Fryn moj erë

Poezi nga Fan Noli

Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com

Më 10 shtator 1922 u bë shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli

Më 10 shtator 1922 u realizua shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit.

Ky kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptar, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.

Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë. /KultPlus.com

“Gjysmë historiani – përsëritet historia, Gjysmë idealisti, nuk bëhet Shqipëria”

Nga Fan Noli

Gjysmë mjeku – vdes njerëzia!
Gjysmë avokati – mbushet qelia!
Gjysmë komandanti – humb ushtria!
Gjysmë arkitekti – shembet shtëpia!
Gjysmë ekonomisti – vjen varfëria!
Gjysmë kleriku – nuk kuptohet Perëndia!
Gjysmë historiani – përsëritet historia!
Gjysmë idealisti – nuk bëhet Shqipëria! /KultPlus.com

59 vjet pa Fan Nolin, një prej figurave më të shquara kombëtare

13 marsi shënon ditën kur Fan Noli dha frymën e fundit në vitin 1965.

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.

Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.

Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA. / KultPlus.com

Elegji për Luigj Gurakuqin

Poezi nga Fan Noli

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. / KultPlus.com

Ilir Ikonomi, autori që spikati shpirtin e Fan Nolit: Ai duhet të vazhdojë të prehet në varrin madhështor që ka në Boston, jo të kthehet në Shqipëri

Era Berisha

“Bota kënaqet me gënjeshtrën, që shëtit nëpër skenë, dhe jo me të vërtetën, që rri në prapaskenë.” Është një nga thëniet më të famshme që na vjen nga poeti, diplomati, publicisti dhe shqipëruesi, Theofan Stilian Noli i njohur ndryshe me emrin Fan Noli, dhe një e tillë na lidhë pikërisht me penën e autorit Ilir Ikonomi, i cili të vërtetat e prapaskenave të jetës e veprimtarisë së Nolit, na i ka plasaritur përpara syve nëpërmjet librit biografik të tij më të fundit, “Fan Noli – Apostulli”, shkruan KultPlus.

Noli, figura më e debatuar politike dhe historike është rijetësuar me botimin e vëllimit të parë të librit “Apostulli” në një formë të atillë që nuk e kemi lexuar deri më tani. Ky fundvit e ka gjetur autorin Ikonomi në një atmosferë plot magji, aty ku faqet e libri të tij, të bëjnë të digjesh nëpërmjet rreshtave, të frymosh me to, e të kuptosh rëndësinë e figurës së Nolit si kurrë më parë.

Biografia e jetës së Fan Nolit tashmë është e përshkruar në dhjetëra shkrime të botuara kudo në botë, por është pikërisht kjo figurë gjigande që e ka ngacmuar autorin Ikonomi për t’i përvjelë mëngët e për t’iu përveshur punës për ta sjellë në dritë ‘Apostulli’, suksesin e të cilit as ai vetë nuk mund ta shijonte aq shumë, për shkak të frikës nga përgjegjësia përpara lexuesit si dhe kohës së pamjaftueshme për të vazhduar me shkrimin e vëllimit të dytë të librit që konsiderohet si sfida e tij e radhës, ngaqë nuk dëshiron t’i zhgënjejë lexuesit besnik të tij.

Për të shkruar për figurën shumëdimensionale të Nolit, nuk do të ishin të mjaftueshme as të gjitha letrat në botë, por veprimtaria e tij në fushën politike, diplomatike, klerike, poetike, publicistike dhe shqipëruese, së fundmi është përmbledhur në 430 faqe në librin “Apostulli”. Autori Ikonomi studioi mbi 40 mijë faqe në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe.

Vendimin për të shkruar jetën e Nolit e mori me shumë ngurrim, pasi që Noli është një figurë mjaft e respektuar mes shqiptarëve, prandaj droja e tij ka qenë se mos portreti që mund të jepte, të ishte i paplotë. Noli si një figurë e komplikuar ka lëvruar shumë fusha dhe detyra e Ikonomit ishte të lexonte gjithçka që ishte shkruar, përpara se ta shkruante vetë. Kjo qe një sfidë e madhe që po e merrte përsipër prandaj edhe ngurroi për një kohë të gjatë. I thoshte vetes: “Le të mos jetë libri im më i miri në këtë fushë, por të paktën të shtoj edhe unë diçka të re në studimet për Nolin.” Dhe kështu nisi gjithçka.

‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar e vizionar. Materialet që autori Ikonomi ka siguruar për Fan Nolin, janë më shumë se një libër, andaj edhe është paraparë të ndahet në dy vëllime. Sipas tij, për Nolin mund të flitet shumë. Vëllimi i parë, edhe pse ka 430 faqe, mund të kishte shumë më tepër, aq shumë gjurmë ka lënë Noli mes shqiptarëve të Amerikës në vitet 1906-1920, periudhë kjo që autori ka trajtuar deri më tani.

Konsiderohet se çështja qëndron tek sintetizimi i një numri të pranueshëm faqesh me gjithë këtë material. Ndonjëherë autorit i është dashur të heq edhe faqe të tëra për hir të konçizitetit. Ai thotë se çdo njeri që i hyn një pune të tillë duhet të ketë parasysh se do të ketë edhe humbje, por që rëndësi ka që gjithsecili të tregohet modest me punën e vetë.

“Nëse e kuptojmë që jemi zgjatur shumë diku, nuk duhet të ngurrojmë të përdorim gërshërën.”

Pa dhënë ndonjë gjykim apo vlerësim mbi figurën e Nolit, autori Ikonomi tashmë ka bërë të qartë se ka sjellë fakte mbi jetën dhe veprimtarinë e Nolit, pa dhënë ndonjë qasje udhëzuese për lexuesin. Ka larguar shumë enigma mbi figurën e Nolit, por aty gjejmë edhe fakte që jepen për herë të parë.

“Është e vërtetë se nuk përpiqem t’i bëj moral lexuesit, t’i tregoj se çfarë duhet të mendojë për Nolin. Mënyra apo teknika ime e të shkruarit në fakt e ndihmon lexuesin të gjykojë vetë, pa ndihmën e autorit. Ka shumë fakte në librin tim që jepen për herë të parë. Por më shumë se kjo, unë i vë rëndësi lidhjes së fakteve në një kontekst të vetëm dhe jo paraqitjes së tyre si kuriozitete, të shkëputura nga tabloja e përgjithshme”, thotë ai.

Në vëllimin e dytë ai po ashtu do të ndjek të njëjtën qasje dhe do të ketë fakte të tjera të panjohura, por gjithmonë me synimin për të dhënë një portret sa më të plotë e të saktë të Nolit, sepse qëllimi është që lexuesi të kuptojë sa më mirë se cila ishte kjo figurë dhe çfarë vendi kishte në sfondin më të gjerë të kohës ku veproi.

Ilir Ikonomi tashmë është patentuar për figura të mëdha, dhe para librit për Nolin, ka publikuar libra për Esat Pashë Toptanin, Faik Konicën, Ismail Qemalin, figura këto që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e popullit shqiptar. Vërehet se autori Ikonomi aspak nuk frikësohet nga figurat e mëdha, përkundrazi, ai na e sjell një magji fjalësh që përkon mes rreshtave nëpër librat e tij.

“Të zbulosh jetën e emrave të mëdhenj të historisë për mua është diçka sublime. Frika qëndron te vëllimi i madh i punës që duhet për t’i studiuar këto figura. Më pëlqen të flas për njerëzit në emër të kombit, ata njerëz që vepruan në periudhat më kritike të formimit të shtetit shqiptar. Mund të kisha zgjedhur personazhe lokale, por ndiej se kemi shumë figura kryesore, për të cilat nuk është folur sa duhet, prandaj mendoj se ia vlen të zbulojmë ato më parë. Figurat e rëndësishme janë të ngarkuara me histori të rëndësishme. Duke shpjeguar ato, ne në fakt shpjegojmë historinë e vendit tonë”, ka thënë Ikonomi.

Nga ana tjetër, ai mendon se sa më shumë biografi të tilla të kemi, aq më mirë është dhe aq më shumë horizont i hapim lexuesit. Ai merr shembullin se qysh në Amerikë ka qindra, ndoshta mijëra libra për Xhorxh Uashingtonin, presidenti i parë i vendit që luftoi për pavarësinë nga Anglia, apo për Abraham Linkolnin, presidenti që e udhëhoqi Amerikën përgjatë një lufte të tmerrshme civile, prandaj konsideron që secili autor paraqet pikëpamjen e tij të veçantë, jep vështrimin e tij dhe kjo për të, është diçka e mirë.

“Mendoj se ne ende nuk kemi sa duhet biografi të njerëzve që kanë lënë gjurmë në historinë tonë kombëtare.”

Në ndërkohë në këto publikime, nuk gjejmë asnjë figurë grua të rëndësishme të historisë apo kulturës shqiptare, mirëpo për këtë, autori Ikonomi është shprehur se për të nuk ka rëndësi gjinia, teksa na ka lënë të shpresojmë që ndoshta në të ardhmen do të trajtoj një grua, natyrisht nëse gjen material interesant për një personazh të tillë. Ai nuk la pa përmendur gratë që kanë qenë me rëndësi në historinë tonë, si: Motrat Qiriazi apo Dora D’Istria.

Ne u kthyem prapë tek biseda rreth librit për Fan Nolin që u promovua fillimisht në Tiranë e pastaj edhe në Prishtinë. Autori Ikonomi na tregoi se disa miq do të organizojnë përpara Krishtlindjeve një promovim të ‘Apostullit’ në Nju Jork dhe aty do ta ketë rastin të flas për librin dhe për procesin e shkrimit të tij. Por, promovimet për autorin mbeten në një farë mënyre, thjeshtë të kota.

“Nuk jam shumë i dhënë pas promovimeve. Thellë në vetvete mendoj se nëse një libër është i shkruar mirë, nuk ka nevojë për promovim. Të tjerë nuk mendojnë kështu. Me kalimin e kohës, vetvetiu një libër reziston dhe pëlqehet, ose shuhet në pafundësinë e botimeve. Kam patur propozime për ta promovuar Apostullin edhe në dy shtete të tjera amerikane. Promovimet shpesh kthehen në qoka dhe lavdërime të tepruara për autorin, çka për mua është gati e padurueshme, prandaj edhe u rri larg atyre. Do të doja të dëgjoja sa më shumë kritika. Disa që e kanë lexuar Apostullin më kanë bërë vërejtje, të cilat unë i marr shumë seriozisht. Gjithsesi, dëshira ime është që gjatë promovimeve lexuesit të thonë hapur atë që mendojnë, sepse kështu më ndihmojnë. Kur ndaj një libri shprehen kritika, kjo absolutisht nuk ia ul librit vlerat. Mendoj se kur lexuesit kritikojnë, kjo tregon se ata e kanë lexuar librin me vëmendje dhe kjo më gëzon”, shprehet Ikonomi.

