Fahri Beqiri përkujtohet nga Kori i Filharmonisë së Kosovës, Jashari: Ai ishte i gjithë neve, i gjithë popullit shqiptar

Era Berisha

Dy vepra korale të jashtëzakonshme shqiptare si “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu”, sot u interpretuan nga Kori i Filharmonisë së Kosovës në Kino Armata, me rastin e kthimit të një kujtimi për personalitetin që vuri themelet e artit në Kosovë, Fahri Beqirin, i cili vdiq muajin e kaluar duke lënë pas vetes muzikën e familjen e tij me kujtime të veçanta nga kontributi i tij në promovimin e vlerave muzikore autoktone dhe ngritjen e tyre në nivel të lartë artistik, shkruan KultPlus.

Pasi që të pranishmit zunë vendet e tyre në karrige, Kori i Filharmonisë së Kosovës u shfaq me veshje të zeza dhe u shoqërua me një heshtje absolute teksa ata dilnin në skenë një nga një. Një errësirë që bashkëpunonte me dritat e bardha sipër skenës të cilat fokusoheshin mbi secilin anëtarë të Korit, vinin në pah lëvizjet e tyre kur ata performuan në mënyrë mahnitëse dy veprat e njohura shqiptare.

Veprat si: “Erdh Misiti” dhe “Shkoi e vij fluturim si zogu” të Fahri Beqirit, nën dirigjimin e Hajrullah Sylës, u interpretuan në skenë për të nderuar figurën e kompozitorit të shquar shqiptar dhe ish-profesorit të Universitetit të Prishtinës, i cili vdiç në moshën 85 vjeçare, e i cili i ka dhënë frymë krijimtarisë simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi. Andaj, këto dy vepra pothuajse përqafonin dhimbjen e familjarëve të pranishëm duke i rrethuar ata komplet me zëra që jehonën e tyre e futën direkt në brendësinë emocionale njerëzore të publikut.

Ndërkohë, pas performimit të tyre që pasoi me duartrokitje të shumta, për të biseduar tutje rreth jetës muzikore në Kosovë që është gjallëruar nga aktivizimi i pashoq i Fahri Beqirit, të pranishëm ishin: kompozitori, dirigjenti e drejtori i Filharmonisë së Kosovës Baki Jashari, kompozitori dhe etnomuzikologu Vasil Tole dhe muzikologja Rreze Kryeziu.

Një projektor që vazhdimisht shfaqte fotografi të Beqirit, një tavolinë, tri karrige dhe tri zemra njeriu ishin të mjaftueshme për shpalosjen e humbjes së madhe në aspektin e muzikës klasike dhe asaj popullore shqiptare ku nën moderimin e Dardan Selimaj, u flit për fanatizmin e Beqirit dhe dominimin e veprave të tij që ngërthejnë në vete vlera antologjike.

“Fahri Beqiri ishte i gjithë neve, i gjithë popullit shqiptar. Vdekja e tij është një humbje e madhe për artin muzikor kosovar dhe kontributi i tij voluminoz përfshin tri fusha bazike të zhvillimit të muzikës artistike në Kosovë si: krijimtaria e tij origjinale në muzikën simfonike, kamorale, korale e solistike, fusha pedagogjike si dhe angazhimi në zhvillimin e muzikës së mirëfilltë popullore”, thotë Jashari.

Sipas tij, përmes punës të jashtëzakonshme e të palodhshme të Beqirit, ai ka arritur të themeloi e të udhëheqë shumë ansamble e festivale të ndryshme në mbarë vendin ku ai do të mbahet mend për punën e tij kolosale në fushën pedagogjike dhe ndikimin e fuqishëm të tij në krijimin e shumë brezave profesionistë.

