‘Babai im gjithmonë më ka ikur, më parë e merrte tutje puna, tani dalëngadalë po ma merr koha’

Fabio Volo

“Babai im gjithmonë më ka ikur, dhe akoma sot është kështu . Më parë e merrte tutje puna , tani dalëngadalë po ma merr koha, një kundërshtare me të cilën nuk mund të krahasohem, me të cilën nuk mund të konkuroj. Për këtë, tani, jetoj të njëjtën ndjesi pamundësie që përjetoja fëmijë.

Sidomos në vitet e fundit, çdo herë që e shoh e kuptoj që është gjithmonë e më shumë i plakur, dhe ngadalë, ditë pas dite, e ndiej se më rrëshket nga duart. Dhe tashmë nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të shtrëngoj fort majat e gishtave të tij.

Në moshën tridhjetë e shtatë vjeçare, duke e parë këtë burrë të palindur kurrë, më vjen në mendje fraza që Marlon Brando e kishte ngjitur në dhomë: ”Nuk je duke jetuar nëse nuk e di që po jeton”. Akoma sot pyes veten çfarë mund të bëj për të. Edhe pse sot e shoh të brishtë, të pambrojtur, të plakur, edhe pse tashmë dukem më i fortë se ai, në realitet e di që nuk është kështu. Është gjithmonë më i fortë se unë. Gjithmonë ka qenë. Sepse atij i mjafton një fjalë që të më lëndojë. Përkundrazi, edhe më pak se aq: një fjalë e pathënë, një heshtje, një frikë. Një shikim i hedhur mënjanë, unë mund të çirrem e te shkundem për orë, të kaloj në të shara, ndërsa atij për të më shtrirë në tokë i mjafton një shtrembërim, i bërë me cepin e buzës .

Nëse në jetën prej të rrituri ai ka qenë  dhimbja e barkut tim, si fëmijë ishte përdredhja ime e qafës. Sepse bëja gjithmonë çdo gjë me kokën e kthyer nga ai, drejt një shikimi të tij, një fjale të tij, një përgjigjeje të thjeshtë. Por reagimi i tij ishte me nxitim: një krehje e shkurtër flokësh, një kapje e lehtë faqeje, vizatimi që kisha bërë për të, që e vendoste shpejt në faqe të dollapit. Nuk mund të më jepte asgjë më shumë, sepse jo vetëm babai im nuk i ka kuptuar ndonjëherë dhimbjet e mia, nevojat e mia dhe dëshirat e mia, por nuk ka kuptuar as të vetat. Nuk ka qenë kurrë i mësuar të shprehë ndjenjat, t’i marrë në konsideratë. Për këtë them që nuk ka jetuar vërtet ndonjëherë. Sepse është shmangur mënjanë.

Mbase për këtë arsye edhe unë me trashësi nuk e kam parë kurrë si një njeri që mund të kishte dëshira, frikëra, ëndrra. Përkundrazi, jam rritur pa menduar që ishte një person: ishte thjesht babai im, sikur ky fakt ta përjashtonte se ishte si gjithë të tjerët. Vetëm duke u bërë i madh dhe duke harruar për një çast që isha biri i tij kuptova si është realisht, dhe e njoha. Do të kisha dashur të isha i madh qysh në vegjëli për të folur me të si burri me burrin, kështu mbase do të kishim mundur të gjenim një zgjidhje për problemet tona, një rrugë të ndryshme për ta përshkuar sëbashku. Ndërsa, tani që kam kuptuar shumë gjëra mbi të, kam ndjesinë që kam arritur vonë. Që kam pak kohë.