Fan Noli konsiderohet aset i popullit shqiptar, por si një vulë të madhe mbi figurën e tij, e mban mërgata shqiptare në Amerikë. Së fundmi është iniciuar që eshtrat e Fan Nolit të sillen nga Amerika në Shqipëri (Tiranë) dhe autori Ikonomi këtë iniciativë nuk e ka pritur aspak mirë.

 “Nuk më duket ide e mirë që eshtrat të kthehen në Shqipëri. Nuk kam dëgjuar që Noli ta ketë patur një dëshirë të tillë. Ai jetoi rreth 44 vjet në Amerikë, ku realizoi veprën e tij më të madhe, Kishën Shqipe. Kjo kishë e ka lidhur atë përjetësisht me Amerikën. Të mos harrojmë se në Amerikë Fan Noli gjeti lirinë e besimit dhe të shprehjes, të cilat i përdori për të realizuar këtë ëndërr të tij. Në Amerikë ai punoi për të kulturuar bashkatdhetarët dhe për t’i edukuar me frymën e lirisë dhe të çlirimit. Në Amerikë ai realizoi disa nga punët e tij më të mëdha. Në Shqipëri Noli qëndroi pak vjet dhe pati shumë zhgënjime. Qysh në vitin 1920, kur u përpoq të hyjë atje, qeveria nuk e lejoi dhe ai u detyrua të kthehej në Itali. Për ta mbajtur larg, qeveria e emëroi si përfaqësues në Gjenevë. Një vit më vonë, kur do të kthehej nga Gjeneva në Tiranë, ministrat gjenin lloj-lloj arsyesh që ai të mos vinte”, ka thënë ai.

Sipas tij, Noli u përpoq të bëjë reforma në Shqipëri, por dështoi. Qeveria që formoi në vitin 1924 rezultoi e brishtë dhe u rrëzua për një sërë shkaqesh, andaj edhe mund të imagjinohet se çfarë zhgënjimi duhet të ketë pasur.

“Kur në Shqipëri u vendos komunizmi, Noli fillimisht bashkëpunoi me Hoxhën. Më vonë, komunizmi vrau dhe burgosi disa nga shokët më të afërt të Nolit, Bahri Omarin, Andon Frashërin dhe të tjerë. Megjithëse e ftuan të kthehej, ai nuk pranoi, sepse e kuptoi se me çfarë regjimi gjakatar kishte të bënte. Krerët e kishës ortodokse autoqefale në Shqipëri, Visarion Xhuvani dhe Kristofor Kisi, dy figura kombëtare që u përndoqën nga komunizmi, edhe sot e kësaj dite nuk kanë varre të denja si klerikë që u përpoqën aq shumë për Shqipërinë. Shumë njerëz në Shqipëri duan që ta kenë Nolin afër, që të mund ta nderojnë. Kjo është një dëshirë e sinqertë dhe plotësisht e kuptueshme. Por druaj se do të ketë të tjerë që do të sjellin pengesa dhe do të krijohen probleme të panevojshme. Mendoj se Noli duhet të vazhdojë të prehet në varrin madhështor që ka në Boston.”

Në anën tjetër, autori Ilir Ikonomi ka qenë shumë i guximshëm edhe në një qasje tjetër. Ka sjellë disa fakte se Fan Noli mund të ishte ateist, dhe se petkun e priftit e përdori për qëllim kombëtare, duke shprushë kështu në një gacë të nxehtë. Mirëpo, ai na tregon se nuk thotë domosdo se Noli ishte ateist, por ka njerëz që mendojnë ashtu.

“Në fund të fundit ne nuk mund të dimë se çfarë mendon njeriu thellë në shpirt për çështjet e fesë. Të testosh spiritualitetin e dikujt do të ishte një sprovë e kotë. Sigurisht, Noli e përdori kishën shqipe për të çuar përpara idetë e tij kombëtare. Kjo nuk duhet të na habisë. Në historinë tonë kemi patur dhe kemi shumë klerikë që kanë punuar për çështjen kombëtare dhe të qenit fetar nuk do të thotë se nuk mund të luftosh për ide liberale dhe kombëtare. Noli e shfrytëzoi kishën shqipe më së miri për këtë qëllim. Meqenëse kisha e tij ishte në gjuhën shqipe, ajo mbështolli rreth vetes jo vetëm ortodoksët kombëtarë, por edhe myslimanët. Kemi shumë shembuj që e tregojnë këtë”, tregon Ikonomi.

Ndërkohë, nëpërmjet të gjitha figurave që Ikonomi ka publikuar deri më tani, ka edhe një distancë të mirë kohore, nga e cila autori ka mundur ta ftohë kokën nga raporti në raport, nga materiali në material, duke i lënë vetes një mundësi për t’i kthjellur ndoshta edhe vetë mendimet e veta.

“Sigurisht, largësia në kohë e ndihmon shumë historianin dhe biografin. Kjo largësi ndihmon që të shikosh më qartë në histori. Ajo të ndihmon ta vlerësosh një figurë në mënyrë më të ftohtë, sepse nuk i ke emocionet e momentit, ato janë zhdukur. Koha bën të vetën. Ajo fshin shumë gjëra dhe lë të paprekura kontributet e mëdha. Ky është avantazhi i kohës. Gjithashtu, koha krijon arkivin e saj, ku studiuesi mund të zhytet dhe të kërkojë. Këtë kam bërë unë me figurat që kam trajtuar”, thotë ai.

Autorit Ikonomi i kemi drejtuar edhe një pyetje hipotetike, se me cilën figurë të ditëve të sotme do të donte të kishte një distancë të tillë kohore. Sipas tij, ai do ta krijonte një distancë me të gjitha figurat, për shkak se asnjë nga ne realisht nuk e dimë se si koha do t’i trajtojë ato. “Mbase dikush që sot ne e vlerësojmë negativisht, mundet që pas shumë dekadash, të na rezultojë ndryshe.”

Ikonomi tutje thotë se do të ketë udhëheqës me të cilët historia nuk do të merret shumë, të tjerë do të harrohen plotësisht. “Zakonisht, koha favorizon udhëheqësit që luftojnë për vendin e tyre, që punojnë për mirëqenien e popullit, pavarësisht nga ulje-ngritjet politike. Noli punoi shumë për Shqipërinë, por ai shquhet edhe për diçka që jo të gjithë e kanë patur. Ai shkroi shumë vepra dhe shkroi vepra me cilësi të lartë.”

Libri “Apostulli” i cili paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në ‘Best Seller’ në Panairin e Librit i cili u mbajt në Tiranë. Autori i librit shkruan në një zhanër shumë unik të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, duke sjellë një kahje të ndryshme historiografike, me atë se çka jemi mësuar, pra ndryshe nga qasja komuniste. Ikonomi na ka mësuar se mendimi ndryshe, nuk është diçka prej së cilës duhet të kemi frikë, të ikim. Përkundrazi, të mendosh ndryshe, do të thotë që kemi arrit për të kuptuar diçka jashtë masës dhe se mendimi kritik të bën të dalësh nga rrethi i ngushtë, i cekët i shoqërisë.

Krejt për fund, autori Ikonomi na tregoi se nëse gjithçka shkon mirë, vëllimi i dytë i “Fan Noli – Apostulli” do ta gjejë dritën e botimit kah fundi i vitit 2024, por që për këtë ai duhet të punoj shumë, të kërkoj nëpër arkiva dhe të verifikoj mirë ato që shkruan.

Burrështetasin, intelektualin e shquar, poetin dhe përkthyesin e pashoq, poliglotin dhe dijetarin e përmasave botërore, zërin e zëshëm të interesave shqiptare, klerikun e pasionuar siç është Fan Noli, do të mund ta njohim edhe më mirë së shpejti, natyrisht nëpërmjet penës së veçantë të Ilir Ikonomit, që jo shumëkush mund ta posedojë. / KultPlus.com

Si sot, më 27 dhjetor 1923, Fan Noli u zgjodh deputet i Korçës

Jeta parlamentare e Nolit nisi me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, kur mori detyrën si deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921-30 shtator 1923). Në vijim ai shërbeu për pak kohë si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit. Ishte kryetar i Partisë Popullore.

Qe figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, u dënua me vdekje në mungesë. Sipas vetë Nolit, programi i tij prej njëzet pikash (dokumenti më poshtë) për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, çalonte tek theksi që i vinte reformës agrare.

Në shumatoren e angazhimit të tij të dendur pikëtakoheshin veprimtari të larmishme, siç qenë: poezia, filozofia, historia, politika dhe feja, të cilat priheshin në ansambël nga qëllimi i ngutshëm i konsolidimit të shtetit të ri shqiptar. Megjithëkëtë, vokacioni i tij i njëmendtë qe priftëria. / KultPlus.com

Parlamentit i shkon kërkesë zyrtare për riatdhesimin e eshtrave të Fan Nolit

Vatra, një shoqatë shqiptare-amerikane që daton që prej vitit 1912, i ka dërguar një kërkesë formale Kuvendit shqiptar për riatdhesimin e trupit të Fan Nolit, shkrimtarit të famshëm, shkencëtarit dhe themeluesit të Kishës Ortodokse shqiptare.

Euronews Albania u bë media e parë vendase që raportoi për fushatën e kësaj organizate për të sjellë në atdhe trupin e Nolit, i cili vdiq në Shtetet e Bashkuara në vitin 1965.

Noli është i njohur për kontributin e tij në letërsi, histori, teologji, diplomaci, gazetari, muzikë dhe bashkim kombëtar, dhe ka luajtur një rol kyç në konsolidimin e shqipes si gjuhë kombëtare dhe ka përkthyer shumë vepra të njohura të letërsisë botërore.

I lindur në qarkun e Korçës, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara, frekuentoi Harvardin, Konsevatorin e Muzikës në Nju Ingland dhe Universitetin e Bostonit. Ai u shugurua prift, themeloi Kishën Ortodokse shqiptare dhe ishte ndër të parët që përdori gjuhën shqipe në predikime kishtare. Ai gjithashtu udhëhoqi përpjekjet diplomatike pas Luftës Botërore I për ribashkimin e Shqipërisë dhe shërbeu shkurtimisht si kryeministër deri sa u rrëzua nga Ahmet Zogu, më vonë Mbreti Zog.

Gazetarja Alice Taylor intervistoi për Inside Albania doktorin shqiptar Skënder Murtezani, drejtues i degës së Vatrës në Kuins, i cili ka jetuar në SHBA për 33 vjet. Ai foli për një fushatë për riatdhesimin e trupit të Nolit, pas një fushate të ngjashme dhe të suksesshme për të sjellë trupin e Mid’hat Frashërit në vitin 2013.

Tani, hapi i ardhshëm i procesit është në zhvillim, pasi një kërkesë formale për të trajtuar temën në Kuvendin shqiptar është dorëzuar më 7 dhjetor 2023.

Kërkesa drejtuar Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla, lexuar nga Euronews Albania, thotë: “Është koha që Theofan Stilian Noli të pushojë përfundimisht në vatan.”

