‘As bukë, as brekë s’ju lanë, ju punoni e ata hanë’

Poezi nga Faik Konica

O të humbur shqiptarë
Seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhe ju hodhnë,
dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë
Ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë
Q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini
Unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë,
prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorët t’Anadollit,
Kleçk e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
Ndizu zemra shqiptare!

O shqipëtare barkzbrazur,
Fustançjerr’ e këmbëzbathur

Zemërohuni një herë,
mrephni kordhët për të prerë,

Mprehni kordh’ e mprehni pallë
Të ju ndritin yj mi ballë,

T’i frikësoni zuzarët
ç’i shuan shqipëtarët,

E ne vend tuaj të rroni
Si të doni e si të thoni! / KultPlus.com

Intervista e parë e Konicës si ministër i Shqipërisë në Uashington

Më, 11 korrik të 1926 mbërriti në Uashington ministri i legatës shqiptare, Faik Konica. Duke qenë se Shqipëria nuk kishte pasur kurrë legatë në Uashington, arritja e Faikut pritej me kërshëri të natyrshme nga shtypi.

Intervistën e parë si ministër i legatës shqiptare Faiku e dha për një gazetare të agjensisë së lajmeve Associated Press që erdhi për ta intervestuar në hotelin New Willard, njëra nga pyetjet e para ishte për gratë.

Zoti ministër, ju pëlqejnë gratë amerikane?

KONICA: Në Amerikë ka një përqindje më të madhe grash të bukura se në cilido qytet tjetër të botës, me përjashtim të Vjenës.

Po jeta e qarqeve shoqërore në Uashington, si ju duket?

KONICA: Oh, ajo nuk më intereson aspak dhe nuk kam ndërmend të luaj “lojën sociale” në kryeqytet. Madje i kam pasë refuzuar ofertat për të përfaqësuar Shqipërinë si diplomat në Londër e Romë pikërisht për shkak të mospëlqimit që kam për shoqërinë e lartë.

Biseda u hodh pastaj te stili bob i flokëve të grave që, në atë kohë, ishte bërë i modës në Perëndim, aq sa përshkruhej si epidemi prej disave. Krijesë e kërcimtares Helen Castle, flokët e prera në nivelin e nofullës kishin hyrë si një zgjidhje praktike për ato gra amerikane, të cilat gjatë Luftës së Parë Botërore punonin nëpër uzina. Në Amerikë ishte hapur debati nëse flokët e prera shkurt ishin shenjë emancipimi.

Zoti ministër, a tregojnë flokët bob emancipim?

KONICA: Në vendin tim, në Shqipëri, gratë e praktikojnë këtë stil që prej dy mijë vjetësh, madje tani flokët bob kanë dalë mode. Për mua, gjithë kjo zhurmë është e pashpjegushme, sepse stili bob nuk ka lidhje me emancipimin.

Cili është hobi juaj zoti ministër?

KONICA: Teatri. Kam shkruar edhe vetë drama, megjithëse punimet e mija më të mira janë esetë. Më pëlqen shumë Shekspiri dhe gjatë pesë viteve që jetova në Londër kam parë çdo pjesë të Shekspirit që është shfaqur atje. Tani jam duke përkthyer në shqip Nata e Dymbëdhjetë mirëpo loja e fjalëve që përdor Shekspiri ma bën të vështirë punën.

Pra, ju vazhdoni të shkruani edhe tani që jeni bërë ministër?

FAIKU: Patjetër, nuk do të heq dorë nga shkrimet, edhe pse jam në shërbim diplomatik.

Cilët shkrimtarë amerikanë pëlqeni më shumë?

FAIKU: Për mua më të pëlqyerit janë Henry Louis Mencken, Theodor Dreiser, Sherwood Anderson dhe James Branch Cabell, ndërsa si dramaturg më pëlqen irlandezi George Bernard Shaw.

Për çfarë ka nevojë më shumë sot vendi juaj, zoti ministër?

FAIKU: Shqipërisë i duhen biznesmenë amerikanë për të zhvilluar industrinë e saj. Biznesmenëve evropianë nuk u zihet besë, pasi kurrë s’merret vesh nëse ata nuk nisen nga motive politike. Amerikanët janë më të pëlqyer sepse shqiptarët e dinë që ata bëjnë biznes vetëm për hir të biznesit.

(Marrë nga libri i Ilir Ikonomit, “Faik Konica, jeta në Uashington“). /KultPlus.com

‘Ne në sy të Evropës jemi të prapambetur, ca na shajnë e ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq’

Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, me veprën e tij Faik Konica pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. 

Më poshtë është një përmbledhje e thënieve të tij, për Shqipërinë dhe shqiptarët:

-Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim.

-Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit.

-Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot.

-Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie.

-Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara.

-Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime, janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri!

-Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari.

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm.

-Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen.

-Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. / KultPlus.com

“Naim bej Frashëri ish njeri zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur”

Nga: Faik Konica

Naim Frashëri
(25 maj 1846 – 20 tetor 1900)

Të tjerë, që patnë lumturinë ta shohin, t´i qasen e ta dëgjojnë, do të thotë se ç´njeri, zemërqëruar, mendjehollë e fjalëkripur ish Naim bej Frashëri. Të tjerë, në të bukura e të përmallshëme vjersha, do të qajnë për shojtjen e një yllit aq të ndritshëm – aq të rrallë – në qiell të Shqipërisë. Unë dua vetëm, në pak fjalë, të them se ç´punë të fortë e të pa lodhur bëri, ky burrë me fletë, për kombësinë tonë.
Naim beu, dihet prej kujtdo, u vu që pesëmbëdhjetë vjet e më tepër në shërbim të djelmërisë shqiptare. Kuptoi që ditën e parë se një punë nuk fortësohet mirë, përveç në rrënjë, në themele të saj. Andaj me gjithë zemër shkruajti gjithë ata libra të nevojshëm që u përndanë me mijëra nëpër gjithë Toskëri. Gjuhëtar i shëndoshë, i ditur, i mbaruar në greqishte të vjetër e në persishte e në shumë gjuhë tjera, mendjelëruar e ndjesëhollë, do të kish mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura. Po nevoja e vendit tonë, detyra t´u hapin sytë botës, e shtrëngonin të mos ngjitej më sipër se kuptim i popullit të Shqipërisë. U kufizua, pra, gjithnji në qark të ndershëm e të shkëlqyer të mësimit kombëtar. Jo se nuk ndodhen në libra të Naimi beut faqe të hieshme e të mbaruara; janë, përkundër, të dendura; po rrëfejnë të gjitha veç dëshirën të mësohet kombi. E mësoi, e ngjalli, e rriti pak kombin shqipëtar, – e gatiti udhën për një propagandë kombëtare më përparimtare.
Naim bej Frashëri pati edhe një tjatër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë kombësia jonë nga bektashizmi. Iu qas, pra, kësaj feje me gjithë zemër; shkruajti libra e vjersha, që baballarët i kanë në nder të madh, e meritoi të quhet si një nër themeluesit e kësaj feje në Shqipëri. Me atë mënyrë, gjithë bektashizmin e solli e e mbajti, në qark të kombësisë, të dashur.
Po ky është nder i madh i Naim beut, që gjithë këto punë të mëdha i bëri në Stamboll, një mjedis armiqsh, i rrethuar prej spiunësh e spicetarësh. Po s´e kish për pesë. As frikësimet, as vobësia – rroi e vdiq i vobek, e nuk kish me se të mbulohej trupi i tij! – as pabesia e shqiptarëve nuk e turbulluan një herë. Gjer në firomë të fundmë, mendoi e foli për Shqipërinë.
Treqind shqiptarë të anës kombëtare, ndër të cilët edhe të krishterë, e shpunë në vend të fundmë. Treqind veta e përcuallnë, e armiqtë, duke parë këta burra të latshm që shkonin, muarrnë vesh se ky njeri diç gjë të re kish bërë në Shqipëri.
Edhe ne i falemi me mall e me nder këtij atdhetari të pavdekur. Thamë se e shpunë në Stamboll “në vend të fundëm”; po kjo nuk është përveç një mënyrë foljeje. Kemi shpresë, kemi besë të rrënjuar se, një ditë, do të vijë që shqiptarët do t´i sjellin të mbeturat e Naim beut në atë Shqipëri, që deshi e shërbenj aq miri. Ahere, nuk do ta përcjellin treqind atdhetarë, po do ta presë një komb i tërë.
1901 /KultPlus.com

Faik Konica më 1913: Prioriteti i Shqipërisë së re do të jetë edukimi i grave

Nga Aurenc Bebja

“Le Journal” ka botuar, të premten e 4 prillit 1913, një shkrim në lidhje me intervistën e Faik Konicës për “Neue Freie Presse”, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shqiptarët nuk duan për udhëheqës Dukën e Montpensier-it

Vjenë, 3 Prill. (Nëpërmjet një shkrese të korrespondentit tonë të veçantë.)

Faik Bej Konica, president i kongresit shqiptar në Trieste, ekspozon në një intervistë të botuar nga “Neue Freie Presse”, planet për organizimin e brendshëm të Shqipërisë së re, dhe thotë se një punë shumë e rëndësishme do të jetë edukimi i grave shqiptare.

 Ne nuk do ta marrim Dukën e Montpensier-it si princ, tha Faik Bej Konica. Ne nuk kemi nevojë për një njeri mondan. Ne kemi nevojë për një njeri të hekurt, dhe do të dimë se ku ta gjejmë.

https://www.darsiani.com/la-gazette/faik-konica-per-neue-freie-presse-1913-prioriteti-i-shqiperise-se-re-do-te-jete-edukimi-i-grave-shqiptare-duken-e-montpensier-it-nuk-do-ta-marrim-si-princ/

Çfarë i rrëfyen profesorit francez Faik Konica, Gjergj Fishta dhe Esat Pashë Toptani në tetor të 1913

Nga Aurenc Bebja

“Excelsior” ka botuar, të martën e 11 nëntorit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me udhëtimin e profesorit francez Jean Brunhes në Shqipëri dhe takimet (bisedat) e tij asokohe me Faik Konicën në Durrës, Gjergj Fishtën në Shkodër dhe Esat Pashë Toptanin në Reth, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Përshtypje nga Shqipëria

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

[Bashkëpunëtori ynë i shquar z. Jean Brunhes, profesor i gjeografisë humane në “Kolegjin e Francës – Collège de France”, i cili vazhdon studimet e tij për vendet e Ballkanit, sapo është kthyer nga një mision i gjatë shkencor në Greqi dhe Shqipëri. Në çdo moment të historisë politike, grupet etnike në gadishull përballen me njëra-tjetrën – siç e kemi parë, natyrisht – në një pozicion dhe qëndrim të ri. Parashikimi i qëndrimit të së nesërmes është sekreti i të gjithë veprimeve efikase. Ne e dimë se me çfarë saktësie kishte planifikuar z. Jean Brunhes, tre muaj përpara, luftën e dytë ballkanike dhe fitoren e ushtrive serbe dhe greke. Ai tani përpiqet të na shpjegojë Shqipërinë e re, atë që nuk ekzistonte akoma pardje dhe dje; mund të jetë vendi dhe njerëzit, mbi të cilët janë publikuar informacionet më të gabuara dhe fantazuese. Pra, kjo ishte një arsye më shumë për të mbledhur këto informacione të dorës së parë dhe të freskëta.]

Në Durrës — portin kryesor shqiptar, një qytet i vogël piktoresk që vjen nga Dyrrahu i lashtë i romakëve dhe që ende është i rrethuar nga muret e bukura veneciane — mezi prisja të takoja të shquarin dhe mikpritësin e madh Mehmet bej Konicën; por ai ishte larguar kur unë mbërrita me 16 tetor.

Ai ishte larguar një ditë më parë për në Beograd, i ngarkuar nga miku i tij Esat Pasha me një mision gjysëm-zyrtar pranë qeverisë serbe : nga ky mision mund të dalë një afrim ose të paktën një “modus vivendi” i respektit të ndërsjelltë midis Serbisë dhe Shqipërisë.

Pata, të paktën, fatin e mirë të bisedoja me vëllain e Mehmet bej Konicës (autori e ka fjalën për Faik Konicën). Ai është një ish-nxënës i Gaston Paris-it në “Kolegjin e Francës – College de France”; ai kishte ardhur për të ndjekur tek ne studime serioze filologjike, në mënyrë që të vinte në pah gjuhën dhe trashëgiminë e çmuar të legjendave dhe “folklorit” të vendit të tij. Ky shqiptar ende i ri, me mendje të ndritshme dhe të mprehtë, flet shumë mirë frëngjishten dhe disa gjuhë të tjera evropiane.

 Nëse doni të informoheni për përpjekjet që ne po bëjmë për të ndërtuar një Shqipëri që mendon dhe funksionon, shkoni të takoni, në Shkodër, një françeskan shqiptar, At Fishtën : ai është poet, filolog, patriot…

Një bashkëbisedim me At Fishtën

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Unë i kisha dëgjuar vetëm emrin At Fishtës; por të dëgjoja lavdërimin entuziast për një murg françeskan nga një shqiptar mysliman shumë i arsimuar, më duk diçka e pazakontë, dhe, kështu, unë shkova për të parë At Fishtën në manastirin e tij françeskan në Shkodër.

Një burrë i pashëm me një kokë të madhe, një shikim të drejtë dhe energjik, me flokë të zinj, fytyra e të cilit shpreh një forcë disi të çuditshme që i jep pamjen e një prifti me mustaqe që bien në sy, por pa mjekër. (Të gjithë priftërinjtë katolikë serbo-kroatë dhe shqiptarë kanë zakon të rruajnë mjekrën, por të mbajnë mustaqe.)

