Sekuencat jetësore si narrativë poetike

Xhavit Beqiri njihet për shkrimet e tij me veçori gjuhësore dhe stilistike. Është autor i tri botimeve me poezi dhe i katër librave diskursivë. Krijimet e tij janë prezantuar te disa antologji shqip dhe gjuhë të huaja. Poashtu ka botuar një numër të konsiderushëm analizash, recensionesh dhe ese në të cilat ka trajtuar dukuri të ndryshme (socio)linguistike dhe vepra të autorëve tanë dhe të huaj. Shumë vonë hodhi në treg veprën “Shtëpia Në Breg” me proza të shkurtra poetike në të cilat autori dërgon drejtëpërdrejtë në një lloj imagjinate dhe në një kujtesë shumë të hershme, me një farë mënyre përplasë me dallgët e jetës së tij dhe njëkohësisht edhe protagonistëve që i paraqet brenda veprës. Me veprën “Shtëpia Në Breg” autori secilën nga prozat poetike i klasifikon me tituj përfaqësues, pra duke i paraqitur në nëntë cikle; Buzëqeshje N’andërr, Zemra e Territ, I Kthyeri, Otava, Pamje hyjnore, Bariu i mirë, Zemra e Tokës si dhe Udha. Secili prej tyre ka nga shtatë proza poetike, ku numrin shtatë autori e paraqet si simbolikë. Duke dhënë një laramani temash e motivesh aq sa duken të verteta apo reale aq bëjnë edhe për vete të futemi brenda busullës të ngjarjeve të llahtarisura e me plot befasi.

Misteri element thelbësor tek “Shtëpia Në Breg”

Prozat e shkurtra poetike paraqesin një vijë mes një realiteti dhe një ëndrre. Është pikërisht misteri që i përfaqëson personazhet e shtjelluar nga autori e që i shpie në një hutim apo edhe kaplimi i një frike se çfarë do të ndodhë tutje, mirëëpo prapë ata janë të gjendur në melankolinë e natyrës, edhe pse tërbimi pa dyshim ishte i pranishëm në dallgët e lumit, një lum i tërbuar e i frikshëm, zemërim i zi e që lidhet me zemërimin e njeriut. Ndjesitë e personazheve brenda prozave poetike kaplohen nga ambienti edhe toka qe ata jetojnë. Fshatin e dhënë tek kjo vepër autori e paraqet me një gjallëri, por duke e kthyer në një idilë të jetës së qetë, kur pothuajse shuhet çdo gjë dhe për një moment mbizotëron Apokalipsi. E këtë e vërejmë pikërisht tek proza “Apokalipsi”. Gjatë tërë kohës tretej diçka në mendjen e secilit, koka e tyre ngopej nga hutitë e gjithë kjo mbetet një mister në jetë. Një gjë e tillë e shoqëron edhe gjithë vendin, e kjo qëndron tek “Shtëpia Në Breg” se përkundër furtunave rrënjët e saja mbesin po në atë vend. Koha, hapësira, vendi që zhvillohen këto ngjarje, specifikohen nga një imazh duke e esencializuar pjesën shpirtërore dhe atë jetësore. Një pikë interesante që trajtohet brenda këtyre prozave poetike është njeriu si qenie e mirë. Por thelbi i kësaj që paraqitet nga autori, është ajo fshehtësia e misterit, që duhet të ekzistojë mundësia që të jesh në parajsë, pra në mbretërinë e mrekullueshme të Hyjit krijues, nëse ai ka mëshirë për ty. Është krejt njësoj nëse ti e ke dëshiruar një vend në mbretërinë qiellore,me një përkufizim përmbyllës sa je një dhuratë në tokë, aq je edhe një asgjë. Ajo çka na bie në sy në kuadër të prozave poetike është përmendja e Zotit shpeshherë autori e lartëson lart e më lart dhe është për t’u lartësuar, ku çdo gjendje, veprim, çkado qoftë tjetër, autori e specifikon që varet nga vullneti i Zotit.