“Ne besojmë fort se riatdhesimi i eshtrave të imzot Nolit në Shqipëri do të përmirësonte disbalancën në komunitetet tona fetare, dhe përfundimisht do ta rregullonte atë,” duke theksuar se vetë Noli ka thënë: “Kisha Autoqefale Ortodokse Shqiptare nuk i përket vetëm besimtarëve ortodoksë, por të gjithë shqiptarëve.”

Kërkesa vijon, “Ne, si anëtarë dhe drejtues të Vatrës, urojmë shumë që ky Parlament i nderuar do ta marrë në konsideratë kërkesën tonë, duke theksuar fort se kjo kërkesë është për forcimin e unitetit tonë kombëtar dhe vlerësimin e figurave tona historike.” / KultPlus.com

Bestseller në Tiranë, Ilir Ikonomi sjell biografinë e Fan Nolit edhe në Prishtinë: Noli, oqean i madh që nuk mund të përmblidhet në një libër

Vjollca Duraku

Oqean i Madh është quajtur Fan Noli nga autori Ilir Ikonomi, i cili mbrëmë promovoi vëllimin e parë të  librit biografik “Apostulli”, njëkohësisht duke paralajmëruar edhe dy të tjerë në radhë. I menduar të përmblidhej me 500-600 faqe, libri mbi biografinë e shkrimtarit të madh shqiptar Fan Noli, nuk arriti  të përmblidhte gjithë veprimtarinë e kolosit,  i cili si një figurë shumëdimensionale erdhi mbrëmë edhe në Prishtinë, shkruan KultPlus.

Në mbi 40 mijë faqe të studiuara në arkivat e Amerikës, Londrës, Vjenës, Shqipërisë, e në gazeta ditore të asaj kohe, ‘Themelues i shtetit shqiptar’ është elementi kryesor që e karakterizon Nolin, ndër të tjerë si poet, historian, prift, politikan, përkthyes, revolucionar, vizionar etj.

Në ambientet e librarisë Dukagjini, me një numër të madh pjesëmarrësish mbrëmë është bërë promovimi i librit “Apostulli” nga Ilir Ikonomi, i cili më pastaj  në kohë rekord edhe u shit gati në tërësi i gjithë tirazhi prezent.

Ky libër i cili e paraqet figurën e Nolit si një ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si rrallëherë ndodh me librat historik dhe biografik, u shndërrua në Best Seller në Panairin e Librit i cili po mbahet aktualisht në Tiranë.

Bashmir Xhemaj, ishte ai i cili në këtë mbrëmje mori fjalën i pari, ku edhe çmoi lartë stilin e shkrimit të autorit Ikonomi në portretizimin e figurës së Nolit.

“Iliri tashmë është etabluar në një zhanër shumë të jashtëzakonshëm të biografive për disa nga figurat shumë të rëndësishme të shekullit 20-të, për çka jam i bindur që ai ka sjellë një modalitet në mënyrën se si shkruhen dhe portretizohen këto figura, duke i dhënë edhe një kahje tjetër historiografisë, nëse mund ta quaj komuniste, ngaqë kemi lexuar, dhe mësuar”, tha Xhemaj.

Për stilin e jashtëzakonshëm të Ikonomit u shpreh më tej edhe studiuesi Bejtullah Destani.

“Për mendimin tim, Iliri e ka studiuar gjithë biografinë shqiptare edhe në Shqipëri edhe në Kosovë dhe ka një stil të jashtëzakonshëm, ashtu siç ka shkruar edhe librin e parë për Faik Konicën, Ismail Qemalin, Esat Toptanin, ai na sjell informacione jashtëzakonisht të reja”, tha Bejtullahu  duke vënë në pah kërkimet e Ikonomit në arkiva të ndryshme si Itali, Amerikë, Vjenë, Londër ku në të kaluarën jo çdo kush ka pasur qasje për të lexuar për historinë e Shqipërisë.

Ndërsa, Suadela Baliu, redaktore e cila ishte pjesë e botimit të librit,  tha se librin pas shumë kërkesave arritën ta sillnin edhe në Prishtinë

“Këto ditë të panairit kemi pasur shumë kërkesa nga Kosova që vinin enkas për të blerë librin e Fan Nolit me autor Ilir Ikonomi. Zakonisht jemi mësuar që librat me natyrë historike, biografitë nuk janë nga ata Best Seller. Por, ndodhi që në fakt ishte Best Seller sepse mbaroi tirazhi i parë. U kërkua shumë”, tha Baliu e cila më tej tregoi që  Noli në libër paraqitet  hap pas hapi, që nga mbërritja e tij në Amerikë si një djalosh 20 e ca vjeçar, ambicioz e vizionar për çështjen kombëtare.

Ndërsa vetë autori Ilir Ikonomi, i lumtur që para vetes kishte numër të madh të pranishmëve, shpalosi para tyre një dhuratë- bluzë e cila kishte të shtypur kopertinën e librit të tij, e që i ishte lënë dhuratë nga një kosovar, në panairin e librit në Tiranë.

“Ky është mendoj vlerësimi më i mirë nga një lexues për mua. Nuk e kam takuar ndonjëherë këtë njeri, por do të dëshiroja ta takoja, ndoshta do të kem rast. Është një gjë e bukur që ai e ka vlerësuar këtë libër”, u shpreh me mirënjohje ai.

Duke e shpjeguar mënyrën e tij të shkrimit, autori Ikonomi këtë libër e ka quajtur kërkim të gjatë, pasi ka dashur që punën e vet ta ndërtoj mbi fakte nga fillimi, dhe jo nga ajo që është thënë më herët për këtë figurë.

“Të tjerët mund të jenë mburrur, mund të kenë thënë njeri i madh, gjigand, mirëpo kjo nuk më ka interesuar fare kur shqyrtoj një figurë të tillë. I tillë ka qenë edhe rasti i Nolit, pa marrë parasysh se çfarë kanë thënë të tjerët për të, unë thash që do të bëj një libër që do të bazohet krejtësisht mbi dokumentet.”

Fillimisht Ikonomi kishte menduar që të sillte Nolin në të gjitha dimensionet në vitet 1906- 1920, me një volum prej 500-600 faqesh, por që kjo teori më vonë doli që nuk ishte e saktë.

“E kuptova që i kisha hyrë në këmbë një oqeani të madh dhe që është e pamundur që ta përfundoja me 500-600 faqe me Nolin. Ishte e pamundur sepse kishte aq shumë dokumentacion. Materialet të cilat unë mblodha nëpër arkiva dhe biblioteka duhet të jenë mbi 40 mijë faqe, që për fat të mirë përmes teknologjisë mund t’i fotografosh dhe s’ke nevojë t’i fotokopjosh dhe të shkosh çdo ditë në bibliotekë për një libër për të mbajtur shënime.”

Nga viti 1906 deri 1920 Noli sipas autorit Ikonomi kishte pasur një aktivitet të jashtëzakonshëm, që sipas tij fillon me krijimin e kishës shqipe në Amerikë, si një gjë aspak të lehtë në kohën kur ndikimi i kishës greke atje ishte shumë i fortë.

“Noli shkonte dhe predikonte ungjillin në gjuhën shqipe dhe pas ungjillit ai predikonte diçka tjetër, ai mbante fjalim dhe ky fjalim nuk ishte më fjalim fetar, por ishte politik. Ai fliste aty për politikë, dhe për atë se si duhej që Shqipëria të dilte nga zgjedhja e Turqisë, si të arrihej pavarësia dhe krijimi i shtetit tonë të ardhshëm. Prandaj ka rëndësi kjo që bëri Noli”, u shpreh autori duke e quajtur Nolin si vizionar e kulturës dhe iluminues të shqiptarëve, pasi populli ynë na atë kohë nuk kishte njohuri çka ishte gazeta, e as rëndësinë e asaj që mund të ketë për ngritjen e edukimit dhe kulturën, duke mësuar gjëra të reja.

“E gjendur nën sundimin e Turqisë, Noli ishte ai që e kuptoi që ka shpresë dhe ka shpresë shumë dhe prandaj lufta për autonomi filloi në SHBA, ideja e autonomisë mes shqiptarëve u hodh nga Fan Noli në fillim me autonominë e kishës, ku do flasim shqip në kishë. Ky ishte një njeri vizionar, kishte një vizon të qartë së çfarë do të duhej të bënin shqiptarët.”

Noli, për më tepër ishte njeri me një ego të madhe, i cili sipas autorit me të drejtë thoshte unë jam i pari, më i zoti, më i miri, e i cili pati dëshirë të madhe që të ishte pjesë e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, themelet e së cilës i hodhi vetë ai.

“Shkuarja e Nolit në Evropë nuk ishte thjesht për të shkuar në Evropë, por qëllimi ishte t’i bashkëngjitej grupit të Ismail Qemalit që po vinte prej Stambollit në Vlorë për të shpallur pavarësinë. Ismail Qemali ishte ndaluar në Vjenë në atë kohë, që të takohej me diplomacinë vjenezë për të shkuar pastaj në Vlorë. Noli niset për Liverpool, që pastaj të shkonte në Vlorë për të takuar Qeverinë e Ismail Qemalit. Ai donte të bëhej dikush në qeverinë e Ismail Qemalit. Por derisa Noli po udhëtonte drejt Liverpoolit, kupton që Pavarësia ishte shpallur, nga ku shkon në Londër dhe e vazhdon aktivitetin.”

Autori më tutje tregoi për rolin që Noli pati më 1914, për krijimin e kishës shqipe në Shqipëri, me ndihmën e Austrisë dhe për përpjekjet e tij të mëdha me themelimin e federatës Vatra e cila pati rol për të mos lejuar copëtimin e Shqipërisë pasi të mbaronte Lufta e Parë Botërore.

“Lufta mbaroi më 1918 dhe në Konferencën e Paqes këta mendonin se do të ndahen trojet, Shqipëria do të ndahej apo jo sepse kishte një traktat të fshehtë për ta copëtuar Shqipërinë mes Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi dhe Noli gjatë gjithë kohës së luftës kishte punuar që shqiptarët të kishin një vizion që kur të vinte konferenca e paqes, të ishin të përgatitur dhe që Shqipëria të mos copëtohej. Pra të mbanin kufijtë e 1913-ës sepse Kosovën nuk kishin shpresë për ta marrë”, shtoi Ikonomi më tej duke përmendur edhe gjurmën ai që kishte lënë pas takimit me presidentin amerikan Wilson, i cili pas premtimit e do ta mbronte Shqipërinë nga copëtimi, përmes një marrëveshje të fshehtë, Vlora për pak sa nuk iu dha Italisë.

