Rrëfimi i Konicës, Fishtës dhe Esat Pashës para profesorit francez (FOTO)

“Excelsior” ka botuar të martën e 11 nëntorit 1913, në faqen 2, një shkrim në lidhje me udhëtimin e profesorit francez Jean Brunhes në Shqipëri dhe takimet (bisedat) e tij asokohe me Faik Konicën në Durrës, Gjergj Fishtën në Shkodër dhe Esat Pashë Toptanin në Reth, të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e sjellë për lexuesin shqiptar.

[Bashkëpunëtori ynë i shquar z. Jean Brunhes, profesor i gjeografisë humane në “Kolegjin e Francës – Collège de France”, i cili vazhdon studimet e tij për vendet e Ballkanit, sapo është kthyer nga një mision i gjatë shkencor në Greqi dhe Shqipëri. Në çdo moment të historisë politike, grupet etnike në gadishull përballen me njëra-tjetrën – siç e kemi parë, natyrisht – në një pozicion dhe qëndrim të ri. Parashikimi i qëndrimit të së nesërmes është sekreti i të gjithë veprimeve efikase. Ne e dimë se me çfarë saktësie kishte planifikuar z. Jean Brunhes, tre muaj përpara, luftën e dytë ballkanike dhe fitoren e ushtrive serbe dhe greke. Ai tani përpiqet të na shpjegojë Shqipërinë e re, atë që nuk ekzistonte akoma pardje dhe dje; mund të jetë vendi dhe njerëzit, mbi të cilët janë publikuar informacionet më të gabuara dhe fantazuese. Pra, kjo ishte një arsye më shumë për të mbledhur këto informacione të dorës së parë dhe të freskëta.

Në Durrës, portin kryesor shqiptar, një qytet i vogël piktoresk që vjen nga Dyrrahu i lashtë i romakëve dhe që ende është i rrethuar nga muret e bukura veneciane – mezi prisja të takoja të shquarin dhe mikpritësin e madh Mehmet bej Konicën, por ai ishte larguar kur unë mbërrita me 16 tetor. Ai ishte larguar një ditë më parë për në Beograd, i ngarkuar nga miku i tij Esat Pasha me një mision gjysëm-zyrtar pranë qeverisë serbe: nga ky mision mund të dalë një afrim ose të paktën një “modus vivendi” i respektit të ndërsjellë midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Pata, të paktën, fatin e mirë të bisedoja me vëllain e Mehmet bej Konicës (autori e ka fjalën për Faik Konicën). Ai është një ish-nxënës i Gaston Paris-it në “Kolegjin e Francës – College de France”; ai kishte ardhur për të ndjekur tek ne studime serioze filologjike, në mënyrë që të vinte në pah gjuhën dhe trashëgiminë e çmuar të legjendave dhe “folklorit” të vendit të tij. Ky shqiptar ende i ri, me mendje të ndritshme dhe të mprehtë, flet shumë mirë frëngjishten dhe disa gjuhë të tjera evropiane.

“Nëse doni të informoheni për përpjekjet që ne po bëjmë për të ndërtuar një Shqipëri që mendon dhe funksionon, shkoni të takoni, në Shkodër, një françeskan shqiptar, At Fishtën. Ai është poet, filolog, patriot…”.

NJË BASHKËBISEDIM ME AT FISHTËN

Unë i kisha dëgjuar vetëm emrin At Fishtës; por të dëgjoja lavdërimin entuziast për një murg françeskan nga një shqiptar mysliman shumë i arsimuar, më duk diçka e pazakontë, dhe, kështu, unë shkova për të parë At Fishtën në manastirin e tij françeskan në Shkodër. Një burrë i pashëm me një kokë të madhe, një shikim të drejtë dhe energjik, me flokë të zinj, fytyra e të cilit shpreh një forcë disi të çuditshme që i jep pamjen e një prifti me mustaqe që bien në sy, por pa mjekër. (Të gjithë priftërinjtë katolikë serbo-kroatë dhe shqiptarë kanë zakon të rruajnë mjekrën, por të mbajnë mustaqe.)

“Ne kemi bëri, deri më tani, vetëm një jetë individuale dhe krahinore… Lëruni shqiptarëve kohë që të japin provat e tyre… Për pesë shekuj, ne u braktisëm deri në tiraninë më të përçmuar dhe madje në barbarizëm… Gjuha jonë ishte e urryer; zakonet tona të vjetra luftoheshin; këto zakone të vjetra, këto “kanune”, unë do t’i botoj; ne do të shohim se cila ishte drejtësia jonë tradicionale, dhe fryma demokratike që ajo kishte… Ne duam së pari autonominë tonë intelektuale…”.

NE DUAM, NE SHQIPTARËT, PAVARËSINË TONË

Unë do të kujtoj gjithmonë se me çfarë sinqeriteti të drejtpërdrejtë m’u përgjigj françeskani, pa iu shmangur pyetjes dhe pa vështirësi: “S’është e vërtetë. Ne nuk jemi agjentë të Austrisë; Unë, si dishepull, çfarë do të bëja këtu, nëse do të isha peng i ndonjë fuqie? Ajo që është e vërtetë, është se ne dhe Austria kemi pasur interesa paralele. Katolikët shqiptarë kanë simpati për Austrinë, e cila ka mbrojtur dhe mbështetur, ashtu si dikur Franca, kauzën e shenjtë të lirive të tyre fetare: Unë jam drejtori i shkollave katolike të Shkodrës, të cilat financohen nga Austria, por ju siguroj mbi nderin tim që konsulli austriak nuk do të guxonte të më jepte kurrë një urdhër… Ajo që duam, ne Shqiptarët, dhe ajo që do të ruajmë kundër të gjithëve, është pavarësia jonë…”.

Unë po u dërgoj, si një dëshmitar besnik, këto deklarata të fuqishme. Françeskani vazhdoi përsëri: “Na qortojnë për faktin se nuk kemi frymë politike… Por, si mund të kemi një opinion publik disi të organizuar, kur ne jemi të pavarur vetëm prej disa muajsh?… Dhe, prapë, a i përkasim vetvetes?… Është e qartë se ne jemi të ndarë dhe e injorojmë njëri-tjetrin; por le të na besojnë. Nuk na mungojnë individët që dikur, dhe ende dje, kanë treguar një frymë të madhe politike në Kostandinopojë. Lëruni njerëzve me vlera kohën e duhur që të vihen në pah dhe t’u imponohen natyrshëm shqiptarëve. Ne, pa frymë politike! Por kedivi i Egjiptit ka gjak shqiptar, dhe politikani i madh Crispi ishte një italo-shqiptar!”

Ky françeskan, që pretendonte Crispi-n për lavdinë politike të Shqipërisë së tij, më dukej gjithnjë e më interesant. “Gjenerali Esat Pasha e ka treguar veten si një njeri që di të qeverisë. Ne e pamë në aksion gjatë rrethimit të gjatë të Shkodrës. Ai arriti t’u vinte rreth, në këtë qytet shqiptar katolik, 35.000 turqve pa asnjë incident”. Rrethimi, megjithatë, ka qenë kaq i gjatë dhe i vështirë! Të gjitha lidhjet (rregullat) e disiplinës mund të ishin dobësuar… Edhe katolikët shqiptarë kanë shpresë për të ardhmen e vendit të tyre mbi personalitetin e spikatur të pashait, gjeneralit Esat. Po kështu, edhe për shumë shqiptarë myslimanë të Veriut. Më çuan të takoj Esat Pashën nëpërmjet njërit prej shefave të rajonit malor të Veriut, Basri Beut. Një njeri i qetë, i zgjuar, plot kuptim, që është një nga ata për të cilin do të flitet sërish. Basri Beu më duket se është negociatori dhe lideri i kësaj lloj konfederate të Qendrës dhe Veriut, që do të jetë nesër, nëse bëhet realitet, mbështetja dhe forca e Esatit.

NJË FJALË NGA ESAT PASHA

Ky, pasha, më priti tek prona e tij në fshatin Reth, midis Durrësit dhe Tiranës. Me një qeleshe të kuqe, të vendosur mirë, dhe një xhaketë të zezë (e prerë sipas stilit parizian dhe me origjinë po nga Parisi), me një trëndafili të bukur e të zbehtë në xhep, gjenerali, i cili nuk është pesëdhjetë vjeç, duket edhe më i ri se ç’është. Ai është një njeri i aksionit dhe vullnetit, i cili është në moshën e duhur, plot energji. Ai duket i vendosur se dëshiron të jetë udhëheqësi efektiv i vendit të tij sesa ta braktisë atë ndaj disa burrave për të cilët ka vetëm një konsideratë shumë të ulët. Ai e di shumë mirë se çfarë bën dhe ku po shkon.

Ai i ka prerë urat (lidhjet). Nuk do të ndalet në gjysmë të rrugës. Ne ishim në Reth më 17 tetor. Proçedimet publike dhe deklaratat që janë bërë që nga ajo kohë, Esat Pasha, i kishte akoma vetëm në brendësi. Por ai më tha haptas: “Tani që jam në krye të vendit tim, jam i lumtur që personi i parë që takoj është një francez”. (Unë e shënova fjalinë e tij sa më saktë të ishte e mundur, sipas formës në të cilën m’u përkthye.)

Esat pasha qeveris dhe punon. Ai i imponoi vetes mësimin e frëngjishtes. Tashmë, ai e kupton gjuhën tonë – ai shqipton, me korrigjim, disa fjalë. Ai është çorganizues i organizatës së përkohshme. Ai mund të jetë vetëm një i pavarur. Padyshim që krijimi i një shteti shqiptar të ekuilibruar nuk do të jetë punë e një dite. Sa shekuj iu deshën Francës për t’u bërë Franca? Dhe pse ëndërrojmë ne, për krijesat e reja politike, një stabilitet ideal dhe përfundimtar që nuk e kanë më të vjetrat e Evropës sonë? Me çfarë iluzionesh harrojmë papritur gjithë historinë tonë dhe tërë gjeografinë politike! Shqipëria ka ende shumë pengesa, na rezervon shumë surpriza, por lëvizja e mendjeve dhe marshimi i gjërave duket se po shkojnë drejt një fakti që mund të quhet një fakt i ri: pavarësia efektive e një Shqipëri e vërtetë. / KultPlus.com

Jeleku i Faik Konicës, relikt i çmuar në Boston

Për afro 70 vjet, jeleku u ruajt nga familja dardhare, Pani. Sot ndodhet në Boston, në shtëpinë e Andrea Panit- shkruan Fuat Memelli.