— Ne kemi bëri, deri më tani, vetëm një jetë individuale dhe krahinore… Lëruni shqiptarëve kohë që të japin provat e tyre… Për pesë shekuj, ne u braktisëm deri në tiraninë më të përçmuar dhe madje në barbarizëm… Gjuha jonë ishte e urryer; zakonet tona të vjetra luftoheshin; këto zakone të vjetra, këto “kanune”, unë do t’i botoj; ne do të shohim se cila ishte drejtësia jonë tradicionale, dhe fryma demokratike që ajo kishte… Ne duam së pari autonominë tonë intelektuale…

Ky njeri fliste me një bindje dhe besim të tillë sa që mora guximin t’i bëj një pyetje të drejtpërdrejtë :

 Ju e dini se si priftërinj dhe murgj katolikë shqiptarë, ju shohin si agjentë të Austrisë…

Ne duam, ne shqiptarët, pavarësinë tone

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Unë do të kujtoj gjithmonë se me çfarë sinqeriteti të drejtpërdrejtë m’u përgjigj françeskani, pa iu shmangur pyetjes dhe pa vështirësi :

— S’është e vërtetë. Ne nuk jemi agjentë të Austrisë; Unë, si dishepull, çfarë do të bëja këtu, nëse do të isha peng i ndonjë fuqie? Ajo që është e vërtetë, është se ne dhe Austria kemi pasur interesa paralele. Katolikët shqiptarë kanë simpati për Austrinë, e cila ka mbrojtur dhe mbështetur, ashtu si dikur Franca, kauzën e shenjtë të lirive të tyre fetare : Unë jam drejtori i shkollave katolike të Shkodrës, të cilat financohen nga Austria, por ju siguroj mbi nderin tim që konsulli austriak nuk do të guxonte të më jepte kurrë një urdhër… Ajo që duam, ne Shqiptarët, dhe ajo që do të ruajmë kundër të gjithëve, është pavarësia jonë…

Unë po u dërgoj, si një dëshmitar besnik, këto deklarata të fuqishme.

Françeskani vazhdoi përsëri :

— Na qortojnë për faktin se nuk kemi frymë politike… Por, si mund të kemi një opinion publik disi të organizuar, kur ne jemi të pavarur vetëm prej disa muajsh?… Dhe, prapë, a i përkasim vetvetes?… Është e  qartë se ne jemi të ndarë dhe e injorojmë njëri-tjetrin; por le të na besojnë. Nuk na mungojnë individët që dikur, dhe ende dje, kanë treguar një frymë të madhe politike në Kostandinopojë. Lëruni njerëzve me vlera kohën e duhur që të vihen në pah dhe t’u imponohen natyrshëm shqiptarëve. Ne, pa frymë politike! Por kedivi i Egjiptit ka gjak shqiptar, dhe politikani i madh Crispi ishte një italo-shqiptar!

Ky françeskan, që pretendonte Crispi-n për lavdinë politike të Shqipërisë së tij, më dukej gjithnjë e më interesant.

— Gjenerali Esat Pasha e ka treguar veten si një njeri që di të qeverisë. Ne e pamë në aksion gjatë rrethimit të gjatë të Shkodrës. Ai arriti t’u vinte rreth, në këtë qytet shqiptar katolik, 35.000 turqve pa asnjë incident.

Rrethimi, megjithatë, ka qenë kaq i gjatë dhe i vështirë! Të gjitha lidhjet (rregullat) e disiplinës mund të ishin dobësuar…

Edhe katolikët shqiptarë kanë shpresë për të ardhmen e vendit të tyre mbi personalitetin e spikatur të pashait, gjeneralit Esat. Po kështu, edhe për shumë shqiptarë myslimanë të Veriut.

Më çuan të takoj Esat Pashën nëpërmjet njërit prej shefave të rajonit malor të Veriut, Basri Beut. — një njeri i qetë, i zgjuar, plot kuptim, që është një nga ata për të cilin do të flitet sërish. Basri Beu më duket se është negociatori dhe lideri i kësaj lloj konfederate të Qendrës dhe Veriut, që do të jetë nesër, nëse bëhet realitet, mbështetja dhe forca e Esatit. 

Një fjalë nga Esat pasha

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ky, pasha, më priti tek prona e tij në fshatin Reth, midis Durrësit dhe Tiranës.

Me një qeleshe të kuqe, të vendosur mirë, dhe një xhaketë të zezë (e prerë sipas stilit parizian dhe me origjinë po nga Parisi), me një trëndafili të bukur  e të zbehtë në xhep, gjenerali, i cili nuk është pesëdhjetë vjeç, duket edhe më i ri se ç’është. Ai është një njeri i aksionit dhe vullnetit, i cili është në moshën e duhur, plot energji. Ai duket i vendosur se dëshiron të jetë udhëheqësi efektiv i vendit të tij sesa ta braktisë atë ndaj disa burrave për të cilët ka vetëm një konsideratë shumë të ulët.

Ai e di shumë mirë se çfarë bën dhe ku po shkon.

Ai i ka prerë urat (lidhjet). Nuk do të ndalet në gjysmë të rrugës.

Ne ishim në Reth më 17 tetor. Proçedimet publike dhe deklaratat që janë bërë që nga ajo kohë, Esat Pasha, i kishte akoma vetëm në brendësi. Por ai më tha haptas :

 Tani që jam në krye të vendit tim, jam i lumtur që personi i parë që takoj është një francez.

(Unë e shënova fjalinë e tij sa më saktë të ishte e mundur, sipas formës në të cilën m’u përkthye.)

Esat pasha qeveris dhe punon. Ai i imponoi vetes mësimin e frëngjishtes. Tashmë, ai e kupton gjuhën tonë; ai shqipton, me korrigjim, disa fjalë.

Ai është çorganizues i organizatës së përkohshme. Ai mund të jetë vetëm një i pavarur.

Padyshim që krijimi i një shteti shqiptar të ekuilibruar nuk do të jetë punë e një dite. Sa shekuj iu deshën Francës për t’u bërë Franca? Dhe pse ëndërrojmë ne, për krijesat e reja politike, një stabilitet ideal dhe përfundimtar që nuk e kanë më të vjetrat e Evropës sonë? Me çfarë iluzionesh harrojmë papritur gjithë historinë tonë dhe tërë gjeografinë politike! Shqipëria ka ende shumë pengesa, na rezervon shumë surpriza, por lëvizja e mendjeve dhe marshimi i gjërave duket se po shkojnë drejt një fakti që mund të quhet një fakt i ri : pavarësia efektive e një Shqipëri e vërtetë.

Jean Brunhes,

Profesor i Kolegjit të Francës – Collège de France.

 https://www.darsiani.com/la-gazette/cfare-i-kane-rrefyer-profesorit-francez-faik-konica-ne-durres-gjergj-fishta-ne-shkoder-dhe-esat-pashe-toptani-ne-reth-ne-tetor-te-1913/

Në Belgjikë gjendet rruga “Rue d’Albanie”, pasi në këtë lagje jetoi Faik Konica

Në Bruksel, Belgjikë gjendet rruga “Rue d’Albanie”, e njohur ndryshe si rruga e Shqipërisë, pasi në këtë lagje jetoi Faik Konica, një nga figurat më të rëndësishme të gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe.

Në njërën nga shtëpitë është shkruar emri i tij, aty ku ai publikoi revistën politike, kulturore dhe letrare “Albania”, e cila ka luajtur një rol thelbësor si organ i shtypit, gjatë periudhës së Rilindjes kombëtare shqiptare. / KultPlus.com

Konica vdiq i vetëm, me 15 dollarë në xhep

Në vitin 1942 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.

Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj.

Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë.Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në gardërobën e tij kishte ndonjë dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.

Ishte e hënë, ora 5:00 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemoragji cerebrale.

Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat.Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë.

Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje, por nuk dukej dhe aq keq.

Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit.

Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë. Nga ora 8:00, Charlotte shkoi ta shohë përsëri.

Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën.

Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Ishte data 15 dhjetor 1942. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion.

U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij.

Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral.

Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 centë në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra.

Oden tha se do të bëhej vetë garant. Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë.

Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë.

Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur.

Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane.

Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale.

Certifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi Dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942.

Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faik Konicës nga një kolonë modeste.

Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta.

Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllain, Mehmetin.

Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditshme me Ann Corion.

Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin.

Washington Post përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.

Askush në shtypin amerikan nuk e kujtoi Faikun më bukur se sa kritiku i Sekretarit Hull, Drew Pearson në rubrikën The Washington Merry-go-Round:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington.

Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti.

Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur.

Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar.

Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë.

Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara.

Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht.”

Marrë nga libri: “Faik Konica, jeta në Uashington, botim i dytë. /KultPlus.com

“Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar”

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

Faik Konica

KultPlus.com

Mendime të Konicës për gjuhën shqipe, të shkëputura nga veprat e tij

Intelektuali dhe shkrimtari i shquar shqiptar, Faik Konica, është i njohur për një qasje kritike dhe racionale ndaj disa karakteristikave të popullit shqiptar. Këtu kemi zgjedhur disa mendime të tij rreth gjuhës shqipe, shkruan KultPlus.com

“E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor.” (Albania 1, 1897).

“Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).

“Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë!” (Vepra 3, f. 421-422).

“Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte.” (Albania 1, 1897).

“Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare.” (Albania 8, 1897).

“Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe e brishtë.” (Albania 12, 1898).

“Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane.”

“Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë.” (Vepra 1, f. 194-195).

“Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes.” (Vepra 1, f. 224)

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm.” (Albania 2, 1907).

“Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre.” (Albania 1, 1905).

“Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha.” (Albania 4, 1906).

“Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme.” (Vepra 1, f. 273). / KultPlus.com

”Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët”

Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës.

Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes?

Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj.

(Albania 1, vëllim A, 1897)./KultPlus.com

Kur Fan S. Noli nuk pranoi të quhej turk në SHBA

Arkivat kanë nxjerrë së fundmi patriotizmin që aq shumë e donte Fan Noli. Në disa dokumenta të publikuara në Facebook, eksperti i krimeve të rënda, Gjon Junçaj vë në dukje se Noli dikur, në vitin 1911 nuk ka pranuar të quhej turk.

Junçaj thekson më tej se siç paraqitet në fotot e publikuara, shkrimtari mjaftë i dashur për shqiptarët ka korrigjuar gjithashtu edhe dokumentat e paraqitura nga oficeri, teksa Noli po vizitonte Amerikën.

“Nga arkivat e SHBA-ve, ardhja e regjistruar e Fan Nolit për një vizitë me datë 15.12.1911, Noli është regjistruar me këto detaje: 32 vjeç, 165 cm i gjatë, profesion- kerik, duke vizituar Faik bey Konitza në Boston.

Kombësia? – Turkey, ku fotoja tregon se Noli e korrigjon dhe thotë “Albania”./ Fax.al/ KultPlus.com

Na thonë se flytyroi gomari… ne e besojmë!

Nga: Faik Konica

Nofta kombi ynë do kish sot një faqe tjatër, fare të ndryshme nga e sotmja, po të qe populli pak më serios dhe t’i gërmonte punët pak më thellë e me më tepër gjykim.

Mjerisht, ne Shqipëtarët jemi njerës superficialë, njërës që shohim vetëm cipën dhe nuk çajmë kokën të hyjmë në të thellat. Mjafton për ne që të na thonë se kemi qetësi, pa se vriten njërës dita me ditë (e në mes të ditës), se bëhen vjedhje, se grabitet mall e gjë toptan, se rrëmbehen gra e bëhen qindra turpe të tjera, aqë na bën.

“Zyra e shtypit” nxjer një prokllamatë: “qetësia mbretëron kudo”; kjo është mjaft të na qetësojë dhe të na kandisë se me të vërtet populli gëzon qetësinë. Dhe me këtë ide në trutë tona habitemi e shkumbëzohemi, kur dëgjojmë një tjatër të na thotë se vrasjet e vjedhjet po e tepërojnë zullumin në Shqipëri, e themi: “Ç’thotë ky sharllatan? Nuk ka sy të shohë dhe tru të gjykojë?”

Po kur nuk jemi gënjyer që të mos gënjehemi edhe sot?

Kurdoherë, në çdo kohë e në çdo rast, Shqipëtari është gënjyer aq prej vëllezërve të tij sa edhe prej të huajve. Neve dhe arsya më e vogël na kandis e na mbush mendjen, dhe aqë, sa vetëm batërdia dhe prishja na ka sjellë nër vehte. Po kur na vijnë mëntë nuk i hanë as qentë! Pendohemi dhe i biem kokës, kur zogu ka shpëtuar nga duart tona.

Po nuk është vetëm kjo e keqe që na prish ne Shqipëtarëve. Edhe kombet e tjerë janë gënjyer e gënjehen. Ajo që na shquan neve është se pësimet nuk na bëhen mësime. E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos mundim kurrë të bëjmë një shtet serios. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se flytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqia të tjera dhe duartroket qeverinë, kur i thotë ajo se ka qetësi të plotë!

Ka keq edhe më keq dhe vendi ynë ka parë ditë më të errëta se të sotmet, po të paktën, le të mos mburremi; dhe le të mos qërtojmë e të shajmë ata që përpiqen për një qetësi të vërtetë, për një qetësi të dalë nga shpirti dhe dëshira dhe jo të shkakëtuar prej drurit dhe prej burgut. Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi.

