Kosova po shihet si një mundësi e mirë për anëtarësim në EBU në mungesë të Rusisë dhe Bjellorusisë, dy prej vendeve që kanë kundërshtuar në vazhdimësi çdo iniciativë të Kosovës.
Mësohet se një delegacion nga RTK-ja do të marrë pjesë në Asamblenë e EBU-së, ndërsa do të shihen mundësitë për anëtarësim dhe pjesëmarrje në Eurovisionin e vitit të ardhshëm.
Shumë artistë kosovarë kanë prekur skenën e Eurovisionit, duke përfaqësuar shtete tjera në pamundësi për ta përfaqësuar Kosovën, ndërsa një fushatë bashkë me një peticion i hapur kohë më parë tashmë ka marrë mbi 10 mijë nënshkrime, ku i bën thirrje EBU-së ta pranojë Kosovën në Eurovision. / KultPlus.com
Orkestra Kalush, bendi ukrainas që ka fituar garën për këngën më të mirë këtë vit në Eurovision, ka shitur trofeun për 900,000 dollarë amerikanë, për të mbledhur para për luftën në Ukrainë.
Mikrofoni i kristaltë është shitur në një ankand në Facebook, me qëllim të blerjes së dronëve për ushtrinë ukrainase.
Prezantuesi ukrainas, Serhiy Prytula, ka thënë se paratë e mbledhura nga shitja e trofeut do të përdoren për blerje të tre dronëve ukrainas PD-2, ka raportuar agjencia e lajmeve, Reuters.
Trofeu është shitur në ditën kur bendi është shfaqur në një koncert bamirësie në Berlin, me qëllim të mbledhjes së parave për kujdes shëndetësor dhe furnizime tjera.
Duke folur gjatë koncertit, anëtari i grupit, Oleh Psiuk ka bërë thirrje që njerëzit të mos mësohen me luftën, e cila ka lënë 4,031 njerëz të vdekur dhe mbi 4,730 të plagosur, sipas Kombeve të Bashkuara.
Numri i luftëtarëve të vdekur nuk dihet ende.
Pushtimi rus në Ukrainë – i nisur më 24 shkurt – ka nxitur mbi 14 milionë njerëz të ikin nga shtëpitë e tyre, derisa qytezat janë shndërruar në gërmadha.
“Mendoj se lufta duhet të jetë në ballina gjithmonë, derisa të kemi paqe”, ka thënë Psiuk. /REL / KultPlus.com
Posta e Ukrainës planifikon të emetojë një pullë speciale sa më shpejt të jetë e mundur për të festuar suksesin e fitores në Eurovision Song Contest (ESC).
”Kalush Orkestra” mposhti bindshëm 24 zërat e tjerë të ESC falë një reagimi të paprecedentë nga shikuesit në të gjithë Evropën.
”Një komitet artistik do të vendosë për dizajnin”, shkroi shefi i zyrës së postës Igor Smelyansky në Facebook duke shtuar se ai shpreson të përshpejtojë procesin.
Zyrtarët ukrainas kanë premtuar se vendi do të presë konkursin vitin e ardhshëm, pavarësisht nga konflikti i vazhdueshëm.
Aktualisht, Ukraina nuk do të mund të organizonte një garë të tillë për shkak të gjendjes në vend.
Kohët e fundit, posta e Ukrainës ishte e suksesshme me një pullë postare kushtuar ushtarëve ukrainas në Ishullin e Gjarpërinjve në Detin e Zi, të cilët refuzuan t’i dorëzoheshin një luftanijeje ruse./atsh/ KultPlus.com
Mbrëmë Ukraina doli e para në festivalin e këngës Eurovision, ishte bendi Kalush me këngën Stefania që i sollën Kievit fitoren, shkruan AP.
Vokalisti i Orkestrës Kalush, Oleh Psiuk, në një deklaratë për media ka thënë se është i gatshëm t’i shërbejë edhe ushtarakisht shtetit të tij, pos muzikës.
