Tregim nga Fatlum Meholli
Do të zhvillohej një festival gjigant në parkun më të madh të kryeqytetit.
Unë jetoja në një qytet më të vogël e më të varfër ekonomikisht, por shumë më të pasur për nga civilizimi kulturor. E them me bindje të plotë!
Në festival do të merrnin pjesë një numër i madh këngëtarësh, të cilët e pandehnin veten si të tillë. Sidoqoftë, kjo punë iu ecte…
Festivali do të grumbullonte numrin më të madh të shikuesve që do të mbahej mend në atë shtet.
As që më bëhej vonë! Urreja të gjithë ata palo artistë, por edhe ata shikues të ngratë që nuk e kishin idenë se çka do të thotë muzikë e mirëfilltë – vetëm do të brohorisnin si të çmendur.
Disa zonja të bukura më kishin dërguar letër që t’u bashkohem në këtë festival koti; madje, edhe organizatorët më kishin dërguar ftesë si mysafir gjatë atyre tri-katër netëve që do të zhvillohej festivali. Këtu përfshihej edhe akomodimi në një hotel madhështor të kryeqytetit. E mrekullueshme, apo jo?
I mallkuar qofsha nëse gënjej për këtë gjë!
Përshtypje më bëri vetëm ky hoteli. Meqenëse jetoja në një shtëpi të mjerë, natyrisht që kisha dëshirë së paku një ditë të largohem prej aty.
E kur mendoja Hotelin e Kryeqytetit, ushqimin që e përgatitnin aty! Kjo gjë më mbyste.
Arrita ta frenoj lakminë time. Me vete thashë “më mirë të vazhdojë të qëndrojë në mjerim, sesa t’i thyej principet e mia” – madje kur kujtoja që kjo kënaqësi do të zgjaste vetëm për disa ditë dhe mjerimi do të vazhdonte përsëri, dilema ime mbaroi.
Pa menduar më gjatë, mora një laps e letër dhe fillova ta shkruaj refuzimin e pranisë sime në festival – menjëherë ua dërgova organizatorëve.
Pikërisht atë ditë, një ndër partitë më të mëdha të vendit rizgjodhi drejtuesin e tyre për të njëqindën herë. Po ç’u desh që ta fus këtë informacion në këtë tregim?!
Lexuesit e mi të dashur! Me siguri më herët menduat se pse i dërguan ftesë këtij njeriu të gjorë. Eh pra, erdhi koha t’ju tregoj.
Isha tridhjetë e tre vjeç atë kohë. Edhe pse isha i varfër, më nderonin dhe respektonin disa njerëz në qytetin tim. Dhe jo vetëm!
Gëzoja një famë të vogël edhe nëpër qytetet e tjera të shtetit. Por pse?
Kuptojeni pra, isha edhe unë një këngëtar. Madje këngëtar i zoti.
Ah! Ata organizatorët e mallkuar, më kishin bërë ftesë vetëm si mysafir, por jo si këngëtar.
Do të dilja para asaj skene gjigante e asaj turme madhështore, dhe do t’ia thosha disa këngëve të mija.
Shikuesve do t’iu pëlqenin dhe do të vetëdijesoheshin sado pak rreth muzikës së mirëfilltë.
Kjo ëndërr nuk m’u realizua atëherë, ose më mirë me thënë, nuk u realizua asnjëherë.
Atë famë modeste e kisha arritur duke kënduar rrallë nëpër mejhanet e qytetit tim, e nganjëherë edhe në qytetet tjera.
Kudo që interpretoja, të pranishmit mbeteshin gojëhapur. Me të vërtetë kisha një talent të rrallë, por edhe puna e bënte të veten.
Nga ato interpretime fitoja relativisht mirë. Sa për ta ngopur barkun tim të zbrazët dhe të maçokut tim të dashur – Kontrastit. Qesharake, apo jo?
Kështu e emërova kur lindi, në bazë të ngjyrave të tij: bardhë e zi.
Ishte gjithçka që kisha në këtë jetë të zymtë.
Kisha qenë fëmija i vetëm i familjes, por me prindërit kalova vetëm disa vjet nga fëmijëria ime e hershme.
Jam rritur në jetimore deri sa mbusha të tetëmbëdhjetat, pastaj më flakën që andej.
Pas një kohe kuptova që prindërit më kishin vdekur në një aksident trafiku, dhe për fat të keq nuk kisha qenë së bashku me ta atë ditë. Isha shumë i vogël atëherë, andaj besoj shumë që nuk do të ishin më të mëdha dhimbjet e vdekjes sesa dhimbjet e kësaj jete plotë padrejtësi dhe mjerim!
Pas gjithë këtyre vjetëve, isha mësuar sado pak me mungesën e prindërve.
Pra, tani gjithçka që kisha ishte maçoku im. Mos të harrojë ta përmend edhe kitarën time, e cila më shoqëronte kudo që shkoja. Isha ekzekutues relativisht i mirë i saj.