“Mirëpo nuk kaloi shumë dhe Wilson bëri një marrëveshje të fshehtë me Italianët, ku u tha që Vlorën do ta merrni ju. Noli dhe gjithë patriotët shqiptarë u zemëruan shumë dhe filluan t’i shkruajnë letra presidentit Wilson, ku Noli e kritikoi shumë ashpër për punën e Vlorës. Pastaj ngjarjet u zhvilluan në mënyrë të tillë që Wilsoni hoqi dorë nga këto plane, dhe i dha mundësinë  Shqipërisë që të mbetet në kufijtë e 1913”, përfundoi autori Ikonomi duke e quajtur të rrallë figurën e Fan Nolit s një mishërim i dijeve të thella të kulturës, historisë, gjuhëve, elokuencës së tij në të folur dhe aftësisë së tij të madhe për të bindur, elemente që u bashkuan me një patriotizëm të rrallë. 

Pas ceremonisë së promovimit, u mbajt edhe një koktej rasti, ku mysafirët patën rastin që për së afërmi të takojnë autorin Ilir Ikonomi dhe të diskutojnë për librin që u promovua këtë mbrëmje. /KultPlus.com

Fryn moj erë

Poezi nga Fan Noli

Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com

“Apostulli” i Ilir Konomit, Rama: Maja e munguar në malin e letrave të shkruara për Fan Nolin

Kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale ka njoftuar daljen në treg të librit të shkruar për Fan Nolin, të shkruar nga Ilir Konomi.

Sipas Ramës, ky libër është maja e munguar në malin e letrave të shkruara për Fan Nolin

“Më në fund edhe maja e munguar në malin e letrave të shkruara për Fan Nolin, shfaqet me vëllimin e parë të ustait të madh të librave biografikë, Ilir Konomi. Çfarë kënaqësie e posaçme. Faleminderit”, thekson Rama, në reagimin e tij.

Libri i publikuar së fundmi, dedikuar Fan Noli, vjen me titullin “Apostulli”. / KultPlus.com

Më 10 shtator 1922 u bë shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli

Më 10 shtator 1922 u realizua shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit.

Ky kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptar, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.

Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë. /KultPlus.com

Emërimi i Nolit peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare, 104 vjet më parë

Më 27 korrik 1919, Fan Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Figura e Nolit pranë atdhetarëve të tij në Amerikë po fitonte rritje te menjëhershme duke i përfaqësuar ata si kryeredaktor i gazetës “Dielli” në Boston. Noli, themelues i revistës “The Adriatic Review” dhe kryetar i Federatës “Vatra” (1917-1918), do të merrte edhe administrimin e drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara.

Nën mbështetjen e Sinodit rus dhe nën ovacionin e bashkatdhetarëve të tij, të cilët kumbonin me parrulla si: “E duam sot Peshkop, mjaft duruam talljet e të tjerëve. Tani të vishet Peshkop!”, Noli u zgjodh i pari peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Fan Noli nuk reshti së punuari për komunitetin e tij, jo vetëm si klerik, por edhe duke milituar për çështje me rëndësi kombëtare, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave sjell një fotografi ku Noli paraqitet  me veshje klerikale ortodokse./ATSH/KultPlus.com

“Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, vepra në muzikologji e Nolit

Më 21 qershor 1947, Fan Noli botoi monografinë “Beethoven and the French Revolution” (Bethoveni dhe Revolucioni Francez).

Figura poliedrike e Nolit do të fokusohej në vitet `30 në një spektër tjetër përpjekjesh krijuese, në atë të muzikologjisë. Në vitin 1935 Noli, i njohur gjerësisht si klerik dhe politikan, iu kthye njërit prej pasioneve të tij të hershme, muzikës. Në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Nju England, në Boston, ku u diplomua më 1938. Para se të shtypej për botim, monografia “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”, u mbrojt prej Nolit si temë diplome.

Përmes këtij studimi, Noli mori gradën shkencore të shkallës së parë në muzikë. Me këtë publikim, Noli mbrojti argumentin se Revolucioni Francez dhe idetë republikane patën ndikim të thellë në muzikën e Beethovenit.

Interesi i Fan Nolit për muzikën nisi në kishë. Ai u njoh si themeluesi i Kishës Ortodokse Shqiptare në Boston të SHBA, më 1908. U bë reformatori i mirëfilltë i saj. Reforma kishtare e Nolit solli të kënduarit shqip në kishë. Të kënduarit në “kishën e Nolit”  bëhej me kor të përzier (burra e gra), ashtu siç këndohen në Perëndim meshat, oratoriot, requiem-et e madrigalët, por që ishin himne të Kishës Ortodokse dhe më kryesorja, të përkthyera prej tij dhe kënduara të gjitha në shqip./ atsh / KultPlus.com

“Marshi i Barabbajt”

Poezi nga Fan Noli

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Stroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, baterma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!

Tradhëtor, ti na nxive, na le pa atdhe,
Ti na çthure, na çkule, na çduke çdo fe,
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
Derbeder, ujk e derr: Hosanna, Barabba!

0 stërnip i Kainit, tepdil si bari,
Ti na shtyp e na shtryth e ti gjakun na pi,
Ti na ther e na grin e për qejf na bën fli;
0 kokuth e lubi: Hosanna, Barabba!

Në budrum, nëpër llom’ e kufom’ u-mallkofsh,
Në skëterrën, katran e tiran, u-harbofsh,
Me tam-tam e allarm’ e me nëm’ u-shurdhofsh,
Në zëndan mbretërofsh: Hosanna, Barabba!

0 i çgryer, i zhyer, i vyer për hu,
Turp-e-ndot-kundërmonjës të krusen mbi gju
Dallkaukët, kopukët e turmat pa tru,
Zëmër-krund-e-gërdhu: Hosanna, Barabba!

Allalla, o rezil e katil, allalla,
Shtroni udhën me hithr’ e me shtok turfanda,
Gumëzhit, o zinxhir e kamçik, batërma,
Lehni, laro, kaba: Hosanna, Barabba!/KultPlus.com

Shpell’ e Dragobisë – Elegjia e Fan Nolit për Bajram Currin

Nga Fan Noli

Kur tufani e çthuri fenë,
Kur tirani e krrusi atdhenë,
Mi një brek të Dragobisë
Priret Flamur’ i lirisë.

Atje nisi, atje mbaroj,
Atje krisi, atje pushoj,
Rrufe-shkab’ e Malësisë,
Në një shkëmb të Dragobisë.

Vendi dridhej, ay mbeti
Se s’tronditej nga tërrmeti.
Dif drangoj i Dragobisë,
Trim tribun i Vegjëlisë.

O Bajram, bajrak i gjallë,
More nam me gjak në ballë,
Te një shpell’ e Dragobisë,
Yll i rrall’ i burrërisë.

Thon’ u-shtri e thon’ u-vra,
Po ti s’vdiqe, or Baba,
As te shkëmb’ i Dragobisë,
As te zëmr’ e Djalërisë.

As je vrar’ e as po vritesh
Legjendar Ante po rritesh.
Dithiramb i Dragobisë,
Tmerr, panik i mizorisë.

Me Zjarr Shenjt u-ndrit kjo shpellë.
Gjer në qjell u-ngrit Kështjellë
Për çlirimn’ e Shqipërisë
Katakomb’ e Dragobisë. / KultPlus.com

Anës Lumenjve

Fan Noli

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,

anës elbë-s, anës spree-së.
dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së. / KultPlus.com

58 vjet pa Fan Nolin, një prej figurave më të shquara kombëtare

13 marsi shënon ditën kur Fan Noli dha frymën e fundit në vitin 1965.

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë.

Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston.

Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare.

Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA. / KultPlus.com

Fan S. Noli dhe Luigj Gurakuqi në Bari më 1925 (FOTO)

Kjo është një fotografi historike pasi është fotografia e fundit e Fan S. Nolit dhe Luigj Gurakuqit, shkrepur në Bari të Italisë në vitin 1925.

Fotografia është realizuar në fillim të muajit janar vetëm dy muaj para vrasjes së Luigj Gurakuqit në Bari.

Pas vrasjes së Gurakuqit Noli i kushton elegjinë “Syrgjyn vdekur” në shkurt të 1926, Berlin. / KultPlus.com

Syrgjyn – vdekur, elegjia që Fan Noli ia dedikoi Luigj Gurakuqit

Nga Fan Noli

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator. / KultPlus.com

Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi

Fan Noli, themelhedhësi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare

Më 9 shkurt 1908, Fan S. Noli, 26-vjeçar, u bë dhjak në kishën ortodokse të Bruklinit.

“Vokacioni i tij i vërtetë qe priftëria”, shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, duke kujtuar sot një nga figurat kyçe në historinë e Shqipërisë.

Imzot Noli është themelhedhësi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Aty kreu edhe shërbesat e para si klerik. Më 8 mars 1908, u shugurua prift nga kryepeshkopi ortodoks rus i Nju Jorkut, Platoni.

Më 22 mars 1908, Noli mbajti për herë të parë liturgji në gjuhën shqipe, në ‘Knights of Honor Hall’ në Boston. Ky ishte hapi i parë drejt organizimit dhe njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.

Në korrik 1913, Fan Noli erdhi për herë të parë në Shqipëri, ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid.

Më 24 mars 1918, Noli u caktua administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara dhe në fillim të korrikut të atij viti, mori pjesë në një konferencë për popujt e shtypur në Mount Vernon, Virxhinia, ku u takua me presidentin Udrou Uillson, përkrahës i të drejtave të pakicave në Europë. Më 27 korrik 1919 Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, që tashmë ishte dioqezë e pavarur.

Më prill 1937, Nolit iu plotësua ëndrra e madhe për një kishë kombëtare shqiptare kur Patrikana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare./KultPlus.com

‘Fan Noli është një njeri interesant, i kulturuar dhe i mirëinformuar, por edhe kokëfortë’

Bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Fan Nolit, publicist i shquar, veprimtar aktiv i “Vatrës”, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, i diplomuar për gazetari (1926), patriot i flaktë, antifashist e demokrat, analist në shtypin qendror amerikan, një nga autorët e librit “Përpjekja shqiptare në botën e vjetër e të re përgatitës dhe botues i veprës së Faik Konicës” Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” dhe “Albumi II” të Nolit, i pari biograf i tij. La me dorëshkrim disa vepra si “Historiku i historisë shqiptare të Masaccusetsit”, “Historia e Shqipërisë” dhe Dritaret (1936-1959) etj…

Në vitin 1993 kur shkova në SHBA për herë të parë pata rastin të njihesha me gruan e tij, zonjën Sarah Panariti, profesoreshë e Harvardit, e cila më dha informacione me shumë vlerë për jetën dhe trashëgiminë e tij shkencore –artistike, shkruan në “Dita” Nasho Jorgaqi. Gjithashtu falë fisnikërisë së saj më dhuroi atë pjesë të ditarit shumë vjeçar të Qerimit që shkruante për F. Nolin, që po i jepen për herë të parë lexuesit tonë. Janë mendime, mbresa dhe konstatime të Qerimit gjatë 33 viteve që hedhin dritë mbi jetën e Nolit nga pozita dashamirëse dhe realiteti, pa kursyer herë-herë dhe kritika.

