“Shpirti Dervish”, aty ku artisti Fahredin Spahija “shkrep”dhe krijon magjinë e fotografisë sufiste

Fjalë e mbajtur me rastin e hapjes së ekspozitës “Shpirti Dervish” të artistit Fahredin Spahija, në mjediset e Bibliotekës “Marin Barleti”-Shkodër, me 18 nëntor 2024

Shkruan: Xhahid Bushati

Mirë se erdhe në Shkodër, i nderuari Fahredin Spahija, Mjeshtër dhe Artist i Fotografisë artistike, ndonëse ke ardhur shumë kohë më parë. Lidhja me këtë qytet mikpritës dhe kulturor, të dha motiv, që kësaj here të vish me një ekspozitë fotografike të titulluar “Shpirti – Dervish”, ku i qaseni një realiteti që nuk është i njohur dhe aq, që, siç thotë poeti Fahredin Shehu, në parathënien e katalogut të Ekspozitës: “Sufizmi si fenomen i takon subkulturës shqiptare në shekuj, i cili asnjëherë nuk ka prozelituar për ta përhapur në masë, por ka qenë i rezervuar për një rreth të caktuar shoqëror. [… …] Në esencë, Sufizmi ende mbetet mister, pavarësisht se janë bërë dokumentarë (edhe foto, edhe video), ai është shkollë e psikologjisë personale [… …].”

Fotografia dhe dimensioni i saj është pjesë e shpirtit artistik të Mjeshtrit Fahredin Spahija. Kjo është e kudoshfaqshme në çdo foto. Në këtë këndvështrim, dua të bëj një qasje, dhe për këtë qasje do të më mirëkuptoni, sepse realisht unë vij nga komuniteti i shkrimtarëve. Qasja është kjo: – Para ca ditësh, për çështje të mia studimore, po shfletoja një gazetë kryesore të vitit 1957. U ndala te një shkrim, i cili fliste për ardhjen e eshtrave të patriotit Luigj Gurakuqi dhe varrosjen në qytetin e tij të lindjes. Njëri nga kumtuesit ishte i dituri Kolë Kamsi. Ai e niste fjalimin e tij kështu: “Fjala ime është e vogël para madhështisë e veprimtarisë  tënde, o Gurakuq…” Kështu po ndodh edhe me fjalën time për figurën dhe personalitetin shumështresor e hapësinor të Fahredin Spahisë. Është një Artist, që në rrugën e tij misionare ka lëvruar me sukses disa gjini e zhanre piktorike, me arsimim që do ia kishte zili gjithësekush, po edhe me një kulturë gjithashtu. Shenjat e artit të tij në vite e dekada (e kështu do të jenë në të ardhmen) janë të atilla, se në radhë të parë i përkasin historisë, mjediseve që i njeh aq mirë, po ashtu dhe botës lirike… etj.; mbartin vlera dhe mesazhe por të përcjella si vlera kujtesore e bashkëkohore, plot jetë e plot botë.

Duke “lexuar” çdo foto, që të ngjallin kuriozitet dhe mbresëlënie, po ndalem tek disa tipare të autorit, që mendoj se shfaqen dukshëm në këtë Ekspozitë.

E para, nuk është kollaj që një botë e panjohur, ku mbretëron mistikja, të bëhet e njohur. E, autori me syrin e tij mjeshtëror, atë realitet pak të largët, na e ofron me dashuri. Kjo na bën të mendojmë dhe është realitet, fotografimi me të gjitha këndet e shikimit, na sjellë dukurinë e njohjes së kësaj problematike “të panjohur” plotësisht. Kjo është arsyeja që një foto është më shumë se një foto. Një foto “flet” dhe kjo ” e folur” përcillet si mision tek fotot-motra, të çilat ruajnë sa të përbashkëtën aq dhe individualen. Fotot “flasin” për një botë personazhesh (të njohur e të panjohur), realë dhe mistikë, ku paqja shpirtërore ka një dimension të tillë, sa vetëm aparati i Mjeshtrit e di dhe e shpërfaq madhërisht e bindshëm. Kjo është arsyeja që “Shpirti – Dervish” peshon rëndë artistikisht. Këto arritje çilësore pasqyrimi janë rrjedhojë e udhëtimeve të Artistit Spahija te Teqja e Sheh Hyseinit (Tarikati Rufai), tek Teqja e Sheh Eminit (Tarikati Saadi), tek Teqja e Sheh Ilazit, tek Dervishët rrotullues (Tarikati Mevlevi), tek Teqja e Sheh Ademit… etj.

