Nonda Bulka për Nolin: Si e zotëroi aq mirë shqipen, kur në Shqipëri qëndroi veç katër vjet?

Nonda Bulka shkrimtari i njohur i viteve 1930, në vitin 1966, në një shkrim te javorja letrare ”Drita”, hedh dritë për disa anë të njohura apo të panjohura të Fan Nolit. Bulka ngre një pyetje më të drejtë: “Ky politikan, prift muzikolog dhe poet, që shkroi poezitë më të bukura, që enden ndër kujtesën e shqiptarëve për vargun e bukur, përktheu kryevepra nga letërsia botërore me një shqipe të pastër, mirëpo si e mësoi kaq mirë gjuhën shqipe kur në Shqipëri ai qëndroi vetëm katër vjet”?

Bulka, me një gjuhë të zgjedhur shkruan: “Poetët e mëdhenj, që me talentin, qartësinë, fantazinë dhe intuitën e tyre pasqyrojnë idetë forcë të epokës se tyre, jetojnë tej moshës; ata kalojnë në përjetësi si Marathonomaku i kohëve të lashta. I tillë ishte Noli. Mendimet e tij nuk mplaken se rinia nuk thinjet kurrë. 85 vjet pas lindjes Noli mbetet për ne i riu viril, entuziast, optimist, nxitës për rrugën e përparimit dhe të dijes, patriot i madh. Kur i dhuroi popullit shqiptar ‘Historinë e Skënderbeut’, këtu e 46 vjet më parë, Noli si historian i thellë dhe skrupuloz, dhe si artist madhor theksoi se populli, dhe në përgjithësi masat e thjeshta, janë faktori kryesor në zhvillimin e historisë dhe të kombit. Ai vë në gojën e Skënderbeut fjalët: ‘Lirinë nuk e solla unë po e gjeta këtu midis jush’. Një qartësi e tillë politike qysh në ato kohë s’mund të jetë e rastit. Fjalës ‘popull’ Noli nuk i jepte një kuptim formal, ai i ndjente dhe i kuptonte thellë fuqinë, mundësitë, zotësinë dhe talentin e masave. Për Nolin e ardhmja ishte gjithmonë më interesante nga e kaluara. Prandaj, mbeti gjithmonë i ri”:

Bulka merret me një fushë ku furishëm Noli shkëlqeu. Noli, me përjashtime të rralla, shkruan shkrimtari Bulka, çdo gjë e shkroi në funksion të një ideje, të një parimi, të një ideologjie.  i e shkroi çdo gjë me tendenciozitet dhe me ndërgjegje të plotë. Edhe përkthimet e Nolit janë tendencioze jo vetëm nga përmbajtja e tyre po edhe në parathëniet, ku ka kujdes të orientojë drejt lexonjësit.

“Adaptimi që i ka bërë Omar Khajamit, për mendimin tim, meriton një paranteze të shkurtër”, shprehet Bulka. “Shpeshherë kritikët tanë dhe të jashtëm kanë shkruar se Noli e ka qanitur, e ka qarë me lot përkthimin e Omar Khajamit. Para çlirimit u bë një përkthim i Omar Khajamit nga persishtja. Përkthimi ishte për faqe të zezë, po qëllimi i përkthënjësit ishte që të na provonte se Noli s’e ka përkthyer Omar Khajamin, veçse ka marre shkas prej tij dhe ka fluturuar vetë si zog i lirë. Këtu, pa dashur, përkthënjesi i ka bërë një nder të madh Nolit, duke na e dhënë gati origjinal. Kështu te ‘Rubairat’ ne hasim shfrymjen e disa ndjenjave, të cilat petku i zi i pensuronte. Po kjo kërkon, një studim të veçantë”.

Noli gjithçka e pa nga prizmin kombëtar dhe patriotik. Kisha autoqefale, më shumë sesa çështje fetare, ishte një problem kombëtar për ato kohë. Shovinizmi grek kish hedhur kthetrat thellë në ortodoksinë shqiptare me anën e kishës. Noli i dha një grusht shovinizmit grek dhe tregoi vitalitetin e gjuhës shqipe. Edhe vjershave me subjekt biblik ai diti t’u japë frymë shoqërore të theksuar: sulm kundër tregtarëve të flamujve, protestë kundra atdhemohonjësve, revoltë kundër padrejtësisë dhe veçanërisht kundër padrejtësisë shoqërore.