Nga biografia që ai ka shkruar: “Noli: Princi i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare” po botojmë kapitullin “Noli, njeriu dhe karakteri i tij”

Qerim Panariti

NGA “DRITARET” (1936- 1959)

1936

21 janar — Pata një bisedë me F. Nolin. Ai është njeri interesant, i kulturuar dhe i mirinformuar, por rrëshqitës dhe inatçi.

20 prill – F, Noli refuzon të marrë pjesë në një banket për nder të tij, të cilin e sponsorizova unë. Arsyeja? Ska. Mendoj se është një sjellje fëminore.

17 maj – Shqiptaret bëjnë mbledhje vjetore në Shën Gjergj. Çfarë mbledhje? Një shtëpi vërtet e çmendur. F. Noli është fajtor për gjithçka. S’mund ta marrë dot me mend se ç’qëndron pas veprimeve të tij.

1937

22 qershor — Mora pjesë në koncertin e diplomimin në Konservatorin e Nju-Englandit ku F. N. iu dha diploma për kompozim. Hëngrëm drekën bashkë dhe biseduam gjithçka nën rrezet e Diellit për katër orë rresht.

30 qershor — I shkreti F. Noli. është ngatërruar keq me një artikull të botuar të hënën e kaluar në gazetën “Post” ku cilësohet si antimuhamedan.

3 shtator — Hëngra drekë me F. Nolin, Ai është një bashkëbisedues i këndshëm , dallohet për sensin e humorit dhe intelektin.

8 shtator — Isha në një koncert të WPA në Biblioteklën Publike të Bostonit, ku u ekzekutua një kompozim i Nolit, i titulluar “Lumi i Babilonisë. Noli ishte aty.

1938

21 qershor – Sot F. Noli mori titullin baçelor nga Konservatori i Nju Englandit.

19 korrik – Fan Noli është deri diku i pakënaqur, lidhur me një artikull timin për të ku unë e akuzoj për mosçuarjen deri në fund të Reformës Agrare propozuar prej tij.

1942

24 maj – Hëngra darkë me F. Nolin. E pagoi ai. Biseduam gjatë për Frontin e Bashkuar shqiptar. Ai ka një mendim të keq për Konicën, Çekrezin dhe Zogun. Por ai mendon se Fronti duhet të plotësohet. U bë një mbledhje e “Albanien Relief Fund”, por nuk erdhën shumë. Në mbrëmje une deklarova: “Jam përgjegjës për Frontin shqiptar”

30 maj – Në mbrëmje takova F. Nolin dhe biseduam për “Frontin e Bashkuar shqiptar”. Sikurse dhe unë, ai mendon se duhet të përpiqemi shumë për t’u organizuar. Ai mund të ketë ndonjë interes personal, kryesisht për të nxjerrë ca para nga Zogu.

13 qershor – F. Noli po bëhet shumë aktiv në Frontin e Bashkuar. Ai do të shkojë në Nju-Jork dhe Filadelfia. Sulmet e tij kundër Çekrezit janë shumë dërrmuese.

21 qershor – F. Noli shprehu qëndrimin e tij në favor të Frontit të Bashkuar me Zogun në krye dhe një qeveri mbretërore në mërgim. Ai është i nderuar, i qetë dhe në dukje fitimtar. Ai ishte kryetari i mbledhjes dhe kjo qe një nga mbledhjet më të mira shqiptare, në të cilën kam marrë pjesë ndonjëherë.

11 korrik – F. Noli më çoi fjalë të marr pjesë nesër mbasdite në një mbledhje midis “Vatrës” dhe grupit të Çekrezit për të themeluar Frontin e Bashkuar.

1943

23 shkurt – Fola në telefon me F. Nolin. Mund të filloj të shkruaj së shpejti te “Dielli”. Nëse jo, do të shkoj të punoj diku gjetkë.

5 mars – F. Noli praktikisht drejton “Diellin”. Po e godet Çekrezin.

16 mars – U pashë më Nolin dhe e falënderova për deklaratat e bëra në Nju-Jork para dy javësh lidhur me Frontin e Bashkuar.

26 maj – F. Noli mori një letër nga Zogu ku i kërkonte të shkonte në Uashington si përfaqësues i tij. Është e kotë të them se ai do të pranojë.

27 maj – Mora një letër nga Kosta Isak, me sugjerimin e Çekrezit për të arritur një marrëveshje me “Vatrën”, lidhur me Frontin e Bashkuar. Çekrezi ofron kushte për pranimin e Zogut si udhëheqës. Do t’i shkruaj Çekrezit nesër.

8 korrik – F. Noli është regjistruar në Universitetin e Bostonit për një punim pasuniversitar (Graduate) për Doktor në filozofi. (Ph. D.). Në moshën e tij ai akoma shkon në shkollë.

16 gusht – Sot F. Noli erdhi në zyrën e “Vatrës”. Ai ka marrë një letër nga OWI për të dhënë lajme për shqiptarët në Shqipëri në gjuhën shqipe.

11 shtator – Noli u nis për në Nju-Jork për të folur nesër në radio.

1944

30 shtator – F. Noli u kthye mbrëmë. Ai ishte në Nju-Jork, i thirrur nga zyra e I e Luftës për t’u folur shqiptarëve që të mbështesin ushtritë aleate. Ai ka pasues të shumtë që e ndjekin në Shqipëri dhe e shohin si udhëheqësin e tyre.

31 tetor – F. Noli është duke punuar për organizimin nga të gjitha kishat që të dërgojnë telegrame forcave aleate për njohjen e qeverisë shqiptare të Beratit.

16 nëntor – F. Noli erdhi pas pak t’i hedhë një sy materialeve që solla nga Uashingtoni. Është material i mirë po të na kish arritur në kohë.

1945

21 maj – Sot F. Noli mori doktoratën.

27 korrik – Fare rastësisht mbasdite takova F. Nolin. Bëmë një shëtitje të gjatë. Është shumë i pakënaqur nga punët e kishës. Shqiptarët janë fëmijë të rritur. Ai kërkon të dalë në pension, të heqë dorë plotësisht nga kisha.

30 korrik – F. Noli ka shqetësime të ndryshme nga njerëzit e kishës. Është e vështirë të kesh të bësh me njerëz injorantë, sepse ata nuk i binden rregullave. Dhe nuk i binden shumicës.

22 shtator – F. N. ka një problem. Prifti do të ikë, por shqetësimi nuk mbaron.

20 nëntor- F. Nolit i janë paraqitur nderime nga shkrimtarë shqiptarë.

28 nëntor – Hëngra darkë me F. Nolin, me z. Messinger dhe Rev. Upson. Që të tre janë studiues të dëgjuar.

1946

2 janar- F. Noli ka shumë shqetësime me komunitetin e tij. Më vjen keq për të se është duke humbur kohë dhe po duron shumë kërcënime nga njerëz injorantë.

26 janar – Akoma më shumë shqetësime janë krijuar prej disa nga kishat e tij, veçanërisht me atë të Filadelfias…

Shqipëria ka bërë kërkesë në OKB.

14 mars – F. Noli ose unë do të na duhet të shkojmë në Uashington javën që vjen meqenëse na është kërkuar nga legata jugosllave për të dhenë një informacion të saktë, ku të kërkojmë pranimin e Shqipërisë në OKB më 25 të këtij muaji.

15 mars – Një delegacion prej 4 shqiptarësh nga Nju-Jorku erdhën sot për t’u takuar me Nolin dhe i kërkuan të merrte drejtimin e luftës kundër propagandës greke. Ai e pranoi këtë ofertë dhe do të shkojë në Uashington javën që vjen.

30 mars – Sot në mëngjes F. Noli erdhi në zyrë shpejt, me qëllim që të përgatisnim bashkë disa telegrame për gjithë senatorët e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë për kalimin e rezolutave… F. Noli më kërkoi të punoj si sekretar në “punën e tij të re’.

4 prill – Të tjera lajme të këqija për Shqipërinë. Anglia është tërhequr nga bisedimet për Shqipërinë. F. Nolin e duan dhe e urrejnë gjithandej. Për sytë e disave unë vij pas tij.

5 prill – Gjithë ditën kam qenë i zënë duke punuar me shpejtësi të madhe… Do bëj, veç punës sonë, gjithë korrespondencën e Nolit që është e konsiderueshme.

8 prill – Këtë mbasdite Noli u nis për në Nju-Jork. Sot u njoftua se Anglia ka hapur përsëri bisedimet me Shqipërinë.

12 prill – Noli u kthye nga Nju-Jorku ku ishte për t’u takuar nga delegacionet e OKB-së, por u takua vetëm me disa prej tyre. Do të kthehet prapë në Nju-Jork javën tjetër.

13 prill – F. Noli më paguan 10 dollarë për punën që bëj me këtë “kryqëzatë të re” që ka filluar ai. Anglishtja e F. Nolit nuk është shumë idiomatike dhe atij nuk i pëlqen ta korrigjojë.

15 prill – Përsëri F. Noli u nis për në Nju-Jork. I shkreti ai, po përpiqet shumë të arrijë diçka, po do të ndodhet para një kohe shumë të vështirë për aq sa SHBA do të jetë kundër Shqipërisë.

19 prill – F. Noli është takuar me kryetarët e delegacioneve të Anglisë, Hollandës, Polonisë. Ai raporton për rezultate të mira.

26 prill – F. Noli ndodhet akoma në Nju-Jork. Sipas raportit të tij del se është takuar me ambasadorin Gromiko.

13 maj – Nga të gjitha anët e SHBA po vijnë të holla për F. Nolin. Padyshim ai i di se si i nxjerr këto para nga shqiptarët. … Ai e meriton këtë, sepse ka dhënë gjithë jetën për Shqipërinë. Sa për dreq, është shumë koprac.

29 maj – F. Noli ka marrë disa informacione nga Hoxha, lidhur me delegacionet e panumërta.

1 qershor – Natën e kaluar F. Noli u kthye nga Nju-Jorku dhe këtë mbasdite bëmë një konferencë. Ai ka marrë 3 mesazhe nga Hoxha, të cilat na japin disa ide përfundimtare përsa i përket lidhjeve mes SHBA dhe Shqipërisë. Shqipëria, së pari, kërkon njohjen dhe pastaj të bisedojë rreth kushteve të pranueshme për të dyja palët.

5 qershor – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku dhe tha se Shqipëria është ftuar në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ne do të jemi në gjendje të marrim informacion të dorës së parë nga Shqipëria nëse do të lejohet të vijë një delegacion.

7 qershor – … Do të jem shumë i lumtur të takohem me ta.

13 korrik – F. Noli u kthye për pak kohë. Është pothuaj i pakënaqur nga delegacioni shqiptar. Po kështu jam edhe unë… Ata nuk dinë asgjë për situatën këtu dhe prapë duan të bëhen gjykatës dhe juri për situatën tonë.

I8 korrik – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku, deri nesër kërkon të përkthyer Kushtetutën shqiptare.