Na thonë, se qeveria do blejë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoi shtetin nga një rrezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “Rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se flytyroi gomari… ne e besojmë! /Gazeta “Dielli”, Boston Mass, e shtunë, 17 shkurt 1923/

Konica: Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira…por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe dhe…

Faik Konica ishte një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publiçist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar. Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe.

KultPlus ju sjell një nga thëniet më të fuqishme mbi shqiptarët.

“Populli shqiptar ka disa veti shumë të mira…por një bandë maskarenjsh, rryshfetçinjsh, hafijesh dhe dallaverexhinjsh kanë zënë të gjitha pozitat kyçe në politikën e vendit dhe është fare e pamundur t’i shkulësh.” 1922/KultPlus.com

Konica përmes shiritit filmik

Agron Alibali

Pamje të rralla filmike të Faik Konicës në një regjistrim të panjohur në Nju Jork,  shkurt 1938.

Rilindasit apo themeluesit e shtetit shqiptar, si imazh figurash historike, na vijnë sot kryesisht përmes riprodhimeve të rralla në pikturë ose fotografi. Imazhe filmike për ta kemi pak ose aspak.

Për fat, sot njihen mjaft foto të Faik Konicës, dhe të reja zbulohen vazhdimisht. Mirëpo fakti që Konica arriti ta jetojë shkapërcimin teknologjik të imazhit të zëshëm dhe lëvizës, me fjalë të tjera, zbulimin e radios dhe kinemasë, sugjeronte që zëri dhe figura e gjallë e autorit dhe diplomatit të shquar do të mund të pluskonin diku, dikur.

Zëri i Konicës

Zëri i Konicës u zbuluar për herë të parë në gusht 2004 në koleksionin e pasistemuar të Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Uashington. Merita u takon dy ekspertëve të bibliotekonomisë, përkatësisht Dr. Etleva Domi të BKSH-së, dhe Z. Grant Harris të Bibliotekës së Kongresit. Bëhej fjalë për intervistën e Konicës të nesërmen e pushtimit fashist të Shqipërisë, dhënë gazetarit Hilmar Robert Baukhage [1889v- 1976], në zyrat e NBC-së [National Broadcasting Corporation], Red Network, në kryeqytetin amerikan.

Duke cituar studiuesin prof. Aurel Plasari, Grant Harris do të më shkruante se kjo besohej të ishte e para dëshmi e njohur e regjistrimit të zërit të Konicës.

E dhënë në rrethana tragjike për kombin shqiptar, intervista e Konicës e 8 prillit 1939 është model i ligjërimit publik nga një diplomat i sprovuar, para opinionit të vendit pritës.

Sipas z. Harris, në 9 dhjetor 2004 dy kopje të regjistrimit të intervistës së plotë të NBC-së me zërin origjinal të Konicës iu dhuruan përkatësisht Ministrit të Kulturës së Shqipërisë dhe Drejtorit të BKSH-së të asaj kohe në një aktivitet të posaçëm të organizuar në Bibliotekën e Kongresit.

Mirëpo, sikurse ka përmendur me mprehtësi prof. Nasho Jorgaqi, Konica do të vijojë të na befasojë me gjetje të ndryshme të pranisë dhe veprës së tij në vendet e ndryshme ku ka jetuar.

Një foto e panjohur

Dhe vërtet, një foto të rrallë të Faik Konicës e hasëm vetëm para disa javësh. Fotoja ishte marrë me rastin e vizitës së tre motrave të Mbretit Zog në Sh.B.A. në shkurt – mars 1938.

Foto 1 – Princeshat Myzejen, Ruhije dhe Maxhide, në hollin e vaporit italian që i barti në portin e Nju Jorkut, 28 shkurt 1938. Në sfond, Faik Konica; burimi ACME, Hoff Jackson [Arkiva personale, A.A.].

Vizitën e tre princeshave shqiptare e kemi mbuluar tjetërkund. Këtu mund të përmbledhim vetëm kaq: vizita e Princeshave Ruhije, Sanije dhe Mexhide u përdor me zgjuarësi nga Mbreti Zog për të forcuar marrëdhëniet dy-shtetërore në një periudhë tejet delikate të gjendjes ndërkombëtare, si dhe për të arritur pajtimin e madh me Nolin.

Mirëpo vizita e grave të hirshme nga Shqipëria u prit me interes të pazakontë edhe nga shtypi amerikan. Kurse shtypi sensacional deklaroi se princeshat shqiptare vinin në Amerikë për të gjetur burrë, çka e kishte irrituar pa masë Konicën.

Në fund gjithçka shkoi më së miri. Princeshat u pritën për çaj në Shtëpinë e Bardhë nga Zonja e Parë, Eleanor Roosevelt. Kurse komuniteti shqiptaro-amerikan i Bostonit, si dhe vetë Fan S. Noli Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, dhe dikur kundërshtar i ashpër politik i Zogut, u rezervuan atyre një pritje vërtetë të ngrohtë.

Takimi i parë me shtypin amerikan i princeshave të shoqëruara nga Konica u krye në hollin e klasit të parë të vaporit transoqeanik italian Conte di Savoia, pasi të gjithë udhëtarët e tjerë ishin larguar.

Foto 2:  Holli Gran Colonna, i klasit të parë të vaporit Italian Conte di Savoia, ku u filmuan tri motrat e Zogut bashkë me Konicën.

Sikurse shihet në foton e rrallë historike, të sjellë më sipër, tri motrat e Zogut, princeshat Maxhide, Ruhije dhe Myzejen, paraqiten të ulura në poltronë dhe të veshura plot shije. Në krah të tyre, në qendër të fotos, shpaloset Faik Konicës, në një nga daljet më të gjalla të tij. I veshur si përherë, plot sqimë, Faiku mban një pallto ngjyrë të errët, me shallin e çelët dhe me kapelën e mbajtur me dorën e djathtë. Rreth 70 gazetarë dhe fotoreporterë amerikanë e britanikë bombardojnë vizitoret e shquara nga vendi i vogël dhe ekzotik ballkanas me pyetje dhe me shkrepje fotosh e kërcëllitje flashesh.

Mirëpo pritësi i princeshave, Ministri shqiptar Faik Konica, dhe shoqëruesi i tyre, Asim Jakova, nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve. Ata lexuan vetëm një deklaratë të shkurtër për shtypin, duke u justifikuar se princeshat ishin të lodhura nga udhëtimi i gjatë. “Myzejeni, Ruhija dhe Maxhidja buzëqeshin para kamerave, por diplomati-përkthyes as që e vuri ujët në zjarr të pyeste nëse ato kanë ardhur këtu për të gjetur burrë”, shkruante më shpoti gazeta New York Herald Tribune.

Konica me zë dhe figurë

Fotoja e panjohur e princeshave me Konicën shërbeu si udhërrëfyes për hulumtim të mëtejshëm. Po të vërejmë me kujdes, ajo na sjell në plan të parë, me shpinë, edhe disa kameramenë. Çka do të thotë se, për ngjarjen, duhet të kenë ekzistuar edhe kronika filmike.

Në fakt, regjistrimin e parë e kemi si pjesë të një kronike të Pathé News, shërbim lajmesh filmike dhe dokumentarësh, i ofruar në Britaninë e Madhe dhe SHBA nga vitet 1910 deri më 1970. Kronika e shkurtër prej 24 sekondash e Pathe Gazette fillon me mbërritjen e princeshave në Nju Jork me transoqeanikun italian Conte di Savoia.

Kronikë filmike 1 – Albanian Princesses Visit New York, British Pathé, 1 mars 1938

Më tej, gazetari amerikan hamendëson nëse qëllimi i vizitës së princeshave është për pushime apo për motive politike? Kronika përfundon me supozimin e një komentatori amerikan, së cilës Konica i trëmbej më shumë se gjithshka: “Flitet se ato janë në kërkim të ethshëm [sharp lookout] për një burrë të pasur amerikan…” Edhe pse Konica këtu nuk na shfaqet, zemërimin e tij mund ta parafytyrojmë lehtazi.

Sikurse u përmend më lart, Konica kreu rolin e përkthyesit dhe kontrolloi me kujdes të gjithë ceremoninë. Ai nuk ngurroi aspak që të ndërhynte kur vërente se gazetarët amerikanë bënin pyetje që, sipas tij, ishin të papërshtatshme.

Disa nga batutat e Konicës ndaj gazetarëve ishin:

“I thought you were going to ask decent questions”, [“Mendova se do të bënit pyetje të përshtatshme…”]…Dhe kur një gazetar këmbënguli, Konica nuk përtoi t’ia përplaste: “Why don’t you grow up”? [“Sa i papjekur që jeni, xhanëm?”].

Ndërsa këto shkëmbime të Konicës me gazetarët amerikanë ende nuk i kemi të përcjella në kronikat filmike të kohës [në foto shfaqen jo pak por pesë kameramenë], gjithsesi kërkimi këmbëngulës rezultoi në gjetjen e imazhit filmik të këtij takimi, ku Konicën më në fund e shohim të gjallë, me zë dhe figurë, bash me temperamentin e tij të shpenguar dhe sfidues.

Videoklipi historik është regjistruar nga British Movietone News, një shërbim dokumentar lajmesh që veproi nga vitet 1929  deri më 1979, dhe mban gabimisht datën 8 mars 1938.

Foto 3 – Paraqitje e titullit dhe numrit rendor të videoklipit të British Movietone.

Merita për gjetjen e rrallë vjen edhe falë bashkëpunimit me studiuesen e re dhe të pasionuar të Konicës, Dr. Loreta Loli, autore e një disertacioni shterues për prozën e Faik Konicës. Me të vërtetë, duke kërkuar një inçizim tjetër zanor të intervistës së Konicës të shtatorit 1930 për rrjetin CBS [Columbia Broadcasting Corporation], që Dr. Loli e përcjell si përshkrim në disertacionin e saj , dhe duke vijuar hulumtimin tonë në linjën e vizitës së motrave të Zogut, mbështetur në foton e mësipërme, befas hasëm në imazhet e gjalla filmike të Faik Konicës, të shkurtit 1938.

Foto 4 – Pamje e videoklipit të British Movietone.[11]

Movietone dhe arkiva përkatëse u blenë më pas nga Associated Press [AP]. Regjistrimi filmik i kësaj të fundit është paksa më i gjatë dhe i ndryshëm nga Movietone, pasi në fillim ka material të tepërt. Rrjedhimisht, imazhet tona nisin pak më vonë, dhe Faik Konicën e shquajmë – të gjallë më në fund – në sekondat 5 – 8.

Përherë perfeksionist, xhentëllmen dhe “kujdestar” i rreptë i princeshave përballë ndërhyrjeve shpotitëse të reporterëve vendas e të huaj, Konica shfaqet aty duke iu vikatur gazetarëve në anglisht: “Wait a minute!”[Prisni një minutë!]. Pastaj Konica tund kokën me mosbesim të dukshëm, por të përmbajtur, dhe qetazi tërhiqet, pasi vëren se kameramenët tashmë kishin filluar regjistrimin. Mund të konkludojmë me saktësi se batutat e përcjella më sipër do të kenë qenë vijuese të këtij shkëmbimi hyrës.

Me sa kemi dijeni, ky është imazhi i vetëm filmik, me zë dhe figurë, i njohur deri tani, i Faik Konicës, autorit dhe diplomatit të shquar shqiptar.

Viedoklipi historik i Faik Konicës dhe princeshave shqiptare, me gjatësi prej 29 sekondash, mund të shikohet i plotë këtu poshtë, i bërë tashmë publik drejtpërdrejt nga arkiva e AP-së dhe British Movietone.

Kronikë filmike 2 – Imazhi, me zë dhe figure, i Faik Konicës me tri princeshat shqiptare, Nju Jork 28 shkurt 1938, [Arkiva AP].

Tragjikisht, vetëm 11 muaj më vonë, me 8 prill 1939, Faik Konica do të mbetej pa atdhe dhe pa punë, dhe do të protestonte fuqishëm kundër pushtimit fashist të vendit të tij në intervistën me z. Baukhage të përcjellë në krye.

Kurse të tri motrat, princesha të pafata, do të nisnin kalvarin e gjatë dhe tronditës të mërgimit të detyruar, ku kujtimet e vizitës në SHBA do të mbeteshin tashmë veç një vegim i largët, i bukur por i hidhur, dhe si mirazh që kurrë nuk kishte qenë i vërtetë.

Publikuar te Peizazhe të Fjalës 

“Mbretrit lindin, nuk bëhen”, replika e Konicës në “New York Times” pasi u kërkua që industrialisti Harry Sinclair të bëhej mbreti i Shqipërisë

Në përfundim të Luftës së Madhe, apo Luftës së Parë Botërore, në Shqipëri nis një periudhë stabiliteti e vëmendja përqendrohet paralelisht në ngritjen e institucioneve qeverisëse dhe në ngritjen e ekonomisë.

Në fillim të viteve ’20, një ndër potencialet kryesore për të zhvilluar ekonominë e vendit ishte ajo e dhënies së koncesioneve të ndryshme për kompanitë e huaja.

Në kushtet kur Shqipërisë i ishte refuzuar një  hua ndërkombëtare nga Lidhja e Kombeve, që mbetej opsioni më i preferuar, qeveritarët shqiptarë iu drejtuar opsionit të dytë, atij të dhënies së koncesioneve për pasuritë natyrore që deri atëhere njiheshin por nuk ishin shfrytëzuar akoma.

Një nga pasuritë më të rëndësishme për të cilat studimet ishin premtuese ishte nafta.  Për këtë qëllim, në Shqipëri erdhën përfaqësues të kompanive më të mëdha të botës duke zhvilluar atë që mund të cilësohet ‘garë’ për të marrë të drejtën e eksplorimit e shfrytëzimit të naftës.