Tani, ndërsa e vështroj, kam sigurinë e plotë që di gjëra për tim atë që as ai nuk i dyshon. Kam mësuar të shikoj dhe të kuptoj atë që fsheh brenda dhe që nuk është në gjendje të nxjerrë jashtë vetes. Këtij burri për vite i kam kërkuar dashuri në mënyrë të gabuar. Kërkova tek ai atë që nuk ishte. Nuk shihja, nuk kuptoja, dhe tani paksa më vjen turp. Dashuria që më jepte ishte e fshehur në sakrificat e tij, në kufizimet, në orët e pafundme të punës dhe në zgjedhjen për t’u ngarkuar me të gjitha përgjegjësitë. Po ta shikoje mirë nuk ishte as zgjedhje, mbase ajo ishte jeta që të gjithë kishin bërë para tij.

Babai im është bir i një gjenerate që ka marrë mësime të qarta dhe esenciale: të martohesh, të bësh fëmijë, të punosh për familjen. Nuk kishte argumenta të ndryshme nga këto për t’i bërë pyetje vetes, vetëm role të përcaktuara më parë. Është njësoj sikur të ishte martuar dhe të kishte bërë një bir pa e pas dëshiruar asnjëherë vërtet. Jam bir i një burri që ka qenë thirrur nga jeta nën armë, për të luftuar një luftë private: jo për të shpëtuar një komb por për të shpëtuar familjen e tij. Një luftë e bërë jo për të fituar, po për të dalë llogaria, për të mbijetuar. Për të vazhduar përpara.

E dua babain tim. E dua me gjithë qenien time. E dua këtë burrë, që kur isha i vogël nuk e dinte asnjëherë sa vjeç isha. E dua këtë burrë që akoma sot nuk arrin të më përqafojë, që akoma sot nuk arrin të më thotë:  ”Të dua fort”. Në këtë jemi të njëjtë. Kam mësuar prej tij. As unë nuk arrij ta bëj këtë”./bota.al/KultPlus.com

Ti shkruash dashurisë si Fabio Volo – pjesë nga libri “Kam një jetë që të pres”

“Me ty do të jem ndryshe. T’i them këto fjalë në periudhën më të mirë të jetës sime, në periudhën kur jam mirë dhe kam kuptuar kaq shumë gjëra. Në periudhën kur më në fund po e njoh lumturinë me sytë e vërtetë të saj.

Në këtë kohë, jeta ime është e plotë, kam kaq shumë gjëra që më pëlqejnë rreth vetes, që më tërheqin. Jam shumë mirë pa ty dhe jeta ime si një person i vetmuar është e mrekullueshme.

E di që duke e thënë kështu, tingëllon keq. Unë të kërkoj të rrish me mua jo sepse pa ty ndihem jo i lumtur. Do të isha egoist, nevojtar dhe shumë i interesuar për lumturinë time dhe ti do të ishe shpëtimi im.

Unë të kërkoj të jesh më mua, sepse në këtë moment jeta ime është e mrekullueshmë, por me ty do të jetë akoma më shumë. Nëse unë do të isha duke jetuar një jetë boshe, të pavlerë dhe të mjerueshme, a do të të pëlqente që të ishe ti alternative kundër asgjësë, boshllëkut dhe trishtimit?

Sa më mirë të ndihesh i vetëm, aq më shumë vlerë ka personi që kërkon të kesh pranë. Shpresoj që ta kuptosh drejt këtë që po të them. Unë jam mirë i vetëm, por që kur të kam njohur ty, më duket sikur në çdo fjalë që them, ekziston një shkronjë nga emri yt, sepse në fund të çdo diskutimi më shfaqesh gjithmonë ti në mendje.

Kam mësuar ta dua veten time. Por e di që ti “do të më detyrosh” të jem akoma më i vëmendshëm me gjërat që bëj; të jem i denjë për dashurinë që ndiej për ty. Nga tani, unë dua ta zhvesh veten nga çdo mbrojtje, nga çdo armaturë, nga cdo krenari, sepse jo vetëm që jam i dashuruar me ty, por unë të dua. Për këtë jam i sigurtë.

Në fjalën “Të dua” ka gjithmonë dashuri, por jo në çdo dashuri ka gjithmonë “Të dua”. Unë të dua, ashtu siç nuk kam dashur asnjë tjetër më parë”.

