Shkodra Elektronike ka realizuar videoklipin e këngës “Zjerm” me të cilën do përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion më 13 maj në Bazel.
Ka qenë vetë dyshja e këngëtarëve Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca të cilët kanë njoftuar në rrjetin social Instagram përfundimin e xhirimeve të videoklipit të “Zjerm”.
Por Beatriçja dhe Kola ende nuk kanë dhënë detaje mbi datën e lëshimit të videoklipit të këngës së tyre e cila fitoi zemrat e publikut dhe votat e jurisë në Fest 63.
Më herët, Beatriçja dhe Kola kanë bërë me dije në emisionin “Miqtë e Pasdites” në RTSH se performanca dhe veshja skenike në Eurosong, do të jetë e njëjtë me atë të Fest 63.
Po ashtu, dyshja e këngëtarëve kanë ndarë me publikun edhe disa detaje mbi vendet të cilat do të “njohin nga afër” këngën “Zjerm” para performimit në Eurovizion.
Shkodra Elektronike ka bërë me dije se më 3 mars do të performojnë në Berlin, më pas në Selanik më 14 mars, duke vijuar me Marseille të Francës më 20 mars, më tej në Oslo më 22 mars, duke vijuar me Amsterdamin më 5 prill, me Manchesterin më 12 prill, më pas me Londrën më 13 prill dhe duke e mbyllur me Madridin më 19 prill.
“Shkodra Elektronike” do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong të martën e 13 majit.
Shqipëria do të performojë në natën e parë gjysmëfinale të Eurovision 2025 që do të zhvillohet në Bazel të Zvicrës.
Shqipëria, pas hedhjes së shortit, është përcaktuar që të konkurrojë të martën e 13 majit, në gjysmën e dytë të natës së parë.
Shqipëria do të përfaqësohet nga “Shkodra Elektronike” me këngën “Zjarr”, me të cilën triumfuan në Festivalin e Këngës.
Përzgjedhja e radhës së interpretimit u bë në mënyrë rastësore përmes shortit. Nga pesë vazo të përgatitura nga EBU-ja për 31 shtetet pjesëmarrëse në gjysmëfinale, Shqipëria u listua në vazon e tretë.
Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruara si vendet “e mëdha”, janë kualifikuar automatikisht pa u dashur të garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të Eurovision, nuk garon në gjysmëfinale.
Finalja madhe e Eurovizion 2025 do të zhvillohet më 17 maj./rtsh/ KultPlus.com
Karaibet e Evropës i gjeni në Shqipëri, shkruan Mark Stratton për ”The Telegraph”.
”Me ujërat e tij bruz, rërën e bardhë dhe palmat, qyteti bregdetar shqiptar i Ksamilit ofron një version ekonomik të plazheve tropikale.
Pashë një postim në Instagram pak kohë më parë që përshkruante qytetin bregdetar shqiptar të Ksamilit si Karaibet e Evropës. Kishte më shumë se një ngjashmëri kalimtare, me palmat, plazhin verbues, detin e kaltër dhe çadrat e diellit me kashtë. Me shqetësimin aktual mbi emigracionin shqiptar që po zien, fillova të imagjinoja një rrëfim alternativ të britanikëve ”të uritur” për diell, që dynden në drejtim të kundërt për të kërkuar pak rreze dielli karaibike. Kështu që vendosa të bëj një vizitë, për ta parë tamam se si bëhej ky krahasim.
Ksamili është sigurisht më i shpejtë dhe më i lirë për të shkuar se sa ishujt Barbados. Fluturova për në Korfuz, ishulli më i afërt grek me Rivierën Shqiptare, që shtrihet përreth 160 kilometra përgjatë bregut lindor të detit Jon. Nga qyteti i Korfuzit është një kalim me traget për 40 minuta drejt Sarandës.
“Atje ka shumë siguri dhe qetësi”, më tha taksisti që më çoi në portin e Korfuzit.
Në Sarandë, guida Gëzim Shimi qeshi kur i thashë komentin e taksistit grek.
”I gjithë publiciteti është i mirë. Gjatë viteve të fundit, unë kam udhëhequr shumë britanikë kureshtarë për të parë se si është Shqipëria në të vërtetë”, më tha Gëzimi.
Udhëtuam 30 minuta në jug të Sarandës për në Ksamil, i cili ndodhet pak mbi kufirin e Greqisë Veriore. Ksamili nuk ekzistonte derisa regjimi komunist i Enver Hoxhës e vendosi atë në vitet 1960 si bazë për prodhimin e vajit të ullirit. “Është vetëm disa milje nga Korfuzi, kështu që vetëm ata me prejardhje të besueshme politike lejoheshin të jetonin këtu gjatë komunizmit”, tha Gëzimi.
