Në FB ke foton e parë, pa e parë ende babai, pa të puthur ende gjyshi, pa të marrë erë më parë gjyshja

Nga Edmond Arizaj

”Lindjet lajmërohen në FB. Aty të vijnë buqeta me lule. Aty ke buzëqeshje. Urime. Fjalë të zgjedhura. Në FB ke foton e parë. Pa e parë ende babai. Pa të puthur ende gjyshi. Pa të marrë erë më parë gjyshja. Për emrin nuk vendos më dajua. Jo. Një turmë elektronike, vendosin për emrin tënd. Në shikimin e parë syri ngulet tek gjiri teksa e verbon drita e celularit. Në dëgjimin e parë ke qeshjen e nënës dhe klik-un e mesazhit që shkoi në FB… Lodra s’ka më. Këmbë me plagë s’ka më. Bark të çjerrë s’ka më. Fusha për të vrapuar s’ka më. S’ka më cingla. S’ka më topa. S’ka më karroca. S’ka më litar. Madje edhe Mimoza llastica s’ka më… Ka veç FB, apo simotrat e tij. Aty rritesh. Me mijëra lojëra. I luan vetëm. Ti thua po luaj me shokët.

Çështje këndvështrimi. Atyre që dikur luanin lagje me lagje, 100 djem e vajza bashkë, u dukesh që po luan vetëm… I mbyllur. I stresuar. Në ankth. Në pritje komentesh. Në pritje buzëqeshjesh e përkedheljesh dixhitale. Çdo gjë dokumentohet në FB. Edhe adoleshenca. Edhe lidhja e parë. Puthja e parë. Kafja e mëngjesit. Dreka. Darka. Gjumi. Tualeti. Biçikleta. Makina. Ndarja e rradhës. Zhgënjimi. Mërzia. Gëzimi…

Shoqëruar me bisedat e rastit, disa të dukshme e disa të padukshme. Në FB japin lajmërimet e fejesës. Presin urime. Në FB japin lajmërimet e dasmës. Presin urimet. Në FB japin lajmërimet e vdekjes. Presin ngushëllime. Në FB kërkojnë punë. Në FB bëjnë politikë. Ne FB behen lideret e rinj. Në FB protestojnë. Nga FB martohen. Aty shohin lajmet. Edhe kur vdesin, vazhdojnë të jenë gjallë në FB. Nuk ka nevojë për ç’rregjistrim si në gjendjen civile. Nga FB edhe të spiunojnë…

Një jetë dixhitale. Pa prekje. Pa frymë. Pa shprehje. Pa mimikë. Bota e gjithë në një alet të vogël. Për pak vite do harrohet shprehja “më mori malli”. Sot kjo shprehje përdoret veç nga disa nëna që nuk po mësohen dot me FB… Nuk e zgjidhim dot në duhet uruar shpikësi i FB, apo duhet mallkuar.” /KultPlus.com

Facebook diagnostikon sëmundjet bazuar vetëm në postimet tuaja

Gjuha e përdorur në postimet e mediave sociale mund të ndihmojë në identifikimin problemeve të ndryshme me shëndetin të tilla si diabeti, ankthi, depresioni apo shqetësime të tjera.

Ekspertët përdorën softwerin e inteligjencës artificiale AI për të analizuar postimet në Facebook të 1.000 personave. Të dhënat treguan se mënyra se si shkruajmë jep indikacione për të paktën rreth 21 probleme shëndetësore.

Ky studim është realizuar nga Universiteti i Shkollës së Mjekësisë të Pensilvanisë dhe nga Stony Brook University.

Postimet e njerëzve janë kryesisht të fokusuara në gjërat që i shqetësojnë, në mënyrën e jetesës, informacionet për të cilat kanë interes, ndjenjat që përjetojnë…etj.

Prandaj këto statuse mund t’ju vijnë në ndihmë ekspertëve për të kuptuar një problem shëndetësor që mund të kemi dhe për të cilin mund të mos jemi në dijeni as vetë.