 Fabio Volo“Kam një jetë që të pres”

Fabio Volo: Kam një jetë që të pres

“Me ty do të jem ndryshe. T’i them këto fjalë në periudhën më të mirë të jetës sime, në periudhën kur jam mirë dhe kam kuptuar kaq shumë gjëra. Në periudhën kur më në fund po e njoh lumturinë me sytë e vërtetë të saj.

Në këtë kohë, jeta ime është e plotë, kam kaq shumë gjëra që më pëlqejnë rreth vetes, që më tërheqin. Jam shumë mirë pa ty dhe jeta ime si një person i vetmuar është e mrekullueshme.

E di që duke e thënë kështu, tingëllon keq. Unë të kërkoj të rrish me mua jo sepse pa ty ndihem jo i lumtur. Do të isha egoist, nevojtar dhe shumë i interesuar për lumturinë time dhe ti do të ishe shpëtimi im.

Unë të kërkoj të jesh më mua, sepse në këtë moment jeta ime është e mrekullueshme, por me ty do të jetë akoma më shumë. Nëse unë do të isha duke jetuar një jetë boshe, të pavlerë dhe të mjerueshme, a do të të pëlqente që të ishe ti alternative kundër asgjësë, boshllëkut dhe trishtimit?

Sa më mirë të ndihesh i vetëm, aq më shumë vlerë ka personi që kërkon të kesh pranë. Shpresoj që ta kuptosh drejt këtë që po të them. Unë jam mirë i vetëm, por që kur të kam njohur ty, më duket sikur në çdo fjalë që them, ekziston një shkronjë nga emri yt, sepse në fund të çdo diskutimi më shfaqesh gjithmonë ti në mendje.

Kam mësuar ta dua veten time. Por e di që ti “do të më detyrosh” të jem akoma më i vëmendshëm me gjërat që bëj; të jem i denjë për dashurinë që ndiej për ty. Nga tani, unë dua ta zhvesh veten nga çdo mbrojtje, nga çdo armaturë, nga cdo krenari, sepse jo vetëm që jam i dashuruar me ty, por unë të dua. Për këtë jam i sigurtë.

Në fjalën “Të dua” ka gjithmonë dashuri, por jo në çdo dashuri ka gjithmonë “Të dua”. Unë të dua, ashtu siç nuk kam dashur asnjë tjetër më parë”. /KultPlus.com

“Femra në rilindje” – një perlë nga Fabio Volo

“Absolutisht, gjëja më e mrekullueshme, më shumë se perëndimet, më shumë së fluturimi i një zogu, është një femër në rilindje. Kur ringrihet në këmbë pas katastrofës, pas rënies. Kur dikush mund të thotë: mbaroi. Jo nuk ka mbaruar kurrë për një femër.

Një femër ringrihet gjithmonë, edhe kur nuk e beson, edhe kur nuk e dëshiron. Nuk flas vetëm për dhimbjet e pafund, për ato plagë të shkaktuara si nga mina anti-njeri që të shkakton vdekja apo sëmundja.

Flas për ty që kjo periudhë nuk mbaron kurrë, që po luan me ekzistencën në një punë të vështirë, që çdo mëngjes është një provim më keq se në shkollë.

Ti gjykatëse e papërkulshme e vetvetes, që nga mënyra sesi shefi do të të vështrojë do të vendosësh nëse je në lartësinë e duhur apo se duhet të dënohesh. Dhe kështu ky provim nuk mbaron kurrë…

Kudo që të kesh qenë, ke qenë ngushtë: në lidhjen tënde, në punën tënde, në vetminë tënde. Dhe ishte krizë dhe ke qarë. Zot sa qani! Në stomak keni një burim uji.

Ke qarë, ndërsa ecje në një rrugë të populluar, në stacionin e metrosë, në motor. Aq papritur. Nuk mund ta mbaje. Dhe atë natë që more makinën dhe i dhe për orë të tëra, me qëllim që ajri i errësirës të të thante faqet? Dhe pastaj ke gërmuar e ke folur, sa flisni ju, vajza! Jeni fjalë e lot.