”Shqiptarët rrezikonin jetën duke marrë varka të vogla apo edhe duke notuar drejt Korfuzit, për t’i ikur marrëzisë staliniste të Hoxhës”, shton ai.
Ksamili është një qytet i vogël, i mbrojtur nga tre ishuj të gjelbër në det. Plazhi është i mbushur me hotele, restorante dhe bare dhe është i ndarë për përdorim privat, megjithëse shumica ishin të mbyllura kur mbërrita para sezonit. Vetëm një numër i vogël njerëzish ishin të zhytur në shtretër, nën çadra me kashtë.
”Poda Boutique Hotel” është i hapur dhe unë takova autoren e postimit në Instagram që më tërhoqi këtu, Anna Poda, drejtoreshë menaxhuese e këtij biznesi familjar me 20 dhoma.
“Ju mund të shihni se deti bruz dhe rëra e bardhë janë pothuajse si të Karaibeve”, thotë ajo.
”Britanikët, gjermanët dhe italianët zënë tre vendet e para. Njerëzit vijnë për 310 ditë me diell çdo vit dhe çmime vërtet janë të mira”, shtoi ajo.
Sedimentet nga malet e mermerta përreth krijojnë një fund deti me rërë të bardhë që jep një ngjyrë të mrekullueshme qumështi. Dhe dhoma ime dyshe, me pamjen e saj të mrekullueshme të ballkonit drejt Korfuzit, kushton vetëm 80 paund për natë. Përgjatë gjithë kohës, Riviera Shqiptare ka pasur vlera të jashtëzakonshme, veçanërisht kuzhina e ndikuar nga italianët, e pasur me ushqime deti. Në hotel, një vakt me tre pjata me sallatë greke, linguini me midhje dhe levrek të pjekur në skarë kushton vetëm 2 250 lekë (17 paund).
Megjithatë, nuk kishte asgjë nga Karaibet kur një shi i lehtë filloi të nesërmen në mëngjes. Për fat të mirë, një peizazh historik, aq i mirë sa kudo në Evropë, është pranë Ksamilit, me qytetërimet greke, romake dhe osmane që kanë lënë gjurmët e tyre.
Butrinti është një nga tre vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s të Shqipërisë dhe një vlerë arkeologjike. Virgjili e përmendi atë në “Eneidën” si datimin para rënies së Trojës, por lavdia e vërtetë filloi rreth shekullit III para Krishtit me romakët që u futën brenda dhe lanë struktura karakteristike sublime, përfshirë një teatër 3 000 vendesh me mbishkrime latine.
Një orë ecje me makinë na çoi në malet për në Gjirokastër, shtëpitë trekatëshe osmane prej guri dhe kalaja e përmasave të Kështjellës Windsor pothuajse nuk kanë ndryshuar që nga shekulli XVIII. Ajo u njoh nga UNESCO në vitin 2005. Kuzhina është e ndikuar nga osmanët. Për drekë, hëngra imam bajalldi, një pjatë e quajtur sipas emrit të një kleriku mysliman, i cili konsumoi shumë patëllxhanë të mbushur dhe i ra të fikët.
Diku tjetër, plazhi i Porto Palermos mbikëqyret nga një kështjellë me mure të trasha e ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena si një mburojë kundër britanikëve në Korfuz.
Porto Palermo ka gjithashtu një bazë të braktisur nëndetësesh me një tunel të gjatë. Gëzimi tha se u deshën 30 vjet për ta ndërtuar, kryesisht sepse Hoxha u konfliktua me BRSS-në dhe Kinën, të cilët po financonin ndërtimin e saj. Si kompensim, ai refuzoi të kthente katër nëndetëse sovjetike.
Natën e fundit e kalova pranë Vlorës, ku deti Jon takohet me Adriatikun dhe hoteli ”Paradise Beach” ka dhoma dyshe të mëdha me pamje nga deti për 75 paund. Ajri i mbrëmjes ishte i ngrohtë, deti në ngjyrë blu dhe stafi më trajtoi si një mik të humbur prej kohësh.
Kujt i duhen Karaibet kur keni përpara një gotë raki që i kthen ishujt e largët grekë në silueta?”./ atsh/ KultPlus.com
Në parashikimin e AccuWeather për pranverën, thuhet se “modeli afatgjatë i dimrit” do të vazhdojë në disa vende evropiane, ndërsa disa pjesë të kontinentit tonë do të përballen me stuhi potencialisht të rrezikshme pak më vonë.