P.sh përdorimi i rregullt i fjalëve të tilla si ‘pije’ ose ‘shishe’ mund të përdoren për të nënkuptuar abuzimin me alkoolin, ndërsa përdorimi i gjuhës armiqësore mund të jetë tregues i problemeve me drogën dhe me psikoza të ndryshme./KultPlus.com

Njohësi i Facebook, Mentor Hoxhaj: Facebook nuk ka të punësuar në Kosovë

Njohësi i Facebook, njëherësh edhe bashkëpunëtor i këtij rrjeti social, Mentor Hoxhaj, përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se “Facebook, në kuadër të së cilës janë edhe rrjetet sociale Instagram dhe Whatsapp, nuk ka të punësuar në Kosovë”, me ç’rast ka demantuar lajmin e 22-vjeçarit nga Gjilani, Leonard Abdullahu, i cili thuhej se është punësuar në këtë kompani.

Gjilanasi bëri bujë në rrjetet sociale, pasi që në storien e tij tha se kishte gjetur një gabim të rrjetit social Facebook, me ç’rast edhe është ftuar të punojë në këtë kompani për shtetin e Kosovës, shkruan Ballkani.info.

Mentor Hoxhaj, i cili është njohës i sigurisë kibernetike ka thënë se këto lajme mund të tërheqin rrezikun e manipulimeve dhe keqpërdorimeve.

Postimi i plotë i Mentor Hoxhajt:

Sulmohen 50 milionë adresa, Facebook ka një këshillë me rëndësi për ju

50 milionë llogari të rrjetit social Facebook janë hakeruar. Këtë e kanë bërë me dije drejtuesit e kompanisë, teksa bëjnë thirrje se mbi 90 milionë të tjera duhen të ndryshojnë fjalëkalimet për arsye sigurie.

Facebook informon se mbi 50 milionë përdorues të tij janë lënë të ekspozuar pas një gabimi të sigurisë. Kompania tha se sulmuesit ishin në gjendje të shfrytëzonin një cenueshmëri në një tipar të njohur si “View As” (Shikoni si) për të fituar kontrollin e llogarive të njerëzve. Përdoruesit që janë prekur nga sulmi janë detyruar që të rihapin llogaritë këtë të premte.

“Gabimi është rregulluar”, ka bërë me dije kreu i sigurisë së firmës, Guy Rosen.

“Sapo kemi filluar hetimet tona, duhet ende të përcaktojmë nëse këto llogari janë keqpërdorur apo çfarë informacioni është marrë. Ne gjithashtu nuk e dimë kush është prapa këtyre sulmeve, apo ku janë bazat e tyre”, tha Guy Rosen, duke shtuar se “Privatësia dhe siguria e njerëzve janë tepër të rëndësishme dhe na vjen keq që kjo ndodhi”./bota.al/ KultPlus.com

Perandoria e “like”-ve, zor se mund të tronditet! Ne jetojmë në botën e Facebook-ut

Nga: Mark Skot

Pas zbulimeve se pothuaj 50 milionë përdoruesve të Facebook në SHBA mund t’u jenë përdorur të dhënat pa dijeninë e tyre, njerëzit nga Kopenhaga në Çikago nxituan që të lënë rrjetin social më të madh në botë.

Paçin fat!

Qysh prej krijimit të tij në dhomën e konviktit të Mark Zuckerbergut në Harvard, në vitin 2004, gjigandi i mediave sociale e ka shtrirë ndikimin në të gjithë botën digjitale. Tashmë, shtrirja e tij globale e bën pothuaj të pamundur që njerëzit të shkëputen tërësisht nga një perandori online, që e ka bërë Facebook-un një prej kompanive më të pasura dhe me më shumë influencë politike në botë.