Për të kuptuar, për të nxjerrë jashtë një rrënjë 6 metra të gjatë që t’i japë një kuptim dhimbjes tuaj: “Përse veproj kështu? Pse përsëris të njëjtën skemë? Mos ndoshta jam e çmendur?”. I kanë bërë të gjitha këto pyetje.

Atëherë i futesh me themel historisë tënde, me dy, a katër duar dhe dalin në dritë mijëra copa. Një mister i ndërlikuar. Ja këtu fillon gjithçka. Nuk e dije? Nga ajo kurajo e madhe që duhet për të parë veten kështu, të përbërë nga mijëra pjesë, që do të rifillosh.

Sepse një femër rifillon gjithsesi, ka brenda një instinkt që e tërheq përpara. Do të të duhet një strategji, duhet të shpikësh një mënyrë për një “Ti” të re. Sepse të ka qëlluar të rinjihesh përsëri, për t’iu prezantuar vetvetes.

Nuk mund të jesh ajo e mëparshmja, përpara gërmimit. Nuk të entuziazmon? Do të të tërheqë dalëngadalë. Të dashurohesh përsëri me vetveten, pasi për herë të parë është si një karburant. Niset ngadalë duhet të këmbëngulësh. Por kur ndizet ikën me revan.

Të rindërtosh vetveten është një aventurë. Më e madhja. Nuk ka rëndësi nëse e nis nga shtëpia, nga ngjyra e perdeve apo nga prerja e flokëve. Ju kam adhuruar gjithmonë, femra në rilindje, për atë mënyrën e mrekullueshme, me të cilën i ulërisni botës “Jam e re” me një fund me lule apo me një kaçurrel të freskët bjond…

Më shumë se mëngjeset, më shumë se dielli, një grua në rilindje është mrekullia më e madhe për atë që e takon dhe për vetveten. Është pranvera në nëntor, atëherë kur nuk e pret.”

Fabio Volo: “Tek sa rritesh mëson se sa e bukur dhe me vlerë është thjeshtësia”

“Aroma e kafesë së mëngjesit është një ritual i vogël i lumturisë. Të mjaftojnë notat e një kënge, ndjesitë që të fal një libër, aromat e ushqimit në kuzhinë, poezia e poetëve të lumturisë, apo prania e kafshëve shtëpiake rreth vetes për të ndjerë një lumturi të pafund.

Parfumi i pranverës të zgjon nga dimri, dhe të lexuarit nën hijen e një peme, të relakson mendjen. Këto janë detaje të vogla që falin lumturi.

Teksa rritesh, mëson se lumturia është e përbërë nga shpërthime të vogla që të ngrohin zemrën. Mëson se dashuria është e përbërë nga ndjesi delikate, me flutura në stomak, dhe me ndjenjën sikur e ke pranë dikë, edhe pse ai person mund të jetë larg teje.

Vetëm 5 minuta me atë person të mjaftojnë për të përballuar stresin e gjithë ditës. Mëson se mjafton të mbyllësh sytë për të zgjuar ndjenjat.

Mëson se mjafton të lexosh një poezi, të dëgjosh një këngë, apo të gatuash, përveçse të bëjnë të ndjesh lumturi, të bëjnë edhe të kujtosh personat që i ke larg dhe në këtë mënyrë zvogëlon distancat.

Mëson se të dëgjosh zërin e dikujt në telefon, apo të marrësh një mesazh të papritur, janë grimca të vogla lumturie. Mëson të mbash në zemër ëndrra të vogla, por të çmuara.

Teksa rritesh, mëson edhe se nuk ka lumturi më të madhe, se sa të mbash në krahë një fëmijë. Mëson se dhuratat më të shtrenjta janë ato që flasin për personat që do.

Mëson se lumturia gjendet edhe në melankoli, atëherë kur në një ditar ti hedh gjithë ndjesitë e tua. Mëson se sa e bukur dhe me vlerë është thjeshtësia…” / KultPlus.com