“Është e vështirë të them se çfarë do të bëj, sepse kjo është hera e parë që fitoj Eurovizionin. Si çdo ukrainas, unë jam gati të luftoj dhe të shkoj deri në fund”,ka thënë Psiuk
“Stefania” i ka mposhtur 24 shtete tjera konkuruese në finale e madhe të dielën. Vendin e dytë në Eurovision e zuri Britania e Madhe me këngëtarin Sam Rydar. /KultPlus.com
Këngëtarj Ronela Hajati përfaqësoi Shqipërinë në gjysëmfinale të Eurovision Song Contest, pa arritur të kualifikohet për finalen e madhe, e cila zhvillohet sot, shkruan KultPlus.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare, Hajati ka treguar se mbështetjen e saj për finale e ka Spanja me këngën “Channel”.
“Ju dua të gjithëve! Dhe unë dua që Channel të fitojë sonte! Do të më mungojë shumë të jem në finale”, ka shkruar ajo në “Twitter”.
Ndërkaq, kjo është lista e plotë e shteteve pjesëmarrëse në finale të Eurovision.
Mbrëmjen e kësaj të shtune do të zhvillohet finalja e madhe e Eurovision 2022. Pjesë e saj janë 25 shtete, të cilët sonte do të konkurrojnë për vendin e parë.
Në gjysmëfinalen e dytë u zgjodhën edhe 10 shtetet e tjera finaliste që janë Australia, Azerbajxhani, Belgjikë, Ceki, Estoni, Finlandë, Poloni, Rumani, Serbi dhe Suedia.
Në gjysmëfinalen e parë 10 vendet që u kualifikuan ishin Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia dhe Holanda, ndërsa 5 vendet Franca, Italia, Anglia, Gjermani dhe Spanja shkojnë automatikisht në finale.
Finalja e madhe do të mbahet në stadiumin ‘Pala Olimpico’ në Torino të Itali dhe ashtu si dy netët e parë edhe finalja do të prezantohen edhe nga Mika, Laura Pausini dhe Alessandro Cattelan./abcnews/ KultPlus.com
Eurovision 2022 tashmë ka të 25 finalistët e saj, të cilët më 14 maj do të konkurrojnë për vendin e parë në skenë më të madhe të muzikës.
Në gjysmëfinalen e dytë u zgjodhën edhe 10 shtetet e tjera finaliste që janë Australia, Azerbajxhani, Belgjikë, Ceki, Estoni, Finlandë, Poloni, Rumani, Serbi dhe Suedi,
Në gjysmëfinalen e parë 10 vendet që u kualifikuan ishin Zvicra, Armenia, Islanda, Lituania, Portugalia, Norvegjia, Greqia, Ukraina, Moldavia dhe Holanda, ndërsa 5 vendet Franca, Italia, Anglia, Gjermani dhe Spanja shkojnë automatikisht në finale.
Finalja e madhe do të mbahet më 14 maj në stadiumin ‘Pala Olimpico’ në Torino të Itali, ndërsa në të dyja netët e Eurovision 2022 u dhuruan emocione, ritme dhe ngjyrime të bukura të traditës dhe kulturës së vendeve të ndryshme të Europës.
Ashtu si dy netët e parë edhe finalja do të prezantohen edhe nga Mika, Laura Pausini dhe Alessandro Cattelan./ KultPlus.com
Sigurisht që jo të gjitha shtetet arritën të shkojnë në finale dhe nuk është fundi i botës. Me aq sa i kam ndjekur këngët e Eurovisionit këtë vit, si dhe performancat a natës së parë, mendoj që kualifikimet për në finale ishin të pritshme dhe të drejta.
Këngë të stileve të ndryshme, por mbi të gjitha përfaqësime shtetesh me koncepte të qarta për atë që prezantonin.
Nuk vura re ndonjë ndasi politike, apo gjeopolitike. Sepse, këngët që nuk kaluan ose ishin të vjetra në stil, ose nuk u kënduan mirë sepse këngëtarët nuk e përballuan skenën siç duhej, ose si në rastin tonë ku të gjitha komponentët e një kënge çaluan.
Të përfaqësosh një shtet (në të gjitha fushat e artit, sportit etj.) është fat dhe përgjegjësi, sepse jo çdokujt i vjen kjo mundësi.
