141 vjet nga lindja e një prej figurave më të shquara kombëtare, Fan Nolit

6 janari shënon ditën kur lindi Theofan Stilian Noli, në vitin 1882.

Diplomat, shkrimtar, politikan, përkthyes, dikur edhe kryeministër i Shqipërisë, Fan Noli lindi në İbriktepe të Turqisë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Noli përktheu mjaft autorë amerikanë dhe evropianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. / KultPlus.com

Si sot, më 27 dhjetor 1923, Fan Noli u zgjodh deputet i Korçës

Jeta parlamentare e Nolit nisi me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921, kur mori detyrën si deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921-30 shtator 1923). Në vijim ai shërbeu për pak kohë si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit. Ishte kryetar i Partisë Popullore.

Qe figura kryesore e Lëvizjes së Qershorit 1924. Pas Triumfit të Legalitetit, u dënua me vdekje në mungesë. Sipas vetë Nolit, programi i tij prej njëzet pikash (dokumenti më poshtë) për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, çalonte tek theksi që i vinte reformës agrare.

Në shumatoren e angazhimit të tij të dendur pikëtakoheshin veprimtari të larmishme, siç qenë: poezia, filozofia, historia, politika dhe feja, të cilat priheshin në ansambël nga qëllimi i ngutshëm i konsolidimit të shtetit të ri shqiptar. Megjithëkëtë, vokacioni i tij i njëmendtë qe priftëria. / KultPlus.com

Hymni i flamurit

Poezi e shkruar nga Fan Noli

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri. / KultPlus.com

Fan S. Noli dhe Luigj Gurakuqi në Bari më 1925 (FOTO)

Kjo është një fotografi historike pasi është fotografia e fundit e Fan S. Nolit dhe Luigj Gurakuqit, shkrepur në Bari të Italisë në vitin 1925.

Fotografia është realizuar në fillim të muajit janar vetëm dy muaj para vrasjes së Luigj Gurakuqit në Bari.

Pas vrasjes së Gurakuqit Noli i kushton elegjinë “Syrgjyn vdekur” në shkurt të 1926, Berlin. / KultPlus.com

The Nation 1942: Kur Faik Konica zemërohej me Mbretin Zog, por Fan Noli e bindi që të ndryshojë mendim

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 24 Shtator 2022

“The Nation” ka botuar, me 18 maj 1942, në faqen n°33, një shkrim – intervistë për Faik Konicën (studiuesi, politikani, diplomati dhe atdhetari i shquar shqiptar do të ndërronte jetë vetëm pak muaj më vonë, me 15 dhjetor 1942), të cilin Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

I dërguari i harruar

Burimi : The Nation, 18 maj 1942, faqe n°33

Mbreti Zog mori pasuritë e Shqipërisë – Ministri Konica thjesht i kujton ato

Ndër botimet e Uashingtonit, vetëm numëratori telefonik i jep tani Faik Bej Konicës një titull zyrtar. Ashtu siç u fut për herë të parë në vitin 1921, edhe numri aktual përmend : F. Konica, ministër shqiptar.

Drejtoria diplomatike e hoqi atë nga lista e saj në qershor 1939. Sepse kur trupat e Musolinit kaluan Adriatikun atë prill dhe larguan mbretin Zog nga Tirana, Britania vazhdonte të ndiqte zbutjen (qetësimin e marrëdhënieve) dhe në këtë rast Shtetet e Bashkuara me sa duket ndoqën shembullin. Në çdo rast, pasi Duçe shkriu kurorën shqiptare me atë italiane dhe shfuqizoi shërbimin e jashtëm të Zogut, Departamenti i Shtetit njoftoi Konicën se njohja e tij ishte tërhequr.

Në Shqipëri Konica pati qenë pronar, studiues dhe politikan. Ai i rafinoi dialektet e vrazhda të shqipes në gjuhën e parë letrare të vendit të tij. Dhe me peshkopin Fan S. Noli, Patriark i Kishës Ortodokse Shqiptare, tani në Boston, ai ndihmoi në krijimin e republikës së pas-Versajës, e cila i dha fund 500 viteve të sundimit osman.

Diplomatët ballkanikë i vlerësojnë Konicës rolin kryesor në bërjen e aventurierit fantastik Zog një monark pas prishjes së sundimit republikan të fiseve primitive, baritore të Shqipërisë. Konica nuk bën asnjë mohim. Dikur një “bon vivant” dhe zot i një legate të vendosur në hotelin Mayflower, por tani një burrë i lodhur e i moshuar, ai vëzhgon muret e rreshtuara me libra të apartamentit të tij modest e beqar dhe thotë : Jam dënuar për mëkatet e mia.

Krijuesi i mbretit Konica jeton në mënyrë të thjeshtë pa makinë apo shërbëtor, me mjete personale të plotësuara herë pas here me kontribute nga Vatra, organizata kulturore e 40.000 shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara. Përveç telegrameve të nxituara të dërguara në Stamboll dhe Paris gjatë rrugës nga Tirana, Konica nuk ka dëgjuar asgjë nga Zogu që nga arratisja e tij nga italianët.

Nga ajo arratisje vetë Zogu nxori një fitim të madh. Ai shtoi rezervën e arit prej 350.000 dollarësh të Thesarit Shqiptar në pasurinë e tij të madhe personale, të depozituar më parë në bankat zvicerane dhe angleze. Ai tha atëherë se ari do të ndihmonte shërbimin e jashtëm të Shqipërisë të mbante gjallë shkëndijën e pavarësisë. Zogu, mbretëresha Geraldinë dhe grupi i tyre prej 37 personash kanë tani një apartament në Ritz në Londër dhe një pronë në fshat në Ascot, marrë me qira Lord Patmore, vëllait më të madh të Sir Stafford Cripps.

Një zëdhënës i bashkatdhetarëve që organizojnë një lëvizje për pavarësinë shqiptare në Londër së fundmi ka njoftuar këshillat e Konicës mbi udhëheqjen dhe synimet. Në një përgjigje të shquar për vlerësimin e sinqertë të monarkut të tij dhe të vetes së tij, si dhe për vështrimin që jep në rrjetat e shtrira të politikës ballkanike, Konica u përgjigj :

Ju e dini mendimin tim për inkoherencën e tij pompoze dhe prirjen e tij për tradhti. Zogu më dukej një përzierje kurioze e dy personazheve shekspiriane, domethënë Dogberry dhe Iago. Por peshkopi Noli, të cilin e vizitova kohët e fundit në Boston, ia doli të shkundte skepticizmin tim. Noli beson se Zogu mund të ketë mësuar në shkollën e fatkeqësisë dhe, nëse mbështetet nga qeveria britanike, mund të luajë ende një rol të rëndësishëm si një simbol për pavarësinë e Shqipërisë. Shumica e anëtarëve të Vatrës besojnë se një grup që kombinon Peshkopin Noli, Zogun dhe mua do të ishte efektiv në miratimin bindshëm popullor.

Ndërsa pret paqen që do të rregullojë fatin e vendit të tij, Konica udhëton mes shqiptarëve këtu, punon me intervale mbi historinë e vendit të tij dhe mbledh materiale për P. T. Barnum – kredon e showman-it të të cilit ai e konsideron mishërimin e filozofisë moderne dhe të cilin e fut në një listë me Poe dhe Franklin si tre amerikanët më të mëdhenj./ KultPlus.com

51 vite nga themelimi i bibliotekës Noliane

Biblioteka Memoriale e Metropolitanit At Fan Noli nisi rrugëtimin e saj për në dekadën e gjashtë. Ideja e parë e Bibliotekës Noliane u krijua kur At Arthur Liolin u emërua Drejtor Ekzekutiv i Kishës së Shën Gjergjit në vitin 1969. U bë fakt në pranverë të vitit 1970 kur dolën botimet e para tek revista “Vreshta”.

At Arthur Liolin e krijoi Bibliotekën duke mbledhur të gjithë librat e lënë amanet nga At Noli me qëllim që t’ia dhuronin Bibliotekës Publike të Bostonit, Bibliotekës Universitare në Tiranë dhe Arkivin e Shtetit në Shqipëri. Librat që u dërguan në Tiranë nga Meri Xhons sekretarja e At Fan Nolit u pranuan me nderim, ndërsa librat për në Bibliotekën Publike të Bostonit për arsye fondesh u mbajtën për një periudhë dhe u kthyen mbrapsht duke pranuar vetëm një pjesë të vogël të tyre në Bibliotekë.

Me këtë rast At Arthur Liolin, fondin e Bibliotekën së Nolit e mblodhi dhe krijoi Bibliotekën Zyrtare At Fan Noli duke pritur librat dhe kontributet e familjarëve të dhuruara nga ata ndër vite. Një zë i veçantë për pasurimin e Bibliotekës së At Nolit erdhi nga punimet e studentëve shqiptarë në USA nëpërmjet punimeve të tyre për çështjen shqiptare në fusha të ndryshme si Prof Nikola Pano, Stavro Skendi, Peter Prifti, Gregori Pano etj, si edhe të studiuesve të huaj që kishin mbrojtur teza universitare për çështjen shqiptare dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston në fushën e liturgjisë, religjionit, historisë së komunitetit të parë shqiptar në Amerikë dhe të Shën Gjergjit dhe fusha të tjera.

Figura e At Nolit ishte një nga temat kryesore të studimeve historike dhe më gjërë nga Studiues shqiptarë dhe të huaj pas vdekjes e deri në vitet 80-të. Kjo Bibliotekë është quajtur nga Specialistë të Harvardit si pasuria më origjinale albanologjike në hemisferën perëndimore të Amerikës dhe Europës. Kjo ka qenë një bibliotekë me zanafillë Kishën Noliane e Kryedioqezën Ortodokse Shqiptare në Amerikë, por me kalimin e viteve u pasurua me zëra studiuesish universitarë dhe botërorë për gjuhën shqipe, historinë dhe kulturën e saj. Biblioteka Noliane është në rritje çdo ditë, ajo ka më shumë se 50 mijë zëra.

Pjesa origjinale e librave antikë të Nolit që në vitet 1800 dhe librat universitarë, studiues origjinale janë të kataloguar jo vetëm në sistemin e vjetër manual por edhe digjital që është lidhur me websajtin e Bibliotekës Noliane. Dixhitalizimi i Bibliotekës filloi pas vitit 2010 me hapjen e dy faqeve në Facebook: Fan Noli Library Digital Archive dhe Miqtë e Bibliotekës Noliane të cilat u kordinuan me websajtin dhe sistemin online të Bibliotekës Onlinë të ngritur me rastin e 50 vjetorit të Bibliotekës Noliane. Kjo bibliotekë ka: Literaturë Ortodokse dhe Fetare Kristjane dhe e feve të tjera për shqiptarët në Amerikë dhe Diasporë e pasuruar vitet e fundit me punime studimore në fushën e religjionit në shqip, anglisht dhe gjuhë të tjera. Kjo Bibliotekë ka punime të historisë shqiptare, gjeopolitikës shqiptare në rajon dhe Europë dhe libra studimore për shqiptar në botë si vëllezërit Frashëri, Motrat Qiriazi, Kristo Dako, Nelo Drizari, Faik Konica, Martin Camaj, Ernest Koluqi e studiues të tjerë europianë dhe sidomos anglez.

Dixhitalizimi i Bibliotekës Noliane ndryshoi praktikën e vjetër të të qenit të saj për punimet e brendshme dhe tani kjo Bibliotekë është institucion kulturor dhe studimor në të gjitha fushat dhe veprimtaritë si fetare dhe albanologjike e lidhur me disa biblioteka universitare si e Harvardit, Boston University, Shën Pali në Minesota, degën e Albanologjisë në Arizona etj. Zemra dhe identiteti i Bibliotekës Noliane janë veprat origjinale të At Fan Nolit si: Literaturë Themelore Kishtare, përkthimet origjinale të botuara në vitet e para në shqip, libra nga greqishtja e vjetër në shqip, shërbimet fetare në Shën Gjergj dhe të pasuruar me disiplinat e ortodoksisë jo vetëm si praktikë por edhe si studim i gjërë dhe i thelluar i ortodoksisë në lindje të Europës dhe Amerikës.

Në Bibliotekën e Nolit zënë një vend të veçantë përkthimet e klasikëve Shekspir, Servantes, Ibnes, Khajam, Edgar Po dhe Henry Longfellow poemën e Skënderbeut. Në arsenalin e punimeve të Nolit, një vend të veçantë zënë studimet e Nolit nga Universiteti i Harvardit, Bostonit dhe Konservatori i Muzikës si: Bethoven dhe Revolucioni Frëng, Teza në fushën e historisë për Skënderbeun më 1945 në Universitetin e Boston. Kjo vepër mbeti një nga referencat kryesore në fushën e historisë për Skënderbeun në botë pasi At Noli për të realizuar këtë kryevepër përdori referenca në 11 gjuhë të botës.

Në botimet e këtij karakteri Noli u bë qëndra e seminareve dhe edukimit liturgjike të priftërinjve shqiptarë dhe jo vetëm pasi punimet studimore të At Nolit ishin ndër disiplinore dhe në gjuhën angleze. Himnet muzikore të At Nolit zënë një vend të veçantë pasi i botoi në shqip si korale për kishën, më pas i përpunoi dhe i ktheu himne muzikore bizantine pas studimit të At Nolit në konservatorin e Muzikës në Anglinë e Re në Boston. Më 1937 Noli mbrojti diplomën me sonatën “Pranvera” për violinë dhe piano që ia kushtoi komunitetit dhe artistëve Shqiptaro- Amerikanë në Boston. Studiuesi amerikan Bernard Shaw e cilësoi veprën e At Nolit një ndër studimet më të arrira në historinë muzikologjike për Beethovenin. “Në këtë festim jubilar te disa përvjetorëve të artë në Shën Gjergj dhe Bibliotekën Noliane këtë shkrim do t’ja dedikoja me mirënjohje të thellë At Artur Liolinit si ideator, themelues, e drejtues i bibliotekës memoriale Fan S Noli si edhe studjues kërkues e përcjellës në vazhdim të veprës dhe trashëgimisë noliane kudo në botë – u shpreh për Diellin e Vatrës, Neka Doko, arkiviste dhe studjuese shkencore në Bibliotekën Memoriale Fan S. Noli Boston./Dielli/ KultPlus.com

Më 10 shtator 1922 u bë shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli

Më 10 shtator 1922 u realizua shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit.

Ky kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptar, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.

Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë. /KultPlus.com

“Gjysmë historiani – përsëritet historia, Gjysmë idealisti, nuk bëhet Shqipëria”

Nga Fan Noli

Gjysmë mjeku – vdes njerëzia!
Gjysmë avokati – mbushet qelia!
Gjysmë komandanti – humb ushtria!
Gjysmë arkitekti – shembet shtëpia!
Gjysmë ekonomisti – vjen varfëria!
Gjysmë kleriku – nuk kuptohet Perëndia!
Gjysmë historiani – përsëritet historia!
Gjysmë idealisti – nuk bëhet Shqipëria! /KultPlus.com

103 vjet me parë, Fan Noli emërohej peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare

103 vjet me parë, më 27 korrik të vitit 1919, Fan Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Figura e Nolit pranë atdhetarëve të tij në Amerikë po fitonte rritje te menjëhershme duke i përfaqësuar ata si kryeredaktor i gazetës “Dielli” në Boston.

Fan Noli, themelues i revistës “The Adriatic Review” dhe kryetar i Federatës “Vatra” (1917-1918), do të merrte edhe administrimin e drejtimin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Shtetet e Bashkuara. Nën mbështetjen e Sinodit rus dhe nën ovacionin e bashkatdhetarëve të tij, të cilët kumbonin me parrulla si: “E duam sot Peshkop! Mjaft duruam talljet e të tjerëve! Tani të vishet Peshkop!”, Noli u zgjodh i pari peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare.

