Jonida Maliqi sonte në Eurovision

Përfaqësuesja e Shqipërisë për në Eurovison, Jonida Maliqi e cila ka ditë që gjendet në Tel Aviv, sonte do të performojë në edicionin e 64 të Eurovisionit, shkruan KultPlus.

“Ktheju Tokës” do të ngjitet në skenë e 14-ta me radhë, sonte në natën e dytë gjysmëfinale të Eurovisionit.

Nga nata e parë e gjysmëfinales, në finale kanë kaluar këto shtete: Greqia, Bjellorusia, Serbia, Qipro, Estonia, Republika Çeke, Australia, Islanda, San Marino dhe Sllovenia.

Ndërsa sonte të gjithë shqiptarët mbesin me shpresë që Jonida të kalojë këtë prag dhe të futet në finalen e madhe të festivalit Eurovision. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=10&v=P0lToVjUzDM

Eurovision Song Contest: Jonida Maliqi, një nga zërat më të mirë në konkurrim

Në Tel Aviv, 41 vende do të marrin pjesë në edicionin e 64 të “Eurovision Song Contest”, ku pas dy gjysmë finaleve që do të mbahen të martën dhe të enjten, vetem 26 prej tyre do të jenë pjesë e finales së madhe të së shtunës. Shqipëria do të përfaqësohet në festival me Jonida Maliqin me këngën “Ktheju tokës”.

Punk islandez? Folk polak? Apo Joik norvegjez? Çfarëdolloj rryme dhe kushdoqoftë fituesi i Eurovision-it, e rëndësishme është muzika. Në Tel Aviv, 41 vende do të jenë pjesëmarrëse në edicionin e 64 të “Eurovision Song Contest”, ku pas dy gjysmë finaleve që do të mbahen të martën dhe të enjten, vetem 26 prej tyre do të jenë pjesë e finales së madhe të së shtunës.

Edhe ky edicion i Eurovision-it nuk erdhi i papërfshirë nga polemikat. Ukraina u tërhoq nga konkurimi pasi e pa të papërshtatshem Izraelin si vend organizator kurse Bullgaria nuk merr pjesë për arsye financiare. Gjithashtu shumë organizata joqeveritare kanë bërë thirrje për bojkot, pasi e shohin Izraelin si vend okupator. Megjithatë, këtë fundjavë miliona teleshikues do te “mbërthehen” para televiziorit për të ndjekur magjinë vjetore muzikore.

Mes 41 vendeve pjesëmarrëse, Holanda, që do të përfaqësohet nga Duncan Laurence me këngën “Arcade” shikohet si favorite dhe pas saj renditet Rusia. Shqipëria do të përfaqësohet në festival me Jonida Maliqin me këngën “Ktheju tokës”. Pavarësisht faktit se gjatë provave, regjia televizive e festivalit ka patur probleme teknike, blogerët e Eurovizionit janë shprehur se Maliqi është një nga zërat më të mirë në konkurrim./Shqiptarja / KultPlus.com

Jonida Maliqi performon në London Eurovision Party

Në vazhdën e performancave para netëve të festivalit evropian ‘Eurovizion’, përfaqësuesja e Shqipërisë, këngëtarja Jonida Maliqi, ka performuar në Londër këngën ‘Ktheju tokës’.

Në paraqitjen e në ‘London Eurovision Party 2019’, Jonida Maliqi, është mirëpritur nga publiku të cilët kanë kënduar bashkë me këngëtaren.

Eurovizion do të mbahet në Telaviv të Izrealit, me datat 14, 16 dhe 18 maj, ndërsa Jonida Maliqi përfaqëson Shqipërinë në këtë festival me këngën ‘Ktheju tokës’. / KultPlus.com

Eurovision prezanton fotografitë zyrtare të këngëtarëve pjesëmarrës, Jonida e mahnitshme (FOTO)

Përfaqësuesja e Shqipërisë për në Eurovision, Jonida Maliqi, këto ditë dha performancën e parë për në Eurovision, shkruan KultPlus.

Kjo performancë erdhi në kuadër të “Eurovision in Concert” që i paraprinë spektaklit të njohur dhe u mbajt në Amsterdam.

