Anthony Hopkins, aktori më i vjetër që fiton çmim ‘BAFTA’: Është e mrekullueshme, nuk e prisja në këtë moshë

Aktori veteran Anthony Hopkins shkruan historinë. Në moshën 83-vjeçare, ai u bë aktori më i vjetër që fiton çmim BAFTA si aktori më i mirë protagonist, falë interpretimit në filmin “The Father”.

Por, aktori uellsian harroi të futej në Zoom për të dhënë fjalimin e falenderimit, pasi ishte shumë i zënë duke pikturuar në dhomën e tij të hotelit.

Ishin familjarët e tij ata që e njoftuan se çfarë po ndodhte dhe e kujtuan që të lidhej me Zoom.

“Nuk e dija që kisha fituar. Po pikturoja në dhomën e hotelit ku po qëndroj kur më telefonuan. Është diçka e mrekullueshme, nuk e prisja kurrë të më ndodhte diçka e tillë në këtë moshë”, tha Hopkins.

Filmi “Nomadland” ishte fituesi më i madh i çmimeve britanike BAFTA, me 4 vlerësime, përfshirë edhe atë të “Filmit më të mirë të vitit”.

Drama amerikane, me protagoniste aktoren Frances McDormand, mori edhe çmimin e aktores më të mirë, regjisorit më të mirë dhe kinematografisë më të mirë. / KultPlus.com