Tetë vitet e fundit janë më të nxehtit në histori duke sjellë ndikime gjithnjë e më dramatike dhe vdekjeprurëse të ndryshimeve klimatike, tha OKB.
”Rritja e nivelit të detit po përshpejtohet, shkrirja e akullnajave alpine të Evropës është në nivele alarmante dhe përmbytjet shkatërruese, thatësira dhe valët e të nxehtit goditën edhe vitin 2022”, tha ndërkohë Organizata Botërore Meteorologjike (WMO).
Ndërsa bisedimet e fundit ndërkombëtare për klimën, Cop27, nisën në Sharm el Sheik, organi i OKB-së për motin dhe klimën publikoi raportin e tij vjetor të gjendjes globale të klimës me një paralajmërim tjetër se ”objektivi për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1,5 gradë Celsius ishte pothuajse i paarritshëm”.
”Temperatura mesatare globale në vitin 2022 vlerësohet të jetë rreth 1,15 gradë Celsius mbi nivelet e parë në periudhën 1850-1900”, tha WMO.
Kjo e rendit vitin 2022 si viti i pestë ose i gjashtë më i ngrohtë rekord, përballë një fenomeni të rrallë moti si ”La Nina”, i cili ka ftohur natyrshëm temperaturat globale për dy vitet e fundit.
Por, WMO paralajmëroi se kjo nuk do të thotë se ka pasur një ndryshim në trendin e ngrohjes.
Tetë vitet që nga viti 2015 ka të ngjarë të jenë tetë vitet më të ngrohta të regjistruara dhe ndikimet e ngrohjes globale po bëhen më të theksuara.
Rekordet e shkrirjes së akullnajave u thyen në Alpet Evropiane, me humbje mesatare prej tre deri në katër metra të trashësisë së akullit në të gjithë vargun malor – dukshëm më shumë se viti i mëparshëm rekord, ai 2003./ atsh / KultPlus.com