111 vjet nga themelimi i gazetës “Dielli”, editori i parë i saj ishte Fan Noli

Sot është ditëlindja e 111-të e gazetës “Dielli”, të vetmes gazetë që vjen nga koha e Rilindjes Kombëtare, dhe që ende botohet në print SHBA, dhe e përditshme online e rrjetet sociale.

Me 15 Shkurt 1909, 36 ditë pas mbylljes së Gazetës”Kombi”, e cila pushoi së botuari me 10 Janar 1909, nisi të ndriçoi Dielli i  shqiptarëve të Amerikës. Gazeta “Dielli” ishte gazetë e Shoqatës Kombëtare  Besën-Besën, e themeluar me 6 Janar 1907, Shoqatë që drejtohej nga Fan S. Noli-Kryetar, Goni Katundi-nënkryetar, Angelo Stefanson(Katundi)- arkëtar , Nini Fani Katundi- sekretar, ndërsa:John Gjoka,  Mihal Panajot Katundi, Lazo Kozma, Nisi Kozma dhe Lambi Josif, përbënin Komisionin e pleqësisë. Shumë prej bordit drejtues ishin me origjinë nga Katundi. Menaxher i Diellit ishte George Konda Gjoleka (Gjergj Konda).

Editor i parë i Diellit ishte Fan S. Noli (edhe pse emri i tij si editor nuk u shkrua ne faqet e gazetes derisa DIELLI u bë prone e Federatës VATRA)- është se Faik Konica, u lakua për tu emëruar drejtor i Diellit shumë kohë më pas se sa Dielli nisi botimin. Kjo ndodhi në mbledhjen e Shoqatës Besa-Besë të datës 14 Mars 1909, pra një muaj pasi kishte nisë botimi i Dielli, ai mberriti 8 muaj me vone; numri i parë i gazetes i edituar prej tij do të dilte me 22 tetor 1909, pra 8 muaj gazeta doli me Fan S Nolin. Emri i Faik Konicës u publikua në Diellin me numër rendor 30, dhe i takon 22 tetorit 1909. Numerikisht 29 numrat e parë i drejtoi Fan S. Noli. /KultPlus.com

Një ditë në shtëpinë e Fan Nolit, në Boston

Nga Van Christo

Kur qeshë fëmijë, jetoja në Roxbury dhe kujtimet e të dielave në kishën e Shën Gjergjit fillojnë në moshën 7-vjeçare. Nëna ime, Frosina, më kumtoi se do më merrte me vete në meshën e Pashkëve në mesnatë.

Kisha, asokohe, ndodhej në rrugën “Emerald”, në anën jugore të Bostonit. Kur pyeta se pse ime motër, Jolanda, nuk do të vinte me ne, mëma tha vetëm se ajo ishte, përnjëmend, e vogël. Kjo më bëri të ndihem i veçantë, pasi, asohere, besoja se qeshë me të vërtetë i rritur.

Pasi mëma më shtroi për të fjetur rreth orës gjashtë të asaj nate, në një karrige tek koka e shtratit ajo ndehu teshat më të mira; këmishë e kravatë të karfosura si s’ka më mirë, pantallonat e hekurosura teh, dhe këpucë të zeza lustrafine.

Kur u zgjova nga gjumi ime më kërkoi të vishesha, pasi për pak do niseshim për në kishë. Rrallëkush në lagjen tonë kishte makinë, kështu që na u desh të ecnim disa blloqe deri në rrugën “Tremont”, ku ishte stacioni i automobilave. Më kujtohet si sot dora e mëmës tek shtrëngon timen në nxitim e sipër përanash mejhanesh, derisa më në fund arritëm tek stacioni. Pas robtimit të rrugës deri në South End, më në fund, zbritëm pranë rrugës “Emerald ku ndodhej kisha e Shën Gjergjit asokohe, dhe ime më’ më tërhoqi përmes tre a katër blloqesh të tjera derisa arritëm dhe u futëm në ndërtesë nëpërmjet dy palë shkallësh të thikëpërpjeta.

Kur u futëm brenda, teksa mëma siguroi qirinjtë, nuk mund të mos pikasja se të gjithë qëndronin në këmbë, përjashto një radhë stolash të zbrazët në atë anë të kishës ku uleshin të moshuarit. Gjithashtu vrojta se të gjithë ishin pajisur me teshat më të mira. Pashë një prej moshatarëve të lagjes, Naqin, gjithashtu karfosur si për, siç e quanim ne, të dielë, dhe, more, mund të na e shihje në sy hijeshinë e asaj nate! Por shpejt u lodha nga të ndenjurit në këmbë.

***

Megjithëse nuk mund ta shihja mirë një mesalt ishte ulur në diçka që ngjante me një kuti katrore në të dy anët e altarit, ku Fan Noli këndonte meshën në shqip shoqëruar nga dy psalme, teksa ai hynte e dilte në një dhomë të brendshme duke tundur një enë metalike varur në tre zinxhirë prej nga duhmonte temjani erëmirë. Çfarë do të thotë kjo, thashë me vete. Pastaj, për habinë time të mirë, vrojta se një prej koristeve ishte “xhaxha” Llambi Misho, i cili ia “kthente” Fan Nolit me shumë shend.

Më kujtohet tek mendoja se Llambi këndonte me zë shumë më të lartë se koristi tjetër. Mesha dhe kori shpejt u bënë të mërzitshme dhe kthehesha në të dy anët duke kërkuar me sy ndonjë prej bashkëmoshatarëve të tjerë shqiptarë. Herë pas herë, mëma do më shkundte në sup për të më mbajtur të përqendruar në atë që ndodhte përballë meje. Fillova të ankohesha se isha i lodhur nga qëndrimi në të njëjtin vend, por ajo vetëm më shesh-sheshte. Pas një farë kohe gjindja filluan të ndiznin qirinj, gjë e cila më gjallëroi së tepërmi. Ime më’ u përkul për të ndezur qiriun tim, duke me treguar si ta mbaja.

Befasisht, një pjesë e dritave u fikën kështu që shkëlqimi i qirinjve sundoi duke krijuar një atmosferë sipërane, dhe më pas të gjitha dritat u shuan dhe kisha u zhyt në errësirë të plotë duke e lartësuar dridhëritjen e qirinjve. E mbajta frymën për një çast dhe pastaj nduka pallton e sime mëje duke e pyetur se pse u fikën të gjitha dritat. “Pusho”, tha ajo “sepse Krishti është këtu”. Gjithë frikë hodha sytë përreth; në fillim nga kupa e ngrehinës, dhe më pas, ngadalë, gjithë tavanin, e në fund në të gjitha anët. Pas pak e nduka përsëri pallton e mëmës dhe pyeta në pëshpërimën e pëshpërimave “po ku është, nuk e shikoj dot?”

***

Ndërsa studioja në Kolegjin e Arteve Liberale të Universitetin e Bostonit, shoku im më i ngushtë ishte Doug Richardson. U njohëm në shkollë të mesme në Jamaica Plain dhe, shpejt, u bëmë miq të mirë. Në universitet unë studioja anglisht, ndërsa ai qeveriste dhe, si rrjedhojë, gjithmonë jepte pikëpamjet dhe opinionet rreth partive politike bashkë me komentet rreth ngjarjeve botërore. Si student i anglishtes më në korrent me Byron-in, Shelley-n dhe Keats-in nuk isha në gjendje të futesha në diskutime politike me Doug-un, gjë që më jepte ndjesinë e të “jashtmit”.

Por u kujtova se Fan Noli, bishopi i Kishës Ortodokse shqiptare, njëherë e një kohë pat qenë kryeministër i Shqipërisë. Kështu që, meqë njihja një kryeministër të vërtetë, e pyeta Doug-un nëse donte të takohej me Fan Nolin dhe ai u përgjigj se do e konsideronte nder. Asokohe, Fan Noli jetonte në rrugën “Bladgen”, bash prapa Bibliotekës Publike të Bostonit në sheshin “Copley”.

Më kujtohet se unë dhe Doug-u qemë veshur si s’ka më mirë teksa bëheshim gati të takoheshim me ish-kryeministrin e Shqipërisë. Rruga “Blagden” ishte e shkurtër dhe e ngushtë me shtëpi tre katëshe; në katin e dytë të njërës sysh jetonte Fan Noli.

Trokitëm në derë të cilën Fan Noli e hapi vetëm një të çarë, por mjaft sa të shihja se mbante veshur një këmishë të bardhë jakëhapur, një fanellë të gjelbër dalëboje, pantallona të errëta dhe pantofla. Pasi u prezantuam i thashë se isha një i afërm i Llambi Mishos, një prej mesharëve të tij në kishën e Shën Gjergjit.

***

Pas kësaj Fan Noli hapi derën dhe na bëri shenjë të hynim. Banesa e tij ishte e zhveshur dhe e pamobiluar dhe dyshemeja nuk kishte shtroja. Por, gjithkund kishte libra; në rafte, mbi shkrimore, e madje, edhe përtokë. Na bëri me shenjë të uleshim në divan, ndërsa vetë u ul në një karrige përballë nesh. I thashë Fan Nolit se Doug-u studionte Qeverisje në Universitetin e Bostonit dhe ishte i gëzuar që po takonte ish-kryeministrin e Shqipërisë. Doug-u filloi ta pyeste Fan Nolin se në ç’kohë ishte kryeministër, si mbërriti tek zyra e rëndësishme e qeverisë, cilat qenë disa prej arritjeve të tij si kryeministër, dhe pse, tani, ai ishte bishop në Boston.

Fan Noli priti me durim që Doug-u të mbaronte pyetjet dhe pastaj në një zë të qetë na informoi, por gjithnjë duke parë nga miku amerikan, si u bë kryeministër gjatë kohës së mbretit Zog, i cili kishte qenë ministër i Brendshëm dhe, më pas, president i Shqipërisë, përpara se të kurorëzohej. Ai foli gjithashtu rreth asaj që ai kishte shpresuar të realizonte si kryeministër, veçanërisht në reformën agrare, sepse Shqipëria ishte një vend shumë i prapambetur.

Doug-u u impresionua dhe filloi ta pyeste Nolin rreth ngjarjeve botërore, sidomos rreth Kinës, e cila qe një nga lëndët e tij kryesore në kolegj. Fan Noli përçoi me përpikmëri dijenitë e tij rreth Kombeve të Bashkuara, Luftës së Ftohtë dhe, disa prej pozicioneve të mbajtura nga udhëheqës të ndryshëm botërorë përfshirë Chou En Lai-n, të cilin e quajti shumë inteligjent dhe të afrueshëm.

Unë isha shumë i impresionuar me anglishten e Fan Nolit dhe mënyrën me të cilën ai argumentoi të dyja anët e një pozicioni politik të asokohe. Zëri i tij gradualisht u bë më i fortë dhe shpirtëror teksa zhytej thellë në analizat e pozicionit politik para të cilit gjendej. Ishte një pasdite stimuluese. Takimi me Fan Nolin zgjati rreth 2 orë dhe, teksa po bëheshim gati për të ikur, u ndjeva krenar dhe i përkëdhelur kur ai ngrohtësisht na ftoi ta vizitonim përsëri.