E dyta, Autori për ta bërë më bindshëm krijimin (foton) e tij artistik portretin e personazhit (individ apo end bllok) kujdesshëm e vë në plan të parë. Konceptuar e strukturuar përmes kontrasteve bardh e zi. Plani i parë është më bisedor me dashamirësitë e fotografisë. Vështrimet dhe komunikimet janë të afërta. Gjithashtu, tonaliteti i së bardhës në raport me sfondin “puthet” e harmonizohet artistikisht, edhe pse  foto-ja dhe skena e saj është lirike, epike, dramatike, paqësore. Në të gjitha këto “oaze” gjinish apo zhanresh, në këto foto shëtit shpirtërorja, ku shndrit sufizmi që pasuron shpirtin e botën e personazheve. Dhe këto personazhe përfaqësojnë mosha të thyera, më të reja, më të vogla. Psikologjia e përftuar e personazhit, mënyra e shprehjes, detaji që vazhdimisht kërkohet nga autori janë vlera që plotësojnë “pasaportën” e Dervishit (dervishëve).

E treta, figurativja te sytë, çfarë mbartin e çfarë thonë ata sy..? Po t’i shikoni me kujdes fotot: personazhet paraqiten: duke buzëqeshur, humbur në kujtime, në meditime, në heshtje, në kundrime, në trishtime, në dhimbje, … etj. Të gjitha këto dukuri që përmenda jetojnë tek sytë dhe sytë shprehin botë. Janë sy që flasin, janë sy shpirti… Dhe t’u sillemi shkrepjeve të aparatit të Artistit, fiksohen: çaste të ndryshme pozicionesh, skena, bashkëbisedime, përjetime, filozofi shprehësore etj. , të cilat së bashku formojnë një emblemë, ku përmes momentit kulmor të ndriçimit që “rreh” në sfondin e zi, ashtu ëmbël e ëmbël peshon tek themelorja – te sufizmi i personazhit, i cili prehet në paqen e ëndërruar, paqe që e ka pushtuar totalisht. Sepse Artisti Spahija me pasion e talent të pashoq hulumton dhe zbulon jo vetëm motivin që fotografon, por edhe formën që e zbulon me thyerje artistike të motivit natyral.

Në mbyllje të fjalës sime dua të përmend edhe dy vlerësime për Mjeshtrin e Fotografisë Fahredin Spahija. – Akademiku Rexhep Ferri, piktor; ka thënë: “Fotografinë bardh e zi e kemi harruar apo do ta harrojmë. Për këtë poetikë edhe sot po kujdeset Fahredin Spahija. [… …] Fotografitë bardh e zi janë shumë më dramatike, ekspresive dhe më të thella”. – Ndërsa vlerësimi i dytë vjen nga kritiku i fotografisë artistike, Qerim Vrioni, i çili shprehet: “Mbetja në kujtesë për një farë kohe e shumicës së portreteve të ekspozitës flet, përpos vlerave artistike që mbartin, edhe për dashurinë e madhe që ka për njeriun në përgjithësi, autori Spahija. [… …] Pa mëdyshje Fahredin Spahija zë një vend dinjitoz ndër fotoportretistët shqiptarë të shekullit XX dhe fillimshekullit XXI.”

Mjeshtër Spahija, paç jetë të gjatë, e suksese të përhershme në misionin tënd të fotografisë!/ KultPlus.com

Hapet “Shpirti Dervish” nga Fahredin Spahija, 20 vjet të përmbledhura në 27 fotografi unike

Era Berisha 

Fotografitë e vendosura në dy muret në ngjyrë të pembe, dukej sikur po tregonin diçka të jashtëzakonshme, diçka të rrallë por të shenjtë që dhuronte ndjenjën se është ruajtur për vite të tëra. Këto fotografi kaplonin vëmendjen e secilit që ishte prezent dhe zgjonin kureshtje të mëtutjeshme për të kuptuar artin madhështor prapa tyre. Krejt kjo atmosferë u krijua nëpërmjet pendës së syve të fotografit të njohur, Fahredin Spahija, i cili mbrëmë u prezantua me ekspozitën personale “Shpirti Dervish” në KultPlus Caffe Gallery, shkruan KultPlus. 

Brenda një hapësire të ngrohtë, të pranishmit ishin të mbushur me entuziazëm dhe kjo dukshëm vërehej në fytyrat e tyre. Gjithsej 27 fotografi kanë përmbledhur punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve. “Shpirti Dervish” ka plasaritur përpara publikut një pjesë të traditës që për një pjesë të madhe të njerëzve ka një kuptim më hyjnor se vetë hyjnorja. 

Një gjendje paqe shfaqej në secilën fotografi, të cilat ishin të krijuara në ngjyrë bardhë e zi, asisoj që kontrasti të bënte që të përhumbeshe nëpër shkrepjet e bukura të fotografit Spahija. Fytyrat e dervishëve, ritualet e tyre, dhe vallja e famshme rrotulluese, ishin të shkrira plotësisht nën petkun e aparatit të fotografit Spahija. “Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, pati thënë fotografi Spahija, kur edhe bëri paralajmërimin për këtë ekspozitë. 