Imzot Noli nuk reshti së punuari për komunitetin e tij, jo vetëm si klerik, por edhe duke milituar për çështje me rëndësi kombëtare, siç ishte rasti i pjesëmarrjes në punimet e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë.

Drejtoria e përgjithshme e Arkivave, ofron foto ku Noli paraqitet me veshje klerikale, si edhe një foto të telegramit drejtuar Pandeli Evangjelit, ku flitet mbi punën e Nolit në Kishën Ortodokse./ KultPlus.com

Noli dhe amaneti i Konicës

Në dhjetor të vitit 1942, Faik Konica do të mbyllte sytë. Pak kohë para vdekjes, i shkruante Nolit: “Ndërroj jetë me mejtimin se ti je njeriu që më ke kuptuar më mirë në këtë botë… (shkruar nga dora e Konicës, kjo duket boll e çuditshme, sepse njihet përplasja që Konica e Noli kanë pasur gjatë gjithë jetës së tyre)… Nuk do të më tretë dheu, nëse ti imzot dhe të gjithë ata që e quajnë veten shqiptarë, nuk do ta çojnë kufomën time të tretet në tokën mëmë”.

Më pas, për këtë amanet Noli i drejtohet Enver Hoxhës (me të cilin, ka pasur një letërkëmbim të gjatë, në vitet 1945-1946):

“Dëshira e fundit e Faik Konicës ishte që të prehej në atdhe, në Shqipëri. Kini mirësinë të na njoftoni kur do të ishte e përshtatshme që të silleshin eshtrat e tij, me nderimet përkatëse, si kampion i pavarësisë së Shqipërisë”.

Por Enver Hoxha, nuk i ktheu asnjëherë përgjigje për këtë çështje.

Më tej, ai i ka shkruar Sejfulla Malëshovës:

“Bëj përpjekje për të ndjerin Faik, se është akoma në dollap dhe koston shumë dhe trupi ka filluar të prishet. Më kthe përgjigje për këto”.

As Malëshova, nuk i ktheu përgjigje.

Noli do të ikte nga kjo botë, me pengun se nuk e çoi deri në fund amanetin e mik-armikut të tij.

Eshtrat e Konicës u kthyen në atdhe, vetëm në maj 1995 dhe u vendosën në Parkun e Tiranës, pranë varreve të vëllezërve Frashëri. / KultPlus.com

Poema “Skënderbeu” dhe trio Longfellow, Noli dhe Elena Gjika

Në qershor të vitit 1957, në libraritë e Tiranës do të dilte poezia “Skënderbeu” e poetit amerikan Henry Wadsworth Longfellow.

Këtë poezi ai e shkroi i frymëzuar nga tregimet gojore të Elena Gjikës (Dora d’Istria), për heroin tonë kombëtar. Ajo u përkthye nga Fan S. Noli, i cili më vonë mbi bazë të saj kompozoi një nga simfonitë e para shqiptare.

Longfellow (1807-1882) lindi në Portland dhe vdiq në Kambrixh. Punoi për një kohë të gjatë profesor në disa universitete ndërmjet tyre edhe në atë të Harvardit. Ai u bë poeti më i famshëm i kohës së tij.

Shkroi vjersha, romane, pjesë teatrore dhe u mor me përkthime nga letërsia klasike e popujve evropianë. Përkthimi më i njohur është ai Komedisë Hyjnore (i pari amerikan që e përktheu).

I ndikuar nga Dora d’Istria (shkrimtare romantike me origjinë shqiptare) hartoi poemën romatike “Skënderbeu” (1873) me temë kthimi i heroit në Krujë pas betejës së Nishit ku Skënderbeu paraqitet si hero legjendar.

SKENDERBEU

Botimi i Nolit hapet me kёtё dedikim ndaj Faik Konicёs:

“Faik Be Konicës, leronjesit të gjuhës atërore, dhe kalorësit të kryqësates kombëtare, si shenje nderimi, i dedikon kete vepër, nje shok armesh.”

SKENDERBEU

Shkruar me 4 Shkurt, 1873

Lëfton luftën dhe fiton

Mbreti Ladisllav gjëmon,

Djek si Ferr, si vdekje pret

Ditën e Rushajevet,

Dhe nga fush’ e kuqe gjak

Ikën, rent përpara tij

E Muratit ushtëri

Që shpëtoj e s’ra në lak.

Kur u-ngrys e kur u-err,

Skënderbeu, nder, lavdi

I asqerit Osmanlli

Tok me Turqit krismën merr,

Si lëfton e si humbet

Ditën e Rushajevet.

Mbet e vdekur prapa tij

E Muratit ushtëri,

Kryerojtja udhën hap,

Praparojtja rent me vrap,

Dhe armiku gjakësor

Si me drapër grin e kor.

Po kujdes ay s’të ka

As për Bej as për Pasha,

Edhe natën tek’ po shkon

Yjt’ e fatit po shikon

Që i ndritnin n’udhëtim;

Edhe kalit tij i ra,

Nënëqeshi edhe tha:

“Është koha për gëzim”.

Mez’ i natës kur afroj,

Ikja e rreptë kur pushoj,

Një Qatip na vjen i Mbretit

Me myhyrin e Dovletit

Edhe tha me zëmërim:

“Njoll’ e parë t’u-vu sot

N’emër, o Gjergj Kastriot!

Pse kështu? Oh, mjerë ne!

Ushtërinë pse e le

Therrur fushës për vajtim?”

U-përgjeq Skënderi, e tha:

“Dergjen mbytur nëpër gjak.

Thembr’ e kalit i ka prak,

Po kështu e shkruar qe

Nga i Madhi Zot atje

Q’urdhëron çdo ushtëri.

Dhe ku kemi ne fuqi

Kur ngre dorën kundër nesh

Dhe na grryen si rrebesh?

“Lidheni, tha, me litar

Shkronjësin me kallamar!”

Dhe Qatipi tha: “Po ç’faj

Paskam bërë që Pashaj

M’a bën mua këtë gjë?”

U-përgjeq Skënderi e tha:

“Faj s’ke bërë asnonjë,

Po që të mos na shpëtosh,

Dhe të fshihesh e të shkosh,

Përandaj t’a bënj këtë.”

Tani shkrua-më një shkrim

-Dhe për fis e paç bekim!

Me myhyrin e Dovletit

Për Mytesarifn e Mbretit

Që mban Krujën, një qytet

Rreth me mur e me hendek,

Të m’a kthenjë gjën’ e atit

N’emrin e Sulltan Muratit;

Se çdo urdhër që të japë

Kurrë nukë merret prapë.

Dhe Qatipi u-krrus prej tmerrit

Dhe kështu i tha Skënderit:

“O Allah i math, i naltë,

Që të jemi hi e baltë!

Qysh t’i shkruanj këto shkrime

Kur e di që kokën time

Po m’a pret ay Dovlet?”

Shpejt ahere si një yll

Që këputet lark nga qjelli

Çpallet nga i arti myll

Një hanxhar me reze djelli

Dhe gjëmon Skënderi: “Shkruaj!”

Dhe Qatipi i tmerruar

Shkroj në dritën e drithmuar

Afër zjarrit, i dërmuar,

Flokë-bardhë, kokë-ngrirë,

Nga e ftohta i mërdhirë,

Zëmër-prerë, vdekje-grirë.

Dhe Skënderi prapë tha:

“Tani eja pas me mua

Se të mbetesh këtu s’dua

Do t’të kem si mik e vlla,

Gjithënjë do t’të nderonj

Me kujdes do t’të rrethonj

Sa të rrosh në këtë botë.”

U përgjeq Qatipi e thotë:

“Udha jonë këtu ndahet,

Shoqëria jonë s’mbahet.”

Pa mbaruar këtë fjalë

Një hanxhar i rëndë ra,

Kur s’ish afër asnjë tjatër

Dhe Qatipi po përmbyset

Si një gur që rrugulliset

Në liqen të zi dhe shket

Tatëpjetë dhe humbet;

Edhe rreth në qetësi

Asnjë pipëtim s’u-ndi

Përveç kalit Skënderbeut

Që përpjet’ u-hodh prej dheut.

Pastaj sulet si shigjeta

Me tre qint pothua veta

Nëpër lum’ e pyll e garth

Përmi malet Argjendar;

Dhe me zemrën plot gëzim

Kapërceu lumin Drin

Dhe u-gdhi e n’agullim

Pa kështjellën Ak-Hissar,

Krujën, ah atë qytet

Rreth me mur e me hendek

Tek u-lint e tek u-rrit,

Yll mëngjezi mi të ndrit.

Dhe ahere trumbetarët

Brirëve t’argjëntë u bien

Edhe togje rreth i mblidhen

Turqit bashkë me Shqiptarët

Që dëgjuan atë thirrje.

Dhe kremtoj me miqt’ e tij

Dhe u-ngrohnë me dolli.

Dhe u thotë: “Miqt’ e mi,

Shihni fati ç’na dërgon,

Perëndia ç’na bekon!

Mbret Murati urdhëron

Mall’ i gjërë i tim-eti,

Vend’ i terë dhe qyteti

Të më jipen nga Dovleti.”

Dhe pastaj me salltanet,

Veshur armët si një mbret,

Shkon kaluar në kështjellë

Edhe hyn nga port’ e gjerë

Dhe pashajt që urdhëron

Përmi Kruj’ i dorëzon

Urdhërin e Murat Mbretit

Me myhyrin e Dovletit.

Dhe Pashaj, si heshti, tha:

“Lavdi pastë Perëndia,

Ja ku hiqem nga fuqia.

Merr-e vendin dhe qytetin;

Kush lëfton dot me kësmetin?”

Nga kështjella shpejt ka rënë

Flamuri me gjysmë-hënë

Edhe populli shikon

Që në vënt të tij valon

Flamur’ i Skënderit n’erë

Shkab’ e zezë me dy krerë.

Dhe një thirrje lart-u-ngrit,

Se çdo zëmër e çdo shpirt

U-mërzit nga Turku i lik,

Q’e kish bërë atë Krujë

Zi, murtajë dhe rrëmujë.

Ay zë me gas me bujë

Q’oshëtin nga brek në brek

Është: “Rrofsh, o Skanderbeg!”

Ja kështu Skënderi trim

Mori Krujën me rrëmbim;

Edhe lajma u-përhap

Si një flagë, si një zjarr

Q’i fryn era në behar

Dhe qytetet afër larg,

Thotë Ben Isa Ben Miri

Në Qitap, të tij fakiri

“Binin m’atë lehtësi

Që zë burri veshn’ e tij” / KultPlus.com

BKSH, ekspozitë në 140-vjetorin e lindjes së Fan Nolit

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në kuadër të Konferencës shkencore me rastin e 140-vjetorit të lindjes së një prej personaliteteve më të rëndësishme të kombit, Fan S. Noli, organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë, hapi sot një ekspozitë që synon të sjellë në vëmendje kontributin e tij të jashtëzakonshëm.

Kjo ekspozitë nga fondi i Bibliotekës Kombëtare tenton të përmbledhë diapazonin e rrallë të Nolit si njeriu i letrave, dramaturg, poet, shqipërues, publicist, muzikant, por edhe politikan e klerik.

Si njeri i letrave, Noli ka shkruar dhe ka përkthyer tekste të shumëllojshme nga zhanre të ndryshme, si dhe ka kontribuar në publicistikën e kohës si drejtues, redaktor dhe shkrues nëpër disa të përkohshmeve. Nisi duke përkthyer dramaturgji, më pas përktheu Samiun, tekste fetare ortodokse dhe vepra madhore të letërsisë botërore nga Shekspiri, Khajami dhe Cervantesi. / KultPlus.com

Fan Noli: Çfarë zhgënjimi, këta shqiptarët!

Fan Noli, duke i shpëtuar ras tësisht pusisë që i kish ngri tur afër Shijakut Osman Bali, ngarkuar nga vetë Zogu, për ta kapur të gjallë kryeministrin, kish arritur në Durrës. Skish marrë asgjë me vete, siç shkruan më vonë, “veç një valiçe të vetëm… nga të 9 a 10 valiçet e baulet e mia” që nuk dihet se ku kishin përfunduar Në Durrës kryeministri do të vendoset nxitimthi në hotel “Adriatiku”, ku qenë mbledhur gjithë funksionarët e ikur, me në krye regjentin Sotir Peci. “Burra shteti, oficerë, nëpunës të lartë e popull admironjës, kujton A. Frashëri, ishin radhitur rreth tryezave, disa bisedonin, të tjerë pyesnin për fatin e njërit apo të tjetrit, shumica dëgjonin në heshtje e me pikëllim nër buzët”. Ai tregon dhe për një episod që u ndodhi atë ditë, kur arriti Ministri i Luftës, i krekosur, me nofullat shtrënguar dhe thirri: “Mos u dëshpëroni, burra. Lufta nuk është humbur. Ushtria kombëtare është intakte!1) Do të vazhdojmë luftën në anën tjetër të Shkumbinit”. “Që të gjithë hapën sytë. Noli nënqeshi, kujton sekretari i tij. E pa Ministrin e tij të Luftës dhe pa të keq e me buzën në gaz, i thotë: Kasem bej, Kasem bej! Më dukesh si Luigji XVI para se ti presin kokën. Gjindja ia dha gazit në mes atij vrerit”. Noli, ndonëse i tronditur për situatën e rëndë, tregohej gjakftohtë dhe mendonte si të dilej nga kjo gjendje. Tani që rrethi i rrezikut po ngushtohej dhe armiku mund të vinte nga ora në orë, rruga e vetme ishte largimi sa më parë. Kryeministri dha urdhër që njerëzit të tërhiqeshin për në jug. Ai vetë, me disa nga misat e kabinetit, u nisën për në Vlorë aty nga mbrëmja me një benzinat nëpër një det të trazuar. Po kthehej atje, nga ku 6 muaj më parë kish nisur lufta kundër Zogut dhe bejlerëve, një luftë me aq shumë shpresa dhe iluzione. Arritën afër mëngjesit. Qyteti i flamurit ziente. Aty ishte grumbulluar gjithë klasa politike, regjenti, kabineti, komandantët e ushtrisë, të cilët prisnin fjalën e tij. Një anije nga Shëngjini solli L. Gurakuqin. Pyetja e ditës ishte se çdo të bëhej? Sipas korrespondentit italian të gazetës “Giornale dItalia”, ato ditë qarkullonin lajme nga më të ndryshmet. Thuhej se Noli paskësh propozuar që të krijohej një qeveri e kryesuar prej tij për jugun e Shqipërisë, ndërkaq kish urdhëruar K. Qafëzezin të merrte masa për qëndresë në Shkumbin dhe në grykat e Vjosës. Por shpejt u mor vesh se në situatën e krijuar, Noli kish kuptuar se çdo rezistencë ishte shumë e vështirë, për të mos thënë e kotë. Në këto çaste, Noli do tu këshillonte pasuesve të tij gjakftohtësi dhe shmangie të çdo lloj alarmi. Në mbledhjen e jashtëzakonshme të kabinetit, ai raportoi për gjendjen dhe rreziqet reale dhe u vendos njëzëri që, në vend të bëhej rezistencë, të organizohej largimi i njerëzve për në Itali, në mënyrë të rregullt dhe pa panik. Gjëja e parë që bëri kryeministri, urdhëroi që emigrantët e ardhshëm të pajiseshin me pasaporta dhe që ti paguheshin rrogat e prapambetura “të gjithë atyre që do të emigronin” nga fondet e ngelura të shtetit. Këtë detyrë të vështirë ai ia ngarkoi S. Vinjaut, i cili, sipas Nolit, në situatën shumë të tendosur e të kërcënuar nga anarkia, “e mbaroi me një trimëri të pashembullt”, duke i ndarë drejtësisht dhe pa ndonjë incident.1) Mbeteshin disa detyra organizative, me të cilat Noli do të merrej seriozisht. Duhet të siguroheshin mjetet e transportit, siç lipsej të caktoheshin dhe njerëzit që do të emigronin. Ai porositi të bëhej një përzgjedhje e të mos largoheshin të gjithë. Bile, u detyrua të shkojë e ti takojë vetë disa prej tyre që tu mbushte mendjen të qëndronin. Kështu, takoi vullnetarët e Korçës. Në mes tyre ishte banda “Vatra”. Takimi me miqtë e vjetër në ato çaste e preku thellë. Ai i këshilloi të rrinin në Shqipëri. “Populli shqiptar, u tha, ka nevojë për kulturë, për art, për muzikë. Këtë duhet dhe mund tia jepni ju këtij populli. Prandaj qëndroni në atdhe dhe punoni për këtë qëllim”. Ishte një koincidencë e trishtuar kjo që po ndodhte: disa vjet më parë Noli i kish përcjellë shokët e Bandës nga Bostoni për në Shqipëri, kurse tani po e përcillnin ata Nolin nga Shqipëria për në mërgim. Në këtë çast dramatik po ndahej nga atdheu me muzikë. Edhe kësaj here, jeta e tij smund të kuptohej pa artin. Njerëzit e Vatrës po i gjendeshin si gjithnjë pranë.