1947

18 maj – Unë dhe Sara shkuam në kishën shqiptare të Shën Gjergjit, ku F. Noli bëri shërbimin në gjuhën angleze. Ishte një gjë e gjatë dhe e mërzitshme. Atje kishte shumë personalitete: Dr. dhe zonja Coon, Rev. Dr. dhe zonja Messinger, prof. La Piana dhe shumë të tjerë.

22 maj – F. Nolit nuk i pëlqen mendimi im për disa kisha që unë i quaj “fashiste”. Une jam dakord me të. me disa përjashtime, por prapë kishat nuk e njohin rrezikun e fashizmit.

1948

6 shkurt – Pata një fërkim të vogël me F. Nolin. Javën e kaluar i kërkova atij të shkruajë diçka të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Ai s’ka bërë asgjë dhe kërkon parapagim nga “Vatra”. Në këtë mënyrë manifeston egoizmin e tij.

7 shkurt – Më në fund F. Noli ka shkruar një histori të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Sot u takova për pak kohë me të. Të dy u përpoqëm të ruajmë një politikë skrupuloze për të kompensuar fërkimin e djeshëm.

24 prill – U takova pak me F. Nolin dhe i dhashë një çek prej 1000 dollarësh për tekstin shqip të “Skënderbeut”.

1949

3 mars – U takova me Nolin për pak minuta. Duket sikur po plaket shpejt, megjithatë prapë shkruan libra. Përsëri po punon për Skënderbeun, një libër të cilin ne (“Vatra”) e kemi kontraktuar dhe që mendohet se do të jetë kryer qershorin e ardhshëm.

19 mars – Nuk di ç‘të bëj me “Skënderbeun”. Kemi akoma shumë kopje të mbetura që nuk shiten.

21 prill – F. Noli po bëhet çdo ditë e më tepër grindavec. Patëm një debat në telefon. Ai kërkonte sot 1000 dollarë për librin e tij “Skënderbeu”, të cilin ai ka shkruar dhe ia ka shitur vite më parë një organizate tjetër.

6 maj – U nisa për Nju-Jork me aeroplan… Mbasdite vonë F. Noli erdhi te “Prince Georg”, një koincidence… Delegatët na kishin për darkë.

3 qershor – Rev. Thimi Theodosi ishte i mërzitur këtë mëngjes…

22 qershor – Stefan Lasko u dorëzua prift të shtunën e kaluar.

25 dhjetor- U takova për pak kohë me Nolin te Miçeklët. Mendoj se ai diçka ka vendosur me vete. Nuk do të më habiste nëse ai do të favorizojë Dhimitër Trebickën kundër meje për “Diellin” në mbledhjen tonë të ardhshme në korrik.

1950

28 prill – “Skënderbeu” shkoi sot në shtyp. Shtypjen po e bën Crimson Printing Company.

3 shtator – Një peshkop grek u dorëzua sot në Stamboll për grupe të veçanta shqiptarësh në këtë vend, në kundërshtim me F. Nolin. Ai quhet Mark Lipa.

9 tetor-F. Noli është i sëmurë.

8 dhjetor – “Historia e Skënderbeut” erdhi sot. Është lidhur bukur dhe nuk duket i vogël.

17 dhjetor – Peshkop Mark Lipa ka dhënë një intervistë të shkurtër për gazetat e Bostonit. F. Noli është pak i frikësuar.

1951

8 shkurt – Peshkopi i ri shqiptar, me stil vetjak, Mark Lipa, ka shkaktuar një ndarje të tmerrshme në komunitetin më të madh shqiptar të Bostonit. Është deri diku e habitshme se si ata janë dhënë pas këtij njeriu të panjohur.

17 shkurt – Shqetësimet në mes qarqeve shqiptare të Bostonit do të arrijnë kulmin nesër. Mark Lipa u ligjërua sot në një kishë tjetër. Ai mund ta shfrytëzojë këtë për mirë.

22 shkurt – “Britan Post” ka botuar një intervistë të shkurtër, të cilën F. Noli ia dha reporterit të martën.

25 mars – Patëm mbledhjen e bordit të “Vatrës”. Me disa kundërshtime vendosëm të hapim një fushatë për të blerë një shtëpi për Nolin.

28 mars – Më shqetëson pak fakti se sa do të mbështetet fushata për t’i blerë një shtëpi Nolit. Është një punë e madhe dhe kërkon përpjekje të mëdha. Ndërkohë duhet bërë edhe puna e përditshme. Lajmet nga Ballkani janë shqetësuese dhe Shqipëria është në ballë.

29 mars – F. Noli është deri diku i kënaqur me fushatën time (të “Vatrës”). Megjithatë do të më duhet një shumë e madhe që të blejmë një shtëpi të përshtatshme sepse çmimet në të vërtetë, sikurse gjërat e tjera, janë shumë të larta. Kjo do të thotë një punë shumë e rëndë për mua.

6 prill – Fushata për F. Nolin pati një fillim të mirë natën e kaluar, kur zonjat e Kishës së Shën Gjergjit dhanë 1000 dollarë për fushatën.

18 prill – Kisha shqiptare e Shën Gjergjit dha natën e kaluar 1500 dollarë për fushatën e Nolit, filluar nga “Vatra” më 25 mars. Deri tani nuk kemi marrë asgjë nga ndonjë koloni e veçantë. Kjo më shqetëson pak, por çdo gjë lëviz me ngadalë në fillim.

22 prill – Crist Ellis u dorëzua prift…

27 prill – Me aq sa dimë ne, degët tona akoma nuk kanë filluar të lëvizin për të mbledhur para për fushatën e shtëpisë së Nolit.

28 prill – Po filloj të shqetësohem për fushatën e shtëpisë së Nolit. Gjërat lëvizin ngadalë.

20 maj – Mblodhëm gati 185 dollarë për fondin e shtëpisë së peshkop Nolit. Jam i gëzuar që fushata po ecën.

25 maj – Rreth orës 4 mbasdite, Sara dhe unë u nisëm për në Mançester. Fillova të mbledh…

5 qershor – Grindja midis shqiptarëve rreth peshkop M. Lipës ka arritur në një shkalle qesharake. Madje edhe gjykatësit edhe avokatët po hungërojnë nga qejfi.

19 qershor – Mora 200 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit. “Bashkimi” po llomotit shumë në gjithë Amerikën në mes shqiptarëve. Kjo gjë po më shqetëson shumë.

26 qershor – Fushata për Nolin po ecën shumë ngadalë. Ajo nuk i ka përmbushur shpresat e mia dhe unë jam shumë i dëshpëruar.

27 qershor – Po vijnë të holla nga të gjitha degët, ndërkohë që afrohet Kuvendi. Vetëm se është fakt se nuk po vijnë aq sa duhet për fondin e shtëpisë së Nolit.

7 korrik – Shumica e delegatëve kanë arritur. Disa prej tyre sollën të holla. Grupi i Nju-Jorkut solli 600 dollarë. Pastaj patëm një mbledhje të komitetit mbasdite. Rreth orës 2 u hap Kuvendi. Kryetar u zgjodh Marko Adams. Biseduam dhe diskutuam deri afër mesnatës. F. Noli erdhi, ose më mirë e sollën rreth orës 10. “Bashkimi” me “Shqipërinë e Lirë” ishte tema kryesore e diskutimit. F. Noli nuk u prononcua. Pothuaj të gjithë delegatët ishin për “Bashkimin”, por nuk dinë si ta arrijnë këtë. Në duart e mia do të kem një betejë të ashpër.

31 korrik – Korriku iku. Qe një muaj shumë i zënë me punë dhe i pakëndshëm. Kryesorët për shkak të një lëvizjeje për bashkim me një organizatë qesharake, e filluar 10 vjet përpara nga K. Çekrezi, gabimisht e quajtur “Shqipëria e Lirë”. Lëvizja që nga kuvendi ka humbur disa momente, por ideja vijon të mbetet. Ajo u fillua nga delegatët shqiptarë ne OKB me synimin për të shkatërruar “Vatrën” dhe për të dobësuar ndikimin e F. Nolit.

8 tetor – F. Noli u thirr sot në “COUNT” lidhur me bëmat e M. Lipës në kishat shqiptare ne Bostonin e Jugut. Por më thanë se Nolit nuk i bënë asnjë pyetje.

1952

13 mars – Peshkopi M. Lipa, agjent grek, po bën zhurmë të madhe. Ai po përdor komunizmin për t’i hutuar dhe frikësuar shqiptarët në këtë vend.

26 mars – Këtë mbasdite F. Noli u nis për në Çikago që të asistojë në shpëtimin e kishës shqiptare nga thonjtë e M. Lipës.

7 prill – Uorçesteri ka hapur një fushatë për shtëpinë e Nolit. Është mbledhur një shumë e konsiderueshme.

10 qershor – Sot mora nga Nju-Jorku 1088 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit.

30 nëntor – Nga dreka shkova në kishën shqiptare ku, mbas shërbesës fetare u bënë festime për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Unë kryesova mbledhjen edhe pse isha lënë jashtë nga banda e “Shqipërisë së Lirë”.

1955

14 shkurt – Nesër peshkop Noli shkon për pushime në Florida.

22 mars – Kalova pothuaj gjithë ditën në shtypshkronjë dhe nuk e di se si do të dalë gazeta. Ishte vetëm një njeri që punonte aty… Peshkop Noli më dërgoi sot një shportë me portokalle dhe qitro. Nuk e di se ç‘ka ndodhur me të!

17 qershor – Sonte kishim për darkë F. Nolin. Ai ka shqetësime me dhëmbët dhe për këtë shkak mund të hajë vetëm supë dhe disa ushqime të tjera të buta. Ai është një personalitet interesant.

1956

25 qershor – Kristo Thana do të jetë kryetari i banketit për F. Nolin. Muhamet Zeqari nga Detroiti do të jetë dollibashi. Një çift i mirë.

17 korrik – U takova shkurt me ‘Mjekrën”. Është shumë i zënë me rregullimin e “Dhiatës se re” në shqip.

3 shtator – Banketi për F. Nolin, për 50 vjetorin e ardhjes në këtë vend shkoi mirë. Morën pjesë rreth 450 të ftuar. Fjalimet ishin të gjata e te mërzitshme. F. Noli mori një shumë te konsiderueshme të hollash.

9 shtator – Pata një ditë shumë të ngarkuar duke u përpjekur të rregulloja llogaritë e banketit të F. Nolit. Është një rrëmujë e madhe. Duhet bërë shumë për te mbajtur çdo gjë në rregull.

22 shtator – F. Noli është interesuar të shkruajë një libër për Ali Pashën nëse “Vatra” do ta sponsorizojë.

12 tetor – “Balli” po më ngre nervat; shumë zhurmë për asgjë; shkruhen fjalë, fjalë, fjalë, asgjë tjetër veç fjalë boshe.

1957

8 maj – Peshkop Noli mbaroi hyrjen për librin e Konicës. Është e mirë.