Ora shënoi 19:00, dhe tashmë hapja e ekspozitës gjeti vendin e saj. Mbledhur grumbull, përpara neve, të pranishëm ishin fotografi, Fahredin Spahija, kuratori i ekspozitës, Fahredin Shehu dhe drejtoresha e gazetës online për kulturë dhe art KultPlus, Ardianë Pajaziti. 

Fillimisht, hapjen e bëri drejtoresha Pajaziti, e cila tha se shpirti dervish është ai që në këtë mbrëmje i ka bërë së bashku të gjithë. 

“Faleminderit që keni ardhur sonte dhe që na i keni nderuar të dy artistët si dhe KultPlus Caffe Gallery-në. Në këtë mbrëmje, shpirti dervish na ka bërë bashkë, duke sjellë kështu frymën artistike të fotografit të njohur, Fahredin Spahija. Më herët më pyeti dikush për ndjesinë që më dha kjo ekspozitë, dhe i thashë që punën e Fahredinit e njoh mjaftueshëm, duke qenë edhe gazetare shumëvjeçare e kulturës. Për neve ndoshta mundet me qenë një ekspozitë domosdo, mirëpo kjo është një punë kolosale njëzetvjeçare dhe duke i përzgjedhur vetëm 27 fotografi, tregohet mundi dhe përkushtimi i Fahredinit për këtë ekspozitë”, ka thënë Pajaziti. 

Fahredin Shehu, kuratori i ekspozitës ka thënë se fotografitë prezantojnë një rezonancë historike që ndërthuret me estetikën bashkëkohore. 

“Është një punë që po kurorëzohet tanimë, pas njëzet vitesh. Kjo traditë e shfaqur është një traditë para-religjioze, është në gjenetikun e njeriut dhe mund te kultivohet si shpirtni dhe si art i cili mëton ta unifikojë njeriun me universin. Fahredin Spahija na e prezanton këtë neve duke krijuar një rezonancë historike me estetikën bashkëkohore dhe neve na tërheq në brendësi që ta kujtojmë shpirtin sofist të mirëfilltë. Nuk ka qenë e lehtë që për vite me radhë, t’i përmbledhësh të gjitha këto. E lexushmja, e pamuna, është diçka tjetër nga përjetimi sepse përjetimi është ai që krijon emocion”, thotë ai. 

Po ashtu, fotografi Fahredin Spahija është shprehur i kënaqur me punën e tij, që për të është tejet e veçantë. 

“Ju falënderoj të gjithëve që keni ardhur sonte dhe keni nda kohën për të parë këtë ekspozitë. Është një punë disavjeçare, një tematikë shumë e veçantë për mua, natyrisht kjo nuk përfundon këtu, sepse në këtë bashkësi të dervishëve, ka akoma shumë për të eksploruar në aspektin artistik. Kam diçka që muj me qu përtej relaes, kah abstraktja por planet do i lëmë për më vonë. Më duhet ti falënderoj ata që s’janë këtu si MKRS-në dhe Drejtorinë e Kulturës, edhe pse janë të dy palët mbështetës financiarë”, përfundon Spahija. 

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja vazhdoi me performancën e këngëtarit Petrit Çarkaxhiut, sikurse që edhe u lexuan poezi të poetit të famshëm Rumi, që në këtë mbrëmje erdhën nëpërmjet aktorit Nik Istrefi. 

Një poezi, pastaj një këngë, ishte rrjedha që gjeti vazhdimin në këtë natë të mbushur me një magji të bukur në ajër, që hipnotizoi gjithsecilin, duke bërë që ata të përjetonin të bukurën e artit pamor, këndimit dhe artit poetik. 

“Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike”, ka qenë mbishkrimi për këtë ekspozitë, dhe me të vërtetë që fotografi Spahija, me këto fotografi unike, plotë ndjenjë e gjallëri, ka bërë të mundur që publiku t’i shijojë veprat artistike që dëshmojnë për një dhunti, mund dhe përqendrim të paparë. 

Ekspozita “Shpirti Dervish”do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery. Projekti është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com 

20 vjet në 27 fotografi, Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”

Fotografi i njohur Fahredin Spahija do të prezantohet sonte me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”, ekspozitë që për kurator ka Fahredin Shehun e që  përmbledhë punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve, shkruan KultPlus.

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja do të vazhdojë me performancën e Petrit Çarkaxhiut, sikurse që do të lexohen poezi të poetit të famshëm Rumi, e që në këtë mbrëmje do të vijnë nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.

“Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, ka thënë fotografi Spahija, për këtë ekspozitë që do të hapet sonte në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Kurse kuratori Fahredin Shehu për këtë ekspozitë ka shkruar se: Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike.