Ishte një befasi për mua, kur para disa ditësh gjatë një vizite në shtëpinë e Andrea Panit në Boston, djalë i të ndjerit Sotir Pani që u nda nga jeta këtë vit prej Covid-it, Andrea më tregoi jelekun e Faik Konicës. Ky jelek është një dëshmi e rrallë e kësaj figure të shquar të kombit shqiptar, që është ruajtur nga familja e Sotir Panit. Jeleku është në gjendje të mirë, vetëm katër kopsa i janë shkëputur.

Andrea më tregoi historinë e këtij jeleku.

Kur vdiq Konica në Uashington, më 15 dhjetor të vitit 1942, një nga miqtë e ngushtë që iu ndodh pranë, ishte edhe dardhari Vasil Pani, i cili jetonte në Boston. Vasili ishte një veprimtar i shquar i ‘Vatrës’ dhe disa vjet ka qënë kryetar i saj. Faiku rrallë afronte njeri, por te Vasili ai vlerësonte njeriun besnik dhe patriot. Vasili ishte edhe djali i patriotit tjetër dardhar, Josif Panit, i cili ka jetuar në Boston, të cilin Faiku e njihte mirë dhe e vlerësonte shumë. Miqësinë e Faikut dhe Vasilit, e dëshmon edhe një foto e rrallë që Faiku i ka dhnë atij me dedikim.

Këtë foto që e kishte Sotir Pani ia tregoi gazetarit Kolec Traboini dhe ai e publikoi. Është fotua me republikë që tashmë ndodhet kudo. Por le të kthehemi te jeleku. Duke qënë mik i afërt i Konicës, Vasili u kujdes për bibliotekën e tij, të cilën e sistemoi në një magazinë, por që fati i tyre nuk dihet dhe ka mbetur tek-tuk vetëm ndonjë kopje. Rrobat vetiake të Faikut, Vasil i dërgoi tek shtëpia e tij në Dardhë për t’i ruajtur. Por, në vitin 1947 ndërroi jetë pa pritur dhe nuk u kujdes dot për to. Një pjesë e tyre u përdorën nga familja e tij në Dardhë dhe u dëmtuan nga koha, ndërsa jelekun, Soitiri e ruajti me fanatizëm.

Kur erdhi në Amerikë në vitin 1996, krahas fotografive e dokumentave të ndryshme, krahas flamurit shqiptar, xixunit e kitarës, solli edhe jelekun e Konicës. E ruajti atë me kujdes, deri sa ndërroi jetë në fillim të këtij viti . I kishte lënë porosi edhe djemve të tij, Andreas e Vaskës që ta ruanin me kujdes. Dhe ata e ruajnë, jo vetëm se është i Faik Konicës, por e kanë amanet edhe nga babai i tyre, Sotiri, bir i një familje patriotësh dhe veprimtar i shquar i shqiptarëve të Bostonit.


Duke biseduar me Andrean, në shtëpinë e të cilit ruhet flamuri, ai thotë se ky jelek, e ka vendin në Muzeun Historik Kombëtar. Dhe vërtet, aty në stendat e atij muzeu, duhet të zerë vend kjo relike e rrallë e Faik Konicës, e këtij personaliteti të shquar të kulturës, letërsisë e jetës politike shqiptare, e këtij intelektuali të dimensioneve evropiane. Shpresojmë se Muzeu Historik Kombëtar, do interesohet për këtë relike të çmuar të Faik Konicës, njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar.

Jeleku i Faik Konicës, relike e çmuar në Boston

Për afro 70 vjet, jeleku u ruajt nga familja dardhare, Pani. Sot ndodhet në Boston, në shtëpinë e Andrea Panit – shkruan Fuat Memelli.

Ishte një befasi për mua, kur para disa ditësh gjatë një vizite në shtëpinë e Andrea Panit në Boston, djalë i të ndjerit Sotir Pani që u nda nga jeta këtë vit prej Covid-it. Andrea më tregoi jelekun e Faik Konicës. Ky jelek është një dëshmi e rrallë e kësaj figure të shquar të kombit shqiptar, që është ruajtur nga familja e Sotir Panit. Jeleku është në gjendje të mirë, vetëm katër kopsa i janë shkëputur.

Andrea më tregoi historinë e këtij jeleku.

Kur vdiq Konica në Uashington, më 15 dhjetor të vitit 1942, një nga miqtë e ngushtë që iu ndodh pranë, ishte edhe dardhari Vasil Pani, i cili jetonte në Boston. Vasili ishte një veprimtar i shquar i ‘Vatrës’ dhe disa vjet ka qënë kryetar i saj. Faiku rrallë afronte njeri, por te Vasili ai vlerësonte njeriun besnik dhe patriot. Vasili ishte edhe djali i patriotit tjetër dardhar, Josif Panit, i cili ka jetuar në Boston, të cilin Faiku e njihte mirë dhe e vlerësonte shumë. Miqësinë e Faikut dhe Vasilit, e dëshmon edhe një foto e rrallë që Faiku i ka dhnë atij me dedikim.

Këtë foto që e kishte Sotir Pani ia tregoi gazetarit Kolec Traboini dhe ai e publikoi. Është fotua me republikë që tashmë ndodhet kudo. Por le të kthehemi te jeleku. Duke qënë mik i afërt i Konicës, Vasili u kujdes për bibliotekën e tij, të cilën e sistemoi në një magazinë, por që fati i tyre nuk dihet dhe ka mbetur tek-tuk vetëm ndonjë kopje. Rrobat vetiake të Faikut, Vasil i dërgoi tek shtëpia e tij në Dardhë për t’i ruajtur. Por, në vitin 1947 ndërroi jetë pa pritur dhe nuk u kujdes dot për to. Një pjesë e tyre u përdorën nga familja e tij në Dardhë dhe u dëmtuan nga koha, ndërsa jelekun, Soitiri e ruajti me fanatizëm.

Kur erdhi në Amerikë në vitin 1996, krahas fotografive e dokumentave të ndryshme, krahas flamurit shqiptar, xixunit e kitarës, solli edhe jelekun e Konicës. E ruajti atë me kujdes, deri sa ndërroi jetë në fillim të këtij viti . I kishte lënë porosi edhe djemve të tij, Andreas e Vaskës që ta ruanin me kujdes. Dhe ata e ruajnë, jo vetëm se është i Faik Konicës, por e kanë amanet edhe nga babai i tyre, Sotiri, bir i një familje patriotësh dhe veprimtar i shquar i shqiptarëve të Bostonit.

Duke biseduar me Andrean, në shtëpinë e të cilit ruhet flamuri, ai thotë se ky jelek, e ka vendin në Muzeun Historik Kombëtar. Dhe vërtet, aty në stendat e atij muzeu, duhet të zerë vend kjo relike e rrallë e Faik Konicës, e këtij personaliteti të shquar të kulturës, letërsisë e jetës politike shqiptare, e këtij intelektuali të dimensioneve evropiane. Shpresojmë se Muzeu Historik Kombëtar, do interesohet për këtë relike të çmuar të Faik Konicës, njërit prej bijve më të shquar të kombit shqiptar. / KultPlus.com

Letra e Faik Konicës drejtuar gazetës “Giornale d’Italia”

Nga Aurenc Bebja, Francë – 24 Korrik 2021

“Giornale di Udine” ka botuar, me 11 qershor 1920, në ballinë, letrën që Faik bej Konica i ka dërguar asokohe “Giornale d’Italia”, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar.

Burimi: Giornale di Udine, 11 qershor 1920

Romë, 10 qershor. — “Giornale d’Italia” merr letrën në vijim nga Faik bej Konica, president i Federatës Shqiptare “Vatra” :

Z. Drejtor. — Lajmet nga Shqipëria, të botuara sot nga “Giornale d’Italia” dhe në gazeta të tjera do të kenë emocionuar të gjithë ata, italianë dhe shqiptarë që kishin ëndërruar për një ngjarje të sinqertë dhe vëllazërore midis dy vendeve.

Që interesi i popullit shqiptar konsiston në mbajtjen e marrëdhënieve të përzemërta me Italinë dhe në mos dëmtimin e interesave më këtë popull të madh të afërt dhe miqësor tradicionalisht, është një fakt i dukshëm dhe i qartë.

Unë dhe miqtë e mi shprehim keqardhje për verbërinë dhe absurditetin e atyre shqiptarëve që janë përgjegjës për këto veprime armiqësore.

Lidhur me pjesën e përgjegjësisë që i bie autoriteteve italiane, ju mbetet juve ta shqyrtoni, artikulli juaj sot dhe mendimet që shumë italianë kanë shprehur me rastin e këtyre incidenteve të mjerueshme më kanë bindur që në Itali njihen disa nga shkaqet e trishta të keqkuptimit.

Ju lutem, z. Drejtor, të siguroni publikun italian për një të vërtetë që në këtë moment po keqkuptohet, domethënë se populli shqiptar ruan akoma, pavarësisht nga gjithçka, ndjenjat e dashura për popullin e madh italian.

Faik bej Konica

https://www.darsiani.com/la-gazette/giornale-di-udine-1920-letra-e-faik-konices-drejtuar-gazetes-giornale-d-italia/ / KultPlus.com

‘Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë’

Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.

Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike.

Duke qenë i tillë, fjala e tij është e pavdekshme dhe thëniet e tij duket sikur janë shkruar sot.

KultPlus ju sjell disa nga thëniet më të njohura të Konicës:

-Sot kanë dalë ca zuzarë, që u lindën shqiptarë, e punojnë natë e ditë që të mbetemi pa dritë. Është turp që prej kësi krimbash të mundohet një komb trimash”.

-Në qoftë se Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj do të duhej të shkruhej: ‘Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët.’

-Sa lehtë përdorë njeriu fjalë të mëdha për të fshehur nën ‘to intriga e për të shfrytëzuar zemërime të veçanta.

-Njerëzit e paditur, në shumicë, rrojnë më tepër se të diturit, se këtyre u punon nat’ e ditë mëndja e ashtu u prishet më shpejt organizmi.

-Instinkti kombëtar është konkluzioni që një popull nxjerr nga shumë shekuj përvojë. Ky instinkt nuk të gabon asnjëherë.

-Rinia është e çiltër dhe çiltërsia është armiku i natyrshëm i sharlatanëve.

– Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).

– Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897)

– Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).

– E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).

– Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).

– Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).

– Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).

– Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).

– Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).

– Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).

– Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).

– Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).

– Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).

– Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).

– Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).

– Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

– Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).

– Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).

– Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).

– Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).

– Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).

–  Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).

– Nuk mund të gjykohet për tokën para se të mbjellësh ( domethënë: toka e mirë njihet kur hedh farën (Albania, 31 maj 1901).

– Shumë broçkulla edhe u falen politikanëve, por pa kaluar kufijtë (Albania 20 qershor 1901).

– Sa më shumë të mbahen fjalime parlamentare aq më i paktë është zotimi (Albania 20 qershor 1901).

– Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm (Albania, 10 korrik 1901). / KultPlus.com

Kur u vendosën shqiptarët e parë në Britani, mes tyre dhe Konica

Historia e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar nis në fillim të shekullit të 20, kur një grup i vogël i shqiptarësh mbërriti në këtë vend. Në mesin e tyre ishte një nga intelektualët më të mëdhenj shqiptarë, Faik Konica, i cili u vendos në Londër, ku dhe nisi të  botonte revistën “Albania”.

Vetëm pak pas Luftës së Dytë Botërore numëroheshin rreth 100 shqiptarë në Britani. Pjesa më e madhe e tyre ishin nga Shqipëria, ndërsa shumë pak ishin nga Kosova.

Censusi i vitit 1991 tregon se ka pasur vetëm 338 shqiptarë të regjistruar në Angli. Në vitin 1993, shifra ishte rritur në 2,500. Shumica e tyre ishin të rinj kosovarë që i shmangeshin rekrutimit në Ushtrinë jugosllave, të cilët kishin kërkuar azil politik.

Në qershor të vitit 1996, një vendim i Gjykatës së Lartë pranoi se shqiptarët e Kosovës u persekutuan në ish-Jugosllavi. Kjo nënkuptonte se të gjithë shqiptarëve të Kosovës duhet t’i jepej leja e qëndrimit në Britani. Pas këtij vendimi, Britania u përball me një fluks të madh e të papritur të shqiptarëve nga Kosova, Shqipëria, Republika e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia. Në fund të vitit 1997, në Britani jetonin rreth 30,000 shqiptarë.

Sipas censusit të viti 2011 shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar përbëjnë një komunitet prej 70,000 deri 100,000 banorësh. Në Angli e Uells jetonin 13,415 banorë të lindur në Shqipëri dhe 28,446 të lindur në Kosovë, në Skoci 196 nga Shqipëria dhe 215 nga Kosova dhe në Irlandën Veriore 55 nga Shqipëria dhe 44 nga Kosova./ KultPlus.com

Tradita e rrëmbimit të gruas, kush ishte shkrimtari shqiptar që nuk i rezistoi dot dashurisë dhe përfundoi me vajzën e ëndrrave

Komentuesit, mes tyre dhe historiani Auron Tare, kanë zbuluar se për cilin shqiptar bëhet fjalë. Bazuar në periudhën në të cilën flitet dhe miqësinë e francezit, sipas tyre shqiptari nuk është askush tjetër veç Faik Konicës. Featured image of article: Tradita e rrëmbimit të gruas! Misteri zgjat pak, kush ishte shkrimtari shqiptar që nuk i rezistoi dot dashurisë dhe përfundoi me vajzën e ëndrrave…

U publikua një histori të shkëputur nga një novelë e shkrimtarit francez, Gijom Apoliner (frëng. Guillaume Apollinaire), i cili shkruante lidhur me zakonin e rrëmbimit të gruas nga shqiptarët.

Komentuesit, mes tyre dhe historiani Auron Tare, kanë zbuluar se për cilin shqiptar bëhet fjalë. Bazuar në periudhën në të cilën flitet dhe miqësinë e francezit, sipas tyre shqiptari nuk është askush tjetër veç Faik Konicës. 

“Apoliner ishte mik i Konicës, i cili parashikoi gjenialitetin e poetit të madh. Ndoshta me këtë tregim, Apoliner ka dashur të na japë një portretizim artistik të Konicës. Vetë Konica ka folur për zakonin e rrëmbimit, në malësitë e Shqipërisë së Veriut,”-shkruan një prej komentuesëve. Ndërsa Tare me mbështet duke shkruar: Sigurisht që është Konica. Kush mund të ishte tjetër?

PJESË NGA NOVELA:

Shqiptarët janë burra të pashëm, fisnikë, të guximshëm, me prirje për vetëvrasje, gjë që padyshim do t’i bënte njerëzit të dridheshin për racën e tyre nëse cilësitë e tyre riprodhuese nuk do të kundërpeshonin mërzinë e tyre për të jetuar. Një shqiptar të cilin e njoha gjatë një qëndrimi të gjatë në Bruksel më la përshtypje të paharrueshme dhe të caktuara për një komb i cili, së bashku me skocezët, ndoshta, është më i vjetri në Evropë. Ky shqiptar kishte mikeshë një angleze që e bënte të vuante si vetëm ata që janë të elitës së njerëzimit mund të vuajnë nga dashuria. Vajza e re, e hipnotizuar nga prania mashkullore e rrëmbyesit të saj, buzëqeshi, e kënaqur në të gjitha kuptimet e fjalës dhe, kur ishim në vagonin e një treni që u nis drejt Erbestal, drejt kufirit, shqiptari po puthte (përqafonte), sa të ikte shpirti, më të nënshtruarën e grave.

Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Ai është njohur si poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes. dosja.al/ KultPlus.com

‘O shqipëtarë, as nder, as turp, as gjak s’kini..’

Faik Konica
Vajtim për robëri të shqiptarëvet

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!

F.K. – 1901

“Më mirë të shesë pleh njeriu se të nis punë për shqiptarët”

Dy muaj pasi gazeta “Albania” kishte parë dritën e botimit, botuesi Faik Konica, nuk rezervohet për të hedhur në letër, në një editorial, gjithë mllefin që e përshkonte, si më poshtë:

       “…Ç’është liria? – Më mbetet pakë kohë akoma. Dua të marr shpatën, t’u çanj kokën gomarëve, edhe, në vënt të tmerit, të kllas këtë: ç’është liria? Të mos të kisha nisur këtë fletën (vaftë në djall!) s’do të humbja kokën time të mësonj gomarëve ç’është liria?

Dy muaj janë që u nis kio punë dhe që tani jam lodhur nga shkaku i gomarëve. Më mirë të shesë pleh njeriu se të nis punë për shqiptarët. Janë nj’a 50 shqipëtarë që kuptojnë ç’është liria: ata nukë më shkrojtin gomarërira. Se dinë që ësht’ i lirë njeriu të thotë si e ka në funt të shpirtit. Po të tjerët janë gomarë, dhe, si të shtyp 12 numëra; mbas fjalës që dhaçë, a e dini ç’kam për të bërë?

Qibarët le të mbyllin veshët: kam niet të vete të shes mut, në vend që të mbanj të përkohëshmen; më mirë të shesë mut njeriu, se të shkrojë për shqipëtarët.

Gomarëve pra le të përpiqem akoma njëherë t’u mbush kokën me këtë: Ç’është liria? Liria është të mundet njeriu: 1) të besojë ç’i do zëmbëra; 2) të thotë ç’i do zëmbëra; 3) të shkrojë ç’i do zëmbëra; 4) të bëjë ç’i do zëmbëra, veç ato që janë kundrë lirisë tjatëri njeriu.

Shqipëtarët më të shumtë janë shpirtrobër. Unë thom: “Ata janë të lirë të kenë fe, janë të lirë të thonë që kanë fe, janë të lirë të shkrojnë që feja ësht’ e mirë, janë të lirë të bëjnë ç’urdhëron feja”. Dhe kur më dërgojnë artikëlla për të lëvduar ferat, i shtyp (i botoj) se s’kam të drejtë t’u pres lirinë e fjalës.

Po kur unë shkronj që më vjen për të vjellur për çdo fe, ata shpirtrobërit më thëresin: “S’të lëshojmë lirinë të shaç ferat!” S’më lëshoni të shaj ferat? Por unë, shpirtrobër, pse u lëshonj lirinë t’i lëvdoni ferat? A kini, në mos fillosofi, pakëzë mënt për të kuptuar që fjala juaj është fjalë gomari?

Vëllezër shqipëtarë! Mjaft vojti e gjora Shqipëri jetën e kurmit, duhet dhe ajo të nisjë tani të rrojë jetën e mëndes (La vie intellectuelle). Jeta e mëndes është të hapim të tërë zëmbërat t’ona, të flasim vëllezërisht njëri kundër fjalët tjatërit, të kuvëndojmë si njerëzit e qytetëruar qi mlidhen të lëftojnë me fjalë për ideat e tyre.

Mos besoni se kshu do të largonemi njëri-tjatërit! Përkundrë, do të qasemi më shumë, se do të njihemi më mirë, s’do të kemi mendime të fshehura, dhe do të kuptojmë që të tërë jemi të lidhurë me dy lidhje të arta: dëshërimi i Vërtetës e dëshërimi i Shqipërisë.

Për të qënë e mirë e përkohëshmja (gazeta), duhet të jetë si Pazar, – nji Pazar ku gjenden njerëz të pasur, njerëz të varfër, gra, burra, djem, të krishterë, muslimanë, të pafe, të tërë tok, dhe, duke kuvënduar, miren vesh për mbrothësin’ e punërave të tyre.

Gazeta “Albania”, 1897. / KultPlus.com

Konica për Shqipërinë: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët

Faik Konica njihet jo vetëm si një nga publicistët më të mirë, po edhe si njeriu që në të gjitha mënyrat e mundshme tregoi jo vetëm realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, po edhe atë që e priste.

Sot në 146 vjetorin e tij të lindjes KultPlus ju sjell disa nga thëniet e tij më të njohura.

1.Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.

2.Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar.

3.Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk (ujk e shkuar ujkut).

4.Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh.

5. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë.

6. Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët…

7. Kombi (iliro-shqiptar) i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat.

8. Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare.

9. E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos mundim kurrë të bëjmë një shtet serioz. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. 10- Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqija të tjera dhe duartroket qeverinë kur i thotë ajo që ka qetësi të plotë.

10. Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi. Na thonë, se qeveria do blerë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoj shtetin nga një rrezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se fluturoi gomari… ne e besojmë!

11. Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur.

12. Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet.

13. Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje.

14. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.

15. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.

16. Një tipar karakteristik i shqiptarëve është dashuria për paratë; ata janë gjithnjë të gatshëm t’u hyjnë aventurave më të rrezikshme, po të jetë se e shohin që del fitim. Në kohët e Perandorisë Turke të vjetër, turqit tregonin një histori: “E pyetën shqiptarin: a do të shkosh në ferr?” Ai u përgjigj: “Sa të paguajnë atje?”.

17. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen./ KultPlus.com

Katër dilema rreth Konicës

Nga Mehmet Kraja

Dilema e parë

Në historinë e letërsisë tashmë është i njohur mendimi negativ që Konica kishte shprehur për Naimin. Ai thoshte “Naim Benë si atdhetar e kam kurdoherë lëvduar dhe ngrijtur në qellë; si shkronjëtor s’qe gjë; dhe si njeri ish i martuar me simotren e tija. Nuk dua të mburrem që jam një njeri i virtytshëm, po nga të pakta gjera q’i nderoj nga fundi i zëmrës është familja. Incesti më duket i ndyrë dhe i rrezikshëm për familje”. Pra, sikundër shihet, gjykimin për Naimin, Konica e shtrin në dy rrafshe, Naimi si poet dhe Naimi si njeri. Po e pamë këtë gjykim të Konicës nga kjo distancë kohore, na del e qartë, se ky konstatim për poezinë e Naimit mund të ketë mbështetje dhe në njëfarë mënyrë mund të arsyetohet, po të kemi parasysh faktin se Konica kishte një kulturë letrare evropiane, se në këtë kohë ai duhet të ketë lexuar poezinë e simbolistëve francezë dhe të tjerëve si ata. Pra, për kulturën letrare që kishte Konica, Naimi mund dukej një romantik i vonuar, madje i prapambetur. Mirëpo, në anën tjetër, Konica botonte revistën “Albania” dhe aty gjenin vend poezi të autorëve shqiptarë të asaj kohe, që nuk e kishin arritur as për së afërmi nivelin e Naimit. Për këtë Konica duhet të ketë qenë i vetëdijshëm, se Naimi duhej kundruar në kontekst të letërsisë shqipe dhe jo të zhvillimeve letrare evropiane. Ndërkaq, sa i përket gjykimit që i bën Naimit si njeri, argumenti që nxjerr paraqitet i diskutueshëm, sepse Konica, përveçse kishte një kulturë perëndimore, barte me vete edhe një trashëgimi orientale. Ai ishte bej dhe këtë ndonjëherë do ta theksonte me mburrje. Kjo traditë orientale, përfshirë rregullat e jetës dhe të marrëdhënieve brenda familjes, lejonte martesa të tilla, çfarë kishte bërë edhe Naimi. Përveç kësaj, nga bëmat jetësore të Konicës nuk është vështirë të kuptohet se ai nuk ishte ndonjë puritan, siç e thotë edhe vetë.

Atëherë, ku qëndron arsyeja e gjykimit të këtillë negativ për Naimin? Mendoj se janë dy arsye për këtë: E para, natyra prej të rebeluari e bën Konicën të prirë për të rrënuar mite dhe tabu. Duke marrë parasysh se çfarë thoshte, ta zëmë, Çajupi me rastin e vdekjes së Naimit, del qartë se Naimi që atëherë ishte identifikuar si poeti më i madh shqiptar, pra ishte bërë një mit, ishte idealizuar tej mase. Konica mund të mos i honepste panagjërikët e kësaj natyre dhe, duke qenë natyrë kundërshtuese, gjykimin për Naimin mund ta ketë shprehur duke u mbështetur mbi këtë predispozitë. E dyta, që mendoj që është më e rëndësishmja, kjo armiqësi e Konicës me Naimin lidhet me një incident politik. Nga një letër që Naimi dhe Samiu i shkruanin Murat Toptanit, mund të kuptohen dy gjëra esenciale: se Konica, me qëllim të shpërndarjes së “Albanias” në Shqipëri paska qenë i gatshëm t’i bënte koncesione të mëdha Turqisë dhe se Naimi në atë kohë bënte punën e censorit në organet e qeverisë turke. Që të dy nuk dalin shumë të lavdëruar në këtë punë. Por, është shumë e mundshme që Konica, me lidhje shumë të forta gjithandej në Shqipëri dhe Stamboll, duhet ta ketë marrë vesh se refuzimi për shpërndarjen e “Albanias” mund t’i kishte ardhur pikërisht nga Naimi. Dhe, për aq sa e njohim karakterin e tij, kjo duhet ta ketë tërbuar dhe ta ketë çuar deri në urrejtje. Mirëpo, për Samiun, i cili në letrën e përmendur ndan mendimin negativ për Konicën, thotë se ishte “një mëmdhetar i thellë që e kapërcen Spinozën”, gjë që bën të supozohet se Konica tërë mëkatin për mosshpërndarjen e “Albanias” në Shqipëri duket se ia kishte lënë Naimit.

Megjithatë, dilema mbetet: Përse, pra, Konica nuk e pëlqeu Naimin, sepse mendimin negativ për njërin nga poetët më të mëdhenj të letërsisë shqipe ai përsërit edhe më vonë, më 1937, kur kishin kaluar shumë vjet nga incidenti që përmendëm.

Dilema e dytë

Dilema e dytë ka të bëjë me fenë. Konica shprehet se shqiptarët nuk duhen ndarë sipas feve. Por, në një shkrim të vitit 1908, Konica thotë se shqiptarët duhet të bëhen të krishterë, që Evropa ta pranojë bërjen e Shqipërisë shtet. Është koha e trazimeve të mëdha në Turqi. Aleanca me xhonturqit shqiptarëve nuk iu solli asgjë të mirë. Siç do të shihet edhe nga Kuvendi i Gerçës, po edhe nga dëshmitë e tjera të kohës, paria shqiptare, përfshirë edhe një pjesë të intelektualëve, besonin fort se reformat e xhonturqve mund të çonin te një autonomi dhe pastaj, gradualisht, te bërja e shtetit shqiptar. Fundja, ideja e autonomisë vinte që nga Lidhja e Prizrenit. Ndër shqiptarët, siç dihet, nuk ishin të paktë ata që u zhgënjyen me xhonturqit. Nga ana tjetër, është krejt e besueshme se pavarësia e Shqipërisë nuk gëzonte një mbështetje në qarqet politike dhe diplomatike evropiane, nga frika se Shqipëria do të bëhej një “Turqi e vogël” në Evropë, siç thuhej atëherë. Konica, që i njihte mirë këto zhvillime, arrin te një zgjidhje e pamundshme, por që do të lërë gjurmë në mendimin politik shqiptar gjatë gjithë shekullit XX: që shqiptarët të bëhen të krishterë, në mënyrë që të gëzojnë mbështetjen e Evropës. Deri më tani mbetet e pasqaruar, pra një dilemë, nëse Konica u shpreh në këtë mënyrë i nxitur nga një situatë e rëndë politike, apo është kjo një bindje që ai do ta ushqejë edhe më vonë. Më sa kuptohet, Konica, ndonëse shkroi me pseudonime të ndryshme, nuk përvetësoi si të qëndrueshëm ndonjë emër që do ta largonte nga trashëgimia orientale, por, përkundrazi, ai e ruajti deri në fund të jetës titullin e kësaj trashëgimie, “bej”, madje edhe atëherë kur për këtë nuk kishte edhe shumë nevojë.

Por, megjithatë, dilema mbetet.

Dilema e tretë

Në librin “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, Konica bën përshkrime etnografike-historike të hapësirës shqiptare, që nga Konica e deri në veri të Shqipërisë, zonë pas zone. Venerimet e tij historike-etnografike asnjëherë nuk dalin jashtë territorit të përfshirë nga Shqipëria e Versajës, me përjashtim të vendlindjes së tij, Konicës, e cila kishte mbetur nën Greqi. Libri, sikundër e shpjegon vetë Konica, kishte pretendime të mëdha: duhej të ishte një letërnjoftim i Shqipërisë në botën perëndimore. Përse, pra, në këtë libër Konica hesht me aq ngulm për çdo gjë që del jashtë kufirit të Shqipërisë si shtet? Nëse kjo ka të bëjë me Shqipërinë dhe jo me shqiptarët, ashtu sikundër shihet nga titulli, atëherë, përse në libër përfshihet edhe Konica, në një kohë që viset e tjera të banuara me shqiptarët lihen anash? Dihej edhe atëherë se Kosova dhe viset e tjera të mbetura jashtë kufijve të Shqipërisë kishin rëndësi shumë më të madhe politike dhe kombëtare sesa Konica e tij. Pejën, Gjakovën, Prizrenin në një tekst të mëhershëm ai i quan “zemra e Shqipërisë”. Është e njohur se Faik Konica kishte dije politike dhe diplomatike dhe është e mundur që në libër donte t’iu ruhej implikimeve diplomatike. Po, përse Konica e tij po, ndërsa Kosova jo?

Pavarësisht se cilat kanë qenë arsyet, mbetet e paqartë, nëse koncepti i Konicës për Shqipërinë e këtillë vinte nga një bindje e përgjithshme se Shqipëria tashmë ishte bërë shtet i vetëmjaftueshëm, apo në krijimin e kësaj bindjeje vetë Konica kishte dhënë kontributin e tij të rëndësishëm. Sido që të jetë, që kjo bindje ishte e përhapur ndjeshëm tek intelektualët e Shqipërisë, pavarësisht ku vepronin ata, e dëshmon edhe teksti i Çabejt “Për gjenezën e literaturës shqipe” botuar te “Hylli i Dritës” më 1938-`39. Shprehimisht ai thotë: “Fytyrën gjeografike të Shqipërisë së sotme, me përjashtim të detit, e karakterizojnë në tërësinë e saj anët malore që e ndajnë nga shtetet fqinje”, duke pretenduar se kufiri i Shqipërisë, përveçse politik, ishte edhe kufi gjeografik, pra natyror. Konica shkon edhe një hap më tej: kufirin e Shqipërisë e sheh edhe si kufi historik dhe etnografik.

Pra, mbetet dilemë përse Konica ishte aq përjashtues rreth Kosovës, veçmas në një tekst që synonte të bëhej i përdorshëm për njohje të thelluar të Shqipërisë dhe shqiptarëve në botën perëndimore.

Dilema e katërt

Kjo dilemë ka të bëjë me raportet që kishte krijuar Konica me burra të ditur të Evropës, përfshirë këtu edhe Apolinerin. Ajo që është thënë deri tani rreth këtyre raporteve, mendoj se është tepër idealizuese dhe nuk i shpjegon disa gjëra. Studimet tona në këtë drejtim janë ndalur në një pikë: që të tregojnë se Konica ishte erudit, se me dije dhe kulturë mund të barabitej me figurat e shquara të letërsisë evropiane. Pa vënë në dyshim asgjë nga ajo që është thënë, mendoj se shqyrtimi i këtyre raporteve duhet të kapë edhe një dimension tjetër, pak më specifik dhe pak më të thelluar.