Jonida shkëlqeu gjatë interpretimit të këngës “Ktheju tokës” dhe u duartrokit shumë nga publiku.

Eurovision tashmë ka prezantuar edhe fotografitë zyrtare të këngëtarëve pjesëmarrës të këtij edicioni.

Jonida Maliqi edhe kësaj radhe na vjen tejet e veçantë dhe me një stil unik që atë e karakterizon.

Fotografitë e Jonidës po pëlqehen shumë edhe nga fansat.

Kujtojmë që Shqipëria do të performoj në natën e dytë të festivalit, e 14-ta  me radhë.

Eurovisioni do të nis më datë 14 maj dhe finalja e madhe do të mbahet më 18 maj në Izrael.

Këtë vit kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision do të këndohet në gjuhën shqipe, andaj teksti i shkruar nga Eriona Rushiti nuk do të përkthehet e të përshtatet siç ka ndodhë me shumicën e këngëve shqiptare që janë prezantuar në Eurovision. / KultPlus.com

Serbja e lindur në Mitrovicë përfaqëson Serbinë në Eurovision

Është zhvilluar në Serbi “Beozivija 2019”, festivali i rëndësishëm i këngës, i cili zgjedh dhe përfaqësuesin e këtij shteti që prej vitit 2007 në Eurovizion.

Pas një gare të fortë dhe një votimi surprizë, fituese është shpallur Nevena Bozovic, me këngën “Kruna” që në shqip përkthehet “Kurora”.

Nevena Bozovic është artisja 24 vjeçare e cila ka lindur dhe ka jetuar për disa vite në Mitrovicë, derisa vazhdoi studimet në shkollën e muzikës në Beograd. 

Edhe pse në moshë të re, ajo është një emër i njohur për muzikën në Serbi, pasi ka qenë pjesëmarrëse në disa talent-show si “The Voice”, por gjithashtu karriera e saj ka qenë e lidhur ngushtë me Eurovizion-in.

Në vitin 2013 ajo përfaqësoi vendin e Ballkanit si pjesë e grupit “Moje 3” me këngën “Ljubav Je Suda”.

Ata nuk arritën të kualifikoheshin në finale në atë edicion gjithsesi. Ndërkohë në 2015-ën, Nevena ishe pjesë e jurisë që dërgonte këngën e Serbisë në Eurovision.

“Një kurorë dhe një hakmarrje” e kanë titulluar blogerët e Eurovizioni-t fitoren e saj dhe udhëtimin që do të bëj drejt Tel Avivit.

Kjo për shkak të titullit të këngës por edhe pasi do të përpiqet që kësaj radhe të “hakmerret” në një farë mënyrë ndaj jurisë së Eurovizion-it që para pak vitesh e la jashtë fazës finale, shkruan blitz.al.

Ndërkohë faqet e dedikuara festivalit europian të këngës, e theksojnë faktin që Nevana është e lindur në Mitrovicën e Kosovës. Ashtu siç bën dhe vetë këngëtarja, e cila jo vetëm që e ka të shkruar vetë në Instagram: Mitrovica, Kosovo dhe jo Serbia siç mund të shkruhet rëndom në shtetin sllav.

Gjithashtu në një intervistë të 2012-ës ka pranuar që Kosova është në zemrën e saj pavarësisht se nuk kthehet shpesh që ta vizitojë.

Në numërimin final gjithsesi ajo u shpall fituese dhe zyrtarisht përfaqësuese e Serbisë në Eurovision. / KultPlus.com

Artistja amerikane, performuese speciale në Eurovision

Pasi u konfirmua që vendi ku do të organizohen netët e Eurovizionit do të jetë kryeqyteti, tani  producentët izraelitë janë duke punuar që ta bëjnë kompeticionin e këtij viti vërtet special.

Sipas “The Times of Israel”, filantropisti Sylvan Adams ka rënë dakord që të mundësojë fondet, në mënyrë që në natën finale në maj të performojë dhe mbretëresha e muzikës pop, Madonna.