Ekspozita “Shpirti Dervish” që do të hapet sonte, më 27 shtator dhe do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery, është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com  

20 vjet në 27 fotografi, Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”

Fotografi i njohur Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitën personale “Shpirti Dervish”, ekspozitë që për kurator ka Fahredin Shehun e që  përmbledhë punën 20 vjeçare të fotografit Spahija përgjatë ritualeve të dervishëve në Kosovë dhe Shqipëri, e që në këtë ekspozitë vijnë nëpërmjet portreteve, shkruan KultPlus.

Pas ceremonisë së hapjes së ekspozitës, mbrëmja do të vazhdojë me performancën e Petrit Çarkaxhiut, sikurse që do të lexohen poezi të poetit të famshëm Rumi, e që në këtë mbrëmje do të vijnë nëpërmjet aktorit Nik Istrefi.

“Për mua, këto rituale, përtej religjionit, kanë kuptimin e një kulture mbi 600 vjeçare që begaton trashëgiminë tonë kulturore gjithandej hapësirave gjeografike shqiptare”, ka thënë fotografi Spahija, për këtë ekspozitë që do të hapet më 27 shtator në KultPlus Caffe Gallery, në ora 19:00.

Kurse kuratori Fahredin Shehu për këtë ekspozitë ka shkruar se: Poetika e fotografisë artistike e Fahredin Spahisë, ndërshtresohet nga talenti, mjeshtëria dhe puna e përsosmërisë së zanatit që elevohet në art, ndërkaq arti transhendohet në Teurgji. Kjo krijon një arkitekturë eterike (të dukshme gjithsesi si një hologram në Qiell dhe matrix-in si foto-print në Tokë), e cila ngritet në nivele më të larta të krijimtarisë artistike. Prandaj, kjo është në përputhje të plotë me atë që kam shkruar më herët: “Poezia është dhunti e Krijuesit dhe vjen nga mëshira e Tij”. Fahredin Spahija, me ndërveprim, në plotësi krijon (Quantum Entanglement – implikim/ngatërrim shpirtëror apo kuantik, krejt një lloj), të artit të tij fotografik me një njohje/realizim timin për Poezinë e epokës sonë dhe më tej, e cila për t’u kuptuar duhet domosdoshmërisht të posedojë dije polymath-ike, respektivisht ato blloqe ndërtuese të një filozofie sintetike.

Ekspozita “Shpirti Dervish” që do të hapet më 27 shtator dhe do të rri e hapur për një javë në KultPlus Caffe Gallery, është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte dhe Komuna e Prishtinës/ KultPlus.com  

Fahredin Spahija me ekspozitë personale në Galerinë e Arteve të Gjilanit

Fotografi Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitë personale në Galerinë e Arteve në Gjilan, shkruan KultPlus.

“Unë, ti dhe diçka në mes” është ekspozita që do të prezantohet para publikut gjilanas, dhe në të njëjtën kohë, fotografi do të dhurojë për të pranishmit edhe librin e tij të parë “Përtej”, që në të njëjtën kohë është edhe libri i parë i fotografit.

Më poshtë KultPlus ju sjell njoftimin e plotë të fotografit Spahija.

Nesër në Galerinë e Arteve të Gjilanit, me 16 maj, në orën 19.00, hapet ekspozita ime personale “Unë, ti dhe diçka në mes” që ka karakter retrospektiv të një pune 26 vjeçare në projektin fotografik “Përtej”. Veç ekspozitës, ju që keni kohë dhe mundësi të vini, do ta keni edhe librin tim të parë “Përtej”, si dhuratë nga unë…

Mirëardhshi!/ KultPlus.com

Ekspozita “odin 45” nga Fahredin Spahija, pjesë e festivalit “Republika”

Në kuadër të edicionit të pestë të Festivalit të Poezisë “Republika”, do të shfaqet edhe ekspozita virtuale “odin 45” me fotografi abstrakte të artistit të fotografisë, Fahredin Spahija, përcjell KultPlus.

Nga 200 fotografi të realizuara me këtë koncept, artisti i fotografisë, Fahredin Spahija, për ekspozitën virtuale “odin 45” i ka përzgjedhur vetëm 45 fotografi.

Ekspozita do të shfaqet të mërkurën, me datë 15 shkurt 2023, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, duke filluar nga ora 19.00. / KultPlus.com

Fahredin Spahija me ekspozitë “S’du me t’pa, du me t’ndie”

Fotografi Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitë personale në  Galerinë e Arteve ne Ferizaj, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë  me kurator Agron Shala përfshinë vepra të realizuara për 20 vjet nga fotografi Spahija dhe do të hapet më 8 shtator, në ora 20:00.