“Vargu nolian qëndron gjithmonë pranë të shtypurit dhe e ushqen atë jo me mëshirën kristiane ‘po t’qëlloi armiku me një faqe ktheji tjetrën’, jo me preceptin fetar ‘vuaj në këtë botë, që të shijosh botën tjetër’, po me afshin e ngrohtë revolucionar, ‘Ngrehuni dhe bjeruni, korrini dhe shtypini’. Vargu i Nolit nuk vjen erë temjan; misticizmi s’del gjëkundi në artin madhor të Nolit në revoltën e popujve, Noli shpesh gjente frymëzim. Idetë e mëdha jetëdhënëse ai i lidhi me fatin e mëmëdheut te xhalavitur nga shushunja e brendshme. Ashtu doli prej penës se tij ‘Anës Lumenjevet’, ‘Marathonomaku’, Bajram Curri, Luigj Gurakuqi e te tjera. Me himnin e flamurit sulmon të gjithë armiqtë e jashtëm te mëmëdheut. Noli pati edhe shumë armiq që s’e tretnin dot. E quajtën dhespot kuqalash, demagog, pa karakter, ateist etj. Po personaliteti i tij u imponua me forcën e idesë dhe të artit. Po të gjithë ata që e denigruan humbën pa nam e nishan. Noli rron. Këtu qëndron madhështia e forcës së mendimit”, shprehej Bulka.

Noli ishte muzikolog. Nonda Bulka e sjell këtë me disa rreshta: “Edhe në muzikologji dhe në oratori Noli dha kontribut te madh. Ai zgjodhi pikërisht temën ‘Bethoveni dhe Revolucioni frëng’. As kjo sish e rastit. Në Lidhjen e Kombeve, kur u dërgua si përfaqësonjës i Shqipërisë, ai foli pa kompromis dhe demaskoi komedinë që lonin të mëdhenjtë mbi kurriz të popujve të vegjël”.

Një problem i pazgjidhur plotësisht ka mbetur, për mendimin tim, çështja se si e mësoi Noli gjuhën shqipe aq mirë duke ndenjur gjatë gjithë jetës se tij vetëm katër vjet në Shqipëri. Studiuesit kanë shfaqur këto mendime: Noli e ka shqipen gjuhën e familjes; ka studiuar Kristoforidhin, veprat e Naimit e te Samiut e të rilindasvet te tjerë. Kështu mundi ta zgjeroje dhe ta thellojë gjuhen shqipe. Këto arsye janë pjesërisht te drejta po nuk mjaftojnë. Duhet parë më thellë kjo çështje kur të bëhen studime më të imta rreth Nolit.

“Ai që shkruan këto radhë po përpiqet te japë një kontribut modest rreth kësaj çështjeje. Një prift nga Leusa e Përmetit qe e kish njohur personalisht Nolin për një kohë të i gjatë, më tha disa vjet më parë: ‘E kam njohur Nolin në ShBA. Ai, kur niste të ngrysej, merrte një fletore dhe një kalem dhe shkonte te familjet shqiptare që banonin aty. Rrinte një copë here me njerëzit e familjes, më tha disa vjet më parë, edhe niste muhabet me ta. I tregonin historira, përralla, ngjarje të ndryshme dhe ky i shënonte në defter. Shpesh e nxiste vetë plakën që të fliste pa kapak. Kjo vazhdoi vite të tëra. Ashtu këmbëkryq me plakat e Shqipërisë që kishin shpurë në dhe të huaj gjuhen e popullit virgjër, Noli thëthinte nektarin te cilin e çkrinte pastaj në art. Këto më ka thënë i ndjeri Kostë Papa Tomorri, autori i librit ‘Barbaritë greke në Shqipëri të Jugut’. Dhe ka të ngjarë të jetë kështu. Është shumë zor të mendohet se Noli, që bëri të flasin shqip Shekspirin, Servantesin, Lonfelloun, Khajamin, Ibsenin, Ibanezin, Poen, të mos këtë patur një durim shumë të madh për një kohë shumë të gjatë që e mësoi shqipen aq mire. Fjalët e rralla dhe shprehjet ai i ka qëmtuar nga goja e popullit. Verbi nolian është bombë, barut, sulm, flakë që zhurit të keqen dhe i ndriçon rrugën së mirës: Rend kudo duke bërtitur … nëpër shekuj faqendritur… Vargu i Nolit përshkohet nga damarë plot gjak të kuq si trëndafiltë më të kuq që çpojnë, trëndafijtë e kopshtevet të Shqipërisë sonë. Ata rrahin me diapazonin e zemrës së madhe dhe të pamposhtur të një populli të vogël po të madh. Nolin e urrenin grekomanët, turkomanët, feudalët, spekulantët, tartufët, dallaveraxhinjtë, pizevengët, lapangjozet, larot, sahanlëpirësit. Dhe kjo e nderonte se Nolin e donte populli për të cilin ç’kriu tërë talentin e tij në 60 vjet luftë”./KultPlus.com