Është e ditur se, që në fillim të shekullit XIX, aventurierë të ndryshëm të botës perëndimore mësynë Lindjen, që atje të kërkonin, të gjenin dhe të shijonin kënaqësitë e jetës, në një botë që magjepste me ekzotikën e saj. Preteksti mund të ishte i ndryshëm, për poetët frymëzimi, për arkeologët historia, për tregtarët përfitimi. Por e vërteta është se bota mondane dhe koloniale e Evropës, e tëhuajësuar dhe e velur nga tradita e mbyllur, kërkonte të dilte nga sjellja në rreth. Ekzotika dhe potenca lindore joshën njerëz të ndryshëm, që të futeshin në aventura ndonjëherë të denja për analiza të libidos së tyre. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX dhe prapa, Evropa Perëndimore u bë edhe mikpritëse veçmas e djemërisë lindore, të cilët u bënë frekuentues të rregullt të salloneve mondane të shoqërisë së lartë. Preteksti mund të ishte gjithfarësh, përfshirë edhe pasionin për aventurë, por në esencë ata krijuan lidhjet kulturore ndërmjet dy botëve.

Po e kundruam, tani, këtë rrethanë në kontekst të Konicës, është e kuptueshme se futja e tij në shoqërinë e lartë evropiane kishte në prapavijë edhe kontekstin që e përmendëm më lart. Konica ishte djalë i ri, i pashëm, ishte bej dhe vinte nga perandoria e madhe e Turqisë. Se ishte shqiptar, mund të kuptohej më vonë. Me këtë paraqitje, sikundër edhe me mprehtësinë dhe intelektin, ai do të përfitojë shumë: do të arrijë të bëhet i pranueshëm në shoqërinë e lartë. Thënë shkurt, do parë edhe njëherë, nëse marrëdhëniet e tij me Apolinerin vinin nga pasioni i dy njerëzve të ditur për poezinë dhe për gjëra të tjera që i preokuponin intelektualisht, apo ishin marrëdhënie që i tejkalojnë raportet intelektuale ndërmjet dy burrave. Dy janë arsyet që të nxisin dilemën: e para, mënyra si e përshkruan Konicën poeti i njohur (aty ka shumë ndjenjë dhe shumë më pak racionalitet) dhe, e dyta, vetë Konica sikur i hesht këto raporte, veçmas nga sytë e shqiptarëve. Nga ana tjetër, Apolineri thotë se largimi i Konicës ishte i befasishëm dhe është i bindur se nuk do ta shihte kurrë më, sikundër as letra nuk do të merrte më prej tij. Pse? Nga e dinte këtë Apolineri? Shpjegimi i mundshëm është se marrëdhëniet e tyre, që duket se nuk kishin qenë vetëm intelektuale, ishin prishur përfundimisht. Nga ana tjetër, mbyllja e kapitullit të aventurave evropiane të Konicës me një largim të përnjëhershëm në Amerikë, përveçse me politikë dhe me dijeninë se kontinenti i ri po bëhej qendër e re botës, lidhet edhe me dy fakte: e para, Konica tashmë kishte arritur një moshë jofunksionale për aventura, prandaj për ta mbyllur këtë kapitull duhej të zhvendosej në një kontinent tjetër; dhe e dyta, në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, shoqëria evropiane kishte pësuar ndryshime të mëdha dhe nuk e kishte as moralin, as mendësinë dhe as preokupimet e fundit të shekullit XIX. Prandaj, Konica kërkon dhe gjen një botë të re, një hapësirë të re dhe, natyrisht, një moral të ri. Dhe një vend ku mund të harronte dhe të ishte i harruar. Nëse ka qenë kështu e unë vetëm shfaq një dilemë se mund të ketë qenë edhe kështu, atëherë kësaj mendoj se i duhet shtuar edhe fakti se Konica assesi nuk duhet gjykuar për këtë, por vetëm duhet parë në dritë të plotë personaliteti i tij.

Në mbyllje

Studimet e thelluara për Konicën, për jetën dhe veprën e tij, mendoj se duhet të japin përgjigje edhe në këto dilema, por edhe në dilema të tjera, të cilat zakonisht ne nuk i sqarojmë, sepse jemi të prirur të ruajmë njëfarë “pastërtie morale” të personaliteteve historike dhe kulturore, duke bërë prej tyre jo vetëm njerëz të idealizuar, por të tillë që nuk shëmbëllejnë me njerëzit që kanë jetuar në këtë botë. Nëse insistojmë në sqarimin e dilemave të këtilla, tejkalojmë shkallën e tanishme të studimeve pozitiviste./ KultPlus.com

146 vjet nga lindja e Faik Konicës, një intelektual i dimensioneve europiane

Shkrimtar, kritik letrar, publicist, eseist, përkthyes, një nga personalitet më të shquara të kulturës, letërsisë, e jetës politike shqiptare, një intelektual i dimensioneve europiane, përcjellë KultPlus.

‪‎Faik Konica lindi më 15 mars 1875 në Konicë, në një familje të vjetër koniciote. Pasi mori mësimet e para në vendlindje, ndoqi Kolegjin Jezuit Saverian të Shkodrës e më pas studimet e liceut perandorak francez të Stambollit.

Pasi kreu shkollat e mesme në Francë, vazhdoi studimet në Dizhon për filologji romane dhe më pas u diplomua në universitetin e Harvardit të SH.B.A, ku mori gradën “Master of Arts”.

Me 1897, në Bruksel botoi numrin e parë të revistës politike kulturore e letrare “Albania”.

Pas vajtjes së tij në Boston, së bashku me Fan Nolin, themelojnë gazetën Dielli, një organ i rëndësishëm i Federatës Panshqiptare “Vatra”. Me 1912 në emër të Federatës Vatra, shkon në Londër për të mbrojtur interesat kombëtare shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.

Më 1921, Konica zgjidhet kryetar i Federatës Vatra dhe me rimarrjen e drejtimit të gazetës Dielli, ai shkruante në një rubrikë të tijën “Shtylla e Konitzës”.

Më vitin 1926, Faik Konica emërohet Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara.

Vdiq në Uashington më 15 Dhjetor 1942. Në vitin 1995, pas rënies së diktaturës komuniste, eshtrat e tij u sollën në Tiranë.

Me veprën e tij letrare e me shkrimet kritike, Konica pasqyron një njohje të thellë të mendësisë shqiptare, e jetës politike shqiptare. Gjatë veprimtarisë së tij është përpjekur për një gjuhë letrare të përbashkët dhe ndihmoi në pasurimin e zhvillimit të stilit letrar dhe publicistik të shqipes së shkruar. Krijimtaria e tij ka mbetur në pjesën më të madhe e botuar në shkrime të shtypit të kohës dhe në dorëshkrime. Faik Konica mbetet një figurë qendrore dhe një pikë referimi në ecurinë e kulturës sonë moderne. / KultPlus.com

‘As bukë, as brekë s’ju lanë, ju punoni e ata hanë’

Poezi nga Faik Konica

O të humbur shqiptarë
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhe ju hodhnë,
dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë,
prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorët t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu zemra shqiptare!

O shqipëtare barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
mrephni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

T’i frikësoni zuzarët
ç’i shuan shqipëtarët,

E ne vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni! / KultPlus.com

‘E vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha’

Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare.

Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë, po ju sjellim një nga thëniet më briliante të tij:

… e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha.” / KultPlus.com

Shoqëria e dramës “Dora D’Istria” në Worcester më 1941 (FOTO)

Më katër korrik 1923 komunitet shqiptar në SHBA do të shihte për herë të parë Faik Konicën e letrave, në rolin e regjisorit të teatrit, ku do të ngjiste në skenën e “Arlington Theatre”, Boston tragjedinë “Otello” përkthyer në shqip nga vet shkrimtari shqiptar.

Konica nuk ishte i vetmi shqiptar në SHBA që bëri art në gjuhën shqipe.  Sipas të dhënave të komunitetit shqiptarë në Worcester ka ekzistuar një shoqëri e dramës e cila mbante  emrin ‘Dora D’Istria’.

Gjatë sezonit artistik të viti 1941 kjo shoqëri ka vënë në skenë dramën shqiptare “Karl Topija” (1923) të Kristo Floqit.

Në këtë foto kortezi e Albanian Community of Worcester është trupa e plotë e aktorëve të shfaqjes. / dp/ KultPlus.com

Faik Konica: Veset e pandreqshme të shqiptarëve

   

Rrëfimet e mbetura në letër mbi karakterin e shqiptarëve. Shënimet e grekëve, italianëve, turqve apo francezëve mbi shqiptarët.

Faik Konica

(Nga Uashingtoni, ai vazhdonte të hidhte në letër historinë e shqiptarëve, frymëzuar nga gjithë librat që kishte lexuar, por dhe nga përvoja personale. Fati nuk deshi që Konica t’i përfundonte këto shënime, por ato janë sot si dëshmi jo vetëm e një kohe dhe një mendjeje që ka kontribuar aq shumë për çështjen shqiptare, por dhe një mënyrë për të parë një tablo të jetës sonë në ato vite. Këto shënime do të botoheshin shumë më vonë në një libër “Shqipëria, kopshti shkëmbor i Europës Juglindore”, një libër që ia vlen t’i rikthehesh shpesh për të takuar idetë përparimtare të tij.)

Për të nisur hulumtimin në karakterin e shqiptarëve, Konica ndalet te një nga gjestet që mund të quhet i rëndë për një shqiptar dhe ai është ta quash “i pabesë”. “Më së pari duhet ditur se fyerja më e rëndë në Shqipëri, është ta quash tjetrin ‘i pabesë’. Shumë gjaqe kanë pasur si pikënisje akuzën për pabesi. Kjo s’do të thotë se në Shqipëri nuk ka njerëz të pabesë, por tregon nivelin e sjelljes dhe idealin që parapëlqehet më shumë. Është interesante të vihet në dukje se në Greqinë moderne fyerja më e rëndë është ta quash tjetrin “analfabet” ose “të trashë” a “të plogët”: ideali i fqinjëve jugorë të Shqipërisë nuk është karakteri, por zgjuarsia, shkathtësia. Një fjalë e urtë e përhapur në të gjithë Shqipërinë thotë: “Shqiptari për një plesht djeg jorganin”. Kjo tregon padurimin dhe rrëmbimin, vrullin e shqiptarit. Ndoshta proverbi e ka zanafillën tek këshilla e ndonjë udhëheqësi për të mos nisur luftime të kushtueshme për punë të kota. Një sjellje edhe më fisnike shpreh fjala e urtë “Kokë e falur nuk pritet”, që do të thotë se armiku i nënshtruar ose i zënë rob nuk vritet”, shkruan ai.

