Në Fakultetin e Histori-Filologjisë u mbajt sot një leksion mbi librin “Kadare dhe muzika”, me autor akademikun Vasil Tole.
Pas fjalimit hapës dhe të mirëseardhjes nga Lili Sula, përgjegjëse e departamentit të letërsisë, fjalën e mori akademiku Shaban Sinani, i cili është dhe autor i hyrjes dhe recensues i këtij punimi.
Sinani u shpreh se analiza tekstuale në vetvete nuk mjafton; por studimi ndërdisiplinar është i rëndësishëm dhe çdo lexim i jashtëm veçse pasuron vlerat e pazbuluara nga këndvështrime të ngushta.
Akademiku Vasil Tole, autor i librit, foli më në detaje mbi librin e tij dhe procesin e punës së shkrimit të kësaj vepre.
Ai u shpreh se te Kadareja shfaqen natyrshëm elementë muzikore, që nga titujt e veprave e gjer në nivel fjale brenda librave të tij.
Ai mund të radhitet ndër krijuesit e mëdhenj, që në kohë të hershme nuk ishin të kufizuar vetëm tek një formë arti, por e shpalosnin krijimtarinë e tyre në disa forma, si fjala, muzika apo vallja, ashtu si rapsodët.
Leksioni nxiti interes të madh dhe u ndoq nga studentë të departamentit të letërsisë me pyetje dhe diskutime mbi veprën. / atsh/ KultPlus.com