Kompani italiane, franceze, britanike e amerikane erdhën në Shqipëri për të kërkuar këto të drejta nga  autoritetet shqiptare. Në listën e këtyre kompanive, ishte edhe kompania e naftës “Sinclair” që në atë kohë konsiderohej një ndër shtatë kompanitë më të mëdha në Amerikë dhe një ndër kompanitë më të rëndësishme në botë.

Emrat e kompanive dhe të pronarëve të tyre u bënë shumë të famshme në Shqipërinë e fillimviteve ’20, ndaj edhe pronari i “Sinclair”, Henry Ford Sinclar ishte gjithashtu i famshëm dhe si të gjithë amerikanët gëzonte vlerësimin pozitiv të shqiptarëve edhe pse këta të fundit nuk e kishin takuar ndonjëherë industrialistin e famshëm.

Elemente që duhen evidentuar janë se shqiptarët gëzonin një adhurim për amerikanët sidomos pas rolit të luajtur nga Presidenti Thomas Woodrow Willson në moslejimin e copëtimit të territorit të Shqipërisë dhe falë rolit të luajtur nga misionarët amerikanë të Kryqit të Kuq Amerikan që erdhën direkt pas përfundimit të luftës në Shqipëri duke ndihmuar familjet shqiptare për kapërcimin e pasojave të luftës.

Ndaj, në rast se një amerikan do të propozohej si alternativë për detyrën më të lartë qeverisëse të vendit, në shembullin e Princ Vidit në 1914, pak ose aspak shqiptarë do t’i thonin JO kësaj alternative.

Rendi kushtetues

Konform vendimit të Konferencës së Ambasadorëve në Londër të vitit 1913, ishte përcaktuar se Shqipëria do të ishte një Principatë kushtetuese e pavarur dhe e trashëgueshme, nën garancinë e Fuqive të Mëdha.

Në këtë mënyrë, Princi Wilhelm Wied u zgjodh për fronin e Shqipërisë por këtë detyrë e mbajti vetëm pak muaj, duke u detyruar të largohet nga Shqipëria pas trazirave.

Pas periudhës së Luftës kur Shqipëria administrohej nga trupat ushtarake ndërkombëtare, në vitet ’20 do të rikthehej diskutimi sërish se cili do të ishte rendi kushtetues i vendit.

Deri në atë periudhë, në fuqi mbetej Statuti Organik i vitit 1914 që juridikisht nënkuptonte se Shqipëria ishte principatë e që Princi Wilhelm Wied formalisht ishte akoma sovrani i vendit.

Megjithatë, pas Kongresit të Lushnjes në vitit 1920 dhe sidomos pas Statutit të Zgjeruar të Lushnjes u konfirmua edhe më shumë se rendi kushtetues do të ishte një tjetër. Vendimi i marrë ishte për përzgjedhjen e rendit kushtetues “Republikë” me një president të fortë, sipas modelit amerikan.

Por ndërsa Shqipëria po konsolidonte rrugën e vendosjes së rendit kushtetues Republikë, që praktikisht rrëzonte Statutin Organik të 1914 dhe si rrjedhojë edhe do të zhbënte “Mbretërinë e Wied-it”, në shtypin amerikan del një lajm për një ftesë të pazakontë.

Gazeta amerikane “Chicago Tribune” do të publikonte një artikull që më pas do të gjente reflektim edhe në New York Times me 17 dhjetor të vitit 1923. Në artikull evidentohej se një anëtar i misionit shqiptar në Romë i kishte thënë “Tribunës” se njëfarë milioneri amerikan i është ofruar froni i Shqipërisë së pasues i Princ Wied-it, me shpresën se ai mund ta vendoste vendin në një bazë financiare të shëndoshë.

Kjo gazetë në fakt, edhe pse nuk e ka konfirmuar emrin e milionerit amerikan, hedh dyshime se personi për të cilin bëhet fjalë është industrialisti i njohur amerikan Harry Ford Sinclair.

Shumë agjentë të fshehtë të zotit Sinclair janë parë të lëvizin nëpër Romë dhe Tiranë javën e kaluar. Ata janë në vëzhgim të të afërt nga policia politike e shumë vendeve europiane” shkruan gazeta.

New York Times nuk do të linte me kaq këtë lajm, por do t’i kushtonte vazhdimisht rëndësi.

Me 19 dhjetor të vitit 1923, gazeta do të publikonte një artikull me titullin “Të kënaqur me historinë e ‘mbretit’ Sinclair. Miqtë e tij në Wall Street e marrin me humor ‘ofertën’ shqiptare”.

Më tej, gazeta hedh dritë më shumë se çfarë ka ndodhur. Në artikull shkruhet se një fraksion i partisë monarkiste në Shqipëri ka thënë se është për amerikanin e naftës.

Raportime të ndryshme shkruajnë se froni i Shqipërisë i është ofruar Harry F.Sinclair, amerikanit të naftës, si pasues i Princit Wilhelm Wied me shpresë së ai mund të fusë vendin në baza ekonomike të shëndosha” shkruhet në artikull, por më tej evidentohet se kur është marrë mendimi i ortakëve të biznesit të Sinclair, këta të fundit u morën me të qeshur duke thënë vetëm se kompanitë e shumta që zotëronte industrialisti i njohur e mbanin atë më të ngarkuar me punë sesa do të mundeshin ndonjëherë financat e Shqipërisë.

Në artikull evidentohet gjithashtu se në zyrën e Sinclair kishin mbërritur shumë telegrame nga miqtë e tij me adresimin “Kink Sinclair”. Në këtë rast, bëhej fjalë për një lojë fjalësh Kink (ngërç)-King (mbret);pra “Ngërçi Sinclair” dhe jo “Mbreti Sinclair”. Më tej, ortakët e industrialistit të njohur shprehen se “Harry nuk do të ndërronte punën që ka as për postin e mbretit të Anglisë”.

Gazeta që shkruajti e para për ftesën shqiptare për industrialistin e famshëm amerikan shkon me tej kur jep detaje se nga erdhi oferta.

“Chicago Tribune” në dhjetorin e 1923 shkruan se “një telegram nga Tirana konfirmon se një seksion i partisë monarkiste shqiptare ka nisur të “tenderojë”informalisht  postin e mbretit për Harry F. Sinclair por një fraksion tjetër i drejtuar nga Aqif Pasha që ndodhet në Vienë, po punon për kthimin e Princ Wied-it”.

Nëse fraksioni monarkist, sipas gazetës, do të merrte pushtet në zgjedhje, atëhere ata do t’i ofronin zotit Sinclair postin e mbretit dhe koncesione ekskluzive për naftën në këmbim të një huaje domethënëse që ai do t’i jepte qeverisë.

Kush ishte Harry Ford Sinclair

Harry Ford Sinclair lindi në vitin 1876 në West Wirginia dhe u nda nga jeta në vitin 1956. Ai ishte një industrialist amerikan, themelues i Sinclair Oil.

Në vitin 1910 sëbashku me 3 biznesmenë të tjerë ai blen një bankë bujqësore të falimentuar që e shndërron.  Ai bëhet President i bankës. Në vitin 1916, me suksesin e madh të arritur, ai formon ‘Sinclair Oil’ nga asetet e 11 kompanive të vogla të naftës që i bashkoi.

Në të njëjtin vit, ai bleu një kompani që kishte në zotërim tubacione të shumta dhe rafineri të tjera. Kompania e tij arriti të bëhej kompania e 7-të më e madhe në Shtetet e Bashkuar.

Në vitin 1920 ai ishte përfshirë në një skandal dhe kishte kryer 6 muaj burg për pengim të jurisë gjatë procesit gjyqësor. Pas kësaj ai iu rikthyer jetës së mëparshme dhe shijoi pasurinë e tij derisa u nda nga jeta.

  

Reagimi i Faik Konicës: “Mbretërit, ashtu si poetët,  lindin, nuk bëhen”.  

Artikujt e shumtë që filluan të “ziejnë” në shtypin amerikan, e sidomos qasja ironike që kishte përmbajtja e tyre, sollën një fushatë reagimesh nga pala shqiptare. Në “lojë” futet Faik Konica, misionari amerikan që ishte në Shqipëri Charles Telford Ericksson dhe konsulli shqiptar A.B.Sula.

Me stilin e tij të veçantë të të shkruarit që e karakterizonte, Faik Konica i drejton një letër editorëve të New York Times me titullin “Nuk duhet një mbret amerikan. Në çdo rast, mbretëria e naftës ofron më shumë siguri se Shqipëria”.

Letra e publikuar edhe në gazetë me 21 dhjetor 1923 nis me fjalinë “Shtypi amerikan në ditët e fundit ka qenë viktime e një shakaje  budallaqe”.

Zërat se zotërisë Sinclair i është ofruar kurora e Shqipërisë janë, sigurisht, një shaka, një shaka me shije të dyshimtë, madje edhe i mungon edhe hiri i risisë. Është përsëritur aq shpesh edhe në kurriz të personaliteteve të tjera amerikane dhe është në mënyrë të pashpresë bajate.

Një fakt i vogël që do të mjaftojë për të hedhur në erë këtë shaka. Zgjedhjet për një konventë konstitucionale po mbahen tanimë në Shqipëri dhe si partia qeverisëse dhe ajo opozitare që me shumë gjasa do të fitojë, kanë shpalosur platformat e tyre për regjimin republikan, si më të përshtatshmin për Shqipërinë. 

Kështu që mesa duket nuk ka shanse për një monarki. Gjithsesi, mbretërit ashtu si poetët,  lindin, nuk bëhen” shkruan në letrën e tij Konica.

Më tej, në cilësinë e presidentit të Federatës Shqiptare, Konica shkruan se amerikanët janë të huajt më popullorë në Shqipëri dhe se askush nuk e harron kontributin e dhënë nga presidenti Willson dhe punën e bërë nga Kryqi i Kuq Amerikan në përfundim të Luftës së Parë Botërore.

Ndërsa e vlerëson Sinclair si “një amerikan të vlefshëm” Konica shprehet se “ai nuk është Amerika”.

Me siguri se ky zotëri i dashur ka qenë i pari që ka qeshur me këtë shaka. Mbretëria e naftës është më pak romantike se mbretëritë e tjera, është më domethënëse dhe më e sigurtë” e mbyll letrën e tij Konica.

Replikat që prodhoi “Marquise de Fontenoy”

Në debatin për “mbretin amerikan” të shqiptarëve do të përfshihej edhe Frederick Cunliffe-Owen, një shkrimtar britanik që jetonte në New York dhe që punonte si gazetar.

Ky i fundit, që njihej me pseudonimin “Marquise de Fontenoy” shkruante kryesisht për shoqërinë aristokratike e mbretërore europiane si dhe kishte eksperiencë diplomatike.

Ai mbante gradën e kolonelit dhe kishet marrë një serë titujsh nderi nga Britania deri në Serbi. Në rastin aktual, ai i kushton një editorial në New York Times propozimit për fronin shqiptar duke analizuar arsyet se pse shqiptarët po e bënin një kërkesë të tillë.

Në editorialin e tij, Cunliffe-Owen bën një përshkrim të gjatë se cilët janë shqiptarët dhe dhe ndalet mes të tjerash edhe në situatën politike dhe ekonomike të vendit.

Shqipëria njihet nga të gjithë dashamirësit e sportit në të gjithë Europën se ka një nga gjuetitë më të mira në botë por njihet edhe nga fuqitë e mëdha e të vogla si burimi i sherreve ndërkombëtare dhe shqetësimeve të brendshme, të cilat deri më tani u kanë zënë rrugën eksplorimeve dhe zhvillimit të resurseve të fjetura, sidomos fushave të pasura naftëmbajtëse” shkruan ai në artikull.

Më tej ai evidenton se arka e shtetit është bosh dhe se ka një rritje të ndjeshme të kriminalitetit.

Pas ofertës shqiptare për ‘mbretin e naftës’, sipas tij, fshihet nevoja e Shqipërisë për të pasur administrim ekonomik, eksplorim të rezervave të naftës si dhe për t’u mbrojtur nga ndërhyrjet e huaja.

Artikulli në fakt përmban disa pasaktësi historike por edhe mosnjohje të realitetit të Shqipërisë së vitit 1923, çka bën që të ketë dy reagime të njëpasnjëshme.

Reagimi  i parë vjen nga Charles Telford Erickson, misionari i njohur amerikan që jetoi rreth 30 vite në Shqipëri e që ngriti shkollën shqiptaro-amerikane bujqësore në Kavajë. Në replikën e tij, Erickson evidenton pasaktësitë historike që përmbante editoriali i Cunliffe-Owen, vlerëson lart shqiptarët dhe hedh poshtë pretendimin se ishte rritur kriminaliteti.

Misionari amerikan evidenton faktin se ka jetuar në Shqipëri dhe ashtu si Konica, shkruan se dy forcat kryesore që garojnë në zgjedhje janë për një rend kushtetues republikan. Gjithsesi, nëse ndodh ndryshe, Erickson shkruan se “do të jetë i pari që do të thërrasë ‘Rroftë Mbreti’ nëse shqiptarët do të zgjedhin monarkinë dhe si mbret amerikanin e naftës”.

Përgënjeshtrimi zyrtar dhe mbyllja e debatit

Debatit i jep fund një një shkrim zyrtar i konsullit shqiptar (A.B Sula) që në reagimin zyrtar hedh poshtë pretendimet se situata në Shqipërinë e pasluftës botërore është ende e pastabilizuar dhe se arka e shtetit është bosh.