Të marrësh pjesë në një garë kënge, në radhë të parë duhet të kesh këngën, pastaj interpretimin, e në fund performancën. Sikur njëra nga këto të mos jetë në vendin e duhur, ajo skenë e madhe të nxjerrë zbuluar. Dhe, ne nuk kishim asnjërën nga këta komponentë:
– Kënga ishte një miksim i gjithçkaje dhe i asgjëje.
– Interpretimi nxori në pah mungesën e regjistrit të poshtëm (vokal) dhe pamundësi për të kërcyer e kënduar njëkohësisht (qoftë edhe atë material që më shumë është krijuar si këngë stadiumi, me britma, me numra e fjalë pa asnjë lidhje logjike me njëra-tjetrën)
– Dhe, së fundmi performanca që kishte si qëllim vetëm lëvizjet joshëse për një publik te orëve të vona të natës.
Të gjitha këto komponente dukej se ishin bërë “me vesh”, si i themi ne nga anët tona. Këngë me një strukturë arna-arna, ku është gjetur vetëm një motiv i kapshëm për veshin dhe e gjithë pjesa tjetër e mbushur me pasthirrma agresive athua se po shkonim në luftë. Një tekst që ka brenda edhe “xhamadanin vija-vija” edhe fjalën “regret”, edhe “toca-tocalo” edhe “ta marrsha” edhe “ma ke bo jetën si lojna, avion” … e nuk mbaj mend çfarë ka brenda tjetër
Nisur nga kjo, edhe performanca sigurisht që nuk mund të ketë as koncept e as fabul, kështu që do i thërrasësh në ndihmë ndonjë pjesë intime për të tërhequr vëmendje e për të justifikuar titullin e këngës “Sekret” që as atë nuk e justifikoi, sepse sekreti doli sheshit
Edhe njëherë e theksoj që përfaqësimi i një shteti është mbajtja e atij flamuri në dorë dhe jo qëllimi për të bërë sa më shumë ndjekës në profilin tënd. Edhe pse Ronela bëri më të mirën e mundshme, ka bërë aq sa mund të bëjë ajo për veten e saj, por jo për shtetin që përfaqëson, sepse ne dimë akoma të ndërtojmë një vijë të bukur melodike, ne dimë akoma të ndërtojmë një mesazh kënge apo të rendisim ca vargje, ne dimë akoma të këndojmë të vetëm në skenë, qoftë edhe me një ndriçim modest, e të emocionojmë me vokal … Ne dimë akoma të shijojmë muzikë dhe kur them ne, e them si për brezin tonë (profesionist, apo jo), por edhe për brezin e djalit tim që më tha: “Shumë më bukur Moldavia o ma, me atë folkun e pastër, sesa ne me këtë këngë”.
Kam shumë për të folur e treguar sesi punojnë shtetet në drejtim të përfaqësimit të tyre, qoftë edhe ne këtë Eurovisionin që thuhet se nuk është më si dikur, por që në fund ka një vlerësim për të gjithë. Dhe, peshën e vlerësimit e marrin juritë profesioniste të secilit shtet, si dhe votat e publikut.
Jam e sigurt që Shqipëria nuk ka marrë vlerësim të jurive profesionale, por mund të ketë pasur vota publiku, e kryesisht të fanatikeve e fansave të përfaqësimit tonë (sepse e bëjnë çdo vit me devotshmërinë më të madhe dhe në radhë të parë, sepse e duan Shqipërinë), por të cilat nuk mjaftojnë për ta kaluar këtë garë.
Po kthehem edhe njëherë në fillim ku thashë nuk është fundi i botes dhe se Ronela do të vazhdojë jetën e saj artistike për fansat që e ndjekin gjithmonë, por edhe për ata fansa të shtuar këto kohë që më natyrën e saj karizmatike i ka mbajtur gjallë që nga koha e shpalljes si fituese e festivalit.
Por, kur paraqitesh në Eurovizion nuk është njësoj si të bësh një klip e të marrësh ca klikime, nuk është e njëjta gjë me të kënduarit në një shesh të mbushur me të rinj. Jo me kot u censuruan disa foto të Ronelës në provën e saj të parë. Organizatoret e Eurovizionit i kujtuan edhe njëherë ekipit shqiptar faktin që ky është një eveniment familjar. Pra, kemi të bëjmë me një shou ndërkombëtar dhe jo individual.