Organizatori i eventit Dani Ben Aim e ka komentuar kështu lajmin: “Mund t’ju konfirmoj se kemi marrë dritën jeshile nga miliarderi Adams dhe shumë shpejt do të takohemi me Madonnën për të diskutuar detajet. Deri tani gjërat duken shumë mirë”. Mendohet se artistja e njohur do të përfitojë më shumë se 1.5 milionë dollar për performancën që do të japë. Për herë të fundit ajo ka performuar në Izrael në verën e viti 2012 por kjo herë padyshim do të jetë më e veçantë. /KultPlus.com

Yjet kërkojnë zhvendosjen e “Eurovizionit” nga Izraeli

Dame Vivienne Westwood, Peter Gabriel dhe Wolf Alice janë në mesin e 50 artistëve, të cilët kanë bërë thirrje që Festivali Evropian i Këngës të mos mbahet në Izrael.

Duke përmendur shqetësimet për të drejtat e njeriut ata kanë nënshkruar një letër të hapur, ku i kërkojnë BBC-së që ta iniciojë zhvendosjen e garës në një vend tjetër.

“’Eurovizioni’ edhe pse ka karakter argëtues nuk është i përjashtuar nga konsiderata që duhet pasur për të drejtat e njeriut”, kanë shkruar ata.

Në përgjigjen e kthyer nga BBC-ja shkruhej se nuk është e përshtatshme që të përdorin BBC-në për qëllime politike.

Gara vjetore do të mbahet në maj në Tel-Aviv, pasi që më 2018 fituese ishte këngëtarja izraelite Netta. Vendi fitues zakonisht bëhet nikoqir i garës vitin e ardhshëm.

Sido që të jetë, grupi i personaliteteve të kulturës, ku përfshihen edhe Mike Leigh, Maxine Peake dhe Miriam Margolyes, ka thënë se “pretendimi për të shpallur diversitetin dhe gjithëpërfshirjen duhet të tingëllojë bosh”. “Nuk mund të shpërfillim shkeljen sistematike të të drejtave që shteti izraelit ia bën popullit palestinez”, kanë shkruar ata. “BBC-ja është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtën ‘e lirisë së shprehjes’. Ajo duhet të veprojë sipas parimeve të saj që të mundë ta zhvendosë ‘Eurovizionin’ në një vend ku nuk kryhen krime ndaj lirisë”.

Letra vjen një javë para se Mbretëria e Bashkuar ta përzgjedhë përfaqësuesen e saj në “Eurovision”

“Për çdo artist, që është mjaftueshëm i vetëdijshëm, ky është nder i dyshimtë”, thuhet në letër. “Ata dhe BBC-ja duhet të kenë parasysh se një vend i tillë nuk është zgjerim i ligjit, që thotë se palestinezët nuk mund të vendosin për heqjen e zaptimit ushtarak të Izraelit dhe të jetuarit pa aparteid.

BBC-ja ka thënë se “Eurovizion” nuk është “ngjarje politike dhe si e tillë nuk e mbështet asnjë mesazh apo fushatë politike”.

Në deklaratë thuhet: “Gara gjithmonë ka mbështetur vlerat e miqësisë, tolerancës dhe diversitetit, dhe ne nuk besojmë se është e përshtatshme të përdoret pjesëmarrja e BBC-së për qëllime politike”. “Për këtë arsye ne do të jemi pjesëmarrës në garën e sivjetme. Vendi nikoqir përcaktohet nga rregullat e garës e jo nga BBC-ja”.

Europian Brodcasting Union, që e organizon këtë garë, theksoi gjithashtu edhe karakterin jopolitik të ngjarjes dhe theksoi se përgatitjet në Tel-Aviv kanë përparuar.

Shumë nga ata që nënshkruan letrën të mërkurën kanë bërë thirrje për një bojkot kulturor të Izraelit duke i kritikuar artistët si Nick Cave, “Radiohead” dhe Lana del Rey, që kishin organizuar koncerte në atë vend. Fushata e tyre shoqërohet nga një thirrje e mëhershme për zhvendosje të “Eurovizionit” e bërë në shtator të vitit të kaluar, nga një koalicion i artistëve nga e mbarë bota.