Eleminimi i aplikacionit të Facebook-ut nga celulari juaj – apo edhe nëse bëni një harakiri në rrjetin social – mund të jetë një lloj katarsisi, për ata të cilëve nuk u pëlqen ideja që fotografitë, mesazhet dhe pëlqimet e tyre personale, të ndahen pa dijeninë e tyre. Dhe për të qënë të sinqertë, Facebook në fakt e ka reduktuar sasinë e informacionit digjital që ndahet me të tretët.

Por këta ish përdorues të Facebook ndoshta duhet të marrin ndonjë këshillë nga kënga “Hotel California” e Eagles: “You can check out of Facebook anytime you like, but you can never leave” (Mund të largoheni kur të doni, por nuk do të mund të largoheni dot kurrë).

Kjo, sepse shtrirja globale e kompanisë nuk është më e varur vetëm prej rrjetit social origjinal. Në vitet e fundit, ai ka ndërtuar ose blerë një sërë aplikacionesh të tjera celularësh, duke përfshirë Instagram dhe Facebook Messenger, të cilët janë bërë pjesë e infrastrukturës digjitale të jetës online të shumë njerëzve.

Arsyetimi i kompanisë? Teksa gjithnjë e më shumë njerëz hynin në Facebook (një në tre vetë online sot e përdorin këtë platformë), ajo duhej të diversifikohej në shërbime të tjera, ose përndryshe do të shndërrohej në një lajm të së djeshmes – një rrjet social për gjyshen tënde, jo për ty.

“Facebook krijon një marrëdhënie varësie mes platformave të veta”, thotë Anja Bechmann, drejtore e Digital Footprints Research Group në Universitetin e Aarhusit, në Danimarkë. “Nuk mund të shpëtosh pa përdorur një formë apo një tjetër të Facebook-ut”.

Kjo strategji ka shpërblyer. Facebook është sot pronar i tre nga dhjetë aplikacioneve më të përdorura, sipas comScore, ofrues i të dhënave. Dhe këto shërbime të tjera digjitale, gjithashtu shfrytëzojnë informacionet digjitale të njerëzve për të furnizuar biznesin e reklamave të kompanisë, duke e bërë të vështirë – në mos të pamundur – për këdo që të shkëputen tërësisht prej perandorisë digjitale të Zuckerbergut.

Ndërkohë që rregullatorët evropianë e kanë ndaluar Facebook-un që të mbledhë të dhëna të përdoruesve evropianë të WhatsApp-it, një tjetër aplikacion shumë popullor në pronësi të kompanisë, rrjeti social ka vazhduar të shtrijë ndikimin e vet në internet, pasi shpalli kohët e fundit se do të blejë TBH, një rrjet social që përdoret kryesisht nga adoleshentët.

Zuckerberg: “Unë jam përgjegjës”

Eksodusi nga Facebook është i lidhur me akuzat se Cambridge Analytica, një kompani me qendër në Londër e cila ofronte të dhëna për fushatën elektorale të Donald Trump-it në vitin 2016, mblodhi në mënyrë të paligjshme të dhëna të Facebook-ut, pa miratimin e votuesve.

“Kjo është një thirrje për zgjim”, thotë Anne Helmond, profesore e mediave të reja dhe kulturës digjitale në Universitetin e Amsterdamit. “Kemi qenë shumë naivë që kemi besuar Facebook-un”.

Rregullatorët e privatësisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA tani po investigojnë pretendimet, përfshirë edhe ato, nëse Facebook ka dështuar në mbrojtjen e informacioneve digjitale të përdoruesve, duke lejuar kompani të treta që të përdorin rrjetin, për të thithur një thesar të dhënash personale.

Të dy kompanitë nuk pranojnë të kenë shkelur ligje. Por Zuckerberg, drejtori ekzekutiv 33-vjeçar i Facebook-ut, tha se gjigandi i rrjeteve sociale kishte detyrë të mbronte informacionin e individëve, shpalli ndryshime në mënyrën si do të mbrohen tani e tutje të dhënat e përdoruesve, dhe me vonesë kërkoi falje për keqpërdorime të mundshme të informacioneve të njerëzve online.