4 tetor- “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore” arriti sot mbasdite. Duket i bukur. Jemi gati të tronditur… F. Noli, gjithashtu, është i kënaqur me të.

1958

8 maj – Për disa dite F. Noli ka qenë i sëmurë. Ai ka qenë nën kujdesin e dy mjekëve.

26 korrik – Sonte patëm F. Nolin për darkë.

13 nëntor – Punova me “Diellin” e vjetër në shkollën shqipe të së Dielës, qendër ku kemi vendosur koleksione të vjetra. Faqet janë dëmtuar. Unë lexova numrin e parë – 15 shkurt 1909. Më bëri përshtypje politika e “Diellit” për një Shqipëri të pavarur, shkruar hapur nga F. Noli. Kërkesat ndaj Turqisë përfshijnë katër vilajetet e mëdha.

1959

7 shkurt – Sot kishim për darkë F. Nolin. Ai është shumë interesant. Sara e pëlqen pa masë.

20 shkurt -Punova për një thirrje të cilën do ta firmosë F. Noli dhe ne do ta botojmë te “Dielli” si një fushatë për të holla lidhur me përvjetorin e artë (50 vjetorin) të “Diellit”.

16 prill – Mora një shportë me fruta nga Noli, dërguar nga Florida.

Qerim Panariti

NOLI: NJERIU DHE KARAKTERI I TIJ

Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë, Noli kujtoj se profesorit iu bë një padrejtësi dhe një -me-një organizoj një demonstrate të studentëve në favorë të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qershor, sipas zakonit.

Si person Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual.

Le të fillojmë pra, nga disa cilësira elementare. Noli ish person sekretive. Ish e pamundur për të që t’i hapte zëmrën njeriu pa rezervë. Këtë karakteristikë thuhet s’e gëzojnë pothuaj se të gjithë njerëzit e lartë nga mejtimet, që kanë fatin e keq të lindin në një sistem social të mbyllur si Turqia, një sistem i mbytur në errësirë dhe i rrethuar me spiunë dhe intriganë çpifarakë.

Si njeri i ndrojtur dhe suspekt, munt të thuhet se Noli kish me qindra miq, me mijëra admironjës, po s’kish asnjëckë konfidant, domethënë njeri që t’i hapte zëmrën një qint per qint; kurdoherë ish i rezervuar. Për këtë shkak ish e pamundur qe t’i hynte dot njeri në shpirtin dhe ndjenjën e tij.

Në Shqiptarët e Amerikës Noli e kish humbur besimin krejt “Të lenë”, thosh, “si gunën e vjetër.”

Në fshatarët e Shqipërisë kish një dashuri të madhe. Fshatari i thjeshtë, thosh Noli, gëzon akoma besnikërinë primitive kur të kupton që s’ke qellim t’a shfrytëzosh dhe te përfitosh nga ignoranca e tij, kurse Shqiptarin’ e Amerikës e ka korruptuar komercializma dhe beson se s’munt të bësh dot tregëti “me kryq në ballë”.

Noli e shikonte jetën si komedi. Në një rast e pyeta sepse nuk gjen një zëvëndës për të shpëtuar nga andrrallat e përditme? M’u përgjiq shkurtazi: “Ç’e duan peshkopnë këta, kurse s’më degjojne mua, si munt të rrojnë në harmoni me tjetër peshkop?” .

Përgjigje komike, po tepër profetike.

Noli s’ish njeri materialist. Bënte një jetë të thjeshtë. Vishej dhe mbathej paq, po kurdoher thjeshtë. Banoj më tepër se 30 vjet në një apartment të vjetër dhe me mobila mos më keq.

Noli s’ish mikpritës si Faik Konitza. Po të dilnje jashtë me të ish e pamundur që të vinte dorën në xhept. Po t’a vizitonje në shtëpi s’të ofëronte asnjë kupë ujë.

Qëndrimi i Nolit në lidhje më mikpritësinë munt të justifikohet lehtë. Njeriu pothuaj se mbante shtëpinë hapur për vizitorët, miq dhe kundërshtarët. Po t’i priste të gjithë me gostira, duhet të ish miliuner. E vërteta është që Noli më 1940 bëri një jetë miserablile, mezi pikej për të përballur shpenzimet vetiake. Përveç kësaj, vizitorët i merrnin kohën më kot.

Për te shpëtuar nga monotonia e mysafirëve, Noli kish gjetur një formulë unike dhe interesante. Kur vizitorët kalonin masën e “miqësisë”, iu thosh: “M’u tha goja, munt të dalim këtu pranë të lagim gojën me një kafe?” Kur mbaronin kafenë Noli iu linte shëndet dhe kthehej në shtëpi.

Këtë taktikë fillova t’a përdor dhe unë, po s’korra dot sukses. Vizitorët pas kafesë, kthehëshin përsëri në zyrën e “Vatrës” bashkë me mua.

Në një rast pyeta Nolin se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë? M’u përgjigj me katër fjalë: “Me ka zënë shqipia”. Pastaj shtoj:

“Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brendshme, ka nevojë për njërës idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë.”

Noli s’ish egoist hakmarrës. Të lëftonte me mish dhe me shpirt kur cenohej interesi i përgjithmë i çështjes. Nga ana tjetër s’e kish për turp të të shtrëngonte dorën kur fitohej lufta.

Këtë karakteristikë admirable Noli e përdori kur erdhi Mark Lipa n’ Amerikë, më 1950, dhe disa nga shokët e vjetër defektuan dhe u hothne me renegatin. Noli së pari, u dëshpërua, por kur defektonjësit ia pinë lëngun Lipës dhe u kthyen në udhën e mbarë, Noli i priti me enthusiazmë dhe s’ua përmendi kurrë defektimin.

Në një rast pyeta Nolin se si shkonte me Lipistët dhe nëse parashikonte nonjë rrezik prej tyre? Ay m’u përgjigj pa hezituar, “Jo aspak”, dhe shtoj: “Këta janë bashkëluftëtarët tonë, tani që u kthyen në udhën e mbarë, duhet t’u falim gabimin, se të gjithë kemi bërë gabime nga koha në kohë, kështu pra, s’duhet t’i përdorim si kollonialë”.

Noli ish hamës i math, kur gëzonte shëndet dhe plot humor dhe shakara. Që më 1952 e kishim bërë zakon t’a ftonim Nolin për drekë dy herë në vit, në Qërshor dhe në Tetor, kur fillonin dhe kur nisin të mbaronin zarzavatet e baçës sonë. Në fillim hante vetëm zarzavate, po më vonë kur e kërcënuan doktorët se po të mos hante mish, i kish ditët të shkurtëra, filloj me dashje a padashje, të hajë mish.

Herën e fundit që e patmë për drekë ish më 11 Qershor, 1964. Në këtë rast gjellët vetëm i cënoj po s’i hëngri. Kjo na vuri në dyshim se Noli po i shkurtohëshin ditët.

* * *

Diku në fletët e shkruara kemi bërë fjalë se si Noli filloi luftën me Grekët në Edrene kur ish nentëmbëdhjetë vjet djalë, kur gjimnazi i vonoj t’i japë diplomën për shkak se mori anën e një profesori të pushuar nga puna. Që ahere dhe gjer sa mbylli sytë Noli urrente Grekët dhe Grekët urrenin Nolin.

Që posa u dorëzua prif, më 1908, Grekët filluan propagandën dhe anathemat për çkredituar Nolin përpara popullit Shqiptar. Çpifjet dhe kallëzimet kundër tij ishin aqë banale sa dhe primitive. E kallëzonin si anti-kanonik, si “apostate” (femohonjes) dhe klishera të tjera që s’kishin as anë as funt.

Noli i kapërceu të gjitha këto çpifje dhe triumfoj duke shpënë kishën Shqiptare autoqefale në Shqipëri.

S’bëjmë nonjë zbulim të ri po të thomi se Noli ish njeri i shekullit njëzet qe besonte me gjithë shpirt në lirin’ e mejtimit, të bazuar në shkencën dhe në historinë e mejtimeve të lira, dhe si person i tillë, ish e pamundur për të që të besonte në lindje virgjineshas, po nga ana tjatrë, Noli e besonte dhe e adhuronte Krishtin si profetin më të lartë që ka lindur bota përpara dhe pas Krishtit. Ritet Ortodokse i përformonte me dignitet dhe solemnitet, po nuk pranonte supërsticionet e klerikëve hipokritë medievalë që tallën me njerëzinë duke iu premtuar jetë të përtejme. Për Nolin theorira të tilla i kanë rrënjët në kohë të errëta që s’munt të gëlltitëshin dot prej një person me kulturë të gjerë si të Nolit.

Mbanj mënt një ditë pyeta Nolin sepse Krishterimi konsideron Krishtin si “Shpëtimtarin e botës?” Këtë pyetja ua kam bërë shumë klerikëve të dogmave të ndryshme të Krishterimit, po përgjigjen më te sqaruar ma dha Noli.

Mejtimi Nolian në lidhje me Krishtin (i parafrazuar) ish ky: Nga të gjithë profetët e shënuar të botës përpara dhe pas Krishtit, Jisui ësht’ i vetëmi profet që prokllamoj për herën e parë në historin’ e njerëzimit, njësi dhe egalitet në botë. Kjo ish një dekllaratë revolucionare në një kohë kur njerëzit bliheshin dhe shiteshin në pazart si kafshët. Krishti u mundua që të shpartallonte këtë sistem barbar. Për këtë shkak u kryqëzua prej kllasave që shfrytëzonin popullin me anë të fesë.

Pas mejtimit Nolian Krishti ish patriot Israelit që u mundua të çlironjë popullin e tij nga robëria Romane. Krishti inspiroj Nolin që t’i dedikonjë jetën çlirimit të popullit Shqiptar nga robëria Turke dhe Orthodoskët Shqiptarë nga errësira e Patrikanës.

Predikmet e Nolit ishin kurdoherë në baza sociale humanitariane që munt të karakterizohen me predikimet e pashtrëmbëruara të Krishtit. Karshi prallave sipërnaturale Noli munt të karakterizohet si agnostik, domethënë një person që as pohon as mohon ndodhjen mistike të forcave sipërnaturale. Kjo me pak fjalë, ish feja e Fan Stilian Nolit./ KultPlus.com

Fan Noli, nxënës i veçantë e i përjetshëm me pesë diploma

Fan Noli është nga ato figura jo të zakonshme, që ngaherë të befason jo vetëm me veprën e gjithanshme, por edhe me jetën e tij. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me germa të mëdha dhe si i tillë, shpërfaqet në tërë dimensionet njerëzore.

Kështu, në historinë e kulturës sonë kombëtare, Fan Noli u takon atyre rasteve tepër të rralla, veçanërisht të kohës së tij, që në të katër stinët e jetës mbeti deri në fund nxënës. Nxënës në fëmini e në djalëri, në rini, në moshën e pjekurisë dhe në vitet e pleqërisë.