Kjo ngjarje u organizua nga lëvizja “Boycott, Divestment and Sanctions” (BDS) e cila kërkon bojkotimin e plotë të Izraelit për shkak të politikave të tij ndaj palestinezëve. Izraeli thotë se BDS-ja e kundërshton qenësinë e Izraelit dhe është i nxitur nga antisemitizmi/BBC./KultPlus.com

Bilal Hassani zgjedhet përfaqësues i Francës në Eurovision (VIDEO)

Franca ka zgjedhur përfaqësuesin e saj për në Eurovison 2019.

Francën në Tel Aviv do ta përfaqësoj Bilal Hasani me këngën “Roi”, pasi mbrëmë u shpall fitues i “Destination Eurovision” nga votat e jurisë dhe publikut.

Këngëtari tranvestit i cili ka lindur në Paris nga prindër emigrant nga Singapori, ka tërhequr vëmendjen që nga dita kur u zgjodh për të garuar në festivalin kombëtar francez, duke qëndruar në maja të sondazheve të faqeve që merren me lajmet rreth Eurovisionit.

Pjesë e jurisë profesionale ishte edhe këngëtarja kosovare, Rona Nishliu e cila këngën “Roi” e vlerësoi me 10 pikë nga 12 maksimale./Eurovision Kosovo/KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=xsAQCsiV3fU

Shqiptarja në garë për ta përfaqësuar Australinë në Eurovision

Vitin e kaluar tre shqiptarë janë ngjitur në skenën e madhe të Eurovisionit, duke përfaqësuar tre shtete të ndryshme.

Edhe këtë vit këngëtarja Jonida Maliqi e cila do ta përfaqësoj Shqipërinë në Eurovision në Izrael, mund të mos jetë shqiptarja e vetme që do të ngjitet në këtë skenë.

Këngëtarja Tania Doko, e cila me origjinë është nga Pogradeci i Shqipërisë, ka hyrë në garën e ngushtë për ta përfaqësuar Australinë në Eurovision, shkruan Magazina.al

Televizioni publik australian SBS, ka publikuar listën e pesë këngëtarëve të cilët janë në garë për ta përfaqësuar kontinentin në Eurovision, e në mesin e tyre është edhe shqiptarja 41-vjeçare, Tania Doko, e cila gëzon një famë të madhe në Australi.

“Kjo është një nga ato të paplanifikuarat, nuk e kam parë këtë kapitull të vogël në karrierën time që po e përqafoj me një aventurë dhe eksitim. E qershia mbi tortë e kësaj eksperience është se po garoj me një këngë që e kam punuar vet”, ka thënë këngëtarja, transmeton Magazina.al

Çelnik Doko, babai i Tanias, është me origjinë nga Pogradeci, ai ka 57 vjet që është larguar nga Shqipëria në drejtim të Australisë, pasi ishte një ish i dënuar politik./KultPlus.com

Eurovision 2019: Here Are The Final Three Acts In The Running To Represent Australia

Kënga e Jonida Maliqit në Eurovizion do të këndohet në shqip

Pas tri ditëve konkurrimi intensiv në Festivalin e ’57 të këngës në RTSH, i cili u mbajt në Pallatin e Koncerteve në Tiranë, mbrëmë është përzgjedhur edhe kënga fituese, shkruan KultPlus.

Këtë edicion e fitoi me këngën “Ktheju tokës” këngëtarja Jonida Maliqi.

Kjo nënkupton që kjo këngë ka fituar të drejtën e përfaqësimit shqiptar në Eurosong 2019 në Izrael.

Këtë vit kënga përfaqësuese e Shqipërisë në Eurovision do të këndohet në gjuhën shqipe nga këngëtarja Jonida Maliqi.

Këngës tashmë pritet t’i bëhet edhe videoklipi.

Vitin e kaluar Shqipëria është prezantuar nga Eugent Bushpepa me këngën “Mall”./ KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=zTItDns7O4Q

Zbulohet slogani i Eurovizonit të vitit 2019-të

Tashmë është zbuluar edhe slogani i Eurovizionit të vitit 2019-të që do të mbahet në Izrael, shkruan KultPlus.