“Unë e nisa Facebook-un dhe në fund të ditës, unë jam përgjegjës për atë që ndodh në platformë”, shkruajti ai në një postim në Facebook.

Kjo gjoja mea culpa erdhi shumë vonë, për shumë prej 2.2 miliardë përdoruesve të Facebook-ut në të gjithë botën, shumë prej të cilëve (ironikisht) shkruajtën në Facebook dhe Twitter se po e fshinin një herë e mirë llogarinë e tyre. Edhe Brian Acton, bashkëthemelues i WhatsApp, hyri në veprim duke u thënë 33000 ndjekësve të tij në Twitter: “Erdhi koha. Fshijeni Facebook-un”.

Perandoria e “like”-ve

Njerëzit që kanë fshirë llogarinë e Facebook dhe aplikacionin e tij në celular, mund të mendojnë që i kanë ikur dorës së zgjatur të kompanisë. Por edhe ata nuk kanë shpëtuar.

Si pjesë e objektivit të rrjetit social, për t’u bërë i domosdoshëm për zakonet e njerëzve online, rrjeti social vulosi marrëveshje me dhjetëra-miliona faqe interneti në të gjithë botën, për të përfshirë butonin e famshëm “like” të kompanisë në të gjithë Internetin.

Objektivi ishte t’ua bënte më të kollajtë njerëzve që të ndanin materiale me miqtë e tyre. Por shumë rregullatorë të privatësisë dhe gjykatës në BE kanë ngritur shqetësime, se këto marrëveshje i mundësojnë gjithashtu Facebook-ut që të mbledhë të dhëna për përdoruesit dhe jopërdoruesit, akuza që kompania i hedh poshtë.

Shtrirja e rrjetit social përtej aplikacioneve të veta, nuk merr fund këtu

Pothuaj 15 milionë faqe interneti gjithashtu i lejojnë njerëzit të regjistrohen në to përmes të dhënave të llogarive të tyre në Facebook, sipas SimilarTech, një kompani konsulence e marketingut digjital. Kjo e bën kompaninë një sistem identifikimi de facto për një pjesë të madhe të Rrjetit, ndërkohë që e ndihmon të mbledhë të dhëna për veprimtarinë e njerëzve në internet.

Dhe që nga 2014, rrjeti social ka krijuar një rrjet digjital shumë fitimprurës reklamash, që zgjeron edhe më tej fushatat ekzistuese të marketingut të kompanisë. Shumë prej reklamave që shihni sot online, janë të ofruara nga Facebook.

Afro 1 miliard njerëz në të gjithë botën shohin rregullisht këto reklama të gjeneruara nga Facebook, sa herë që hyjnë në internet, sipas të dhënave të vetë kompanisë. Kjo platformë globale e bën rrjetin social të dytin pas Google, për sasinë e parave që gjeneron çdo vite prej reklamave online.

Por kjo nuk do të totë se gjurma digjitale gjigande e rrjetit social do të zgjasë përgjithmonë.

Bota e korporatave është e mbushur me ata që dikur kanë qenë gjigandë, si kodak apo Nokia, që u shndërruan në hije të vetvetes. Dhe që kur zbulimet për të dhënat e njerëzve në Facebook u bënë publike, kompania ka humbur pothuaj 60 miliard dollarë në vlerë tregu, pasi investitorët nisën të shqetësohen për të ardhmen afatgjatë të saj.

Por për politikanët që shfryjnë zemërimin ndaj abuzimeve të Facebook-ut me të dhënat, do të jetë detyrë e vështirë që t’i vënë fre pozicionit të rrjetit social në të gjithë Rrjetin.

Ai kalë e ka nisur galopin tashmë. Ne sot jetojmë në botën e facebook-ut.

Mark Skot është kryekorrespondent për teknologjinë në POLITICO.eu. (Burimi: Bota.al)