Me ekuinoksin pranveror që ndodhë të hënën, më 20 mars, ekipi i ekspertëve të parashikuesve ndërkombëtarë të AccuWeather ka publikuar detajet se çfarë do të mbajë sezoni i ardhshëm pranveror në Evropë.
Sipas Meteo France, një brez prej 32 ditësh pa reshje të matshme (më pak se 1 mm shi në ditë) u vu re nga 20 janari 2023 deri më 21 shkurt 2023.
Dhe kjo vendosi një rekord të ri për brezin më të gjatë të njëpasnjëshëm të ditëve pa reshje të matshme që nga viti 1959, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
E ndërsa ka frikë për një thatësirë të mundshme për shkak të fenomeneve të tilla, stuhitë në Evropën Jugperëndimore dhe shtimi i reshjeve pranverore në rajonet jugore po shkaktojnë shqetësim te meteorologët për përmbytjet e mundshme në Itali dhe Ballkan.
“Duke pasur parasysh se sa i ngrohtë është Deti Mesdhe, stuhitë mund të ofrojnë lagështi shtesë dhe të çojnë në rritje të kërcënimeve nga përmbytjet. Kjo është një shqetësim i veçantë për shpatet perëndimore të Apenineve dhe Alpeve Dinarike”, citohet të ketë thënë Tyler Roys, meteorolog i AccuWeather.
Veç kësaj, thuhet se pjesa më e madhe e Evropës Juglindore, përfshirë edhe rajonin tonë, do të përballet me temperatura mbi mesataren në pjesën e dytë të pranverës.
Kështu, nga Roma në Bukuresht, temperaturat në mes të muajit mars ishin në nivelin e atyre tipike për fundin e prillit dhe kjo prirje do të vazhdojë edhe gjatë muajve në vijim e shoqëruar me reshje të herëpashershme.
Si pasojë, vlerësohet se stuhi duhet të priten edhe në Ballkan në fund të pranverës. / KultPlus.com
Europa është shtëpia e një rrjeti të madh hekurudhor, që mundësojnë udhëtime vërtet spektakolare, të cilat mund të konsiderohen pushime në vetvete. CNN Travel rendit 10 nga udhëtimet më të bukura me tren që mund të përjetoni në Europë.
1. Linja Derry-Coleraine, Irlanda e Veriut
“Një nga udhëtimet më të bukura hekurudhore në botë”, kështu është konsideruar nga ata që kanë pasur mundësi të shijojnë këtë aventurë. Udhëtimi 38-minutësh ndjek lumin Foyle nga Derry, duke kaluar nëpër fshat, derisa derdhet në Oqeanin Atlantik. Treni kalon edhe pranë një prej vendbanimeve më të hershme njerëzore në të gjithë Irlandën, Forti Mountsandel, që mendohet se është banuar nga 7600 deri në 7900 p.e.s.
2. Linja Firence-Napoli, Itali
Vetëm në Itali, një nga rrugët kryesore të vendit mund të jetë kaq e bukur. Linja veri-jug e Italisë kalon përmes tuneleve malore nga Bolonja në Firence, duke vazhduar në jug, ku do të shihni disa nga peizazhet më klasike të Italisë.
Gjithashtu, do të keni mundësi të shijoni gjatë rrugës një panoramë fantastike malore, si dhe një nga qytetet e lashta më të bukura të Italisë qendrore, i skalitur në një bllok shkëmbi nga qytetërimi etrusk. Duke ardhur në Romë, do të kaloni pranë mureve të qytetit të lashtë. Pas Romës në Napoli do të mahniteni nga pamja spektakolare e Vezuvit teksa kaloni në qytet.
3. Linja Barcelonë-Montserrat, Spanjë
Placa d’Espanya është pika e nisjes për udhëtimin e jashtëzakonshëm në Montserrat. Linja hekurudhore kalon nëpër fshatrat katalanase në rrëzë të maleve, duke tërhequr vizitorë në mal që nga viti 1892. Është një udhëtim vërtet mahnitës, ku gjatë gjithë rrugës do të shihni jo vetëm peizazhe unike, por edhe site arkeologjike, ndërtime të vjetra, e vende kulti si p.sh. një abaci e shekulli të 11-të.
4. Linja Semmering, Austri
Gati 200 vjet pasi u hap në vitin 1854, hekurudha Semmering është ende një nga hekurudhat më të bukura dhe madje gëzon statusin e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Mund ta merrni këtë linjë nëse jeni duke udhëtuar midis Vjenës dhe Venecias, duke e bërë kështu një mënyrë shumë të mirë për të udhëtuar midis dy prej qyteteve më të bukura të Evropës.