“Guxo të ëndrrosh” (Dare do dream) është slogani i Eurovizionit ndërsa do të jetë Tel Avivi qyteti që do të mirëpresë vitin tjetër ngjarjen më të madhe muzikore në Evropë.

Festivali do të mbahet në muajin maj 2019, me 14, 16 dhe 18 maj. Do të jetë hera e tretë që Izraeli e mirëpret organizimin e Eurovizionit, pas vitit 1979 dhe 1999.

Eurovizioni do të mbahet saktësisht në EXPO Tel Aviv – International Convention Centre./ KultPlus.com

Koha kur Rita Ora garoi për ta përfaqësuar Britaninë e Madhe në Eurovision (VIDEO)

Rita Ora, këngëtarja shqiptare e cila tashmë ka arritur majat e suksesit, dikur kishte garuar për ta përfaqësuar Britaninë e Madhe në Eurovision.

Ishte viti 2009 dhe Rita ishte vetëm 19 vjeçare kur mori pjesë në garën kombëtare të Britanisë së Madhe “Your country needs you”, ku fituesi shkonte në Eurovision. Rita Ora nuk e fitoj këtë garë por disa vite më vonë ajo u pendua që mori pjesë aty, pasi Eurovisionin nuk e sheh si një kompeticion ku do të këndojë ndonjëherë.

Po ju sjellim videon e paraqitjes së Ritës në këtë garë dhe emocionet që ajo kishe në ato momente te publikuar nga faqja Eurovision Kosovo. /KultPlus.com

Izraeli ka afat edhe 24 orë, Austria mund të jetë organizatore e Eurovisionit

Austria mund të organizojë festivalin evropian të muzikës vitin e ardhshëm, edhe pse Izraeli fitoi konkursin e këtij viti.

Menjëherë pas fitores së këngëtares Netta, menjëherë lindën pyetjet rreth situatës së sigurisë në shtetin hebre.

Tashmë, austriakët, garuesja e së cilës zuri vendin e tretë, mund të jenë organizatorë të ngjarjes.

Sipas raporteve të mediave, televizioni shtetëror izraelit, KAN kërkoi para nga shteti për organizimin e kësaj gare, por ministri i Financave nuk ka pranuar të ndante fonde.

Izraeli duhet të paguajë një garanci financiare në vlerë prej 12 milionë euro në llogarinë zvicerane, si garanci për pranimin e organizatës në Eurovision.

Afati i fundit për pagesën skadon nesër, 14 gusht, dhe nëse paratë nuk gjenden në llogarinë, atëherë do të jetë një vend tjetër organizator i garës gjersa Austria, e cila dy vjet më parë ka qenë mikpritëse, edhe një herë është e gatshme për të marrë përsipër këtë rol.

KAN-i i është drejtuar tani kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu me një kërkesë që shteti të bëjë të disponueshme burimet e nevojshme. /KultPlus.com

Fituesja e “Eurovisionit”, Netta Barzilai: Nuk kam qenë kurrë në Kosovë, shpresoj ta vizitoj

Kosova tash e disa vite nuk ka të drejtë pjesëmarrje në “Eurovision”, megjithatë miliona shqiptarë nga ky shtet ndjekin çdo vit festivalin dhe shprehin dëshirën që edhe Kosova të jetë pjesë e kompeticionit.

Faqja “Eurovision Kosovo” tash e sa vite lobon për pjesëmarrjen e shtetit tonë në “Eurovision”, ndërsa sjell gjithnjë më të rejat rreth festivalit, shkruan Telegrafi.

Në rrjetin social Twitter, kjo faqe i ka dedikuar një pyetje këngëtares nga Izraeli, Netta Barzilai, e cila këtë vit fitoi “Eurovisionin”.

Ata e kanë pyetur nëse do ta vizitojë ndonjëherë Kosovë, ndërsa ajo është përgjigjur duke thënë: “Nuk kam qenë kurrë këtu! Shpresoj së shpejti”.

Netta Barzilai fitoi “Eurovisionin” këtë vit me këngën “Toy”, e cila ka qenë mjaft e përfolur javëve të fundit pas disa akuzave për plagjiaturë.