*Van Christo, një veprimtar i shquar i komunitetit shqiptaro-amerikan ndërroi jetë, në moshën 92-vjeçare, në 21 janar 2020. Shkrimi ribotohet për nder të autorit. Nga Gazeta Illyria / KultPlus.com

Fan Noli: Këtu qeni s’njeh të zotin

Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund t’i kuptosh drejtë, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale. Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.

Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:

“Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve.

Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën.

Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…”

(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924 por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)

A të duhen luftëtarë, gjithë botës t’i vësh zjarrë, do armiku arratinë të marrë, merr nja dhjetë Kosovarë!

Sot për nder të 138 vjetorit të lindjes së shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, KultPlus ju sjell njërën nga poezitë më të fuqishme të tij.

Poezi nga Fan Noli

A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë ?
Do arratinë të marrë ?

Merr nja dhjetë Kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,

keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende ?
Burra e gra kërcejn’ në lodër ?

Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë ?

Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit ?

Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të parë

në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë ?

E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë ?

Ec’ e merr Gjirokastrinë !

Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret ?
Pastërti e për hyzmet ?

Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë ?

I ke n’ Kukës, i ke me dorë !

Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,

Janë të gjithë për xhandarë !

A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,

Për tre Mirditor’ bëj benë !

Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,

Vetëm të zgjatësh një dorë !

Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,

Kok’ e këmbë s’kanë të sharë !

Hall i math me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,

Se na duhen dhe pa tru !

A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë ?
Me taban ta kesh njerezinë,

Merr të gjithë Labërinë !

Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,

Kësaj gjëje i venë kapak !

A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?

Ke sa të duash Tropojanë !

Fan Noli 1926. / KultPlus.com

138 vjetori i lindjes së Nolit

Më 6 janar 1882, u lind shkrimtari Fan Stilian Noli, me emrin Theofanes Stylianos Mavromatis në fshatin İbriktepe, në Trakinë Lindore.

Më 1901 u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë në kryeqytetin grek. Më tej, meqë kishte prirje për aktor, punoi si kopist, sufler e aktor me një trupë teatri me të cilën u end nëpër Greqi për gati dy vjet.

Pastaj, më 1903 shkoi në Egjipt, ku gjeti punë si mësues i greqishtes dhe po atë vit përktheu në greqisht traktatin e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”.

Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli drejtoi organin The Adriatic Review (Revista e Adriatikut) gjashtë muajt e parë të saj, të cilën e botonte si shtojcë “Dielli” i Vatrës.

Vepra e parë e Nolit është drama “Isreilitë e Filistinë”, e botuar në Boston 1907. Kjo dramë qe shkruar qysh më 1902, bazuar në historinë e Samsonit dhe Dalilës në Dhjatën e Vjetër. Duke ndjerë nevojën e besimtarëve për të mbajtur meshë në shqip, ai përktheu ritualet dhe liturgjinë ortodokse në dy vëllime “Librë e shërbesave të shënta të kishës orthodoxe” dhe “Libre é te krémtevé te medha te kishes ortodokse”.

Më 1921 u botua vepra “Historia e Skënderbeut (Gjerq Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468”. Kurse më 1947 botoi përpunimin që i bëri George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), pastaj atë “Bethoveni dhe Revolucioni francez”. Vëllimi me vjersha Albumi u botua më 1948. Brenda viteve 1961-1963 botoi dy vjershat e fundit origjinale dhe disa shqipërime vjershash të poetëve të njohur.

Kontributi më i gjerë i Nolit qe në fakt ai i stilistit, siç shihet në përkthimet e tij. Bashkë me Faik Konicën mund të vlerësohet si ndër stilistët më të mëdhenj të dialektit Toskë. Noli përktheu autorë amerikanë e evropianë të shek. XIX. Ai vdiq në Fort Lauderdale, më 13 mars 1965, ndërkaq u varros në Forest Hills Cemetery, të Bostonit.

Në një postim të tij në rrjetin social “Facebook”, kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka përkujtuar eruditin shqiptar.

“Fan Noli nuk ishte vetëm burrë shteti, prift e dijetar. Ai ishte ideolog kombëtar e strateg, vepra kolosale e të cilit u bë udhërrëfyese për të gjithë shqiptarët. Në 138 vjetorin e lindjes së tij, këshillat e idetë e tij, janë më aktuale se kurrë”, ka shkruar Haradinaj.

Pjesë nga fjalimi i Nolit në Lidhjen e Kombeve, në Asamblenë e Pestë të Lidhjes, më 10 shtator 1924

Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” Ç’kemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëlmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve. Është e vërtetë që Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.

Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut.

Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë?

Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetësh? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.

Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet.

Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të racës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim./KultPlus.com

“O Flamur gjak, o flamur shkabë, o vënd e vatr’ o nën’ e babë”

Hymni i Flamurit

Poezi nga Fan Noli.

O Flamur gjak, o flamur shkabë,
O vënd e vatr’ o nën’ e babë,
Lagur me lot, djegur me flagë,
Flamur i kuq, flamur i zi.

Fortesë shkëmbi tmerr tirani,
S’të trëmp Romani, as Venecjani,
As Sërp Dushani, as Turk Sulltani,
Flamur i math për Vegjëli

Flamur që lint Shën Kostandinin,
Pajton Islamn’ e Krishtërimin,
Çpall midis feve vllazërimin,
Flamur bujar për Njerëzi.

Me Skënderben’ u-lavdërove
Dhe në furtun’ i funtmi u-shove,
Me Malon prapë lart vrapove,
Yll i pavdekur për Liri.

Sa shpesh pastaj për-dhe u-shtrive
Me zjarr e zi u-ndeze u-nxive,
Po çdo mizor me shpat’ e grive,
O fushë-kuq, o shkabë-zi.

Përpjetë pri-e Shqipërinë,
Përlintj’a shpirtin dhe fuqinë,
Diell për vllanë, yrnek për fqinë
Për botën ëndr’ e qjell i ri.

Letra e Fan Nolit për Enver Hoxhën

Zoti Kryeministër,

Kolloneli Tuk Jakova, në lamtumirën që botoi në Diellin, 18 shtator, të mbyllur këtu Brenda, më hapi luftën me disa akuzata dhe insituata të shëmtuara. Nuk mund t’i përgjigjem botërisht tani për tani, se nuk dua të embararasoj guvernënnë këtë kohë kritike as tërthorazi, duke goditur delegatin e saj. Do të flas pasi të shkonjë kriza. Sa për tani, nuk më mbetet veçse t’ju qahem juve, që na  derguat këtë kërcu të pagdhendur.

Për të nisur, Kolloneli nuk di shqip, as gegërisht as toskërisht; Në çdo dialekt që i flinsja ay nuk me merrte vesh nga shaku që është një budalla pa kulturë. Kurrë në jetën time nuk jam dëshpëruar aq sa kur pashë këtë njeri si përfaqësonjës të Shqipërisë së Re. Me gjithë këtë, posa arriu në New York, i blatova ndihmën time, dijen time, dhe eksperiencën time pa kondita, pa rezeva, dhe pa pritur as ndonjë çperblim, as ndonjë memuriet. Po ay më shikonte shtrembër me mosbesim instiktif të barabarit kundrejt njeriut të mësuar. Flas vetëm për Kollonelin, se delegatët e tjerë ishin aq të dominuar prej tij sa ay as i përfillte fare. Në mbledhjen e parë biseduam mi konferencat, që do të bënin nëpër kolonitë shqiptare.

Më polli shpirti gjersa shtruam një program, të cilin pastaj Kolloneli e ndronte dhe e sakatonte, dyke dëgjuar mëndjet të atyre që u kishte besim, çiliminjve që i njihte si vëllezër nga mentaliteti.

Konferencat van mjaft mirë sa kohë ishte këtu  z. Behar Shtylla po kur ky shkoi në Paris pushuan menjëherë. Duket qe Kolloneli nuk i shijonte aspak. Pas konferencave u hothmë në veprimin diplomatik. E këshillova Kollonelin të kërkonte menjëherë një pjekje nga Sekretari i Përgjithshëm z. Trygve Lie. Ia gatita udhën me anën e profesorit Laugier, një zyrtari të lartë të UNO- së, i cili është Ndihmës Sekretar për Punët Shoqerore dhe Ekomomike. Po Kolloneli e shikonte me dyshim çdo çap që i këshillonja. Kujtonte se unë i vinja ndonjë grackë. Mezi Pranoi dhe e bëri kabull ta shikonte Profesorin.

Ky mirëpriti delegatët dhe ua regulloi pjekjen me Trygve Lie-në. Bashkëfjalimi u zvarris pak  minuta me dy dragomanë. Kolloneli fliste shqip, Behari ia kthente frëngjisht, edhe një dragoman i Sekretariatit ia kthente Trygve Liesë inglisht, meqenë që ky nuk dinte as frëngjisht as shqip. Nga ky muhabet me dy tërxhumane, Kolloneli hoqi konkluzjen groteske, që hyrja e Shqipërisë në UNO ishte punë e mbaruar, telegrafoi në Tiranë, dhe e vuri guvernën në gjumë me lajmën e nje triumfi imagjinar.

Unë isha në prakun e derës së tij, gati qe t’i shërbenja si dragoman, po nuk më thirri, se nuk kishte besim. Bëri vetëm një përjashtim, kur më mori si përkthonjës në pjesën me delegatin Amerikan. Për çudi, nuk i kishte besim as Alqit, edhe i vazhdoi bashkëfjalimet me anë dy dragomanësh edhe në disa raste të tjera. Lajmën që Kolloneli e kishte vënë guvernë në gjumë me fjale e bukura të Trygve Liesë e mësova disa javë pas ngjarjes, se Kolloneli nuk m’i tregonte sekretet diplomatike. I çfaqa dyshimin që  fjalët e ëmbla dipllomatike nuk duhen marrë si senet, po ay veshin shurdhër. Që në pjekjen e parë e këshillova të shkonte në Washington dhe të hynte në kontakt me Departamentin e Shtetit edhe me Kryqin e Kuq Amerikan. Nuk më dëgjoi. I la këto vizita kryesore për ditën e funtme të gushtit, dy muaj më vonë.

Kur mori pyetjet nga Komisioni i Anëtarësisë, Kolloneli më bëri favorin të më pranojë si dragoman, dhe kështu e ndihmova në formulimin e përgjigjeve dhe të memorandëve, të cilat më kanë mbajtur pa gjumë disa netë. Ditën Kolloneli m’i ndreqte, dyke insistuar jo vetëm në esencën, po edhe në retorikën e kulluar. Kur ardhi çështja e trakteve, e këshillova të pyeste guvernën përpara se të përgjigjej me argumentin e vjetërsuar të vendimeve të Përmetit, të cilave u kishte shkuar koha, pasi u shtrua projekt teksti paqes me Italinë prej Këshillës së Ministrave të Jashtëm në Paris. Kolloneli refuzoi t’ju pyeste, pse pretendonte që jua dinte mejtimin. U çudit kur mësoi më vonë që ju e kishit rikonsideruar çështjen dhe i kishit pranuar traktatet multilaterale pa kondita.

Në funt të gushtit Kolloneli shkoi në Washington dhe kur u kthye në New York, më siguroi se rilidhja e marrëdhënieve midis Kryqit të Kuq Amerikan dhe Kryqit të Shqiptar ishte punë e mbaruar. Siç u muar  vesh pastaj, Kolloneli u bë prapë viktima e naivitetit dhe e padijes së gjuhës. Puna jo vetëm nuk ishte ndrequr, po ishte prishur fare.