Historiani bizantin, Nikiforos Gregoras, i cili nuk mund të dyshohet për simpati ndaj shqiptarëve, e përforcon faktin se shqiptarët nuk i vrasin, as nuk i shndërrojnë në skllevër, armiqtë e mundur. Është e vërtetë se Gregorasi përmend edhe emrat e disa kombësive të tjera të Perandorisë Bizantine që ndjekin po atë etikë luftarake, por edhe shembuj të ndryshëm, që dëshmojnë të kundërtën, mund të gjenden në kronikat e Bizantit. “Sidoqoftë në kohët e reja, në mes të kombeve të Europës Juglindore, vetëm shqiptarët i kanë qëndruar besnikë traditës kalorësiake që ta falin armikun e mundur”, Duke folur për femrën, ai shkruan se “është diçka e ditur dhe e vërtetuar që në Shqipëri ‘gruaja gëzon paprekshmërinë’”. “Edhe në luftimet e gjaqet më të egra, gruan s’e trazon njeri. Kur dikush ka një armik, i cili ruan rastin t’i marrë hak, kur i duhet të udhëtojë, e ndien veten më të sigurt po të jetë i shoqëruar nga ndonjë grua; megjithëse kjo mënyrë veprimi quhet si jo burrërore. Edhe hajdutët e rrugëve i përmbahen këtij qëndrimi ndaj grave”, shkruan Konica.

Ai sjell në kujtesë një ngjarje që duhet të ketë ndodhur në vitet 1900 ku në shtypin botëror shkruhej për një ngjarje: treni ndërkombëtar “Orient Ekspres”, që udhëtonte nga Parisi në Stamboll, u sulmua nga kusarët e Thrakisë. Udhëtarët meshkuj u detyruan të linin trenin me gjithë plaçkat e veta. Ndërkaq kryetari i bandës u tha grave të zinin vendet ku ishin më parë në tren dhe disa herë me radhë u kërkoi të falur për shqetësimin. Nga urdhrat që u jepte shokëve të vet në gjuhën shqipe, u mor vesh kombësia e hajdutëve. “Shqiptarët, kur flasin për veten e tyre, krenohen duke thënë se kanë shumë cilësi të mira e virtyte. Kjo është një pikë e dobët që e ka çdo komb dhe opinione të tilla nuk kanë ndonjë vlerë. Përkundrazi thëniet dhe shprehjet popullore janë gjykime spontane; ndër to, si të thuash, një komb zihet në befasi. Ne do ta vazhdojmë gjurmimin tonë po në atë vijë dhe do të përpiqemi të japim mendimin e popujve të tjerë për shqiptarët”, shkruan Konica.

Ai veçon mendimin e turqve, për shkak të afërsisë së tyre pesëqindvjeçare me shqiptarët. “Të gjithë historianët turq bëjnë fjalë për kokëfortësinë shqiptare: ‘Arnaud iunud’ do të thotë ‘shqiptari kokëfortë (i papërkulshëm)’” dhe është një shprehje e zakonshme në kronikat e vjetra turke. Turqit mendojnë gjithashtu se shqiptarët janë gjaknxehtë. “E ka një dell shqiptari”, është një shprehje turke mjaft e përhapur. Sir James Sedhouse, që e ka përfshirë këtë shprehje në fjalorin e vet monumental turqisht-anglisht, jep këtë përkufizim në botimin e ri të vitit 1921: “Arnautligi tuttu” – filloi t’i lëvizë gjaku, flet a vepron, siç bën zakonisht një shqiptar, me vrull. Sipas mendimit të komandantëve të vjetër turq, është me të vërtetë trim dhe shumë i zoti për të sulmuar, për të pushtuar ndonjë vend me mësymje, por qëndron indiferent kur kushtet kërkojnë taktikë mbrojtëse. Shqiptari vlerësohet nga turqit si tip i zgjuar, por një historian turk i shekullit XVII, Ibrahim Peçevi, thotë se “Ajaz Pasha i përkiste racës shqiptare, e megjithatë ishte shumë i zgjuar”, shkruan ai.

Sipas mendimit të turqve, interesi për para është një karakteristikë tjetër e shqiptarit, i cili është gati të futet në aventurat më të rrezikshme, mjaft që të nxjerrë ndonjë përfitim. E kishin zakon të tregonin një anekdotë në kohën e Perandorisë së vjetër turke: E pyetën shqiptarin një herë “a do të shkosh në ferr?” dhe ai u përgjigj “Sa është rroga atje?”.

Ndërsa grekët kanë një tjetër mendim për shqiptarët. Në gjuhën popullore greke, takojmë dy shprehje për shqiptarët. “Një kokë shqiptari” thuhet për një njeri të papërkulshëm e kryeneç. Kur dikush vuan nga hallet që i kanë rënë përsipër, miqtë e ngushëllojnë duke i thënë “hajt se Zoti nuk është shqiptar”, që do të thotë se Zoti është i mëshirshëm.

“Kjo akuzë për mizori kuptohet fare mirë po të shikohet në dritën e historisë: grekët për qindra vjet me radhë i kanë njohur shqiptarët vetëm si pushtues, si kusarë që u plaçkitnin qytetet bregdetare, si ushtarë të dërguar ndër ekspedita ndëshkimore, si xhandarë ose si mbledhës taksash. Grekët nuk patën rast të njohin anën njerëzore të shqiptarëve”, shkruan Konica.

Ajo çfarë e çudit atë janë italianët. “Italianët – dhe kjo të çudit shumë – megjithëse kanë pasur vazhdimisht marrëdhënie të ngushta dhe të afërme me shqiptarët, kanë vetëm një shprehje në lidhje me këtë popull. Edhe kjo nuk është diçka në favor të shqiptarëve. Shprehja “far l’albanese” mund të gjendet në të gjithë fjalorët e mirë të italishtes, si për shembull, në atë të Nikola Zingarelit (Nicola Zingarelli). Përkthimi fjalë për fjalë i shprehjes është “të hiqesh si shqiptar”, kurse kuptimi është tjetër “bëj sikur s’kuptoj; hiqem sikur nuk di gjë”, shkruan ai.

Ndërsa francezët gjithnjë kanë pasur marrëdhënie të ngushta me shqiptarët, princat e familjes së Kapetëve kanë mbretëruar në Shqipëri për afro njëqind vjet. Një shprehje që mund të takohet në kronikat e vjetra është kjo: “fier comme un albanais” – krenar si shqiptar. Edhe banorët e Ishujve Britanikë do ta kenë vizituar shpesh Shqipërinë në kohën e kryqëzatave, gjatë rrugës së tyre për në Tokat e Shenjta. Këtë itinerar ndiqnin edhe popujt e tjerë, mbasi rruga që kalonte nëpër Shqipëri ishte më e sigurta në atë kohë, kur udhëtimi për det, me anije të vogla, paraqiste rrezik.

Por këto vizita, në kalim e sipër, nuk kanë lënë gjurmë në histori. Për një grup anglezësh në Shqipëri bëhet fjalë vetëm në vitin 1457. Në këtë vit, një fisnik anglez me një kompani detarësh, erdhi në Shqipëri për të ndihmuar Skënderbeun në luftën kundër turqve. Nga këta ushtarë të guximshëm anglezë një pjesë e mirë u kthyen të gjallë në atdhe, i cili në atë kohë ishte i trazuar nga Lufta e dy Trëndafilave dhe nuk dihet çfarë përshtypjesh u la Shqipëria. Por, tre a katërqind vjet më vonë, anglezët, pasi pushtuan ishujt e Detit Jon, hynë në marrëdhënie të mira për një kohë të gjatë me Shqipërinë.

“Ata na kanë lënë disa vëzhgime të mprehta dhe të shkëlqyeshme mbi karakterin e shqiptarëve. Këto përshtypje, herë janë, herë nuk janë në favor të shqiptarëve, por vlejnë për sinqeritetin e tyre, mbasi shqiptarët për të cilët bëhej fjalë në ato studime ishin analfabetë e prandaj të paaftë të falënderonin ose të protestonin për sa thuhej rreth tyre”, shkruan Konica.

Villiam Martin Lik , i cili e filloi karrierën e vet si inxhinier ushtarak dhe e mbylli si arkeolog klasik, studimet e të cilit edhe pas një shekulli studiohen me nderim nga dijetarët, flet më se një herë në librat e vet për karakteristikat e shqiptarëve. “Plutarku na vë në dijeni. – thotë Lik, – se Pirroja ishte një oborrtar i shkathët dhe që në rini përpiqej të fitonte miqësinë e njerëzve të fuqishëm. Ky është në përgjithësi karakteri i shqiptarëve. Ata përpiqen me çdo mënyrë të sigurojnë mbrojtjen e eprorëve të tyre dhe u qëndrojnë besnikë, kur paguhen rregullisht. Kryengritjet e tyre të shpeshta zakonisht shkaktohen nga sjellja e pabesë e zyrtarëve, të cilët ndërmarrin disa punë pa siguruar më parë mjetet e duhura financiare. Shqiptarët, duke qenë zakonisht më të varfër se turqit, janë të kufizuar në kërkesat e veta, janë më të qëndrueshëm e të durueshëm, janë më të regjur me vështirësitë që në moshë të njomë”.

Në një vend tjetër, koloneli Lik shpreh këtë mendim: “Ndërsa turku krenar dhe përtac dhe fshatari i varfër grek paraqiten shpeshherë pa pikë energjie, si pasojë e shtypjes dhe e varfërisë së vazhdueshme, këta shqiptarët dallohen për veprimtarinë e tyre të palodhur. Ata i zinin të parët pikat më të larta anës udhës, sikur ishin në garë cili do të ngjitej i pari. Të gjitha pyetjeve në lidhje me topografinë u përgjigjeshin me zgjuarsi, lejen për të shikuar me teleskopin tim e quajnë si një shpërblim të madh. Nuk ka dy gjëra në këtë botë që ndryshojnë më tepër në mes tyre se sa zakonet, (sjelljet) e shqiptarëve me ato të osmanllnëve. Këta të fundit janë qeniet më flegmatike dhe të plogëta të njerëzimit, përveç rasteve kur i nxit diçka e jashtëzakonshme.

