Shqiptarët i shpenzojnë paratë për t’u ushqyer, evropianët për t’u argëtuar

Konsumatorët shqiptarë shpenzojnë pothuajse gjysmën e parave që kanë në dispozicion për t’u ushqyer.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, rreth 41.1% e shpenzimeve shkuan për ushqime. Kjo peshë është më e larta në rajon dhe në Europë dhe është një tregues direkt i të ardhurave të ulëta dhe i çmimeve relativisht të larta. Kosova shpenzon 34% për ushqime, Maqedonia e Veriut 33%, Bosnja 29%, Mali i Zi 23.5, Serbia 23.6%, sipas Eurostat.

Eurostat ka publikuar së fundmi edhe të dhënat e reja për strukturën e shpenzimeve për familjarët për vitin 2019.

Ndryshe nga rajoni, familjet europiane shpenzojnë më pak për t’u ushqyer. Për vitin 2019, kjo peshë është 13%, ndonëse në rritje me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin e mëparshëm. Shteti europian që shpenzon më shumë për ushqime është Rumania (26%) dhe më pak Mbretëria e Bashkuar (vetëm 8%).

Buxhetin më të madh familjet europiane e kanë për “Shpenzime për banesën, ujë, energji elektrike, qira të paguar”, me 23.5% të totalit, përkundrejt 10.1% në Shqipëri.

Duke shpenzuar më pak për ushqime, familjeve në Europë u mbeten më shumë të ardhura për t’u argëtuar dhe për të udhëtuar. Europianët shpenzojnë më shumë për t’u argëtuar dhe kulturë, me 8.7% të totalit, përkundrejt 3.8% në Shqipëri, edhe për transport Europa shpenzon 13% të buxhetit, ndërsa Shqipëria më pak sesa 6%. Edhe për restorante raporti është 8.7% për Europën dhe 4.9% për Shqipërinë.

Por, nëse ka një shpenzim për të cilin shqiptarët nuk kursehen ato janë veshjet, me 5.2% të totalit, përkundrejt 4.6% të mesatares europiane. Shteti që shpenzon më shumë për veshje në Europë është Rumania (6.8%) e totalit, i ndjekur nga Estonia (6.3%), Italia (5.9%) dhe më pak Islanda (3.3%).

Për shëndet, shpenzimet janë pothuajse të ngjashme (4.3% dhe 4.4%), ndërkohë që një vit më parë ishin shqiptarët ata që shpenzonin më shumë për shëndet, por në 2019-n, kjo kategori është rritur dhe për europianët.

Arsimi u kushton shumë më shtrenjtë shqiptarëve se europianëve. Një familjeje i duhet të shpenzojë 3.1% të totalit për të arsimuar fëmijët, ndërsa për një familje europiane, kjo peshë është më pak se 1% (0.9%).

Edhe për komunikim, shqiptarët shpenzojnë më shumë (3.7%, kundrejt 2.4%)./Monitor/ KultPlus.com

Hapen kufijtë, evropianët fillojnë pushimet

Turistët gjermanë që po dynden në Danimarkën fqinje, krijuan një radhë prej 8 kilometrash.

Vendet evropiane lehtësuan sot kontrollet kufitare ndërkohë që rastet e infektimeve me koronavirusit kanë rënë, pas tre muaj bllokimesh. Megjithatë, vazhdon të jetë e mbyllur pjesa më e madhe e Spanjës, ku janë ende në fuqi rregullat e karantinës dhe ku shumë njerëz që dikur lëviznin përtej kufijve, ende punojnë nga shtëpia.

Aeroportet greke po lejojnë më shumë fluturime ndërkombëtare, ndërsa ky vend përpiqet të ruajë bizneset e sezonit veror.

Turistët gjermanë që po dynden në Danimarkën fqinje, krijuan një radhë prej 8 kilometrash.

Spanja po lejon si fillim 10,000 pushues nga Gjermania ndërsa qeveria e Madridit po bën plane për turizmin masiv, përpara se të hapet plotësisht në javët e ardhshme, raporton Zëri i Amerikës.

Qindra gjermanë u bënë sot turistët e parë që mbërritën në Majorka të Spanjës pas mbylljes së kufijve në muajin mars, përcjell albinfo.ch.