Tani Kryqi i Kuq Amerikan, sipas fjalës, i lidhi ndihmat e mbledhura këtu dhe nuk i la të shkojnë në shqipëri. Sa për çështjen e bashkimit, ju lutem të këndoni një komunikatë që botoi Vatra në Diellin, më datë 25 shtator, të mbyllur këtu brënda. Nga kjo do të merrni vesh qe Vatra ka bërë një propozim për tretjen e plotë të dy organizatave, dhe nuk ka marrë ndonjë përgjigje  nga Shqipëria e Lirë. Këtë gjë di fare mirë Kolloneli po nuk e përmendi në Lamtumirën. 

Veç kësaj, ky propozim i Vatrës është akoma i hapur, dhe negociatat nuk jane prerë. Përse ahere Kolloneli i deklaroi lu, ftë Vatrës edhe mua pa pritur përfundimin e këtyre bisedimeve. Më në funt, rolli i nërmjetarit është t’i pajtojnë të dy anët jo ta përkrahë njërën anë dhe t’i deklarojnë lu, ftën anës tjetër, siç bëri Kolloneli.

Tani vinj në konkluzjen: Nga budallallëkët e Kollonelit nuk do ta ndyshoj qëndrimin tim përpara Shqipërisë dhe guvernës suaj në theori. Po në praktikë puna ndryshon. Në doni  bashkëpunimin tim, duhet të dërgoni një njeri, i cili të më ketë besim dhe i cili të dijë të paktën  shqip që të merremi vesh. Sa për të huajt, duhet të dijë të paktën inglisht, meqenëqë këtej nuk shkon shumë frëngjishtja. Nga ana tjetër nuk duhet të më impononi zevzekë të këtushëm si bashkëpunëtorë, të cilët ju nuk mund t’i njihni.

Dy fjalë për marëdhëniet me Amerikën, të cilat janë kyçi i problemeve tuaj këtu. U  lodha dyke ju përsëritur që duhet t’i pranoni traktatet në  parim pa  kondita, se fundi i fundit kjo nuk është vetëm  një çështje formulle pa rëndësi praktike.  Pasi të lithni marëdhënënje diplomatike me Amerikën, ahere çështja e Kryqit të Kuq Amerikan do të zgjidhet vetetiu me pak durim, dhe vetem ahere do të hapet udha për te nisur një fushatë serioze. Një fjalë për të mbaruar.

Kolloneli kur më hapi lu, ftën, nofta kishte harruar që ishte delegat i Shqipërisë. Po milei kujtojnë që ay flet në emrin e guvernës. Tani, në qoftësë nuk jinni në një mendje me Kollonelin, duhet ta këshilloni t’i marrë prapë që më ka bërë. Në mos i marrtë prapë, do të jem i shtrënguar të konkludonj që guverna e aprovon lu, ftën që më deklaroi Kolloneli. Ashtu e do llogjika për fat të keq. Dhe ahere bashkëpunimi ynë merr funt në praktikë.

Kam shpresë që episodi i Kollonelit është vetëm makthi i një nate të keqe, dhe që kurrë nuk kini patur qëllim t’u bini me shkelmë miqve tuaj.

Me të fala vëllazërore,

Juaji me besë

Peshkop F.S.Noli

26 Blagden Street

Boston, 16 mass

30 shtator 1946. /KultPlus.com

Fjalimi i Fan Nolit në Asamblenë e Lidhjes së Kombeve

Kam frikë se më i nxehti paqedashës, po t’i hedhë një sy veprës së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve, do t’i ngrejë duart drejt qiellit nga dëshpërimi dhe do të bërtasë : “ Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen!” ǒkemi bërë për paqen? Çfarë bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjet të shkuar pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, mbyllur fort, varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentëllmen, që është Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes së Kombeve.

Është e vërtetë që Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen në përgjithësi dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.

Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lërë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut.

Por, ju lutem, zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i jepni Shqipërisë një hua që do t’i lejonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milion fr. ar. Apo më shumë?

Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste prej 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, p.sh., për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe, pra, nuk jeni i predispozuar të më jepni asnjë dhjetësh? Atëherë merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni nën akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri.

Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet.

Po a e dini ju se ç’është parlamenti? Pa dyshim e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj për të. E, pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë pa shpirt për të bërë prova operate (vivisectionner) në trupin e gjallë të rracës së tyre, një sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura dhe gjithë gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund gjithë luftërave e për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim.

Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë plagë, atë fatkeqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, z. Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ar., për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeni prapë “Jo”. E dija.

Mirë, pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe se sa të bëjmë këtë. Them “më duket” – I guess – sepse dua që ju të gjithë të dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është i mbushur me O’ Connors, O’ Connells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër gjithë barrën e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqsuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen.

Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fort dëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë, punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, z. Kryetar, pse nuk i jepni fund këtyre llomotitjeve dhe pse nuk më jepni atë hua prej 500 milionësh fr.ar., që më premtuat para se ta merrja fjalën?

Dhe tani që iu përgjigja pyetjes së parë: “ǒka bërë Lidhja e Kombeve këta 5 vjetët e fundit?” , më lejoni të vij te pyetja e dytë dhe e fundit: “ǒtë bëjmë ne tani në këtë Asamble?” Përgjigja është shumë e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: “Fjalë, fjalë, fjalë” , dmth erë e asgjë më tepër. “Është një përrallë e dhënë prej një idioti plot me bujë e tërbim, pa kurrfarë kuptimi.

Cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit?

Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti, dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’i dërgojë një raport konferencës.

Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve Këshilli, nga ana e tij, do t’ia kalojë këtë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell. Dhe kur këto çështje të kenë bërë këtë cikël poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundëraportesh dhe mendimesh konsultative, atëherë do t’i dërgohen së fundi Sekretarit të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi.

Dhe kjo do të thotë, natyrisht, se e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë flluskat e sapunit. Por ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do të shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua “me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që helmojnë ajrin ku marr frymë.” Por ja, përse jua drejtova fjalën sot.

Dhe meqënëse po flasim për flluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me flluskën më kolosale që ka nxjerrë historia moderne, dua të them për planin Daues (Daëes). Por a është vërtet një flluskë? Jo, është një kombinacion flluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal.

Nuk është një flluskë ordinere, është një supërflluskë. Por është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo fatalisht si të gjitha flluskat e vogla që ne lëshojmë këtu.

Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpresidenti autorit të saj të shquar; por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda raparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vërtet t’i marrin. Nuk është aspak qëllimi im që t’i mërzis, por ky është fati. Kjo superflluskë e gjeneralit Daues do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes së Kombeve.

I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni, ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se z. Daues është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë , megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë përpjekjeve të kontrabandistëve.

Duke folur për flluska, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionësh, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashur Sekretar i Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një flluskë paqeje, një flluskë paqeje fort konsistente.

Por jo, nuk është aspak një flluskë; ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike; por ia vlen të flitet për të? Z. Sekretar i Përgjithshëm, merreni dhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futeni në nekropolin tuaj.
Pasi iu përgjigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera.

Para së gjithash në dritën e fakteve që u përmendën, a e vlen barra qiranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në rast se e vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqja universale?
Pyetjes së parë do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese.

Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bën skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndroj aty si një ideal që interpreton aspiratat më fisnike të njerëzimit, ajo duhet të qëndroj aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste.

Ajo duhet të qëndroj aty si një pohim solemn i vullnetit universal për paqen, ajo duhet të qëndroj aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i saj, nevoja e domosdoshme e qenies së saj të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë të metat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë:

“Verweile doch, Du bist so schon!”
( “Oh, megjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”! )
Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e flluskave e superflluskave, që po na mbulojnë. Dhe pikërisht sepse popujt duan paqe, burrat e shtetit, politikanët u servirin atyre kohë pas kohe flluska arbitrazhi, flluska çarmatimi, flluska sigurimi dhe superflluska raparacionesh.

Por paqja nuk do të vijë prej traktateve; këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krim sa edhe vrasjet me pakicë.

Duhet t’u mësojmë se ka vetëm një perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjithë tributë. Duhet t’u mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supershtetit që do të përmbledhë të gjitha tributë, të bëhen qytetar fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri. Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i paraprijë çarmatimit material, do të kemi gjithashtu bashkpunimin e vërtetë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes.

Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë se jemi të gjithë tribu të egra, derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë. Oh, vritini, varini, ndiqini, në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr!

Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lot të tjerë.

Përpara, o shokët e mi! Flamuri i Lidhjes së Kombeve shtë më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përparimit të njerëzimit. Shpirti i Uillsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheq. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajën tuaj deri në pikën e fundit mundimet nuk do t’ju venë kot. / KultPlus.com

A të duhen luftëtarë, gjithë botës t’i vësh zjarrë, do arratinë të marrë, merr nja dhjetë Kosovarë!

Poezi nga Fan Noli

A të duhen luftëtarë,
Gjithë botës t’i vësh zjarrë ?
Do arratinë të marrë ?

Merr nja dhjetë Kosovarë!

Njerez të zgjuar me lezet
që i gjen në ç’do anë,
të bëjnë hallv’ e salep,

keta janë mjeshtrit Dibranë.

A do njerëz për ahengje,
Për tryez’ e për kuvende ?
Burra e gra kërcejn’ në lodër ?

Keta i gjen veç në Shkodër!

A të duhen gënjeshtarë,
matrapaz’ e kokëtharë,
që rërën shesin për farë ?

Merr Krutanë dhe je i larë!

Po qefli a të duhen
që me jevga din’ e kruhen,
Zonja që pjellin çdo vit ?

Vetëm Elbasani rrit.

Do ministra Kolonjarë,
se mbahen burra me mënd,
duan kudo të jenë të parë

në mexhlis’ e në kuvend !

Do budallenjë që veç hanë,
e hajvanë me dy këmbë,
pasuri s’dinë të vënë ?

E ke gjithë Myzeqenë!

A do te rruash florinë,
katandinë e shtëpinë,
me dy qofte mbush sininë ?

Ec’ e merr Gjirokastrinë !

Do të hash e të besh qejf,
Sofra shtruar si për mbret ?
Pastërti e për hyzmet ?

Të tillë gjen në Përmet

A do male me dëborë,
Trima t’ fortë e malësorë,
fort bujar’ e burrërorë ?

I ke n’ Kukës, i ke me dorë !

Matjanët burra të zotë,
që dikur kanë ngrenë barot,
se i njeh gjith’ vendi mbarë,

Janë të gjithë për xhandarë !

A do trima e sejmenë,
kapardisur kudo venë,
pa zëre gjumi mos flenë,

Për tre Mirditor’ bëj benë !

Do dembela për Stamboll’,
Mos u loth, t’ gjezdiç dynjanë,
Më Tiranë rresht’ taborrë,

Vetëm të zgjatësh një dorë !

Do për punë një Korçar,
E ke bujk dhe ushtar,
Te gjith’ bashkë venë në arë,

Kok’ e këmbë s’kanë të sharë !

Hall i math me Skraparlinë,
ka rrezik të hash dhe dru,
Dy ministra le rrinë,

Se na duhen dhe pa tru !

A do urt’ njerzit të rrinë,
Në komandë të kesh ushtrinë ?
Me taban ta kesh njerezinë,

Merr të gjithë Labërinë !