Megjithatë, Izraeli pritet të jetë shteti i cili do të mirëpresë vitin e ardhshëm kompeticionin më konkurrues mes shteteve të Evropës, në fushën e muzikës. /KultPlus.com

Elton Deda me fjalë të mëdha për Bushpepën: Mbaje kokën lart sepse për mua ishe vokalisti më i mirë i Eurovizionit

Mbrëmë është mbajtur finalja e Eurovisionit, që nxori fituese këngën e Izraelit. Këngëtari Elton Deda përmes një statusi mbrëmë ka shprehur përkrahjen dhe përgëzimet për Eugent Bushpepën.

KultPlus ju sjellë postimin e plotë të Elton Dedës:

Genti, je super artist. Nderove veten dhe sakrificat e tua qe nuk ti ka falur askush por i ke fituar vete me rrylin e fytit. Nga Eurovizioni do kthehesh me nje eksperience me te madhe, dicka qe do te te sherbeje ne karriere. Profesionistet te votuan dhe per pak nuk ishe ne 5-çe, por nuk mund te kesh zhgenjim pasi vetem nje budalla emotivo-superhormonal, nuk i kupton politikat e lepirjeve dhe servilizmave te “mesazheve glorioze” te ketij aktiviteti medioker. Une personalisht e kam shijuar kengen ne Festival dhe e shijova plotesisht edhe ne skenen fantastike te Lisbones. Mbaje koken lart sepse ( te pakten per mua), ishe vokalisti me i mire i Eurovizionit dhe djali modest qe kushedi se ç’heq te bashkejetoje me madheshtine e rocknrollit brenda teje. Per mua eshte mision i kryer dhe me sukses. Dua shume ti pershendes edhe Kolin, Kleartin, Rezin dhe gjithe stafin e RTSH-se qe te ka ndenjur afer ne Lisbone dhe te kane dhene zemer. Ne veçanti, dua tu them urimet me te mira, Denisit, Gertit, Gretes, Erioles te cilet kompletonin me profesionalizem dhe qetesi, garancine absolute te performances se kenges. Vazhdo te na kenaqesh. Miku qe te do te miren ( jo si te Vani me letra poshte deres)./ KultPlus.com

Kënga e Italisë flet edhe shqip (VIDEO)

Përveç se do te përfaqësohet nga një shqiptar, kënga italiane këtë vit në Eurovision do të ketë përkthim te tekstit edhe ne shqip gjate performances ne finalen e Eurovisionit, shkruan KultPlus.

Këtë e ka bërë të ditur Eurvision Kosovo me anë të një postimi. Teksti i këngës “Non mi avete fatto niente”, i kënduar nga Ermal Meta e Fabrizio Moro, përveç se do të përkthehet në disa gjuhë, teksti i këngës do te ketë edhe fjalë shqipe gjatë kohës sa do te këndoj ne Eurovision me 12 maj.

KultPlus ju përcjellë pamjet ekskluzive nga provat e këngës.

Kënga përfaqësuese e Finlandës në Eurovizion, sjellë “përbindëshat” në Gjuhën Shqipe

Përfaqësuesja e Finlandës në Eurovizion, Saara Aalto, ka publikuar një version të ri të këngës së saj “Monsters” më të cilën do të konkurrojë në këtë garë. Ajo ka sjellë këngën në 34 gjuhë, ku përfshihet edhe Gjuha Shqipe, shkruan KultPlus.

Kënga e cila fillon në Gjuhën Angleze ndryshon nga çasti në çast, duke sjellë kështu tekstin të copëzuar në 34 gjuhë.

Këngëtarja gjersa luan vet në piano sjellë fjalinë “Nuk dua të kapem pas këtyre përbindëshave”, në gjuhën shqipe në minutë 2:35. Ky version mund të konsiderohet si dëshmi që muzika nuk njeh gjuhë ajo thjeshtë ndjehet./ KultPlus.com

Këngëtarja rrëfen kujtimet që ka nga Shqipëria: E vizitoj shpesh

Pak kohë më parë këngëtarja me origjinë shqiptare Eleni Foureira ka deklaruar origjinën e saj. Këngëtarja shqiptare këtë vit do të përfaqësojë Qipron në Eurovizion dhe ka dhënë një intervistë në mediat greke ku ka theksuar se e viziton shpesh atdheun e saj pasi ka gjyshërit ende në Shqiperi.