Çfarë i kërkonin Fan Nolit për zyrën e pasaportave jashtë vendit

Fillesat e shërbimit konsullor në Shqipëri në vitet 1919-1921 ishin një periudhë shumë e vështirë në procesin shtetformues të Shqipërisë.

Sfidë e qeverive të asaj kohe ishin marrëdhëniet ndërkombëtare pasi nuk mund të njiheshin nga qeveritë e tjera për shkak të mungesës së stabilitetit të brendshëm dhe debatet që vazhdonin te ndërkombëtarët për statusin e shtetit shqiptar, shto këtu dhe pretendimet e fqinjëve për territoret shqiptare.

Shteti shqiptar për të fuqizuar lobimin pranë qeverive të Fuqive të Mëdha për njohjen e qeverisë shqiptare dhe rikonfirmimin e statusit të shtetit shqiptar si shtet i pavarur e sovran, kishin dërguar përfaqësues jozyrtarë në kryeqytetet e Fuqive të Mëdha si në Londër, Romë, Uashington, ndërsa në Paris këtë funksion e kryente delegacioni shqiptar që ndiqte punimet e Konferencës së Paqes.

Për shkak të pengesave që u dilnin shtetasve shqiptarë me banim jashtë për të udhëtuar, ose për t’u kthyer në atdhe për shkak të mungesës së pasaportave të përshtatshme, lindi nevoja që të kishte përfaqësues të shtetit shqiptar, jo vetëm në vendet me peshë në politikën ndërkombëtare, por edhe në vendet ku banonin shumë shqiptarë.

Që nga pranvera e vitit 1920 filluan të hapen Zyrat legale të Pasaportave, të cilat pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve 9 nëntor 1921, që konfirmoi statusin dhe kufijtë e shtetit shqiptar u kthyen në konsullata e legata. Zyrat e delegacionit shqiptar në Paris filluan të kryenin edhe shërbimet e para konsullore për shqiptarët me banim në Francë.

Shtysë për hapjen e Zyrave të Pasaportave që do pajisnin shqiptarët me një format të njëjtë pasaportë shqiptare për udhëtime jashtë, ishin jo vetëm kërkesat e shumta që vinin nga shqiptarët në botë që kërkonin të udhëtonin në Shqipëri, por edhe rrethana të tjera.

Pasaportat që lëshonin komitetet e kolonive shqiptare në botë nuk njiheshin më nga shtetet e huaja, sidomos pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në dhjetor 1920.

Nuk njiheshin më gjithashtu pasaportat që nxirreshin nga prefektura të ndryshme në vend për banorët e saj, por kërkohej që ato të lëshoheshin nga autoritetet qendrore në vend.

Me hapjen e këtyre Zyrave, nga pranvera e vitit 1920 deri në fund të vitit 1921, pranë qeverisë shqiptare mbërritën kërkesat e para nga shqiptar me banim jashtë që të emëroheshin si Agjent Konsullor ose i Ngarkuar me Zyrën e Pasaportave shqiptare.

Në një prej letrave dërguar Fan Nolit në gusht të 1920, në dokumentet e botuara nga arkiva online e MEPJ-së Ilia Chapullari shprehet se shumë shqiptarë udhëtarë po presin dita ditës zgjidhjen e çështjes së pasaportave dhe hapje e udhës, duke kërkuar emërimin e agjentëve konsullorë apo të ngarkuar me Zyrën e Pasaportave.

Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhjetor 1920, pa u konfirmuar akoma statusi i shtetit të pavarur, detyroi shtetin shqiptar të hapte në janar 1921 një zyrë përfaqësuese edhe në Gjenevë ku ndodhej selia e Lidhjes. Eugen Pittardi, nënshtetas zviceran, mik i Shqipërisë, me pëlqimin e Këshillit të Naltë, emërohet Konsull i parë i Përgjithshëm i Nderit i shtetit shqiptar në Gjenevë. Shpenzimet e shtëpisë i paguante shteti shqiptar.