Sot Shqipëria ka një buxhet të balancuar, që është e rrallë në mes vendeve europiane. Po ashtu Shqipëria nuk ka borxh publik duke u bërë një prej pak vendeve që e shijon një privilegj të tillë dhe në të njëtën kohë ka si monedhë arin.

Domethënë thesari nuk është bosh sikurse pretendon zoti Owen. Në kuadrin e lajmeve false të raportuara jam i detyruar që të shpreh qendrimin se pas eksperiencës së hidhur me Princ Wied-in në 1914 dhe në kuadër të ecurisë së përditshme të demokracisë me shtetet fqinje, shqiptarët janë të vendosur që të mos lejojnë despotizmin e një mbreti. Si rrjedhim, ata nuk ia kanë ofruar fronin asnjë princi e as zotit Harry Sinclair” shkruan konsulli shqiptar në reagimin drejtuar Neë York Times.

Ky reagim në fakt i jep fund debatit në shtypit amerikan! Shqipëria vijon rrugëtimin duke u shpallur në vitin 1925 Republikë dhe jo monarki.

Megjithatë, vetëm tre vite më vonë, fjalët e Konicës në New York Times nuk do të realizoheshin sepse në vitin 1928 Shqipëria u shpall monarki “me një mbret të bërë dhe jo të lindur”.

Marrë nga Scan

100 thëniet më të bukura të Faik Konicës për Shqipërinë dhe shqiptarët

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121, nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

Image

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).

35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).

37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).

38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).

39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).

40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).

41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).

42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).

43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).

44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).

45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).

46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).

47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).

48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).

49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).

Image

50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151).

51. Populli është i duruar, po gjer në një pikë: e kur kupton dhe e zë zenga, tërbimi i tij bën çudira të shëmtuara. (Vepra 3, f. 181).

52. Oborrësia e gegëve është për të vënë re: në ç’vend tjetër të botës mund të gjeni barbarë të rritur në kasolle me bukë e djathë, larg çdo qytetarie, po me një hije princash në mes të rreckave dhe të varfërisë pa emër që i ka mbuluar!… Kush mban mend plakun Dedë Gjon Lulin, mund të dëshmojë se ky ish, në varfëri e barbari të tij, një gentleman i përsosur. (Vepra 3, f. 212-213).

53. Çakajtë e përgjakur e të urët, që kafshohen dhe ulërijnë për një kockë në Tiranë…, në pastë Shqipëria para, ata ua gjejnë lehtë vendin: dy njerëz të paguar ndezin një zjarr gjëkundi, – dhe përpara sergjerdetë me harxhet! … O-derra buçe, atdheu është në rrezik! (Vepra, 3, f. 181).

54. T’i japim botës një provë urtësie, të bëjmë një çap të ri të madh në udhë të qeverimit të shtruar. (Vepra 3, f. 227).

55. Një lëvizje popullore dihet ku dhe kur nis, po s’dihet ku dhe kur do të mbarojë. Në të gjitha këto, mbetet një shpresë dhe një ngushëllim: shpresa që populli, po nguli këmbë, më në fund do t’i fitojë të gjitha; ngushëllimi që kriminelët e guvernës sodomiste, shpejt a vonë (besoj më tepër shpejt se sa vonë), do të marrin shpërblimin që meritojnë. (Vepra 3, f. 239-240).

56. Të vetëqeverisurit nga pleqtë e fshatit është karakteristika, shenja më e shquar e jetës sociale të kombit shqiptar. (Vepra 3, f. 243).

57. Ndërhyrja e Shteteve të Bashkuara e shpëtoi Shqipërinë; shpëtuam nga tragjedia e copëtimit: dhe deklarata e haptë e Presidentit Wilson më 1920, që Shqipëria kish të drejtë të jetë indipendente dhe e lirë, i shtrëngoi Fuqitë e Mëdha të binden që t’i japin edhe një herë fund çështjes shqiptare. (Vepra 3, f. 260).

58. Në Shqipëri leu një zanat i çuditshëm, më i poshtër se ai i hyzmeqarëve të pendës: zanati i larove të pendës… Shumë njerëzve u ka rënë erë kërmë; dhe nga çdo çip e prej çdo ngjyre, rendin shpirt-skllevër që kanë uri dhe etje për poshtërsi, lënë zanatin e tyre dhe, duke u bashkuar me larot e pendës, bëhen laro të pendës edhe vetë. Në mes të këtyre të rekrutuarve të papritur, ndodhen edhe ca të vetë-thënë “juristë”. (Vepra 3, f. 269).

59. Një popull që s’duron padrejtësi, që s’u jep besim sharlatanëve, që ngul këmbë për pastërti në hesapet [financat] dhe për prova zotësie në zyrtarët, ai popull qeveriset mirë, qoftë me mbret në krye, qoftë me president. (Vepra 3, f. 290).

60. Skllavëria, si çdo pësim tjetër, pasi rëndon ca kohë në kurriz, bëhet më në fund një zakon i pëlqyer, dhe ata që e mbajnë mbi zverk, e durojnë me gëzim. … Ata jo vetëm s’marrin vesh ç’do me thënë liri, po ndjejnë njëfarë urrejtje për mbrojtësit e lirisë dhe ushqejnë respektin më të thellë për tiranët ekspertë të shkopit e të zinxhirit. (Vepra 3, f. 293).

61. Shtetet, sikurse njerëzit, lindin, rriten dhe vdesin, – dhe ca vdesin që në foshnjëri, nga sëmundjet ose nga aksidentet… Në qoftë se Shqipëria – fjalë fatale – vdes, ahere mundet, pa shpifje, të shkruajmë këto fjalë në gur të varrit të saj: U ngjall nga idealistët, u ruajt nga rastet, u vra nga politikanët… Politikanët kanë zënë t’i vënë kazmën Shqipërisë. (Vepra 3, f. 333).

62. Që shqiptarët, në çdo hap të jetës politike dhe sociale, tërhiqen nga hollësirat dhe kurrë nga mendime thelbësore, që shqiptarët kujtojnë se çdo ndryshim është përparim – ja dy fakte që duhet t’i kenë vënë re gjithë vëzhgonjësit e zhvillimeve. (Vepra 3, f. 335).

63. Kanunet [ligjet] e bëra me qëllimin që t’u lehtësohet faji njerëzve pak a shumë të fuqishëm dhe që shumica e barrës të rëndojë mbi kurriz të njerëzve të popullit, lënë ngaherë deriçka shpëtimi për ngrehësit e pusive. (Vepra 3, f. 342).

64. Sa kohë të mbetet e pandryshuar mendësia e errët se vrasja është një mjet i ndershëm, Shqipëria do mbetet një njësi afrikane në mes të Evropës. (Vepra 3, f. 345).

65. Për një vend si Shqipëria, rrethuar nga armiq, një luftë civile e zgjatur mund të jetë shumë e rrezikshme. (Vepra 3, f. 347).

66. Zjarri në vatër është aq i shenjtë, sa një nga betimet më të zakonshme ndër shqiptarët është: për këtë zjarr. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 391).

67. Shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti të vërtetë. Kjo frymë shfaqet në ngjyrat që ky popull ka zgjedhur për të veshurit e tij dhe për të zbukuruar shtëpitë ku rron. Këto ngjyra janë e zeza dhe e bardha. Oscar Wilde gjykon se bashkimi i ngjyrës së bardhë me të zezën është një shenjë shijeje fisnike. (Vepra 2, f. 68).

68. Kombi [iliro-shqiptar] i Diokletianit, i filozofit Julian, i Justinianit, është një komb i cili kishte një qytetari të tij kur stërgjyshërit e frëngjve dhe të anglezëve visheshin me lëkura bualli dhe rronin të futur në shpellat. (Vepra 2, f. 70).

69. Levantinët janë një sëmundje, një koqe me qelb, që ka dalë në cipën e Shqipërisë. Mund të thuhet pa frikë gabimi se ideali që ata përpiqen të arrijnë është ideali i berberëve të Stambollit. (Vepra 2, f. 71).

70. Shqiptarët kanë një problem për të zgjidhur: të këqyrur nga të huajt si një popull i rëndë, i ashpër, por fisnik, për të cilin një anglez ka thënë se është një popull plot “tragic dignity”, shqiptarët sot janë bërë qeshja e botës:. Pyetja është: Kush e ka fajin që zbritëm nga tragjedia në operetë? Pas mendjes sime, fajin më të madh e kanë levantinët. (Vepra 2, f 78).

71. Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorren, hiçgjë tjetër. Për makaronat, s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorren e kemi marrë dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë. (Vepra 2, f. 111).

72. Një tipar padyshim fatkeq i shqiptarëve dhe tipar mjaft i dukshëm është mungesa e plotë e idealizmit. Në një vend ku njerëzit vdesin aq kollaj për hiçgjë, nuk është dëgjuar që të vdesë dikush për një ideal ose çështje. Do të kërkonte shumë kohë të shpjegohej përse Shqipëria nuk e ka fituar lirinë më herët. Akte të trimërisë e të devotshmërisë, që kanë shkaktuar vdekjen e mijëra njerëzve, mund ta bënin të dukej i rremë pretendimi im për mungesën e idealizmit. Por besnikëria e verbër ndaj traditave të ngulitura dhe kanuni qibar për nderin janë pothuaj akte mekanike, që nuk nënkuptojnë se dikush e rrezikon jetën për një ideal të zgjedhur lirisht. (Vepra 2, 237).

73. Shqiptarët janë tolerantë për besimet e tjera dhe ndoshta, ky është i vetmi vend në Evropë ku nuk ka pasur luftëra fetare. (Vepra 2, f. 241).

74. Shqiptari është tepër i pavarur dhe tepër individualist, nuk i nënshtrohet ndikimit të kujtdo qoftë në kundërshtim me vullnetin e vet. (Vepra 2, f. 279).

Image

75. Kemi këtu një fytyrë fare të jashtëzakonshme: Ahmed beu më duket i shënuar nga Fati që të lozë rolin më të madh në histori të Shqipërisë. Ai djalë i ri, në mes të zjarrit e të luftës, e të tradhtive, e të rreziqeve pa numër, arrin në pak vjet e sipër ta bashkojë Shqipërinë, ta vërë nën fuqinë rregullonjëse të Kanunit, të shtrëngojë tërë armët e të zërë parmendën, dhe sot i ri, rri në Fronin e Skënderbeut. (Vepra 2, f 40).

76. E përbuz mbretin Zog për këto arsye: asnjëherë nuk e kam dëgjuar të thotë një të vërtetë. Kurrë nuk e ka mbajtur fjalën e besës. Nuk ka asnjë ndjenjë përgjegjësie. Është i pandershëm, i pashpirt, egoist, i pangopur. Ai i urren të gjithë ata që kanë diçka, qoftë kulturë, prejardhje, pasuri, çfarëdo aftësie në ndonjë fushë, ose qoftë edhe patriotizëm të pagdhendur, por të ndershëm. Ai i injoron gjërat themelore dhe u jep një rëndësi groteske çikërrimave. Shqipëria kurdoherë ka qenë njohur si komb me njëfarë dinjiteti tragjik; ai e ka ulur Shqipërinë në nivelin e një farse muzikore të pavlerë”. (Vepra 2, f 325).

77. Ahmed Zogolli, malok analfabet, pa ndonjë frymë idealizme, kish zgjedhur për pasqyrë dhe shembull të tij Esad Pashën, të cilin e imitonte jo vetëm në intrigat e jashtme e të brendshme, por gjer në mënyrën e ecjes dhe të foljes. E imitonte veçan në punën e ryshfeteve. Dhe siç Esadi, në një kohë, merrte nga Italia, nga Serbia dhe nga Greqia, – ashtu dhe Ahmed Zogolli u përpoq të marrë nga tri ato mbretëri përnjëherësh. (Vepra 3, f. 312).

78. Kur nis njeriu një punë, duhet të dijë se do t’u prishë interesin disave dhe prej këtyre nuk mund të presë përveç të shara e të shpifura… Letrat pa nënshkrim [anonime] e kanë vendin e tyre në hale, fjalët dhe të shpifurat shkojnë e harrohen – po puna mbetet. Jemi lindur në një dhé dhe të shtypur prej tiranisë; liridashuria, njësia e interesave të shkuara, njësia e interesave të sotme dhe njësia më e madhe e interesave të nesërme na thërret të bashkohemi e të punojmë. Do të gjejmë kundërshtime; po kundërshtimet i lodhin të dobëtit e i forcojnë burrat. Të jemi pra burra, dhe përpara! (Vepra 4, f. 115-116).

79. Vendi më i ëmbël e më i pëlqyer i një shtëpie duhet të jetë vatra, se rreth e rrotull kësaj mblidhen vëllazëria që të rrinë e të kuvendojnë. Po ngandonjëherë, kur mbahet ligsht e nuk pastrohet me kujdes, vatra, në vend që t’i afrojë, i largon njerëzit e shtëpisë, se bie erë të qelbur. (Vepra 4, f. 227).

80. Këtu-këtje, në Shqipëri mund të jenë bërë gabime kundër bukurisë [natyrore] – po nga ana tjetër, sa gjë e pëlqyer të shohë njeriu një popull që zgjohet dhe i vihet punës. Shumë të huaj shkruajnë marrëzira për Shqipërinë, se nuk e kanë njohur vendin më parë dhe ashtu, s’kanë ku të mbështeten për të matur pikën e arritur në të sotmen. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 229).