Konica i idhët

Ndërkaq, Vatra dhe F. Konica nga përtej Atlantikut ndiqnin të shqetësuar situatën në Shqipëri dhe e përjetonin në mënyrën e tyre disfatën e Nolit. Kryetari i saj i dërgonte më 26 dhjetor nga Bostoni kryeministrit të rrëzuar në Vlorë një telegram. Telegrami, i cili për fat të mirë nuk i ra kurrë në dorë Nolit, ishte një goditje e rëndë, nga miku i tij në kulmin e disfatës. Konica, me fjalët që i shkruante, orvatet të hedhë hapin e parë të distancimit nga Noli i mundur. Në vend që ta ngushëllojë e ta lehtësojë, përkundrazi se ka për gjë ta kritikojë rëndë dhe ta akuzojë se “qeveria juaj ka refuzuar këshillat e saj [Vatrës N.J.] dhe ka kundërshtuar programin e saj direkt ose indirekt”. Ai i kujton pa takt se “ju mungon një bazë legale, përderisa ju nuk bëtë zgjedhjet në qershor”, prandaj, propozon “një kompromis me bashibozukët, me qëllim që të shpëtojmë vendin nga një luftë civile”. Në gjykimet e Konicës kishte padyshim diçka racionale, të vërtetë, por ai nuk kishte gjetur momentin e duhur për ta thënë këtë. Po nga ana tjetër, Konica, për të qetësuar vatranët, deklaronte “Gjeneralisimi i forcave të përparimit, i lodhur nga lufta e gjatë dhe heroike, gatitet të vinjë në Amerikë.” Kurse Noli përgjigjet: “Smund kurrë të heq dorë nga idealet kombëtare dhe shokët që luftojnë për këto, do të kenë gjithnjë simpatinë dhe përkrahjen time morale.” Në të njëjtën kohë, të njëjtin propozim për pajtim, Konica, që kish marrë tani rolin e arbitrit, ia kish bërë me anë të një telegrami dhe Zogut. Po, ndërsa nga Noli nuk merr përgjigje, Zogu nga Tirana, pasi e falënderon për këshillat, i shkruan se “çdo gjë do ta bëjë vetë kur të vijë koha”. Ky do të ishte vetëm sinjali i parë i krizës që po niste në marrëdhëniet mes Nolit dhe Konicës, që nuk kishin të bënin aq me miqësinë e tyre, sesa me pozitën klasore, konceptet e ndryshme politike, karakterin e secilit. Këto orë të rënda ishin orët e provës së besnikërisë dhe besimit, e njohjes së karakterit e njerëzve. Do të nisnin kësisoj zhgënjimet e para. Nga gjithë kabineti, më afër do ti qëndronin L. Gurakuqi dhe S. Vinjau, por më besnikët do të ishin djemtë e Bashkimit, të cilët dhe në këtë çast mbaheshin pas idealeve të revolucionit të tij. Nolin do ta prekte gjesti i tyre, kur shkuan te varri i A. Rustemit, u përfalën dhe u betuan. Me vete ata do të merrnin për në mërgim dhe zemrën e balsamosur të udhëheqësit. Erdhi më në fund ora për tu larguar. Turma të tëra njerëzish kishin mbushur portin e Vlorës. Ishte në mes tyre gjithë opozita antizogiste, funksionarë e ushtarakë, intelektualë, ushtarë e fshatarë, një masë laragane e heterogjene nga krahina të ndryshme të vendit. Pjesa më e madhe hipën në vaporin italian Malfeta, të tjerë u bartën nëpër varka dhe benzinata. Ishte një pasdreke e vrerët, me det të shqetësuar dhe horizont të mbyllur në të katër anët. Kryeministri do të arrinte nga të fundit, duke kaluar mes gjindjes, që e vështronte e hutuar dhe me keqardhje. “Njerëzit që ndodheshin në skelë, kujton një nga shoqëruesit e Nolit, na sallutonin, siç sallutojnë të vdekurit. Nuk ishim të vdekur. Më keq. Imzoti nuk guxonte të ngrinte sytë përpjetë. U përgjigjesh sallutimeve duke ngritur dorën mbi kokën e unjur. Kur hymë në varkë e pashë se i kishte sytë e lagur. Kishte qarë. E mblodhi veten shpejt. Mori kurajë dhe nisi të fjalosë vetëm për të fjalosur, gjersa hymë në vapor”. Ndoshta këto emocione të forta Nolit ia kishte dhënë deri atëherë vetëm Shekspiri, po jo jeta. U desh disfata e rëndë, që ti përjetonte me dramaticitet kaq të thellë. Mjaft të mendonte se dhjetë vjet më parë ai kish hyrë në atdhe për të parën herë nga ky port dhe po nga ky port po dilte në mënyrë të pamerituar. Nga sheshi i anijes mërgimtari i përhershëm hodhi sytë prapa për të fundit herë. Dalëngadalë po mjegulloheshin brigjet e Vlorës, kodrat, malet përtej, derisa humbën përgjithnjë. Këtë tokë të shenjtë, që ish gjithë kuptimi i jetës së tij, ai nuk do ta shihte më kurrë. “Trishtimi im më i madh, do të pohojë Noli më vonë, është largimi nga Shqipëria më 1924, sepse kjo i dha fund punës sime në atdhe”. Malfeta çante nëpër atë natë dhjetori kanalin e tërbuar të Otrantos. Noli, i mbyllur në kabinën e tij, krejt i vetëm, më shumë se dallgët e detit ndjente dallgët e shpirtit të trazuar sa kurrë ndonjëherë. E kishin kapluar keqas mendimet. Pas afro 200 ditë qeverisjeje, që i kujtonin ditët e qeverisjes së fundit të Napoleonit, e kishin detyruar të linte Shqipërinë. Po largohej i mundur, pas aq përpjekjesh për ti dhënë popullit shqiptar lirinë dhe drejtësinë shoqërore. Për të mbjellë farën e demokracisë e të mendimit të lirë, farën e reformave e, në radhë të parë, reforma për fshatarësinë aq të varfër e të shtypur. Mendonte jo aq për qëllimet e mira, për disa nga arritjet, sesa për gabimet, të metat, fajet, përgjegjësitë. Asnjëherë skish qenë më shumë kritik se këtë herë që kish humbur betejën vendimtare të jetës. Para tij ngriheshin sa e sa pyetje të vështira e të rënda. A thua se nuk kish qenë i përgatitur dhe i denjë për këtë ndërmarrje historike? Se nuk e kish njohur siç duhej popullin dhe vendin e tij? Se librat, kultura e gjerë, dhuntitë intelektuale nuk e kishin ndihmuar apo penguar në kushtet e Shqipërisë në luftën politike që kish ndërmarrë? A mos vallë kishte qenë i parakohshëm me idetë liberale dhe veprimet radikale në një vend të prapambetur e një popull të paditur e të shtypur? A thua se shoqëria shqiptare nuk kish qenë terreni i përshtatshëm, që ai të luftonte e të shpresonte për të zbatuar idetë e ndritura që sillte nga Amerika, për një shtet demokratik dhe një shoqëri pluraliste? Se ai skish marrë parasysh sa duhet që Shqipëria sish as Amerikë e as Francë, po një vend ballkanik, që deri para pak vitesh kish qenë provincë turke? A thua se si kish vlerësuar dhe njohur bejlerët shqiptarë, këtë klasë mercenare dhe xhahile, që si shushunjat i pinte gjakun popullit? Ka të ngjarë që në këto çaste reflektimi dhe meditimi të thellë, Nolit ta ketë kuptuar më qartë se asnjëherë gabimin strategjik të luftës së tij. Vërtet, ai kish ardhur në fuqi përmes një revolucioni të kadifenjtë, të butë, po a mund ta mbante pushtetin pa dhunë, kur armiqtë do të përdornin dhunën? A mund të përdorte dhunën ai që predikonte ungjillin, që mbante jakën e bardhë të priftit, që kokën e kish të mbushur me vargje të Shekspirit dhe Khajamit? Këtë ai ndoshta nuk do ta kuptonte as në këto çaste. Këtë e kish treguar dhe me një gjest, kur, si kish hipur në anije dhe një emigrant e kish parë të paarmatosur, i kish zgjatur një revolver. Ai kish buzëqeshur hidhur dhe ia kish refuzuar. Vite më vonë, duke i gjykuar këto ngjarje që po linte pas, Noli në “Vetë Kritikën”, që do të bënte me shkrim, do të rendiste disa nga shkaqet e disfatës, të cilat i quan “mëkate mortale” që nuk mund të lahen as në Ferr e as në Purgator. Në radhë të parë, ia vë fajin vetes, karakterit të tij të vështirë për të punuar me të tjerë, pra, në mënyrë kolegjiale. Kjo solli që ai të mos arrinte të krijojë një “shtab tim qentral” dhe “shtabe lokale”. Në mungesë të shtabit, mbetej të lidhej me grupin politik të Klikës, drejtuar nga S. Peci, por e kuptoi se mes tyre sdo të kish asnjë influencë e do të mbetej jesir (rob). Kështu që, nuk doli dot nga izolimi e as u largua dot nga politika. Veç këtyre rrethanave politike, ndikuan “të metat e virtuteve të mia”, mes të cilave radhiti: pazotësinë për intriga, luajalitetin absurd me njerëz të pabesë, të korruptuar, parazitë, pa përjashtuar natyrën e tij që ishte “tepër mistike në një vend pa fe, tepër letrar në një vend që skëndon, tepër i ndikuar nga vegjëlia korçare” dhe, së fundi, me gjithë vërejtjet shoqërore nga shokët, nuk i merrte parasysh, “bërja pas kokës, pa pyetur shokët”. Në të njëjtën linjë arsyetimi janë dhe mendimet që i kish shprehur një herë Eqrem bej Vlorës: “Ky vend i çuditshëm nuk ka shok në botë. Këtu shpesh beu mund të jetë një fshatar, fshatari një patric, të gjithëve nën ato gunat e lypësit iu duket vetja kalorës i barabartë dhe madhështor sa tjetri. Këtu ndryshimi midis të pasurit dhe të varfrit, midis të fortit dhe të dobëtit fshihet nga ndjesia e dinjitetit të barabartë apo të përshtatjes. Këtu është sinori midis mënyrës europiane dhe asaj aziatike të jetës, midis koncepteve sociale gjermanike dhe latine, midis etikës së krishterë dhe asaj myslimane, këtu është paleta ku ngërthehen të gjitha ngjyrat dhe dritëhijet, të gjitha refleksionet e së kaluarës dhe të tashmes.” Duke gdhirë dita e 27 dhjetorit, pas nëntë orë udhëtimi, Malfeta me afro 400 emigrantë shqiptarë, hyri në portin e Brindisit. Sapo u ankorua, ia mbërritën agjentët e policisë, karabinierët dhe doganierët. Atyre u tërhoqi vërejtjen menjëherë fakti se shumë nga të ardhurit ishin të armatosur dhe disa prej tyre mbanin në thilen e xhaketës germën B. Ata do të ngatërronin distinktivin e djemve të Bashkimit me inicialen e emrit bolshevik. U deshën pastaj disa orë pritjeje, shpjegimesh dhe kontrollesh deri sa arritën autoritetet e vendit, me të cilët Noli zhvilloi bisedime zyrtare. Edhe pse ardhja e kësaj anije me emigrantë nuk ish e papritur, zyrtarët italianë nxorën pengesa. Nuk ishte fjala për krerët, por për masën e emigrantëve, të cilëve Noli u doli në mbrojtje, duke ua bërë të qartë vendosmërisht autoriteteve se ata ishin njerëz që kishin luftuar për lirinë e popullit kundër intervencionistëve të huaj dhe se ishte e drejta e tyre të kërkonin strehim politik. Duan të thonë se, kur autoritetet italiane po hezitonin, Noli u kish deklaruar në mënyrë ultimative se, në qoftë se masës së pasuesve të tij nuk do tu jepej strehim politik, ai do ti çonte ata në Odesë! Pengesat që dolën në portin e Brindisit sigurisht që nuk ishin rastësore. Me këtë Roma jepte që në fillim sinjale jodashamirëse.