Zyrat e Pasaportave do të funksiononin për të mbrojtur interesat e shtetasve shqiptarë në një periudhë tranzitore, 1919-1921 kur ekzistonte një qeveri shqiptare, por që akoma nuk njihej nga ndërkombëtarët, dhe përbën fillesat e shërbimit konsullor shqiptar./ KultPlus.com

Në 140 vjetorin e lindjes së Fan Nolit, hapet ekspozita ‘Noli në optikën e historisë’

Me rastin e 140-vjetorit të lindjes së Fan Nolit, një prej figurave më poliedrike të shtetit shqiptar dhe letrave shqipe, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, me praninë e ministres së Kulturës, Elva Margariti, organizoi aktivitetin në nderim të tij, ku morën pjesë personalitete të letrave dhe artit si: Xhevat Lloshi, gjuhëtar dhe studiues; Eduart Makri, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare; Vaso Tole, nënkryetar i Akademisë së Shkencave; Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Kombëtar; Ilia Lëngu, përkthyes, të cilët folën për figurën shumëplanëshe të Fan Nolit dhe kontributit të tij të çmuar në letërsi, politikë etj.

Aktiviteti u vijimësua nga ekspozita me tituj librash origjinalë e të përkthyer nga Fan Noli, si dhe monografi dhe numra periodikësh ndër vite – ekspozitë kjo e mundësuar dhe kuruar nga Mehmet Gëzhilli.

“I nisëm aktivitetet e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit me përkujtimin e figurës komplekse e kontraversale, Fan Nolit, këtij personaliteti të letrave, politikës, klerit, për të cilin ka gjithmonë shumë për të thënë e për të zbuluar”, u shpreh ministrja Margariti.

“Mes miqsh e studiuesish të jetës e veprës së Nolit, me ftesën drejtuar brezit të ri, për t’iu qasur e njohur poetin, përkthyesin e oratorin”, theksoi tutje Margariti. / KultPlus.com

Përkujtohet në 140 vjetorin e lindjes një nga figurat më të ndritura të kombit, Fan Noli

Muzeu Historik Kombëtar përkujton sot lindjen e Fan Stilian Nolit (6 janar 1882 – 13 mars 1965).

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, përkthyes, politikan, diplomat, historian e muzikolog, Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme.

Më 1904 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908 , Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju-Jorkut e shuguroi prift ortodoks.

Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale.

Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit.

Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet anëtarësimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë figurë udhëheqëse në luftën për shndërrime demokratike në shoqërinë shqiptare. Me fitoren e Lëvizjes së Qershorit (1924), u vu në krye të qeverisë demokratike si kryeministër për një periudhë 6-mujore.

Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat e Omar Khajamit, romanin “Don Kishoti” të Servantesit etj.. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA-së.

Fan Noli si përfaqësuesi i parë në Lidhjen e Kombeve gjatë vitit 1921, shpresonte shumë te Lidhja e Kombeve, si një tryezë ku mund të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e shteteve të vogla, përballë tryezave të mbyllura të diskutimeve të Fuqive të Mëdha të kohës, që përcaktonin fatet e shteteve të vogla.

Sot, shumë vite më vonë, Shqipëria ulet në tryezën më të lartë vendimmarrëse në botë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit në OKB. / KultPlus.com

‘Nëno moj, mbaj zi për vllanë, me tre plumba na i ranë’

 Poezi nga Fan Stilian Noli

(Elegji për Luigj Gurakuqin)

Nëno moj, mbaj zi për vllanë,
Me tre plumba na i ranë,
Na e vran’ e na e shanë,
Na i thanë trathëtor.

Se të deshte dhe s’të deshnin,
Se të qante kur të qeshnin,
Se të veshte kur të çveshnin,
Nëno moj, të ra dëshmor.

Nëno moj, vajto, merr malin,
Larot t’a përmbysnë djalin
Që me Ismail Qemalin
Ngriti flamur trimëror.

Nëno moj, m’a qaj në Vlorë
Ku të dha liri, kurorë,
Shpirt i bardhë si dëborë;
Ti s’i dhe as varr për hor.

