Egjipti njoftoi sot zbulimin e katër varreve të faraonëve dhe një mumje më shumë se 4000-vjeçare në Saqqara-s, afër Kajros.
Në nekropolin e Saqqara-s, i njohur për piramidën e famshme të shkallëve të faraonit Djoser, arkeologët kanë nxjerrë në dritë këto varre të vulosura të dinastive të 5-të dhe të 6-të, nga viti 2500 deri në 2100 para Krishtit.
Këto zgavra të thella, të zbukuruara me skena shumëngjyrëshe nga jeta e përditshme, ishin vendbanimi i fundit i Khnumzenedev, kryepriftit të faraonit Unas, u tha gazetarëve arkeologu i njohur egjiptian Zahi Hawas.
Gjatë gërmimit, 15 metra nën tokë, arkeologët zbuluan një sarkofag gëlqeror “në gjendjen e saktë që egjiptianët e lashtë e kishin lënë atë 4300 vjet më parë”, tha Hawass.
Duke e hapur, ata zbuluan një mumje të mbuluar me ar, “një nga më të vjetrat dhe më të ruajturat në Egjipt, me përjashtim të mumive mbretërore”, shpjegoi arkeologu, i cili mbante si zakonisht kapelën e tij të famshme Indiana Jones.
Nekropoli i Saqqara-s, pak më shumë se 15 kilometra në jug të piramidave të famshme të Gizës, është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ashtu si Piramida e Djoserit, e ndërtuar rreth 2700 para Krishtit nga arkitekti Imhotep, që konsiderohet të jetë një nga monumentet më të lashta në faqen e dheut.
Egjipti ka bërë shumë njoftime të mëdha muajt e fundit, kryesisht në Saqqara por edhe në Luxor.
Pardje Kajro njoftoi se kishte zbuluar në këtë qytet jugor egjiptian, Tebën legjendare të faraonëve, rrënojat e “një qyteti të tërë romak” që daton nga shekujt e parë pas Krishtit. / KultPlus.com