81. Sa mirë i vjen njeriut kur, pas shumë vjet largimi, shkel përsëri baltën e mëmëdheut të tij; kur hyn në shtëpi a në kasolle, i duket sikur edhe gurët e mureve i thonë “mirëserdhe”! (Vepra 1, f. 93).

82. Qytetaria është zbukurimi i mendjes dhe e flakta dëshirë për lirinë. Le të ecim me çap titani drejt bukurisë së mendimit. (Vepra 1, f. 94).

83. Liria është të jetë njeriu zot i vetvetes, pa ndonjë urdhërues mbi kokë. (Vepra 1, f. 95).

84. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall dhe dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! (Vepra 1, f. 103).

85. Flamuri përmbledh kujtimet e shkuar të një kombi në një gjuhë të pashkruar, që mund ta kuptojë syri dhe zemra e çdo njeriu me ndjenja. (Vepra 1, f. 105).

86. Djem të Shqipërisë, shpresa e atdheut, ju që nuk e kini gjakun të ftohur nga pësimet, as trutë të thara nga interesi, ju duhet ta doni flamurin e racës suaj, ta doni me thellësi e me zjarr. U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kanë kurdoherë për të mësuar nga të rinjtë. Djelmuri shqiptare, mësoi Kombit shqiptar fenë e Flamurit. (Vepra 1, f. 107).

87. E njihni të gjithë atë që “ka parë botë, që është i qytetëruar”… i lag përditë me vaj leshrat, vishet me “të ngushta”, mban një stap të lehtë në dorë e shikon sipër-poshtë gjithë botën… Po ku ka lindur, në pyeç, ky njeri aq i hollë e aq i çuditshëm?… Mos kërko aq larg… Ka parë ditën në Dardhë, në Mollë, a në Breg të Pulës. Është rritur mes bajgave të gomarit a të kakërdhisë së deles. (Vepra 1, f. 144).

88. Kam shkuar jetën duke luftuar kundër asaj dinakërie të poshtër që quhet sharlatani, dhe për të rrëfyer të vërtetën, më ndizet gjaku kur shoh ca morra të ngordhur që, për ta mbajtur veten e tyre si të qytetëruar e të hollë, tallen me rrobat kombëtare të Shqipërisë. Dua të kem disa nga ata ngordhanikë e t’i shpie në Skotland të shohin zotërinjtë e mëdhenj si vishen, në dasma e në mbledhje, me petka kombëtare të tyre që u shëmbëllejnë shumë petkave tona. (Vepra 1, f. 149).

89. Në Shqipëri, ashtu si gjithkund në botë, ka një prirje të pandalshme drejt uniformitetit. (Vepra 1, f. 270).

90. Shqiptari, sado përtimtar që është, i vihet shpejt punës posa sheh që puna s’i ka për të vajtur kot. Ndofta keni dëgjuar se Kanali i Korinthit në Greqi, i cili bashkoi dy dete, u rrëmih më shumë prej punëtorësh shqiptarë. Punonin, ata djelmt’ e shëndoshë të Shqipërisë, punonin…. Një komb përtimtar nga rrënja është një komb i ngordhur. (Albania 14, 15-30 qershor 1898).

91. Kur më pëlqen e kur më çpëlqen një vepër, nuk ka pse të kërcej a të shfryj: duhet të shfaqë përsetë e pëlqimit a të çpëlqimit tim, në qoftë se dua të përpiqem të shokësoj këndonjësit në një ndjenjë me mua. Ashtu kritika bëhet edhe ajo vetë një vepër letrare. (Vepra 1, f. 244).

92. Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.

93. Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane. (Vepra 1, f. 262).

94. Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).

95. Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).

96. Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224).

97. Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).

98. Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).

99. Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).

100. Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226)./ Mblodhi e përgatiti për botim posaçërisht për “Tirana Observer” Fotaq Andrea

Një fragment i bukur i shkëputur nga “Doktor Gjilpëra”, Faik Konica

“Zoti doktor,- tha polici,- duhet, e para e punës, të kuptoni mirë dy gjëra për të bërë punë në Shqipëri: E para është që këtu hiçnjeri s’merr ryshfete. “Atë e kuptova”, – tha doktori. – E dyta gjë,- vazhdoi polici, -është që këtu të gjithë duan dhurata.

Dhe dhurata me ryshfetin kanë një ndryshim, – tha doktori. -Shumë ndryshim,- vazhdoi polici.

– Tani, zoti doktor, në një vend ku asnjeri s’bën kabull të marrë ryshfete, po të gjithë presin dhurata, si i bëhet halli atij që ka hall? T’u japësh të gjithëve është e pamundur, të mos i japësh hiçnjeriu është marrëzi, se ahere jo vetëm s’mbaron dot punën tënde po të vënë dhe pengime.

Fjala vjen, të ndalojnë të gjesh shtëpi; ka shumë shtëpi të zbrazura në Tiranë, po s’t’i japin. Ti, axhami, s’merr vesh pse: Para ke, njeri i mirë je, po s’ta vënë veshin. Të kënda të gjesh gjëra taze për të ngrënë, nuk t’i shesin, ose që të flasim më’ drejtë, nuk të lënë të të afrohen njerëzit që i kanë për të shitur.

Hajde të thomi se u vendose,- s’të lënë të punosh. Ke ilaçe? Dale t’i tretim që të shohim a janë të paqme. Ke vegla dhe makina? Dale t’i zbërthejmë që të shohim se mos janë të dëmshme për Shtetin. Ke libra dhe dorëshkrime? Dale të ia japim një komisioni që t’i këndojë.

Komisionet përbëhen nga njerëz që s’i dinë të gjitha shkronjat; librat e tu s’i ke për të parë më me sy. Në qoftë, fjala vjen mjek-siç është shkalla juaj, zoti doktor-nuk të njohin dipllomën. Puna pra, siç thashë edhe më parë, qëndron kështu; S’dhe hiç, e ke punën të humbur; t’u japësh të gjithëve është e pamundur.

Ilaçi është: t’u japësh cave. Cave,-po cilëve? Këtu, zoti doktor, duhet të ju thom një gjë me rëndësi. Shqipëria në këto të dhjetë vjetët e fundit, shyqyr zotit, ka mësuar shumë nga fqinjët, veçan nga Italia. Ç’ka Italia që vlen të merret? Makaronat dhe kamorrën, hiçgjë tjetër.

Për makaronat s’kemi nevojë, se kemi patatet tona; kamorrën e kemi marrë’ dhe, shyqyr perëndisë, e kemi përmirësuar dhe rregulluar me një sistem më të mbaruar se italianët vetë.

Tani, zoti doktor, çfaredo hall, nevojë që të kini, e vetmja mënyrë e shpejtme, e sigurt, e lirë, që të bëhet dëshira juaj, është të jini nën mbrojtjen e kamorrës së madhe, ku s’ka as vjedhje, as shpërdorime, por çdo gjë është e parashikuar dhe e rregulluar me një tarifë të ndershme…”

– Faik Konica, “Doktor Gjilpëra”

Ç’është Dita e Verës – Nga Faik Konica

“Dita e Verës” është shumë e lashtë për nga koha dhe mënyra e kremtimit. Është festë pagane, jo fetare, që rrjedh nga lashtësia, atëherë kur njerëzit besonin tek Dielli, Hana, tek Planetët etj. dhe atyre i faleshin e i luteshin, që të sillnin shiun për të mbjellat, diellin që të piqeshin gruri, misri frutat e tj.

Ja si shkruante me stilin e vet elegant, gati 100 vjet më parë, Faik Konica.  

“Ç’është Dita e Verës? Është dita në të cilën stërgjyshit tanë, kur s’kish lindur edhe krishtërimi, kremtonin bashkë me romakët dhe me grekët e vjetër, perënditë e lulevet, të shelgjevet.

Kur shkrin dimri, kur qaset vera buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Boticelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumtëri të ëmbël. Në këtë gëzim, stërgjyshërit tanë ndienin një detyrë t’u falen perëndivet që sjellin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës.

Në pakë ditë në Shqipëri, besnikët e fundmë të paganizmit, besnikët pa dashur dhe pa ditur, do të rrethojnë me verore degët e thanave, të dëllinjavet, të dafinavet, të gjitha shelgjevet të nderuara. Do të këputin degë të gjelbëra dhe do t’i vënë përmbi kryet e shtëpivet.

Të mos i lëmë të humbasin këto festa të vjetra të racës sonë. Nuk i bëjnë dëm njeriut. Sjellin një gëzim të kulluar në shtëpi. Një vend ku jeta e të vegjëlvet është aq e trishtuar, djelmuria dhe vajzat kanë një rasë të rrallë për të dëfryer. Për të mëdhenjtë, Dita e Verës ka një shije poetike të hollë e të rrallë “./KultPlus.com

 

7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët

Faik Konica, një njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, është ndër figurat më të shquara shqiptare.

Konica përveç si kritik letrar ka qenë edhe veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

KultPlus ju sjellë 7 thënie të Faik Konicës për shqiptarët:

1. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. ( 1907).

2.  Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (1906).

3. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

4. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton.

5. Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh.

6. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

7. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34)./KultPlus.com

Konica vdiq i vetëm, me 15 dollarë në xhep

Në vitin 1942 Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia dhe Departamenti i Shtetit nuk e njihte më Konicën si përfaqësues diplomatik të vendit të tij.

Jeta e Faik Konicës në Uashington ishte modeste. Paguante qiranë e apartamentit, rreth 80 dollarë në muaj, pastaj stenografen dhe sekretaren Charlotte Graham, e cila punonte për të prej 12 vitesh, si dhe shërbyesit, Hattie Williams me burrin e saj.

Kohët e fundit kishte marrë para borxh nga disa miq, diçka më pak se njëmijë dollarë.

Jetonte si një aristokrat i rënë nga vakti, sepse, ndërsa merrte hua për të shtyrë pagesën e qirasë, në gardërobën e tij kishte ndonjë dhjetë kostume shik, një numër palltosh, plot kapele e këpucë si dhe një koleksion të bukur veshjesh zyrtare.

Ishte e hënë, ora 5:00 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi hemoragji cerebrale.

Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në banjë dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat.

Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr.

Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh.

Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh.

Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë.

Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje, por nuk dukej dhe aq keq.

Fliste përçart, “there is no answer”, thoshte në anglisht, “përgjigja nuk po vjen”.

Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit.

Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8:00, Charlotte shkoi ta shohë përsëri.

Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën.

Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar. Ishte data 15 dhjetor 1942. Dr. Oden i tha se do të vinte sapo të mbaronte një operacion.

U vendos që trupi të dërgohej në shtëpinë e funeraleve Hysong aty pranë. Gjërat kishin ndodhur shpejt dhe Charlotte ishte e hutuar. Dr. Oden pyeti për familjen e të ndjerit, nëse sekretarja e dinte se ku ndodheshin njerëzit e tij.

Pyeti për gjendjen financiare të Faikut, pasi duhej një garanci për shërbimin funeral.

Charlotte i tha se Faiku kishte 15 dollarë e 54 centë në apartament, por priste një pagesë prej 2,100 dollarësh, që ministri i Oborrit, Martini, kishte nisur me kabllogram nga Londra.

Oden tha se do të bëhej vetë garant.

Sekretarja i telefonoi Departamentit të Shtetit dhe kërkoi të fliste me dikë që merrej me punët e Shqipërisë.

Zëri i dridhej. I thanë se dikush do ta merrte pak më vonë.

Pasdite, në telefon u paraqit Wesley Jones, zyrtar i sektorit të çështjeve evropiane, të cilit Charlotte i tregoi me hollësi se ç’kishte ndodhur.

Folën për arkivat e legatës shqiptare dhe ajo i tregoi se ato, bashkë me vulat, i ishin dorëzuar me kohë ambasadës italiane.

Në apartament, i tha, nuk ka asnjë objekt zyrtar të qeverisë shqiptare dhe të gjitha dokumentet e sendet e tjera janë pronë e tij personale.

Certifikatën e vdekjes së Faikut me logon District of Columbia e firmosi Dr. Oden. Pasi shënoi vendlindjen e të ndjerit, Konitza, Albania, shkroi datën e lindjes, 15 prill 1876 dhe të vdekjes, 15 dhjetor 1942.

Disa nga gazetat e mëdha të Amerikës i kushtuan vdekjes së Faik Konicës nga një kolonë modeste.

Meqenëse ai kishte tre vjet e ca që ishte shkëputur nga qarqet diplomatike, harresa kishte bërë punën e saj prandaj një pjesë e mirë e fakteve rreth të ndjerit ishin të pasakta.

Një gazetë lokale e ngatërronte me të vëllain, Mehmetin.

Në New York Times ai përmendej më tepër si dramaturg dhe pastaj flitej për atë historinë e tij të çuditshme me Ann Corion.

Megjithatë, disa nga të vërtetat e njohura thuheshin.

Washington Post përmendte, për shembull, “aftësinë e tij të shkëlqyer të të shprehurit” dhe “sensin e mrekullueshëm të humorit”.

Askush në shtypin amerikan nuk e kujtoi Faikun më bukur se sa kritiku i Sekretarit Hull, Drew Pearson në rubrikën The Washington Merry-go-Round:

“Një diplomat i vjetër dhe i vetmuar vdiq thuajse pa u vënë re në Uashington.

Ai ishte përfaqësuesi i njërit prej vendeve më të vegjël të Evropës, ndër të parët që u gllabëruan nga Boshti.

Për 20 vjet, Faik Bej Konica bëri miq për vendin e tij të panjohur.