Githashtu ajo thekson se ato kujtime që ka për vendin e saj nuk mund t’i harroj kollaj, ndonëse nuk ka jetuar shumë vite.

“Nuk harrohen, ato përvoja më kanë bërë kjo që jam sot. Të them të vërtetën, kam vetëm kujtime të mira. Ne jemi katër motra e vëllezër, një familje e madhe. Më kujtohen vite të bukur dhe papritur më kujtohet që ndryshon gjithçka. Nisi lufta, me plumba, me dhunë”, shprehet Eleni Foureira.

Ajo nuk ka lënë pa përmendur gjyshërit e saj, arsyeja përse vjen shpesh në vendin tonë.

“Gjyshja dhe gjyshi jetojnë aty, dhe shkoj shpesh për t’i parë. Krenohen dhe gëzohen me aq sa kam arritur janë të lumtur për mua”, shtoi Eleni Foureira.

Këngëtarja me origjinë shqiptare tashmë është një nga emrat më të lakuar në muzikën greke./a.me/KultPlus.com

Eugent Bushpepa këndon ‘Mall’ fuqishëm në skenën e The Voice Kids (VIDEO)

Mbrëmë ai ka dhënë paraqitjen e fuqishme të këngës e cila në më pak se dy muaj do të na përfaqësojë në Eurovizion.

Eugent Bushpepa mbrëmë ka goditur notat e larta duke e sjellë për herë të parë këngën “Mall” në një televizion shqiptar, live, pas triumfit në Festivalin e Këngës.

Bushpepa ka qenë i ftuar mbrëmë në The Voice of Albania ku e ka sjellë këngën “Mall”.

Kënga është e fuqishme dhe i tillë është edhe vokali i Gentit.

Eugenti me këngën “Mall” do të ngjitet në skenën e Eurovizionit me datë 8 maj, ndërsa nëse kualifikohet për në finale, do të këndojë edhe me 12 maj.

Kjo performancë e tij e mbrëmshme është komentuar pozitivisht, marrë parasysh fuqinë e performancës së Gentit të
cilit zëri i buron lehtësisht por është i thellë dhe unik në përmbajtje. / KultPlus.com

Eugent Bushpepa, në muajin prill performon në Amsterdam

Kjo është mundësia e parë e këngëtarit Eugent Bushpepa që të afrohet me adhuruesit e tij nga tërë Evropa.

Këngëtari shqiptar që do të përfaqësojë Shqipërinë këtë vit në Eurovizion, ka konfirmuar pjesëmarrjen në “Eurovision in Concert” në Amsterdam.

Eurovision in Concert mbahet çdo vit, ndërsa në të marrin pjesë këngëtarët që do të këndojnë në Eurovizion.
Bushpepa do të jetë i pranishëm në koncertin e datës 14 prill në AFAS Live në Amsterdam. Ky është edhe koncerti më i madh jashtë Eurovizionit, por me këngëtarë të këtij festivali, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=ZuZoTKTbwUA

Eugenti është i pari këngëtar që ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në këtë organizim. Bushpepa në dhjetor të 2017-tës e fitoi Festivalin e Këngës në TVSH me këngën “Mall” dhe kësisoj do të provojë të sjellë rezultat të mirë për Shqipërinë në Eurovizion.

Eurovision in Concert ditëve në vazhdim do ti bëjë publik edhe emrat e këngëtarëve tjerë që do të jenë pjesë e koncertit.

Ende nuk dihet se në cilat vende Bushpepa do të udhëtojë për të promovuar këngën e tij përfaqësuese. / KultPlus.com

Kush është Eugent Bushpepa, përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision 2018? (VIDEO)

Këngëtari Eugent Bushpepa ka fituar të drejtë e përfaqësimit shqiptar në Eurovision Song Contest 2018 në Lisbonë.