“Personaliteti i tij ka peshë dhe rëndësi të veçantë dhe vlen të theksohet angazhimi i tij afatgjatë në përgatitjen e parakushteve në tërë vertikalin e sistemit arsimor muzikor, ndërsa ndërlidhja me Filharmoninë në anën tjetër është kujdesur në vazhdimësi për interpretimin e veprave të Beqirit, të cilat zënë vend të rëndësishëm në trashëgiminë muzikore kombëtare”, thotë Jashari.

Për Jasharin, veprat kolosale të Beqirit, konsiderohen vepra të muzikës artistike kombëtare dhe nuk është e rastësishme që përpunimi i këngës popullore ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, është interpretuar sot, për arsye se kjo vepër zë vend në antologjinë e muzikës korale evropiane të botuar në vitin 2007.

“Nuk ishte rastësi që pikërisht vepra ‘Shkoi e vij fluturim si zogu’, një ikonë e muzikës simfonike kosovare, ka zënë vend qendror në koncertin e madh festiv të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me 17 shkurt 2008, nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Andaj, Filharmonia e Kosovës do ta përkujtojë Fahri Beqirin për ardhjen e tij të rregullt në koncerte me këshillat e tij dashamirëse”, përfundon Jashari.

Ndërkohë, një mesazh virtual nga Tirana erdhi nga kompozitori e etnomuzikologu Vasil Tole, i cili kryesisht përkujtoi Fahri Beqirin duke e nderuar figurën e tij dhe cilësuar krijimtarinë e tij si një krijimtari unike e shtrirë në trevat shqiptare. Ndërsa, muzikologja Rreze Kryeziu, në mënyrë kronologjike ka folur rreth krijimtarisë artistike të Beqirit.

Po ashtu, moderatori bëri të ditur se momentalisht e gjithë krijimtaria e Beqirit është përmbledhur në një CD, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe së shpejti do të jetë në dispozicion të publikut pasi që projekti ende nuk është konkretizuar.

Kështu krejt në fund, për të përmbyllur këtë ngjarje, në emër të Fakultetit të Arteve është ndarë një mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm të Beqirit nga dekani i Fakultetit të Arteve, Drinor Zymberi.

Fahri Beqiri, drejtues festivalesh e institucionesh si dhe profesor, ka vdekur me datë: 18.05.2021. Kompozitori i veprave korale si: ”Erdh Misiti”, ”Migjenit”, ”Kënga e rinisë”, ”Madrigali i Ibrit plak”, ”Moj e mira”, ”Shkoj e vij flutrim si zogu”, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me medaljen Presidenciale të meritave si dhe çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. / KultPlus.com

Osmani për Beqirin: Kompozitor brilant që ndërlidhi klasikën me muzikën tonë popullore

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i ka shprehur ngushëllime familjes dhe komunitetit kulturor për ndarjen nga jeta të profesorit e kompozitorit Fahri Beqiri, përcjellë KultPlus.

Sipas Osmanit, Beqiri do të mbetet referencë për brezat dhe do të mbahet mend për punën e tij akademike.

“Kompozitori brilant që ndërlidhi klasikën me muzikën tonë popullore, profesor Fahri Beqiri, sot iku nga kjo botë. Ai la pas një sërë veprash korale, të cilat do të mbeten referencë për brezat, porse do të mbahet mend edhe për punën e tij akademike, sikurse edhe në disa institucione të tjera në të cilat shkëlqeu me punën dhe angazhimin e tij”, thuhet të mesazhin e Presidentes Osmani.

Ajo ka theksuar se shuarja e profesor Beqirit është humbje e madhe për të gjithë e posaçërisht për komunitetin kulturor. / KultPlus.com

MKRS për Fahri Beqirin: Promovoi e ngritit në nivel të lartë artistik muzikën autoktone – shqiptare

Ka vdekur sot në moshën 85-vjecare, kompozitori i shquar shqiptar dhe ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Fahri Beqiri.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate kanë shprehur ngushëllimet e tyre për ikjen e kompozitorit, duke e cilësuar si një humbje të madhe për vendin.