Fundi i emigrantëve shqiptarë

Më në fund, emigrantët shqiptarë u lejuan të zbrisnin në tokën italiane. I pari zbriti Noli me Gurakuqin e pas tyre krerët e tjerë dhe vargu i gjatë i të arratisurve. Por, ndërsa këta të fundit autoritetet i shpërndanë si mundën në Brindisi dhe në Bari, Noli me shokët e tij u vendosën në hotel Roma. Nga letra e 3 janarit 1925, që L. Gurakuqi i dërgon Sekretarit të Përgjithshëm të M.P. Jashtme të Italisë, Senatorit Konterini i kërkon interesimin e autoriteteve italiane për sistemimin e emigrantëve shqiptarë prej afro 399 vetash, mes të cilëve gjendet regjenti S. Peci, 8 anëtarë kabineti, 70 oficerë, funksionarë të lartë, militantë etj. E njofton për pengesat dhe masat shtrënguese të autoriteteve të Brindisit, lyp korrektësi ndaj ligjeve dhe pret se çdo të bëhet me sistemimin e tyre. Ata i quan refugjatë politikë që janë fajtorë vetëm se kanë dashur tepër vendin e vetë. Prandaj qeveria italiane nuk duhet tu mohojë mikpritjen. U deshën disa ditë që ajo masë njerëzish të sistemohet, por atmosfera në mjediset e tyre ishte e shqetësuar e nervoze. Filluan debatet, pakënaqësitë, zënkat. Të mundurit tani kërkonin shkaqet dhe përgjegjësitë e disfatës. Kafenetë e Brindisit e të Barit, e sidomos kafe Stoppani, lokali më i frekuentuar ziente nga diskutimet e zjarrta dhe akuzat që ata i lëshonin njëri-tjetrit. Për të gjitha këto Noli do të informohej dhe do të përpiqej në rrugë të ndryshme ti sqaronte e ti qetësonte. Ai, madje, zhvilloi një mbledhje të gjerë me të gjithë emigrantët, ku u ballafaqua me situatën e acaruar, me fytyrat e mërzitura dhe me nervozizmin e njerëzve të tij. Para tyre ai do të ruante gjakftohtësinë dhe do të tregohej i hapur. Kjo u duk sidomos kur pas një heshtjeje që u krijua, Noli tha fjalët tanimë të njohura: “Gurakuq, kemi bërë shumë gabime …”. Ishte kjo një farë autokritike që bënte qysh në kontaktin e parë me partizanët e tij. Atë ditë Noli u paraqit çuditërisht pa mustaqe dhe pa mjekrën madhështore, aq sa shtypi vendas e komentoi (“Si e bëtë këtë, duke qenë prift ortodoks?”, e pyetën gazetarët, ndërsa, ai iu përgjigj: “Thjesht për arsye higjenike!”) Duan të thonë se ato ditë, do të qarkullonin si anekdotë fjalët që Noli paskësh thënë për këtë gjest: “Ua lava shqiptarëve dhe borxhin e fundit që u kisha!”. Është fakt se qysh prej kësaj kohe deri në fund të jetës, Noli nuk do të mbante më as mjekër, as mustaqe, sado që në kokë kish mitrën e kryepeshkopit. Në këtë mbledhje Noli do të fliste gjatë e gjerë për situatën politike, për shkaqet e disfatës, si dhe do të bënte thirrje për qëndresë dhe besim. Do tu përgjigjej pyetjeve të shumta, gjithnjë me tone realiste, por dhe qetësuese. Ato ditë udhëheqësi i mërgatës antizogiste do ti bënte dhe deklaratën e parë zyrtare shtypit. “Lëvizja nuk ishte një luftë civile, por një atentat i jugosllavëve kundër indipendencës së Shqipërisë”. Me këtë rast, ai nuk do ti kursente kritikat edhe ndaj Italisë, e cila, në vend që të qëndronte e paanshme, duhet të kish ndërhyrë për të ndaluar invazionin e përgatitur nga Beogradi. Pa humbur kohë, Noli së bashku me Gurakuqin u nisën për në Romë, për bisedime zyrtare me autoritetet e larta qeveritare. Ndodhi ashtu siç pritej: qëndrimi i tyre ishte i ftohtë, shpërfillës, në nivele të ulëta. Kishte shumë arsye që e shkaktonin këtë sjellje, për të cilat Noli do të ishte i ndërgjegjshëm. Në vend ti merrte ndihmat nga qeveria fashiste, ato i siguroi nga Kryqi i Kuq dhe nga shoqatat bamirëse. Dyert zyrtare do ti gjente të mbyllura.

“Vatra” e ngacmon

Në këtë hall e gjeti më 30 dhjetor, tek qëndronte në Romë në hotel Windsor kabllogrami i dytë që i dërgonte Vatra. Kësaj here, në mënyrë më të zbutur Konica i shkruante ndërmjet të tjerash: “Luftuat një betejë fisnike për përparimin, qytetërimin e indipendencën e Shqipërisë. Me kohë dhe me largim, populli shqiptar ka për ta çmuar më mirë çkini bërë për të… Që u mundët është faji i bashkëpunëtorëve tuaj, të cilët duken aq qesharakë, sa dukeni i madh”. Përsëri shquheshin qartë mendimet dhe stili i kryetarit. Noli në përgjigjen e tij nuk reagon fare për sa i shkruan Vatra, vetëm i tregon se ku ndodhet aktualisht. Duket sheshit se ai nuk është dakord me gjykimet e saj. Sikur të mos mjaftonte kabllogrami, po atë ditë nga faqet e “Diellit” F. Konica nxitonte të nxirrte publikisht konkluzionet e ngjarjeve që kishin ndodhur në Shqipëri, duke pasur në qendër Nolin. Ai i cilëson ngjarjet si luftë në mes jeniçerëve dhe bashibozukëve, të fituar përkohësisht nga këta të fundit. Përsëri shqetësimi i tij është frika se mos ajo kthehet në luftë civile. “Jeniçerët, shkruan, me në krye Nolin tonë të pafajshëm për sy e faqe (!) … gjatë kohës që ishin në fuqi, e lanë shtetin në atë gjendje që e kishin gjetur”. Vërtet, “në krye zhvilluan një veprim për tu lavdëruar … po pak nga pak natyra e tyre e ligë dhe stërvitja e tyre xhonturke dhe levantine, ia zaptojë qëllimet e mira”. Kritikon rreptë faktin se këta qeverisën pa parlament dhe se të dy palët (në vend të emrit të Nolit, përmend L. Gurakuqin dhe K. Qafëzezin) “nuk kishin ideal”. Ideali i tyre ishte “të ruajnë pozitat e tyre dhe të marrin pjesë në plaçkë”. Bile, ata se kanë kuptimin e luftës civile që bëhet për një princip, siç qe lufta civile në Amerikë. Këshilla e Konicës mbetet: të pushojnë luftën e të arrijnë një marrëveshje “si vëllezër që janë për të mos u derdhur gjaku kot”. Në kryeartikullin e 2 janarit, “Dielli” do ta merrte Nolin në mbrojtje. “Fan Noli nuk ishte vetëm një politikan, sepse, të jesh politikan, është gjë shumë e lehtë … mjafton ti vesh sipas qefit popullit … të mos u trazosh zakonet … të mbash terezinë e politikës”. Por Noli nuk është i tillë, mbasi ai, duke iu referuar gazetarit të dëgjuar amerikan C. Prince “u përpoq ti hedhë çapat e përparimit shumë shpejt …” dhe, sipas një gazetari italian nga Brindisi “Qëllimi i tij që të vinte indipendencën e Shqipërisë në themele të shëndosha u përmbys; pa dyshim se populli shqiptar është armik i rreptë … i çdo gjëje të re dhe preferon të mbetet besnik në zakonet e tij të vjetra dhe në mënyrën e rrojtjes së tij tradicionale”. Prandaj, sipas “Diellit”, “E vërteta është kjo: populli shqiptar është të paktën 700 vjet pas popujve të Europës: në ca pikëpamje ai rron edhe në kohën e Homerit. Që ti kapërcejë gjithë këta shekuj me një të hedhur është gjë që sbëhet. Përparimi ka për të ardhur dalëngadalë. Pra, faji sështë i tij, sesa “i pazotësisë së popullit për të nxënë idera të ra dhe i ndryshimit të madh në mes dy mentaliteteve”. Mbrojtja e “Diellit” do të vazhdonte dhe në numrin tjetër, kur gazeta do të shkruante se “Rrëximi i qeverisë së Nolit në Shqipëri është një humbje jo për neve vetëm, por dhe për elementin liberal në Ballkan”. Goditja që ajo mori nga reaksioni ballkanik, u mbështet në radhë të parë nga Anglia konservatore. Pa kaluar as dy javë nga disfata, Konica prapë u kthehet qortimeve dhe këshillave. Nga “Dielli” përpiqet të ngushëllojë mikun e vjetër, se nuk është fajtori kryesor. Fajin e ka populli shqiptar, i cili është “një popull thellësisht konservator”. Dhe këtë vullnet të tij nuk e përfaqëson Noli, por Zogu: “Zogu duket sheshit më tepër pas zemrës së popullit sesa Noli”. Të tjerat “janë fjalë të kota”. Tek e fundit, duhet pranuar që “Populli shqiptar sdo reforma dhe reformatorë, sdo gjëra të ra, as njerëz që munt të kllasin gjëra të ra”. Prandaj kërkon prerazi “ose të heshtim ose të përkrahim fuqin e re”. Noli nuk i përgjigjet kryetarit të Vatrës. Por, ndërkaq, as i dëgjon këshillat e tij. As e përgënjeshtron lajmin që përhap “Dielli” se “Peshkopi i lodhur nga lufta e gjatë, por fisnike … do kthehet së shpejti nga Italia në SHBA … në mes shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tij të vjetër”. Por lideri i demokracisë shqiptare nuk ka ndërmend ta braktisë luftën që ka nisur. Përkundrazi, ai mendon dhe punon pa humbur kohë si ta organizojë atë në kushtet e reja, pas disfatës që ka pësuar. Vendi i tij është në Europë, sa më afër Shqipërisë. Nga ana tjetër, Zogu është i shqetësuar se çpozicion do të mbante qeveria e SHBA ndaj qeverisë së re, dhe për këtë porosit konsullin shqiptar K. Tashko që të interesohet pranë Departamentit të Shtetit. Ai shkoi dhe, sipas Ilir Ikonomit, u tha zyrtarëve amerikanë në shpjegimet e tij se “shqiptarët parapëlqyen njeriun e malit (Zogun), në vend të njeriut të Harvardit (Nolit).” Ishte akoma shpejt për qëndrime zyrtare të diplomacisë për çka ndodhte në Shqipëri në janar të vitit 1925. Po miku i Nolit guxoi ti thotë këto fjalë që shprehnin të vërtetën.

*Marrë nga V.2 i veprës së pasuruar “Jeta e Fan S. Nolit”

Shënime 2) Është e paprekur, e padëmtuar 2) Sipas dokumentit zyrtar të lëshuar nga zyra e shtypit ato ditë dhjetori të vitit 1924 rezulton të jenë shpërndarë me vendim qeverie 140.370,20 fr. Ar 52 personave, nga kryeministri deri te disa nëpunës të rangut qendror dhe lokal. *Ishin këto rroga të prapambetura ose ndihma modeste për shpenzime, që shoqëroheshin me emër e mbiemër si dhe funksionin që mbanin. Shumat qenë modeste. Fan Noli mori vlerën 300 fr. Ar, kryesisht për shpenzime të automobilit. / KultPlus.com

‘Fan Noli është një njeri interesant, i kulturuar dhe i mirëinformuar, por edhe kokëfortë’

Bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Fan Nolit, publicist i shquar, veprimtar aktiv i “Vatrës”, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, i diplomuar për gazetari (1926), patriot i flaktë, antifashist e demokrat, analist në shtypin qendror amerikan, një nga autorët e librit “Përpjekja shqiptare në botën e vjetër e të re përgatitës dhe botues i veprës së Faik Konicës” Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” dhe “Albumi II” të Nolit, i pari biograf i tij. La me dorëshkrim disa vepra si “Historiku i historisë shqiptare të Masaccusetsit”, “Historia e Shqipërisë” dhe Dritaret (1936-1959) etj…

Në vitin 1993 kur shkova në SHBA për herë të parë pata rastin të njihesha me gruan e tij, zonjën Sarah Panariti, profesoreshë e Harvardit, e cila më dha informacione me shumë vlerë për jetën dhe trashëgiminë e tij shkencore –artistike, shkruan në “Dita” Nasho Jorgaqi. Gjithashtu falë fisnikërisë së saj më dhuroi atë pjesë të ditarit shumë vjeçar të Qerimit që shkruante për F. Nolin, që po i jepen për herë të parë lexuesit tonë. Janë mendime, mbresa dhe konstatime të Qerimit gjatë 33 viteve që hedhin dritë mbi jetën e Nolit nga pozita dashamirëse dhe realiteti, pa kursyer herë-herë dhe kritika.

Nga biografia që ai ka shkruar: “Noli: Princi i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare” po botojmë kapitullin “Noli, njeriu dhe karakteri i tij”

Qerim Panariti

NGA “DRITARET” (1936- 1959)

1936

21 janar — Pata një bisedë me F. Nolin. Ai është njeri interesant, i kulturuar dhe i mirinformuar, por rrëshqitës dhe inatçi.

20 prill – F, Noli refuzon të marrë pjesë në një banket për nder të tij, të cilin e sponsorizova unë. Arsyeja? Ska. Mendoj se është një sjellje fëminore.

17 maj – Shqiptaret bëjnë mbledhje vjetore në Shën Gjergj. Çfarë mbledhje? Një shtëpi vërtet e çmendur. F. Noli është fajtor për gjithçka. S’mund ta marrë dot me mend se ç’qëndron pas veprimeve të tij.

1937

22 qershor — Mora pjesë në koncertin e diplomimin në Konservatorin e Nju-Englandit ku F. N. iu dha diploma për kompozim. Hëngrëm drekën bashkë dhe biseduam gjithçka nën rrezet e Diellit për katër orë rresht.

30 qershor — I shkreti F. Noli. është ngatërruar keq me një artikull të botuar të hënën e kaluar në gazetën “Post” ku cilësohet si antimuhamedan.

3 shtator — Hëngra drekë me F. Nolin, Ai është një bashkëbisedues i këndshëm , dallohet për sensin e humorit dhe intelektin.

8 shtator — Isha në një koncert të WPA në Biblioteklën Publike të Bostonit, ku u ekzekutua një kompozim i Nolit, i titulluar “Lumi i Babilonisë. Noli ishte aty.

1938

21 qershor – Sot F. Noli mori titullin baçelor nga Konservatori i Nju Englandit.

19 korrik – Fan Noli është deri diku i pakënaqur, lidhur me një artikull timin për të ku unë e akuzoj për mosçuarjen deri në fund të Reformës Agrare propozuar prej tij.

1942

24 maj – Hëngra darkë me F. Nolin. E pagoi ai. Biseduam gjatë për Frontin e Bashkuar shqiptar. Ai ka një mendim të keq për Konicën, Çekrezin dhe Zogun. Por ai mendon se Fronti duhet të plotësohet. U bë një mbledhje e “Albanien Relief Fund”, por nuk erdhën shumë. Në mbrëmje une deklarova: “Jam përgjegjës për Frontin shqiptar”

30 maj – Në mbrëmje takova F. Nolin dhe biseduam për “Frontin e Bashkuar shqiptar”. Sikurse dhe unë, ai mendon se duhet të përpiqemi shumë për t’u organizuar. Ai mund të ketë ndonjë interes personal, kryesisht për të nxjerrë ca para nga Zogu.

13 qershor – F. Noli po bëhet shumë aktiv në Frontin e Bashkuar. Ai do të shkojë në Nju-Jork dhe Filadelfia. Sulmet e tij kundër Çekrezit janë shumë dërrmuese.

21 qershor – F. Noli shprehu qëndrimin e tij në favor të Frontit të Bashkuar me Zogun në krye dhe një qeveri mbretërore në mërgim. Ai është i nderuar, i qetë dhe në dukje fitimtar. Ai ishte kryetari i mbledhjes dhe kjo qe një nga mbledhjet më të mira shqiptare, në të cilën kam marrë pjesë ndonjëherë.

11 korrik – F. Noli më çoi fjalë të marr pjesë nesër mbasdite në një mbledhje midis “Vatrës” dhe grupit të Çekrezit për të themeluar Frontin e Bashkuar.

1943

23 shkurt – Fola në telefon me F. Nolin. Mund të filloj të shkruaj së shpejti te “Dielli”. Nëse jo, do të shkoj të punoj diku gjetkë.

5 mars – F. Noli praktikisht drejton “Diellin”. Po e godet Çekrezin.

16 mars – U pashë më Nolin dhe e falënderova për deklaratat e bëra në Nju-Jork para dy javësh lidhur me Frontin e Bashkuar.

26 maj – F. Noli mori një letër nga Zogu ku i kërkonte të shkonte në Uashington si përfaqësues i tij. Është e kotë të them se ai do të pranojë.

27 maj – Mora një letër nga Kosta Isak, me sugjerimin e Çekrezit për të arritur një marrëveshje me “Vatrën”, lidhur me Frontin e Bashkuar. Çekrezi ofron kushte për pranimin e Zogut si udhëheqës. Do t’i shkruaj Çekrezit nesër.