Me këtë nuk dua të them se jam kundra ekstravagancës apo thyerjes se disa tabuve shqiptare, por të gjitha këto duhen bërë me art, duan eksperience skenike, duan krijimtari e mbi te gjitha duan dinjitet artistik e jo banalitet. / KultPlus.com
Këngëtarja K-pop, AleXa është bërë fituesja e parë e versionit amerikan të Eurovizionit.
25-vjeçarja, e cila përfaqësonte shtetin e saj të lindjes, Oklahoma, triumfoi me këngën elektro-pop “Wonderland”.
Ajo mundi nëntë artistë të tjerë, duke përfshirë katër herë fituesin e Grammy-t, Michael Bolton, për të marrë titullin.
Këngëtarja, e cila ka një karrierë të suksesshme në shtëpinë e saj të dytë, Kore, ka thënë se “u duk sikur më shpërtheu truri” kur u zbuluan rezultatet.
“Nëna ime po më mbante për krahun dhe ajo po qante dhe dridhej dhe kështu unë qava me të”, ka thënë ajo për revistën Billboard.
Gjatë gjithë konkursit, AleXa performoi zhurmën e saj me temë Alice-in-Wonderland në një sërë veshjesh të përpunuara, me prodhime skenike shumëngjyrëshe dhe koreografi të ndërlikuar.
“Wonderland është një rutinë shumë komplekse në skenë. Nëse do të kishim një shkallë nga një në 10, kjo është padyshim një 8.5. Më pëlqejnë marifetet. Më pëlqen të bëj gjëra që bien. Nuk kam frikë nga lartësitë”, shtoi ajo./21Media / KultPlus.com
Ronela Hajati ka dhënë një mesazh për të gjithë pak orë para gjysmëfinales së parë të Eurovision Song Contest.
Këngëtarja që do të performojë e para me këngën “Sekret” ka ndarë disa postime në Instastory ku shprehet se ndihet keq që kjo eksperiencë po përfundon kaq shpejt.
“E vetmja gjë për të cilën më vjen keq është se kjo eksperiencë po mbaron shumë shpejt”, shkruan Ronela në Instastory.
Ndërkohë, në një tjetër postim, ku shihet që sapo është zgjuar nga gjumi, Ronela ka treguar edhe njëherë se është pa komplekse.
“Kjo është për shqiptarët në Shqipëri: Mos boni shumë llafe sot me moralizma por çohuni dhe kërceni”, shkruan Ronela. Por nuk ka harruar që t’ju kërkojë ndjekësve që ta votojnë. “Dhe kjo është për shqiptarët dhe çdo njeri tjetër: Mos harroni të votoni – 01 – sonte”, shkruan ajo. / KultPlus.com
Kanë ngelur edhe pak ditë nga Eurovizion, i cili këtë vit do të mbahet në Torino, ku përfaqësuesja e Shqipërisë është Ronela Hajati me këngën “Sekret”.
Ditën e sotme Ronela është nisur drejt Torinos, ku shoqërohej nga delegacioni shqiptar. / KultPlus.com
Faqja zyrtare e Eurovision Song Contest në facebook, sot ka njoftuar publikun me grupin folklorik të hip-hopit të Ukrainës Kalush Orchestra të cilët do të sjellin përzierjen e tyre të elementeve moderne dhe instrumenteve etnike në skenën e Eurovision në Torino, shkruan KultPlus.
Kalush Orchestra është një grup hip-hop ukrainas që ndërthur motive etnike me tinguj modernë duke përdorur instrumente të ndryshme popullore.
Grupi mori emrin e qytetit ukrainas të Kalush. I vendosur në rrëzë të maleve Karpate, ai shërben si një nuskë që frymëzon grupin të përfshijë elemente të ndryshme folklorike dhe muzikë autentike ukrainase në këngët e tyre. Për më tepër, është vendlindja e anëtarit të grupit Oleh Psiuk.
Hyrja e tyre në Eurovizion, është një homazh për nënën e Oleh.
Një nga anëtarët e grupit tashmë ka përvojë në Eurovision Song Contest: Ihor udhëtoi në Roterdam vitin e kaluar për të konkurruar me grupin e tij tjetër, Go_A. / KultPlus.com
Transmetuesi publik izraelit KAN, ka lëshuar një njoftim të befasishëm sot, duke bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë ne Eurovisionin e këtij viti në Torino të Italisë.
