Kumbaro: Rikualifikimi i sheshit në Gjirokastër, nxitje turizmit

Në Gjirokastër janë drejt finalizimit punimet për rivitalizimin e sheshit “Çerçiz Topulli”, që pritet t’i gjallëroj edhe më shumë zonën e vjetër të qytetit, duke e bërë Qafën e Pazarit të lidhet natyrshëm me pjesën tjetër të qytetit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ndau në rrjete sociale momente nga puna që vijoj aktualisht aty, ku po vendoset busti i Çerçiz Topullit i restauruar.

“Nga episodi “Çeçua në aksion” për t’u rikthyer në piedestalin e tij prej mermeri që po i nënshtrohet gjithashtu restaurimit, pasi mbaroi rikualifikimi i plotë i sheshit falë investimit të qeverisë dhe projektit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit”, shkroi Kumbaro.

“Sheshi i Çerçizit” i rikonceptuar, duke mos prekur elementët urbanë ekzistues do të kthehet në një vend pushimi për turistët e shumtë që mrekullohen nga pamja magjepsëse që ofron qyteti.

Investimet e reja në restaurimin e qytetit e vendosin Gjirokastrën, përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve./atsh/ KultPlus.com

Ndahet nga jeta gazetari dhe diplomati, Fatmir Kumbaro

Në moshën 76-vjeçare është ndarë nga jeta Fatmir Kumbaro.

Ndërsa po trajtohej në spital për shkak të një problemi me frymëmarrjen, ka pësuar një arrest kardiak, ç’ka ka qenë fatale për jetën e gazetarit dhe diplomatit të njohur.

Fatmir Kumbaro u lindi në Tiranë me 5 dhjetor të vitit 1947.

I diplomuar në fakultetin drejtësisë në Universitetin e Tiranës, ai ka kryer detyra të rëndësishme; gazetar në gazetën “Zëri i Popullit”, pedagog në fakultetin juridik në Universitetin e Tiranës dhe Drejtor i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar në vitin 1991.

Fatmir Kumbaro ka qenë ndër themeluesit e Partisë Socialiste dhe për disa vite anëtar i kryesisë së saj. Ka qenë në vitet e para të pluralizmit edhe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Kontribut të çmuar ka dhënë Fatmir Kumbaro edhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut dhe në Bullgari.

I veçantë ka qenë kontributi i zotit Fatmir Kumbaro në momentet delikate para e gjatë luftës në Kosovë, kur në përgjegjësinë e Ambasadorit në Maqedoninë e Veriut iu desh të koordinonte veprimet e shtetit shqiptar me faktorin ndërkombëtar, ashtu sikundër me të njëjtën përgjegjësi dhe angazhim luajti u angazhuar pas zhvillimeve në Maqedoninë e Veriut në kohën e luftës së UÇK-së deri në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe më pas në implementimin e saj.

Autoriteti intelektual dhe angazhimet qytetare, të qenit i drejtë dhe kurajoz, kultura e veçantë dhe zotërimi i tetë gjuhëve të huaja e bënin Fatmir Kumbaron një figurë të veçantë, imponuese dhe të admirueshëm njëherësh./ atsh / KultPlus.com