Por papritur, në prill 1939, bota e tij diplomatike pushoi së ekzistuari kur Musolini, i cili po e ndiqte me lakmi pushtimin e Austrisë nga Hitleri, mendoi se tani ishte radha e Italisë dhe futi trupat në Shqipërinë e pambrojtur. Por ai qe i vetmi në Uashingtonin zyrtar që dukej i shqetësuar.

Departamenti i Shtetit i zotit Cordell Hull nuk bëri asnjë lëvizje apo protestë.

Konicës madje nuk iu dha as kortezia që të mbahej në listën diplomatike zyrtare, gjest që iu akordua vendeve të tjera të pushtuara.

Në atë kohë, Departamenti i Shtetit ishte duke e përkëdhelur Musolinin dhe Shqipëria nuk kishte rëndësi. Ministri Konica e la hotelin Mayflower dhe u vendos në një apartament të vogël ku mbajti zi për shuarjen e vendit të tij. Atje, ai vdiq fare qetësisht.” /Marrë nga libri: “Faik Konica, jeta në Uashington, botim i dytë/

Faik Konica: Shqiptari e ka zakon të kundërshtojë para se të marrë vesh

Faik Konica është një prej figurave më interesante të letërsisë shqiptare. Ky njeri me kulturë të lartë, eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.

Më poshtë po ju sjellim disa nga thëniet më briliante të tij:

1. E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

2. Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mendjes dhe diellin. (Albania 8, 1897).

3. Vetëm shqiptarët e kanë ndjenjën e së bukurës aq të fuqishme sa e paguajnë me jetën e tyre kënaqësinë për të qenë vetë rrufeja mes atyre furtunave njerëzore të luftës. (Albania 3, 1897).

4. Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

5. Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

6. Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët, sot dhe për së shpejti; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë. (Albania 2, 1897).

7. Përmirësimi ekonomik është nevoja më e shpejtë dhe më e ngutshme për vendin tonë. Është pra një detyrë urgjente që interesat ekonomike të Shqipërisë t’i paraprijnë çdo vlerësimi të karakterit politik. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

8. Ndjenja kombëtare ka rrënjë të forta në zemrat shqiptare; dhe ndonëse më ndonjë rast, moskokëçarja dhe moskuptimi i shqiptarëve gati na shkurajojnë dhe shkurajojnë gjithë miqtë e tyre të vërtetë, duhet pranuar se ndjenja kombëtare atyre nuk u mungon, por u mungon ajo vetëdije e qëruar, aq e domosdoshme për përparimin. (Albania B, nr 2, 14, 15-30 qershor 1898).

9. Ata që do donin t’i ngopnin shqiptarët me retorikë, në vend të urojnë zhvillimin intelektual të tyre, japin provën më të qartë të armiqësisë së tyre ndaj shqiptarëve. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

10. Mjerimi i shqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhe jo pas ideve… Historia e Shqipërisë është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo t’i bëjnë qejfin këtij apo atij shqiptari. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).

11. Shqiptarët honxhobonxho janë të tmerrshëm për mizori e kapadaillëk. (Albania10, 28 shkurt 1898).

12. Shqiptari duket si i bërë për të qenë lodër e një mashtrimi të përjetshëm; një fatalitet i dhimbshëm rri pezull mbi këtë popull të mjerë. (Albania 15-30 janar 1899 C).

13. Përgjegjësia jonë ndaj vendit është e pamohueshme: do vuajmë me vuajtjet e Shqipërisë, do gëzojmë me gëzimet e saj. (Albania 15-30 janar 1899 C).

14. Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

15. Duke u ngritur përmbi egoizmat e pafuqishëm dhe mëritë e pafrytshme vetjake, le të ulim kokat e të punojmë për formimin e një Shqipërie ku poshtërsia keqbërëse e armiqve tanë trashëgimtarë t’i lërë vendin drejtësisë dhe ndershmërisë së mëkëmbur të stërgjyshërve tanë. Boll duke krasitur degë kuturu, dhe me një vendosmëri të ftohtë por të pamëshirshme, le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes. (Albania 12, 1909).

16. Sa e sa marrëzi, sa e sa poshtërsi e krime janë bërë në emër të së gjorës Shqipëri! (Albania 4, 1907).

17. Dëshira për hakmarrje është susta më e fuqishme e shpirtit shqiptar. (Albania 4, 1907).

18. Një e thënë latine e Kohës së Mesme, e ndryshuar pak: Homo homini lupus – Njeriu për njeriun është ujk. Femina feminae lupior – Gruaja për gruan është më ujke. Albanus Albano lupissimus – Shqiptari për shqiptarin është fare ujk [ujk e shkuar ujkut]. (Albania, qershor 1902, nr.5).

19. Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

20. Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

21. Turqit turq mbeten; të rinj a të vjetër, ata janë, siç thotë shprehja latine popullore eiusdem farinœ [të të njëjtit brum]. Në tërë perandoritë që kanë ekzistuar a ekzistojnë, janë gjendur në kombin sundues mendje bujare për të marrë në mbrojtje kombet e nënshtruara. Po a mund të përmendet që prej katër shekujsh qoftë edhe një fjalë e vetme e një turku të vetëm në favor të Shqipërisë? Kjo fjalë vërtet do të meritonte në këtë rast të shkruhej e gdhendur mbi një pllakë bronzi dhe të varej në muret e klubeve tona popullore si një relikte kurioziteti. Turqit na mohojnë edhe ato cilësi që vëzhguesit e huaj i pranojnë njëzëri… Turqit na mundën, por pa arritur të na mposhtin, edhe pasi na imponuan Muhametin e tyre. (Albania 121 , nr 12, 1909).

22. Shqiptarët janë populli më mosbesues në botë. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

23. Asgjë nuk i ftoh më shumë shqiptarët se t’u thuash që kanë të bëjnë me një copë injoranti që i drejton. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

24. Populli shqiptar është mjaft i mprehtë në të kuptuar. (Kujtesë për lëvizjen kombëtare shqiptare).

25. Grekët e shpërdorojnë si shumë heshtjen përçmuese të shqiptarëve që nuk i hanë dokrrat e tyre bajate e boshe. (artikulli “Mbi Shqipërinë”, Libre Parole).

26. Njeriu është më i lig se egërsirat, po kur vështronj shqiptarët e Stambollit, më vjen të thom që është më i lig se gjarpri dhe miu. (Letër N. Nacos, 20 mars 1896).

27. Palla ime është penda; atë pallë të dobët kam, me atë përpiqem t’i shërbej atdheut. Fiunt scriptores nascuntur heroes [shkrimtarët bëhen, heronjtë lindin]. Ti që leve trim, bëje fora një herë jataganin për nder të Shqipërisë (F. Konica, Vepra 1, f. 155).

28. Shqiptari e ka zakon që kundërshton para se të marrë vesh. (Vepra 1, f. 187).

29. Kush nuk kupton përparimin, e merr kufirin e mendjes së tij për kufirin e botës. (Vepra 1, f.198).

30. Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojë-rrumbullët tanë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen. (Vepra 1, f. 271).

31. Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë… sado e madhe në vetvete, është e vogël në shkaqet që e ndezin. Për një kec të grabitur, për një fjalë të shtrembër, dhe shumë herë pa e ditur as vetë përse, shqiptarët marrin armët, hidhen, vriten. Por, ata njerëz që vriten për interes e për përralla [dokrra], ftohen dhe frikësohen në u dashtë trimëri për ndonjë mendim të bukur, për ndonjë dobi të vërtetë e të përgjithshme… Nuk kanë frikë nga plumbi, po dridhen nga Valiu! trimëria e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së Drejtës dhe Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat punë janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie. (Vepra 1, f. 271-272).

32. Shqipëria është një vend i bekuar me njëmijë bukurira, shkelur nga turmë e cila ushqen njëfarë urrejtje ndaj bukurisë. (Vepra 2, 34).

33. Shkodra është pothuaj vendi më interesant i Shqipërisë së sotme, argjendarët dhe punëtorët e tjerë të saj janë të famshëm në gjithë Europën e Jugës dhe të Lindjes… Shqiptarët janë të njohur për individualitet dhe në kostumin e tyre kombëtar ka varietete dhe ngjyra. Pothuaj çdo krahinë ka kostumet e saj të veçanta. (Shqipëria, 1930).

34. Ta dini se ne në sy të Evropës së qytetëruar, jemi të prapambetur, dhe asgjë më shumë; ca na shajnë, ca na përqeshin, ca të pakëve u vjen keq. Hiqni dorë ju them, se u bëmë palaçot e dheut. Heshtni, shtrohuni, bashkohuni. Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit. (Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 213).

35. Bëhuni burra! Rrëmbeni kazmat! Puna është më e lartë se trimëria, kazma më fisnike se palla. E mbi të gjitha heshtni! Jo fjalë, por kazmën. Jo mbledhje, por kazmën. Jo misione, por kazmën! Dhe parmendën, dhe draprin, dhe shoshën, dhe furrën. Mjaft lëvdime. E kam zemrën aq të mbushur me lot sa s’qaj dot. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 214).

36. Gratë e Tiranës janë shakaxhesha të mëdha. (F. Konica, Vepra, SH.B. N. Frashëri, f. 317).

37. Ka shqiptarë që sillen si këndesa të vërtetë e zemërohen posa zë të këndojë kokorikooo ndonjë tjetër si ata. Mjerisht në Shqipëri ka pak pula. Shqiptarët me mendje të nderuar s’duan e as kanë dashur njeri që del e thërret: “Unë jam!” Historia e Shqipërisë s’është përveçse vërtetimi i kësaj që themi. (F. Konica, Vepra, 3, f. 63).

38. Është një vend në faqe të dheut ku katilin e kanë për njeri të nderuar; hapen që t’i bëjnë udhë kur kalon; e fshehin nga i vetë-thëni gjyq, në iu tektë së vetë-thënës polici të bëjë sikur e kërkon; edhe në daltë ndonjë i çmendur për të marrë anën e kanunit [ligjit], e shajnë edhe e fëlliqin me një zell të çuditshëm. Dhe prandaj ai vend ka fituar një famë shumë të shëmtuar në botë… Për cilin vend po flas, do ta kuptoni menjëherë kur t’ju them që nuk ndodhet në mes të Afrikës, po në Europë. (Vepra 3, f. 169).

39. Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët, jo të tjerë. Shqiptarët kanë shkruar me gjakun e tyre më tepër se një faqe në histori të Evropës. Nga më të voglat trazira gjer në luftërat më të gjakta, shqiptari ka hequr hark, vërvitur kordhë a zbrazur pushkë. A ka gjë më të turpshme, më të ulët se historia e këtij kombi që, për pak të qelbur ergjent [të holla], shet mish njeriu në çdo luftë, edhe kujt s’i erdhi dëshirim nga aq qindra vjet që e shkelin dhe e kurvërojnë të huajt, s’i erdhi dëshirim të japë dy pika gjak për lirinë e vetvetes? Të donin shqiptarët lirinë e Shqipërisë lehtazi e bëjnë; por rrinë të patundur dhe kështu dëftojnë që s’e duan Shqipërinë, dëftojnë që janë armiqtë e saj. (Albania 1, vëllim A, 1897).

40. Dua të marr shpatën e t’u çajë kokën gomarëve, edhe në vend të trurit të kllasë këtë: ç’është liria?… Më mirë të shesë pleh njeriu, se të shkruaj për shqiptarët… ç’është liria: Liria është të mundet njeriu: 1. të besojë ç’i do zemra; 2. të thotë ç’i do zemra; 3. të shkruaj ç’i do zemra; 4. të bëjë ç’i do zemra, veç jo ato që janë kundër lirisë së tjetrit njeri. Por shqiptarët, më të shumtë janë shpirtrobër… sundon në shpirtrat e tyre feja… Vëllezër shqiptarë: Mjaft rrojti e mjera Shqipëri jetën e Kurmit. Duhet edhe ajo të nisë tani të rrojë jetën e mendjes. Jeta e mendjes është të hapim tërë zemrat tona, të flasim vëllazërisht njëri kundër fjalës së tjetrit, të kuvendojmë si njerëz të qytetëruar, që mblidhen e luftojnë me fjalë [shoqërisht] për idetë e tyre… kështu do njihemi më mirë, s’do kemi mendime të fshehura, dhe do të KUPTOJMË që të tërë jemi të lidhur me dy lidhje të arta: dëshirimi i së Vërtetës dhe dëshirimi i Shqipërisë. (Albania 2, 25 prill 1897).

41. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarësinë? Myslimani të jetë mysliman, i krishteri i krishterë; po Shqipëria është e ne të gjithëve dhe e të gjithëve është detyra të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. (Albania 2, 25 prill 1897).

42. Shqiptarët nuk ndahen në të krishterë e në muhamedanë, po ndahen në dy anë: ana e kombëtarëve, në të cilën ka shqiptarë nga të gjitha besimet, dhe ana e zuzarëve. (Vepra 3, f. 75).

43. Duhet të mësohen shqiptarët të mos shohin prapa atdhetarit fenë e njeriut. (Vepra 3, f. 127).

44. Ne duam të bëjmë një komb shqiptar, dhe për këtë punë kemi nevojë për bashkim të të gjitha pakicave të Shqipërisë me shumicën shqiptare. As që mund, një shqiptar që duket sot për sot i kulluar, të lëvdohet se 1000 a 2000 vjet më parë, fëmijëria e tij ish shqiptare. Ndofta po, ndofta jo. S’mund të hipim gjer te Adami a gjer te protistet e profesorit Haeckel. Si ka mijëra e mijëra shqiptarë të sllavizuar, ashtu ka pasur prej racash të tjera të tretur në racën shqipe. (Vepra 3, f. 136).

45. Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë mend dhe ndërtohen. Ne shqiptarët, s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk këmbejmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po ju them: në njëqind vjet, në vafshim si po vemi, do të jemi aq poshtë sa edhe sot. (Vepra 3, f. 15).

46. Shqiptarët e mjerë presin që Evropa të vijë sot a nesër t’i shpëtojë. Është nevojë të themi, të bërtasim të vërtetën: Evropa shqiptarët i ka për të egër e për të humbur… Le të themi pra të vërtetën, gjithnjë të vërtetën,… të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim. (Vepra 3, f. 81).

47. Të mos humbasim kohë të kërkojmë bashkim me anën e atyre që përpiqen të mbushin taskën, që tallen me mjerësinë e popullit shqiptar dhe që kanë vetëm një vesë: fitimin, dhe një dashuri: argjendin [paranë]. Me këta, jo vetëm bashkimi nuk bëhet, por është edhe i rrezikshëm. … Këta duhet t’i godasim pa pushim e pa mëshirë. Një miqësi me të poshtrit, nuk duam. (Vepra 3, 83).

48. Ne jemi një komb i ftohtë, ku secilido mendon për veten e tij… Ata shqiptarë për të cilët bota thonë se janë “të egër”, shqiptarët e maleve e të pyjeve, ata s’janë të ftohtë, por përkundrazi, janë shqiptarë të mirë e do të ishin atdhetarë sikur të kish njerëz t’u jepnin të kuptonin [t’i ndërgjegjësonin]. (Vepra 3, f. 100).

49. Dëshiri i nxehtë i grave është një sëmundje fort e rrallë në Shqipëri: e kanë vënë re të gjithë se kombi shqiptar mund të quhet i ftohtë në këtë punë. (Vepra 3, f. 143).

50. Frika, kur është e madhe, në vend që ta mposhtë njeriun, ia forcon, ia galvanizon nervat dhe frikaçi sillet (jashtërisht) posi trim i vërtetë…. Edhe trimëria, s’është trimëri e vërtetë pa frikë: se trimi pa frikë, s’bën ndonjë punë të rëndë, të çuditshme, me vlerë a me meritim… Le t’u japim bashkatdhetarëve tanë të kuptojnë shumësinë e formave të trimërisë. Trimëria me pallë, trimëria e luftëtarit nuk është e vetmja trimëri… Është trim çdo njeri që ka zemrën të sillet sipas mendimeve të tija, të bashkojë punët me fjalët… Një formë trimërie që e kemi përditë në sy është trimëria e grave. Numri i nënave trimëresha është i habitshëm – dhe ndofta pak vende mund të lëvdohen të kenë nga ajo farë trimërie aq sa ka Shqipëria. (Vepra 3, 149-151). / KultPlus.com

Në kujtim të Faik Konicës



Ndue Ukaj

Në një ditë si kjo, në vitin 1875, lindi shkrimtari, diplomati dhe publicisti, Faik Konica. Ai ishte i kulturuar, erudit dhe i rreptë si pakkush. Ai lindi një ditë pas ditës së verës, së cilës ia kushtoi një tekst të shkurtë, por shumë domethënës. 

Në fakt, Konica tërë jetën e tij punoi dhe luftoi për të parë dhe përjetuar ‘verën kombëtare’, për t’i ndierë rrezet e diellit dhe lulëzimin e kombit shqiptar, pasi dimrit të gjatë dhe të acartë. Ai punoi që populli i tij të ngrohej në rrezet e lirisë dhe të përparimit, por vdiq i pezmatuar. Sepse, rrezet e lirisë, drejtësisë dhe përparimit, për çka fliste dhe luftonte ai, nuk e ngrohnin sa suhej popullin e tij. E ai, gjatë gjithë jetës, përmes punës diturore dhe intelektuale, u përpoq t’i kuptonte dhe t’i shpjegonte arsyet e kësaj mjegulle që pengonte përparimit kombëtar.

Në historinë e kulturës e kulturës shqiptare, Faik Konica është nga ato personalitete që ka treguar dashuri përvëluese për kombin dhe përparimin e tij, që ka vuajtë pafund për shkak të prapambeturisë së kombit të tij dhe ka guxuar të stigmatizojë pa kompromis plagët që dhembnin fort. I ditur dhe i formuar me koncepte perëndimore, ai vuante pse e shihte popullin e lashtë të prapambetur, të çorientuar dhe të mbytur në mosmarrëveshje të brendshme. Prandaj, te “Shqipëria si mu duk”, më 1929, i pezmatuar ai shkruante: “Ashtu kuptova se në të vërtet kisha arritur në Shqipëri, një vend i bekuar me një mijë bukurira, po i shkelur nga një turmë, e cila ushqen një urrejtje kundër bukurisë”. Ky gjykim i Konicës, i ashpër, por real, edhe pas kaq dekadash, shporon si heshtë në zemrën e gjitha atyre që e duan kombin shqiptar të emancipuar dhe të përparuar, si gjithë popujt tjerë të Europës.

Vepra e tij e pasur në fushën e letërsisë, publicistikës dhe gazetarisë mbetet një testament i përhershëm për shqiptarët e çdo kohe, sidomos për ata që nuk i duan zinxhirët e robërisë. Është një vepër e begatshme, diturore dhe domethënëse, për ata që aspirojnë të jetojnë me dinjitet në mesin e popujve të emancipuar. Sidomos për ata që nuk e duan poshtërimin dhe nënshtrimin. Është një vepër që shqiptarin e ndihmon ta mposhtë plogështinë, të heqë pluhurin e robërisë dhe të ecë me dinjitet ka përparimi dhe liria e njëmend.

“Të lirë nga krahët, por truri i tyre është i lidhur me zinxhirë” – shkruante ai dhe kërkonte që shqiptarët e çorientuar dhe me pranga zinxhirësh në tru, të çliroheshin nga ky sindrom poshtërues. Por, që të ndodhte kjo, shqiptarët duhej të kulturoheshin dhe të emancipoheshin. Dhe në këtë betejë, fjala dhe mendimi i kulturuar dhe dituror, kishte kuptim. Për këtë arsye, ai shkroi thirrjen e tij, “Lutja e shkrimtarit” që tingëllon aktuale edhe sot:

”Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë ta mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi për të thënë gjë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë mbi të! Frymëzona me një ndjenjë të mbrehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm në paanësi po edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthitjet e shtypit. Ashtu Qoftë”. Kjo lutje, që ka bazë te teksti biblik, si ligjërim dhe semantikë, përkatësisht te lutja që Jezusi ua mësoi dishepujve të tij, është dëshmi e kulturalitetit të veprës së tij dhe përkatësisë së saj oksidentale.

Konica, ndër tjera, na dha leksione të nevojshme për të kuptuar, gjykuar dhe shpjeguar historiografinë shqiptare, sidomos atë që merret për raportet ndërmjet shqiptarëve dhe Perandorisë Osmane. Duke e analizuar këto raporte, shprehimisht shkruante: “Para se gjithash, prapambeturia kulturore është pasojë e pushtimi turk. Ky pushtim zgjati afër pesëqind vjet.”

Konica ka shkruar një sërë tekstesh të dobishme, që mund të lexohen edhe në kontekstin e sotëm shqiptar, sepse janë analiza që tingëllojnë sikur të ishin shkruar sot, në Tiranë dhe në Prishtinë. Kjo tregon ç’mendje e madhe ishte ai, por njëkohësisht sa të paaftë dhe të pazotë që jemi ne për të kaluar nga ky stadi primitiv drejt një shoqërie të përparuar dhe të organizuar mirë.
Konica, ashtu sikurse edhe sivëllezërit e tij shkrimtarë, ishte i ditur dhe i rreptë, i pa kompromis me veset dhe të këqijat shqiptare, të cilat i stigmatizonte si pakkush, por edhe krenar për vlerat kombëtare, të cilat i lartësonte me guxim si pakkush. 
Ai besonte se beteja për të emancipuar një popull, nuk mund të bëhej duke i ikur të vërtetës, por duke e trajtuar atë dhe duke shkulur me rrënjë të keqen. Po ashtu, ai besonte se beteja për të emancipuar dhe kulturuar një popull, nuk mund të bëhej me rrahagjoksë, por nga njerëz të dijes, të hollë nga mendja dhe të iluminuar, që problemet e shoqërisë dhe të raporteve ndërkombëtare, nuk i qëmtojnë nga kafetë dhe çajtoret plot tym duhani, por nga dija, librat dhe kultura.

Konica na ka vizatuar me vija të trasha dhe të dukshme, të vërteta të dhimbshme, që nganjëherë tentojmë t’i fshehim, edhe pse e dimë se, dielli nuk mbulohet me shoshë.

Vepra e tij, ndonëse e rikthyer në jetën tonë kulturore e publike, nuk duhet cituar për të sharë njëri-tjetrin, por për të mësuar nga ajo dhe pësimet për të cilat na flet. 
Shqiptarët e sotëm, të çorientuar dhe të paemancipuar sa duhet, sidomos në fushën e politikës, me mosmarrëveshje të brendshme të mëdha, duhet rishtas të bëhen nxënës të veprës së tij, sepse në këtë mënyrë, më lehtë mund të hyhet në portat e lirisë dhe të përparimit dhe të përjetohet dita e verës kombëtare, në të cilën mund të ngrohemi nga rrezet e lirisë, përparimit dhe mirëqenies. / KultPlus.com

Sot është datëlindja e Faik Konicës

Faik Konica, lindi më 15 mars të vitit 1876 në Konicë dhe vdiq më 14 dhjetor të vitit 1942 në Uashington. Konica ishte magjistër i artit dhe letërsisë, aktivist kombëtarë dhe shkrimtar shqiptar.

Rrjedh nga një familje e vjetër feudale. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Mësoi në Shkodër, Kostatinopojë, Francë dhe SHBA. Ishte bir i derës së famshme të bejlerëve të Konicës.

Nga e ëma binte gjak me Ali Pashë Tepelenën edhe pse vetë kurrë nuk e ka pohuar. Fliste frëngjishte të kulluar. Më vonë hyri në liceun perandorak francez të Stambollit për të kryer pastaj shkollën e mesme në Francë. Ndoqi studimet për filozofi në Dizhon dhe Paris.

Më 1912 u diplomua për letërsi në universitetin e Harvardit të SHBA me medalje ari, ndërkohë që është cilësuar nga miqtë e tij si “biblioteka lëvizëse”. Fitoi disa konkurse, duke u nderuar me çmime për aftësitë e tij intelektuale jo të zakonta.

Konica qysh i ri e lidhi jetën me veprën e tij dhe me lëvizjen kombëtare shqiptare. Pasi boton broshurën “Shqipëria dhe turqit” (1895) në Paris ai vendoset në Bruksel (Belgjikë), ku nxjerr revistën “Albania”, kjo revistë politiko-kulturore dhe letrare u bë organi më i rëndësishëm e më me autoritet i Rilindjes sonë. E botuar në gjuhën shqipe, frënge dhe pjesërisht turke, si një enciklopedi e vërtetë, ajo propogandoi për vite me radhë (1897-1909) programin e lëvizjes kombëtare shqiptare, historinë dhe kulturën e popullit tonë.

Më 1909 Konica, si u mbyll revista “Albania” në Londër, i ftuar nga atdhetarët shkon në SHBA ku drejton gazetën “Dielli” edhe më pas gazetën “Trumpeta e Krujës”. Me themelimin e Federatës “Vatra”, më 1912 ai zgjidhet sekretar i përgjithshëm i saj. Faik Konica dhe Fan Noli, duke qenë udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare shqiptare në SHBA, do të shkojnë në Londër për mbrojtjen e çështjes kombëtare në Konferencën e Ambasadorëve. Në kongresin shqiptar të Triestes (1913), që u mblodh për të kundërshtuar copëtimin e Shqipërisë nga armiqtë e saj, Konica u zgjodh kryetar.

Gjatë Luftës së Parë Botërore dhe më pas, ai zhvilloi veprimtari të dendur diplomatike në dobi të atdheut, në Austri, Zvicër, Itali e gjetkë. Në 1921 u kthye në SHBA, ku u zgjodh kryetar i Federatës “Vatra”, po ndërkaq në vitet 20 u lidh dhe ndikoi në lëvizjen demokratike që zhvillohej në Shqipëri. Këtë do ta bënte nëpërmjet gazetës “Dielli” dhe “Shqiptari i Amerikës”.

Me dështimin e Revolucionit Demokratik, me ardhjen e Ahmet Zogut në fuqi, Konica u emërua ministër fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA. Ministër i oborrit mbretëror në SHBA (përfaqësues i Shqipërisë), Konica ishte një pianist i shkëlqyer dhe një shkrimtar gjenial. Ai mbahet si krijuesi i prozës moderne shqipe.

Çdo krijues i letërsisë shqiptare që vjen pas tij mund vetëm të quhet nxënës i tij. Faik Konica është një nga personalitetet më në zë të kulturës dhe letërsisë shqiptare. Prozator dhe poet, publicist dhe estetist, kritik letrar dhe përkthyes, ai me veprën e tij të shumanshme pasuroi dhe ngriti në lartësi të reja fjalën shqipe dhe mendimin letrar shqiptar.

Njeri me dituri të madhe, dhe dhunti artistike, mjeshtër i hollë i gjuhës shqipe, Konica ka hyrë në historinë e kulturës sonë kombëtare jo vetëm si erudit e stilist i përkryer, por edhe si shkrimtar me vlera të shquara ideoartistike. / KultPlus.com