Kjo është letra e plotë nga MKRS:

Ndërroi jetë kompozitori, pedagogu i madh i Kosovës, Fahri Haxhibeqiri.

Një figurë emblematike e kompozimit të shekullit 20 dhe filleve të gjeneratave të para të kompozimit në Kosovë, me veprimtari të bujshme që ndihmoi në zhvillimin e gjithëmbarshëm të krijimtarisë dhe prodhimit muzikor.

Fahri Haxhibeqiri u lind në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës. Rrugëtimin e tij profesional e fillon në shkollën e mesme të muzikës në Prizren për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në vitin 1970 Haxhibeqiri diplomon në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”, vepër debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori por për krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në tërësi.

Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionist në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës, e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit Muzikor ku deri në vitin 2011 ishte i angazhuar në procesin e mësimdhënies.

Fahri Haxhibeqiri, kompozitor i veprave si ‘Erdh misiti’, ‘Kënga e rinisë’, ‘Madrigali i Ibrit plak’, ‘Moj e mira’, ‘Shkoj e vij flutrim si zogu’, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre. Beqiri kompozitori i Scherzo’s, Allaturka-s e më pas edhe i veprave si kuinteti frymor dhe sonatës për klarinet të cilat së bashku me poemën simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike. Në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Haxhibeqiri kishte transformimin kreativ artistik të idiomit kombëtar.

Krahas punës së suksesshme krijuese me vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, Fahri Haxhibeqiri shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë. Drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës tek Radio Prishtina e Ansambli i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’. Ai është themelues i festivaleve si “Takimet e talentëve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio Prishtinë, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë.

Tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend. Padyshim, dominimi i vlerave të trashgëmisë sonë shpirtërore dallojnë Haxhibeqirin për fanatizmin e tij të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës sonë autoktone – shqiptare dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë artistik.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me Medaljen Presidenciale të Meritave si dhe çmimin kombëtar për vepër jetësore ‘Niketë Dardani’.

Fahri Haxhibeqiri do të vazhdoj të jetë njëra nga figurat më të nderuara në Kosovë, përjetë. / KultPlus.com

Rafet Rudi: Fahri Beqiri, personazh emblematik i muzikës sonë

Ka vdekur sot në moshën 85-vjecare, kompozitori i shquar shqiptar dhe ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Fahri Beqiri.

Vdekja e tij ka pikëlluar familjen, miqtë e gjithë ata që e njohën. Me këtë rast, pikëllimin e tij përmes disa fjalëve e ka shprehur edhe kompozitori dhe miku i tij Rafet Rudi.

Rudi është shprehur se Beqiri do të mbahet mëndi si personalitet i veçantë i botës së muzikës shqiptare në Kosovë.

Tutje, Rudi ka shkruar se Fahri Beqiri ishte zëri i parë kritik, që vërente çdo detaj të rëndësishëm në realizimin e koncertit, dhe asnjëherë nuk hezitonte që ta thotë drejtpërdrejt.

Për më tepër, po e sjellim postimin e plotë të Rafet Rudit:

Kompozitori Fahri Beqiri, sigurisht gjatë do të mbahet mend si personalitet i veçantë i botës së muzikës shqiptare në Kosovë. Ai i takon dy botërave të muzikës sonë – muzikës klasike dhe muzikës popullore. Në të dyja ai ka arritur majat.

Në fillim të karrierës së tij ai i kushtohet muzikës klasike. Shkruan disa vepra, ndër të cilat veçohen Sonata për Klarinet dhe piano, Kuntetit frymor dhe Poema dramatike “Skenderbeu”, dhe secila prej tyre është kryevepër e gjinisë respektive. Në kohën kur u krijuan, ato zgjuan vëmendjen e profesionistëve të të gjitha qendrave të mëdha jugosllave. Me këtë, për herë të parë muzika klasike kosovare dhe niveli i saj profesional bëhet konkurruese në ambientin kulturor jugosllav.

