Kryeminstri Kurti uron Ylfete Fanajn: Bashkëpunimin e kemi detyrim, përveçse interes të përbashkët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar  Ylfete Fanajn, shqiptaren e parë e cila mori postin e ministres në qeverinë kantonale të Lucernit, duke thënë se bashkëpunimi mes tyre së pari është detyrim, përveçse interes i përbashkët, shkruan KultPlus.

Kurti përmes një postimi në facebook ka thënë se arritjet e Fanajt, shërbejnë si inspirim dhe udhërrëfim për mërgatën që jeton në Zvicër, e cila tash e shumë vite më parë i shërben me besnikëri shtetit Zviceran.

“E ky nuk ishte urimi i parë për znj.Fanaj, dhe duket se nuk do të jetë i fundit. I dëshiroj suksese në detyrën e re dhe punë të palodhshme përballë përgjegjësive të reja. Me të nuk na bën bashkë vetëm origjina, por edhe orientimi socialdemokrat. Andaj edhe bashkëpunimin e kemi detyrim, përveçse interes të përbashkët”, thuhet në urimin e Kryeminstrit Kurti./KultPlus.com

Kurti: Fanaj merr përsipër postin më të lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër

Ish-Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në rrjetin social Facebook ka shkruar për Ylfete Fanajn e cila mori pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit, shkruan KultPlus.

Postimi i plotë i Kurtit:

Sot, znj. Ylfete Fanaj mori përsipër pozitën e Kryetares së Parlamentit të Kantonit të Lucernit të Zvicrës. Shqiptarja e parë deputete e këtij parlamenti, tash bëhet shqiptarja e parë që udhëheqë këtë institucion, që njëherit është posti më i lartë që ka marrë ndonjëherë ndonjë shqiptar në Zvicër.

Ceremonia inauguruese u shoqërua me këngën e vjetër “Moj e Bukura More” e cila shprehë si kujtesën e mallin për atdhe ashtu edhe një histori të rëndësishme për popullin shqiptar i cili jo rrallëherë u detyrua të shpërngulet dhe kërkojë një atdhe të dytë. Suksesi i znj. Fanaj është shembull dhe dëshmi se si me mund, përpjekje e besim, ndonëse larg vendlindjes, shqiptarët mund të jenë bartës të vlerave dhe ushtrues të detyrave të rëndësishme në institucionet e shteteve ku ata jetojnë dhe veprojnë.

E uroj znj. Fanaj për detyrën e re. Zvicrën dhe Kosovën i lidhë e kaluara dhe e tashmja. Le të punojmë si politikanë shqiptarë dhe me orientim socialdemokrat që kjo lidhje të mirëmbahet, kultivohet dhe zhvillohet tutje në të ardhmen.

I dëshiroj suksese dhe punë të palodhshme. /KultPlus.com