Ore të gjorë harruam Vlorën,
se kjo punë lahet me gjak;
Dy shirita, një medalje,

Kësaj gjëje i venë kapak !

A të duhen sharlatanë,
që të lëpihen në ç’do anë,
që të përçajnë vatanë?

Ke sa të duash Tropojanë !

Fan Noli 1926

KultPlus.com

Më 10 shtator 1922 u bë shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli

Më 10 shtator 1922 u realizua shpallja e Autoqefalisë së Kishës Ortodokse Shqiptare nga Fan Noli dhe klerikët ortodoksë shqiptarë në Kongresin kishtar të Beratit, një nga ngjarjet madhore të Kombit.

Ky kongres plotësoi aspiratat e ortodoksëve shqiptar, sepse vendosi përfundimisht pavarësinë e Kishës Ortodokse Shqiptare, të drejtën e zgjedhjes së Kryepeshkopit dhe të klerikëve të lartë me gjuhë e gjak shqiptari dhe përdorimin e gjuhës shqipe në kishë.

Me vendimin Nr. 807 të datës 18. 09. 1922 Këshilli i Ministrave bëri njohjen zyrtare shtetërore të vendimeve të Kongresit të Beratit dhe i miratoi ato plotësisht, sepse ishin mbështetur në parimin e pavarësisë. /KultPlus.com

Syrgjyn Vdekur

Fan Noli

Nëno moj, mbaj zi për vllanë, 
Me tre plumba na i ranë, 
Na e vran’ e na e shanë, 
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin, 
Se të qante kur të qeshnin, 
Se të veshte kur të çveshnin, 
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin, 
Larot t’a përmbysnë djalin 
Që me Ismail Qemalin 
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë 
Ku të dha liri, kurorë, 
Shpirt i bardhë si dëborë; 
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur 
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur, 
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur, 
Ky Vigan Liberator.

Kur Fan S. Noli nuk pranoi të quhej turk në SHBA

Arkivat kanë nxjerrë së fundmi patriotizmin që aq shumë e donte Fan Noli. Në disa dokumenta të publikuara në Facebook, eksperti i krimeve të rënda, Gjon Junçaj vë në dukje se Noli dikur, në vitin 1911 nuk ka pranuar të quhej turk.

Junçaj thekson më tej se siç paraqitet në fotot e publikuara, shkrimtari mjaftë i dashur për shqiptarët ka korrigjuar gjithashtu edhe dokumentat e paraqitura nga oficeri, teksa Noli po vizitonte Amerikën.

“Nga arkivat e SHBA-ve, ardhja e regjistruar e Fan Nolit për një vizitë me datë 15.12.1911, Noli është regjistruar me këto detaje: 32 vjeç, 165 cm i gjatë, profesion- kerik, duke vizituar Faik bey Konitza në Boston.

Kombësia? – Turkey, ku fotoja tregon se Noli e korrigjon dhe thotë “Albania”./ Fax.al/ KultPlus.com

4 Anarkitë e Shqipërisë sipas Fan Nolit

ANARKIA SOCIALE: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku.

ANARKIA MORALE: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

ANARKIA PATRIOTIKE: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor.

ANARKIA e IDEALEVE: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim.

Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore ekspozon“kornin englez” të Fan Nolit

Dorëshkrimi i Hilë Mosit, ‘korni englez’ i Fan Nolit, violina të Heronjve të Popullit, Qemal Stafa dhe Ylbere Bylykbashi. Këto janë vetëm disa prej objekteve origjinale nga fondi i Muzeut Historik Kombëtar që shfaqen në hollin e tij.


“Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore” titullohej ekspozita e çelur dje në Muzeun Historik Kombëtar. Ajo u çel në kuadër të 21 qershorit, “Ditës Botërore të Muzikës”. Ministria e Kulturës ka shpallur muajin qershor si “Muajin e Muzikës”, duke organizuar një sërë aktivitetesh gjatë gjithë këtij muaji. Ekspozita vjen mbështetje të projekteve dedikuar kësaj ngjarjeje, Muzeu Historik Kombëtar çel për publikun ekspozitën me titull “Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore”.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh për këtë ekspozitë se, “Midis tipologjive kryesore të trashëgimisë shpirtërore shqiptare përfshihen këngët dhe vallet, meloditë dhe ritet e ndryshme, proza dhe poezia popullore, shfaqjet dhe lojërat popullore, si dhe instrumentet e nevojshme për shoqërimin e tyre”. Sipas tij, lidhur me instrumentet popullore duhet thënë se ka lloje të ndryshme që përfshihen në instrumentet idiofone, membranofone dhe kordeofone. Pjesa më e madhe e objekteve të përfshira në ekspozitë janë veglat kordeofone, ku hyjnë ato vegla, të cilat nxjerrin tinguj nga vibracionet e kordave. Ndër to mund të përmendim çiftelitë, lahutat etj. Në ekspozitën e çelur, publiku do të gjejë vegla frymore (membranofone) si fyelli, cylja, zymare etj. “Nuk mund të mungojë gjinia e veglave idiofone, ku hyjnë mjetet kumbuese që nxjerin tinguj nga vibracionet e trupit të tyre të ngurtë nëpërmjet tundjes”,-tha ai.

FB_IMG_1561733469821
FB_IMG_1561733469821
FB_IMG_1561733474809
FB_IMG_1561733477125
FB_IMG_1561733480225
FB_IMG_1561733482791
FB_IMG_1561733495919

<►>

Ndërsa akademiku dhe muzikologu i njohur Vasil Tole theksoi se: “Ndjej një kënaqësi të veçantë që marr pjesë në këtë ekspozitë të një rëndësie të veçantë. Ju ftoj të gjithëve që ta konsideroni këtë event si një pjesë të pasurisë humane të popullit tonë. Të huajt, gjithnjë e kanë pasqyruar shqiptarin tradicional të veshur me kostum popullor dhe me një armë në brez, por në të vërtetë përveç armës, traditë për shqiptarin ka qenë edhe vegla muzikore”. Tole vërejti se instrumenti kishte një peshë të madhe në traditën popullore. Mjeshtëria e veglave tradicionale po shkon drejt zhdukjes, ndaj kjo ekspozitë duhet të na ndërgjegjësojë së tepërmi në mbajtjen gjallë të kësaj tradite popullore”. Korni anglez, i cili ekspozohet ka një domethënie të veçantë historik sipas Toles. Ndërkohë që violina e Qemal Stafës është një objekt tjetër i rëndësishëm, ku është e lidhur sipas muzikologut me formimin e politikanëve në vitet ’30.

Ekspozita “Trashëgimia shpirtërore përmes instrumentave muzikorë” vjen në kuadër të muajit të muzikës.
Ekspozita u çel me qëllimin e ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë shpirtërore të krijuar nga shqiptarët ndër shekuj. Këto vlera, unike dhe të shumëllojshme për nga mënyra e krijimit, përçimit dhe realizimit të tyre, përbëjnë një nga shtyllat e identitetit kulturor të shqiptarëve.

5 anarkitë e Shqipërisë! Analiza më e qëlluar për shqiptarët e shkruar nga Fan Noli…

Noli është nga ato figura komplekse që rrallë mund t’i kuptosh drejt, pasi gjithmonë ka diçka të fshehur brenda çdo fjale. Në gjithë fjalimet që Noli ka mbajtur, është vlerësuar shumë realiteti që ai shpreh dhe mënyra e mendimit dhe perceptimit të tij.

Ndaj edhe sot do të flasim për një nga fjalimet e tij të mbajtur para Parlamentit të Shqipërisë në vitin 1924, ku tregon për pesë anarkitë që ka Shqipëria. Ja si shprehet ai:

Në vendin tonë mbretëron konfuzioni i të pesë anarkive:

E para, anarkia fetare: katër fe të ndryshme, që s’kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta, anarkia sociale: këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burxhoazie. Këtu bujku është më bej se beu, beu më bujk se bujku. Kini një shembull të bukur në Partinë Popullore, e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve dhe oxhakët më të vjetër, kur anëtarët e kësaj partie lëvdohen që kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta, anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditën si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta, anarkia patriotike: këtu brenda në një ditë, si me magji, tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapardisen si patriotë të mëdhenj, ata që kanë lëftuar për “harfet” e për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartët e i kanë ndihmuar për të shkreptuar anembanë Toskërinë; këtu, si më thoshte një mik, është më mirë të jetë njeriu tradhëtor e të shikojë interesin e tij e të jetë i sigurt që të nesërmen do të proklamohet patriot i madh.

E pesta, anarkia e idealeve: këtu idealet janë të errëta, të shtrembëra e të mumifikuara të Fanarit e të Buharës përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet e gjalla, elegante dhe të ndritshme të Perëndimit; na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpushë, që mund t’i copëtosh, po jo t’i çqitësh nga trupi që kafshojnë e thëthijnë.

Herodoti na tregon se në betejën navale të Selaminës, një athenian kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte gjersa ia prenë; ahere e kapi me dorën e dorën e mëngjër; ia prenë edhe këtë; ahere e kapi me dhëmbë dhe s’e lëshoi gjersa i prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodoti përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë greke. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet t’u preç jo vetëm duart e kokën, po dhe këmbët e trupin…

(Pjesë nga fjalimi i mbajtur në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924, por që tingëllon njësoj aktual edhe sot)

Kështu i quante shkrimtari Fan Noli shqiptarët

Fjalim i mbajtur nga Fan S. Noli në Parlamanetin Shqiptar në 1924

Ne vendin tone mbreteron konfuzioni i pese anarkive :

E para – Anarkia fetare: katër fe të ndryshme që nuk kanë zënë rrënjë në zemrën e një populli pagan.

E dyta – Anarkia sociale: Këtu s’ka as klasë bejlerësh, as klasë bujqësh, as klasë burzhuazie. Këtu bujku është më bej se beu dhe beu më bujk se bujku. Kemi një shembull të bukur për partinë popullore e cila mbahet sot në fuqi prej bejlerëve nga oxhakët më të vjetër, kurse anatarët e saj lëvdohen se kanë shpëtuar prej bejlerëve.

E treta – Anarkia morale:Këtu qeni nuk e njeh të zonë, këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë dita me ditë si në kaleidoskop. Këtu ambicjet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha.

E katërta – Anarkia patriotike:Këtu brenda një dite si me magji tradhëtori bëhet patriot dhe patrioti tradhëtor. Këtu shohim përpara syve tanë të kapërdisen si patriotë të mëdhej ata që kanë luftuar për harfet dhe për flamurin e babës, që kanë djegur Shqipërinë e Mesme ose ata që janë puthur me andartet e i kanë ndihmuar shenjtërojnë anëe mbanë Toskërinë. Këtu si më thoshte një mik është më mirë që njeriu të jetë tradhëtor e të shikojë interesat e tij sepse kështu do të jetë i sigurtë që të nesërmen do të prokllamohet patriot i madh.