Por, për Konicën, një ndër karakteristikat kryesore të shqiptarëve, që asnjë studiues i huaj nuk e ka vënë re, është individualizmi.

Një dijetar gjerman, dr. Herbert Louis, i cili, siç e kemi thënë edhe më parë, ishte ngarkuar nga qeveria shqiptare të studionte topografinë e vendit, deklaron se në Shqipëri nuk ekziston kuptimi i fjalës turmë. “Një nga përshtypjet më të forta, – deklaron dr. Louisi – që më ka mbetur nga shqiptarët, është ajo që te secili prej tyre, vihet re një njeri me besim të madh në vetvete. Çdo individ, qoftë i zgjuar ose budalla, ka një aftësi të dukshme për të vendosur vetë dhe është mësuar të trajtojë pasurinë dhe jetën e vet në mënyrë praktike. Në një situatë të paqartë, secili jep një gjykim dhe është i gatshëm për nisma të guximshme. Me fjalë të tjera, në Shqipëri nuk ekzistojnë masa indiferente”.

“Kjo mungesë e frymës së turmës ka pasur pasoja fatale për unitetin e Shqipërisë, pasi secili përpiqej të merrte pjesë drejtpërsëdrejti personalisht, pa ndërmjetës ose të deleguar, në diskutimin e punëve publike. Ideja e shtetit për shqiptarin nuk kalonte përtej caqeve të qytetit ose përtej maleve ku banonte. Ashtu si për grekët e vjetër dhe për italianët e mesjetës, ideali i shqiptarit ishte ai i një qyteti shtet. Në rastet kur çështja kombëtare kërkonte unitet veprimi, vetëm mbas diskutimesh pa fund arrihej të merreshin masa të përbashkëta, por edhe këto shumë herë tepër me vonesë. Nëse Shqipëria u nënshtrua nga të huajt në të kaluarën, gjithmonë ndodhte për fajin e një qëndrese të pakombinuar”, shkruan Konica.

Ajo çfarë është interesante sipas tij, është dhe fakti se shqiptari, megjithëse shumë i pavarur dhe individualist, për të mos iu nënshtruar ndikimit të huaj kundër vullnetit të vet, prapëseprapë ka besim të madh në përparësinë që i takon atij që ka lindur në një familje të fisme. Ai sjell si shembull një ngjarje nga historia e kryengritjeve shqiptare, kur trazirat shkaktoheshin vetëm për shkak se caktohej si sundimtar ndonjë njeri nga familje e panjohur (pa emër). “Jo shumë kohë më parë (për të qenë të saktë, në vitin 1896) Sulltani kishte emëruar një sundimtar të përgjithshëm në Shqipërinë e Veriut, por popullsia ngriti krye, rroku armët dhe shprehu pakënaqësinë që do të sundohej nga një njeri me prejardhje familjare të rëndomtë. Një gazetar frëng i kohës vuri në dukje se “këta shqiptarët kanë një mënyrë të menduari si Montomorensia” (Duka i Montmorency, të cilit ia prenë kokën më 1632).Por qëndrimi shqiptar e ka burimin gjetiu: mbështetet në përvojën që “njeriu i ri”, njeriu i pafis (homo novus), shpesh nuk di ta përmbajë veten. Në Shqipëri dëgjohet ky proverb popullor “Kur bëhet jevgu pasha, më parë vret të atin”. Kjo shprehje popullore e shqipes është varianti i proverbit të anglishtes “Po i hipi kalit një lypës, do t’i grahë sa t’i nxjerrë shpirtin”.

Urrejtja është një tjetër. Prandaj përzierja e një autoriteti qendror në liritë lokale dhe individuale shikohet si një dhunë, ligjet që nxjerr ai autoritet qendror quhen në esencë si të padrejta dhe shkelja e tyre, sado e rëndë që të jetë, konsiderohet vetëm si një sjellje e pahijshme. Për më tepër, prej njëfarë qëndrimi patriarkal ndaj jetës, ngurron të marrë masa të rënda ndëshkimore. Dënimi me vdekje shikohet kudo si diçka e urryer, dhe është për t’u vënë në dukje se edhe në ditët tona, ashtu si në të kaluarën, nuk gjen dot njeri në Shqipëri që të bëjë punën e xhelatit. Për të zbatuar dënimet me vdekje të gjykatave, policia detyrohet të pajtojë ndonjë jevg, i cili, pas shumë protestash, e kryen detyrën, natyrisht jo si profesionist, por si diletant, gjë kjo që ia zgjat vuajtjet viktimës”, shkruan Konica.

Ndërsa një nga karakteristikat fatkeqe të shqiptarëve dhe që zë vend të dukshëm, është mungesa e plotë e idealizmit tek ata. Në një vend ku njeriu vdes aq me lehtësi në grindje të ndryshme, nuk është dëgjuar të vdesë kush për një ideal a për një çështje (kauzë). Kjo ndihmon të shpjegohet fakti përse Shqipëria nuk e fitoi lirinë më parë dhe ka një numër kaq të paktë dëshmorësh të rënë për pavarësinë kombëtare. Aktet e devotshmërisë dhe të guximit, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund të përdoren si argument për të përgënjeshtruar thënien time. Por, devotshmëria e egër ndaj traditave të vendosura dhe ndaj kanunit shekullor të nderit, janë më tepër veprime mekanike dhe për t’i kryer nuk nevojitet të vihet në rrezik jeta në mënyrë të vullnetshme për një ideal të zgjedhur lirisht. Ndërsa mikpritja është një virtyt tashmë i pranuar nga të gjithë.

Konica thotë, se “shqiptarët nuk kanë prirje të flasin shumë”. Këtë gjë e vë re dhe shkrimtari frëng Hiasent Hekar (Hyacynthe Hecquard), i cili, si konsull i Francës në Shkodër për shumë vjet me radhë, arriti ta njihte mirë Shqipërinë e Veriut, e vë në dukje shkurtësinë plot dinjitet të fjalimeve në kuvendet popullore.

Jeta seksuale e shqiptarëve

Për jetën seksuale të shqiptarëve mund të thuhet fare pak në një libër të destinuar për publikun e gjerë. Disa vese nuk janë të panjohura ndër qytete, megjithëse janë fryti i ndikimeve të huaja; porse vështirë të gjendet në botë një popullsi me zakone më të pastra se ajo e fshatarëve dhe malësive të Shqipërisë. Pafajësia e popullit të thjeshtë dëshmohet edhe nga një zakon i çuditshëm që ka mbetur deri vonë e nuk është zhdukur ende plotësisht. Përpara martesës (dhe nusja është zakonisht pesëmbëdhjetë deri më shtatëmbëdhjetë vjeçe, kurse dhëndri nëntëmbëdhjetë deri njëzetenjë) një burrë i moshuar, pjesëtar i familjes, do t’i shpjegonte bashkëshortit të ardhshëm anën fizike të martesës, ku do të shënonte me shkumës, me qymyr ose me ndonjë lëndë tjetër ngjyruese një rreth të vogël përqark “depilata virginis pudenda, ut iuvenis inexpers introitum facilius inveniat”.

Në disa krahina të Shqipërisë ekziston një besëtytni në lidhje me seksin e ujërave. Disa ujëra quhen “mashkullore” dhe besohet se kanë veti afrodiziake për burrat; disa ujëra të tjera janë “femërore” dhe mendohet se ushtrojnë të njëjtin efekt te femrat; kurse një lloj uji tjetër është “asnjanës”. Një burrë, me arsim, më tregoi se një herë kishte shkuar për punë nga qyteti i lindjes Gjirokastër në një fshat gjashtë orë larg. Sapo arriti aty piu një gotë ujë nga një burim dhe menjëherë pas kësaj diçka e shtyu të kthehej në shtëpi dhe të takohej me të shoqen. Ai ua tregoi shokëve këtë ndjenjë të çuditshme dhe ata e pyetën, duke qeshur, nëse kishte pirë ujë nga një farë burimi. Unë e ndërpreva bashkëbiseduesin, duke e pyetur a e dinte më parë çfarë mendohej për ato ujëra. “E mora vesh çfarë doni të nxirrni me këtë pyetje, ma ktheu ai – doni të dini se mos isha ndikuar nga sa kisha dëgjuar për ato ujëra; jo, deri atë ditë nuk kisha dëgjuar asgjë për efektin e tyre”. Ai shtoi se, meqë e kishte kthyer kalin në Gjirokastër dhe i kishte urdhëruar shërbyesit të vinin e ta merrnin pas tri ditësh, u kthye më këmbë në qytet sa më shpejt që mundi. / Konica.al/ KultPlus.com

Çfarë mendon Faik Konica për gjuhën esperanto? Letra e tij botuar në gazetën “L’européen”

“Mercure de France” ka botuar, me 1 nëntor 1903, në faqet 521-523, një shkrim mbi mendimin (analizën) e Faik Konicës (Thrank-Spirobeg-ut) për gjuhën Esperanto, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

L’Européen botoi, nga një korrespondent i rrallë, z. Thrank-Spirobeg, shkrimtar shqiptar që trajton gjuhën tonë mrekullisht, një letër kurioze për gjuhët ndërkombëtare, dhe veçanërisht Esperanton, e fundit deri më sot, me gjuhën blu, nga këto ndërtime të shpikura dhe të përkohshme :

Esperanto është një fantazi qesharake dhe është për t’u habitur të shohësh disa figura të një inteligjence të lartë të futura në këtë galerë prej kartoni. Ideja për t’i bërë të gjitha kombet të flasin në të njëjtën gjuhë ka po aq kuptim sikurse të bashkosh kuaj, gomerë, qe dhe deve dhe t’i detyrosh, duke i rrahur të tërë me shkop, të hingëllojnë, pëllasin apo ulërojnë, pa dallim speciesh. I vetmi ndryshim është se apostujt e Esperantos i zëvendësojnë rrahjet me shkop me bindjen. Por gabimi është i njëjtë : ai konsiston në konsiderimin e gjuhëve si krijime artificiale, ashtu si rrobat dhe veshmbathjet, të disponueshme dhe të zëvendësueshme sipas dëshirës.

