Prishtina Fashion Night sjell stil, elegancë e glamur në edicionin e XXIV, pjesë e brendeve edhe studentët e Kolegjit Universum

Vjollca Duraku

Mbrëmë, në Prishtinë është mbajtur ngjarja më e rëndësishme e modës në vend “Prishtina Fashion Night 2025”, ku 16 brende të ndryshme kanë prezantuar kreacionet e tyre, në mesin e të cilëve edhe Studentët e Dizajnit të Modës në Uni Universum International College, shkruan KultPlus.

Nën ndriçimin e reflektorëve të fortë, modele të shumta plot elegancë e glamur prezantuan krijimet artistike të modës, që shpërfaqnin kreativitetin, profesionalizmin dhe pasionin e kreatorëve vendorë duke filluar nga veshjet më të thjeshta ditore e deri te veshjet tradicionale dhe fustanet e nusërisë.

Studentët e Dizajnit të Modës të Kolegjit Universum janë prezantuar me 12 kreacione. Përmes pëlhurave dhe siluetave të ndryshme, koleksioni ka paraqitur një gërshetim të bukur duke sjellë magjinë e galaktikës dhe thellësinë e oqeanit përmes ngjyrës blu dhe rruazave më të ndritshme. Ngjyra e verdhë shpërfaqë ngjyrën e rërës dhe të guacave që në brendësi mbajnë perla plot shkëlqim.

Hijeshinë dhe ëmbëlsinë e vërtetë të ngjarjes e solli defilimi i veçantë i vogëlushëve plot stil dhe vetbesim, i cili tregonte për një talent të jashtëzakonshëm ndaj skenës dhe modës në përgjithësi. Duartrokitjet e publikut u jepnin kurajo për të kryer sa më mirë detyrën, për të cilën ishin thirrur në ngjarjen më të rëndësishme të modës në vend.

Në mesin e brendeve që u prezantuan ishin: Alba Traditional, Matrons Dresses, JR Kids, Diellza Design, Eri Ajeti, Flora Avdija Zymeri, Klea Dresses, Walone Fashion Group, Arlinda Beqiri, Edona, Luanda, Rilindja Gjelbër, Drenusha Berisha, Instituto Di Moda Burgo Kosova, Kolegji Universum dhe Akademia Evolucion.

Për argëtimin e të pranishmëve u kujdesën artistët Engjëll Blaku dhe Uran Bajrami, duke sjellë performanca të jashtëzakonshme, kryesisht përmes këngëve nga muzika e huaj.

Krejt në fund, organizatori Blondin Karaxha në një prononcim për KultPlus ka thënë se ndihet shumë krenar që edicioni i XXIV i “Prishtina Fashion Night” është realizuar me sukses.

“Kemi pasur një laramani të brendeve dhe të dizajnerave, duke filluar nga veshjet e përditshme e deri te vellot. Secili prej pjesëmarrësve që ka qenë këtu ka mundur ta gjejë veten dhe të gjejë kombinime për stilet e tyre. Kemi pasur studentë e dizajnerë shumë të famshëm, të cilët tash pas ngjarjes po më falënderojnë për këtë organizim të mirëfilltë për të cilin po ndihem shumë krenar”, ka thënë Karaxha.

Organizatori Karaxha ka thënë se “Prishtina Fashion Night” është një ngjarje me rëndësi shumë të madhe për katin se dizajnerët më të famshëm në vend kanë dalë nga ky organizim.

“Pjesëmarrës kanë qenë edhe dizajnerë që janë studentë. Është mjaft interesante sepse studentët i shohin krijimet e dizajnerëve të famshëm dhe dizajnerët e famshëm ato të studentëve, të cilët na të ardhmen mund t’i kenë edhe punëtorë, apo një ndonjë mënyrë t’i ndihmojnë në të ardhmen, ose t’i shohin edhe si konkurrencë”, ka thënë organizatori Karaxha, duke shprehur mirënjohje edhe për pjesën tetër të stafit organizues për këtë mbrëmje plot shkëlqim dhe elegancë./ KultPlus.com

Liria për t’u përcaktuar nga vlerat dhe estetika

Maria Carla Boscono, Kaia Gerber, Gigi Hadid, Vittoria Ceretti dhe Adut Akech thyen heshtjen duke e prezantuar ekstravagancën dhe individualitetin e krijuar nga Valentino, në formën e tyre më të pastër e më të fuqishme…

Valentino është një tjetër shtëpi mode që prezantoi koleksionin e ri ‘haute couture’, për sezonin vjeshtë-dimër 2019-2020.

Rebel dhe njëkohësisht klasik, ky koleksion është një gamë madhështore veshjesh fantastike të krijuara mjeshtërisht nga drejtori kreativ, Pierpaolo Picioli.

E vetmja mënyrë për të krijuar modën e lartë ditët e sotme është përqafimi i identiteteve dhe kulturave të ndryshme të grave”, këto janë fjalët që Pierpaolo ka përdorur për të prezantuar koleksionin e ri të prezantuar së fundmi në kryeqytetin e modës.

Puplat, thekët prej cope dhe frudat elegante të mëndafshit sjellin frymëzimin nga format dhe stilet vintage në ditët e sotme. Një koleksion që kombinon anën më të gëzuar dhe më të gjallë të modës etnike, me kulmimin e linjave ‘haute couture’ në hije pasteli.

Piccioli konsiderohet si i vetmi që di të luajë me ngjyrat dhe modelet trandicionale në një harmoni ta pazakontë, duke i kthyer ato në një ylber të përsosur.

Roza, roza më e fortë, jeshilja, e kaltra, e kuqja dhe e zeza krijojnë kontrastet më të veçanta në një mënyrë që i përket vetëm modës së lartë…

Gjithashtu, printet e kafshëve të realizuara në formën më elegante e aspak banale vijnë të kombinuara me të florinjtën dhe të bardhën e perlave.

Jo vetëm veshjet, aksesorët ishin ato që morën gjithashtu vëmendjen e adhuruesve të modës gjatë shfaqjes, muzat e famshme të markës dukeshin kaq bukur me to!./Telegrafi/ KultPlus.com