E pesta – Anarkia e idealeve:Këtu idealet e shtrembëra, të errëta e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares përfyten e përleshen në një luftë për jetë a vdekje me idealet më të gjalla më elegante e më të nderitshme të Perëndimit. Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve. Po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagët, krimba të verdhë me kokë të zezë, që rriten me plagët e infektuara të Shqipërisë në lëngim, këpuseh që mund ti copëtosh, por jo ti shqitësh nga trupi që kafshojnë dhe thëthijnë. Herodi tregon se në betejën navale të Salaminës, një athinas kapi një anije persiane me dorën e djathtë e s’e lëshonte, gjersa ja prenë; atëhere e kapi me dorën e mëngjër, ja prenë dhe këtë, atehere e kapi me dhëmbë e s’e lëshoj gjersa i’a prenë kokën. Sikur të ngjallej Herodi përsëri do të shikonte që kolltukofagët tanë janë më të fortë se ky trim legjendar i vjetërsisë antike. Që t’i çqitësh këta tanët nga kolltuku duhet të preç jo vetëm duart e kokën po dhe këmbët e trupin./KultPlus.com

54 vjet nga vdekja e Fan Nolit

Sot bëhen 54 vjet nga vdekja e Fan Stilian Nolit. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.

Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”, shkruan KP.

Ai u lind më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.

fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë./ KultPlus.com

Letërkëmbim me Nolin për origjinën e Skënderbeut dhe korrigjimi i gabimit në Enciklopedinë Britanike

 

Pertefe Leka

Në Muzeun Historik kushtuar Skënderbeut, duhet të vendoset domosdoshmërish edhe letra origjinale e Nolit, të cilën ia dërgoi Dr. Agim Lekës, sipas kërkesës së tij. Ajo letër i shërbeu Dr. Lekës për të argumentuar dhe dokumentuar protestën drejtuar redaktorit të Enciklopedisë së madhe Britanike, për të korrigjuar origjinën e Skënderbeut – nga serbe në autentike shqiptare. I ndarë prej më shumë se 74 vitesh nga vendlindja, nuk mungoi të ngrinte zërin dhe të shkruante në organet më të njohura të shtypit botëror – letra, artikuj, peticione, në emër të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Po afron dita përkujtimore e Skënderbeut dhe nuk duhet harruar kontributi i Dr. Lekës, me rëndësi kombëtare: Protesta që i bëri asaj Enciklopedie për të bërë ndryshimin nga një gabim i shkruar, në fakt, historik.

Në letrën dërguar kryetarit të Akademisë së Shkencave në Tiranë, Prof. Aleks Buda (1988) së bashku me tërë dokumentacionin përkatës, i thekson ndër të tjera, rëndësinë e ruajtjes së letërkëmbimit të tij me Fan Nolin, në kohën kur ai ishte në komunikim të drejtpërdrejtë me te. Ndër të tjera i shkruan Budës: “Këtu brenda do të gjeni letrën origjinale të Peshkop Nolit, të cilit i isha drejtuar në kapacitetin e tij si historian i Gjergj Kastriotit, Skënderbej, dhe të cilën letër dhe dokumentim e përdora për protestën time Enciklopedisë në fjalë”.

Letra drejtuar editorit të Enciklopedisë Britanike është njoftim nga ana Dr. Lekës e një gabimi të shkruar në të, lidhur me prejardhjen e Skënderbeut, në të cilën theksohet se si një legjendë është dhënë si fakt historik. Kështu fillon një maratonë letrash me Fan Nolin dhe Enciklopedinë Britanike që zgjati nga viti 1961-1967, kohë në të cilën përfshihet edhe vdekja e Nolit që mund të shkaktonte ndonjë paqartësi. Por, Dr. Leka e kishte në dorë letrën e F. Nolit ku thuhej në anglisht: “I dashur Dr. Leka: Faleminderit për letrën 11 gushtit. Origjina e Skënderbeut dhe legjenda për origjinën serbe janë diskutuar në librin ‘Histori e Skënderbeut’, fq.19-20. Po ju bashkëngjis një kopje të këtyre dy faqeve. Siç mund ta dini, ‘Histori e Skënderbeut’ ka qenë disertacioni im, për Ph. D. Degree në Universitetin e Bostonit. Ajo është botuar në vitin 1947 nga ‘Vatra’, 30 Huntington Ave, Boston 16 Massachusetts. Autori i librit ku çështja diskutohet është Fr. Athanase Gegaj, ‘L’Albanie et l’Invasion Turque au XV-e Siècle’. Ishte tezë doktorale, publikuar nga Universiteti i Louvainit, Belgjikë, më 1937. Gjithë çfarë duhet të bëni është të tërhiqni vëmendjen e editorëve të Enciklopedisë Britanike për këtë”.

Këmbëngulja e Dr. Lekës ishte e pandërprerë derisa pritjes së gjatë i erdhi përgjigjja nga Helen, L. Carlock editorial Assistant e Enciklopedisë Britanike, e cila i shkruan se në janar të vitit 1967 do të rishkruhet artikulli i Skënderbeut, sipas autorit Tajar Zavalani dhe ku citohet edhe libri i Nolit në bibliografi. /KultPlus.com

6 janari, ditëlindja e Fan Stilian Nolit

6 janari shënon ditën kur lindi Theofan Stilian Noli, në vitin 1882.

Diplomat, shkrimtar, politikan, përkthyes, dikur edhe kryeministër i Shqipërisë, Fan Noli lindi në İbriktepe të Turqisë.

Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patriarkana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

I ati i tij, Stiliani, ndonëse trashëgoi tokë si pronë, nuk u mor me bujqësi, por shërbeu si psalt në kishën e fshatit. E ëma, Maria, ishte shtëpiake. Familja u shtua shumë dhe erdhi një kohë që jetesa u bë e vështirë për të. Sa qe i mitur, Noli hoqi sëmundje të rënda, prandaj shkollën e nisi me vonesë.

Noli përktheu mjaft autorë amerikanë dhe evropianë të shek. XIX, duke vënë në punë veshin muzikor, mundi të pasqyronte stilin dhe ngjyrat e ritmit të origjinalit.

Ndonëse vetë nuk shkroi shumë në lëmë të letërsisë, ngelet një letrar i madh.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend, më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm zu Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. / KultPlus.com

Anës Lumenjve

Poezi e shkruar nga Fan Noli.

Arratisur, syrgjynosur,
Rraskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.
Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,
Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.

Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,
Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.
Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.
Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

Kisha shqiptare në Boston përkujton Skënderbeun dhe Nolin

Në Katedralen e Shën Gjergjit në Boston u nderua dje Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me disa kumtesa dhe shfaqje. Në aktivitet u përkujtua edhe 110-vjetori i krijimit të kishës autoqefale shqiptare nga Fan Noli. Kisha vendosi t’i përkujtojë këto dy ngjarje bashkë, duke pasur parasysh kontributin e Fan Nolit në studimin e Skënderbeut, bën të ditur Zëri i Amerikës.

Në simpoziumin që u mbajt në një sallë të thjeshtë në katin e dytë të Katedrales folën disa studiues. Profesor Nikolla Pano thotë se Noli e shkroi fillimisht Historinë e Skënderbeut në vitin 1921 me qëllimin e qartë për të bashkuar shqiptarët dhe për të edukuar tek ata ndjenjën kombëtare.

“Duhet të kujtojmë që viti 1921 ishte koha kur Shqipëria sapo kishte dalë nga Lufta Botërore, trupat e huaja sapo ishin larguar nga tokat shqiptare, pavarësia e Shqipërisë po riafirmohej dhe ndërkohë Shqipëria ishte në një rrëmujë politike në një farë mase. Noli donte që të fuste një ndjenjë të fortë patriotizmi, nacionalizmi dhe krenarie te shqiptarët”.

Grant Harris është drejtor i Sektorit të Evropës në Bibliotekën e Kongresit në Uashington. Atë e habit fakti se me sa entuziazëm u pritën bëmat e Skënderbeut në Evropë dhe botë:

“Kjo filloi natyrisht në Itali në fillim të viteve 1500 me librin e botuar nga Marin Barleti, që krijoi një farë legjende për Skënderbeun edhe pse kishte një bërthamë të vërtetë. Këtu ka rëndësi që Peshkopi Fan Noli tha më vonë se bëmat e mëdha të Skënderbeut, duke i rezistuar fushatave osmane për 25 vjet, ndodhën vërtet dhe ishin diçka e shkëlqyer. Por është e habitshme kur mendon që ka patur aq shumë njerëz që shkruan për Skënderbeun, duke përfshirë poetë dhe të tjerë që kanë lënë dorëshkrime, deri në shekullin e 19.”

Disa pjesëmarrës në simpozium i përkujtuan Skënderbeun dhe Nolin në mënyra të tjera.

Xhevat Limani është themelues i teatrit shqiptar të Amerikës. Prej shumë vitesh roli i Skënderbeut është pasioni i tij i madh. Me zërin e tij buçitës, ai e ka interpretuar heroin kombëtar në skenat e qyteteve nga Evropa në Amerikë.

“Udhëheqësit e sotëm duhet të mësojnë nga Skënderbeu që t’i falin kundërshtarët e tyre politikë dhe kur është fjala për çështjen e Atdheut, ne jemi një komb, kemi një gjuhë, betohemi në një flamur që Shqipëria të mos shembet kurrë. Dhe ky ishte Gjergj Kastrioti, ky ishte vizioni i tij.”

Një skicë e Skënderbeut e krijuar në vitin 1918 dhe ku shquan detaji i pasur, ka qenë varur vazhdimisht në Kishën e Shën Gjergjit, por deri dje autori ishte i panjohur.

Neka Doko, e cila kujdeset për Bibliotekën e Nolit në këtë Katedrale, tregon për Zërin e Amerikës se pas kërkimeve që disa shqiptarë të Bostonit bënë në Tiranë, arritën të gjejnë autorin:

“Ai është Spiridon Tasi Ilo. Është një patriot shumë i njohur i kohës së Nolit, shok i ngushtë edhe me Nolin, me (Kristo) Kirkën. Në këtë skicë ai ka shkruar me shkrim dore ‘Më bëri D. T. Shkëmbgur’. Nga kërkimet doli se ky ishte emri i tij artit”./ KultPlus.com

Ditari i panjohur i Qerim Panaritit për Fan Nolin

Bashkëpunëtor dhe mik i ngushtë i Fan Nolit, publicist i shquar, veprimtar aktiv i “Vatrës”, kryeredaktor i gazetës “Dielli”, i diplomuar për gazetari (1926), patriot i flaktë, antifashist e demokrat, analist në shtypin qendror amerikan, një nga autorët e librit “Përpjekja shqiptare në botën e vjetër e të re përgatitës dhe botues i veprës së Faik Konicës” Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore” dhe “Albumi II” të Nolit, i pari biograf i tij. La me dorëshkrim disa vepra si “Historiku i historisë shqiptare të Masaccusetsit”, “Historia e Shqipërisë” dhe Dritaret (1936-1959) etj…

Në vitin 1993 kur shkova në SHBA për herë të parë pata rastin të njihesha me gruan e tij, zonjën Sarah Panariti, profesoreshë e Harvardit, e cila më dha informacione me shumë vlerë për jetën dhe trashëgiminë e tij shkencore –artistike, shkruan në “Dita” Nasho Jorgaqi. Gjithashtu falë fisnikërisë së saj më dhuroi atë pjesë të ditarit shumë vjeçar të Qerimit që shkruante për F. Nolin, që po i jepen për herë të parë lexuesit tonë. Janë mendime, mbresa dhe konstatime të Qerimit gjatë 33 viteve që hedhin dritë mbi jetën e Nolit nga pozita dashamirëse dhe realiteti, pa kursyer herë-herë dhe kritika.