Por, çfarë është një gjuhë në të vërtetë? Unë përcaktoj një gjuhë, fizionominë tingëlluese të një race. Në të vërtetë, ne nuk kemi asnjë shembull të dy racave shumë të dallueshme që zotërojnë të njëjtën gjuhë, vetë ideja e një fakti të tillë është e pamundur të konceptohet sepse do të nënkuptojë ekzistencën e dy fytyrave njëkohësisht të pangjashme dhe identike. Pra, kur mbrojtësit e Esperantos pretendojnë të shtypin këto organizma të gjallë që janë gjuhët në mënyrë që t’i zëvendësojnë ato me një makinë universale, unë them se ata duhet të fillojnë duke shtypur të gjitha racat si raca dhe t’i bashkojnë ato në një racë të vetme. Dhe këtu është mënyra e vetme për të bërë këtë operacion të vogël: të vendosni të gjitha racat ekzistuese nën të njëjtën temperaturë, përpara të njëjtit peizazh, nën të njëjtin regjim politik dhe ekonomik, – dhe t’i kryqëzoni ato në mënyrë metodike për disa shekuj. Kjo do të thotë që larmia e racave është e pashkatërrueshme, po aq e pashkatërrueshme sa larmia e gjuhëve. Prandaj, Esperanto ka disa mundësi të qëndrojë në një gjendje shprese të përhershme.

Gabimi thelbësor i esperantistëve është të injorojnë, qëllimisht, se pasuria dhe bukuria e një gjuhe nuk janë vetëm në fjalorin dhe sintaksën, por mbi të gjitha në masën në të cilën është e mundur të shprehin nuanca të reja përmes kombinimeve të reja të fjalëve. Një gjuhë e kulturës së lartë, si frëngjishtja për shembull, nuk ka kufij në përsosmëri; shkrimtarët e mëdhenj vazhdimisht e pasurojnë atë me forma të reja, duke e mprehur, rafinuar, duke e bërë atë më të “vështirë” gjithashtu dhe duke e komplikuar atë me një arsye të mirë, sepse vetëm një organizëm i komplikuar është i aftë të shprehë ndjesi të komplikuara. Përkundrazi, Esperanto pranohet me naivitet si gjuhë “shumë e lehtë”, domethënë e aftë për shprehjen e vetme të ideve shumë të thjeshta. Dhe, për fatin e saj, ajo është e dënuar të mbetet përjetësisht e lehtë, sepse nëse, duke u bërë gjuha universale, shkrimtarët nga vende të ndryshme do të merrnin përsipër ta përmirësonin, domethënë ta transformonin, do të kishte shpejt aq shumë specie të esperantos sa ka kombe.

Nuk mund ta kishim thënë më mirë. Fundi i letrës përmban disa pikëpamje më të diskutueshme mbi të ardhmen gjuhësore të Evropës. Unë mendoj se uniteti gjuhësor është i pamundur pa unitetin politik; por këto dy njësi, nëse do të realizoheshin, ndoshta do të ishin vetëm për një moment. Le ta lëmë të ardhmen. E tashmja mbetet për të ardhur keq. Si ilaç, pasi që theksi mbi kombësitë dhe fshirjen e latinishtes, nuk ka asnjë në praktikë. Ne duhet të përpiqemi t’i bëjmë “gjuhët e vogla” të kuptojnë se interesi i tyre është thjesht familjar dhe, me raste, letrar, se gjithçka që i drejtohet të gjithëve duhet të shkruhet në një nga “gjuhët e mëdha”. Por kush do t’i ndajë në mënyrë të barabartë gjuhët e mëdha dhe të vogla? Z. Thrank-Spirobeg pranon vetëm tre kryesore : frëngjishten, anglishten dhe gjermanishten. Janë shumë ose shumë pak. Në shekullin e shtatëmbëdhjetë, kur donim të popullarizonim një libër, për ta bërë atë të dilte përtej rrethit, sado shumë i gjerë, nga frëngjishtja, ne e përkthenim atë në latinisht. Kështu bëri edhe Dekarti (Decartes) për Ligjërimin e tij; ashtu bëri edhe Nicole për “Provinciales”. Nëse Koperniku do të kishte shkruar në polonisht, ne ndoshta nuk do ta dinim se toka rrotullohet… / KultPlus.com

Matoshi: Konica u thojke shqyptarëve nder sy ato të vërteta që nuk u pëlqejnë, as atëherë as sot

Në 78 vjetorin e tij të lindjes figura të shumta publike kanë përkujtuar Faik Konicën, patriotin, shkrimtarin e diplomatin që ka qenë çdo herë në shërbim të atdheut, shkruan KultPlus.

Një ndër personat që ka përkujtuar këtë figurë shumëdimensionale është edhe profesori Halil Matoshi. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook ka shkruar se Konica çdo herë ju ka thënë shqiptarëve të vërtetat në sy edhe atëhere kur atyre nuk ju kanë pëlqyer.

Më poshtë mund të gjeni statusin e tij të plotë:

Epoka e pas të vërtetës dhe Faik Konica

(Konica u thojke shqyptarëve nder sy ato të vërteta që nuk u pëlqejnë, as atëherë as sot)

(Në përvjetorin e vdekjes)

Budallallëku âsht gjendje ngadalësie në perceptim, mungesë mendimi kritik dhe mbi të gjitha marrje e të vërtetave të gatshme, ashtu siç i imponon ni autoritet.

Budallallëku âsht sistem dhe ngadalësi veprimi.

Mediokriteti asht në kulm të Piramidës së pushtetit. Ata janë ni tufë budallenjsh të rrezikshëm, të cilët e urrejnë normën.

E dhimbshme kur në këtë tufë budallenjsh hyjnë si i paarsimuemi si profesori i universitetit, kur i bashkon kauza e njâjtë: rreshtimi rreth ideologjisë populiste që nxitë pranueshmëninë e informatës të standardeve të ulta.

“Ajo që na shquan neve është se pësimet nuk na bëhen mësime. E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para.

Me këtë mentalitet nuk do të mund kurrë të bënim një shtet serioz.

Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se fluturon gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike” – shkruante Faik Konica gati këtu e një shekull më parë.

P.S.

Shqiptarë t’paarsimuem e fodull tallin secilin që u del n’udhët e bjerrakohësisë dhe përgjumjës, madje tue i poshtnu ata!

Poshtnimi i tjetrit/tjetrës âsht mission i shqiptarit që beson se gomerēt vërtet fluturojnë!?/ KultPlus.com

Konica: Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh

Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare.

Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë, për nder të 78 vjetorit të vdekjes, po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).

35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).

37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).

38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).

39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).

40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).

41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).

42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).

43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).

44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).

45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).

46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).

47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).

48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).

49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).

50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com

78 vjet pa Faik Konicën

Faik Konica, studiues dhe kontribuues i çështjes e historisë kombëtare, i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar kishte lindur më 15 mars të vitit 1875 në Konicë, ndërsa vdiq më 15 dhjetor të vitit 1942 në Uashington të SHBA-së.

Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare. Rrjedh nga një familje e vjetër feudale.

Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës. Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe. Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike./ KultPlus.com

Vargjet e ndaluara në diktaturë, artistët shqiptar rikthejnë krijimtarinë e autorëve të njohur

Pas më shumë se 72 vitesh, kohë ku regjimi diktatorial ndaloi së lexuari krijimtarinë e shumë autorëve si të At Gjergj Fishtës, Faik Konicës, Martin Camajt dhe Ali Asllani, artistët e mirënjohur të skenës shqiptare i risollën për publikun në një formë tejet të veçantë.

Germa “R”, ajo që damkoste librat, bashkoi artistët më të njohur si Roza Anagnosti, Ndriçim Xhepa, Luiza Xhuvani dhe Kristian Koroveshi tek instalacioni “Reja”, një aktivitet edhe në në kuadër të 100-vjetorit të Bibliotekës Kombëtare. Duke respektuar masat antiCOVID, ata interpretuan vargjet e ndaluara nga regjimi komunist.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e pranishme në këtë aktivitet u shpreh se pas dekadash, këto libra çlirohen nën tingujt e kësaj Reje. Sipas saj, këta libra, kthehen nga të ndalur në një ndalesë.

Drejtori I Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha shprehet se eventi dëshmon ato peripeci që kemi përjetuar shumë prej nesh. Por, tha ai, nuk janë vetëm këta autorë, janë shumë të tjetër të cilët edhe u burgosën. Janë autorë që thjesht për një lidhje familjare me dikë të padëshiruar nga partia e Punës i ndërpritej veprimtaria letrare”, u shpreh  Piro Misha./atsh/ KultPlus.com

https://www.facebook.com/watch/?v=696512044391372&ref=external

“Në mos u shove fare, ndizu, zemra shqipëtare”

Poezi e shkruar nga Faik Konica

Vajtim për robëri të shqiptarëvet

O të humbur shqipëtarë,
Seç qenkeni për të qarë!

Për të qar’ e për të sharë,
Për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
Dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
Ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë;
Prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
Mprehni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët
Ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni!/ KultPlus.com

Në shkollën “Faik Konica” në Belgjikë filloi mësimi i gjuhës dhe kulturës shqiptare

Është bërë e ditur se në Namur të Belgjikës ka startuar sërish mësimi i gjuhës shqipe në shkollën “Faik Konica”.

Shoqata “Nënë Tereza” dhe shkolla “Faik Konica” për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Namur të Belgjikës lajmërojnë fillimin e vitit të ri shkollor 2020-2021 dhe oraret përkatëse të zhvillimit të mësimdhënies.

Duke ndjekur organizimin e shkollave belge, klasat e ofruara janë për të gjitha moshat, të ndara sipas niveleve. Mësimi kryhet nga mësues të diplomuar në lëndët përkatëse dhe me përvojë në mësimdhënie.

Qendra e Botimeve për Diasporën ka dërguar falas 403 tekste shkollore dhe të mësimit plotësues për të mbështetur mësimdhënien e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Belgjikë. /albinfo/ KultPlus.com

Shteti shqiptar dhimbje që në lindje

“Shteti ynë nuk lindi në mes të qetësisë dhe shëndetit, po lindi me të dhembura e mend dështoi. Duhej pra kujdesi më i madh që të mbahej i gjallë, që të merrte fuqi, që të rritej…

Po, përkundrazi, ky shtet i vogël e i njomë ra në duar aq brutale dhe u përdor aq ashpër, sa edhe një shtet i vjetër dhe i rrënjosur do të ish tronditur sikur të pësonte ato që pëson ay.”
Faik Konica
Dielli, 28 tetor 1922./ KultPlus.com