Kurti në përvjetorin e rënies së Zhitisë e Fazliut: S’harrojmë kurrë nga vijmë, punën kryesore e bënë dëshmorët

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e kuvendit, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te varret e heronjve Afrim Zhitia e Fahri Fazliu në përvjetorin e 35-të të rënies heroike të tyre.

Kurti tha se saktësisht para 35 vjetëve, mbi gjashtë orë kanë zgjatur luftimet në lagjen “Bregu i Diellit” tek hyrja e tretë tek blloku i tretë, ku luftuan Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, derisa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore serbe nga atdheu.

“Afrimi dhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta, udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë. Viti 1989 ka qenë vit i demonstratave të fuqishme të shpeshta gjithandej Kosovës. Një ditë para se të bien heroikisht, kanë marrë pjesë në demonstratën e 1 nëntorit të vitit 1989, meqë masës demonstruese i është drejtuar Afrim Zhitia.

“Në Kosovë po fillonte aparteidi i Serbisë, pas okupimit klasik që e pasoi heqjen edhe të asaj autonomie që kishim, ndërkaq Evropa po çlirohej, pasi një javë më vonë do të shembej Muri i Berlinit. Kur Evropa po çlirohej nga diktatura dhe po bashkohej, në Kosovë po niste aparteidi”, tha Kurti, njofton Klankosova.tv.

Më tej, ai tha se në ato rrethana janë kalitur veprimtarët më të denjë, luftëtarët më të paepur dhe heronjtë e popullit të Kosovës, siç janë Afrim Zhitia e Fahri Fazliu.

“Ne nuk e harrojmë asnjëherë nga vijmë dhe nuk e harrojmë se pjesën më të madhe të punës dhe kryesore e kanë kryer dëshmorët e kombit. Ndërkaq, neve të tjerëve na ka ngelur një pjesë e rëndësishme e punës, por megjithatë, shumë më e vogël sesa e atyre dhe ajo çfarë duhet të bëjmë tash është që të japim maksimumin në rrugën që na kanë ndriçuar ata”,  tha Kurti.

Çitaku: Unë dhe gjenerata ime jemi rritur me lavdinë e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut

E mbajë mend si sot 2 Nëntorin e vitit 1989.

Lajmin për vrasjen e Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut e dëgjuam në lajme. Sigurisht, unë nuk kisha dëgjuar më herët për ta. I mbajë mend lotët e nënës dhe pikëllimin e thellë në sytë e babit tim.

“Kanë qenë studentë shumë të mirë”, “Kanë qenë në përfshirë në ilegale”, “Janë vrarë duke luftuar” janë disa nga fjalët që përshpëriteshin në shtëpi.

Unë isha e vogël për të kuptuar tërësisht se cka kishte ndodhur. Por isha mjaftë e rritur sa për ta pasur të qartë që dicka e madhe kishte ndodhur. Për herë të parë dëgjoja se dikush nga ne kishte luftuar.

Të nesërmën, bashkë me disa shoqe të lagjes shkuam tek vendi në Breg të Diellit ku kishin rënë Afrimi dhe Fahriu. Jo se e kishim shumë të qartë se çfarë kishte ndodhur, ne nuk e dinim rolin e Afrimit dhe Fahriut në lëvizjen tonë kombëtare. Por, ndonse fēmijë, e dinim mirë që dicka e jashtëzakonshme kishte ndodhur.

Unë dhe gjenerata ime jemi rritur me lavdinë e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut. Dy studentët shembullorë na mësuan që lirija kombëtare dhe politike është parakusht për krijimin e çdo vlere tjetër.

Lavdi ju qoftë përjetë! Heronjë. /KultPlus.com