24 vjet nga vdekja e poetit Fahredin Gunga

Fahredin Gunga lindi në Mitrovice më 1936. Ai ishte njëri nga poetët më të shquar të poezisë bashkëkohore shqiptare, të brezit që u shfaq nga fundi i viteve të ’50-ta dhe brenda viteve të ’60-ta, shkruan KultPlus.

Brezi të cilit i takonte poeti Fahredin Gunga, ishte i përbërë nga Azem Shkreli, Ismail Kadare, Rrahman Dedaj, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Adem Gajtani, Hivzi Sylejmani e të tjerë.

Gunga e ka nisur vargimin poetikë që nga libri i parë me poezi “Pëshpëritjet e mëngjesit” (1961), duke i mbetur besnik deri te librat e fundit “Mallkimet zgjuara” dhe “Kepi i shpresës së mirë” të viteve të 80-ta.

Sot bëhen 24 vite nga vdekja e poetit Fahredin Gunga, i cili vdiq më 1 prill të vitit 1997./ KultPlus.com

Tri monologjet e Fahredin Gungës me vetveten

Tri monologje me vetëveten | Fahredin Gunga

1.
Vetëm deshta ta quaj vetëvetën poet
E asgjë tjetër, më besoni, asgjë tjetër-
Se kam lindur në ditët e krahnezta të një tetori.
Dhe, i vogël jam për ta pasur trajtën e heroit e –
Në vargje vetëvetën vetëm desha ta shtroj, të bëhem
Fortesë prej fjalëve e – shkëndi në qiellin e paanë,
Që në qiellin e vendlindjës sime, me zemra të ndezura flakë
Në baklada të shumënngjyrta, në Olimpin e gjakut –
Të shkruaj qenjen time, biografinë vetëvetes,
Mikut dhe blozës së trollit tim
Për ditëlindjen tonë të dytë, gjakut të mallkuar në mallkim;
Njerëz me flakime në sy jemi – e,
Vetëm deshta ta quaj vetëveten poet:
Lumit të ja marrë kaltrimin për vargjet e mija,
Shkëmbit t’ja jap zemrën e diellit,
Skyfterin ta bëj me zemër të blybylit – e
Vetëm deshta ta quaj vetëvetën poet,
Vetëm poet – flakanda që e ruajnë zotërat e lindjeve,
E, vetëm poet – nektar që përtrin jetën,
Më besoni, vetëm poet:
të ndërtoj Urën e Fshejtë
Prej fjalëve që ujiten me gjakun në muza:
Ku miku mikut zemrën ja fal në shenjë nderimi
E i panjohuri të panjohurit dorën e pranverave ja shtrin,
Ku dielli shtegtar ndalet të pushojë –
E, zemra me zemër kthehet në trandofille, e
Stuhitë vallen e prillave të blertë e luajnë, e – unë, 
Vetëm deshta vetëveten ta quaj poet,
Asgjë tjetër, më besoni, asgjë tjetër – e,
Vargu le të jetë dashuria ime dhe mbarimi im.

I vogël jam për ta pasur trajtën e heroit.

2. 
Pas çdo vargu është nga një lindje e re
(se ditëlindja ime në letër të njoftimit
Nuk është ditëlinde dhe emri im i vërtetë).

I bëra lutje diellit që e mbylla në nofullën e fjalës –
Dhe, aq jam i vogël dhe i pafuqishëm para fjalës,
Aq jam i uritur e i ngrirë për Dashurinë e fjalës, e –
Vargu është tmerr, është dhembje, është jetë,
E – vetëvetën deshta ta emrërtoj:
Lum i paemër –
Atëherë, plasi krenaria e shkëmbi prej marazit,
Vetëvrasje bëri dashuria e fjalës, një vetëvrasje të thjeshtë,
Të cilën e vorrosa në zemrën e mikut
Ku ndeshen prore, në ecjet e tyre – qeshja dhe vaji.
Secili kemi nga nje ditëlindje dhe nga një emër,
Nga një dashuri dhe nga një ringjallje. Atëherë,
Si ta emërtoj pastaj vetëveten
Kur pas çdo vdekje të thjeshtë është nga një lindje e re
(Se ditëlindja ime ne letër të njoftimit
Nuk është ditëlindja e as emri im i vërtet)?…

3.
Nuk është lehtë vetëm të duash.

Fahredin Gunga

Rrëfimi

Poezi e shkruar nga Fahredin Gunga.

Pse më shikon si të huejin? A nuk më njeh?

Sëbashku a si vorrosëm tifusarët e natës

dhe mëngjezet buzëkuqe bashkë me ta?

E hapa zemrën dhe rafal të ri për këngë

ia derdha syve të tokës naive, tokës llahuse –

tokës që era gjak kaherë nuk po i vjen.

Më thuej, pra, o vlla i im i dashtun –

vlla i djersës sime, i dallëndysheve të mija –

pse më këqyr si të huejin? A nuk më njeh

ende?

Porosija

Nga poema “Loja e eshnave” nga Fahredin Gunga.

Mos shkelni
në hirin e eshtrave
të dorës për respekt të lotit –

mos shkelni
në hirin e eshtrave
të etshëm për shiun e prillit –

të etshëm për shiun e prillit –
të ngujuar ndërmjet nofullave
të fëmijëve pa va,

mos shkelni
në hirin e eshtrave –
se ngjallen ujqit e fjetur,

se ngjallen
erërat e çmendura,
se ngjallen ujqit e fjetur,
se ngjallen
erërat e çmendura

mos shkelni në hirin eshtrave
ju lutem,
si për lulen e bardhë,
si për fëmijërinë time
të varur në udhëkryq.

Sot bëhen 21 vite nga vdekja e poetit Fahredin Gunga

Fahredin Gunga lindi në Mitrovice më 1936. Ai ishte njëri nga poetët më të shquar të poezisë bashkëkohore shqiptare, të brezit që u shfaq nga fundi i viteve të ’50-ta dhe brenda viteve të ’60-ta, shkruan KultPlus.

Brezi të cilit i takonte poeti Fahredin Gunga, ishte i përbërë nga Azem Shkreli, Ismail Kadare, Rrahman Dedaj, Dritëro Agolli, Din Mehmeti, Fatos Arapi, Ali Podrimja, Adem Gajtani, Hivzi Sylejmani e të tjerë.

Gunga e ka nisur vargimin poetikë që nga libri i parë me poezi “Pëshpëritjet e mëngjesit” (1961), duke i mbetur besnik deri te librat e fundit “Mallkimet zgjuara” dhe “Kepi i shpresës së mirë” të viteve të 80-ta.

Sot bëhen 21 vite nga vdekja e poetit Fahredin Gunga, i cili e la këtë botë më 1 prill të vitit 1997./ KultPlus.com