QRTK në Prizren synon t’i rikthejë shkëlqimin shtëpisë së familjes Dukagjini dhe Muriqi

Vazhdojnë punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Dukagjini dhe familjes Muriqi në qytetin e Prizrenit.

Krahas historikut kjo shtëpi ka edhe një sërë vlerash ndërtimore dhe arkitektonike. Shtëpia e familjes Dukagjini dhe Muriqi është ndërtuar në shek. XIX, ndërkohë që në periudha të ndryshme janë kryer ndërhyrje restauruese. Ajo është një ndër ndërtimet më tipike në tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit.

Duke u bazuar në stilin e ndërtimit dhe tipologjitë e shtëpive tradicionale në qytetin e Prizrenit mund të thuhet se objekti i përket shtëpive me sallë qendrore, kjo për arsye të rolit qendror të salloneve tek të dy katet. Sipas nevojave të pronarëve të shtëpisë, objekti është e ndarë në dy pjesë, dhe sot shfrytëzohet si shtëpia e familjes Dukagjini dhe shtëpia e familjes Muriqi. Shtëpia pas ndarjes ka humbur tipologjinë e saj origjinale por ende ruan vlerat artistike dhe arkitekturore të saj.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha thotë se “Hartimi i projektit restaurues për këtë shtëpi është një tjetër hap i rëndësishëm i politikave të Ministrisë së Kulturës për ndërhyrje restauruese në shumë asete të trashëgimisë kulturore në Qendrën Historike të Prizrenit, në kuadër të zbatimit të programit masat preventive intervenimet emergjente”.

Projekti i restaurimit është hartuar nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren dhe po mbështetet financiarisht nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit, meqë rast synon t’i rikthejë shkëlqimin e munguar kësaj pasurie të trashëgimisë sonë kulturore. / KultPlus.com