““S’du me t’pa, du me t’ndie” është titulli i ekspozitës së fundit të mjeshtrit të fotografisë, Fahredin Spahija. Nuk e ndërlidha ekspozitën me titullin e një kënge sepse, në perceptim të parë, mesazhet janë të ndryshme. As pse Spahija është adhurues dhe njohës i muzikës. Porse, si te Tomi, jeta është ndjesi; është edhe arti që merr jetë nga shpirti i artistit. Është ndjesia që artisti e bart te ne; është ndjesia që shikuesi e reflekton. Për të dyja palët vlen thënia e piktorit Paul Klee: “Njëri sy sheh, tjetri ndjen”. Dhe, “S’du me t’pa, du me t’ndie” e pasqyron këtë mendim”, ka shkruar kuratori Shala mbi këtë ekspozitë.

“Ekspozita e Spahisë përbëhet nga veprat e realizuara përgjatë 20 vjetëve të fundit. Një përzgjedhje e vështirë, por e veçantë kur kemi parasysh opusin e tij krijues dhe faktin se sa vëzhgues dhe kërkues është autori, çdo ditë dhe në çdo situatë – qoftë nëse pamja varet nga të tjerët, nga rrethanat apo nga vetë ai”, ka shkruar më tutje kuratori Shala./ KultPlus.com

Fahredin Spahija me ekspozitë në Shkodër, “Mendo për mua” përfshinë 40 fotografi

Fotografi i njohur Fahredin Spahija do të prezantohet me ekspozitë personale në Galerinë “Oda” në Shkodër, shkruan KultPlus.

E titulluar “Mendo për mua”, kjo ekspozitë që përfshinë 40 fotografi, do të hapet më 11 qershor prej orës 17:00.

“Fotografia e Fahredin Spahisë për këtë ekspozitë të radhës asht trupore. Në qendër të saj rrin trupi njerëzor – përkatësisht ai femnor – portreti, detaji, nudoja dhe detaji i nudos. Duhet të themi qysh në fillim se interesi i autorit Fahredin Spahija ka qenë i prirun edhe kah dramatikja dhe paramorfoza e figurës me qëllimin e dukshëm për të plotësue nji seri funksionesh të shpalluna praktikisht prej tij në epistemën e kësaj fotografie që përban materialin kryesor të kësaj ekspozite” është shkruar nga Primo Shllaku në katalogun e kësaj ekspozite.

Ekspozita e Fahredin Spahisë do të rri e hapur deri më 30 qershor./ KultPlus.com

Shkarkimi nga Galeria e Arteve përplas ashpër Fahredin Spahijajn me Eliza Hoxhën (VIDEO)

Ish –deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, e cila përsëri i ka hyrë garës dhe për një mandat tjetër në zgjedhjet parlamentare, ka hedhur akuza për keqmenaxhim ndaj Fahredin Spahijajt, ish-drejtorit të Galerisë së Arteve të Kosovës.

Madje në studion e Edicionit të Analizës në Klan Kosova, ka pasur një përplasje të ashpër mes tyre, lidhur me pretendimet e Spahijajt se Hoxha kishte ndikuar në shkarkimin e tij.

Megjithatë këto akuza të Spahijajt, kandidatja e PDK-së për deputete i hodhi poshtë.

”Zotri Fahredin Spahija ka qenë drejtor, dhe në mandatin e Memli Krasniqit janë deponuar 11 vërejtje dhe ankesa nga komplet stafi i Galerisë Kombëtare në emër të tij”.

”Më pas është shqyrtuar rasti i tij si drejtor, në Komisionin Disiplinor në Ministrinë e Kulturës”.

”11 ankesa, incizime me ofendime ndaj grave aty dhe asistente që kanë qenë – por kjo është process që ka ndodhur para se unë të jem presidente e bordit të Galerisë Kombëtare”.

”Unë s’i kam dëgjuar vërejtjet ato janë në Komision Hetimor. Unë kur kam marrë mandatin si Presidente e Bordit bashkë me të gjithë akterët e bordit”.

”Edhe për faktin se Komisioni Disiplinor ka theksuar që nuk ka më klimë pune për shkak të të gjithë atyre ankesave, Ministria e Kulturës nuk ka mundur ta shkarkojë juridikisht sepse në ligj thuhet se bordi duhet ta shkarkojë dhe bordi s’ka qenë jofunksional”.

”Aktakuzat që kanë ardhë ndaj jush, kanë ardhë në Ministri, nuk kanë ardhur tek unë dhe i ka studiuar Komisioni Hetimor”.

”Juridikisht në një institucion ku nuk ka klimë pune, dhe asnjë person nuk komunikon me ju, atëherë normal që ju duhet të shkoni”.

