Kryeministri Kurti: Edhe pas një çerek shekulli fati i Ukshin Hotit nuk është zbardhur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u zhduk.Ai tha se edhe pas një ҫerek shekulli më vonë, fati i tij nuk është zbardhur.

“Kosova e shqiptarët në përgjithësi nuk kanë një politikan filozof e teoreticien të politikës sikur ai. Drejtësia për të nuk ka filluar ende”, tha ai.

Ai ka thënë se çdo ditë kujtojmë krimet e pamohueshme që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Në këtë ditë, në përvjetorin e vdekjes, përkujtojmë heroinën Marte Tunaj. Me guxim tregoi të vërtetën për dhunën seksuale, të përdorur nga Serbia si armë lufte në Kosovë. Për këto krime, drejtësia është vonuar”, tha ai.

“25 vite pas, Serbia jo vetëm që nuk pranon këto krime por ende i fsheh ato. Për paqe dhe siguri në rajonin tonë, ballafaqimi me të kaluarën dhe përballja me drejtësinë janë të domosdoshme”.

Tutje ai tha se Republika nuk ndalet në betejën për drejtësi për të gjitha krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.