Për turistët ishin vendosur shenja që i kujtonin ata në gjermanisht dhe spanjisht për të larë duart dhe mbajtur maska, si dhe të qëndronin në radhë në distancë nga njëri-tjetri. Para hyrjes, secilit i matej temperatura dhe dokumentet e tyre kontrolloheshin nga personeli kufitar, gjithashtu me maska në fytyrë.

Zona e Shengenit prej 22 vendesh të BE-së plus Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, normalisht operon pa kontrolle kufitare. Por, prej tre muajsh, këto vende i kanë mbyllur kufijtë në shumicën e tyre.

Zyrtarët shpresojnë se heqja e kontrolleve të brendshme kufitare do të lejojë një rihapje graduale edhe me vendet e tjera, duke filluar nga korriku dhe do të ringjallë industrinë e turizmit që kishte qëndruar e fjetur gjatë periudhës së bllokimit.

Ky sektor përbën rreth 10 për qind të ekonomisë së BE-së dhe zë një peshë edhe më të madhe në vendet mesdhetare.

Në Greqi, udhëtarët që hyjnë me anë të ajrit, konsiderohen si rrezik i lartë, prandaj do të testohen dhe do të karantinohen deri në 14 ditë, në varësi të rezultatit. Kufizimet do të mbeten në fuqi për udhëtarët nga Britania dhe Turqia. Udhëtarët që mbërrijnë nga aeroportet e tjera do të testohen në mënyrë rastërore.

Komisioni Evropian ka hapur në internet faqen “Rihapja e BE-së” https://reopen.europa.eu/en, ku jepen informacione mbi udhëtimet, rregullat për mbrojtjen nga koronavirusi, dhe nëse hotelet apo plazhet janë të hapura për pushuesit.

TURISTËT NGA SHBA DHE RAJONE TË TJERA DUHET TË PRESIN

Tani për tani, turistët nga Shtetet e Bashkuara, Azia, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme thjesht do të duhet të presin.

Komisionerja e çështjeve të brendshme të Bashkimit Evropian, Ylva Johansson, u tha vendeve anëtare javën e kaluar se “duhet të hapen sa më shpejt të jetë e mundur” dhe sugjeroi se e hëna ishte një datë e përshtatshme.

Shumë vende po veprojnë kështu, duke lejuar udhëtimin nga BE-ja, Britania dhe pjesa tjetër e Evropës që zakonisht lëviz pa pasaporta brenda zonës Shengen, ku përfshihen edhe vende që nuk janë anëtare të BE-së, si Zvicra.

Rihapja e Evropës nuk do të jetë një përsëritje e kaosit të mbylljeve të pakoordinuara të kufirit në muajin mars, të cilat shkaktuan bllokime të trafikut që shtriheshin me kilometra të tëra. Është megjithatë një punë e komplikuar me gërshetim rregullash të ndryshme. Dhe, megjithëse rajonet turistike po mbajnë shpresat tek hapja, shumë evropianë mund të vendosin të qëndrojnë pranë shtëpisë këtë verë.

Kjo është diçka që vendet e varura nga turizmi mesdhetar si Greqia përpiqen ta shmangin. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis pranoi të shtunën se “shumë do të varen nga fakti nëse njerëzit ndjehen të qetë për të udhëtuar dhe nëse ne mund ta projektojmë Greqinë si një destinacion të sigurt”.

Greqia ka theksuar menaxhimin e saj të pandemisë. Në vend pati vetëm 183 vdekje. Në përgjithësi, Evropa ka parë më shumë se 182’000 vdekje të lidhura me virusin këtë vit, sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins që gjithashtu tregon se Evropa ka pasur 2.04 milionë nga 7.8 milionë infeksione në botë.

Kontrollet kufitare në disa vende tashmë janë zhdukur. Italia hapi kufijtë e saj në 3 qershor dhe qytetet në kufirin gjermano-polak festuan në orët e para të së shtunës ndërsa Polonia hapi portat. Në mesnatë, kryetarët e komunave Goerlitz, Gjermani dhe Zgorzelec, Poloni prenë zinxhirët e një gardhi që kishte ndarë dy qytetet.

Gjermania, si Franca dhe të tjerët, po heq të hënën kontrollet e mbetura të kufirit dhe po anullon kriterin që personat që mbërrijnë të dëshmojnë se kanë një arsye të mirë për të hyrë.