Tutje Eliza Hoxha pretendon se gjatë kohës sa ishte drejtor në GAK, Fahredin Spahija kishte keqmenaxhuar dhe me fonde të Ambasadës së Holandës, të cilat këto ky i fundit vazhdimisht i mohonte.

”Mos të flas për abuzimet me: paratë e ambasadës së Holandës, që janë marrë me krijuar faqen e Galerisë Kombëtare, dhe asnjëherë nuk është krijuar dhe faturat për kompaninë që ka krijuar atë faqe janë fatura fiktive sepse nuk ekziston ajo kompani. Hard-disku marrë nga kompjuteri i Galerisë, dhe shumë gjëra të gjuajtura në tavan”.

”Faktet ekzistojnë kushdo që do mundet t’i gjejë në Komisionin Disiplinor”.

”Jam shumë e lumtur për mandatin tim që kam kryer. Puna flet për ju, dhe puna flet mua. Galeria flet për ju, Galeria flet për mua. Kam kryer punët e mia. Ne jemi një bord që kemi pasur një program”.

Në anën tjetër, ish-drejtori i Galerisë Kombëtare, Fahredin Spahija ka insistuar që Hoxha ta fliste të vërtetën.

“S’është e vërtetë që ka qenë jofunksional sepse të gjithë anëtarët kanë qenë aty. Jofunksional është kur mungojnë anëtarët e bordit”, është shprehur Spahija.

Në anën tjetër, ai e ka akuzuar Hoxhën që është emëruar vetëm për t’ia kryer punët Memli Krasniqit.

“Ti je emëruar anëtare e bordit dhe kryetare e bordit vetëm për t’ia kryer punën Memli Krasniqit. Ti je emëruar vetëm dy ditë pa më shkarkuar mua. Brenda dy dite ti i kuptove të gjitha?”, iu është drejtuar Spahija Hoxhës.

Për vërejtjet dhe ankesat që Hoxha i ka përmendur se kanë ardhur nga stafi , Spahija e pyeti disa herë me radhë arkitekten nëse i kishte studiuar ato.

“I keni mbyllur dyert për artistët e vendit”, ka thënë Spahija, teksa Hoxha tregon për ndryshimet sipas saj që kanë ndodhur në Galerinë Kombëtare në krye me Erzen Shoshkolin.

“Ti je persekutore e Memli Krasniqit. Ke nënshkruar dokumente për ta shkarkuar drejtorin. Kjo pozita jote politike është vetëm falë argatllëkut që ia ke bërë Memli Krasniqit dhe PDK-së”, ka vlerësuar Fahredin Spahija. /klankosova/ KultPlus.com

“Përtej” nga Fahredin Spahija shpalosë kërkimin e botës sureale në krijimin e artit (FOTO)

Gili Hoxhaj
Fotografitë nga Fahredin Spahija janë parë jo rrallë herë për publikun shqiptar, madje emri i tij është i vulosur në disa nga fotografitë më të mira që përmbajnë fytyra e pamje të rëndësishme të vendit.

22 fotografi të tij sonte erdhën në Galerinë “Monet”, të cilat përbënin ekspozitën që u hap sonte në këtë ambient. Muret e mbushura me fotografitë e këtij fotografi, kishin mbushur përplot galerinë sa depërtimi tek to po bëhej edhe më i vështirë. Mes përqafimeve e përshëndetjeve fotografi Fahredin Spahija po priste shumë artistë të fushave të ndryshme. Kësaj ekspozite nuk i munguan as studentët e artistit, të cilët ndanin përgëzimet e tyre për profesorin.

Fotografitë e tij kanë vetëm dy ngjyra, bardhë dhe zi por pozicionet në të cilat janë të vendosura subjektet e fotografisë së tij tregojnë për një gjallëri artistike, e një përkushtim në çdo detaj të fotografisë. Subjekt i fotografive të tij janë femrat, sytë e të cilave në pak raste shikojnë drejt aparatit. Mënyra se si fotografi Spahija i ka sjellë këto fotografi flasin për një dimension të veçantë artistik. Trupat e femrave vijnë nudo dhe përmes ngjyrës bardhë dhe zi. Rëndom mes trupit të tyre e fotografit ekziston një mjegullim që autori e ka vendosur përmes formave të ndryshme. Ato vijnë përmes pozicioneve të ndryshme por gati asnjëherë në të njëjtin pozicion dhe asnjëherë si tërësi. Gjithmonë është një anë që fshihet, për ta bërë të dukshme anën tjetër.

