“Pse më tradhtove e më shitove, pse nuk tregove kur më fejove moj nana jem” (VIDEO)

Fatime Kosumi e njohur me emrin artistik Andrra, ka sjellë këngën “Moj nano” me videoklip, shkruan KultPlus.

Video e “Moj nano”, është realizuar nën regjinë e vetë këngëtares Andrra, DoP Grading, 2nd Editor – Alban Nuhiu 1st Editor – Ramona Schopinski ndërsa është mbështetur nga Cultural Heritage Without Borders Hertz Prishtina.

“Moj nano”, tregon historinë e vajzës e cila është fejuar pa dijeninë e saj, kësisoj në këngë vajza vajton ‘tradhtinë’ e nënës e cila nuk i ka treguar se atë e kanë fejuar./ KultPlus.com

Projekti muzikor ‘Palinë’ nga ANDRRA po i fuqizon gratë shqiptare

Përmes këngëve folklorike, si mënyra e vetme për t’ua lënë gjeneratave të ardhshme tregimet e tyre, gratë në të gjithë botën kanë kënduar, duke sjellë kështu përvojat e tyre në martesat e rregulluara por edhe për martesat në moshë të re.

Kështu, në kërkim të këngëve të tilla edhe në Kosovë, mediumi indie-mag, ka zgjedhur këngën “Palinë” nga Andrra, përcjellë KultPlus.

Në këtë shkrim dedikuar këngëtares shqiptare Fatime Kosumi, projekti i saj ‘Palinë’ është cilësuar si një projekt kulturor unik. Ndërsa tutje ajo ka biseduar për kulturën rurale, realizimin e xhirimeve me kushërirat e saj si dhe për fuqizimin duke mos fajësuar askënd.

Andrra, emri artistik i Fatimes, ka sqaruar se e ka sjellë këngën pikërisht në gjuhën shqipe në mënyrë që gratë e kësaj shoqërie të cilave edhe ju dedikohet kënga të mos përjashtohen nga ky projekt. Sipas saj kthimi i këngës në gjuhën angleze do i linte ato jashtë këngës.

“Këto tregime janë vetëm në këngët popullore nga zona rurale dhe nëse e njihni gjuhën shqipe ju e kuptoni menjëherë nga gjuha. Tekstet janë tipike fshatare dhe kjo është ajo që më pëlqen për to. Kemi këngë tradicionale që janë me të vërtetë të bukura, shoqërohen me orkestra, dhe janë paraqitur në një mënyrë shumë mbresëlënëse nga muzikantë të arsimuar. Por, unë i dua këngët popullore sepse ato janë e kundërta: nuk ka asgjë të bukur në to. Ato nuk janë të aranzhuar bukur, përsëritet një melodi e njëjtë. Dhe mënyra se si femrat këndojnë (ose burrat) në zonat rurale është me të vërtetë e zhurmshme. Gjuha dhe teksti janë aq të drejtpërdrejta dhe të ndershme, nuk ka poezi në të. Dhe unë e dua këtë transparencë”, ka thënë ajo.

Fatime Kosumi ka treguar se kjo këngë është bërë e afërt me publikun në Kosovë edhe për shkak se në këngët bashkëkohore gratë nuk paraqiten shumë. ka treguar se akoma ekziston një presion mbi gratë, mbi vajzat për shkak të obligimeve që shoqëria pret që ato ti përmbushin.

“Ajo që ka qenë e rëndësishme për mua ka qenë që unë të tregoj këto histori, duke mos gjykuar ‘çfarë janë këto tradita brutale’ mirëpo thjesht ti tregoj këto histori. Në këtë mënyrë mund të flasim se si ti ndryshojmë gjërat duke mos fajësuar askënd. Gjithashtu nuk kam dashur që të paragjykoj, Nëna ime ka një martesë të lumtur tani me babin tim. Kjo ka qenë një aksident i këndshëm, kjo sigurisht nuk ka qenë diçka e mirë por as nuk kam mundur që të them vetëm pse ato janë martuar në këtë mënyrë, jeta e tyre është e tmerrshme. Kam dashur vetëm që të bisedoj për atë që ka ndodhur. Kam mësuar se nëse flasim për këtë ne fuqizohemi. Koncepti kryesor i këtij projekti është ‘në rregull, kjo ka ndodhur, kështu që le të flasim”, ka thënë ajo.

Fatime Kosumi po bën famë viteve të fundit në cilësinë e Andrrës dhe po sjellë këngë të njohura duke hulumtuar folklorin shqiptar. Duhe përmendur këtu edhe “Kalle Llamen”, një këngë tjetër e saj që pushtoi toplistat muzikore shqiptare. / KultPlus.com

Revista zvicerane gjen pikën e përbashkët mes Fatime Kosumit, Elina Dunit, Esma Rexhepova…

Revista zvicerane, annabelle.ch. portreton pesë gra interesante nga Ballkani, me zëra të fuqishëm: Andrra (Fatime Kosumi), Elina Duni, Amira Medunjanin, Esma Redžepova dhe Jadranka Stojakovic.

