KATËR DOAJENËT E MJEKËSISË – FAQEBARDHËSIA E GJAKOVËS!
1. Prof.Dr.Sci. HYSEN UKMATA (1928-2008)
Pas kryerjes së fakultetit më 1958, u punësua në shtëpinë e shëndetit dhe pas një kohe të shkurtër, u emërua si drejtor i saj dhe ushtroi këtë post deri më 1961. Prej vitit 1962 deri më 1965 kreu specializimin në Mjekësinë Interne. Më 1967 filloi subspecializimin në Endokrinologji në qytetin e Romës, Itali.
Më 1971 u zgjodh ligjërues në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë e më tej, më 1972 u zgjodh Docent Doktor i Mjekësisë Interne.
Më 1976, mbrojti temën e doktoraturës me titull: ‘’Karakteristikat epidemiologjike dhe klinike të diabetit në Kosovë 1963-1972’’. Pasi që u doktorua, ai u zgjodh profesor Inordinar dhe udhëheqës i katedrës së Mjekësisë Interne në dy mandate ndërsa, punoi edhe si drejtor i Klinikës Interne po në Prishtinë. Më 1979 u bë prodekan i Fakultetit të Mjekësisë dhe më 1989 filloi të punonte si profesor Ordinar në Fakultetin e Mjekësisë
Doktor Hysen Ukmata kreu edhe detyra tjera si p.sh. Kryetar i Shoqatës së Endokrinologëve të ish – Jugosllavisë, anëtar i Forumit Evropian për studimin e Diabetit (EASD) madje edhe kontribuoi gjatë organizimit të Fakultetit të Mjekësisë pas dëbimit të regjimit serbosllav.
Profesor Ukmata punoi gjer në vitin 2003, si profesor ordinar në Fakultetin e Mjekësisë. Dr. Hysen Ukmata u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja e Kosovës.
2. Prof.Dr.Sci. RIZA BINISHI (1938-2011)
Pas kryerjes së fakultetit, filloi punën në Spitalin Rajonal ‘’Isa Grezda’’ të Gjakovës. Magjistraturën e kreu më 1976, ndërsa doktoraturën më 1979, kur edhe fitoi titullin Doktor i Shkencave Mjekësore. Në vitin 1980 Dr. Riza Binishi u zgjodh si Profesor.Inordinar në Fakultetin e Mjekësisë, ndërsa profesor Ordinar u zgjodh në vitin 1990.
Punoi dhe shërbeu në mënyrë të palodhshme si udhëheqës i Repartit të Kirurgjisë Abdominale më vitin 1999-2004 gjatë të cilës periudhë ishte edhe Dekan i Fakultetit të Mjekësisë.
Prej vitit.1998 u shqua si kirurg aktiv nëpër zonat e atëhershme të luftësi në Likovc, duke mjekuar të plagosurit e Llapushnikut. Doktor Rizai ishte edhe Kirurg Kryesor i Spitalit Ushtarak të Zonës Operative të Llapit.
Përndryshe, Dr. Riza Binishi ishte biri i Ramiz Efendi Binishit, të shkolluar në Aleksandri të Egjiptit prej 1912 -1920 ku mësoi disa gjuhë të huaja.
3. Prof.Dr.Sci. RIFAT YMERI (1927-2017)
4. Diplomoi më 1960 dhe ishte stomatologu i parë gjakovar, me të cilin filloi edhe një etapë e re e zhvillimit të stomatologjisë në Gjakovë.
Në vitin 1969, kaloi në Prishtinë, në poliklinikën e dhëmbëve, ndërkaq, më 1973 specializoi në fushën: ”Sëmundjet e gojës e të dhëmbit”.Në vitin 1976, kur edhe kreu magjistraturën, kaloi në Fakultetin e Mjekësisë, më saktësisht, tek Seksioni i Stomatologjisë me thirrjen profesionale si asistent. Doktoraturën e kreu në vitin 1981, me temën “Dëmtimet e indeve orale në saturnizëm’’.
Në vitin 1982 u bë Docent dhe më 1987 filloi të ligjëronte si profesor Inordinar në lëminë e sëmundjeve të gojës. Gjatë po kësaj kohe ishte shef i klinikës stomatologjike dhe shef i katedrës së seksionit stomatologjik në Fakultetin e Mjekësisë.
Dr. Rifat Ymeri ka ushtruar edhe funksionin e Kryetarit të seksionit të Stomatologëve të Kosovës. Më 1986, në Gjakovë , në ditët e Stomatologjisë, ishte inicues dhe organizues, prej nga rrjedhë edhe Revista Profesionale-Shkencore’’Acta Stomatologica Kosova’’.
Ka botuar mbi pesëdhjetë punime shkencore professionale , nga lëmi i stomatologjisë.
Më 2004 botoi librin dhe praktikumin mësimor ’’Sëmundjet e gojës’’ si dhe tekstin universitar ’’Parodontologjia dhe mjekësia orale’’, e cila iu shërben edhe sot e kësaj dite studentëve të stomatologjisë. Vlen të theksohet se këto materiale u botuan nga financat e tij personale.
Gjatë periudhës së vet jetësore, përveç funksioneve të lartëpërmendura, ai ushtroi edhe funksione në shumë veprimtari shoqërore si p.sh. kryetar i klubit futbollistik ‘’Vëllaznimi’’.
4. Prof.Dr.Sci. TALAT PALLASKA(1930-2011)
U diplomua në Fakultetin e Mjekësisë më 1958 dhe më pas, në vitin 1964 u specializua në degën e ORL -së, kur edhe u kthye në Prishtinë dhe filloi të punonte si shef i ORL-së së spitalit të përgjithshëm. Më 1972 filloi të ligjëronte në Fakultetin .e Mjekësisë, ndërsa më 1974 mori titullin Docent i ORL -së. Në periudhën prej vitit 1979 gjer më1981 ushtroi detyrën e Dekanit të Fakultetit, ndërsa prej vitit 1982/83 punoi si profesor Ordinar pranë këtij Fakulteti.
Prej vitit 1991 dhe pas largimit të dhunshëm nga puna, që u shkaktua nga regjimi pushtues serb, vazhdoi të punonte si profesor i ORL-së. Me 1999 u kthye të punonte si Kryeshef i Repartit Operativ të ORL-së dhe më 2001 u pensionua. Botoi më shumë se 85 punime shkencore, si dhe tekste tjera universitare për nevojat e fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë. Në vitin 1988, organizoi Kongresin e 13-të të ORL-së të ish – Jugosllvisë së atëhershme.
Dr. Talat Pallaska ishte kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Kosovës.
Me fjalë të tjera, Prof.Dr.Sci Talat Pallaska ishte pionier dhe doajen i lëmisë së ORL në Kosovë.
Shkrim i përgatitur nga Dr.Spec. Fahri Morina, e që do të jetë si një tekst i librit “Gjakova në Kronikë”, 550-600 faqe.
Autori i shkrimit i ka marrë të dhënat dhe fotografitë nga familjarët e mjekëve doajenë, dhe nga disa faqe si Wikipedia, ………
Katër doajenët e mjekësisë – Faqebardhësia e Gjakovës!
(huazuar nga Gezim Gjini në Facebook)