Studenti nga Kosova, Besfort Shala, ka mbërritur në Angli ku do të vijojë studimet master në Universitetin e Oksfordit.
Pak muaj më parë, ai së bashku me familjen e tij pati kërkuar mbështetje për mbledhje fondesh përmes ‘Go Fund Me’, për shkak të kostos së lartë të studimeve, kurse së fundmi kompania EXFIS e ka mbështetur atë financiarisht, shkruan KultPlus.
E pas mbërritjes në Angli, Besfort Shala ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën për t’i vazhduar këto studime.
KultPlus ua sjell njoftimin e tij të plotë:
Falenderim
Dje, më 17.09.2021, kam udhëtuar në Angli dhe në fillim të muajit tetor, do t’i filloj studimet e magjistraturës për matematikë në University of Oxford. Shfrytëzoj rastin që t’i falenderohem të gjithë atyre që më kanë ndihmuar shumë për ta arritur këtë synim, i cili ka qenë jo lehtë i realizueshëm.
Kështu, falenderoj në radhë të parë familjen dhe shoqërinë për inkurajimin dhe përkrahjen e pakursyer të të gjitha formave, që nga procesi i aplikimit në tetorin e vitit të kaluar e deri në momentet para nisjes;
Falenderoj të gjithë stafin administrativ dhe akademik në UP Famnit, për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në formimin tim akademik gjatë studimeve Bachelor atje;
Falenderoj të gjithë donatorët në iniciativën GoFundMe si dhe donatorët anonimë brenda e jashtë iniciativës të cilët kanë kontribuar financiarisht në masë të jashtëzakonshme e përtej pritjeve të mia;
Falenderoj Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për mbështetjen financiare të ofruar përmes një thirrje publike, e para ndonjëherë e llojit të vet, e cila shpresoj se do të vazhdojë të organizohet edhe në të ardhmen;
Falenderoj kompaninë EXFIS dhe Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës për gatishmërinë dhe përkrahjen e tyre të madhe e të sinqertë, me synimin e krijimit, përkatësisht vazhdimit të një bashkëpunimi si dhe të një standardi të ri për mbështetjen e të rinjëve;
Falenderoj të gjithë gazetarët e mediave të ndryshme në Kosovë e Shqipëri të cilët kanë shprehur interesimin e tyre për iniciativën e mbledhjes së fondeve dhe kështu më kanë ndihmuar tej mase në shpërndarjen e lajmit.
Pa cilindo nga ju, ky synim do të ishte i parealizueshëm. Prandaj, edhe një herë, ju falenderoj secilin dhe të gjithë!./KultPlus.com