Nëno moj, ç’është përpjekur
Gojë-mjalt’ e zëmër-hekur,
Syrgjyn-gjall’ e syrgjyn-vdekur,
Ky Vigan Liberator./KultPlus.com

‘Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani e mjerë mileti’

Poezi nga Fan Stilian Noli

Anës Lumenjve

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur dhe katosur
Po vajtonj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Ku e lam’ e ku na mbeti,
Vaj-vatani e mjer mileti,
Anës detit i palarë,
Anës dritës i paparë,

Pranë sofrës i pangrënë,
Pranë dijes i panxënë,
Lakuriq dhe i dregosur,
Trup e shpirt i sakatosur.

Se ç’e shempnë derbederët,
Mercenarët dhe bejlerët,
Se ç’e shtypnë jabanxhinjtë,
Se ç’e shtrythnë fajdexhinjtë,

Se ç’e pren’ e se ç’e vranë,
Ç’e shkretuan anembanë,
Nënë thundrën e përdhunës
Anës Vjosës, anës Bunës.

Çirem, digjem i vrerosur,
Sakatosur, çarmatosur,
As i gjall’, as i varrosur,
Pres një shenj’ e pres një dritë,
Pres me vjet’ e pres me ditë,
Se ç’u tera, se ç’u mpaka,
Se ç’u çora, se ç’u mplaka,
Lark prej vatrës dhe prej punës,
Anës Rinit, anës Tunës.

Çakërdisur, batërdisur,
Përpëlitur dhe zalisur,
ËndËronj pa funt, pa shpresë,
Anës Elbë-s, anës Spree-së.

Dhe një zë vengon nga lumi,
Më buçet, më zgjon nga gjumi,
Se mileti po gatitet,
Se tirani lebetitet,
Se pëlcet, kërcet furtuna,
Fryhet Vjosa, derdhet Buna,
Skuqet Semani dhe Drini,
Dridhet beu dhe zengjini,
Se pas vdekjes ndriti jeta
Dhe kudo gjëmon trumbeta.
Ngrehuni dhe bjeruni,
Korini dhe shtypini,
Katundar’ e punëtorë,
Që nga Shkodra gjer në Vlorë!

Ky ilaç e ky kushtrim
më bën djal’ e më bën trim,
më jep forc’ e më jep shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së.

Se pas dimrit vjen një verë,
që do kthehemi njëherë,
pranë vatrës, pranë punës,
Anës Vjosës, anës Bunës.

Arratisur, syrgjynosur,
Raskapitur e katosur,
brohoras me bes’ e shpresë,
anës Elbë-s, anës Spree-së./KultPlus.com

140 vjet nga lindja e Fan Stilian Nolit

Sot bëhen 140 vjet nga lindja e Fan Stilian Nolit. Regjimi zogist i rikthyer me të ashtuquajturën Fitoren e Legalitetit më 24 dhjetor të vitit 1924, e dënoi atë me vdekje në mungesë.

Programi i tij me njëzet pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, ndër të cilat edhe reforma agrare, ishte tejet i nxituar e idealist për një vend të prapambetur dhe pa tradita parlamentare.

Më vonë Noli i shkroi arsyet e dështimit të tij në një letër që ia drejtonte një mikut të tij anglez “Duke këmbëngulur tek reformat agrare, zgjova zemërimin e aristokracisë çifligare; duke mos i zbatuar reformat, humba mbështetjen e masave fshatare”, shkruan KP.

Ai u lind më 6 janar 1882 në Ibriktepe (turqisht për Qytezë), një fshat shqiptar në Trakë, jo shumë larg nga Edreneja.

Fillore dhe të mesme i kreu në gjuhën greke në Heybeliada, Stamboll. Gjithsesi, tek ai ndikoi më shumë krenaria e fshatit shqiptar për të kaluarën historike dhe dashuria për shkrimin shqip kundrejt ndikimit të mbrapshtë politik që donte të kishte Patrikana Ortodokse tek ortodoksët e kombësive të ndryshme, veçanërisht shqiptarët.

Në vitin 1900 shkoi në Greqi me qëllim që të nxirrte jetesën dhe të ndiqte fakultetin e filozofisë. Në Athinë u lidh me një shoqëri belge, e cila zotëronte tramvajet me kuaj. Por nuk i eci mbarë, dhe as studimet nuk i kreu. Atëherë u hodh në punë të tjera si kopist, sufler dhe aktor pranë një trupe greke teatrale shëtitëse që shfaqej dhe në skelën e Galatës. Tek punonte atje, iu ngjall dëshira për t’u marrë me dramaturgji duke shkruar dramën “Zgjimi”, në greqisht, (e cila u ndalua të shfaqej sepse aludonte për lëvizjen shqiptare për liri). Më 1903 shkoi në Egjipt, ku filloi punë si mësues i greqishtes për dy vjet (mars 1903-mars 1905). Kohë kur përkthen në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” që u botua në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në korrik-gusht të 1903, ai nisi të botojë të parat skica letrare në revistën “Numas”.