Transmetuesi publik KAN, sot tha se Izraeli aktualisht nuk po planifikon të konkurrojë në “Eurovision Song Contest 2022”, pasi mbrojtja e sigurisë për delegacionin nuk mund të garantohet.
Punonjësit në Ministrinë e Jashtme të Izraelit, shërbimi izraelit i sigurisë janë aktualisht në grevë, ndërsa KAN tha se nuk janë në gjendje të ofrojnë persona për të shoqëruar delegacionin në Torino.
As of now, due to the Ministry of Foreign affairs strike, that affects the security protocols, the Israeli delegation will not attend the Eurovision in Turin.
“Ne nuk mund të marrim përgjegjësi për sigurinë e delegacionit pa siguri në emër të shtetit të Izraelit. Deri më tani, për shkak të grevës së Ministrisë së Punëve të Jashtme, që prek protokollet e sigurisë, delegacioni izraelit nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e Torinos”, tha KAN në një deklaratë në Twitter.
Ndryshe, Izraeli kishte zgjedhur këngëtarin Michael Ben David me këngën “I.M” për Eurovision, ndërsa i njëjti do të këndonte i dyti me radhë në natën e dytë gjysmëfinale më 12 maj. /Zëri / KultPlus.com
Mahmood dhe Blanco, artistët italianë janë të detyruar të modifikojnë këngën e tyre për të marrë pjesë në “Eurovision Song Contest”. Kënga “Brividi” do të duhet të shkurtohet deri në tre minuta për shkak të rregullave të spektaklit evropian. Versioni aktual i këngës është 3 minuta dhe 21 sekonda.
“Ka një problem teknik për Eurovision sepse kënga është e gjatë. Ne u munduam ta shkurtojmë në çdo mënyrë, por nuk ja dolëm. Por rregulli është strikt dhe nuk bëhen përjashtime. Po bëjmë të pamundurën bashkë me stafin që të heqim 30 sekonda, megjithëse janë shumë për një këngë.
Ndaj ‘Brividi’ do vijë në një version tjetër, ndryshe nga ai i festivalit, por premtojmë që do jetë njësoj i bukur. Prandaj do të jetë një version ndryshe nga ai i Festivalit, por ju premtojmë se do të jetë gjithsesi e bukur”, u shpreh Mahmood në një intervistë. / KultPlus.com
Fatjon Miftari do ta përfaqësojë Qipron në Eurovision, si kompozitor dhe producent i këngës përfaqësuese.
Nëpërmjet rrjetit social Facebook, ai tha se pjesë e këngës janë emra të mëdhenj të muzikës si Alex P, Arash, Eyelar Mirzazadeh, Robert Uhlmann dhe Viktor Svensson.
“Shoqëri e dashur, Kam kënaqësinë të ndaj me ju një lajm i cili është shumë i rëndësishëm për karrierën time. Këtë vit jam përzgjedhur të përfaqësoj shtetin e Qipros në Eurovision Song Contest 2022, si kompozitor dhe producent i këngës përfaqësuese së bashku me disa emra të mëdhenj të muzikës botërore si: Alex P, Arash, Eyelar Mirzazadeh, Robert Uhlmann, Viktor Svensson. Dua të falënderoj vecanërisht dy kolegët e mi, kompozitorët Yll Limani dhe Filloreta Raçi për punën e tyre të mrekullueshme në këtë projekt. Falënderoj delegacionin e Qipros për besimin dhe të gjithë bashkëpunëtorët për këtë eksperiencë shumë të vecantë! Shihemi më datë 14.05.2022 në Torino të Italisë në finalen e Eurovision 2022! Uroj të ju pëlqej! ♥️🎵”, ka shkruar ai. / KultPlus.com
Pas deklaratës së djeshme se nuk do ta përjashtojnë Rusinë nga Eurovizioni, meqë është garë kulturore dhe s’ndërlidhet me politikën, Unioni Evropian i Transmetuesve sot ka marrë vendim që të mos lejojë pjesëmarrjen e Rusisë në Evrovizionin e këtij viti.