8 korrik – F. Noli është regjistruar në Universitetin e Bostonit për një punim pasuniversitar (Graduate) për Doktor në filozofi. (Ph. D.). Në moshën e tij ai akoma shkon në shkollë.

16 gusht – Sot F. Noli erdhi në zyrën e “Vatrës”. Ai ka marrë një letër nga OWI për të dhënë lajme për shqiptarët në Shqipëri në gjuhën shqipe.

11 shtator – Noli u nis për në Nju-Jork për të folur nesër në radio.

1944

30 shtator – F. Noli u kthye mbrëmë. Ai ishte në Nju-Jork, i thirrur nga zyra e I e Luftës për t’u folur shqiptarëve që të mbështesin ushtritë aleate. Ai ka pasues të shumtë që e ndjekin në Shqipëri dhe e shohin si udhëheqësin e tyre.

31 tetor – F. Noli është duke punuar për organizimin nga të gjitha kishat që të dërgojnë telegrame forcave aleate për njohjen e qeverisë shqiptare të Beratit.

16 nëntor – F. Noli erdhi pas pak t’i hedhë një sy materialeve që solla nga Uashingtoni. Është material i mirë po të na kish arritur në kohë.

1945

21 maj – Sot F. Noli mori doktoratën.

27 korrik – Fare rastësisht mbasdite takova F. Nolin. Bëmë një shëtitje të gjatë. Është shumë i pakënaqur nga punët e kishës. Shqiptarët janë fëmijë të rritur. Ai kërkon të dalë në pension, të heqë dorë plotësisht nga kisha.

30 korrik – F. Noli ka shqetësime të ndryshme nga njerëzit e kishës. Është e vështirë të kesh të bësh me njerëz injorantë, sepse ata nuk i binden rregullave. Dhe nuk i binden shumicës.

22 shtator – F. N. ka një problem. Prifti do të ikë, por shqetësimi nuk mbaron.

20 nëntor- F. Nolit i janë paraqitur nderime nga shkrimtarë shqiptarë.

28 nëntor – Hëngra darkë me F. Nolin, me z. Messinger dhe Rev. Upson. Që të tre janë studiues të dëgjuar.

1946

2 janar- F. Noli ka shumë shqetësime me komunitetin e tij. Më vjen keq për të se është duke humbur kohë dhe po duron shumë kërcënime nga njerëz injorantë.

26 janar – Akoma më shumë shqetësime janë krijuar prej disa nga kishat e tij, veçanërisht me atë të Filadelfias…

Shqipëria ka bërë kërkesë në OKB.

14 mars – F. Noli ose unë do të na duhet të shkojmë në Uashington javën që vjen meqenëse na është kërkuar nga legata jugosllave për të dhenë një informacion të saktë, ku të kërkojmë pranimin e Shqipërisë në OKB më 25 të këtij muaji.

15 mars – Një delegacion prej 4 shqiptarësh nga Nju-Jorku erdhën sot për t’u takuar me Nolin dhe i kërkuan të merrte drejtimin e luftës kundër propagandës greke. Ai e pranoi këtë ofertë dhe do të shkojë në Uashington javën që vjen.

30 mars – Sot në mëngjes F. Noli erdhi në zyrë shpejt, me qëllim që të përgatisnim bashkë disa telegrame për gjithë senatorët e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë për kalimin e rezolutave… F. Noli më kërkoi të punoj si sekretar në “punën e tij të re’.

4 prill – Të tjera lajme të këqija për Shqipërinë. Anglia është tërhequr nga bisedimet për Shqipërinë. F. Nolin e duan dhe e urrejnë gjithandej. Për sytë e disave unë vij pas tij.

5 prill – Gjithë ditën kam qenë i zënë duke punuar me shpejtësi të madhe… Do bëj, veç punës sonë, gjithë korrespondencën e Nolit që është e konsiderueshme.

8 prill – Këtë mbasdite Noli u nis për në Nju-Jork. Sot u njoftua se Anglia ka hapur përsëri bisedimet me Shqipërinë.

12 prill – Noli u kthye nga Nju-Jorku ku ishte për t’u takuar nga delegacionet e OKB-së, por u takua vetëm me disa prej tyre. Do të kthehet prapë në Nju-Jork javën tjetër.

13 prill – F. Noli më paguan 10 dollarë për punën që bëj me këtë “kryqëzatë të re” që ka filluar ai. Anglishtja e F. Nolit nuk është shumë idiomatike dhe atij nuk i pëlqen ta korrigjojë.

15 prill – Përsëri F. Noli u nis për në Nju-Jork. I shkreti ai, po përpiqet shumë të arrijë diçka, po do të ndodhet para një kohe shumë të vështirë për aq sa SHBA do të jetë kundër Shqipërisë.

19 prill – F. Noli është takuar me kryetarët e delegacioneve të Anglisë, Hollandës, Polonisë. Ai raporton për rezultate të mira.

26 prill – F. Noli ndodhet akoma në Nju-Jork. Sipas raportit të tij del se është takuar me ambasadorin Gromiko.

13 maj – Nga të gjitha anët e SHBA po vijnë të holla për F. Nolin. Padyshim ai i di se si i nxjerr këto para nga shqiptarët. … Ai e meriton këtë, sepse ka dhënë gjithë jetën për Shqipërinë. Sa për dreq, është shumë koprac.

29 maj – F. Noli ka marrë disa informacione nga Hoxha, lidhur me delegacionet e panumërta.

1 qershor – Natën e kaluar F. Noli u kthye nga Nju-Jorku dhe këtë mbasdite bëmë një konferencë. Ai ka marrë 3 mesazhe nga Hoxha, të cilat na japin disa ide përfundimtare përsa i përket lidhjeve mes SHBA dhe Shqipërisë. Shqipëria, së pari, kërkon njohjen dhe pastaj të bisedojë rreth kushteve të pranueshme për të dyja palët.

5 qershor – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku dhe tha se Shqipëria është ftuar në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ne do të jemi në gjendje të marrim informacion të dorës së parë nga Shqipëria nëse do të lejohet të vijë një delegacion.

7 qershor – … Do të jem shumë i lumtur të takohem me ta.

13 korrik – F. Noli u kthye për pak kohë. Është pothuaj i pakënaqur nga delegacioni shqiptar. Po kështu jam edhe unë… Ata nuk dinë asgjë për situatën këtu dhe prapë duan të bëhen gjykatës dhe juri për situatën tonë.

I8 korrik – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku, deri nesër kërkon të përkthyer Kushtetutën shqiptare.

1947

18 maj – Unë dhe Sara shkuam në kishën shqiptare të Shën Gjergjit, ku F. Noli bëri shërbimin në gjuhën angleze. Ishte një gjë e gjatë dhe e mërzitshme. Atje kishte shumë personalitete: Dr. dhe zonja Coon, Rev. Dr. dhe zonja Messinger, prof. La Piana dhe shumë të tjerë.

22 maj – F. Nolit nuk i pëlqen mendimi im për disa kisha që unë i quaj “fashiste”. Une jam dakord me të. me disa përjashtime, por prapë kishat nuk e njohin rrezikun e fashizmit.

1948

6 shkurt – Pata një fërkim të vogël me F. Nolin. Javën e kaluar i kërkova atij të shkruajë diçka të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Ai s’ka bërë asgjë dhe kërkon parapagim nga “Vatra”. Në këtë mënyrë manifeston egoizmin e tij.

7 shkurt – Më në fund F. Noli ka shkruar një histori të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Sot u takova për pak kohë me të. Të dy u përpoqëm të ruajmë një politikë skrupuloze për të kompensuar fërkimin e djeshëm.

24 prill – U takova pak me F. Nolin dhe i dhashë një çek prej 1000 dollarësh për tekstin shqip të “Skënderbeut”.

1949

3 mars – U takova me Nolin për pak minuta. Duket sikur po plaket shpejt, megjithatë prapë shkruan libra. Përsëri po punon për Skënderbeun, një libër të cilin ne (“Vatra”) e kemi kontraktuar dhe që mendohet se do të jetë kryer qershorin e ardhshëm.

19 mars – Nuk di ç‘të bëj me “Skënderbeun”. Kemi akoma shumë kopje të mbetura që nuk shiten.

21 prill – F. Noli po bëhet çdo ditë e më tepër grindavec. Patëm një debat në telefon. Ai kërkonte sot 1000 dollarë për librin e tij “Skënderbeu”, të cilin ai ka shkruar dhe ia ka shitur vite më parë një organizate tjetër.

6 maj – U nisa për Nju-Jork me aeroplan… Mbasdite vonë F. Noli erdhi te “Prince Georg”, një koincidence… Delegatët na kishin për darkë.

3 qershor – Rev. Thimi Theodosi ishte i mërzitur këtë mëngjes…

22 qershor – Stefan Lasko u dorëzua prift të shtunën e kaluar.

25 dhjetor- U takova për pak kohë me Nolin te Miçeklët. Mendoj se ai diçka ka vendosur me vete. Nuk do të më habiste nëse ai do të favorizojë Dhimitër Trebickën kundër meje për “Diellin” në mbledhjen tonë të ardhshme në korrik.

1950

28 prill – “Skënderbeu” shkoi sot në shtyp. Shtypjen po e bën Crimson Printing Company.

3 shtator – Një peshkop grek u dorëzua sot në Stamboll për grupe të veçanta shqiptarësh në këtë vend, në kundërshtim me F. Nolin. Ai quhet Mark Lipa.

9 tetor-F. Noli është i sëmurë.

8 dhjetor – “Historia e Skënderbeut” erdhi sot. Është lidhur bukur dhe nuk duket i vogël.

17 dhjetor – Peshkop Mark Lipa ka dhënë një intervistë të shkurtër për gazetat e Bostonit. F. Noli është pak i frikësuar.

1951

8 shkurt – Peshkopi i ri shqiptar, me stil vetjak, Mark Lipa, ka shkaktuar një ndarje të tmerrshme në komunitetin më të madh shqiptar të Bostonit. Është deri diku e habitshme se si ata janë dhënë pas këtij njeriu të panjohur.

17 shkurt – Shqetësimet në mes qarqeve shqiptare të Bostonit do të arrijnë kulmin nesër. Mark Lipa u ligjërua sot në një kishë tjetër. Ai mund ta shfrytëzojë këtë për mirë.

22 shkurt – “Britan Post” ka botuar një intervistë të shkurtër, të cilën F. Noli ia dha reporterit të martën.

25 mars – Patëm mbledhjen e bordit të “Vatrës”. Me disa kundërshtime vendosëm të hapim një fushatë për të blerë një shtëpi për Nolin.

28 mars – Më shqetëson pak fakti se sa do të mbështetet fushata për t’i blerë një shtëpi Nolit. Është një punë e madhe dhe kërkon përpjekje të mëdha. Ndërkohë duhet bërë edhe puna e përditshme. Lajmet nga Ballkani janë shqetësuese dhe Shqipëria është në ballë.

29 mars – F. Noli është deri diku i kënaqur me fushatën time (të “Vatrës”). Megjithatë do të më duhet një shumë e madhe që të blejmë një shtëpi të përshtatshme sepse çmimet në të vërtetë, sikurse gjërat e tjera, janë shumë të larta. Kjo do të thotë një punë shumë e rëndë për mua.

6 prill – Fushata për F. Nolin pati një fillim të mirë natën e kaluar, kur zonjat e Kishës së Shën Gjergjit dhanë 1000 dollarë për fushatën.

18 prill – Kisha shqiptare e Shën Gjergjit dha natën e kaluar 1500 dollarë për fushatën e Nolit, filluar nga “Vatra” më 25 mars. Deri tani nuk kemi marrë asgjë nga ndonjë koloni e veçantë. Kjo më shqetëson pak, por çdo gjë lëviz me ngadalë në fillim.

22 prill – Crist Ellis u dorëzua prift…

27 prill – Me aq sa dimë ne, degët tona akoma nuk kanë filluar të lëvizin për të mbledhur para për fushatën e shtëpisë së Nolit.

28 prill – Po filloj të shqetësohem për fushatën e shtëpisë së Nolit. Gjërat lëvizin ngadalë.

20 maj – Mblodhëm gati 185 dollarë për fondin e shtëpisë së peshkop Nolit. Jam i gëzuar që fushata po ecën.

25 maj – Rreth orës 4 mbasdite, Sara dhe unë u nisëm për në Mançester. Fillova të mbledh…

5 qershor – Grindja midis shqiptarëve rreth peshkop M. Lipës ka arritur në një shkalle qesharake. Madje edhe gjykatësit edhe avokatët po hungërojnë nga qejfi.

19 qershor – Mora 200 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit. “Bashkimi” po llomotit shumë në gjithë Amerikën në mes shqiptarëve. Kjo gjë po më shqetëson shumë.

26 qershor – Fushata për Nolin po ecën shumë ngadalë. Ajo nuk i ka përmbushur shpresat e mia dhe unë jam shumë i dëshpëruar.

27 qershor – Po vijnë të holla nga të gjitha degët, ndërkohë që afrohet Kuvendi. Vetëm se është fakt se nuk po vijnë aq sa duhet për fondin e shtëpisë së Nolit.

7 korrik – Shumica e delegatëve kanë arritur. Disa prej tyre sollën të holla. Grupi i Nju-Jorkut solli 600 dollarë. Pastaj patëm një mbledhje të komitetit mbasdite. Rreth orës 2 u hap Kuvendi. Kryetar u zgjodh Marko Adams. Biseduam dhe diskutuam deri afër mesnatës. F. Noli erdhi, ose më mirë e sollën rreth orës 10. “Bashkimi” me “Shqipërinë e Lirë” ishte tema kryesore e diskutimit. F. Noli nuk u prononcua. Pothuaj të gjithë delegatët ishin për “Bashkimin”, por nuk dinë si ta arrijnë këtë. Në duart e mia do të kem një betejë të ashpër.

31 korrik – Korriku iku. Qe një muaj shumë i zënë me punë dhe i pakëndshëm. Kryesorët për shkak të një lëvizjeje për bashkim me një organizatë qesharake, e filluar 10 vjet përpara nga K. Çekrezi, gabimisht e quajtur “Shqipëria e Lirë”. Lëvizja që nga kuvendi ka humbur disa momente, por ideja vijon të mbetet. Ajo u fillua nga delegatët shqiptarë ne OKB me synimin për të shkatërruar “Vatrën” dhe për të dobësuar ndikimin e F. Nolit.

8 tetor – F. Noli u thirr sot në “COUNT” lidhur me bëmat e M. Lipës në kishat shqiptare ne Bostonin e Jugut. Por më thanë se Nolit nuk i bënë asnjë pyetje.

1952

13 mars – Peshkopi M. Lipa, agjent grek, po bën zhurmë të madhe. Ai po përdor komunizmin për t’i hutuar dhe frikësuar shqiptarët në këtë vend.

26 mars – Këtë mbasdite F. Noli u nis për në Çikago që të asistojë në shpëtimin e kishës shqiptare nga thonjtë e M. Lipës.

7 prill – Uorçesteri ka hapur një fushatë për shtëpinë e Nolit. Është mbledhur një shumë e konsiderueshme.

10 qershor – Sot mora nga Nju-Jorku 1088 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit.

30 nëntor – Nga dreka shkova në kishën shqiptare ku, mbas shërbesës fetare u bënë festime për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Unë kryesova mbledhjen edhe pse isha lënë jashtë nga banda e “Shqipërisë së Lirë”.

1955

14 shkurt – Nesër peshkop Noli shkon për pushime në Florida.

