Idetë kreative të Kosovës tashmë kanë një zyrë evropiane për adresim

Alberina Haxhijaj

Sot në Prishtinë është bërë hapja e zyrës së programit “Evropa Kreative Kosovë” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Pjesëmarrja në programin “Evropa Kreative” do t’u mundësojë artistëve dhe profesionistëve kulturorë evropianë, si dhe mijëra organizatave krijuese dhe botuesve që të punojnë së bashku dhe t’i vënë veprat e tyre krijuese në dispozicion të miliona qytetarëve.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi në ceremoninë zyrtare të hapjes së kësaj zyre u shpreh se Kosova do të përfitoj nga ky program i Bashkimit Evropian dhe sektorët e saj  kulturor dhe krijues do të formësohen.

“Në kuadër të këtij programi organizatat kosovare do të kenë mundësi të aplikojnë për grante, për projekte shumëvjeçare bashkëpunimi, për përkthime librash, për ngritje rrjetesh kulturore apo krijimin e platformave kulturore shumëkombëshe”, theksoi Gashi.

Sipas tij kjo marrëveshje e arritur me Komisionin Evropian synon integrimin e Kosovës në rrjetet evropiane të komunikimit dhe të kulturës. Gashi poashtu theksoi se tashmë Kosova do jetë pjesë e hartës kulturore evropiane përmes asaj që quhet diplomaci kulturore, si dhe përmes artistëve, krijuesve dhe njerëzve të kulturës.

“Zyra në fjalë operon me kapacitet të plotë dhe ka mandat promovimin e programit në nivel kombëtar si dhe Nën-Programin për Kulturë në mënyrë që të mund të ndihmojë krijuesit në lidhje me procesin e aplikimit dhe gjetjes së partnerëve të nevojshëm dhe të stimulojë bashkëpunimin ndërkufitar midis profesionistëve, platformave institucionale dhe rrjeteve në sektorët kulturorë”, theksoi në fund ministri Gashi.

Edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha theksoi se ky program do të ju mundësoj artistëve kosovarë që të promovojnë veprimtarinë e tyre artistike në gjithë botën.

“Ministria e Integrimeve Evropiane ka punuar shumë që Kosova të ketë qasje në programe të Bashkimit Evropian dhe rezultatet e këtij angazhimi jemi duke i prekur sot përmes inaugurimit të kësaj zyre, e cila do të jetë një vend takim i rëndësishëm për shumë artistë dhe krijues. Ministria që unë drejtoj ka mandat koordinimin e donacioneve në nivel vendi dhe në këtë drejtim jemi duke u përpjekur që përfitues të këtij donacioni të jenë të gjithë sektorët në Kosovë duke përfshirë edhe shoqërinë civile dhe komunitetin e artistëve”, theksoi ajo.

Marrë veshja e nënshkruan në qershor të viti të kaluar për Evropën Kreative i fuqizon fushat e kulturës dhe krijimtarisë në Kosovë./ KultPlus.com