Duke kaluar nëpër alpet austriake midis Gloggnitz dhe Semmering, treni përshkon edhe nëpër 16 tunele,100 ura, si dhe nëpër shumë kthesa emocionuese. E ndërtuar si hekurudha e parë malore në Europë, e projektuar për të lidhur Vjenën me Triesten (që ishte në atë kohë porti i perandorisë austro-hungareze), ajo është ende një nga më të mëdhatë.
5. Linja Bohinj, Slloveni
Sllovenia është një vend magjepsës për të bërë një udhëtim me tren, falë vendndodhjes së saj. Linjat e saj hekurudhore lidhin Italinë me Hungarinë dhe Austrinë me Kroacinë e Italinë. Gjithashtu, njëra linjë lidh Pragën me Triesten, ose me fjalë të tjera, Evropën qendrore pa dalje në det me Detin Adriatik.
Një nga linjat më historike të Sllovenisë, Bohinj përfshin 28 tunele (njëri prej tyre afërsisht 17 500 metra i gjatë) dhe 65 ura, duke përfshirë urën e Solkanit, urën më të madhe hekurudhore prej guri në botë, që shtrihet mbi lumin Soça.
Një nga linjat më historike të Sllovenisë, Bohinj përfshin 28 tunele (njëri prej tyre afërsisht 17 500 metra i gjatë) dhe 65 ura, duke përfshirë urën e Solkanit, urën më të madhe hekurudhore prej guri në botë, që shtrihet mbi lumin Soça.
6. Linja Bergen, Norvegji
E ndërtuar në vitin 1909, hekurudha Bergen lidh kryeqytetin e Norvegjisë me qytetin e Bergen. Ky nuk është një tren i zakonshëm udhëtarësh, megjithatë kalon nëpër një peizazh spektakolar, nëpër rrafshnaltat malore të Norvegjisë dhe liqenet e kaltra.
7. Linja Ventimiglia, Francë, Monako, Itali
Në më pak se një orë ju do të kaloni në tri vende, duke filluar nga Franca, në Monako dhe duke përfunduar përtej kufirit italian. Në pjesën më të madhe të udhëtimit, duke filluar nga stacioni Nice Riquier, do të keni mundësi të shijoni pamje të bukura, si vilat e Art Deco-s, pyje të harlisur dhe qytete të grumbulluara buzë shkëmbinjve. Do të kaloni gjithashtu nëpër disa nga qytetet më fantastike në Cote d’Azur, si Èze dhe Menton të mbushur me limona, si dhe do të mahniteni nga pamjet përrallore të Monte-Carlo.
Linja nga Nice në Ventimiglia ju kalon pranë disa fshatrave fantastikë
8. Linja Sarajevë dhe Mostar, Bosnjë-Hercegovinë
Rruga ndërmjet kryeqytetit dhe një vendeve më turistike të Bosnjës, Mostari, është shumë e bukur, por udhëtimi dyorësh me tren, i shtrirë poshtë maleve të gjelbra dhe shkëmbinjve, duke ndjekur lumin e kristaltë Neretva, do të jetë një eksperiencë krejt tjetër.
9. Linja West Highland, Skoci
Nuk është çudi që ky është një nga udhëtimet më spektakolare me tren në botë, pasi pamjet epike të Skocisë përgjatë rrugës, do të mbeten gjatë në kujtesën tuaj. Duke u nisur nga Glasgou, ai shtegton drejt veriperëndimit, duke përfunduar në Mallaig, ku mund të merrni një traget për në Isle of Skye.
Gjatë rrugës, do të kaloni nëpër Loch Lomond dhe Parkun Kombëtar të Trossachs, ku linja hekurudhore “lundron” mbi moçalet me torfe.
10. Linja Lidköping në Mariestad, Suedi
Suedia shquhet për rrugët e bukura hekurudhore. Linja Stokholm në Narvik (në Rrethin Arktik të Norvegjisë) është një “ikonë e vërtetë”, por për të bërë këtë udhëtim duhet planifikuar më parë. Për diçka më të shpejtë, është linja nga Lidköping në Mariestad, e cila u përzgjodh si udhëtimi më i bukur me tren në Suedi, nga përdoruesit e hekurudhave në vitin 2018. Hekurudha me një binar shtrihet rreth liqenit më të madh të vendit, Vänern, duke kaluar në pllajën Kinnekulle./A2CNN/ KultPlus.com