Nga biografia që ai ka shkruar: “Noli: Princi i pakurorëzuar i Rilindjes Shqiptare” po botojmë kapitullin “Noli, njeriu dhe karakteri i tij”

Qerim Panariti

NGA “DRITARET” (1936- 1959)

1936

21 janar — Pata një bisedë me F. Nolin. Ai është njeri interesant, i kulturuar dhe i mirinformuar, por rrëshqitës dhe inatçi.

20 prill – F, Noli refuzon të marrë pjesë në një banket për nder të tij, të cilin e sponsorizova unë. Arsyeja? Ska. Mendoj se është një sjellje fëminore.

17 maj – Shqiptaret bëjnë mbledhje vjetore në Shën Gjergj. Çfarë mbledhje? Një shtëpi vërtet e çmendur. F. Noli është fajtor për gjithçka. S’mund ta marrë dot me mend se ç’qëndron pas veprimeve të tij.

1937

22 qershor — Mora pjesë në koncertin e diplomimin në Konservatorin e Nju-Englandit ku F. N. iu dha diploma për kompozim. Hëngrëm drekën bashkë dhe biseduam gjithçka nën rrezet e Diellit për katër orë rresht.

30 qershor — I shkreti F. Noli. është ngatërruar keq me një artikull të botuar të hënën e kaluar në gazetën “Post” ku cilësohet si antimuhamedan.

3 shtator — Hëngra drekë me F. Nolin, Ai është një bashkëbisedues i këndshëm , dallohet për sensin e humorit dhe intelektin.

8 shtator — Isha në një koncert të WPA në Biblioteklën Publike të Bostonit, ku u ekzekutua një kompozim i Nolit, i titulluar “Lumi i Babilonisë. Noli ishte aty.

1938

21 qershor – Sot F. Noli mori titullin baçelor nga Konservatori i Nju Englandit.

19 korrik – Fan Noli është deri diku i pakënaqur, lidhur me një artikull timin për të ku unë e akuzoj për mosçuarjen deri në fund të Reformës Agrare propozuar prej tij.

1942

24 maj – Hëngra darkë me F. Nolin. E pagoi ai. Biseduam gjatë për Frontin e Bashkuar shqiptar. Ai ka një mendim të keq për Konicën, Çekrezin dhe Zogun. Por ai mendon se Fronti duhet të plotësohet. U bë një mbledhje e “Albanien Relief Fund”, por nuk erdhën shumë. Në mbrëmje une deklarova: “Jam përgjegjës për Frontin shqiptar”

30 maj – Në mbrëmje takova F. Nolin dhe biseduam për “Frontin e Bashkuar shqiptar”. Sikurse dhe unë, ai mendon se duhet të përpiqemi shumë për t’u organizuar. Ai mund të ketë ndonjë interes personal, kryesisht për të nxjerrë ca para nga Zogu.

13 qershor – F. Noli po bëhet shumë aktiv në Frontin e Bashkuar. Ai do të shkojë në Nju-Jork dhe Filadelfia. Sulmet e tij kundër Çekrezit janë shumë dërrmuese.

21 qershor – F. Noli shprehu qëndrimin e tij në favor të Frontit të Bashkuar me Zogun në krye dhe një qeveri mbretërore në mërgim. Ai është i nderuar, i qetë dhe në dukje fitimtar. Ai ishte kryetari i mbledhjes dhe kjo qe një nga mbledhjet më të mira shqiptare, në të cilën kam marrë pjesë ndonjëherë.

11 korrik – F. Noli më çoi fjalë të marr pjesë nesër mbasdite në një mbledhje midis “Vatrës” dhe grupit të Çekrezit për të themeluar Frontin e Bashkuar.

1943

23 shkurt – Fola në telefon me F. Nolin. Mund të filloj të shkruaj së shpejti te “Dielli”. Nëse jo, do të shkoj të punoj diku gjetkë.

5 mars – F. Noli praktikisht drejton “Diellin”. Po e godet Çekrezin.

16 mars – U pashë më Nolin dhe e falënderova për deklaratat e bëra në Nju-Jork para dy javësh lidhur me Frontin e Bashkuar.

26 maj – F. Noli mori një letër nga Zogu ku i kërkonte të shkonte në Uashington si përfaqësues i tij. Është e kotë të them se ai do të pranojë.

27 maj – Mora një letër nga Kosta Isak, me sugjerimin e Çekrezit për të arritur një marrëveshje me “Vatrën”, lidhur me Frontin e Bashkuar. Çekrezi ofron kushte për pranimin e Zogut si udhëheqës. Do t’i shkruaj Çekrezit nesër.

8 korrik – F. Noli është regjistruar në Universitetin e Bostonit për një punim pasuniversitar (Graduate) për Doktor në filozofi. (Ph. D.). Në moshën e tij ai akoma shkon në shkollë.

16 gusht – Sot F. Noli erdhi në zyrën e “Vatrës”. Ai ka marrë një letër nga OWI për të dhënë lajme për shqiptarët në Shqipëri në gjuhën shqipe.

11 shtator – Noli u nis për në Nju-Jork për të folur nesër në radio.

1944

30 shtator – F. Noli u kthye mbrëmë. Ai ishte në Nju-Jork, i thirrur nga zyra e I e Luftës për t’u folur shqiptarëve që të mbështesin ushtritë aleate. Ai ka pasues të shumtë që e ndjekin në Shqipëri dhe e shohin si udhëheqësin e tyre.

31 tetor – F. Noli është duke punuar për organizimin nga të gjitha kishat që të dërgojnë telegrame forcave aleate për njohjen e qeverisë shqiptare të Beratit.

16 nëntor – F. Noli erdhi pas pak t’i hedhë një sy materialeve që solla nga Uashingtoni. Është material i mirë po të na kish arritur në kohë.

1945

21 maj – Sot F. Noli mori doktoratën.

27 korrik – Fare rastësisht mbasdite takova F. Nolin. Bëmë një shëtitje të gjatë. Është shumë i pakënaqur nga punët e kishës. Shqiptarët janë fëmijë të rritur. Ai kërkon të dalë në pension, të heqë dorë plotësisht nga kisha.

30 korrik – F. Noli ka shqetësime të ndryshme nga njerëzit e kishës. Është e vështirë të kesh të bësh me njerëz injorantë, sepse ata nuk i binden rregullave. Dhe nuk i binden shumicës.

22 shtator – F. N. ka një problem. Prifti do të ikë, por shqetësimi nuk mbaron.

20 nëntor- F. Nolit i janë paraqitur nderime nga shkrimtarë shqiptarë.

28 nëntor – Hëngra darkë me F. Nolin, me z. Messinger dhe Rev. Upson. Që të tre janë studiues të dëgjuar.

1946

2 janar- F. Noli ka shumë shqetësime me komunitetin e tij. Më vjen keq për të se është duke humbur kohë dhe po duron shumë kërcënime nga njerëz injorantë.

26 janar – Akoma më shumë shqetësime janë krijuar prej disa nga kishat e tij, veçanërisht me atë të Filadelfias…

Shqipëria ka bërë kërkesë në OKB.

14 mars – F. Noli ose unë do të na duhet të shkojmë në Uashington javën që vjen meqenëse na është kërkuar nga legata jugosllave për të dhenë një informacion të saktë, ku të kërkojmë pranimin e Shqipërisë në OKB më 25 të këtij muaji.

15 mars – Një delegacion prej 4 shqiptarësh nga Nju-Jorku erdhën sot për t’u takuar me Nolin dhe i kërkuan të merrte drejtimin e luftës kundër propagandës greke. Ai e pranoi këtë ofertë dhe do të shkojë në Uashington javën që vjen.

30 mars – Sot në mëngjes F. Noli erdhi në zyrë shpejt, me qëllim që të përgatisnim bashkë disa telegrame për gjithë senatorët e Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë për kalimin e rezolutave… F. Noli më kërkoi të punoj si sekretar në “punën e tij të re’.

4 prill – Të tjera lajme të këqija për Shqipërinë. Anglia është tërhequr nga bisedimet për Shqipërinë. F. Nolin e duan dhe e urrejnë gjithandej. Për sytë e disave unë vij pas tij.

5 prill – Gjithë ditën kam qenë i zënë duke punuar me shpejtësi të madhe… Do bëj, veç punës sonë, gjithë korrespondencën e Nolit që është e konsiderueshme.

8 prill – Këtë mbasdite Noli u nis për në Nju-Jork. Sot u njoftua se Anglia ka hapur përsëri bisedimet me Shqipërinë.

12 prill – Noli u kthye nga Nju-Jorku ku ishte për t’u takuar nga delegacionet e OKB-së, por u takua vetëm me disa prej tyre. Do të kthehet prapë në Nju-Jork javën tjetër.

13 prill – F. Noli më paguan 10 dollarë për punën që bëj me këtë “kryqëzatë të re” që ka filluar ai. Anglishtja e F. Nolit nuk është shumë idiomatike dhe atij nuk i pëlqen ta korrigjojë.

15 prill – Përsëri F. Noli u nis për në Nju-Jork. I shkreti ai, po përpiqet shumë të arrijë diçka, po do të ndodhet para një kohe shumë të vështirë për aq sa SHBA do të jetë kundër Shqipërisë.

19 prill – F. Noli është takuar me kryetarët e delegacioneve të Anglisë, Hollandës, Polonisë. Ai raporton për rezultate të mira.

26 prill – F. Noli ndodhet akoma në Nju-Jork. Sipas raportit të tij del se është takuar me ambasadorin Gromiko.

13 maj – Nga të gjitha anët e SHBA po vijnë të holla për F. Nolin. Padyshim ai i di se si i nxjerr këto para nga shqiptarët. … Ai e meriton këtë, sepse ka dhënë gjithë jetën për Shqipërinë. Sa për dreq, është shumë koprac.

29 maj – F. Noli ka marrë disa informacione nga Hoxha, lidhur me delegacionet e panumërta.

1 qershor – Natën e kaluar F. Noli u kthye nga Nju-Jorku dhe këtë mbasdite bëmë një konferencë. Ai ka marrë 3 mesazhe nga Hoxha, të cilat na japin disa ide përfundimtare përsa i përket lidhjeve mes SHBA dhe Shqipërisë. Shqipëria, së pari, kërkon njohjen dhe pastaj të bisedojë rreth kushteve të pranueshme për të dyja palët.

5 qershor – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku dhe tha se Shqipëria është ftuar në Konferencën Ndërkombëtare të Shëndetësisë. Kjo do të thotë se ne do të jemi në gjendje të marrim informacion të dorës së parë nga Shqipëria nëse do të lejohet të vijë një delegacion.

7 qershor – … Do të jem shumë i lumtur të takohem me ta.

13 korrik – F. Noli u kthye për pak kohë. Është pothuaj i pakënaqur nga delegacioni shqiptar. Po kështu jam edhe unë… Ata nuk dinë asgjë për situatën këtu dhe prapë duan të bëhen gjykatës dhe juri për situatën tonë.

I8 korrik – F. Noli telefonoi nga Nju-Jorku, deri nesër kërkon të përkthyer Kushtetutën shqiptare.