Koha e kaluar në relacion me ndjenjat e njeriut

 Jo të giitha ngjarjet janë të vërteta, lidhja e tyre është me ngjashmërinë e të vërtetës, jo efekti i të vërtetës, por pasqyrimi i të vërtetës. Koha e kaluar si një kohë e specifikuar shpie në një ndjeshmëri tepër të lartë, mirëpo ndikimin e lartë të kësaj periudhe e gjejmë edhe tek personazhet, një kohë e kaluar por në përputhshmëri me dashurinë, epshin, lumturinë e harmoninë, le të themi edhe si një lloj sfide në jetën e tyre. Ndjenja e tyre është një ndjenjë krejtësisht e pastër por me një torturë që po ndodhte me veten e tyre. Ndjenja për t’u bërë i dobët para një personi tjetër përcjellet tek njeriu e kjo shihet me së miri tek mashkulli para një vajze, paraqitja e ndjenjave është hezitim pra si një fëmijë i ndrojtur, por shpërthimi i një ndjenje atëherë autori e vënë në situatë të duhur, me forcën e mbledhur për ta shprehur atë ndjesi, e këto elemente autori i paraqet në mënyrë autobiografike që më së miri edhe di t’i realizojë. Kujtimet e kaluara tashmë ishin të zbehura, kthimi i autorit në vendin e tij ishte diçka krejtësisht e pa njohur, duke u ndalur apo ngecur në atë çka vetë autori e paraqet që sado që të na dhembë e shkuara, gjithmonë është një e nesërme që na pret krahëhapur në bregun tjetër të lumit.

Gjuha, simbolika dhe figuracioni

Gjuha në të cilën autori i shkruan këto proza është një gjuhë e pastër, në gegërishten verilindore, mandje me tone të të folurit lokal, që lidhet me të folurit e të parëve, ku pastaj kalon në standarden. Sa i përket figuracionit ajo ҫka vë në pah me së shumti autori është figura e krahasimit ku në tregimin “Mirënjohja” rënien e njeriut në Botën e poshtme e krahason me mënyrën si bien gjethet e verdha në vjeshtën e tretë. Element tjetër krahasues shihet edhe tek tregimi “Kur dole ti” që daljen, mbylljen e derës së shtëpisë nga Vasha e zemrës, autori e vë në krahasim me mbylljen e kapakut të arkës së varrit. Madje se zemra e saj dhe ai zjarr që ajo posedon ishte më i nxehtë se secili zjarr që po e shponte zemrën e tij.   Simbolikën e dhënë nga autori e gjejmë tek tregimi “Guri i jetës” i cili njofton me vetminë e tij shoqëruese gjatë tërë kohës, e që ngushëllimi i vetëm ishte një mulli i vjetër ku aty e priste muhabetin me të tjerēt, përkundër mungesës së personit me të afërt të zemrës është njeriu si guri që e tejkalon edhe këtë gjendje.

Imagjinata, bëhet kategoria thelbësore e kësaj vepre, të cilën autori e fillon me imagjinaren, e zhvillon mbi premise imagjinative dhe e përfundon pikërisht me këto premise, duke ngjallur kështu një kureshtje që nga fillimi e deri në mbarim të veprës. Në mënyrë shumë simbolike, një dritare e lënë hapur është aty për të kuptuar se çfarë po ndodhë, për të parë jetën brenda kornizave të mundshme. Rrjedhja e ngjarjeve lehtësohet me një butësi te vetë situatave duke lënë vetë një shenjë se gjithçka përfundoi, gjithçka u kthye në fillim duke e parë vetën buzë ure, e duke mos ndjerë qoftë një lehtësim të vetëm, por veçse në mendje vie koha e ecur aq shpejtë.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, Dega e Letërsisë shqipe, Fakulteti i Filologjisë.

Fatjonë Spahija / KultPlus.com

Nga Fatjonë Spahija