Kjo ekspozitë është e krijuar nga dy cikle, por e përbashkëta e tyre është pikërisht barriera e fotografit me subjektin e fotografisë së tij, pikërisht nga kjo specifikë, ekspozita edhe e ka marrë emrin “Përtej”.
“E kam emërtuar “Përtej” sepse të dy ciklet e kanë një të përbashkët, është gjithmonë një barrierë mes meje dhe subjektit që e trajtoj dhe unë gjithnjë shikoj përtej asaj barriere. Kjo mund të shpjegohet edhe në aspektin fizik si një barrierë, xham me strukturë, ndonjëherë plastikë me strukturë ndërsa në ciklin e fundit edhe akull natyral”, u shpreh Spahija për KultPlus, ndërsa shtoi se kjo ka një kuptim tjetër në aspektin artistik e që nënkupton kërkimin e tij artistik përtej reales në një botë tjetër, ndoshta sureale apo dhe abstrakte, atje ku ai thotë se e kërkon krijimin e artit të tij.

Fahredin Spahija ka tetë vite që nuk është paraqitur para publikut prishtinas, ndërsa thotë se ky ambient edhe e ka përmbushur synimin e tij se si do duhej të dukej ekspozita e tij.
“Dikur kanë ekzistuar vetëm dy galeri shtetërore, në të cilat nuk jam akoma i gatshëm të ekspozoj për arsye se aty është e përfshirë edhe politika. Tashmë janë krijuar kushte shumë të mira për shkak se janë hapur galeri private shumë të mira si është kjo këtu Galeria “Monet” e cila më është dukur shumë e përshtatshme për ekspozimin e fotografive”, u shpreh fotografi Spahija.

Për t’u dhënë pamjeve nudo aspektin artistik dhe për të mos kaluar limitin përtej kësaj, natyrisht që duhet një pjekuri dhe guxim artistik. Fotografi Spahija mendon se pikërisht kur arrihet pjekuria artistike, artisti dhe guxon më shumë sepse është më i vetëdijshëm që nuk mund të bëjë gabime. E kjo e bën që artisti ta kuptojë sinjalin se ku është limiti i punës në një fotografi.
“Në temën e nudove është shumë e rëndësishme që mos ta dëmtosh subjektin pasi që është një temë shumë delikate, artisti mund edhe ta kalojë edhe vijën e kuqe që nga estetika ta dërgojë në erotikë apo fotografi”, tregoi Spahija për KultPlus.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe poetja nga Shqipëria, Elona Çuliq e cila thotë se është privilegj të flasësh për një fotograf si Fahredin Spahija, veçmas bazuar në faktin që edhe ka qenë një nga personazhet e fotografisë së tij.
“E kam parë se si ai punon, çfarë e frymëzon, çfarë i jep vëmendje dhe përkushtim shkrepjes së fotografisë që për të nuk është vetëm një proces që duhet të përfundohet por është një frymëzim dhe vëmendje maksimale ndaj personazhit dhe vendit ku bëhet fotografia. Në këtë ekspozitë e shoh Fahredinin saktë përtej duke abstragu me nudizmin që është një temë aq delikate në aspektin social dhe kulturor dhe e pëlqej se si Fahredini i qaset kësaj teme dhe e sjellë tek ne”, u shpreh Elona Çuliq për KultPlus, e tha se e veçanta e punimeve të këtij fotografi është se ato të bëjnë të mendosh dhe kur një fotografi të bën të mendosh, ky është sinjali që ajo e ka arritur qëllimin e saj.

Artisti, Artan Balaj tha për KultPlus se punimet e Fahredinit e kanë gjithnjë një pamje pak më ndryshe prej fotografive të zakonshme ndërsa kësaj here kjo bëhet edhe më e theksueshme për shkak të mënyrës së fotografimit dhe ngjyrave bardhë dhe zi por edhe me anë të teksturave që përdoren për ta mjegulluar fotografinë e që sipas tij ia shtojnë edhe më tepër sharmin fotografive të tij.
Të gjithë ata që duan ta shohin ekspozitën e fotografit Fahredin Spahija, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fillim të muajit tjetër, deri më datë 4 prill./ KultPlus.com

Fahredin Spahija sonte sjellë ekspozitën “Përtej”

Fotografi kosovar, Fahredin Spahija do të sjellë ekspozitën personale të titulluar “Përtej”, shkruan KultPlus.

Fotografi Fahredin Spahija do të sjellë punimet e tij në ekspozitën që do të hapet të mërkurën në Galerinë “Monet”.

Ekspozita hapet sonte, më 21 mars duke filluar nga ora 20:00, për të qëndruar e hapur deri më 4 prill./KultPlus.com

Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”, unifikoi veçantitë artistike të katër fotografëve shqiptarë

Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.

Gili Hoxhaj

Bukuritë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ishin bashkuar në një hapësirë te vetme, në ekspozitën humanitare “Explore Kosovo”, që u hap sonte në Prishtinë, shkruan KultPlus. Kjo ekspozitë theksonte veçantitë artistike të katër fotografëve të shquar shqiptarë, të cilët kishin bashkuar punën e tyre me qëllim humanitar e artistik. Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami sollën fotografitë të cilat ngërthenin peizazhe, bukuria e të cilëve ishte theksuar me mjeshtëri të rrallë përmes aparatit të këtyre katër artistëve.

Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për ti ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite. Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo” , ka qenë ide të cilën fotografi Bujar Gashie kishte bartur për shumë kohë me vete, ndërsa për ta sjellë edhe më të fuqishme këtë ekspozitë, ai kishte ftuar edhe tre kolegë të tjerë që t’i bashkohen me punimet e tyre artistike.

“Ka qenë një ide të cilën e kam pasur shumë më herët, por nuk kam dashur që ta sjellë i vetëm, kam dashur që në këtë ekspozitë t’i mbledh disa fotografë të cilët i japin forcë dhe ngjyrë ekspozitës dhe nuk besoj se këtë mund ta bënte dikush më mirë se Fahredin Spahija, Arben Islami Bujar Gashi dhe Arben Llapashtica. Kam gjetur përkrahje tek ta dhe tek vendi “Princi i Arbërit”, të cilët më kanë financuar në organizimin e ngjarjes në këtë hapësirë”, tha fotografi Gashi për KultPlus.

Vizitorët drejtonin sytë tek fotografitë, duke u takuar me veçantitë artistike të fotografëve, mirëpo pa u ndeshur me emrat e tyre. Vetëm ata që kishin shijuar edhe më parë punën e tyre, arrinin të identifikonin pronësinë e fotografisë. Kjo ekspozitë e cila ngërthente në vete gjashtëmbëdhjetë punime, numëronte katër punime nga secili autor. Ato nuk përmbanin një renditje strikte, që bënin publikun të kaloj nga një stinë në tjetrën, duke udhëtuar vizualisht në disa nga vendet më të bukura të Kosovës.
“Me këtë bashkëpunim, jemi si një trup i vetëm, si një fotograf që paraqet vlera. Pra, të mos ketë ndarje brenda ekspozitës, por që vizitorët vet t’i gjykojnë punimet”, shpjegoi Bujar Gashi për KultPlus.

Fotografi Fahredin Spahija tregoi për KultPlus se për ekspozimin e punës së tij në këtë ekspozitë fillimisht është tërhequr nga motivi humanitar dhe artistik, ndërsa në këtë ekspozitë ai shfaq edhe një lidhje shpirtërore me vendlindjen e tij.

“Natyrisht se kam përkrahur menjëherë ketë ekspozitë pasi që motivimi humanitar ishte shumë i fuqishëm dhe natyrisht që ne fotografët kemi edhe motivin artistik që ta hapim një ekspozitë më shumë që edhe publiku të vijnë publiku dhe ta shohin punën tonë. Këto dy motive ishin të mjaftueshme për ta ekspozuar punën time në këtë ekspozitë, ani pse unë nuk cilësohem si fotograf i peizazheve por meqë bëj herë pas herë peizazhe të dimrit, unë i hyra arkivit dhe u mundova të gjej katër peizazhe që unë i kam realizuar në Bjeshkët e Bajgores, prej nga unë edhe vij. Në këtë ekspozitë desha të sjellë diçka më personale dhe më intime, sepse janë pjesë që unë i kam vizituar si fëmijë dhe kënaqësitë e para me borë i kam përjetuar pikërisht në atë vend. Shpresoj që ashtu siç jemi bërë ne solidar me dhurimin e këtyre fotografive, të bëhet solidar edhe publiku dhe të blejnë të paktën një fotografi”, tha fotografi Fahredin Spahija.

Fotografi Arben Llapashtica, i cili po ashtu shquhet për stilin e tij të veçantë të fotografive tregoi për KultPlus se nuk do t’i reshtin përpjekjet që edhe më tutje të kontribuojnë në qëllime humanitare dhe në provimin e bukurisë së Kosovës.

“Për mua është hera e parë që marr pjesë në një ekspozitë të tillë dhe njëkohësisht është edhe kënaqësi shumë e madhe që t’i dhuroj fotografitë e mija për qëllime humanitare. Falënderoj Bujarin dhe kolegët e tjerë fotografë me të cilët sollëm një ekspozitë të përbashkët sonte, ndërsa do të mundohemi që edhe më tutje përmes punimeve tonë t’i shërbejmë po këtij qëllimi. Kështu me anë të punimeve tona të kontribuojmë në qëllime humanitare dhe njëkohësish t’i promovojnë edhe pjesët e bukura të Kosovës dhe ta sjellim sa më afër publikut edhe trashëgiminë tonë të pasur kulturore”, tha fotografi Llapashtica.
Ekspozita humanitare “Explore Kosovo”është një ekspozitë një ditore e cila qëndroi për tri orë e hapur në hotelin “Princi i Arbërit” në Prishtinë/ KultPlus.com