Nuk ka shpresë që Kosova të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit tjetër

Kosova nuk ka shanse të marrë pjesë në garën e madhe muzikore të Evropës.

Meqë Kosova nuk është pjesë e EBU- Unionit të Transmetuesve Evropianë, do të jetë e pamundur që të jetë shtet pjesëmarrës në Lisbonë, vitin tjetër.

ESCtoday ka kontaktuar me EBU të cilët kanë treguar se Kosova nuk do të jetë shtet pjesëmarrës në Eurovizion vitin tjetër, vitin 2018-të, kjo edhe për shkak se Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, shkruan KultPlus.

Kosova ka provuar të jetë pjesë e Eurovizionit disa herë, por kjo ka qenë e pamundur për shkak se RTK-ja, transmetuesi publik, ende nuk është anëtar i rregullt i EBU, pos bashkëpunimeve të ndryshme me të që nuk garantojnë pjesëmarrjen në Eurovizion.

“EBU bashkëpunon me RTK-në dhe ka ndihmuar në formimin e televizionit, në vitin 1999. Bashkëpunimi gjithashtu do të vazhdojë edhe viteve të ardhshme” tregojnë nga EBU për ESCtoday.

Vitin tjetër në Eurovizion do të rikthehet Rusia, pasi këtë vit nuk morri pjesë, ndërsa ende pritet të shihet nëse Sllovakia e Bosnja poashtu do të bëjnë rikthimin e tyre në garë, shkruan KultPlus.

Shqipëria ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë garë. Këtë vit Eurovizionin e fitoi për herë të parë një këngëtar nga Portugalia.

Ironike të përmendet se rezultati më i mirë shqiptar në Eurovizion është arritur në fakt nga një shqiptare e Kosovës, këngëtarja Rona Nishliu, në vitin 2012-të / KultPlus.com

Turqia nuk do të marrë pjesë në Eurovizionin e vitit 2018-të

Sipas zëdhënësit të kryeministrit turk, Turqia nuk do të kthehet si shtet pjesëmarrës në Eurovizionin e vitit tjetër.

Bekir Bozdag i ka thënë medieve të huaja se shanset që Turqia të marrë pjesë në Eurovizion – festivalin e madh të këngës në Evropë, janë shumë të vogla.

Turqia është larguar nga garat e Eurovizionit për shkak të problemeve me buxhet, ndërsa së fundmi ka qenë fituesja e vitit 2003, artistja turke Sertab Erener, ajo që ka treguar në Instagram se dëshiron që Turqia të kthehet në garën e madhe muzikore, shkruan KultPlus.

Turqia nuk merr pjesë në Eurovizion që nga viti 2013-të. Eurovizioni do të mbahet në Lisbonë, vitin tjetër, në datat 8, 10 dhe 12 maj. Deri tash 22 shtete e kanë konfirmuar pjesëmarrjen, përfshirë këtu Rusinë e cila këtë vit mungoi në garë për shkak se ngjarja u mbajt në Ukrainë. / KultPlus.com