Letër Ibrahim Rugovës

Poezi e shkruar nga Faruk Tasholli.

Unë nuk të vij të varri, Ibrahim
As për ditëlindje as për ditëvdekje – hiq,
Nuk dua ta zbeh të bukurin kujtim
Kur terasave, Prishtinës, rrinim si miq.

Te varri yt vijnë sa për pozë
Politikanë poltronë të kohës së re,
Intrigantë të shkathtë me kravata rozë
Që veten e shohin si yje mbi re.

Vijnë edhe ata që të shanë me afsh
Injorantë kokëbosh, kameleonë pa fytyrë,
Vijnë ata që me djallin hanë bashkë –
Veç në pushtet të vijnë me çdo mënyrë.

Unë nuk të vij te varri, Ibrahim
Si thonë gazetat, të bëj homazh,
Ma kanë zënë udhën figurat shqim
Që urrejtjen për ty e kishin tatuazh.

Kur i shoh para kamerave te varri yt
Me qëndim gatitu kokoroshë të krekosur,
Them me vete, sa kanë respekt, këta konvertitë –
Si Bogdanin turqit të kishin zhvarrosur