Kryeministri Kurti përkujton të rënët e familjes Qerkezi: Shtëpia e Nënës Ferdonije dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka përkujtuar të rënët e familjes Qerkezi në Gjakovë në 25 vjetorin e rrëmbimit të tyre, ku edhe ka deklaruar se shtëpia e Nënës Ferdonije dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.

Kryeministri Kurti po ashtu ka përkujtuar edhe masakrat në Dardaninë e Pejës, Klladernicë të Skënderajt, Mamushë, Obiliq dhe Fushë Kosovë.

Me këtë rast Kryeministri Kurti ka thënë se sakrifica e popullit të Kosovës është themeli i Republikës së lirë.

Shkrimi i plotë i Kryeministrit Kurti në facebook:

Në rrugën “Martirët Qerkezi”, në shtëpinë-muze qëndron Nëna Ferdonije. Brenda shtëpisë së zbrazët, ajo jeton mes kujtimeve dhe dëshmon forcën e Nënës. Shtëpia e familjes Qerkezi dëshmon gjenocidin dhe spastrimin etnik të Serbisë në Kosovë.

Nga aty, 25 vite më parë, forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen dhe zhdukën të katër djemtë: Artanin, Armendin, Ardianin e Edmondin, si dhe bashkëshortin Halimin. Nga ajo shtëpi u rrëmbyen edhe Vegim Qerkezi, Shpejtim Ymeraga, Skender e Myrteza Dylhasi, dhe Shpend e Fatos Jetishi.

Në Dardaninë e Pejës, më 27 mars 1999 forcat e armatosura serbe, policë të njësive speciale dhe serb lokal, brenda tri orëve i masakruan 40 civilë shqiptarë të kësaj lagje.

Ne i kujtojmë çdoherë e nuk do t’i harrojmë kurrë.

Në këtë 25 vjetor i përkujtojmë edhe 75 të vrarët në masakrën në Klladernicë të Skënderajt, 18 të vrarët në Mamushë, dhe 10 anëtarët e familjes Rama të vrarë në Obiliq. Sot, në Fushë Kosovë përkujtohen 168 shqiptarët e vrarë nga forcat e armatosura serbe.

Me mall e dhembje, i kujtojmë sot dhe ҫdo ditë, të gjithë të vrarët dhe të zhdukurit me dhunë nga Serbia.

Sakrifica e popullit tonë është themeli i Republikës sonë të lirë.

Lavdi të gjithë të rënëve në rrugën e gjatë për ҫlirimin e Kosovës!/KultPlus.com