Në udhëtimet e saj me autobus nëpër Ballkan reporterja praktikante Aleksandra Hiltmann dëgjonte përgjatë orëve të tëra muzikë turbo folklorike nga altoparlantët e zhurmshëm. Por universi muzikor ballkanik ka shumë më shumë se kaq, shkruan revista zvicerane, annabelle.ch. Veç tjerash, i ofron pesë gratë interesante me zëra të fuqishëm: Andrra (Fatime Kosumi), Elina Duni, Amira Medunjanin, Esma Redžepova dhe Jadranka Stojakovic.

Në vazhdim autorja ka bërë portretimet e tyre. Ato, të gjitha, me muzikën e tyre ndërtojnë ura, fshijnë kufijtë në mes të kulturave, njerëzve dhe kohëve, transmeton albinfo.ch. Ato tregojnë se muzika flet një gjuhë universale, në të cilën tekstet e vjetra edhe sot e gjithë ditën vazhdojnë të jenë prekëse.

“Takimi im i parë me muzikë nga Ballkani ka qenë një ndër më të rëndësishmit. Në vitin 2012, në kuadrin e një projekti vullnetar, kam udhëtuar për herë të parë në Kosovë. Natën vonë ne mbërritëm në lagjen rome të fshatit Plemetinë. Në mesin e mikpritësve dhe pjesëmarrësve kishte romë, serbë dhe shqiptarë. Romët në Ballkan edhe sot vazhdojnë të jenë shumë të diskriminuar ndërsa gjatë luftës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, ata vazhdimisht ndodheshin në mes të dy fronteve. Por, asgjë nga kjo nuk ekzistonte në atë mbrëmje. Të gjithë rrinin në kopsht, pinin, bënin muzikë, këndonin dhe vallëzonin”, përshkruan autorja atmosferën nga takimi i saj i parë me Kosovën dhe muzikën e saj, para se të bëjë portretimin e pesë zërave të fuqishëm të muzikës ballkanike. Pjesë nga këto portrete albinfo.ch i ka përkthyer në shqipe për lexuesit e vet.

Dy nga këngëtaret: Esma Redžepova dhe Jadranka Stojakovic tashmë nuk janë në mesin e të gjallëve. Të dyja kanë vdekur në vitin 2016: njëra në Shkup e tjetra në Sarajevë. Redjepova ka qenë e njohur prej disa dekadash si një “mbretëreshë rome e pakurorëzuar”, e cila me këngët e saj ka shpërthyer me kohë kufijtë e ish Jugosllavisë dhe vetë kufijtë e muzikës rome, të cilën e ka personifikuar. Ndërsa Jadranka Stojakovic ka qenë emër ikonik në muzikën e ish Jugosllavisë, e njohur edhe për faktin se këndimin e vet e ka shoqëruar edhe me kitarë dhe me harmonikë goje.
Elina Duni është tashmë një emër mëse i njohur ndër shqiptarët dhe zviceranët për adhuruesit e muzikës xhaz, të ngritur mbi muzikën tradicionale shqiptare e ballkanike. Veç tjerash, Elina, e ardhur në Zvicër si vajzë 11 vjeçe nga Shqipëria, ka qenë e nominuar për çmimin kryesor të muzikës në Zvicër, këtë vit.

Ndërsa Amira Medjunanin bën pak a shumë ngjashëm me Elinën, duke e ngritur këndimin e saj karakteristik mbi muzikën tradicionale boshnjake si “Sevdalinka” etj.
Andrra
Vetëm pasi që, si fëmijë, i kishte dëgjuar kasetat e vjetra të nënës së saj, ajo ishte bërë e vetëdishme se çfarë thesaresh të rralal po humbisnin, këngë të vjetra, në të cilat gratë rrëfejnë për jetën e tyre në fshat. Për një jetë e cila shpesh ka qenë dhe pjesërisht vazhdon të jetë, e karakterizuar nga privime dhe dashuri të papërmbushur. Andrra pastaj ka nisur kërkimin e saj nëpër fshatra dhe në shkrime të vjetra për të gjetur meloditë dhe historitë e menduara si të humbura. Albumi i saj i parë rrëfen historinë e Palinës. Si 14 vjeçe, ajo i përgjerohet babait që të mos e martojë ndërsa më vonë qan kur bashkëshorti shkon për të punuar jashtë evndit dhe atë e lë të jetojë me familjen e tij.

Andrra dëshiron që me muzikën e saj t`u falë një zë grave nga e kaluara dhe e sotmja. Dhe, ajo e bën këtë gjë në një gjuhë krejtësisht të sajën: me muzikë Electro./KultPlus.com

‘Nëna ime e takoi për herë të parë babain në dhomën e martesës’

“Nëna ime nuk u dërgua kurrë në shkollë. Përderisa tezet e mia u dërguan për një vit apo dy, dërgimi i saj në shkollë nënkuptohej si humbje e forcës punëtore pasi që ajo ishte anëtarja më e zellshme e familjes. Deri në moshën 14 vjeçare ajo kishte mbledhur aq shumë para sa që ka qenë ne gjendje ta blejë një shporet për shtëpinë familjare.