Kënga e tij “Mall” do të udhëtojë për në Portugali vitin tjetër, për të provuar hyrjen në finale të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Për ata që nuk e njohin Eugentin, ai ka kohë që këndon dhe është lehtë i identifikueshëm si një vokal i fuqishëm. Eugentin e njohim me anë të paraqitjeve në Top Fest në Shqipëri, në edicionin e nëntë me këngën “Udhëtari” dhe para dy vitesh me këngën “Pranë finishit”.

Bushpepa ka lindur në Rrëshen në vitin 1984. Ka jetuar për disa kohë në Itali ndërsa ishte televizioni Top Channel në Shqipëri vendi ku ai gjeti përkrahjen më të madhe, që nga viti 2006.

“Maska e madhështisë” mbetet ndër këngët më të mira të Eugentit, e realizuar në vitin 2007, ndërsa të njëjtin vit ai morri pjesë në TOP FEST në bashkëpunim me Sunrise, me këngën “Engjëll”.

Në Top Fest ai ka pasur paraqitje edhe në vitin 2011-të e 2013-të. Në vitin 2008 ai morri çmimin Zëri më i mirë në Top Fest, çmim të cilin më pas e morri prapë në vitin 2011-të.

https://www.youtube.com/watch?v=YqL1JvxwyTM

Ai ka qenë një prej zërave që ka shoqëruar grupin Deep Purple, kur këta të fundit mbajtën koncert në Shqipëri në vitin 2007 në kuadër të një turneu të veçantë. / KultPlus.com

Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion

Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.

Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.

Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com

2771 këngë konkurrojnë për ta përfaqësuar Suedinë në Eurovizion

Janë gjithsej 2771 këngë të cilat kanë konkurruar në Televizionin Publik Suedez – SVT, për të qenë pjesëmarrës në përzgjedhjen e këngës suedeze për Eurovizion.

Melodifestivalen është festivali i cili përzgjedhë këngën fituese e cila më pas e përfaqëson Suedinë në Eurovizion. Ky numër është më i madhi pas garës së vitit 2012-të, shkruan KultPlus.

https://www.youtube.com/watch?v=Up07AY2g3AI

Interesi është i madh në Suedi për të marrë pjesë në Eurovizion, por madje edhe opinioni publik në Suedi e pëlqen shumë këtë festival.

Hapi tjetër do të jetë përzgjedhja e vetëm 28-të këngëve të cilat shkojnë në finale.
Suedia është shtet i suksesshëm në Eurovizion dhe i cili i kushton rëndësi pjesëmarrjes. Suedia ka fituar në Eurovizion dy herë gjatë këtij shekulli, në vitin 2012-të dhe në vitin 2015-të. / KultPlus.com

Fituesi i Eurovisionit ndalon aktivitetin muzikor për shkak të shëndetit (VIDEO)

Fituesi i sivjetmë i festivalit evropian të muzikës Salvador Sobral, ka anuluar gjithë aktivitetin e tij muzikor pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Portugezi i cili u shpall fitues i festivalit duke ia sjellë Portugalisë fitoren e parë pas 50 viteve pjesëmarrje në Eurovision, ka bërë të ditur përmes një videomesazhi se ka anuluar tre koncerte dhe gjithë aktivitetin muzikor për shkak të gjendjes shëndetësore.

“Nuk është më sekret për askënd se shëndeti im është i brishtë”, thotë Sobral në videon e tij të publikuar në Youtube.

“Unë kam një problem. Për fat të keq, ka ardhur koha që trupin tim t’ia jap shkencës dhe kështu më duhet të heq dorë nga jeta muzikore e koncerteve në përgjithësi”, shprehet këngëtari.

“Do të kthehem shpejt- sa shpejt nuk e di!”, thotë në fund të videomesazhit 27 vjeçari, përcjellë Magazina.al

Salvador Sobral, ishte përfolur edhe gjatë pjesëmarrjes në Eurovision se vuan nga problemet me zemrën dhe se është në pritje për një transplant, por që asnjëherë nuk u konfirmua kjo.

Ai ka kërkuar mirëkuptim nga mediat pasi për gjendjen e tij shëndetësore është spekuluar shumë. / KultPlus.com