22 mars – Kalova pothuaj gjithë ditën në shtypshkronjë dhe nuk e di se si do të dalë gazeta. Ishte vetëm një njeri që punonte aty… Peshkop Noli më dërgoi sot një shportë me portokalle dhe qitro. Nuk e di se ç‘ka ndodhur me të!

17 qershor – Sonte kishim për darkë F. Nolin. Ai ka shqetësime me dhëmbët dhe për këtë shkak mund të hajë vetëm supë dhe disa ushqime të tjera të buta. Ai është një personalitet interesant.

1956

25 qershor – Kristo Thana do të jetë kryetari i banketit për F. Nolin. Muhamet Zeqari nga Detroiti do të jetë dollibashi. Një çift i mirë.

17 korrik – U takova shkurt me ‘Mjekrën”. Është shumë i zënë me rregullimin e “Dhiatës se re” në shqip.

3 shtator – Banketi për F. Nolin, për 50 vjetorin e ardhjes në këtë vend shkoi mirë. Morën pjesë rreth 450 të ftuar. Fjalimet ishin të gjata e te mërzitshme. F. Noli mori një shumë te konsiderueshme të hollash.

9 shtator – Pata një ditë shumë të ngarkuar duke u përpjekur të rregulloja llogaritë e banketit të F. Nolit. Është një rrëmujë e madhe. Duhet bërë shumë për te mbajtur çdo gjë në rregull.

22 shtator – F. Noli është interesuar të shkruajë një libër për Ali Pashën nëse “Vatra” do ta sponsorizojë.

12 tetor – “Balli” po më ngre nervat; shumë zhurmë për asgjë; shkruhen fjalë, fjalë, fjalë, asgjë tjetër veç fjalë boshe.

1957

8 maj – Peshkop Noli mbaroi hyrjen për librin e Konicës. Është e mirë.

4 tetor- “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore” arriti sot mbasdite. Duket i bukur. Jemi gati të tronditur… F. Noli, gjithashtu, është i kënaqur me të.

1958

8 maj – Për disa dite F. Noli ka qenë i sëmurë. Ai ka qenë nën kujdesin e dy mjekëve.

26 korrik – Sonte patëm F. Nolin për darkë.

13 nëntor – Punova me “Diellin” e vjetër në shkollën shqipe të së Dielës, qendër ku kemi vendosur koleksione të vjetra. Faqet janë dëmtuar. Unë lexova numrin e parë – 15 shkurt 1909. Më bëri përshtypje politika e “Diellit” për një Shqipëri të pavarur, shkruar hapur nga F. Noli. Kërkesat ndaj Turqisë përfshijnë katër vilajetet e mëdha.

1959

7 shkurt – Sot kishim për darkë F. Nolin. Ai është shumë interesant. Sara e pëlqen pa masë.

20 shkurt -Punova për një thirrje të cilën do ta firmosë F. Noli dhe ne do ta botojmë te “Dielli” si një fushatë për të holla lidhur me përvjetorin e artë (50 vjetorin) të “Diellit”.

16 prill – Mora një shportë me fruta nga Noli, dërguar nga Florida.

Qerim Panariti

NOLI: NJERIU DHE KARAKTERI I TIJ

Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë, Noli kujtoj se profesorit iu bë një padrejtësi dhe një -me-një organizoj një demonstrate të studentëve në favorë të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qershor, sipas zakonit.

Si person Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual.

Le të fillojmë pra, nga disa cilësira elementare. Noli ish person sekretive. Ish e pamundur për të që t’i hapte zëmrën njeriu pa rezervë. Këtë karakteristikë thuhet s’e gëzojnë pothuaj se të gjithë njerëzit e lartë nga mejtimet, që kanë fatin e keq të lindin në një sistem social të mbyllur si Turqia, një sistem i mbytur në errësirë dhe i rrethuar me spiunë dhe intriganë çpifarakë.

Si njeri i ndrojtur dhe suspekt, munt të thuhet se Noli kish me qindra miq, me mijëra admironjës, po s’kish asnjëckë konfidant, domethënë njeri që t’i hapte zëmrën një qint per qint; kurdoherë ish i rezervuar. Për këtë shkak ish e pamundur qe t’i hynte dot njeri në shpirtin dhe ndjenjën e tij.

Në Shqiptarët e Amerikës Noli e kish humbur besimin krejt “Të lenë”, thosh, “si gunën e vjetër.”

Në fshatarët e Shqipërisë kish një dashuri të madhe. Fshatari i thjeshtë, thosh Noli, gëzon akoma besnikërinë primitive kur të kupton që s’ke qellim t’a shfrytëzosh dhe te përfitosh nga ignoranca e tij, kurse Shqiptarin’ e Amerikës e ka korruptuar komercializma dhe beson se s’munt të bësh dot tregëti “me kryq në ballë”.

Noli e shikonte jetën si komedi. Në një rast e pyeta sepse nuk gjen një zëvëndës për të shpëtuar nga andrrallat e përditme? M’u përgjiq shkurtazi: “Ç’e duan peshkopnë këta, kurse s’më degjojne mua, si munt të rrojnë në harmoni me tjetër peshkop?” .

Përgjigje komike, po tepër profetike.

Noli s’ish njeri materialist. Bënte një jetë të thjeshtë. Vishej dhe mbathej paq, po kurdoher thjeshtë. Banoj më tepër se 30 vjet në një apartment të vjetër dhe me mobila mos më keq.

Noli s’ish mikpritës si Faik Konitza. Po të dilnje jashtë me të ish e pamundur që të vinte dorën në xhept. Po t’a vizitonje në shtëpi s’të ofëronte asnjë kupë ujë.

Qëndrimi i Nolit në lidhje më mikpritësinë munt të justifikohet lehtë. Njeriu pothuaj se mbante shtëpinë hapur për vizitorët, miq dhe kundërshtarët. Po t’i priste të gjithë me gostira, duhet të ish miliuner. E vërteta është që Noli më 1940 bëri një jetë miserablile, mezi pikej për të përballur shpenzimet vetiake. Përveç kësaj, vizitorët i merrnin kohën më kot.

Për te shpëtuar nga monotonia e mysafirëve, Noli kish gjetur një formulë unike dhe interesante. Kur vizitorët kalonin masën e “miqësisë”, iu thosh: “M’u tha goja, munt të dalim këtu pranë të lagim gojën me një kafe?” Kur mbaronin kafenë Noli iu linte shëndet dhe kthehej në shtëpi.

Këtë taktikë fillova t’a përdor dhe unë, po s’korra dot sukses. Vizitorët pas kafesë, kthehëshin përsëri në zyrën e “Vatrës” bashkë me mua.

Në një rast pyeta Nolin se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë? M’u përgjigj me katër fjalë: “Me ka zënë shqipia”. Pastaj shtoj:

“Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brendshme, ka nevojë për njërës idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë.”

Noli s’ish egoist hakmarrës. Të lëftonte me mish dhe me shpirt kur cenohej interesi i përgjithmë i çështjes. Nga ana tjetër s’e kish për turp të të shtrëngonte dorën kur fitohej lufta.

Këtë karakteristikë admirable Noli e përdori kur erdhi Mark Lipa n’ Amerikë, më 1950, dhe disa nga shokët e vjetër defektuan dhe u hothne me renegatin. Noli së pari, u dëshpërua, por kur defektonjësit ia pinë lëngun Lipës dhe u kthyen në udhën e mbarë, Noli i priti me enthusiazmë dhe s’ua përmendi kurrë defektimin.

Në një rast pyeta Nolin se si shkonte me Lipistët dhe nëse parashikonte nonjë rrezik prej tyre? Ay m’u përgjigj pa hezituar, “Jo aspak”, dhe shtoj: “Këta janë bashkëluftëtarët tonë, tani që u kthyen në udhën e mbarë, duhet t’u falim gabimin, se të gjithë kemi bërë gabime nga koha në kohë, kështu pra, s’duhet t’i përdorim si kollonialë”.

Noli ish hamës i math, kur gëzonte shëndet dhe plot humor dhe shakara. Që më 1952 e kishim bërë zakon t’a ftonim Nolin për drekë dy herë në vit, në Qërshor dhe në Tetor, kur fillonin dhe kur nisin të mbaronin zarzavatet e baçës sonë. Në fillim hante vetëm zarzavate, po më vonë kur e kërcënuan doktorët se po të mos hante mish, i kish ditët të shkurtëra, filloj me dashje a padashje, të hajë mish.

Herën e fundit që e patmë për drekë ish më 11 Qershor, 1964. Në këtë rast gjellët vetëm i cënoj po s’i hëngri. Kjo na vuri në dyshim se Noli po i shkurtohëshin ditët.

* * *

Diku në fletët e shkruara kemi bërë fjalë se si Noli filloi luftën me Grekët në Edrene kur ish nentëmbëdhjetë vjet djalë, kur gjimnazi i vonoj t’i japë diplomën për shkak se mori anën e një profesori të pushuar nga puna. Që ahere dhe gjer sa mbylli sytë Noli urrente Grekët dhe Grekët urrenin Nolin.

Që posa u dorëzua prif, më 1908, Grekët filluan propagandën dhe anathemat për çkredituar Nolin përpara popullit Shqiptar. Çpifjet dhe kallëzimet kundër tij ishin aqë banale sa dhe primitive. E kallëzonin si anti-kanonik, si “apostate” (femohonjes) dhe klishera të tjera që s’kishin as anë as funt.

Noli i kapërceu të gjitha këto çpifje dhe triumfoj duke shpënë kishën Shqiptare autoqefale në Shqipëri.

S’bëjmë nonjë zbulim të ri po të thomi se Noli ish njeri i shekullit njëzet qe besonte me gjithë shpirt në lirin’ e mejtimit, të bazuar në shkencën dhe në historinë e mejtimeve të lira, dhe si person i tillë, ish e pamundur për të që të besonte në lindje virgjineshas, po nga ana tjatrë, Noli e besonte dhe e adhuronte Krishtin si profetin më të lartë që ka lindur bota përpara dhe pas Krishtit. Ritet Ortodokse i përformonte me dignitet dhe solemnitet, po nuk pranonte supërsticionet e klerikëve hipokritë medievalë që tallën me njerëzinë duke iu premtuar jetë të përtejme. Për Nolin theorira të tilla i kanë rrënjët në kohë të errëta që s’munt të gëlltitëshin dot prej një person me kulturë të gjerë si të Nolit.

Mbanj mënt një ditë pyeta Nolin sepse Krishterimi konsideron Krishtin si “Shpëtimtarin e botës?” Këtë pyetja ua kam bërë shumë klerikëve të dogmave të ndryshme të Krishterimit, po përgjigjen më te sqaruar ma dha Noli.

Mejtimi Nolian në lidhje me Krishtin (i parafrazuar) ish ky: Nga të gjithë profetët e shënuar të botës përpara dhe pas Krishtit, Jisui ësht’ i vetëmi profet që prokllamoj për herën e parë në historin’ e njerëzimit, njësi dhe egalitet në botë. Kjo ish një dekllaratë revolucionare në një kohë kur njerëzit bliheshin dhe shiteshin në pazart si kafshët. Krishti u mundua që të shpartallonte këtë sistem barbar. Për këtë shkak u kryqëzua prej kllasave që shfrytëzonin popullin me anë të fesë.

Pas mejtimit Nolian Krishti ish patriot Israelit që u mundua të çlironjë popullin e tij nga robëria Romane. Krishti inspiroj Nolin që t’i dedikonjë jetën çlirimit të popullit Shqiptar nga robëria Turke dhe Orthodoskët Shqiptarë nga errësira e Patrikanës.

Predikmet e Nolit ishin kurdoherë në baza sociale humanitariane që munt të karakterizohen me predikimet e pashtrëmbëruara të Krishtit. Karshi prallave sipërnaturale Noli munt të karakterizohet si agnostik, domethënë një person që as pohon as mohon ndodhjen mistike të forcave sipërnaturale. Kjo me pak fjalë, ish feja e Fan Stilian Nolit./ KultPlus.com

Fryn moj erë

Poezi nga Fan Noli

Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com

Gjonaj: Një moment i madh feste dhe kujtimi për komunitetin shqiptaro-amerikan

Një rrugë në një prej lagjeve me përqendrimin më të madh të komunitetit shqiptaro-amerikan, Bronx, është emëruar me emrin Fan Noli, përcjell KultPlus.

Për këtë moment të veçantë dhe me rëndësi të madhe për komunitetin shqiptaro-amerikan, ka uruar edhe drejtues i komunitetit shqiptar dhe anëtar i Këshillit Kombëtar të Diasporë, Mark Gjonaj.

“Një moment i madh feste dhe kujtimi për komunitetin shqiptaro-amerikan teksa zbuluam rrugën Fan Noli në seksionin Morris Park të Bronksit, për nder të një lideri, shkrimtari, studiuesi, diplomati dhe themelues i Kishës Ortodokse të Shqipërisë dhe Vatrës, e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës”, ka shkruar Gjonaj në “Facebook”.

Ky aktivitet është organizuar pikërisht nga Mark Gjonaj, dhe nga VATRA, ndërsa përshëndetën një numër drejtuesish të lartë politik të qytetit, ndërmjet të cilëve dhe Senatori Chuck Schumer. /KultPlus.com

‘Njeriu i vërtetë është më interesant se të gjithë heronjtë legjendarë të marrë së bashku’

Fan Noli është nga ato figura jo të zakonshme, që ngaherë të befason jo vetëm me veprën e gjithanshme, por edhe me jetën e tij. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me germa të mëdha dhe si i tillë, shpërfaqet në tërë dimensionet njerëzore, shkruan KultPlus.

Noli dhe thëniet e tij kanë prekur thellë në shpirtin e gjithësecilit, e njëra prej tyre është edhe kjo më poshtë:

“Njeriu i vërtetë është më interesant se të gjithë heronjtë legjendarë të marrë së bashku”. /KultPlus.com

‘Arratisur, syrgjynosur, rraskapitur dhe katosur’

Poezi nga Fan Noli

Anës lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
rraskapitur dhe katosur
po vajtonj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë,
lakuriq dhe i dregosur,
trup e shpirt i sakatosur.

se ç’e shempnë derbederët,
mercenarët dhe bejlerët,
se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
nënë thundrën e përdhunës
anës vjosës, anës bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
sakatosur, çarmatosur,
as i gjall’, as i varrosur,
pres një shenj’ e pres një dritë,
pres me vjet’ e pres me ditë,
se ç’u tera, se ç’u mpaka,
se ç’u çora, se ç’u mplaka,
lark prej vatrës dhe prej punës,
anës rinit, anës tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.

dhe një zë vengon nga lumi,
më buçet, më zgjon nga gjumi,
se mileti po gatitet,
se tirani lebetitet,
se pëlcet, kërcet furtuna,
fryhet vjosa, derdhet buna,
skuqet semani dhe drini,
dridhet beu dhe zengjini,
se pas vdekjes ndriti jeta
dhe kudo gjëmon trumbeta.
ngrehuni dhe bjeruni,
korini dhe shtypini,
katundar’ e punëtorë,
që nga shkodra gjer në vlorë!

ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së.
se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
anës vjosës, anës bunës.

arratisur, syrgjynosur,
raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës elbë-s, anës spree-së./ KultPlus.com

Nonda Bulka për Nolin: Si e zotëroi aq mirë shqipen, kur në Shqipëri qëndroi veç katër vjet?

Nonda Bulka shkrimtari i njohur i viteve 1930, në vitin 1966, në një shkrim te javorja letrare ”Drita”, hedh dritë për disa anë të njohura apo të panjohura të Fan Nolit. Bulka ngre një pyetje më të drejtë: “Ky politikan, prift muzikolog dhe poet, që shkroi poezitë më të bukura, që enden ndër kujtesën e shqiptarëve për vargun e bukur, përktheu kryevepra nga letërsia botërore me një shqipe të pastër, mirëpo si e mësoi kaq mirë gjuhën shqipe kur në Shqipëri ai qëndroi vetëm katër vjet”?