Ajo ishte fëmija i tretë në një familje me shtatë fëmijë. Kur motrat e mia dhe unë e kemi pyetur nënën time se ku dhe si e ka njoftuar babain tim, ajo është përgjigjur, “Në atë moment kur ka hy n ‘dhomën e fjetjes”. E kishin martuar në moshën 17 vjeçare dhe ajo e takoi babain tim për herë të parë kur e dërguan në dhomë në natën e martesës. Madje edhe në ditën e martesës ajo nuk kishte ditur se cili nga burrat do të ishte bashkëshorti i saj”, ky është nja pasazh I shkëputur nga libri Palinë, I këngëtares nga Kosova Fatime Kosumi, ose e njohur me emrin e artit Andrra. Në librin gati autobiografik ajo jep një udhëtim në historinë e saj personale, për të treguar si ka qenë gjendja me femrat në Kosovë.

“U fejua kur i kishte pasë katërmbëdhjetë dhe e kuptoi këtë ditën kur shporeti të cilin e kishte blerë për familjen e saj po transportohej. Tezja e saj ishte në vizitë atë ditë dhe kur nëna kishte arrite në shtëpi të gjithë ia kishin ngulë sytë dhe tezja ia kishte plasë vajit. Duke e pasur të pamundur të kuptojë tensionin emocional i cili po mbizotëronte, nëna kishte pyetur se çka ka ndodhur dhe tezja i kishte treguar, “T’kanë feju!”. Nëna nuk e ka kuptu se çka nënkupton ajo punë, po kjo nuk e ka ndalë tezën e saj nga çirrjet. “Po të isha në vendin tond, nuk ja kisha jep shporetin!”. Nëna ime e kujton këtë sekuencë me humor…”, shkruan Kosumi.

Për të, “procesi i rishikimit të jetës tënde është pa dyshim terapeutik dhe mua më kujtohet si vajzë e vogël kur nëna ime është mundu me na tregu rreth përvojave të saja dhe ndonjëherë kur motrat e mia dhe unë nuk i kushtonim vëmendje ajo thoshte me vete, “Me pasë mësu me shkru, kisha shkru historinë teme.” Në 2014 ajo kishte vendosur të udhëtoj në regjione të ndryshme të Kosovës të hulumtonte dhe dokumentonte rapsodin e kënduar nga gratë e fshatrave, të cilat tregojnë histori jetësore ngjashëm me ato të nënës së saj. Rezultati ishte një dokumentar i shkurtër “Këngë e Defa – Rapsodi i Femrave nga Kosova”. Po ashtu ajo nisi të lexoj librat e Anton Çetës, profesor dhe studiues i folklorit.

Nga viti 1953 deri në 1987 ai kishte botuar 16 libra me folklorin që kishte mbledhur, përfshi këtu edhe përrallat, mitet, baladat, legjendat dhe tekste të këngëve nga të gjitha regjionet shqipfolëse. “Palinë është një përzgjedhje e teksteve që i kam zbuluar në këtë rrugëtim. Ky është vetëm një fragment nga historia e nënës sime dhe i shumë grave rreth e përqark globit të shkëputura nga shkrim-leximi në pamundësi ta shkruajnë historinë e tyre përveçse përmes këngës.”, thotë ajo. Vetëm pak ditë më parë ajo intepretoi këngët e këtij albumin tek Qendra e Artit Tulla në Tiranë. / Gazeta Shqip / KultPlus.com

ANDRRA me koncert live në festivalin Pop-Kultur në Berlin

Këngëtarja shqiptare Fatime Kosumi e cila tashmë ka formuar grupin e saj ANDRRA, grup ky i cili po rezulton si shumë i suksesshëm e sidomos me këngën “Kalle Llamen”, po vazhdon të jetë aktive, shkruan KultPlus.

‘ANDRRA’ e cila jeton në Gjermani prej kohësh, tashmë do të jetë edhe pjesë e festivalit ‘Pop-Kultur’ në Berlin.

Pop-Kultur, është një festival ndërkombëtar me mbi 70 koncerte, Dj-Sets, biseda dhe filma, që fillon nesër dhe zgjatë deri më 25 gusht në Kulturbrauerei në Berlin.

“Jemi të lumtur të njoftojmë se ne do ta bëjmë EP-në e sapo lëshuar ‘PALINË’ për herë të parë atje”, thuhet në njoftim nga ‘ANDRRA’.

ANDRRA do të performojë në këtë festival krahas artistëve të mrekullueshëm, si GAIKA, Young Fathers dhe ABRA.

Koncerti do të mbahet më datë 25 gusht duke filluar nga ora 20:00 në Berlin Kulturbrauerei. / KultPlus.com