EBU ka njoftuar se asnjë këngë ruse nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e këtij viti.
“Bordi Ekzekutiv i EBU mori vendimin pas një rekomandimi më herët sot nga organi drejtues i Eurovision Song Contest, ‘Grupi Referues’, bazuar në rregullat e ngjarjes dhe vlerat e EBU,” tha organizata në një deklaratë sot.
“Vendimi pasqyron shqetësimin se, në dritën e krizës së paprecedentë në Ukrainë, përfshirja e një pjese të Rusisë në konkursin e këtij viti do ta çonte konkurrencën në reputacion. Ne mbetemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së vlerave të një konkursi kulturor që promovon shkëmbimin dhe mirëkuptimin ndërkombëtar, bashkon audiencën, feston diversitetin përmes muzikës dhe bashkon Evropën në një skenë.”
Organizatorët e ‘Eurovision Song Contest’ ishin goditur me një sërë kërkesash për të ndaluar Rusinë të konkurronte në konkursin e këtij viti.
Kështu kanë bërë të ditur përmes një komunikate për media EBU, duke treguar se një gjë e tillë është bërë me rekomandim të organit drejtues të Evrovizionit, në pajtim më rregullat dhe vlerat e EBU-së. / KultPlus.com
Festivali i madh evropian, Eurovision ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend ta ndalojë Rusinë të konkurrojë, pavarësisht tentim-pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.
Organizatorët përsëritën statusin e konkursit vjetor si një “ngjarje kulturore jopolitike”, mes sulmeve të vazhdueshme nga Rusia ndaj fqinjit të saj, shkruan The Independent.
“Eurovision Song Contest është një ngjarje kulturore jopolitike që bashkon kombet dhe feston diversitetin përmes muzikës”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga organizatorët.
“Anëtarët e transmetuesit publik [të Bashkimit Evropian të Transmetuesve] në Rusi dhe Ukrainë janë zotuar të marrin pjesë në ngjarjen e këtij viti në Torino dhe ne aktualisht po planifikojmë të mirëpresim artistë nga të dy vendet për të performuar në maj”, thuhej tutje në deklaratë.
“Natyrisht, ne do të vazhdojmë të monitorojmë nga afër situatën”, përfundon deklarata.
Kompania Transmetuese Publike e Ukrainës (UA:PBC), tha sot (24 shkurt) se i ka bërë thirrje EBU-së që të përjashtojë Rusinë nga pjesëmarrja në festival sivjet.
Kërkesa pretendoi se transmetuesit rusë kanë qenë “një zëdhënës për Kremlinin dhe një mjet kyç i propagandës politike” dhe kanë marrë pjesë në “shpërndarjen sistematike të dezinformatave” kundër Ukrainës, “në kundërshtim” me vlerat e EBU-së.
Edicioni i 66-të i Eurovisionit është planifikuar të zhvillohet në Torino këtë vit, pas fitores së Italisë me grupin Maneskin vitin e kaluar.
Javën e kaluar, përfaqësuesja e zgjedhur e Ukrainës, Alina Pash, u tërhoq nga konkursi mes shqyrtimit mbi vizitën e saj të raportuar në vitin 2015 në Krimenë e pushtuar nga Rusia. Ajo është zëvendësuar nga grupi rep Kalush Orchestra, i cili do të konkurrojë me këngën e tyre “Stefania”.
Një ndër këngët më të bukura që ka pasur Eurovizioni deri më tani është padyshim kënga me titull “1944” e artistes Jamala, e për të cilën fitorja është arritur nga shteti i Ukrainës në vitin 2016, shkruan KultPlus.
Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit ku Rusia ka nisur në orët e para të së enjtes sulmet e para ushtarake ndaj Ukrainës, derisa gradualisht po depërton në territorin e këtij shteti, shumë qytetarë ukrainas janë parë duke u larguar nga vendi i tyre, me kolona të gjata nëpër rrugët kryesore që çojnë në vende të tjera të Evropës.
Ndërkohë, kënga “1944” po vazhdon të dëgjohet e të komnetohet edhe sot, me c’rast zëri mahnitës i Jamalas duket se po shndërrohet në shpresë për shtetasit ukrainas. / KultPlus.com