Mungesa e gjelbërimit, statujës së Fehmi Aganit e Anton Çettës: Këshilli Studentor bën thirrje për bojkot të bizneseve sipër Parkingut

Këshilli Studentor që përfaqëson studentët e Fakultetit të Filologjisë është shprehur shumë i zhgënjyer me mënyrën e finalizimit të projektit për parkingun para Filologjikut, me ç’rast nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, është bërë thirrje ndaj bojkotimit të bizneseve të ngritura në hapësirat gjelbëruese të Universitetit, përcjell KultPlus.

Ata kanë theksuar edhe mungesën e statujës së Fehmi Aganit që nuk është vendosur në hapësirën gjelbëruese edhe pse ishte premtuar që do vendoset. Po ashtu, është dalluar edhe mungesa e statujës së Fehmi Aganit që nuk është rivendosur në vendin që ishte por e ka mbuluar pluhuri në podrumin e Filologjisë.

“Sepse sa të ketë Universitet, do ketë edhe shtet!”, thuhet në reagimin e tyre.

Më poshtë KultPlus ua sjell postimin e plotë:

Reagim!

Këshilli Studentor që përfaqëson studentët e Fakultetit të Filologjisë janë shumë të zhgënjyer me mënyrën e finalizimit të projektit për parkingun para Filologjikut!

Nga fillimi është premtuar që hapësira gjelbëruese do rikthehet edhe më e mirë se më përpara dhe ky ishte premtimi i parë nga Legjislatura udhëheqëse nën Shpend Ahmetin në Komunën e Prishtinës, por një gjë e tillë nuk ndodhi asnjëherë!

Zhgënjimi ynë është edhe me udhëheqsinë komunale të tashme, të cilët nuk reaguan aspak për gjendjen e tanishme të parkingut!

Përderisa hapësira gjelbëruese është gllabëruar apo uzurpuar, tashmë as statuja e Fehmi Aganit nuk është rivendosur në vendin që ishte por e ka mbuluar pluhuri në podrumin e Filologjisë, ku puntorët e kompanisë punë-kryese nuk kanë marrë as mundin më të vogël të kujdesen sadopak për të!

Vlen të ceket që edhe statuja e të madhit Anton Çeta, nuk është vendosur në hapësirën gjelbëruese edhe pse ishte premtuar që do vendoset!

Reagimi ynë nuk është politik ashtu si i organizatave dhe perfaqësuesëve tjerë, por është në kontekst dhe koherencë ndaj përgjegjësve të kaluar dhe të tanishëm, varësisht se cilit oborr politik i takojnë!

Stop zvogëlimit të hapësirës gjelbëruese në kampusin tonë!

BETONI DHE MONETAT nuk mund të zëvendësojnë asnjëherë të drejtën e studentëve për hapësira gjelbëruese para Fakultetit!

Duke u thirrur në parime dhe sakrifica të studentëve për vijim të studimeve sa më të mira dhe më produktive, atëherë i bëjmë thirrje të gjithë studentëve të Filologjisë dhe jo vetëm, që t’i BOJKOTOJNË dhe mos frekuentojnë asnjëherë bizniset e ngritura në hapësirat gjelbëruese të Universitetit!

Ndoshta nga mos reagimet komunale kemi hasur në neglizhencë, por ne ju themi që s’jemi pak por jemi shumë, e kur bëhemi shumë, atëherë gjithmonë fitojnë parimet dhe idealet mbi të cilat është ngritur ky Universitet!

Sepse sa të ketë Universitet, do ketë edhe shtet!

Uzurpimi i hapësirës publike në UP nga bizniset, nënkupton që nesër ose pasnesër do uzurpohen edhe më shumë hapësirat tjera vitale në shtetin tonë, nga Aristokratë biznisor dhe me aspak moral dhe etikë shtetndërtuese!

Këshilli Studentor i Filologjisë! / KultPlus.com

Këtë të mërkure në Fakultetin Filologjik, i ftuar do të jetë Christian Dürr

Këtë të mërkure në sallën Idriz Ajeti në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës do të jetë i ftuar për diskutim Christian Durr, njëri prej kuratorëve të ekspozitës së përhershme të memorialit të kampit të përqendrimit Mathauzen dhe Gusen në Austri.

Diskutimi do të filloj nga ora 17:00 bashkë me autorin i cili po ashtu do të flet për librin e tij “Çlirimi ose fundi i Marçelos”.

Mbi librin:

Manuel Gluckstein (Manuel Glukshtajn) u lind në Austri në vitin 1947. Shtëpia e parë e tij ishte një kamp refugjatësh: Kampi DP Bindermichl në Linc, ku prindërit e tij u ribashkuan pas çlirimit të tyre nga kampi i përqendrimit në Mathauzen, në Maj të vitit 1945. Kur Manuel ishte tre vjeç, familja e tij emigroi në Argjentinë dhe u përpoq të ndërtonte një jetë më të mirë në Buenos Aires.

Megjithatë, vitet 1970 në Argjentinë ishin një kohë e trazirash. Manuel Gluckstein i bashkohet një grupi studentësh dhe përfshihet aktivisht në politikë. Ai bie në dashuri me Martën, një anëtare e grupi studentor Peronist, dhe fillon një marrëdhënie me Anën. Dhe ndërsa ende beson në një botë më të mirë, ajo shembet.

Në 24 Mars 1976, ushtarakët argjentinas inskenuan një grusht. Anëtarët e grupit studentor u arrestuan dhe Manueli e Ana përfunduan në “pozo” – “pusi”. Menjëherë më pas atë thjesht “e morën me vete”. Asgjë nuk do të ishte më si më parë. Për më shumë se tri dekada më vonë, Manueli papritmas ka mundësinë të nxjerrë para drejtësisë torturuesin e tij. Ai përballet me vendimin e jetës së tij. Çfarë duhet të bëjë Manueli që të bëjë drejtësi për të kaluarën e tij dhe më së fundi të jetë në gjendje të harrojë?

Për autorin:

Dr. Christian Dürr është një prej kuratorëve të ekspozitës së përhershme të memorialit të kampit të përqendrimit Mathauzen dhe Gusen në Austri. Ai ishte kreu arkivit të memorialit të kampit të përqendrimit Mathauzen dhe është bashkëredaktor i „Mauthausen-Studien“ dhe „Mauthausen-Erinnerungen“. Dr. Dürr ka bërë kërkime të shumta për çështjet e nazizmit, historinë e kampit të përqendrimit dhe kulturave të kujtesës.

Christian Dürr ishte Bashkëpunëtor Postdoktorature në Centro de Estudios sobre Genocidio (Qendra për Studimet mbi Gjenocidin) në Unidad Nacional de Tres de Febrero, Buenos Aires dhe ka bërë kërkime për Diktaturën Ushtarake Agjerntinase. Në vitin 2019 Christian Dürr publikoi romanin e tij të parë të titulluar „Die Befreiung oder Marcelos Ende” (“Çlirimi ose fundi i Marçelos”). Romani është një rrëfim imagjinar i kërkimeve të tij ndërmjet diktaturës ushtarake argjentinase, sistemit të kampit të përqendrimit dhe Holokostit në Austri.

Eventi organizohet në sallën “Idriz Ajeti” në Fakultetin filologjik, fillon në ora 17:00 dhe është bashkëpunim ndërmjet OeAD Prishtina dhe forumZFD Kosovo. /Express/ KultPlus.com