Pas kësaj, krahas punës si Profesor në Akademinë e Muzikës, ai i përkushtohet segmentit tjetër të krijimtarisë, të cilën e njihte shkëlqyeshëm – muzikës popullore, si aranzher, kompozitor, udhëheqës i ansambleve popullore, udhëheqës i festivaleve të muzikës popullore. Në pesëdhjetë vjetët e fundit, Fahri Beqiri, me të drejt, konsiderohet baba shpirtëror i muzikës popullore shqipe në Kosovë-autoritet ipakontestueshëm.

Ambienteve tona koncertore dhe artistëve që performonin në të, sigurisht do t’i mungoj njeriu që ishte dëgjues i pashmangshëm dhe çuditërisht i pasionuar.

Fahri Beqiri ishte zëri i parë kritik, që vërente çdo detaj të rëndësishëm në realizimin e koncertit, dhe asnjëherë nuk hezitonte që ta thotë drejtpërdrejt. Ne, që ishim në skenë, të gjithë i besonim fjalës së tij, meqë e thonte njeriu që dëgjonte jashtë mase, me aftësi absolute. Mbi të gjitha, e thonte njeriu më dashamirës dhe më i sinqert i botës sonë muzikore. / KultPlus.com

Vdiq kompozitori i shquar Fahri Beqiri

Ka vdekur kompozitori i shquar shqiptar dhe ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Fahri Beqiri.

Beqiri ka vdekur sot në moshën 85-vjeçare.

Homazhe për Beqirin do të bëhen sot në ora 15:00 te Teatri Kombëtar.

Fahri Beqiri u lind në vitin 1936 në qytetin e Mitrovicës. Rrugëtimin e tij profesional e filloi në shkollën e mesme të muzikës në Prizren për t’i vazhduar studimet në Akademinë e Muzikës në Beograd. Në vitin 1970 Beqiri diplomoi në drejtimin e kompozimit, me poemën e tij të njohur simfonike “Skënderbeu”, vepër debutuese simfonike jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori por në tërë krijimtarinë e re simfonike kosovare e shqiptare në përgjithësi.

Si përfaqësues i gjeneratës së dytë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës dhe ndër kompozitorët e parë profesionist në vend, kontributi i tij i menjëhershëm lidhet me punën pedagogjike fillimisht në Shkollën e Lartë Pedagogjike, ku pjesë përbërëse e saj ishte edhe Dega e Muzikës e më pas me hapjen e Fakultetit të Artit Muzikor kaloi atje dhe deri në vitin 2011 ishte i angazhuar në procesin e mësimdhënies.

Fahri Beqiri, kompozitor i veprave korale si Erdh Misiti, Migjenit, Kënga e rinisë, Madrigali i Ibrit plak, Moj e mira, Shkoj e vij flutrim si zogu, këngë këto të cilat i gjejmë edhe në repertorin e zhanreve të tjera muzikore, duke rritur edhe më tepër popullaritetin e tyre.

Beqiri kompozitori i Scherzo’s, Allaturka-s e më pas edhe i veprave si kuinteti frymor dhe sonatës për klarinetë të cilat së bashku me poemën simfonike “Skënderbeu” u emëruan nga muzikologjia kosovare si vepra me vlerë antologjike. Në tërë opusin e tij krijues, fokus kryesor Beqiri kishte transformimin kreativ artistik të idiomit kombëtar.

Krahas punës së suksesshme krijuese më vlera artistike të ngritura e të qëndrueshme në kohë, Fahri Beqiri shquhet për aktivizmin e pashoq në jetën muzikore në Kosovë.