1947

18 maj – Unë dhe Sara shkuam në kishën shqiptare të Shën Gjergjit, ku F. Noli bëri shërbimin në gjuhën angleze. Ishte një gjë e gjatë dhe e mërzitshme. Atje kishte shumë personalitete: Dr. dhe zonja Coon, Rev. Dr. dhe zonja Messinger, prof. La Piana dhe shumë të tjerë.

22 maj – F. Nolit nuk i pëlqen mendimi im për disa kisha që unë i quaj “fashiste”. Une jam dakord me të. me disa përjashtime, por prapë kishat nuk e njohin rrezikun e fashizmit.

1948

6 shkurt – Pata një fërkim të vogël me F. Nolin. Javën e kaluar i kërkova atij të shkruajë diçka të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Ai s’ka bërë asgjë dhe kërkon parapagim nga “Vatra”. Në këtë mënyrë manifeston egoizmin e tij.

7 shkurt – Më në fund F. Noli ka shkruar një histori të shkurtër për 36 vjetorin e “Vatrës”. Sot u takova për pak kohë me të. Të dy u përpoqëm të ruajmë një politikë skrupuloze për të kompensuar fërkimin e djeshëm.

24 prill – U takova pak me F. Nolin dhe i dhashë një çek prej 1000 dollarësh për tekstin shqip të “Skënderbeut”.

1949

3 mars – U takova me Nolin për pak minuta. Duket sikur po plaket shpejt, megjithatë prapë shkruan libra. Përsëri po punon për Skënderbeun, një libër të cilin ne (“Vatra”) e kemi kontraktuar dhe që mendohet se do të jetë kryer qershorin e ardhshëm.

19 mars – Nuk di ç‘të bëj me “Skënderbeun”. Kemi akoma shumë kopje të mbetura që nuk shiten.

21 prill – F. Noli po bëhet çdo ditë e më tepër grindavec. Patëm një debat në telefon. Ai kërkonte sot 1000 dollarë për librin e tij “Skënderbeu”, të cilin ai ka shkruar dhe ia ka shitur vite më parë një organizate tjetër.

6 maj – U nisa për Nju-Jork me aeroplan… Mbasdite vonë F. Noli erdhi te “Prince Georg”, një koincidence… Delegatët na kishin për darkë.

3 qershor – Rev. Thimi Theodosi ishte i mërzitur këtë mëngjes…

22 qershor – Stefan Lasko u dorëzua prift të shtunën e kaluar.

25 dhjetor- U takova për pak kohë me Nolin te Miçeklët. Mendoj se ai diçka ka vendosur me vete. Nuk do të më habiste nëse ai do të favorizojë Dhimitër Trebickën kundër meje për “Diellin” në mbledhjen tonë të ardhshme në korrik.

1950

28 prill – “Skënderbeu” shkoi sot në shtyp. Shtypjen po e bën Crimson Printing Company.

3 shtator – Një peshkop grek u dorëzua sot në Stamboll për grupe të veçanta shqiptarësh në këtë vend, në kundërshtim me F. Nolin. Ai quhet Mark Lipa.

9 tetor-F. Noli është i sëmurë.

8 dhjetor – “Historia e Skënderbeut” erdhi sot. Është lidhur bukur dhe nuk duket i vogël.

17 dhjetor – Peshkop Mark Lipa ka dhënë një intervistë të shkurtër për gazetat e Bostonit. F. Noli është pak i frikësuar.

1951

8 shkurt – Peshkopi i ri shqiptar, me stil vetjak, Mark Lipa, ka shkaktuar një ndarje të tmerrshme në komunitetin më të madh shqiptar të Bostonit. Është deri diku e habitshme se si ata janë dhënë pas këtij njeriu të panjohur.

17 shkurt – Shqetësimet në mes qarqeve shqiptare të Bostonit do të arrijnë kulmin nesër. Mark Lipa u ligjërua sot në një kishë tjetër. Ai mund ta shfrytëzojë këtë për mirë.

22 shkurt – “Britan Post” ka botuar një intervistë të shkurtër, të cilën F. Noli ia dha reporterit të martën.

25 mars – Patëm mbledhjen e bordit të “Vatrës”. Me disa kundërshtime vendosëm të hapim një fushatë për të blerë një shtëpi për Nolin.

28 mars – Më shqetëson pak fakti se sa do të mbështetet fushata për t’i blerë një shtëpi Nolit. Është një punë e madhe dhe kërkon përpjekje të mëdha. Ndërkohë duhet bërë edhe puna e përditshme. Lajmet nga Ballkani janë shqetësuese dhe Shqipëria është në ballë.

29 mars – F. Noli është deri diku i kënaqur me fushatën time (të “Vatrës”). Megjithatë do të më duhet një shumë e madhe që të blejmë një shtëpi të përshtatshme sepse çmimet në të vërtetë, sikurse gjërat e tjera, janë shumë të larta. Kjo do të thotë një punë shumë e rëndë për mua.

6 prill – Fushata për F. Nolin pati një fillim të mirë natën e kaluar, kur zonjat e Kishës së Shën Gjergjit dhanë 1000 dollarë për fushatën.

18 prill – Kisha shqiptare e Shën Gjergjit dha natën e kaluar 1500 dollarë për fushatën e Nolit, filluar nga “Vatra” më 25 mars. Deri tani nuk kemi marrë asgjë nga ndonjë koloni e veçantë. Kjo më shqetëson pak, por çdo gjë lëviz me ngadalë në fillim.

22 prill – Crist Ellis u dorëzua prift…

27 prill – Me aq sa dimë ne, degët tona akoma nuk kanë filluar të lëvizin për të mbledhur para për fushatën e shtëpisë së Nolit.

28 prill – Po filloj të shqetësohem për fushatën e shtëpisë së Nolit. Gjërat lëvizin ngadalë.

20 maj – Mblodhëm gati 185 dollarë për fondin e shtëpisë së peshkop Nolit. Jam i gëzuar që fushata po ecën.

25 maj – Rreth orës 4 mbasdite, Sara dhe unë u nisëm për në Mançester. Fillova të mbledh…

5 qershor – Grindja midis shqiptarëve rreth peshkop M. Lipës ka arritur në një shkalle qesharake. Madje edhe gjykatësit edhe avokatët po hungërojnë nga qejfi.

19 qershor – Mora 200 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit. “Bashkimi” po llomotit shumë në gjithë Amerikën në mes shqiptarëve. Kjo gjë po më shqetëson shumë.

26 qershor – Fushata për Nolin po ecën shumë ngadalë. Ajo nuk i ka përmbushur shpresat e mia dhe unë jam shumë i dëshpëruar.

27 qershor – Po vijnë të holla nga të gjitha degët, ndërkohë që afrohet Kuvendi. Vetëm se është fakt se nuk po vijnë aq sa duhet për fondin e shtëpisë së Nolit.

7 korrik – Shumica e delegatëve kanë arritur. Disa prej tyre sollën të holla. Grupi i Nju-Jorkut solli 600 dollarë. Pastaj patëm një mbledhje të komitetit mbasdite. Rreth orës 2 u hap Kuvendi. Kryetar u zgjodh Marko Adams. Biseduam dhe diskutuam deri afër mesnatës. F. Noli erdhi, ose më mirë e sollën rreth orës 10. “Bashkimi” me “Shqipërinë e Lirë” ishte tema kryesore e diskutimit. F. Noli nuk u prononcua. Pothuaj të gjithë delegatët ishin për “Bashkimin”, por nuk dinë si ta arrijnë këtë. Në duart e mia do të kem një betejë të ashpër.

31 korrik – Korriku iku. Qe një muaj shumë i zënë me punë dhe i pakëndshëm. Kryesorët për shkak të një lëvizjeje për bashkim me një organizatë qesharake, e filluar 10 vjet përpara nga K. Çekrezi, gabimisht e quajtur “Shqipëria e Lirë”. Lëvizja që nga kuvendi ka humbur disa momente, por ideja vijon të mbetet. Ajo u fillua nga delegatët shqiptarë ne OKB me synimin për të shkatërruar “Vatrën” dhe për të dobësuar ndikimin e F. Nolit.

8 tetor – F. Noli u thirr sot në “COUNT” lidhur me bëmat e M. Lipës në kishat shqiptare ne Bostonin e Jugut. Por më thanë se Nolit nuk i bënë asnjë pyetje.

1952

13 mars – Peshkopi M. Lipa, agjent grek, po bën zhurmë të madhe. Ai po përdor komunizmin për t’i hutuar dhe frikësuar shqiptarët në këtë vend.

26 mars – Këtë mbasdite F. Noli u nis për në Çikago që të asistojë në shpëtimin e kishës shqiptare nga thonjtë e M. Lipës.

7 prill – Uorçesteri ka hapur një fushatë për shtëpinë e Nolit. Është mbledhur një shumë e konsiderueshme.

10 qershor – Sot mora nga Nju-Jorku 1088 dollarë për fondin e shtëpisë së Nolit.

30 nëntor – Nga dreka shkova në kishën shqiptare ku, mbas shërbesës fetare u bënë festime për Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë. Unë kryesova mbledhjen edhe pse isha lënë jashtë nga banda e “Shqipërisë së Lirë”.

1955

14 shkurt – Nesër peshkop Noli shkon për pushime në Florida.

22 mars – Kalova pothuaj gjithë ditën në shtypshkronjë dhe nuk e di se si do të dalë gazeta. Ishte vetëm një njeri që punonte aty… Peshkop Noli më dërgoi sot një shportë me portokalle dhe qitro. Nuk e di se ç‘ka ndodhur me të!

17 qershor – Sonte kishim për darkë F. Nolin. Ai ka shqetësime me dhëmbët dhe për këtë shkak mund të hajë vetëm supë dhe disa ushqime të tjera të buta. Ai është një personalitet interesant.

1956

25 qershor – Kristo Thana do të jetë kryetari i banketit për F. Nolin. Muhamet Zeqari nga Detroiti do të jetë dollibashi. Një çift i mirë.

17 korrik – U takova shkurt me ‘Mjekrën”. Është shumë i zënë me rregullimin e “Dhiatës se re” në shqip.

3 shtator – Banketi për F. Nolin, për 50 vjetorin e ardhjes në këtë vend shkoi mirë. Morën pjesë rreth 450 të ftuar. Fjalimet ishin të gjata e te mërzitshme. F. Noli mori një shumë te konsiderueshme të hollash.

9 shtator – Pata një ditë shumë të ngarkuar duke u përpjekur të rregulloja llogaritë e banketit të F. Nolit. Është një rrëmujë e madhe. Duhet bërë shumë për te mbajtur çdo gjë në rregull.

22 shtator – F. Noli është interesuar të shkruajë një libër për Ali Pashën nëse “Vatra” do ta sponsorizojë.

12 tetor – “Balli” po më ngre nervat; shumë zhurmë për asgjë; shkruhen fjalë, fjalë, fjalë, asgjë tjetër veç fjalë boshe.

1957

8 maj – Peshkop Noli mbaroi hyrjen për librin e Konicës. Është e mirë.

4 tetor- “Shqipëria – kopshti shkëmbor i Evropës juglindore” arriti sot mbasdite. Duket i bukur. Jemi gati të tronditur… F. Noli, gjithashtu, është i kënaqur me të.

1958

8 maj – Për disa dite F. Noli ka qenë i sëmurë. Ai ka qenë nën kujdesin e dy mjekëve.

26 korrik – Sonte patëm F. Nolin për darkë.