Bulka, me një gjuhë të zgjedhur shkruan: “Poetët e mëdhenj, që me talentin, qartësinë, fantazinë dhe intuitën e tyre pasqyrojnë idetë forcë të epokës se tyre, jetojnë tej moshës; ata kalojnë në përjetësi si Marathonomaku i kohëve të lashta. I tillë ishte Noli. Mendimet e tij nuk mplaken se rinia nuk thinjet kurrë. 85 vjet pas lindjes Noli mbetet për ne i riu viril, entuziast, optimist, nxitës për rrugën e përparimit dhe të dijes, patriot i madh. Kur i dhuroi popullit shqiptar ‘Historinë e Skënderbeut’, këtu e 46 vjet më parë, Noli si historian i thellë dhe skrupuloz, dhe si artist madhor theksoi se populli, dhe në përgjithësi masat e thjeshta, janë faktori kryesor në zhvillimin e historisë dhe të kombit. Ai vë në gojën e Skënderbeut fjalët: ‘Lirinë nuk e solla unë po e gjeta këtu midis jush’. Një qartësi e tillë politike qysh në ato kohë s’mund të jetë e rastit. Fjalës ‘popull’ Noli nuk i jepte një kuptim formal, ai i ndjente dhe i kuptonte thellë fuqinë, mundësitë, zotësinë dhe talentin e masave. Për Nolin e ardhmja ishte gjithmonë më interesante nga e kaluara. Prandaj, mbeti gjithmonë i ri”:

Bulka merret me një fushë ku furishëm Noli shkëlqeu. Noli, me përjashtime të rralla, shkruan shkrimtari Bulka, çdo gjë e shkroi në funksion të një ideje, të një parimi, të një ideologjie.  i e shkroi çdo gjë me tendenciozitet dhe me ndërgjegje të plotë. Edhe përkthimet e Nolit janë tendencioze jo vetëm nga përmbajtja e tyre po edhe në parathëniet, ku ka kujdes të orientojë drejt lexonjësit.

“Adaptimi që i ka bërë Omar Khajamit, për mendimin tim, meriton një paranteze të shkurtër”, shprehet Bulka. “Shpeshherë kritikët tanë dhe të jashtëm kanë shkruar se Noli e ka qanitur, e ka qarë me lot përkthimin e Omar Khajamit. Para çlirimit u bë një përkthim i Omar Khajamit nga persishtja. Përkthimi ishte për faqe të zezë, po qëllimi i përkthënjësit ishte që të na provonte se Noli s’e ka përkthyer Omar Khajamin, veçse ka marre shkas prej tij dhe ka fluturuar vetë si zog i lirë. Këtu, pa dashur, përkthënjesi i ka bërë një nder të madh Nolit, duke na e dhënë gati origjinal. Kështu te ‘Rubairat’ ne hasim shfrymjen e disa ndjenjave, të cilat petku i zi i pensuronte. Po kjo kërkon, një studim të veçantë”.

Noli gjithçka e pa nga prizmin kombëtar dhe patriotik. Kisha autoqefale, më shumë sesa çështje fetare, ishte një problem kombëtar për ato kohë. Shovinizmi grek kish hedhur kthetrat thellë në ortodoksinë shqiptare me anën e kishës. Noli i dha një grusht shovinizmit grek dhe tregoi vitalitetin e gjuhës shqipe. Edhe vjershave me subjekt biblik ai diti t’u japë frymë shoqërore të theksuar: sulm kundër tregtarëve të flamujve, protestë kundra atdhemohonjësve, revoltë kundër padrejtësisë dhe veçanërisht kundër padrejtësisë shoqërore.

“Vargu nolian qëndron gjithmonë pranë të shtypurit dhe e ushqen atë jo me mëshirën kristiane ‘po t’qëlloi armiku me një faqe ktheji tjetrën’, jo me preceptin fetar ‘vuaj në këtë botë, që të shijosh botën tjetër’, po me afshin e ngrohtë revolucionar, ‘Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini’. Vargu i Nolit nuk vjen erë temjan; misticizmi s’del gjëkundi në artin madhor të Nolit në revoltën e popujve, Noli shpesh gjente frymëzim. Idetë e mëdha jetëdhënëse ai i lidhi me fatin e mëmëdheut te xhalavitur nga shushunja e brendshme. Ashtu doli prej penës se tij ‘Anës Lumenjevet’, ‘Marathonomaku’, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e te tjera. Me himnin e flamurit sulmon të gjithë armiqtë e jashtëm te mëmëdheut. Noli pati edhe shumë armiq që s’e tretnin dot. E quajtën dhespot kuqalash, demagog, pa karakter, ateist etj. Po personaliteti i tij u imponua me forcën e idesë dhe të artit. Po të gjithë ata që e denigruan humbën pa nam e nishan. Noli rron. Këtu qëndron madhështia e forcës së mendimit”, shprehej Bulka.

Noli ishte muzikolog. Nonda Bulka e sjell këtë me disa rreshta: “Edhe në muzikologji dhe në oratori Noli dha kontribut te madh. Ai zgjodhi pikërisht temën ‘Bethoveni dhe Revolucioni frëng’. As kjo sish e rastit. Në Lidhjen e Kombeve, kur u dërgua si përfaqësonjës i Shqipërisë, ai foli pa kompromis dhe demaskoi komedinë që lonin të mëdhenjtë mbi kurriz të popujve të vegjël”.

Një problem i pazgjidhur plotësisht ka mbetur, për mendimin tim, çështja se si e mësoi Noli gjuhën shqipe aq mirë duke ndenjur gjatë gjithë jetës se tij vetëm katër vjet në Shqipëri. Studiuesit kanë shfaqur këto mendime: Noli e ka shqipen gjuhën e familjes; ka studiuar Kristoforidhin, veprat e Naimit e te Samiut e të rilindasvet te tjerë. Kështu mundi ta zgjeroje dhe ta thellojë gjuhen shqipe. Këto arsye janë pjesërisht te drejta po nuk mjaftojnë. Duhet parë më thellë kjo çështje kur të bëhen studime më të imta rreth Nolit.

“Ai që shkruan këto radhë po përpiqet te japë një kontribut modest rreth kësaj çështjeje. Një prift nga Leusa e Përmetit qe e kish njohur personalisht Nolin për një kohë të i gjatë, më tha disa vjet më parë: ‘E kam njohur Nolin në ShBA. Ai, kur niste të ngrysej, merrte një fletore dhe një kalem dhe shkonte te familjet shqiptare që banonin aty. Rrinte një copë here me njerëzit e familjes, më tha disa vjet më parë, edhe niste muhabet me ta. I tregonin historira, përralla, ngjarje të ndryshme dhe ky i shënonte në defter. Shpesh e nxiste vetë plakën që të fliste pa kapak. Kjo vazhdoi vite të tëra. Ashtu këmbëkryq me plakat e Shqipërisë që kishin shpurë në dhe të huaj gjuhen e popullit virgjër, Noli thëthinte nektarin te cilin e çkrinte pastaj në art. Këto më ka thënë i ndjeri Kostë Papa Tomorri, autori i librit ‘Barbaritë greke në Shqipëri të Jugut’. Dhe ka të ngjarë të jetë kështu. Është shumë zor të mendohet se Noli, që bëri të flasin shqip Shekspirin, Servantesin, Lonfelloun, Khajamin, Ibsenin, Ibanezin, Poen, të mos këtë patur një durim shumë të madh për një kohë shumë të gjatë që e mësoi shqipen aq mire. Fjalët e rralla dhe shprehjet ai i ka qëmtuar nga goja e popullit. Verbi nolian është bombë, barut, sulm, flakë që zhurit të keqen dhe i ndriçon rrugën së mirës: Rend kudo duke bërtitur … nëpër shekuj faqendritur… Vargu i Nolit përshkohet nga damarë plot gjak të kuq si trëndafiltë më të kuq që çpojnë, trëndafijtë e kopshtevet të Shqipërisë sonë. Ata rrahin me diapazonin e zemrës së madhe dhe të pamposhtur të një populli të vogël po të madh. Nolin e urrenin grekomanët, turkomanët, feudalët, spekulantët, tartufët, dallaveraxhinjtë, pizevengët, lapangjozet, larot, sahanlëpirësit. Dhe kjo e nderonte se Nolin e donte populli për të cilin ç’kriu tërë talentin e tij në 60 vjet luftë”./KultPlus.com

Fan Noli, nxënës i veçantë e i përjetshëm me pesë diploma

Fan Noli është nga ato figura jo të zakonshme, që ngaherë të befason jo vetëm me veprën e gjithanshme, por edhe me jetën e tij. Mbi të gjitha, ai ishte njeri me germa të mëdha dhe si i tillë, shpërfaqet në tërë dimensionet njerëzore.

Kështu, në historinë e kulturës sonë kombëtare, Fan Noli u takon atyre rasteve tepër të rralla, veçanërisht të kohës së tij, që në të katër stinët e jetës mbeti deri në fund nxënës. Nxënës në fëmini e në djalëri, në rini, në moshën e pjekurisë dhe në vitet e pleqërisë.

Një nxënës krejt i veçantë, me një profil të dallueshëm nga të tjerët, me një mençuri natyrale dhe me një etje të pashuar për dituri, gjithë vullnet dhe ambicie, ngaherë i palodhur dhe i pakënaqur, në kërkim të më së mirës, i prirur drejt së vërtetës dhe së drejtës. Këto tipare të staturës, Theofan Mavromati djalosh, do të nisë t’i manifestojë fillimisht në gjimnazin grek të Adrianopojës, ku emri i tij ka mbetur në analet e shkollës dhe kujtimet e bashkëkohësve, si një nga nxënësit e shkëlqyer.

Më pas, për mbi dhjetë vjet, ai do të kryente shkollën e jetës pa u shkëputur nga prirjet e brendshme, nga librat, arti, gjuhët, dijet, deri sa një ditë, kur ishte emigrant në SHBA, do të trokiste në dyert e Universitetit. Kështu, në moshën 30-vjeçare, pasi ishte dorëzuar prift, mbaron studimet në Harvard dhe merr diplomën “Bachelor of Arts”. Jeta e tij vijon më tej në shërbim të kauzës shqiptare dhe kulturës kombëtare, i ngarkuar me detyra historike sa në mërgim dhe në Shqipëri, duke bërë emër të nderuar si gazetar, historian, poet e veçanërisht si shqipërues. Bota shqiptare, ndërkaq, do ta njihte si kalorës të lirisë e të demokracisë, por prapë ai e ndjente veten nxënës. Në moshën 55-vjeçare mbaroi studimet në Konservatorin e Nju Englandit të Bostonit, duke u diplomuar për kompozicion me një varg veprash simfonike që i mungonin muzikës shqiptare. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, një vit më pas, 1938, merr dhe një diplomë tjetër për Muzikologji në Konservatorin e Bostonit me veprën monografike “Bethoveni dhe Revolucioni Francez”.

Në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ndonëse i qe kthyer politikës aktive, sepse ishte vënë në rrezik fati i Shqipërisë, Fan Noli kish mbetur përsëri nxënës, duke mos u ndarë nga studimet. Kësaj here ai u kish hyrë studimeve të shkallës më të lartë, për të marrë një gradë shkencore. Ekziston një dokumentacion i tërë, që i paraprin mbrojtjes së doktoraturës. Ai jep një varg provimesh pasuniversitare nga fusha të ndryshme të historisë, të arteve, të psikologjisë e deri të fizikës, provime me shkrim që ruhen akoma në arkivin e tij. Krahas kësaj pune të madhe nxënëse angazhuar për vite të tëra, është përgatitja e disertacionit, vepra shkencore që do të paraqiste. E pra, ky burrë gjashtëdhjetëvjeçar do të përjetonte si emocionet e nxënësit-student, ashtu edhe logjikën racionale të studiuesit. Më në fund, pas afro shtatë vjet përpjekjesh të mundimshme intelektuale dhe fizike, në vitin 1945, në moshën 63-vjeçare, Fan Noli do të mbronte me sukses në Universitetin e Bostonit studimin e tij monografik me temën “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”. Komisioni shkencor, përbërë nga personalitete të fushës, do ta vlerësonte duke i dhënë gradën shkencore të doktorit në Filozofi. Prej kësaj kohe, ai do të prezantohej në botën shkencore-kulturore Ph.D. Fan S. Noli.

Me këtë gradë të lartë shkencore do të dukej sikur savanti ynë i kish mbyllur përfundimisht mësimet universitare. Dhe vërtet, për afro dy dekada, ai shkruan e boton, veçanërisht në gjuhën angleze, një korpus të tërë veprash teologjike-kishtare prej mijëra faqesh, ku vendin kryesor e zë pa dyshim përkthimi i Dhiatës së Re (1961), botimi i së cilës u vlerësua nga shtypi i specializuar dhe nga qarqet akademike. Kjo mirëpritje e shtyn Nolin të mendojë për një përkthim të mundshëm të Dhiatës së Vjetër. Dëshira ishte aq e madhe, përjetimi i botës biblike ishte aq i thellë, sa ai harron vitet që ka mbi supe, hallet e shëndetit e për më tepër vështirësitë e jashtëzakonshme që paraqiste një ndërmarrje e tillë gjigande. Ishte fjala për një vepër tepër voluminoze (prej 46 librash), e shkruar hebraisht, aramaisht dhe greqisht, me një lëndë komplekse e të thellë, me shtresime qytetërimesh, ku gërshetohej teologjia dhe filozofia, historia dhe letërsia. Me sa dihet, Noli e kuptoi sa pa qenë vonë dhe u tërhoq nga ky projekt, por nuk u dorëzua. Vendosi të përkthejë një nga librat kryesore të Dhiatës së Vjetër dhe pikërisht “Psalmet”, që njihet e çmohet lart për thellësinë e brendisë dhe gjuhën metaforike.

Ç’është e vërteta, psalmet biblike Noli i njihte mirë ngaqë gjatë shërbimit kishtar shumëvjeçar kish pas të bënte me to, pra, qe familjarizuar dhe pjesërisht i kish përvetësuar e kthyer në pjesë të kulturës së tij teologjike. Por a mjaftonte vetëm kjo shkallë njohjeje për t’i hyrë “përkthimit kockë-fortë”, siç e cilësonte ai? S’ka dyshim se për një njeri me staturë të lartë intelektuale, me formim të thellë dhe serioz, me kërkesat dhe përvojën e tij të pasur përkthimi i Psalmeve kërkonte përgatitje paraprake, një njohje të mëtejshme të veprës, sidomos gjuhësisht. Noli vërtet njihte greqishten e vjetër, njihte disi hebraishten, por jo aramaishten, një gjuhë në zhdukje e sipër, që flitej në trevat e lashta Asiro-Babilonase dhe ishte bërë pjesë e Dhiatës së vjetër. Studimi autodidakt i hebraishtes dhe aramaishtes ishte i pamjaftueshëm, ndaj pa humbur kohë vendosi të regjistrohej në Fakultetin e Gjuhëve të Lashta të Lindjes të Harvardit. Ishte viti 1963, kur ai sapo kish mbushur 81 vjeç.