Ishte drejtues i institucioneve më të rëndësishme të kulturës në vend, nga Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës tek Radio Prishtina e ansambli nacional i këngëve dhe valleve “Shota”. Ai është themelues i festivaleve si “Takimet e talentëve të Kosovës”, “Akordet e Kosovës” dhe “Kosovarja këndon”, kryeredaktor në Radio Prishtinë, dirigjent i korit dhe orkestrës frymore në Mitrovicë, tërë aktiviteti i tij është i lidhur ngushtë me organizimin, promovimin e muzikës në vend. Padyshim, dominimi i vlerave të trashgëmisë sonë shpirtërore dallojnë Beqirin për fanatizmin e tij të jashtzakonshëm në ruajtjen dhe promovimin e vlerave të muzikës sonë autoktone – shqiptare dhe ngritjen e saj në nivelin më të lartë artistik.

Puna e tij pedagogjike, artistike dhe krijuese, është dekoruar me dhjetëra mirënjohje komunale, krahinore, federative dhe së fundmi është nderuar me medaljen Presidenciale të meritave si dhe çmimi kombëtar për vepër jetësore “Niketë Dardani”. / KultPlus.com

Filharmonia e Kosovës me lojë bindëse udhëtoi në vepra të huaja e vendore

Gili Hoxhaj
Fotografitë: Arben Llapashtica

Kur harkorët e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës vijnë e zënë vendet e tyre në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ata e gjejnë të gjithë sallën e mbushur me publik. Duartrokitjet e tyre kur përballë u vjen dirigjenti Oscar Rubilar, tregojnë se tashmë janë gati për t’u zhytur në programin e këtij koncerti. Dirigjenti Oscar Rubilar që zhvillimin muzikor e ka marr nga Kili, Zvicra e Mbretëria e Bashkuar, përballë orkestrës kosovare po vinte për herë të parë.

Instrumentistët vendosin harkun e tyre mbi instrumente veç kur dirigjenti Rubilar shtrin duart në një largësi jo fort të afërt me trupin. Rrugëtimi muzikor nis me veprat franceze të kompozitores e pianistes Françoise Chevaux që në Prishtinë kishte ardhur me ftesë të Filharmonisë së Kosovës dhe Ambasadës Franceze në Kosovë.

“Simfonia Indigo Op.2- për orkestër harkore” eci nëpër një ritëm të qetë e depërtues. Vepra e cila erdhi premierë në Prishtinë është luajtur më parë nga orkestra të Frances, Brazilit e Rusisë. Kompozitorja këtë vepër e kishte shkruar në një fshat të quajtur Flandres, menjëherë pas kthimit nga studimet që i kishte përfunduar në New York. Kjo dëshmon se ajo në çdo partiturë ka vendosur emocionet e saj të udhëtimeve e është dhënë fort pas muzikës kamertale.

Kompozitorja e pianistja Françoise Chevaux numëron gati 170 vepra të shkruara të cilat janë interpretuar në Francë, Amerikë e Azi. Mbrëmë në Kosovë si soliste interpretoi veprën e saj “Concerto d’hiver- për piano dhe orkestër”, duke lënë në Prishtinë lojën e saj të fundit si pianiste, pasi që me këtë interpretim përmbylli karrierën e saj pianistike.

Pianistes e kompozitores Chevaux nuk i duhej partitura mbi piano, ajo e zhytur tërësisht në lojën e veprës së saj derdhi mjaft pasion e dëshmoi një teknikë precize e komunikim të saktë me orkestrën. Loja e harkorëve dukej sikur ishte e paraparë të ngjante fluska më të dendura të borës, e duke krijuar një atmosferë dimri, ashtu siç e kishte projektuar vet pianistja e kompozitorja. Kur kjo lojë zhytej me atë në piano krijonte një gërshetim mes atmosferës jashtë dhe brenda shtëpisë gjatë kohës së dimrit, ku ftohtësia e dimrit plotësohej me ngrohtësinë e tingujve nga piano. Gjatë interpretimit të veprës, duart e dirigjentit në jo pak raste, do të ngriheshin për të përqendruar tërë vëmendjen tek loja e pianistes, e cila tha se u ndje shumë e lumtur tek interpretoi për herë të parë para publikut të Prishtinës.