Një nxënës krejt i veçantë, me një profil të dallueshëm nga të tjerët, me një mençuri natyrale dhe me një etje të pashuar për dituri, gjithë vullnet dhe ambicie, ngaherë i palodhur dhe i pakënaqur, në kërkim të më së mirës, i prirur drejt së vërtetës dhe së drejtës. Këto tipare të staturës, Theofan Mavromati djalosh, do të nisë t’i manifestojë fillimisht në gjimnazin grek të Adrianopojës, ku emri i tij ka mbetur në analet e shkollës dhe kujtimet e bashkëkohësve, si një nga nxënësit e shkëlqyer.

Më pas, për mbi dhjetë vjet, ai do të kryente shkollën e jetës pa u shkëputur nga prirjet e brendshme, nga librat, arti, gjuhët, dijet, deri sa një ditë, kur ishte emigrant në SHBA, do të trokiste në dyert e Universitetit. Kështu, në moshën 30-vjeçare, pasi ishte dorëzuar prift, mbaron studimet në Harvard dhe merr diplomën “Bachelor of Arts”. Jeta e tij vijon më tej në shërbim të kauzës shqiptare dhe kulturës kombëtare, i ngarkuar me detyra historike sa në mërgim dhe në Shqipëri, duke bërë emër të nderuar si gazetar, historian, poet e veçanërisht si shqipërues. Bota shqiptare, ndërkaq, do ta njihte si kalorës të lirisë e të demokracisë, por prapë ai e ndjente veten nxënës. Në moshën 55-vjeçare mbaroi studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit, duke u diplomuar për kompozicion me një varg veprash simfonike që i mungonin muzikës shqiptare. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një vit më pas, 1938, merr dhe një diplomë tjetër për Muzikologji në Konservatorin e Bostonit me veprën monografike “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndonëse i qe kthyer politikës aktive, sepse ishte vënë në rrezik fati i Shqipërisë, Fan Noli kish mbetur përsëri nxënës, duke mos u ndarë nga studimet. Kësaj here ai u kish hyrë studimeve të shkallës më të lartë, për të marrë një gradë shkencore. Ekziston një dokumentacion i tërë, që i paraprin mbrojtjes së doktoraturës. Ai jep një varg provimesh pasuniversitare nga fusha të ndryshme të historisë, të arteve, të psikologjisë e deri të fizikës, provime me shkrim që ruhen akoma në arkivin e tij. Krahas kësaj pune të madhe nxënëse angazhuar për vite të tëra, është përgatitja e disertacionit, vepra shkencore që do të paraqiste. E pra, ky burrë gjashtëdhjetëvjeçar do të përjetonte si emocionet e nxënësit-student, ashtu edhe logjikën racionale të studiuesit. Më në fund, pas afro shtatë vjet përpjekjesh të mundimshme intelektuale dhe fizike, në vitin 1945, në moshën 63-vjeçare, Fan Noli do të mbronte me sukses në Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Komisioni shkencor, përbërë nga personalitete të fushës, do ta vlerësonte duke i dhënë gradën shkencore të doktorit në Filozofi. Prej kësaj kohe, ai do të prezantohej në botën shkencore-kulturore Ph.D. Fan S. Noli.

Me këtë gradë të lartë shkencore do të dukej sikur savanti ynë i kish mbyllur përfundimisht mësimet universitare. Dhe vërtet, për afro dy dekada, ai shkruan e boton, veçanërisht në gjuhën angleze, një korpus të tërë veprash teologjike-kishtare prej mijëra faqesh, ku vendin kryesor e zë pa dyshim përkthimi i Dhiatës së Re (1961), botimi i së cilës u vlerësua nga shtypi i specializuar dhe nga qarqet akademike. Kjo mirëpritje e shtyn Nolin të mendojë për një përkthim të mundshëm të Dhiatës së Vjetër. Dëshira ishte aq e madhe, përjetimi i botës biblike ishte aq i thellë, sa ai harron vitet që ka mbi supe, hallet e shëndetit e për më tepër vështirësitë e jashtëzakonshme që paraqiste një ndërmarrje e tillë gjigande. Ishte fjala për një vepër tepër voluminoze (prej 46 librash), e shkruar hebraisht, aramaisht dhe greqisht, me një lëndë komplekse e të thellë, me shtresime qytetërimesh, ku gërshetohej teologjia dhe filozofia, historia dhe letërsia. Me sa dihet, Noli e kuptoi sa pa qenë vonë dhe u tërhoq nga ky projekt, por nuk u dorëzua. Vendosi të përkthejë një nga librat kryesore të Dhiatës së Vjetër dhe pikërisht “Psalmet”, që njihet e çmohet lart për thellësinë e brendisë dhe gjuhën metaforike.

Ç’është e vërteta, psalmet biblike Noli i njihte mirë ngaqë gjatë shërbimit kishtar shumëvjeçar kish pas të bënte me to, pra, qe familjarizuar dhe pjesërisht i kish përvetësuar e kthyer në pjesë të kulturës së tij teologjike. Por a mjaftonte vetëm kjo shkallë njohjeje për t’i hyrë “përkthimit kockë-fortë”, siç e cilësonte ai? S’ka dyshim se për një njeri me staturë të lartë intelektuale, me formim të thellë dhe serioz, me kërkesat dhe përvojën e tij të pasur përkthimi i Psalmeve kërkonte përgatitje paraprake, një njohje të mëtejshme të veprës, sidomos gjuhësisht. Noli vërtet njihte greqishten e vjetër, njihte disi hebraishten, por jo aramaishten, një gjuhë në zhdukje e sipër, që flitej në trevat e lashta Asiro-Babilonase dhe ishte bërë pjesë e Dhiatës së vjetër. Studimi autodidakt i hebraishtes dhe aramaishtes ishte i pamjaftueshëm, ndaj pa humbur kohë vendosi të regjistrohej në Fakultetin e Gjuhëve të Lashta të Lindjes të Harvardit. Ishte viti 1963, kur ai sapo kish mbushur 81 vjeç.

Natyrisht, regjistrimi do të ndiqte një procedurë, së cilës iu nënshtrua dhe studenti plak. Dokumentacionin zyrtar, pas kërkimesh, arritëm ta zbulojmë dhe ta sigurojmë me ndihmën e At Artur Liolinit në arkivin e Fan Nolit, pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston. Është fjala për miratimin që i bën kërkesës së Fan Nolit për të ndjekur Shkollën e lartë teologjike të Harvardit dekani i saj, prof. dr. c. Conrad Wright. Ai, pasi është konsultuar me Departamentin e Dhiatës së Vjetër, i ofron me kënaqësi të veçantë të ndjekë dy klasa menjëherë, hebraisht dhe aramaisht. Dhe këtë e bën dhe “si mirënjohje për punët dhe përkthimet akademike që ka kryer në fushën fetare. Ndërkaq, shton se “Bishop Fan S. Noli figuron edhe në listën si “Visiting Scholar” të shkollës së tyre, pra si studiues i jashtëm.

E gjithë kjo praktikë zyrtare është zhvilluar plot 50 vjet më parë. Pas kësaj, Noli u ul rishtazi në auditorët e Harvardit dhe ndoqi leksionet. Do të qëllonte që bashkatdhetarët ta shihnin Nolin mëngjeseve me libra kur drejtohej për në Kembrixh. Bill Gunari, një vatran i vjetër, që e njoha në Boston në vitet ‘90, do të më tregonte: “E pashë një ditë Hirësinë e Tij tek qëndronte në trotuar para Kishës së Shën Gjergjit dhe unë po kaloja me makinë. Qëndrova, e përshëndeta dhe dallova që mbante në duar metodën “Biblical Aramaic”.

Hirësi, e pyeta, mos doni të shkoni gjëkundi? Po, m’u përgjigj, më ço deri në shkollë. Në shkollë?! U habita unë. Ju tani mësoni të tjerët. Ai qeshi dhe më tregoi se ndiqte një fakultet tjetër. Më tha se të diturit s’ka fund dhe se ai, ashtu si Sokrati, plakej duke mësuar. Kur e hipa në makinë, gjatë rrugës, në bisedë e sipër, mora vesh se studionte dhe mësonte gjuhën aramaike dhe përsëri i çuditur e pyeta: Ç’ju duhet kjo gjuhë tani, Hirësi? Si ç’më duhet?, ma priti, po unë së shpejti do të shkoj te Perëndia dhe dua t’i flas me gjuhën e tij. Në fakt, Noli nuk i tregoi mikut se ç’do të bënte duke mësuar gjuhët biblike. Por të gjithë ata që e njihnin nga afër, e dinin se ai studionte dhe punonte pareshtur. Kështu, krahas ndjekjes së fakultetit të ri, ai përkthente psalmet. Një punë e madhe dhe e vështirë, që ai e kryente me pasion dhe përkushtim. Aq i tërhequr ish pas kësaj pune fisnike, sa atë vit nuk shkoi për pushime si zakonisht në Florida. I kredhur i tëri në botën biblike, poeti dhe eruditi ynë i madh do të përkthente në anglisht “Psalmet”, duke u bërë jehonë në vargje disa të vërtetave universale dhe të përjetshme, për të cilat ai kish medituar një jetë të tërë.

Libri “The psalms” doli në dritë në verën e vitit 1964, me emrin Mitropolit Fan S. Noli PhD., me kushtimin “Kujtimit të dr. Norbert Joklit, profesor i Universitetit të Vjenës, autoritet në studimet e filologjisë shqiptare, mik i ngushtë dhe shkencëtar i madh, që më inkurajoi në përkthimet e mia nga letërsia botërore. Me mirënjohje dhe admirim”.

Ky ishte libri i fundit i Nolit, beteja e fundit e këtij titani të botës shqiptare, që, sa qe gjallë, u ndje ngaherë nxënës. /Dita/ KultPlus.com

Kur Fan Noli nuk pranoi të quhej turk në SHBA

Në disa dokumenta të publikuara kohë më parë në Facebook, eksperti i krimeve të rënda, Gjon Junçaj vë në dukje se Noli dikur, në vitin 1911 nuk ka pranuar të quhej turk.

Junçaj thekson më tej se siç paraqitet në fotot e publikuara, shkrimtari mjaft i dashur për shqiptarët ka korigjuar gjithashtu edhe dokumentat e paraqitura nga oficeri teksa Noli po vizitonte Amerikën.

Nga arkivat e SHBA. Ardhja e regjistruar e Fan Nolit për një vizitë në Shtetet e Bashkuara në daten 15-12-1911. Noli është regjistruar me këto detaje: 32 vjeç, 165 cm i gjatë, profesion – klerik, duke vizituar Faik Bey Konitza në Boston

Kombësia? – Turkey (Turqi)
Rasa etnike?- Ofiseri fillimisht shkrua “Turkey”. Ky foto tregon se sigurisht Fan Noli e korrigjon dhe thotë, “Jo Turqi, ALBANIA

Fan Noli – Shqiptar i vertet,”- shkruan eksperti i krimeve. / KultPlus.com