Pronari i një fotokopjeje në Podujevë është dërguar në mbajtje për 48-orë nga policia, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumentave”.
I njëjti dyshohet se falsifikonte teste, duke i printuar ato në formatin A4 me logo të disa laboratorëve në Kosovë. Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, nëpërmjet një komunikate për medie.
“Policia përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë”, u tha në njoftim.
“I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve””.
Siç thuhet në komunikatën e policisë, forcat e rendit kanë sekuestruar një shtëpizë dhe një telefon celular.
Policia do të vazhdojë angazhimet në zbatimin e masave që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë, përfshirë angazhimet shtesë në arrestimin dhe sjelljen para organeve të drejtësisë të personave që përfshihen në veprimtari të kundërligjshme. / KultPlus.com