Në prill 1906, me një biletë avulloreje të klasit të dytë, paguar nga bashkatdhetari që kishte njohur n’Egjipt Spiro Dine, Fan Noli u nis për në Botën e Re duke kaluar nga Napoli dhe mbërriti në Nju Jork më 10 maj. Pasi ndenji tre muaj në Buffalo, ku punoi në një kombinat lënde drusore, Noli shkoi në Boston. Atje, botuesi Sotir Peci i dha një punë si zëvendës-redaktor i gazetës së Bostonit “Kombi”, ku punoi deri në maj 1907 dhe ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza.

Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën “Dielli”, zëdhënëse e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 ai u nis për në Evropë, ku ndenji katër muaj dhe kreu shërbesa kishtare në gjuhën shqipe për kolonitë në Kishinjov, Odesë, Bukuresht dhe Sofje.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik bej Konicën është ndër themeluesit kryesor të shoqatës pan-shqiptare Vatra (në fillim më 6 janar 1907 shoqatën “Besa-Besë” me sekretar Kol Tromarën, që u shkri me Vatrën) bashkë me organin e saj të shtypit “Dielli” i Bostonit, gjithashtu dhe “Shkopi” i Kajros që lëvizën kundër një artikulli të Mit’hat Frashërit në shtypin e Selanikut. Nga viti 1908 deri më 1912 kryen studimet e larta për arte në Universitetin e Harvardit, të cilat i përfundon me cum laude në Bachelor of Arts. Pas shpalljes së Pavarësisë, Noli përkrahu qeverinë e kryesuar nga Ismail Qemali. Në marsin e vitit 1913 ai mori pjesë, në Kongresin Shqiptar të Triestes, i organizuar nga shoku dhe rivali i tij Faik bej Konica.

Në korrik 1913 Fan Noli shkoi për herë të parë në Shqipëri ku mbajti shërbesën e parë kishtare ortodokse në gjuhën shqipe në vend më 10 mars 1914, në prani të princit Vilhelm Vid, i cili kishte mbërritur në Durrës vetëm tri ditë më parë me një anije austro-hungareze. Në gusht 1914 Noli qëndroi për një farë kohe në Vjenë, por me afrimin e reve të zeza të luftës, u kthye në Shtetet e Bashkuara në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 deri më 6 korrik 1916, u bë përsëri kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tashmë gazetë e përditshme. Në korrik 1917 u bë edhe një herë kryetar i Federatës Vatra. Në shtator të vitit 1918 Noli themeloi të përmuajshmen në anglishte The Adriatic Review (Revista e Adriatikut), që financohej nga Federata për të përhapur informacion për Shqipërinë dhe për kauzën e saj. Gjashtë muajt e parë revista u botua nga Noli, ndërsa më 1919, këtë detyrë e mori në dorë Kostandin Çekrezi.

Me zgjedhjet e mbajtura më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Kolonisë së Amerikës në legjislaturën e dytë (21 prill 1921 – 30 shtator 1923). Ai shërbeu si ministër i Jashtëm në qeverinë e Xhaferr Ypit, vetëm për pak kohë përpara se të dorëhiqej. Noli ishte kryetar i Partisë Popullore, e majta e asaj kohe, kundrejt Partisë Përparimtare. Përkrah Luigj Gurakuqit dhe Stavro Vinjaut është ndër oratorët më shpotitës të foltores parlamentare. Më 21 nëntor 1923, u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i Durrësit në Durrës, ndërsa më 27 dhjetor 1923 zgjidhet deputet i Korçës.

Më 1953, në moshën shtatëdhjetë e një vjeç, Fan Nolit iu dhurua shuma prej 20 000 dollarësh nga Federata Vatra, me të cilën bleu një shtëpi, në Fort Lauderdale Florida, ku vdiq më 13 mars 1965. Fan Noli është varrosur në Forrest Hill Cemetery, të Bostonit. Kisha Autoqefale që kishte krijuar u bë më vonë Kryedioqeza ortodokse shqiptare në Amerikë e Kishës ortodokse në Amerikë./ KultPlus.com