Po ashtu, vendi po lehtëson një paralajmërim në mbarë botën kundër udhëtimeve jo-thelbësore në vendet e përjashtuara evropiane – përveç ndoshta Finlandës, Norvegjisë dhe Spanjës, ku mbeten kufizimet e udhëtimit, dhe Suedisë, ku niveli i rasteve të reja të të infektuarve me koronavirusin vlerësohet shumë i lartë. /KultPlus.com

28 mjeshtra evropian të akuarelit hapin ekspozitë në Galerinë e Qytetit të Fierit

Në kuadër të “Javës me Europës”, 28 artistë ndërkombëtarë mblodhën punimet e tyre për t’i shfaqur për publikun shqiptar në një ekspozitë titulluar “Mjeshtrit Evropian të Akuarelit” në Galerinë e Qytetit të Fierit.

Në këtë ekspozitë të kuruar nga akuarelisti i njohur Helidon Haliti, janë të paraqitura 50 punimeve të punuara nga mjeshtrit të teknikës së akuarelit në Eruopë dhe që ekspozojnë punimet e tyre në galeritë më të famshme dhe të mëdha të botës.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, Kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi, tha se ky aktivitet kulturor është në kuadrin e disa organizimeve për Javën e Europës. “Janë një sërë aktivitetesh të cilat kanë mesazhet e veta. Pa dyshim, që forcojnë idenë se ne jemi evropian dhe jemi pjesë e Europës. Jam i kënaqur dhe i befasuar për nivelin dhe cilësinë e punimeve. Ajo që më ngacmoi ishte se në një moment të dytë duhet të rikthehemi për të sjellë këtu dhe autorët. Ne jemi të gatshëm si bashki për ta përballuar këtë event nga të gjitha drejtimet, ndaj do të thosha që të fillojmë ta mendojmë që tani dhe në shtator mund ta bëjmë realitet , pasi do të jetë një nder dhe kënaqësi shumë e madhe që të gjithë këto autorë të jenë edhe fizikisht prezent, jo vetëm me veprat e tyre”, deklaroi Subashi. Ai falënderoi kuratorin Haliti për hapjen e kësaj ekspozitë. “Kjo është shtëpia juaj, është shtëpia e artit, është një galeri që e kemi ngritur me shumë mundim, pas shumë debatesh e diskutimesh që bëmë, por më në fund e fituam dhe ia kemi dhënë artistëve jo vetëm të Fierit, por të gjithë Shqipërisë dhe ne do të bëjmë përpjekjet që kjo kështu të qëndrojë gjithmonë”, theksoi Kryetari i Bashkisë së Fierit.

Kurator i ekspozitës “Mjeshtrit Evropian të Akuarelit”, Helidon Haliti, bëri të ditur se përzgjedhja e punimeve është bërë në mënyrë inteligjente. “Prej 5 vitesh artistët i njohim shumë mirë, pasi shumica prej tyre kanë pikturuar në Shqipëri dhe kanë dhënë mësime falas për studentët dhe nxënësit e shkollave. Akuareli është ai që na bashkon të gjithëve dhe në rastin konkret na jep atë freski. Në një hapje të dytë, mjeshtrit do t’i sjellim të demonstrojnë në qytetin e Fierit. Më e favorshmja është që ky koleksion është permanent i Shqipërisë. Ne mundohemi që të gjitha krijimet që bëhen t’i mbeten Shqipërisë, por edhe bashkive përkatëse. Kjo është padyshim një diçka për të pasur padyshim vlera”, tha Haliti.

Drejtori i Galerisë së Arteve Fier “Vilson Kilica”, Pandeli Lena, vlerësoi punën e bërë për hapjen e kësaj ekspozite. “Gjeografia e shtrirjes së këtyre vendeve është nga e gjithë Europa. Falenderoj kuratorin dhe mjeshtrin e akuarelit, Helidon Haliti, i cili me shumë përkujdesje dhe dashuri, e ka organizuar dhe ka punuar për të sjellë këtë ekspozitë në qytetin tonë. Është një ekspozitë vërtetë mjeshtrash akuareli, të cilët janë një shkollë për artistët fierak dhe Liceun Artistik”, u shpreh Lena./KultPlus.com