Natyrisht, regjistrimi do të ndiqte një procedurë, së cilës iu nënshtrua dhe studenti plak. Dokumentacionin zyrtar, pas kërkimesh, arritëm ta zbulojmë dhe ta sigurojmë me ndihmën e At Artur Liolinit në arkivin e Fan Nolit, pranë Kishës së Shën Gjergjit në Boston. Është fjala për miratimin që i bën kërkesës së Fan Nolit për të ndjekur Shkollën e lartë teologjike të Harvardit dekani i saj, prof. dr. c. Conrad Wright. Ai, pasi është konsultuar me Departamentin e Dhiatës së Vjetër, i ofron me kënaqësi të veçantë të ndjekë dy klasa menjëherë, hebraisht dhe aramaisht. Dhe këtë e bën dhe “si mirënjohje për punët dhe përkthimet akademike që ka kryer në fushën fetare. Ndërkaq, shton se “Bishop Fan S. Noli figuron edhe në listën si “Visiting Scholar” të shkollës së tyre, pra si studiues i jashtëm.

E gjithë kjo praktikë zyrtare është zhvilluar plot 50 vjet më parë. Pas kësaj, Noli u ul rishtazi në auditorët e Harvardit dhe ndoqi leksionet. Do të qëllonte që bashkatdhetarët ta shihnin Nolin mëngjeseve me libra kur drejtohej për në Kembrixh. Bill Gunari, një vatran i vjetër, që e njoha në Boston në vitet ‘90, do të më tregonte: “E pashë një ditë Hirësinë e Tij tek qëndronte në trotuar para Kishës së Shën Gjergjit dhe unë po kaloja me makinë. Qëndrova, e përshëndeta dhe dallova që mbante në duar metodën “Biblical Aramaic”.

Hirësi, e pyeta, mos doni të shkoni gjëkundi? Po, m’u përgjigj, më ço deri në shkollë. Në shkollë?! U habita unë. Ju tani mësoni të tjerët. Ai qeshi dhe më tregoi se ndiqte një fakultet tjetër. Më tha se të diturit s’ka fund dhe se ai, ashtu si Sokrati, plakej duke mësuar. Kur e hipa në makinë, gjatë rrugës, në bisedë e sipër, mora vesh se studionte dhe mësonte gjuhën aramaike dhe përsëri i çuditur e pyeta: Ç’ju duhet kjo gjuhë tani, Hirësi? Si ç’më duhet?, ma priti, po unë së shpejti do të shkoj te Perëndia dhe dua t’i flas me gjuhën e tij. Në fakt, Noli nuk i tregoi mikut se ç’do të bënte duke mësuar gjuhët biblike. Por të gjithë ata që e njihnin nga afër, e dinin se ai studionte dhe punonte pareshtur. Kështu, krahas ndjekjes së fakultetit të ri, ai përkthente psalmet. Një punë e madhe dhe e vështirë, që ai e kryente me pasion dhe përkushtim. Aq i tërhequr ish pas kësaj pune fisnike, sa atë vit nuk shkoi për pushime si zakonisht në Florida. I kredhur i tëri në botën biblike, poeti dhe eruditi ynë i madh do të përkthente në anglisht “Psalmet”, duke u bërë jehonë në vargje disa të vërtetave universale dhe të përjetshme, për të cilat ai kish medituar një jetë të tërë.

Libri “The psalms” doli në dritë në verën e vitit 1964, me emrin Mitropolit Fan S. Noli PhD., me kushtimin “Kujtimit të dr. Norbert Joklit, profesor i Universitetit të Vjenës, autoritet në studimet e filologjisë shqiptare, mik i ngushtë dhe shkencëtar i madh, që më inkurajoi në përkthimet e mia nga letërsia botërore. Me mirënjohje dhe admirim”.

Ky ishte libri i fundit i Nolit, beteja e fundit e këtij titani të botës shqiptare, që, sa qe gjallë, u ndje ngaherë nxënës. /Dita/ KultPlus.com

Çfarë i kërkonin Fan Nolit për zyrën e pasaportave jashtë vendit

Fillesat e shërbimit konsullor në Shqipëri në vitet 1919-1921 ishin një periudhë shumë e vështirë në procesin shtetformues të Shqipërisë.

Sfidë e qeverive të asaj kohe ishin marrëdhëniet ndërkombëtare pasi nuk mund të njiheshin nga qeveritë e tjera për shkak të mungesës së stabilitetit të brendshëm dhe debatet që vazhdonin te ndërkombëtarët për statusin e shtetit shqiptar, shto këtu dhe pretendimet e fqinjëve për territoret shqiptare.

Shteti shqiptar për të fuqizuar lobimin pranë qeverive të Fuqive të Mëdha për njohjen e qeverisë shqiptare dhe rikonfirmimin e statusit të shtetit shqiptar si shtet i pavarur e sovran, kishin dërguar përfaqësues jozyrtarë në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha si në Londër, Romë, Uashington, ndërsa në Paris këtë funksion e kryente delegacioni shqiptar që ndiqte punimet e Konferencës së Paqes.

Për shkak të pengesave që u dilnin shtetasve shqiptarë me banim jashtë për të udhëtuar, ose për t’u kthyer në atdhe për shkak të mungesës së pasaportave të përshtatshme, lindi nevoja që të kishte përfaqësues të shtetit shqiptar, jo vetëm në vendet me peshë në politikën ndërkombëtare, por edhe në vendet ku banonin shumë shqiptarë.

Që nga pranvera e vitit 1920 filluan të hapen Zyrat legale të Pasaportave, të cilat pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve 9 nëntor 1921, që konfirmoi statusin dhe kufijtë e shtetit shqiptar u kthyen në konsullata e legata. Zyrat e delegacionit shqiptar në Paris filluan të kryenin edhe shërbimet e para konsullore për shqiptarët me banim në Francë.

Shtysë për hapjen e Zyrave të Pasaportave që do pajisnin shqiptarët me një format të njëjtë pasaportë shqiptare për udhëtime jashtë, ishin jo vetëm kërkesat e shumta që vinin nga shqiptarët në botë që kërkonin të udhëtonin në Shqipëri, por edhe rrethana të tjera.

Pasaportat që lëshonin komitetet e kolonive shqiptare në botë nuk njiheshin më nga shtetet e huaja, sidomos pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920.

Nuk njiheshin më gjithashtu pasaportat që nxirreshin nga prefektura të ndryshme në vend për banorët e saj, por kërkohej që ato të lëshoheshin nga autoritetet qendrore në vend.

Me hapjen e këtyre Zyrave, nga pranvera e vitit 1920 deri në fund të vitit 1921, pranë qeverisë shqiptare mbërritën kërkesat e para nga shqiptar me banim jashtë që të emëroheshin si Agjent Konsullor ose i Ngarkuar me Zyrën e Pasaportave shqiptare.

Në një prej letrave dërguar Fan Nolit në gusht të 1920, në dokumentet e botuara nga arkiva online e MEPJ-së Ilia Chapullari shprehet se shumë shqiptarë udhëtarë po presin dita ditës zgjidhjen e çështjes së pasaportave dhe hapje e udhës, duke kërkuar emërimin e agjentëve konsullorë apo të ngarkuar me Zyrën e Pasaportave.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhjetor 1920, pa u konfirmuar akoma statusi i shtetit të pavarur, detyroi shtetin shqiptar të hapte në janar 1921 një zyrë përfaqësuese edhe në Gjenevë ku ndodhej selia e Lidhjes. Eugen Pittardi, nënshtetas zviceran, mik i Shqipërisë, me pëlqimin e Këshillit të Naltë, emërohet Konsull i parë i Përgjithshëm i Nderit i shtetit shqiptar në Gjenevë. Shpenzimet e shtëpisë i paguante shteti shqiptar.

Zyrat e Pasaportave do të funksiononin për të mbrojtur interesat e shtetasve shqiptarë në një periudhë tranzitore, 1919-1921 kur ekzistonte një qeveri shqiptare, por që akoma nuk njihej nga ndërkombëtarët, dhe përbën fillesat e shërbimit konsullor shqiptar./ KultPlus.com

56 vjet nga vdekja e Fan Stilian Nolit

Sot bëhen 56 vjet nga vdekja e Fan Stilian Nolit. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.

Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”, shkruan KP.

Ai u lind më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.

Fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë./ KultPlus.com

Në Bronx Diaspora Shqiptaro Amerikane protestoi për mosemërimin e rrugës “Fan Noli”

Nga Keze Kozeta Zylo

Ditën e shtunë në orën një mbasdite Diaspora Shqiptaro Amerikane u mblodh në Bronx dhe protestoi plot kulturë për t’i vendosur një rrruge në Morris Park të Bronxit emrin e burrit të ndritur të Kombit Shqiptar dhe Amerikan Fan Stelian Noli. Z.Mark Gjonaj “Nderi i Kombit”ish Këshilltat në Bashkinë e Nju Jorkut dhe Ansambleist në shtetin e Nju Jorkut së bashku me Vatrën nën drejtimin e kryetarit të saj z.Elmi Berisha udhëhoqën këtë protestë kundër bllokimit të emërimit të rrugës me emrin e Fan Nolit. Ata akuzuan këshilltaren Marjorie Velazquez e cila ka bllokuar emërimin e rrugës “Fan Noli” rrugë në seksionin Morris Park të Bronxit ku iu bashkuan dhe shumë aktivistë të njohur të komunitetit në protestë. Për gjithë Diasporën Shqiptaro Amerikane emërimi i rrugës me emrin e ndritur të Fan Nolit do të ishte një nga lajmet më të bukura çka do të bënte krenar çdo shqiptar e bir shqiptar në çdo cep të globit sepse është nje vlerësim që i bëhet kontributit të jashtëzakonshëm të Fan Nolit. Po në këtë ditë u bë Kuvendi i Vatrës ku u mbajtën zgjedhjet dhe ishte planifikuar që pas zgjedhjeve të inagurohej kjo ditë e madhe për Kombin. Moderatorja zonjusha Ornela Beshiri e cila e drejtoi me profesionalizëm këtë protestë kritikoi ashpër këshilltaren Velazquez për këtë situatë të nderë që krijoi në komunitetin shqiptaro amerikan në Bronx. Pas Himneve kombëtare të Shqipërisë dhe të Amerikës pastori David Hernquist bekoi protestën nën emrin e Zotit. U mbajt një minutë heshtje si homazh për të rënët në luftë në Ukrainë gjatë pushtimit të Rusisë urdhëruar nga Vladimir Putini. Kryetari ri i rizgjedhur i Vatrës përshëndeti protestuesit dhe tha se ne do të përpiqemi fort deri në emërimin e rrugës së Fan Nolit, pasi ai e ka merituar me kohë dhe do të vazhdojmë protestat derisa të zgjidhet ky ngërç tejet pengues. Fan Noli ishte kryeministër shqiptar dhe themelues i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili dha gjithashtu nje kontribut për shumë vite në SHBA. Sot ne kemi Vatrën e tij prej 110 vitesh dhe vazhdon të jetë krenari kombëtare. Në këtë protestë përshëndetën mjaft politikanë të zgjedhur amerikanë dhe ajo që të bën përshtypje dhe të krijon respekt është se midis tyre Ansambleisti Michael Benedetto gjithmonë është pranë kauzës së çështjes shqiptare. Do të ishte një gjë e shkëlqyer për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan. Nuk e di pse ka një pengesë, tha Benedetto. Në protestë folën dhe kritikuan ashpër si znj. Nathalia Fernadez Ansambleiste e shtetit të Nju Jorkut një mike e madhe e shqiptarëve. Z.Ardhmir Malziu ndihmës këshilltar në Bashkinë e Nju Jorkut gjithashtu moderoi një pjesë të programit gjatë protestës dhe me ovacione u mirëprit Z.Gjonaj shqiptari i parë i zgjedhur në Këshillin e Bashkisë së Nju Jorkut. Ai tha: “Fan Noli është hero. Të hiqet ky moment krenarie kulturore dhe të kapet pas politikës së imët është një shuplakë për të gjithë ne. Ne do të luftojmë si shqiptaro-amerikanë, sepse ne kontribuojnë shumë për qytetin tonë, dhe nuk do të lemë askënd t’i mohojë këto kontribute si të pa rëndësishme. Këtë protestë kundër bllokimit të rrugës me emrin e Fan Nolit e përshëndetën dhe nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit të cilët festuan me madhështi 14 Vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ata përshëndetën me këngën: “Xhamadani vija-vija” drejtuar nga artistja e mirënjohur Valbona Peraj. Ata janë rritur në shkollë me Fan Nolin dhe vargjet lapidar të tij si Mbahu nëno mos ki frike se ke djemtë në Amerikë janë të ngjizura në shpirtin e tyre. Protestuesit dhe gjithë Diaspora Shqiptaro Amerikane shpreson se së shpejti do të bëhet inagurimi i rrugës me emrin e Fan Nolit. Fan Noli nderohet nga Diaspora dhe në Shqipëri si themelues i Federatës Pan Shqiptare “Vatra” kampion i letërsisë, historisë, teologjisë, diplomacisë, gazetarisë, muzikës, bashkimit kombëtar dhe ekumenizmit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në konsolidimin e Shqipes si Gjuhë Kombëtare e Shqipërisë me përkthime të shumta të kryeveprave të letërsisë botërore. Ai gjithashtu shkroi gjerësisht në anglisht: si studiues dhe autor i një sërë botimesh për Skënderbeun, Shekspirin, Bethovenin, tekste fetare dhe përkthime. /KultPlus.com

Nga po na vjen, moj erë e rreptë

Poezi nga Fan Noli

Fryn moj erë

Nga po na vjen, moj erë e rreptë?
Pse vërshëllen me aq mallëngjim?
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë,
për të përhapur zi e vajtim.
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn,
drejt më zëmër, më zëmër time hyn.

-Nga ata male, moj erë trime,
ç’lajme të reja po na ke siell?
Pse je e vrerët dhe e helmuar?
qiellë me zi përse na e mbiell?
Fryn, moj erë, etj.

Pse e ke synë të trubulluar
e rent kaluar mi t’zeza re?
Pse të pikojnë lottë të zeza,
lottë të zeza posi rrëke?
Fryn, moj erë, etj.

Syri m’u err nga ato që pashë
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot.
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar,
rent ta haroj, po rentkam më kot.
Fryn, moj erë, etj.

Atje tek losnja në fush’ të Korçës,
duke u hedhur lis më lis,
një qivur pashë me nj’çup’ të virgjër,
ma vrau shpirtin ay filis.
Fryn, moj erë, etj.

Tokat pushonin, prift nukë dukej,
e pakënduar na u varros;
mihnë dëborën, i bënë varrë,
shpirt nuk më mbeti, forca m’u sos.
Fryn, moj erë, etj.

Atje mi varrë qante një grua,
një grua qyqe me mallëngjim;
burrën të qante më par’a çupën,
për kë të bënte më par’vajtim?
Fryn, moj erë, etj.

Renda e ika e fluturova,
po dhëmbjen time ku do ta fsheh?
Çava oqeane, dete dhe male,
po vajtoj edhe sikundër sheh.
Fryn, moj erë, etj.

-Moj er’e rreptë, erë malsore,
shpirti m’u ndes, zëmra më shkriu;
sytë m’u errë si ty dhe mua,
mëndja në kokë më bubullin.
Fryn, moj erë, etj.

Qëndro të lutem, të kam për t’dhënë
dhe un’i varfri një porosi:
një re të madhe dërgo të zbresë
e ta ngarkojmë me lott’e mi.
Fryn, moj erë, etj.

E kur të kthehesh nga Shqipëria,
Atje në kopshtin, atje t’qëndrosh,
dhe lott’e mia si vesë qjelli
dalë nga dalë do t’i pikosh.
Qaj, moj erë, moj er’e shkretë qaj,
derthmi lottë atje mi varr’e saj./ KultPlus.com