MKRS: Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të veprimtarit Fahri Buçinca

E nderuara familja Buçinca,

Me pikëllim të thellë e mora lajmin se është ndarë nga jeta i dashuri i juaj, veprimtari i shquar Fahri Buçinca.

Jo vetëm ju si familje por ne si Kosovë humbëm një prej njerëzve më të dashur e më të vlerësuar në fushën e arsimit. Fahriu ka qenë intelektual i cili ka dhënë kontribut të madh përmes shkrimeve publicistike. Kontribut të veçantë ka dhënë me botimin e fejtoneve në fushën e arsimit, kulturës e trashëgimisë kulturore.  Po ashtu, Fahriu me angazhimin e tij kontribut të çmuar ka dhënë edhe për arsimimin dhe emancipimin e femrës shqiptare.

Ikja e tij nga kjo botë ka lënë një boshllëk të madh në shoqërinë tonë.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës.

Ngushëllime familjes, miqve, bashkëpunëtorëve dhe dashamirëve të Fahri Buçincës.
/ KultPlus.com

Vdes Fahri Buçinca, njeriu që jetën ia kushtoi emancipimit dhe shkollimit të gruas shqiptare

Ka vdekur sot veterani i arsimit Fahri Buçinca, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur këngëtari Ledri Vula, njëherit nipi i Buçincës.

Duke publikuar një imazh në prehrin e gjyshit, Ledri shkroi: Kurr ma ne prehnin tond gjysh.

Fahri Bucinca dhe bashkëshortja e tij Naxhije Buçinca njihen si çifti që pjesën më të madhe të jetës së tyre ia kushtuan emancipimit dhe shkollimit të gruas shqiptare. Madje edhe në ditët më të vështira kur populli shqiptar ishte i shtypur nga pushtuesit serb, ata u fokusuan në gjetjen e vajzave që nuk lejoheshin nga kryefamiljarët të shkonin në shkollë.

Për të nderuar kontributin e tyre dhënë në fushën e arsimit dhe në emancipimin e gruas, komuna e Vushtrrisë, Qendrës Rinore të Qytetit ia ka dhënë emrin “Naxhije e Fahri Buçinca”, çifti që dha aq shumë nga vetja për qytetarët e kësaj komune. / KultPlus.com