Zëri që kisha më mundësonte që gabimet e vogla me kitarë të mos vëreheshin shumë.
Gjatë gjithë kohës, në shtëpi shkruaja tekste këngësh. Tekste që lirisht mund të botoheshin si një vëllim poetik. Gjatë gjithë kohës mbaja me vete një fletore të vogël e një laps, dhe sapo më vinte një varg i mirë ndër mend e hidhja menjëherë aty.
Pa modesti e them, kisha një talent shumë të madh dhe e doja këtë farë pune me gjithë zemër. Ia kisha kushtuar gjithë jetën!
Ato ditë kaloja në një gjendje të rëndë – fuqia e trupit tim, gjithnjë e më shumë shkonte duke u venitur, më vinte zor të ngrihem edhe nga shtrati.
E gjithë kjo farë lodhjeje shpirtërore dhe fizike më vinte nga kushtet e liga të jetës, ndërkaq më shtohej edhe më shumë nga mllefi që kisha për atë festival të mallkuar.
Si mund të qëndroja i qetë, si!?
Aty do të ekzekutonin persona që “këngët” i realizonin për gjysmë ore dhe me parat e majme që do t’i fitonin, kishin mundësi ta kalojnë një pjesë të jetës.
Ndërsa unë ua kushtoja gjithë jetën atyre. Më shkonte dita duke i krasitur tekstet: duke shtuar, duke hequr… pastaj i këndoja, ua përshtatja melodinë.
Parat që kisha kursyer nga koncertet e mia modeste, fillova t’i shpenzojë me të madhe nëpër kafenetë e mallkuara ku shkoja pothuaj çdo ditë, dhe aq shumë dehesha atje duke pirë saqë më humbte vetëdija plotësisht, ndërkohë disa miq më sillnin në kasollen time në mesnatë dhe më lëshonin aty si një qelbësirë e pavetëdijshme.
Zgjohesha në mesditë dhe vetëdija m’u kthehej, por rutina e jetës sime ishte bërë e tillë, gjë që më shkatërronte ngadalë – megjithatë shpirti nuk më dilte.
Kursimet gjithnjë e më shumë shtereshin. Eh, i mjeri unë! Më priste një krizë jashtëzakonisht e madhe financiare, pasi që as në ndonjë koncert modest nuk më ftonin më, për shkak se zëri m’u kishte shndërruar në një bashkësi tingujsh të çjerra – këtu kishte ndikuar sëmundja e faringjit. Kjo sëmundje e mallkuar nuk më lëshonte. E si të shpëtoja prej saj, kur ambienti i kasolles sime ishte aq i ftohtë saqë nuk kishte dallim nga ambientet e jashtme.
Ndërkaq, ato barëra që m’i kishin shkruar, jo që i bleva por as që pyeta për çmimin e tyre.
Sidoqoftë, edhe tekstet nuk mund t’i mbaja në mend. Ah, tekstet e mia të dashura, sa shumë kujdesesha për to!
Meqenëse nuk isha i zoti më për këndim, mendova që ta gjej një punë fizike, sa për t’i siguruar shujtat e vogla ditore, por nuk isha i aftë për asnjë punë – shëndeti i ligë nuk më lejonte që të ngrihem mirë në këmbë, e leje më të punoja diçka – gjë që kërkon një përgatitje jashtëzakonisht të madhe fizike dhe psikike.
Ditët kalonin si rrufeja, ndërsa gjendja ime shëndetësore përkeqësohej dita ditës. Kjo gjendje më në fund më mundi. Vdiqa! Vdiqën edhe ato ëndrra dhe shpresa të një rioshi zellmadh.
Nuk shihja asgjë, përveç një errësire të madhe. Nuk shihja, nuk shihja! Por, nuk kisha vdekur. Trupi më lëkundej e më lëkundej… E ndjeja që dikush po më prekte.
Errësira filloi të zhdukej dhe dielli po lindte sërish.
Një fytyrë e turbullt më kishte dal përpara dhe po murmuriste diçka.
– Zgjohu, zgjoooh…
M’u hapën sytë krejtësisht dhe pamja m’u qartësua; ajo fytyrë e turbullt kishte qenë e babait tim, i cili po më fliste vazhdimisht.
– Zgjohu djalosh, zgjohu! Koha po ec shumë shpejt, dhe ti duhet të përgatitesh. Pasdite do të interpretosh në një festival madhështor, i cili do të mbahet në mend për një kohë të gjatë…
I habitur nga e gjithë kjo, u zgjova dhe u përgatita.
Këngët që do t’i këndojë nuk i kanë dy gram tekst, ndërkaq interpretimi do të jetë playback. Në kitarë ose në ndonjë instrument tjetër muzikor jo që nuk di të luaj, por as që i kam prekur ndonjëherë me dorë. E për çfarë përgatitje po më flet ky babai im!?
Sidoqoftë, koha erdhi dhe më duhet të nisem për në festival… /KultPlus.com