13 nëntor – Punova me “Diellin” e vjetër në shkollën shqipe të së Dielës, qendër ku kemi vendosur koleksione të vjetra. Faqet janë dëmtuar. Unë lexova numrin e parë – 15 shkurt 1909. Më bëri përshtypje politika e “Diellit” për një Shqipëri të pavarur, shkruar hapur nga F. Noli. Kërkesat ndaj Turqisë përfshijnë katër vilajetet e mëdha.

1959

7 shkurt – Sot kishim për darkë F. Nolin. Ai është shumë interesant. Sara e pëlqen pa masë.

20 shkurt -Punova për një thirrje të cilën do ta firmosë F. Noli dhe ne do ta botojmë te “Dielli” si një fushatë për të holla lidhur me përvjetorin e artë (50 vjetorin) të “Diellit”.

16 prill – Mora një shportë me fruta nga Noli, dërguar nga Florida.

Qerim Panariti

NOLI: NJERIU DHE KARAKTERI I TIJ

Noli ish një person kompleks dhe ekstraordinar i shumë-anëshmë nga çdo pikëpamje: i thellë dhe i gjerë nga mejtimet, enciklopedik nga dituria, “rebel” që nga vogjëlia dhe një gjigant intelektual.

Ndjenjën si “rebel” e manifestoj në gjimnazën Greke në Endrene në vitin e fundit akademik, kur autoritetet e gjimnazit pushuan nga puna një nga profesorët më të çkathtë, Noli kujtoj se profesorit iu bë një padrejtësi dhe një -me-një organizoj një demonstrate të studentëve në favorë të profesorit. Për shkak të këtij rebelimi, autoritetet e gjimnazit refuzuan t’i japin diplomën gjer në Shtator në vënt t’ia jepnin në Qershor, sipas zakonit.

Si person Noli gëzonte të gjitha të metat e njeriut plus të metat e tij si individual.

Le të fillojmë pra, nga disa cilësira elementare. Noli ish person sekretive. Ish e pamundur për të që t’i hapte zëmrën njeriu pa rezervë. Këtë karakteristikë thuhet s’e gëzojnë pothuaj se të gjithë njerëzit e lartë nga mejtimet, që kanë fatin e keq të lindin në një sistem social të mbyllur si Turqia, një sistem i mbytur në errësirë dhe i rrethuar me spiunë dhe intriganë çpifarakë.

Si njeri i ndrojtur dhe suspekt, munt të thuhet se Noli kish me qindra miq, me mijëra admironjës, po s’kish asnjëckë konfidant, domethënë njeri që t’i hapte zëmrën një qint per qint; kurdoherë ish i rezervuar. Për këtë shkak ish e pamundur qe t’i hynte dot njeri në shpirtin dhe ndjenjën e tij.

Në Shqiptarët e Amerikës Noli e kish humbur besimin krejt “Të lenë”, thosh, “si gunën e vjetër.”

Në fshatarët e Shqipërisë kish një dashuri të madhe. Fshatari i thjeshtë, thosh Noli, gëzon akoma besnikërinë primitive kur të kupton që s’ke qellim t’a shfrytëzosh dhe te përfitosh nga ignoranca e tij, kurse Shqiptarin’ e Amerikës e ka korruptuar komercializma dhe beson se s’munt të bësh dot tregëti “me kryq në ballë”.

Noli e shikonte jetën si komedi. Në një rast e pyeta sepse nuk gjen një zëvëndës për të shpëtuar nga andrrallat e përditme? M’u përgjiq shkurtazi: “Ç’e duan peshkopnë këta, kurse s’më degjojne mua, si munt të rrojnë në harmoni me tjetër peshkop?” .

Përgjigje komike, po tepër profetike.

Noli s’ish njeri materialist. Bënte një jetë të thjeshtë. Vishej dhe mbathej paq, po kurdoher thjeshtë. Banoj më tepër se 30 vjet në një apartment të vjetër dhe me mobila mos më keq.

Noli s’ish mikpritës si Faik Konitza. Po të dilnje jashtë me të ish e pamundur që të vinte dorën në xhept. Po t’a vizitonje në shtëpi s’të ofëronte asnjë kupë ujë.

Qëndrimi i Nolit në lidhje më mikpritësinë munt të justifikohet lehtë. Njeriu pothuaj se mbante shtëpinë hapur për vizitorët, miq dhe kundërshtarët. Po t’i priste të gjithë me gostira, duhet të ish miliuner. E vërteta është që Noli më 1940 bëri një jetë miserablile, mezi pikej për të përballur shpenzimet vetiake. Përveç kësaj, vizitorët i merrnin kohën më kot.

Për te shpëtuar nga monotonia e mysafirëve, Noli kish gjetur një formulë unike dhe interesante. Kur vizitorët kalonin masën e “miqësisë”, iu thosh: “M’u tha goja, munt të dalim këtu pranë të lagim gojën me një kafe?” Kur mbaronin kafenë Noli iu linte shëndet dhe kthehej në shtëpi.

Këtë taktikë fillova t’a përdor dhe unë, po s’korra dot sukses. Vizitorët pas kafesë, kthehëshin përsëri në zyrën e “Vatrës” bashkë me mua.

Në një rast pyeta Nolin se si kish duruar me Shqiptarët një jetë të tërë? M’u përgjigj me katër fjalë: “Me ka zënë shqipia”. Pastaj shtoj:

“Shqipëria, si një popull i vogël dhe i shtypur prej armiqve të jashtmë dhe të brendshme, ka nevojë për njërës idealistë që janë gati të bëjnë sakrifica personale për një qëllim të shënjtë dhe të lartë.”

Noli s’ish egoist hakmarrës. Të lëftonte me mish dhe me shpirt kur cenohej interesi i përgjithmë i çështjes. Nga ana tjetër s’e kish për turp të të shtrëngonte dorën kur fitohej lufta.

Këtë karakteristikë admirable Noli e përdori kur erdhi Mark Lipa n’ Amerikë, më 1950, dhe disa nga shokët e vjetër defektuan dhe u hothne me renegatin. Noli së pari, u dëshpërua, por kur defektonjësit ia pinë lëngun Lipës dhe u kthyen në udhën e mbarë, Noli i priti me enthusiazmë dhe s’ua përmendi kurrë defektimin.

Në një rast pyeta Nolin se si shkonte me Lipistët dhe nëse parashikonte nonjë rrezik prej tyre? Ay m’u përgjigj pa hezituar, “Jo aspak”, dhe shtoj: “Këta janë bashkëluftëtarët tonë, tani që u kthyen në udhën e mbarë, duhet t’u falim gabimin, se të gjithë kemi bërë gabime nga koha në kohë, kështu pra, s’duhet t’i përdorim si kollonialë”.

Noli ish hamës i math, kur gëzonte shëndet dhe plot humor dhe shakara. Që më 1952 e kishim bërë zakon t’a ftonim Nolin për drekë dy herë në vit, në Qërshor dhe në Tetor, kur fillonin dhe kur nisin të mbaronin zarzavatet e baçës sonë. Në fillim hante vetëm zarzavate, po më vonë kur e kërcënuan doktorët se po të mos hante mish, i kish ditët të shkurtëra, filloj me dashje a padashje, të hajë mish.

Herën e fundit që e patmë për drekë ish më 11 Qershor, 1964. Në këtë rast gjellët vetëm i cënoj po s’i hëngri. Kjo na vuri në dyshim se Noli po i shkurtohëshin ditët.

* * *

Diku në fletët e shkruara kemi bërë fjalë se si Noli filloi luftën me Grekët në Edrene kur ish nentëmbëdhjetë vjet djalë, kur gjimnazi i vonoj t’i japë diplomën për shkak se mori anën e një profesori të pushuar nga puna. Që ahere dhe gjer sa mbylli sytë Noli urrente Grekët dhe Grekët urrenin Nolin.

Që posa u dorëzua prif, më 1908, Grekët filluan propagandën dhe anathemat për çkredituar Nolin përpara popullit Shqiptar. Çpifjet dhe kallëzimet kundër tij ishin aqë banale sa dhe primitive. E kallëzonin si anti-kanonik, si “apostate” (femohonjes) dhe klishera të tjera që s’kishin as anë as funt.

Noli i kapërceu të gjitha këto çpifje dhe triumfoj duke shpënë kishën Shqiptare autoqefale në Shqipëri.

S’bëjmë nonjë zbulim të ri po të thomi se Noli ish njeri i shekullit njëzet qe besonte me gjithë shpirt në lirin’ e mejtimit, të bazuar në shkencën dhe në historinë e mejtimeve të lira, dhe si person i tillë, ish e pamundur për të që të besonte në lindje virgjineshas, po nga ana tjatrë, Noli e besonte dhe e adhuronte Krishtin si profetin më të lartë që ka lindur bota përpara dhe pas Krishtit. Ritet Ortodokse i përformonte me dignitet dhe solemnitet, po nuk pranonte supërsticionet e klerikëve hipokritë medievalë që tallën me njerëzinë duke iu premtuar jetë të përtejme. Për Nolin theorira të tilla i kanë rrënjët në kohë të errëta që s’munt të gëlltitëshin dot prej një person me kulturë të gjerë si të Nolit.

Mbanj mënt një ditë pyeta Nolin sepse Krishterimi konsideron Krishtin si “Shpëtimtarin e botës?” Këtë pyetja ua kam bërë shumë klerikëve të dogmave të ndryshme të Krishterimit, po përgjigjen më te sqaruar ma dha Noli.

Mejtimi Nolian në lidhje me Krishtin (i parafrazuar) ish ky: Nga të gjithë profetët e shënuar të botës përpara dhe pas Krishtit, Jisui ësht’ i vetëmi profet që prokllamoj për herën e parë në historin’ e njerëzimit, njësi dhe egalitet në botë. Kjo ish një dekllaratë revolucionare në një kohë kur njerëzit bliheshin dhe shiteshin në pazart si kafshët. Krishti u mundua që të shpartallonte këtë sistem barbar. Për këtë shkak u kryqëzua prej kllasave që shfrytëzonin popullin me anë të fesë.

Pas mejtimit Nolian Krishti ish patriot Israelit që u mundua të çlironjë popullin e tij nga robëria Romane. Krishti inspiroj Nolin që t’i dedikonjë jetën çlirimit të popullit Shqiptar nga robëria Turke dhe Orthodoskët Shqiptarë nga errësira e Patrikanës.

Predikmet e Nolit ishin kurdoherë në baza sociale humanitariane që munt të karakterizohen me predikimet e pashtrëmbëruara të Krishtit. Karshi prallave sipërnaturale Noli munt të karakterizohet si agnostik, domethënë një person që as pohon as mohon ndodhjen mistike të forcave sipërnaturale. Kjo me pak fjalë, ish feja e Fan Stilian Nolit./ KultPlus.com

“Gjysmë komandanti, humb ushtria”

Nga Fan S. Noli.

Gjysmë mjeku – vdes njerëzia!
Gjysmë avokati – mbushet qelia!
Gjysmë komandanti – humb ushtria!
Gjysmë arkitekti – shembet shtëpia!
Gjysmë ekonomisti – vjen varfëria!
Gjysmë kleriku – nuk kuptohet Perëndia!
Gjysmë historiani – përsëritet historia!
Gjysmë idealisti – nuk bëhet Shqipëria!/ KultPlus.com