“Kjo orkestër është e mrekullueshme dhe luan në mënyrë të natyrshme. Ishte kënaqësi të luaja me ta sonte, ishte një nga bashkëpunimet më të rralla. Këtu atmosfera ishte shumë e ngrohtë dhe çka më gëzon më së shumti është prania e shumë të rinjve”, u shpreh pianistja franceze Chevaux.

“Poema dramatike “Skënderbeu” e shkruar para 50 vitesh më parë nga Fahri Beqiri, në shënim të 500 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut , mbrëmë erdhi në nderim të figurës së Skënderbeut në 550 vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar. Nga veprat e kompozitores franceze, kjo vepër solli gjithë orkestrën në skenë, lojë e të cilëve zhytej në doza të dramaticitetit e të dërgonte në një kohë më të largët, ku interaktiviteti i instrumentistëve me instrumentet të dërgonte në një përballje mes dy palëve. Pas interpretimit të veprës, para të pranishmëve doli vet kompozitori Beqiri i cili i veshur kuq dhe zi, përshëndeti të pranishmit me krijimin e simbolit të shqiponjës.

Kompozitori Beqiri tregoi për KultPlus se në vepër luftojnë dy tema ardhja e pushtuesve otoman dhe fuqizimin e Skënderbeut. Ai tha se ndihet i lumtur që ka arritur ta përjetoi interpretimin e veprës edhe pas 50 vitesh në këtë vit jubilar.

“Vepra është shkruar në vitin 1968 mirëpo është ekzekutuar në Beograd dy vite më vonë, e më pastaj në vende të tjera të botës. Këtu përshkruhet ardhja e fuqishme otomane pasi që ka qenë fuqi që e ka shkelur jo vetëm Ballkanin por edhe vende të tjera, mandej përshkruhet dalja e Skënderbeut që si i vogël dhe fuqizohet edhe më shumë”, tha mes të tjerash Beqiri. Krejt në fund Beqiri u shpreh se ndihet i kënaqur me interpretimin e orkestrës dhe sipas tij dirigjenti ka nderuar të gjitha kërkesat që ai para 50 vitesh i kishte vendosur në këtë vepër.

Pjesa e dytë e koncertit vazhdoi edhe me një vepër tjetër nga një instrumentist nga Kosova. Përmes lojës së orkestrës së Filharmonisë së Kosovës erdhi një depërtim i thellë melodish që kompozitori Mendi Mengjiqi e kishte shkrirë në veprën “Dhimbje simfonike”, vepër kjo e cila ka marrë çmimin për “Vepër orkestrale, simfonike dhe koncertale” në konkursin e MKRS-së.

Krejt në fund koncerti, orkestra solli frymën e Brahmsit në interpretimin e veprës “Uvertura Tragjike Op.81”, të cilën kompozitori gjerman e kishte shkruar në verën e vitit 1880.

Profesori Zeqirja Ballata ishte në mesin e shumë të pranishmëve që ndoqën këtë koncert deri në veprën e fundit. Profesori Ballata tha se e cilëson si një mbrëmje interesante te kombinuar me autorë vendor e të huaj.

“Jemi të nderuar që patëm një pianiste modeste por shumë të aftë dhe veprat e të cilës tregonin edhe për traditën e kulturën e lashtë franceze, po ashtu dirigjenti dëshmoi se është një dirigjent me perspektivë. Vepra e Fahri Beqiri është një vepër shumë e popullarizuar dhe e afërt që përputhet me tematikë orientale që shpreh një jetë të vështirë me shumë pasoja për popullin shqiptarë dhe triumfin e pavarësisë”, u shpreh Ballata për KultPlus.

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës do të përmbyllë këtë vit me Koncertin e Vitit të Ri që do të mbahet më 23 dhjetor në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë./ KultPlus.com