Në kuadër të Muajit të Poezisë, Muzeu Historik Kombëtar, si institucioni më i madh i memories kombëtare organizoi aktivitetin përkujtimor “Fan Noli mes nesh”.
Në këtë aktivitet përkujtimor i ftuar kryesor ishte Prof. Dr. Nasho Jorgaqi, njohës dhe botues i veprës së Nolit, por për arsye shëndetësore nuk ishte i pranishëm dhe fjalën e tij e lexoi moderatorja e aktivitetit, znj. Sonjela Babaliu.
Në fjalën e tij, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se figura e Nolit është një ndër figurat më emblematike të Shqipërisë, duke patur një rol kyç në jetën politike, kulturore dhe religjioze të vendit. Gjithashtu, ai theksoi dhe rolin e Nolit në themelimin e Kishës Ortodokse Autoqefale.
Kumtesën e Prof. Dr. Hamit Kaba të pranishmit në aktivitet e ndoqën të regjistruar në monitor. Ndër të tjera Prof. Dr. Hamit Kaba foli për figurën e Nolit si politikan dhe kryesisht në marrëdhëniet e tij me figura të tjera të politike të kohës. Gjithashtu ai trajtoi dhe marrëdhëniet e Nolit me shoqatën “Vatra”, si dhe rolin e tij në funksion të diasporës shqiptare në Amerikë. Prof. Ass. Dr. Bernard Zotaj mbajti kumtesën me temë “Roli i Nolit në fushën ushtarake”. Në vijim Andrea Llukani mbajti kumtesën “Ndihmesa e Nolit në përkthimin e teksteve liturgjike”, ndërsa Spiro Nika foli për “Objektet e Nolit në Muzeut Historik Kombëtar”.
Aktiviteti u zhvillua sipas udhëzimeve dhe masave për mospërhapjen e virusit Sars-Covid 2. / KultPlus.com