Uranik Emini
Ambienti i Institutit Albanologjik gjatë ditës së sotme mirëpriti përurimin e veprës së shkrimitarit Gëzim Aliu me titull “Proza Shqipe e viteve 1920-1944”, shkruan KultPlus.
Të pranishëm në këtë përurim për një fjalë rasti ishin drejtori i Institutit Albanologjik, Hysen Matoshi dhe autori Fadil Grajçevci.
Kreu i Institutit, lavdëroi punën e palodhshme të Aliut, derisa konstatoi se autori pas dy monografive të kushtuar romaneve të Ismail Kadaresë, kontribuoi shumë me këtë objekt studimor për një periudhë shumë interesante zhvillimore në letërsinë shqipe.
“Identifikimi i krijimtarisë së njëmbëdhjete prozatorëve te kësaj periudhe, analizat përimtuese e përgjithësimet lidhur me vlerat e saj si dhe përqendrimi te çështjet, sikundër janë autori i nenkuptuar, narratori dhe personazhet, e bëjnë këtë monografi literaturë studimore me prurje risimtare mendimin tonë letrar”, tha ai.
“Gëzim Aliu përfaqëson një simbioze interesante te artistit dhe të dijetarit, ndaj e them me bindje se kontribute të tjera te tijnë fushën e studimeve letrare janë të pritshme. Uroj të këtë shëndetin dhe te ruajë nivelin e përkushtimit e tashmë të dëshmuar”, përmendi në fund Matoshi.
Punën pothuajse katër vjeçare të Aliut, e lartësoi edhe profesori Fadil Grajçevci, i cili përmes të tjerash shpjegoi detajisht këtë vepër të autorit.
“Shkrimtari, studiuesi i letërsisë, eseisti e përkthyesi, Gëzim Ali, i cili, përveç si romancier e tregimtar nga më të suksesshmit e brezit të tij letrar/ (Në klubin e të shemtuarve (2009), roman i shpërblyer me Cmimin Kombëtar: Romani më i mirë i vitit 2009; Katedralja pa kryq (2014); Gosti në natën e parë te jeshtës (2017), roman i shpërblyer me Cmimin “Rexhai Surroi” per letërsi; përmbledhja me tregime “Libri i Fundit” , gjithnjë e më shumë po dëshmohet edhe si njëri nga njohësit më të mirë të zhvillimeve tona historiko-letrare, si njëri nga studiuesit më të përkushtuar të letërsisë shqipe, në veçanti të asaj në prozë”, tha ai.
Grajçevci gjithashtu theksoi se Aliu në tre kapitujt, me kriterin vlerësues, pra jo me atë kronologjik, duke mos e ngarkuar tekstin me teorizime e shpjegime të sofistikuara, ka bërë analizimin e tri elementeve qenësore.
Profesori Grajçevci ka thënë se ky studim do të jetë, përveç një kontribut i çmueshëm në studimet historiko-letrare, edhe një model i ri studimi për veprat e tjera të mëvonshme në prozë të letërsisë.
Në fund, në një fjalë rasti edhe autori Gëzim Aliu tregoi se përmes kësaj vepre ka synuar t’u jap përgjigje disa pyetjeve që kanë të bëjnë me idetë, mendimet, bindjet, që shfaqën veprat letrare të autorëve të kësaj periudhe.
“Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, kam interpretuar e analizuar autorin e nënkuptuar, narratorin dhe personazhet, por duke prekur shkurtimisht edhe temat, autorin real, historitë, hapësirën referenciale, kohën referenciale dhe kohëzgjatjen narrative të storieve. Këtu, në disa paragrafë, pa ju lodhur me teori, që në monografi u paraprin kapitujve, kam përmbledhur rezultatet e hulumtimit tim”, shpjegoi Aliu.
Autori i veprës falënderoi gjithë të pranishmit në sallë dhe në fund deklaroi se përmes kësaj vepre mund të ndërtojmë në mendje një mozaik interesant e të këndshëm të njerëzve të asaj kohe.
Studimin monografik “Proza shqipe e viteve 1920 – 1944” e karakterizon zotësia e veçantë interpretuese, analitike e sintetizuese, qartësia e mendimit, terminologjia e saktë shkencore dhe gjuha e pastër dhe e pasur shqipe. /KultPlus.com