KultPlus ju sjell 25 vajzat dhe gratë e Kosovës që u shndërruan në zërin e vajzave, djemve, grave dhe burrave të Kosovës.
Vajzat dhe gratë e Kosovës po vazhdojnë të shkëlqejnë në fusha të ndryshme, duke shndritë nëpër botë.
Me rastin e 8 Marsit, KultPlus ka përzgjedhë 25 vajza e gra që nëpërmjet fjalimeve, performancës, muzikës, sportit, filmit e biznesit kanë ngritë dhe kanë përfaqësuar vendin në mënyrë dinjitoze, e duke shndërruar Kosovën në një Kosovë të artë, në një Kosovë që synon Oscar, në një Kosovë që me rrëfimet e nxjerra po nga ky vend, i ka treguar botës po për dhimbjen, kurajën dhe guximin e vajzave dhe grave të vendit më të ri në kontinentin e vjetër.
Po këto vajza dhe gra u shndërruan në inspirimin e shumë vajzave, djemve, grave e burrave, të cilët kuptuan se ëndrrat nuk duhet dhe nuk mbeten vetëm ëndrra.
Në vazhdim, KultPlus ua sjell gruan e fuqishme shqiptare, Fahrije Hoti, e cila u shndërrua në muzën e kinematografisë kosovare dhe njëkohësisht u bë zëri i shumë grave të Kosovës, të cilat përjetuan tmerret e luftës së fundit në Kosovë.
Jeta e Fahrije Hotit është treguar nëpërmjet filmit “Zgjoi”, me skenar dhe regji të Blerta Bashollit.
Fitues i trefishtë në festivalin e filmit ‘Sundance’ e shumë festivale te tjera ndërkombëtare, ‘Zgjoi’ është filmi i parë kosovar i metrazhit të gjatë që hyri në listën e ngushtë të nominimeve për Oscars.
E konsideruar si grua e çeliktë që nuk u dorëzua para asnjë sfide, dhimbjen e saj ajo e shndërroi në motiv për punë. Ajo përherë do të jetë një inspirim për çdo gjeneratë që do dëgjojë historinë e saj. / KultPlus.com